Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Mbi 44 mijë vota, Edona Llalloshi reagon për herë të parë pasi u rizgjodh deputete: Ju dua shumë, faleminderit nga zemra

9 January 2026 at 18:04


Këngëtarja e njohur shqiptare dhe tashmë deputetja e rizgjedhur, Edona Llalloshi, ka reaguar për herë të parë publikisht pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku qytetarët i besuan edhe një mandat tjetër në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Llalloshi ka falënderuar votuesit për mbështetjen e dhënë, duke e cilësuar këtë besim jo vetëm si nder personal, por si një përgjegjësi të madhe morale dhe institucionale.

Në këto zgjedhje, Edona Llalloshi ka marrë gjithsej 44,259 vota, me ç’rast ka siguruar një ulëse në Kuvend, duke u renditur si emri i 18-të më i votuar në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila në total ka siguruar 57 deputetë.

Në mbishkrimin e videos, ajo shkroi:

“Të dashur qytetarë të vendit tim, të dashur bashkëatdhetarë,
Ju falënderoj me mirënjohje të thellë për besimin që ma dhatë. Ky besim nuk është vetëm një nder personal, por, mbi të gjitha, një përgjegjësi e madhe morale dhe institucionale ndaj jush dhe ndaj Republikës sonë.
Çdo votë e juaja është zë, shpresë dhe kërkesë për përfaqësim të ndershëm, për drejtësi, barazi dhe dinjitet. Angazhimi im si deputete do të udhëhiqet nga besimi dhe përkushtimi për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më prosperuese.
Ju siguroj se do ta ushtroj këtë mandat me integritet, përgjegjësi dhe transparencë, duke mos harruar asnjëherë se pushteti buron nga qytetari dhe i shërben vetëm atij.
Faleminderit për mbështetjen dhe për besimin tuaj.
Me respekt dhe përulësi,
Edona Llalloshi”.

Reagimi i saj është pritur me komente pozitive nga ndjekësit, të cilët i kanë uruar suksese në mandatin e radhës, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit dinjitoz në Kuvend. /Telegrafi/

As këtë mandat, Lumbardh Salihu nuk i fiton votat e mjaftueshme për t'u zgjedhur deputet

3 January 2026 at 15:30


Fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP Kosova, Lumbardh Salihu, nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendi i Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Salihu garoi në këto zgjedhje si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me numrin rendor 77 në listën zgjedhore të kësaj partie. Megjithatë, ai nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u përfshirë në mesin e 15 deputetëve që LDK-ja ka siguruar në këtë legjislaturë.

Sipas rezultateve të deritanishme, ish-futbollisti nga Vitia ka marrë gjithsej 3,469 vota, duke u renditur i 68-ti në listën e LDK-së për nga numri i votave. Ky rezultat e lë atë larg pragut të nevojshëm për të fituar një mandat deputeti.

Rezultati i Lumbardhit në zgjedhjet parlamentare 2025 (Foto: KQZ)

Kjo nuk është hera e parë që Lumbardh Salihu tenton të hyjë në Kuvend, pasi edhe në zgjedhjet e kaluara ai nuk kishte arritur të siguronte mbështetjen e mjaftueshme për të fituar një ulëse parlamentare.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që në këtë legjislaturë të ketë vetëm 15 deputetë, çka përfaqëson një nga rezultatet më të dobëta të saj në zgjedhjet parlamentare, në krahasim me historikun e kësaj partie.

Lumbardh Salihu dhe kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku (Foto: Lumbardh Salihu/Facebook)

Rezultati i Lumbardh Salihut tregon edhe një herë se popullariteti televiziv nuk përkthehet domosdoshmërisht në mbështetje elektorale, ndërsa gara për vota mbetet e varur nga struktura partiake dhe besimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve. /Telegrafi/

Me mbi 32 mijë vota, Adriana Matoshi rizgjidhet deputete - afro 13 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara

3 January 2026 at 14:18


Aktorja e njohur kosovare Adriana Matoshi ka arritur të rizgjidhet deputete në Kuvendin e Kosovës, duke siguruar kështu mandatin e saj të tretë radhazi nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje.

