Komuna e Drenasit, e cila ditëve të fundit është përballur me përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka paralajmëruar padi ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” për ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm.
Sipas Komunës, pas vërshimeve KRU “Prishtina” ka ndaluar furnizimin me ujë në disa pjesë të territorit të Drenasit, gjë që, sipas kryetarit Ramiz Lladrovci, paraqet vështirësi serioze për qytetarët dhe rrezik për një krizë humanitare.
“Vështirësi e veçantë është furnizimi me ujë të pijes për disa ditë në një pjesë të territorit të komunës dhe mund të shkaktohet katastrofë humanitare. Lidhur me furnizimin me ujë, qytetarët duhet të drejtohen pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina””, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.
Tutje bëhet e ditur se Komuna do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina” për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm.
“Kryetari i komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Komuna do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina”, për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrvoci, ka njoftuar se vërshimet kanë bllokuar sërish disa rrugë në këtë komune. Ai ka kërkuar nga qytetarët që të mos lëvizin pa arsye, dhe ka njoftuar edhe se, ekipet emergjente janë terren.
Kryetar i Drenasit, ka treguar se cilat rrugë janë të bllokuara si pasojë e vërshimeve.
Aktualisht, nga vërshimet, janë të pakalueshme rrugët si vijon:
Drenas – Guri i Plakës,
Drenas – Kroi i Mbretit
Shtrubullovë – Korroticë e Ulët, dhe
Rruga nga Komorani 1 në drejtim të Komoranit 3.
Rruga nga Komorani për Skenderaj në drejtimin të Drenasit zhvillohet me vështirësi dhe ka kolona të gjata.
Qytetarë të nderuar,
Kërkojmë nga ju të mos lëvizni pa arsye, të respektoni shiritat e ndalimit të kalimit, shprehni solidaritet dhe nëse keni mundësi ndihmoni për të tejkaluar gjendjen.
Ekipet emergjente janë në terren dhe bashkë me Policinë e Kosovës dhe AME-në, po bëjnë të pamundurën për lehtësimin e gjendjes.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se situata pas vërshimeve në këtë komunë po shkon drejt stabilizimit, pas ndaljes së reshjeve të shiut.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve, Lladrovci ka falënderuar për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës gjatë menaxhimit të situatës.
“Ju falënderoj për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës në situatën e vërshimeve”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht vetëm një rrugë mbetet e bllokuar, ndërsa rrugët e tjera janë të kalueshme, megjithëse kërkohet kujdes i shtuar.
“Aktualisht, janë ndalur reshjet dhe rruga e vetme e bllokuar është rruga Drenas–Guri i Plakës. Rrugët tjera, të cilat kanë qenë të bllokuara, janë të kalueshme, por kërkohet kujdes”, ka theksuar ai.
Sipas Lladrovcit, ekipet komunale janë të angazhuara me prioritet në disa zona problematike, ku po shënohen përmirësime të dukshme.
“Angazhimet me prioritet për ujin te Lokalet e reja, afër Stacionit të Autobusëve, po japin rezultat dhe së shpejti situata do të përmirësohet”, ka deklaruar kryetari i Drenasit.
Në fund, Lladrovci u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet e institucioneve dhe të tregojnë solidaritet në tejkalimin e situatës.
“Respektoni vendimet e organeve kompetente, jepni ndihmë ku mundeni për tejkalim të situatës dhe shtoni kujdesin”, ka apeluar ai./Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Kuvendi i Drenasit ka zgjedhur kryesuesin e ri në raundin e parë të votimit, duke dëshmuar, sipas tij, unitet dhe funksionim demokratik.
Në një postim në Facebook, Lladrovci ka njoftuar se Burim Bujupi është zgjedhur kryesues i Kuvendit të Drenasit me 15 vota, ndërsa ka theksuar se Kuvendi përbëhet nga përfaqësues të shtatë partive politike.