Matoshi, e cila garoi për herë të tretë për një ulëse në Kuvend, ka arritur të fitojë besimin e elektoratit edhe në këtë legjislaturë, duke marrë deri më tani 32,214 vota, një rezultat dukshëm më i lartë krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Sipas të dhënave preliminare, aktorja ka siguruar 12,614 vota më shumë sesa në zgjedhjet e fundit, duke shënuar një rritje të konsiderueshme të mbështetjes elektorale dhe duke forcuar pozicionin e saj brenda listës së Vetëvendosjes.

Procesi i numërimit të votave është drejt përfundimit, ndërsa ende po vazhdon përfshirja e votave me postë, atyre nga përfaqësitë diplomatike dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Megjithatë, rezultati i deritanishëm e bën të sigurt mandatin e Adriana Matoshit në përbërjen e re parlamentare.

Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë 56 deputetë në Kuvend, ndërsa Adriana Matoshi renditet aktualisht si e 21-ta më e votuara në listën e kësaj partie.

Adriana Matoshi e 21-ta më e votuara në Listën e Vetëvendosjes (Foto: Kerol.li)

Me këtë rezultat, ajo ka arritur të lërë prapa disa figura të njohura politike, përfshirë ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, ministren e Industrisë Rozeta Hajdari, si dhe ish-kryeparlamentarin Dimal Basha.

Rizgjedhja e Adriana Matoshit konfirmon vazhdimësinë e saj në jetën politike të vendit, duke e bërë atë një nga figurat publike që ka arritur të ndërtojë një urë të qëndrueshme mes artit dhe politikës. Me rritjen e numrit të votave dhe me një mandat të tretë të siguruar, pritet që ajo të mbetet një zë aktiv në Kuvend edhe gjatë kësaj legjislature. /Telegrafi/

Adelina Thaqi bëhet deputete për herë të parë - tejkalon edhe kuotën gjinore

3 January 2026 at 13:33


Këngëtarja e njohur shqiptare Adelina Thaqi Meta ka shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj publike, duke arritur që për herë të parë të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Adelina Thaqi Meta hyri për herë të parë në garën për deputete në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke kandiduar nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës. Edhe pse për LDK-në këto zgjedhje nuk rezultuan me një performancë të lartë elektorale, duke siguruar gjithsej vetëm 15 deputetë, Adelina arriti të jetë një prej tyre, falë mbështetjes direkte të votuesve.

Me 16,826 vota, interpretuesja e hitit "Sonte" arriti të renditet si e 13-ta më e votuara brenda listës së LDK-së, duke tejkaluar dy kandidatë meshkuj dhe duke hyrë në Kuvend pa u mbështetur në kuotën gjinore. Një rezultat që e bën mandatin e saj politik të padiskutueshëm nga ana numerike.

Lista e 15 deputetëve më të votuar të LDK-së deri më tani (Foto: Kerol.li)

Ky sukses merr edhe më shumë peshë po të merret parasysh fakti se kjo ishte hera e parë që Adelina Thaqi Meta garonte për një post deputeti. Angazhimi i saj politik ka qenë i lidhur prej vitesh me LDK-në, parti në të cilën bashkëshorti i saj ka qenë aktivist për një kohë të gjatë, ndërsa kandidatura e saj shënon një kalim të drejtpërdrejtë nga skena artistike në përfaqësim institucional.

Krahas Adelina Thaçi Metës, nga radhët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës do të jenë edhe deputetet: Hykmete Bajrami, Doarsa Kica Xhelili, Jehona Lushaku Sadriu dhe Janina Ymeri.

Lista e kandidatëve më të votuar të LDK-së kryesohet nga Lumir Abdixhiku me 83,685 vota, ndërsa Adelina Thaçi Meta zë vendin e 13-të, duke lënë pas Ermal Sadiku dhe Fadil Hadergjonaj për nga numri i votave. /Telegrafi/

KQZ: Deri në ora 15:00 kanë votuar 28.70 për qind e qytetarëve

28 December 2025 at 15:22


Qytetarët e Kosovës u janë drejtuar për herë të katërt kutive të votimit, pasi aktualisht janë duke votuar për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Më 9 shkurt, asnjëra nga partitë nuk arriti të krijonte shumicën, duke bërë që vendi të futej në një bllokadë mbi nëntë muaj.

Kur jemi tek Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka ofruar shifrat se sa qytetarë kanë votuar.

Deri në ora 15:00, 28.70 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar, raporton Telegrafi.

Por, cilat komuna po prijnë me daljen më të madhe deri më tani.

Zveçani është komuna që prinë me daljen me të madhe, pasi 46.11 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar.

Më pas është Ranillugu, ku 43.78 për qind e qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit, e më pas është Novobërda, me 40.70%.

Mamusha është e katërta me daljen më të madhe votuesve, pasi kanë votuar 39.31 për qind, derisa në Shtërpcë kanë votuar 37.05 për qind. /Telegrafi/

Osmani thirrje për pjesëmarrje masive në votime

28 December 2025 at 13:07

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka hedhur sot votën e saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke uruar që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë, të rregullt dhe demokratike.

Osmani po ashtu ka ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor.

“Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta, demokratike, uroj po ashtu që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve të Republikës sonë me të drejtë vote. Si gjithnjë zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm demokratik, ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Shpresoj natyrisht që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më shpejtë të Parlamentit dhe zgjedhje të Qeverisë së Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tonë. Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar dhe angazhohen edhe gjatë ditës se sotme që ky proces zgjedhor të jetë sa më i rregullt. Nga KQZ, tek institucionet tona të sigurisë dhe ato të drejtësisë. Falënderim edhe për juve mediet që sot gjatë tërë ditës do të raportoni për këtë proces. I uroj gjithë qytetarët e Kosovës dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë në rregull dhe qetë”, tha Osmani.

Presidentja Osmani theksoi se pas përfundimit të zgjedhjeve, partitë politike do të gjejnë rrugën për të krijuar institucione funksionale dhe të qëndrueshme.

“Ky ka qenë mesazhi im gjatë tërë kohës, dhe menjëherë pasi të përfundojë ky proces zgjedhor, jam e bindur që të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara, në mënyrë që të kemi institucione funksionale, stabile dhe me legjitimet të plotë të cilat do të marrin vendime në të mirë të qytetarëve tanë dhe të Republikës sonë”, ka theksuar Osmani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 kanë dalë në zgjedhje 165 mijë e 404 votues apo 8,27 për qind. Në të njëjtën periudhë, në zgjedhjet e kaluara të 9 shkurtit kishin votuar 169 mijë votues apo 8,58 për qind. /KosovaPress/

The post Osmani thirrje për pjesëmarrje masive në votime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Deri në ora 09:00 kanë votuar 1.75 për qind e qytetarëve

28 December 2025 at 09:12


Në Kosovë është duke u mbajtur procesi i votimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Nga 9 shkurti, atëherë edhe kur ishin mbajtur zgjedhjet e rregullta, asnjëra parti nuk arriti të krijonte shumicën, duke quar vendin në bllokadë për mbi nëntë muaj.

Andaj, qytetarët u janë drejtuar edhe njëherë kutive të votimit, për të përcaktuar se kush do ta drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme - derisa kjo është hera e katërt që qytetarët votojnë, duke llogaritur Zgjedhjet Lokale dhe balotazhin.

Komisioni Qendror Zgjedhor bëri të ditur në konferencën për media në ora 08:00, se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, raporton Telegrafi.

Tani, ueb faqen e KQZ-së, janë bërë publike shifrat se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00.

Sipas Komisionit, dalja e qytetarëve deri në ora 09:00 është 1.75 për qind.

Komuna që prin me më së shumti dalje deri në këtë orë është Ranillugu, me 4.32 për qind. /Telegrafi/

Hamza: Kosova duhet të ecë përpara, jo kriza të reja – kapitull i ri tani

22 December 2025 at 14:09


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar sot një video-mesazh drejtuar qytetarëve, ku thekson se zgjedhjet e 28 dhjetorit paraqesin një moment vendimtar për drejtimin e vendit.

“Në këtë datë, ne, qytetarët e këtij vendi, jemi përballë një vendimi të qartë: ta vazhdojmë rrugën mbrapa, me kaos, pasiguri dhe ndarje; apo ta ndryshojmë kahjen dhe të ecim përpara, me stabilitet, zhvillim dhe shpresë”, shprehet Hamza në video.

Ai nënvizon se zgjedhja e tij është e qartë dhe e lidhur drejtpërdrejt me të ardhmen e vendit:

“Unë zgjedh të ecim përpara. Për familjet tona. Për fëmijët tanë. Për Kosovën”.

Në përmbyllje të mesazhit, kandidati për Kryeministër fton qytetarët në bashkim rreth vizionit të tij politik: “Të gjithë bashkë. Përpara!”.