Ai ka bërë të ditur se procesin e votimit e ka ndjekur nga Londra, prej nga ka përshëndetur të gjithë asamblistët për vendimmarrjen, si dhe kryesuesin e zgjedhur për përgjegjësinë e re institucionale.
“Uniteti ka emër, bashkë, përpara”, ka përfunduar Lladrovci mesazhin e tij. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka mbajtur sot seancën inauguruese të Kuvendit Komunal, në të cilën u bë betimi i anëtarëve të rinj të kuvendit dhe betimi i kryetarit të rizgjedhur, Ramiz Lladrovci, për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Anëtarët e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025 u zotuan për të ushtruar detyrën me integritet, transparencë dhe në përputhje me ligjin, duke shënuar nisjen e legjislativit të ri lokal.
Në këtë seancë, kryetari Lladrovci dha betimin solemn për herë të katërt, duke theksuar përkushtimin e tij për qeverisje bashkëpunuese dhe në shërbim të qytetarëve të komunës, pa dallime politike, familjare apo shoqërore. Ai nënvizoi se qeverisja në Drenas ndër vite është vlerësuar ndër më të mirat në nivel vendi.
“Me përkushtim për qeverisje të bazuar në ligj, transparencë dhe llogaridhënie, besoj se bashkë me përbërjen e re të Kuvendit do të vazhdojmë të sjellim rezultate për qytetarët,” tha ndër të tjera Lladrovci, duke shtuar se objektiv mbetet që Drenasi të bëhet “dhjetë herë kampion i qeverisjes së mirë”.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes kuvendarëve, qytetarëve dhe institucioneve qendrore është thelbësor për realizimin e projekteve në proces dhe nismave të reja që synojnë zhvillimin e komunës.
Në fjalimin e tij, Lladrovci falënderoi edhe përbërjen paraprake të Kuvendit (2021–2025) për mbështetjen e vendimeve të rëndësishme, përfshirë shpalljen “Qytetar nderi” të disa personaliteteve. Ai shprehu shpresën që gjatë vitit të ardhshëm, ky titull t’u jepet edhe figurave të njohura të luftës dhe paqes.
Seanca inauguruese shënon fillimin zyrtar të ciklit të ri qeverisës në Drenas, me synimin për të avancuar projektet aktuale dhe për të zhvilluar iniciativa të reja në shërbim të komunitetit. /Telegrafi/
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka folur edhe për zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, përfshirë rikthimin e Ramiz Lladrovcit në këtë subjekt politik.
Ky vendim ka ngjallur reagime brenda degëve lokale dhe ka hapur debat për konsolidimin e PDK-së në prag të procesit të ri politik në vend.
I pyetur pas betimit të tij për mandatin e ri, Lushtaku deklaroi hapur se qëndrimi i tij personal në lidhje me Lladrovcin mbetet i pandryshuar, pavarësisht vendimit zyrtar të partisë për ta rikthyer atë në strukturat e saj.
“Mendimet asnjëherë nuk i ndryshoj. Për mua, Lladrovci nuk është PDK, por unë i respektoj vendimet e kryetarit dhe kryesisë së partisë”, tha Lushtaku, duke nënvizuar se dallimet e tij me Lladrovcin janë të njohura dhe nuk kanë ndryshuar me kalimin e viteve, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se, pavarësisht rezervave personale, është i gatshëm të respektojë hierarkinë e partisë dhe vendimmarrjen kolektive, duke sinjalizuar se nuk do të krijojë tensione të reja brenda degës së Skenderajt.
Deklaratat e Lushtakut vijnë në një moment kur PDK-ja po tenton të paraqitet e unifikuar para opinionit publik, ndërsa rikthimi i disa figurave të vjetra është parë si përpjekje për forcimin e partisë. Megjithatë, vërehet se dinamika e brendshme vazhdon të jetë e ndjeshme, sidomos në zonat ku figurat politike kanë histori të gjata rivalitetesh.
Me këtë qëndrim, Lushtaku la të kuptohet se edhe pse është i gatshëm të punojë në kuadër të vendimeve zyrtare, distanca e tij politike ndaj Lladrovcit mbetet e qartë. /Telegrafi/
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar deklarimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku ai kishte përdorur termin “hajvana” për opozitën pas zgjedhjeve.
“Kur ka thënë hajvanat i pijtë u kanë, ka pi, kot ua shet myslimanëve që unë nuk pi. Nuk ka mundur me përmbajt vetën e ka gabu, pra gabim ka bërë bre, nuk është bërë kiameti nuk u ka thënë qytetarëve hajvanat, liderëve u ka thënë a liderët po mundohen me gjujt tek qytetarët, nuk iu ka thënë qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ai u pyet nëse ia ka bërë testin e alkoolit, por tha se nuk ka dyshim që Kurti ishte i dehur dhe tha se i kërkon falje nëse nuk ka qenë.
“Jo kërkoj falje publikisht nëse ai konsideron që nuk ka qenë i pijtë, krejt informacioneve që më vijën ka qenë i pirë”, ka theksuar ai.
Në Sallën e Kulturës në Drenas, janë nënshkruar kontratat për ndarjen e 200 bursave komunale për studentët përfitues për vitin akademik 2025/2026. Bursat financohen nga buxheti i Komunës së Drenasit dhe synojnë të mbështesin studentët në përballimin e shpenzimeve gjatë studimeve.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, i cili uroi studentët dhe nënshkroi zyrtarisht kontratat. Ai tha se ndihet krenar për numrin e madh të të rinjve që vazhdojnë shkollimin dhe tregojnë përkushtim në zhvillimin e tyre profesional.
“Rritja e të rinjve në fushën e arsimit është arritje jo vetëm personale, por edhe e familjeve dhe e komunës sonë. Përkushtimi juaj është motivi ynë që çdo vit të zgjerojmë mbështetjen për studentët”, deklaroi Lladrovci.
Ai përgëzoi të gjithë përfituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe theksoi se Komuna e Drenasit do të vazhdojë mbështetjen për studentët edhe në vitet e ardhshme.
“Kemi rritur numrin e bursave sipas mundësive buxhetore dhe do të vazhdojmë këtë traditë që t’ua lehtësojmë barrën studentëve dhe familjeve të tyre në rrugën e studimeve”, shtoi Lladrovci.
Me këtë iniciativë, Komuna e Drenasit riafirmon angazhimin e saj për investim në arsim, përkrahjen e të rinjve dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për komunitetin. /Telegrafi/
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka komentuar takimin që u zhvillua mes Bedri Hamzës, Ramiz Lladrovcit dhe Ali Ahmetit, duke theksuar se marrëveshja mes tyre është arritur pa kushte për Partinë Demokratike të Kosovës.
Haliti tha se Lladrovci i kishte konfirmuar se nuk ka asnjë kërkesë apo kusht për PDK-në.
“Është mirë që janë pajtuar. E mora vesh edhe nga Ramizi personalisht që nuk ka asnjë kërkesë tjetër, asnjë kusht për këtë çështje. Është shumë mirë për PDK-në që të mos ketë përplasje në Drenas apo mes figurave qendrore në Drenas dhe Skenderaj. Unë e falënderoj Aliun që erdhi nga Kërcova për këtë punë dhe angazhimin e Bedriut për t’i pajtuar”, tha Haliti në T7.
Hamza, ka deklaruar se Ramiz Lladrovci mbetet pjesë e pandashme e PDK-së, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme të partisë dhe komunës së Drenasit.
“Në takim me mikun tim, zemërhapur, ritheksuam pa kushte se Ramiz Lladrovci ka qenë, është dhe mbetet PDK”, shkroi Hamza.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se Ramiz Lladrovci mbetet pjesë e pandashme e PDK-së, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme të partisë dhe komunës së Drenasit.
Në një postim publik, Hamza tha se gjatë takimit të tij me Lladrovcin është ritheksuar pa hezitim përkatësia e tij ndaj PDK-së.