Videoja është pjesë e komunikimit zgjedhor të PDK-së në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku Hamza synon të paraqesë një alternativë të bazuar në stabilitet, zhvillim dhe shpresë për Kosovën.


AAK hap fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Brahimaj: Fitore e madhe po na pret

17 December 2025 at 20:04


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hapur sonte zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.

Gjatë evenimentit në kryeqytet, kandidati për deputet nga radhët e kësaj partie, Lahi Brahimaj, shkroi në Facebook se “fitore e madhe po na pret”, duke iu referuar listës së AAK-së, ku numri për votim është 129.

Brahimaj theksoi përkushtimin e partisë për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të realizuar objektivat e programit qeverisës.



Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë hapjes së fushatës shpalosi pikat kryesore të programit, duke përqendruar vëmendjen te rritja e pagave dhe pensioneve, mbështetja për sektorin privat dhe kthimi i investimeve në vend. Ai theksoi gjithashtu fuqizimin e grave në biznes dhe punësim, si dhe sigurimin e një politike fiskale më të favorshme për zhvillimin ekonomik.

“Shtylla e dytë e programit tonë është rritja ekonomike. Do të aktivizojmë potencialin që ka Kosova për zhvillim dhe kthimin e investimeve në vend, mbështetje për bizneset e reja dhe gratë në punësim”, tha Haradinaj.

Sa i përket sigurisë, kryetari i AAK-së deklaroi se Kosova do të vazhdojë të konsolidojë kapacitetet e saj, duke përfshirë ushtrinë dhe policinë, dhe se rruga drejt anëtarësimit në NATO mbetet prioritet i partisë.

Në postimin e tij në Facebook, Brahimaj bëri thirrje që qytetarët më 28 dhjetor të votojnë për listën e AAK-së, duke theksuar se partia do të vazhdojë të qëndrojë pranë familjeve, pensionistëve dhe të gjithë qytetarëve që kontribuojnë për zhvillimin e vendit.

Ahmeti: Ligji i miratuar nga Qeveria Kurti e përcakton qartë – diaspora mund të votojë vetëm në ambasada e konsullata

1 December 2025 at 23:59


Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas tentativës së Lëvizjes Vetëvendosje për të mundësuar që diaspora të votojë edhe jashtë ambasadave dhe konsullatave – kërkesë e cila u refuzua nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Në një postim në Facebook, Ahmeti tha se e drejta e votës për diasporën është e padiskutueshme, por mënyra e organizimit të votimit është e përcaktuar qartë në ligjin që është miratuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

“E drejta e votës është e garantuar për çdo shtetas të Republikës së Kosovës të moshës madhore – kudo që jeton. E drejta ndryshon nga mundësia që përcaktohet edhe nga kredibiliteti i procesit”, shkroi Ahmeti.

Ai theksoi se qëllimi i çdo rregullimi zgjedhor është të sigurojë një proces të besueshëm dhe të menaxhuar mirë.

“Askush s’mundet me ma mohu të drejtën e votës, por është në interesin e secilit që vota ime apo e juaja të shkojë aty ku e keni pas njet,” tha ai, duke shtuar se votimi në pika të organizuara me komisionerë, vëzhgues dhe procedura të qarta garanton integritetin e procesit.

Ahmeti kujtoi se Kuvendi gjatë qeverisë Kurti ka miratuar ligjin që mundëson votimin fizik të diasporës në ambasada dhe konsullata – për ta lehtësuar procesin, por edhe për ta bërë atë më të sigurt.

“Me këtë ligj po hyjmë në këtë zgjedhje dhe s’ka mundësi ndryshimi – NUK KA. Për zgjedhjet tjera mund të bëjmë diskutim e ndryshime,” shkroi ai.

Sipas Ahmetit, të gjitha diskutimet e partive për “dashurinë ndaj diasporës” janë thjesht pjesë e fushatës elektorale.

“Çfarëdo diskutimi se kush e don ma shumë diasporën është veç fushatë dhe s’ka kurrfarë baze në mundësi ligjore e në dashni,” ka theksuar ai.

Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të flasin për mënyrën se si do të qeverisin pas zgjedhjeve dhe si do t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve, përfshirë diasporën.