“Në takim me mikun tim, zemërhapur, ritheksuam pa kushte se Ramiz Lladrovci ka qenë, është dhe mbetet PDK”, shkroi Hamza.
Ai shtoi se Drenasi vazhdon të jetë një prej bastioneve të forta të PDK-së dhe të vizionit të dëshmorëve të UÇK-së. Hamza theksoi se qeverisja e deritanishme në këtë komunë dëshmon unitetin dhe energjinë politike drejt fitores në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Drenasi është komuna e shtatë ku vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes vazhdon të jetë bastion i fitoreve, në zemrën e Kosovës. Energjitë e bastionit të UÇK-së dhe PDK-së, në Drenasin e dëshmorëve dhe martirëve, me qeverisjen e shkëlqyer, do të jenë dëshmi e unitetit tonë për fitoren e 28 Dhjetorit. Të bashkuar, gjithmonë të fituar!”, përfundoi Hamza.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili ditën e premte deklaroi se s’ka ndonjë vendim në PDK që thotë se Ramiz Lladrovci është përjashtuar nga PDK.
Lladrovci në reagimin e tij ka shkruar se uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës.
"Përkundër deklarimeve të mija, të qarta si rrezja e diellit, mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet. Për fat të keq, nga disa eksponentë, gjendja po promovohet normale dhe disfata po paraqitet fitore. Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën. Kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë as degën. Uniteti është zotim i përkushtimit për qëllime më të larta se fati i një dege apo individi. Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës, e cila qëndron mbi çdo sakrificë tonën", ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Ai tutje shtoi se situata në PDK kërkon ridefinim të qasjes dhe metodave të veprimit politik dhe organizativ.
"Kjo mund të bëhet duke u shërbyer me gjuhën e fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile. Shkurtpamësinë politike do larguar nga partia e krijuar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar, për Kosovën shtet me vlera euro-atlantike", theksoi mes tjerash ai.
Ndër të tjera, Lladrovci deklaron se keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shteformuese dhe shtetndërtuese. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur mbledhjen e parë me kryesinë e partisë, pas zgjedhjes së tij në këtë pozitë.
Hamza në një konferencë për media pas kësaj mbledhjeje, ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike, u shpreh se PDK është gati për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe do të dalë fituese.
Ai tha se janë të bashkuar, të organizuar dhe me vizion të qartë për Kosovën për t’ia kthyer normalitetin, stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve.
“Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, që bashkëpunon me akterë të brendshëm dhe partnerë të jashtëm, si dhe që jep rezultate. Jo për improvizim, ndarje dhe ikje nga përgjegjësia. Jemi të bindur dhe besojmë thellë se bashkë me qytetarët, ne do ta hapim një kapitull të ri për vendin”, ka thënë ai.
Hamza ka njoftuar se Kryesia e PDK-së ka marrë vendime kyçe organizative për mobilizimin në çdo komunë, në çdo lagje, me çdo strukturë.
“Ne kemi një platformë të qartë qeverisëse për ekonomi të zhvilluar, stabilitet politik, dialog të përgjegjshëm, sundim të ligjit, investime kapitale dhe integrim euroatlantik. E kemi nisur formimin e ekipit, shtabit zgjedhor dhe përgatitjet për një listë dinjitoze e përfaqësuese të kandidatëve për deputetë. PDK do ta zhvillojë një fushatë të qetë, programore dhe të fokusuar te nevojat e qytetarëve. Ashtu si në fushatat e kaluara, ne do ta shmangim gjuhën e përçarjes dhe do të fokusohemi te rezultatet dhe vizioni ynë për vendin”, ka thënë ai.
Hamza ka thënë se dera e PDK-së është e hapur për të gjithë që duan t’i bashkohen këtij vizioni.