“E tash – a po tregoni se si keni me formu qeveri e si keni me përmirësu jetën qytetarëve? Shumë e dhimbshme në çka po synohet me fitu vota,” shkroi Ahmeti./Telegrafi/

Aderime të disa analistëve para zgjedhjeve? LDK thërret konferencë për media

26 November 2025 at 11:50


Më 28 dhjetor, vendi do të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Në prag të këtyre zgjedhjeve, subjektet politike kanë filluar të bëjnë publike edhe aderime të reja.

Së fundmi është përfolur se Lidhjes Demokratike të Kosovës mund t’i bashkohen disa analistë politikë, si Visar Ymeri, Rrahman Paçarizi, e Ermal Sadiku, por Telegrafi nuk ka arritur deri tani të ketë ndonjë konfirmim nga ana e tyre.

Emri i analistit Agon Maliqit u përmendë në media, por një gjë e tillë u mohua nga ai.

"Angazhimi im publik dhe bindjet e mia politike gjithmonë kanë qenë transparente, shpesh ndoshta më shumë se sa që duhet. Prandaj si përgjigje ndaj një lajmi të publikuar mbi aderim në parti politike në këto zgjedhje (konkretisht në LDK) them: jo, nuk e kam në plan", ka shkruar ai në Facebook.

LDK ka thirrur një konferencë për media në orën 14:00, ndërsa mbetet e paqartë nëse gjatë saj do të bëhet publik ndonjë aderim i ri.

/Telegrafi/

Fillon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

26 November 2025 at 10:55


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Gjatë kësaj periudhe 11 ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, përmes (1) platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë.

Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:

1. të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;
2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo
3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

KQZ sqaron se kjo periudhë e regjistrimit vlen vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk kanë nevojë të regjistrohen si votues jashtë vendit.

Shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të largohen nga Lista Votuese brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën Votuese jashtë Kosovës.

Ndërkohë, shtetasit e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndodhen në Listën e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Çdo qytetarë i Kosovës me të drejtë vote, si brenda dhe jashtë vendit, përmes platformës elektronike: https://qv.kqz-ks.org mund ta kontrollojë adresën e Qendrës së Votimit ku është i caktuar të votojë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.

Gjoshi nga PDK: Lajm i mirë nga KQZ për integritetin e votimit të mërgatës

25 November 2025 at 15:18


Sekretari për organizim dhe zgjedhje në Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, e ka quajtur lajm të mirë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, integritetin e votimit të mërgatës.

Sipas Gjoshit, më nuk do të ketë manipulime të votave nga diaspora.

"Lajm i mirë nga KQZ për integritetin e votimit të mërgatës. Bashkëatdhetarëve që do të regjistrohen për votim përmes postës do t'iu dërgohen fletëvotimet origjinale në shtëpitë dhe banesat e tyre. Mjeshtrit e manipulimeve nga Vetëvendosje deshtën që ky proces të mos ketë integritet, por të manipulohet lehtësisht duke dërguar fletëvotime me e-maila që nuk dihet në adresë të kujt do të shkojnë", ka deklaruar ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor./Telegrafi/


5 vite burgim rrezikojnë personat që ndikojnë në procesin e votimit

22 November 2025 at 22:25


Rastet e dyshuara për blerje votash dhe për ndikim në procesin e votimit po shqyrtohen edhe nga institucionet e drejtësisë, e një i tillë së fundmi është duke u trajtuar në gjykatën e Prizrenit.

Sipas avokatit Arber Jashari ky veprim në përgjithësi mund të kushtoj deri në 5 vite burgim.

120 euro për një votë.

Ky është rasti për të cilin Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë në gjykatë, ku Y.Rr. dhe B.K. akuzohen për ndërhyrje në procesin e votimit.

Ani pse, ky nuk është rasti i parë që raportohet gjatë periudhave zgjedhore.

Por a vlen i njejtë dënimi si për kryerësin e veprës ashtu edhe për ndërmjetësuesin?

“Kodi penal i Republikës së Kosovës ka paraparë 11 vepra kundër të drejtave të votimit ashtu i ka quajtur ose vepra penale kundër integritetit zgjedhor ku dhënia dhe marrja e ryshfetit është një nga veprat penale e sanksionuar sipas kodit penal të Republikës së Kosovës dhe nënkupton që secili që premton, ofron ose jep ndonjë dhuratë të pa merituar ose ndonjë favor të dikujt me qellim që ky ta votojë një person ta caktuar atëherë ai mund të dënohet deri në 5 vite burgim por edhe personi i cili e ka lujt rolin e ndërmjetësit edhe ai mund të dënohet deri në 5 vite burgim”, deklaroi avokati Arbër Jashari në Tëvë1.