“Si PDK tashmë i kemi nisur diskutimet me të gjitha degët, strukturat dhe aktivistët tanë, si dhe me çdo qytetar që ka vullnet të angazhohet e të na bashkohet për të mirën e Kosovës. Dera jonë është e hapur për të gjithë. Prandaj, ajo që mund t’ju them sot është se PDK-ja po forcohet dhe po rritet”, ka njoftuar më tej ai.
Hamza ka theksuar se PDK e mirëpret dhe e vlerëson jashtëzakonisht shumë kontributin e mërgatës në procesin zgjedhor.
“Pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë në zgjedhje është vlerë për demokracinë tonë. PDK është parti e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se ku jetojnë ata”, ka shtuar kreu i PDK-së.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, në konferencën e sotme për media ka folur edhe për problemin në mes të PDK-së dhe Ramiz Lladrovcit i ndodhur në zgjedhje lokale.
Hamza ka thënë se s’ka ndonjë vendim në PDK që thotë se Ramiz Lladrovci është përjashtuar nga PDK.
Ai ka thënë se është i bindur që do të vazhdojnë bashkë për të maksimalizuar votën për PDK-në.
“Tek çështja e Drenasit, Ramiz Lladrovcin kërkush s’e ka përjashtu prej PDK-së. S’ka vendim brenda PDK-së që thotë se Ramiz Lladrovci s’është në PDK. Prandaj jam i bindur që ne bashkë do të vazhdojmë edhe të garojmë edhe ta maksimalizojmë votën për PDK-në”, ka deklaruar Hamza.
Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, në Rubikon të Klan Kosovës u shfaq i bindur se do ta mposhtë Albin Kurtin, nëse në zgjedhjet e ardhshme garon me iniciativën e tij.
Lladrovci deklaroi se do të përgatitet, pasi sipas tij kurrë në jetë nuk është zënë në befasi.
“Unë kam thënë nëse dal me iniciativën time, do ta mund edhe Albin Kurtin”, deklaroi Lladrovci në Klan Kosova.
Ai tha se PDK-ja do të shkonte në një koalicion me Vetëvendosjen nëse do të arrinin të dakordoheshin në disa pika, siç është ndihma për fondin për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sot, mandatari për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk mori më shumë se 56 vota e të cilat ishin të pamjaftueshme për formimin e ekzekutivit të ri.
Kështu vendi pritet të shkojë sërish në zgjedhje, pasi që as pas 9 muajsh prej se u mbajtën zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka qeveri.
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova u shpreh se në situatën në të cilën jemi, do të dëshironte që Glauk Konjufca ta merrte mandatin e kryeministrit.
Ai tha se pas situatës së sotme, do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, siç u shpreh ai, në dhjetor ose në fillim të janarit.
“Unë nuk kam dëshirë shumë ta analizojë Vetëvendosjen. Glaukun e kam mik, ne kemi miq pavarësisht në cilin subjekt janë dhe askush s’mund të na mohojë se kemi miq. Në këtë situatë, kisha pasur dëshirë që Glauku sot ta marrë mandatin e kryeministrit, por ja që partitë politike opozitare kanë vendosur ndryshe dhe ne po besoj që po shkojmë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme, në dhjetor apo në fillim të janarit. E vendos presidentja pas konsultimeve me partitë politike”, deklaroi Lladrovci.
Sipas tij, mungesa e qeverisë dhe mungesa e konstituimit të Parlamentit është dëm i madh, “sidomos në këtë situatë që po kalon Kosova”
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar në Facebook duke komentuar në mënyrë të tërthortë deklaratën e fundit të anëtarit të PDK-së, Sami Lushtaku, i cili të hënën shprehu kundërshtimin ndaj kthimit të Lladrovcit në radhët e partisë.
Pas kësaj, Lladrovci, në një postim në rrjetet sociale, ka shkruar se "Inati e prish kalin".
"Inati e prish kalin! Një gjë duhet ta kenë të qartë ata që merren me sportin e rëndë: politika ka moral, parime dhe konsekuenca. Mat mirë, prej mirë, qep mirë dhe kostumi del i mirë", ka shkruar Lladrovci.