Avokati thotë që në Kosovë tani më është krijuar një traditë sa i përket këtyre veprave penale.

“Qysh në ditën e zgjedhjeve kemi një mobilizim të jashtëzakonshëm të prokurorisë për ta rujt integritetin e zgjedhjeve dhe në Kosovë janë denu njerzit që kanë abuzu me të drejtat e votimit e kjo në mënyrë më masive ka ndodh në vitin 2010-2014, ndërsa viteve të fundit apo zgjedhjeve të fundit është reduktu në masë shumë të madhe janë denu disa individ por kanë qenë raste të izoluara dhe nuk është që kanë bë një shqetësim”.

Sipas policisë së Kosovës vetëm për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, ishin angazhuar rreth 80 prokurorë dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial.

Po ashtu, Policia e Kosovës kishte hartuar një plan operativ për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, partitë duhet të deklarojnë koalicionet deri më 30 nëntor ​

21 November 2025 at 22:26


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar afatet kohore të aktiviteteve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të zhvillohen më 28 dhjetor 2025.

KQZ u ka dhënë afat partive që nga 24 nëntori e deri më 30 nëntor të deklarojnë koalicionet.

Sipas vendimit të sotëm të KQZ-së, procesi zgjedhor do të zhvillohet sipas këtyre afateve kryesore:

Vendimi për kufizimin e shpenzimeve të fushatës: deri më 24 nëntor 2025.

Deklarimi i partive politike për mos-pjesëmarrje në zgjedhje: 24–30 nëntor 2025.

Deklarimi për pjesëmarrje përmes koalicioneve: 24–30 nëntor 2025.

Aplikimi për certifikim të subjekteve politike: 24–30 nëntor 2025.

Dorëzimi i listave të kandidatëve: 24 nëntor – 7 dhjetor 2025.

Tërheqja e shortit për renditjen në fletëvotim: 8 dhjetor 2025.

Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve: 26 nëntor 2025.

Publikimi i listës së Qendrave të Votimit: 25 nëntor 2025.

Miratimi dhe publikimi i Qendrave Komunale të Numërimit: 25 nëntor 2025.

Ndërrimi i Qendrës së Votimit: 26 nëntor – 6 dhjetor 2025.

Kundërshtimet dhe konfirmimet për listën votuese: 26 nëntor – 6 dhjetor 2025.

Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: 26 nëntor – 6 dhjetor 2025.

Certifikimi i listës votuese brenda dhe jashtë vendit: 10 dhjetor 2025.

Votimi përmes postës: 12–27 dhjetor 2025.

Fushata zgjedhore për subjektet e certifikuara: 17 dhjetor – 28 dhjetor 2025, ora 06:59.

Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta: 11–21 dhjetor 2025.

Emërimi i Këshillave të Vendvotimeve në Kosovë dhe në përfaqësitë diplomatike: deri më 16 dhjetor 2025.

Aplikimi për akreditimin e vëzhguesve: 5–20 dhjetor 2025.

KQZ theksoi se të gjitha procedurat do të ndiqen sipas ligjit dhe se institucionet zgjedhore tashmë kanë filluar përgatitjet për organizimin e procesit të 28 dhjetorit.

Guri: LVV-ja po perëndon, presin shpëtim prej mërgatës

20 November 2025 at 17:38


Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka komentuar vendimin e presidentes, Vjosa Osmani, që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor.

Ai tha se ky vendim është i vonuar dhe i motivuar nga kalkulime politike të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilat, sipas tij, janë koordinuar edhe me presidenten.

Në FIVE të TV Dukagjinit, Guri deklaroi se shpërbërja e Kuvendit ishte “lajm i mirë”, por theksoi se vendi i humbi edhe 15 ditë të tjera për shkak të tentimit për ta zgjedhur Glauk Konjufcën kryeministër.

“Shpërbërja Kuvendit është lajm i mirë, mbase është pak i vonuar se Kosova i ka humbur edhe 15 ditë të tjera. Gjatë kësaj kohe është thënë prej eksponentëve të LVV-së që Kosova po humb kohë, në bllokadë, mirëpo i humbën vendit edhe 15 ditë të tjera përmes mandatimit të Glauk Konjufcës. E siç duket marrëveshja mes Vjosa Osmanit për mandatimin e Konjufcës, ka qenë kjo që e kemi thënë gjithmonë që të tentohet të realizohet, që zgjedhjet të mbahen me 28 dhjetor. 28 dhjetori nuk është ndonjë fatkeqësi, si LDK nuk e shohim problematik.

Sepse LDK-ja edhe në zgjedhjet e 12 tetori e 9 nëntorit ka dal partia e parë. Kështu që ne jemi jashtëzakonisht optimist sa i përket rezultatit të mërgatës. Edhe nuk i frikësohemi mërgatës…”, ka thënë Guri.

Ndonëse kritik ndaj procedurës që çoi në këtë datë, Guri tha se LDK nuk e sheh 28 dhjetorin si sfidë.

Guri kritikoi VV-në që, sipas tij, pret “shpëtim prej mërgatës”.

“Është perëndimi politik i partive, kur ato e vërejnë edhe vetë ë kanë humb besimi i qytetarëve për ta votuar atë parti politike, edhe presin shpëtim prej mërgatës. Ata po harrojnë që ata të mërgatës kanë familjarë në Kosovë, kanë familjarë q paguajnë fatura të energjisë elektrike, kanë familjare që kur shkon në market është shtrenjtuar shporta e konsumatorit. Ata të mërgatës e kanë sensin çka po ndodh me Kosovën…”, ka shtuar Guri.

Ai shtoi se qytetarët në diasporë e dinë situatën ekonomike në vend, nga shtrenjtimi i jetesës deri te faturat e energjisë elektrike, pasi që këto i prekin drejtpërdrejt familjet e tyre.

Sipas Gurit, shtyrja e zgjedhjeve deri më 28 dhjetor i vonon të gjitha proceset institucionale, nga konstituimi i Kuvendit e deri te votimi i qeverisë së re.

“Është perëndimi politik i një partie kur e vëren dhe vetë që e ka humb besimin te qytetarët që jetojnë në Kosovë. Dhe kërkon shpëtimin prej diasporës, duke u koordinuar me presidenten për ta ndërruar datën e zgjedhjeve me28 dhjetor. E kjo duke i kontribuar në një vonesave të krijimit të institucioneve, sa më larg që shkon data e zgjedhjeve aq më shumë shtyhet procesi i konstituimit të Kuvendit, votimi të qeverisë së re. Krejt kanë qenë kalkulime të LVV-së, që fatkeqësisht kanë qenë të koordinuara me presidenten Osmani”, ka thënë Guri.

Haradinaj pas mbledhjes së Kryesisë: AAK do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare

13 November 2025 at 19:07


Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është mbledhur sot me pjesëmarrjen e kryetarëve të degëve, ku janë diskutuar dy çështje kryesore: zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për proceset e ardhshme politike, përfshirë zgjedhjet parlamentare.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, pa hyrë në asnjë koalicion parazgjedhor.

“Do të garojmë të vetëm në zgjedhje, pa koalicione. Mbetemi të hapur për zyrtarë e qytetarë që dëshirojnë të kandidojnë në listën tonë”, ka theksuar Haradinaj.

Ai njoftoi se është arritur pajtueshmëri që lista e kandidatëve për deputetë të përfaqësojë gjerësisht të gjitha komunat e Kosovës.
“Kemi disa komuna ku të gjithë dëshirojnë të garojnë, por jemi dakorduar që lista të shpërndahet në gjithë vendin me kuota afërsisht të barabarta, edhe pse votat nuk janë të shpërndara njësoj”, tha ai.

Haradinaj shtoi se deget do të kenë rol më të drejtpërdrejtë në identifikimin e kandidatëve për deputetë.
“Kandidatët që janë treguar të suksesshëm në mbledhjen e votave për asamble do të kenë hapësirë në listat tona”, përfundoi ai./Telegrafi/

Votues nga komuna të tjera në Junik? Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve pas pretendimeve nga AAK-ja

16 October 2025 at 10:12


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar pas dyshimeve për manipulime në procesin zgjedhor në Junik.

Deputeti i kësaj partie Daut Haradinaj bëri të ditur se në këtë komunë kanë votuar edhe qytetarë të komunave tjera, duke kërkuar hetim nga Prokuroria.

Lidhur me këto pretendime, Telegrafi ka pyetur Prokurorinë Themelore në Pejë nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim hetimor.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi ka bërë të ditur se kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës ka ndërmarrë veprime zyrtare.

“Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës se Junikut, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e te gjitha veprimeve të nevojshme”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.

Ndryshe edhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar për këtë rast.

Sipas Nitajt, bëhet fjalë për qindra raste që “nuk mund të arsyetohen me asnjë kriter”, ndërsa disa komuna tashmë e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri.

“Rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga persona që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune e as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë”, ka shkruar Nitaj. /Telegrafi/

"Cep më Cep" - LVV shpenzoi 1.7 milion euro në fushatën zgjedhore

15 October 2025 at 20:35


KQZ ka publikuar raportin financiar të fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për periudhën 16 gusht 2024 deri më 9 shkurt 2025, ku janë përfshirë të gjitha të hyrat dhe shpenzimet gjatë fushatës.

Sipas raportit të audituar LVV ka pasur të hyra gjatë fushatës në vlerë prej 1 milion e 112 mijë e 143 euro.

Shpenzimet e fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit kapën vlerën e 1 milion e 702 mijë e 036 euro, prej tyre më së shumti janë shpenzuar në reklama, reprezentacion dhe konferenca ku figurojnë 1 milion e 182 mijë e 518 euro.

199 mijë e 816 euro janë shpenzime të transportit, 36 mijë e 969 euro përfshijnë pagat dhe kompensimet.

Për spotet televizive dhe në radio LVV ka shpenzuar 212 mijë e 011 euro ku 4 mijë e 720 euro figurojnë si borxh në raport.


Në stendat e afishmit dhe reklamimet në gazeta janë shpenzuar 281 mijë e 198 euro ku borxh janë ende 155 mijë e 976 euro.

Konkretisht, LVV ka shpenzuar 589,892.81 euro më shumë sesa ka pasur në dispozicion nga të hyrat zyrtare.

Raporti tregon gjithashtu se subjekti politik ka bërë pagesa të mëdha mbi 5,000 euro, ku totali kap shumën prej 909 mijë e 622 euro, prej të cilave 212 mijë e 500 euro janë paguar gjoba në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Raporti përmban edhe detaje nga donacionet kryesisht individuale.

Lista e donatorëve për LVV-në përfshin emra nga komuna të ndryshme të Kosovës.

Ky raport i detajuar është pjesë e kërkesave të financimit transparent të fushatave zgjedhore dhe është dorëzuar për auditim si pjesë e përmbushjes së obligimeve ligjore nga subjektet politike në Kosovë.

Raportin e plotë e gjeni KËTU. /Telegrafi/

Shpenzimet e PDK-së gjatë fushatës në zgjedhjet parlamentare

15 October 2025 at 20:13


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportin financiar të Partisë Demokratike të Kosovës për periudhën e fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Sipas raportit, PDK ka realizuar shpenzime totale prej 934,749.39 eurosh, nga të cilat më shumë se gjysma janë dedikuar për reklama, reprezentacion dhe konferenca, me vlerë mbi 459 mijë euro.

Në këtë kategori përfshihen pagesat për spote televizive, hapësira reklamuese në media, ushqim gjatë aktiviteteve dhe qiraja e ambienteve të fushatës. Vetëm për spotet televizive janë shpenzuar 99,234.50 euro, ndërsa për reklamimet në gazeta dhe stenda afishuese 90,461.76 euro.

Një shumë tjetër e konsiderueshme, 475,548.48 euro, është raportuar si shpenzime të përgjithshme, ku përfshihet edhe një zë prej 144,500 euro për “gjoba dhe ndëshkime”.

Në raportin e KQZ-së figurojnë edhe pagesat mbi 5,000 euro, ku përfshihen kontrata me media dhe kompani marketingu si:

Koperativa Agency LLC – 31,860 euro për video-produksione

BH Pro zë Media shpk – 29,500 euro për sponsorizim postimesh në rrjete sociale

Klan Kosova, RTV Dukagjini, TV T7, Tëvë1, Kanal10 dhe Paparaci.com – gjithsej mbi 50 mijë euro për reklama dhe shërbime mediatike

Në fund të periudhës, PDK ka raportuar 865.59 euro para në bankë dhe në arkë, ndërsa borxhi i mbetur i evidentuar arrin në 437 mijë euro.

Raporti është pjesë e publikimit të KQZ-së për transparencë financiare të partive gjatë fushatës zgjedhore të 9 shkurtit.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

❌
❌