Ndryshe, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ditën e hënë ka folur pak para nisjes së konventës së Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se është kundër kthimit të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovi në PDK.
“Jam gjithmonë kundër që Lladrovci të kthehet në PDK”, është shprehur ai.
Kujtojmë se Lladrovci nuk u përzgjedh nga kryesia e PDK-së për të garuar në zgjedhjet lokale, dhe pas kësaj, ai kandidoi i vetëm, ku edhe fitoi sërish një mandat për të udhëhequr komunën e Drenasit./Telegrafi/
Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri është caktuar të mbahet më 17 nëntor, ditë e hënë.
Megjithatë, disa reagime janë bërë rreth thirrjes së kësaj konvente, fillimisht Enver Hoxhaj, kërkoi shtyrjen e kësaj Konvente, duke pohuar se një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër, transmeton Telegrafi.
Pas kësaj, reagoi sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, duke thënë se çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë.
Në debat u përfshi edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se "Dy ditë, deklarime, përgëzime dhe urime nga drejtues qendror e lokal të PDK-së dhe qytetarë, kanë vënë në pah të kaluaren dhe zotimin për unitet, pas dorëheqjes së Krasniqi".
"Qëndrime miqësore e me mirëkuptim, është e kuptueshme .Megjithatë, nuk po adresohet përgjegjësia e organizimit dhe strukturës së partisë, për bedelët nëpër degë, apo për dështimin kapital për të bërë opozitë kundër qeverisjes aktuale që është më e keqja që nga çlirimi", theksoi ai.
Ai shkroi tutje se "Për hir të unitetit, nuk po thuhet se ku u gabua, pozita dhe opozita më e madhe në Drenas janë PDK, vendimmarrësit nuk duan të cekin ende se PDK ka fituar në shtatë komuna".
"Vepra ime jetësore është e pandashme nga Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe atdhetarët tjerë, ky fakt nuk do të duhej të keqpërdorej", deklaroi Lladrovci.
Mes tjerash, ai ka shkruar se pret që kandidati për kryetar të PDK-së ta ketë Platformën dhe deklaratën politike.
"Pres ta prezantoj kryesinë e ngushtë dhe të gjerë e cila do të jetë e aftë ta largojë qeverinë aktuale nga degradimi i mëtejmë i shtetit. Megjithëse nuk jam në Kosovë, zhvillimet në Kuvendin e PDK-së të hënën do ti ndjek me interesim, duke pritur përgjigjen se cila është rruga e partisë së heronjve tanë të luftës dhe paqes. PDK është vetë liria dhe shteti i Kosovës".
Ndryshe, Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje para disa ditësh, ndërsa deri tani Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së. /Telegrafi/
Gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, Drejtori Ekzekutiv i Helvetas Swiss Intercooperation, Melchior Lengsfeld, vlerësoi bashkëpunimin shumëvjeçar me institucionet kosovare dhe theksoi përkushtimin e organizatës për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, përfshirjen e grave dhe të rinjve në ekonomi, si dhe forcimin e qeverisjes lokale.
Në kuadër të vizitës, Lengsfeld u prit nga Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me të cilin u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe Helvetas, zhvillimet politike dhe socio-ekonomike në vend, si dhe rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në Zvicër.
Në takim u vlerësua mbështetja afatgjatë e Helvetas në përmirësimin e qeverisjes lokale, zhvillimin ekonomik, përgatitjen e të rinjve dhe grave për tregun e punës si dhe tranzicionin e gjelbër, përmes projekteve të financuara nga Zvicra, Suedia, Bashkimi Evropian e donatorë tjerë.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua rritjes së përfshirjes së grave në tregun e punës dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të reja. Gjatë takimeve me sektorin privat dhe me gra ndërmarrëse, Lengsfeld nënvizoi përkushtimin e Helvetas për t’u mundësuar grave pjesëmarrje të barabartë në jetën ekonomike.
“Në programet e donatorëve për qeverisje, zhvillim ekonomik dhe punësim që zbatojmë ne, është arritur përparim i dukshëm në përfshirjen e grave, të cilat po marrin gjithnjë e më shumë role udhëheqëse, si në institucione komunale ashtu edhe në sektorin privat. Megjithatë, mbetet ende punë për të arritur nivel më të lartë të përfaqësimit” – theksoi Lengsfeld.
“Në Kosovë pashë të rinj dhe gra që ndërtojnë biznese, ndikojnë në komunitetet e tyre dhe ndryshojnë narrativën për rolin që ata kanë në ekonomi. Ne besojmë se kur të rinjve dhe grave u jepet gjithashtu hapësira për zhvillim, zhvillohet e gjithë shoqëria”, shtoi ai.
Në takimin me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, u diskutua për mbështetjen që Helvetas ofron për komunat e Kosovës përmes projektit DEMOS financuar nga Zvicra, BE dhe Suedia, rëndësinë e Grantit të Performancës në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse, veçanërisht të grupeve të margjinalizuara.
Helvetas është aktive në Kosovë që nga viti 2001, ku përmes bashkëpunimit me institucionet vendore, partnerët lokal dhe donatorët ndërkombëtarë ofron përkrahje në fushat e qeverisjes së mirë, arsimit profesional, fuqizimit dhe punësimit të grave dhe të rinjve, zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor dhe tranzicionit të gjelbër.
Përmes partneriteteve me Qeverinë e Kosovës, komunat, sektorin privat dhe shoqërinë civile, Helvetas synon të forcojë kapacitetet lokale dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët në mbarë vendin.
“Helvetas mbetet e përkushtuar që përmes programave zhvillimore të donatorëve të mbështesë Kosovën në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm duke përdorur ekspertizën zvicerane, rajonale dhe lokale” – përmbylli Lengsfeld. /Telegrafi/
Kryetari i dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi ka komentuar lidhur me raportet e PDK-së me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Ai tha se ia ka uruar fitoren Lladrovcit dhe me kaq përfundon, duke shtuar se PDK është më e madhe sesa një individ.
Dhe shtoi se PDK e ka të ardhmen më të madhe se hatërmbetjet ose momentumet që krijojnë këso ndasi.
“Unë i vlerësoj njerëzit ambicioz sepse ambicie e madhe është me kriju parti politike dhe me pretendu me kalu pragun. Është përmbyll kapitulli i Drenasit, është vetëm një komunë, e rëndësishme për PDK-në sepse njerëzit e mirë atje na kanë besu e mbështetë gjithmonë. Dhe në çdo lloj pozicioni që kemi qenë jemi mundu me ua kthy me projekte e punë”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Ndër tjerash, Krasniqi potencoi se nuk ka hatërmbetje me askënd.
Tutje, ish-kreu i PDK-së tha se nën sensin e presionit kohor, si “PDK funksionojnë në mënyrë të jashtëzakonshme”.
Derisa nënvizoi se do të vazhdojë të jetë në Partinë Demokratike të Kosovës.
Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga i pari i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka thënë se ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm do përshëndetur duke i ofruar përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza.
Lladrovci përmes një postim në rrjetin social në Facebook ka shkruar se të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe.
“Përgëzoj strukturat e PDK-së për mbështetjen që ma kanë dhënë në çdo situatë, me besimin e plotë se do të bëhet mirë. Falënderim i veçantë shkon për qytetarët e komunës së Drenasit, të cilët besuan në zotimin tim se s’ka bir nane që më largon nga PDK-ja. Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza. Të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit. Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.
Ai tha se: “Të jesh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, do të thotë të jesh shtetformues e shtetndërtues, gjithëpërfshirës e përbashkues, trim dhe i drejtë, largpamës e vizionar, burrështetas dhe lider në fjalë e vepra. Suksese të mëtejme parti e liderëve tanë të luftës dhe paqes, suksese PDK”. /Telegrafi/
Fituesi i zgjedhjeve lokale në Drenas, Ramiz Lladrovci ka reaguar sot sërish duke thënë se tendenca për ta larguar nga Partia Demokratike e Kosovës është e kotë.
Lladrovci në një postim në Facebook shkruan se politikën nuk e sheh si bukë të mykur as si bukë që merr nga magjja e huaj.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Tendenca për të më larguar nga PDK është e kotë
Mendim kam pasur edhe kur ishte i ndaluar, veprim kam pasur edhe kur ishte i ndëshkueshëm, aksion kam ndërmarrë edhe kur mund të më kushtonte me jetë, prandaj i kam thënë vetes, ndjek rrugën e nderit, pavarësisht çmimit.
I disiplinuar, por kur duhet eksploziv, veti e karakterit të cilin e kam paguar dhe bartur me dinjitet, ndërsa politikën nuk e shoh si bukë të mykur as si bukë që marr nga maxhja e huaj.
Nga fillimi, sqarimet për veprimet e mia para qytetarëve të komunës nga zemra e Kosovës janë të panevojshme, sepse më njohin, ashtu edhe për miqtë e dashamirët gjithandej trojeve shqiptare. Jam i përkushtuar për interesin e përgjithshëm, ashtu sikur për kombin tim, për të cilin nga rinia e hershme dhashë dëshmi.
Çdo angazhim e kam të lidhur me vlerat që ia sjelli qytetarëve të mi dhe kombit tim. Këtë e kam dëshmuar para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare. Sot, ndjehem mirë por jo i vetëkënaqur. Për më shumë energji ka nevojë vendi dhe PDK, ashtu si të gjitha forcat politike për një Kosovë më të mirë.
Vendi ka nevojë për më shumë mirëkuptim, unitet, tolerancë e nderim për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, më shumë nderim për veten dhe mundimet e mëdha për të arritur deri këtu, bashkë me aleatët.
Sot, para matjes finale në zgjedhjet lokale, mendoj se analistët e paguar për të më nxjerr jashtë PDK-së, e kanë të kotë. Tendenca për të më njollosur nga disa anë, është e padobishme dhe boja e zezë që ata persona bartin kundër meje, do të mbetet pronë e tyre.
Kandidatëve të PDK-së, miqve të mi, me zemër e shpirt ju dëshiroj e uroj fitore, Shaqës, Arianit, Sokolit, Feritit, Sabedinit dhe Shabanit. E di se ky deklarim disave nuk ju mjafton, as nuk ju pëlqen, por, ky jam unë. Tjerat janë manipulim për llogari të keqbërësve.
Prandaj, fitorja e kandidatëve të PDK-së, do të jetë fitore për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, do të jetë fitore për themeluesit dhe ndërtuesit e shtetit, të subjektit politik i cili nuk guxon të ndalet. Po u ndal PDK, ndalet Kosova.
Gatishmëria ime është e madhe për betejat pas të dielës, për të vërtetën, fuqizimin para sfidave që na presin, mundësive të rigjetjes së energjive për t’i pri me dinjitet ideve për shtetin e Kosovës me vlera euro-atlantike.
Në rrethanat të cilat krijohen jashtë mundësive të mia, Kosova është e para, andaj, veprimet e kushtëzuara të lidhura me shkaqet aktuale të organizimit dhe hierarkisë politike, ngrehin çështje më të mëdha se fati im politik.
Misioni i disa keqbërësve për të më anatemuar dhe për të më nxjerrë nga subjekti politik të cilit ia dhashë më të mirën nga vetja, bashkë me qytetarët e Drenasit dhe bashkëpunëtorët, do të dështojë, ashtu siç dështuan manovrimet e pa kurrizorëve më 12 tetor.
Kontributin tim jetësor në rrugën e përbashkët me bijat e bijtë më të mirë të kombit, nuk mund ta zbeh askush, as mercenarët, as profiterët e rastit. Këtë rrugë e kam detyrim, për të shkuarën dhe të tashmen, për një të ardhme më të mirë për shtetin dhe kombin. /Telegrafi/