Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka pritur sot në një takim deputetin më të ri të Kuvendit të Kosovës, Ukë Ibrahim Rugova.
Në një postim në Facebook, Shehu ka theksuar rëndësinë e vizitës, duke kujtuar lidhjen historike të deputetit me Junikun.
“Uka është djali i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili është jo vetëm arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, por edhe ideator dhe themelues i Komunës së Junikut”, ka shkruar Shehu.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë takimit deputeti Ukë Rugova ka konfirmuar angazhimin e tij për të qenë zëri i qytetarëve të Junikut në Kuvendin e Kosovës.
“Uka e ka konfirmuar që do të jetë zëri i junikasve në Kuvendin e Kosovës, si dhe do të ofroj kontributin e tij pa rezervë në shërbim të Komunës së Junikut”, ka theksuar Shehu.
Në përfundim të postimit, kryetari i Junikut ka falënderuar deputetin për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme për komunitetin lokal.
“Faleminderit deputetit Ukë Rugova për vizitën dhe përkrahjen e tij për Junikun”, ka përfunduar Shehu. /Telegrafi/
Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur sot në Prishtinë një sesion informues me përfaqësuesit e zyrave të gjendjes civile nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Sipas njoftimit të MPB-së, takimi kishte për qëllim informimin dhe koordinimin ndërinstitucional, si dhe diskutimin e çështjeve praktike që ndërlidhen me kompetencat e gjendjes civile, veçanërisht procedurat për shtetasit e huaj dhe zbatimin e dispozitave ligjore në praktikë.
Gjatë sesionit, Shefja e Kabinetit në MPB, Jeta Tela, theksoi se përputhja e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete, lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim dhe proceset e tjera integruese. Ajo vlerësoi se zbatimi i ligjeve në mënyrë transparente dhe pa diskriminim është thelbësor për përmbushjen e pritshmërive pas liberalizimit të vizave dhe për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.
Po ashtu, u theksua roli i rëndësishëm që kanë zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat për zbatimin korrekt të obligimeve ligjore që burojnë nga këto dy ligje. Në këtë kontekst, u nënvizua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera relevante, për shkëmbim të informatave dhe adresim të sfidave që mund të paraqiten gjatë punës në terren.
Nga MPB u bë e ditur se ky sesion informues është pjesë e një fushate intensive, përmes së cilës synohet përfshirja e të gjithë akterëve relevantë dhe sigurimi që informacionet të arrijnë te qytetarët, shtetasit e huaj dhe vizitorët, përmes formave të ndryshme të komunikimit.
Fushata informuese, sipas njoftimit, do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me qëllim të lehtësimit të qasjes në informata dhe sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi. /Telegrafi/
Komunat e Kosovës kanë nisur vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet që goditën vendin në fillim të vitit 2026. Edhe pse nuk disponojnë kapacitete buxhetore për të përballuar plotësisht kompensimin e dëmeve, komunat kanë filluar të bëjnë vlerësimet në terren.
Telegrafi raportoi më parë për problematikën e kompensimit të dëmeve nga vërshimet, ku Malisheva, Rahoveci dhe Drenasi theksuan se që nga viti 2016 dëmet nuk janë paguar plotësisht.
Sipas të dhënave të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Peja prinë me numrin më të madh të kërkesave për kompensim nga qytetarët dhe bizneset, me gjithsej 420 aplikime.
“Komunat e prekura nga vërshimet e fundit kanë pranuar një numër të madh kërkesash për kompensim dëmesh nga qytetarët, bizneset dhe fermerët”, njofton AKK.
Numri i aplikimeve sipas komunave
Nga raportimet paraprake rezulton se janë evidentuar rreth 3,000 kërkesa për kompensim dëmesh, ndërsa ky numër pritet të rritet, pasi procesi i pranimit dhe vlerësimit të aplikimeve nuk ka përfunduar ende në shumicën e komunave. Komunat më të prekura sipas numrit të aplikimeve janë:
Peja – rreth 420 kërkesa
Gjakova – 334 kërkesa
Skenderaj – 320 kërkesa
Fushë Kosova dhe Drenasi – mbi 300 kërkesa secila
Klinë – 270 kërkesa
Malisheva – 225 kërkesa
Mitrovica – 230 kërkesa
Lipjani – 176 kërkesa
Rahoveci – 142 kërkesa
Prizreni – rreth 140–150 kërkesa
Suhareka – mbi 100 kërkesa
Ferizaj – 20 kërkesa
Prishtina – 20–30 kërkesa
Komuna e Mamushës ka raportuar se nuk ka pasur kërkesa për kompensim, pasi dëmet kanë qenë minimale dhe kryesisht në fusha të hapura.
Vlerësimi financiar paraprak
Vetëm disa komuna kanë ofruar vlerësime financiare paraprake. Sipas këtyre të dhënave:
Peja – rreth 800,000 euro
Rahoveci – rreth 800,000 euro
Suhareka – rreth 200,000 euro
Ferizaj – rreth 110,000 euro
Nga këto raporte, vlera e përgjithshme arrin afërsisht 1.9 milion euro, por ky është vetëm një vlerësim i pjesshëm, pasi shumica e komunave janë ende në fazën e verifikimit dhe vlerësimit të detajuar të dëmeve.
Procesi ende në zhvillim dhe thirrja për mbështetje
Shumë komuna kanë raportuar vetëm numrin e aplikimeve, pa dhënë vlerën financiare, pasi komisionet komunale vazhdojnë punën në terren. Kërkesat përfshijnë dëme në ekonomi familjare, bujqësi, biznese private dhe infrastrukturë publike.
Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se komunat nuk kanë kapacitete buxhetore për të përballuar këtë barrë financiare dhe apelon tek Qeveria e Kosovës për të krijuar mekanizma emergjentë financiarë dhe një fond të posaçëm për kompensimin e dëmeve. Pa mbështetje konkrete nga niveli qendror, mijëra familje dhe biznese mund të mbeten pa ndihmën e nevojshme për rikuperim.
AKK do të vazhdojë të mbledhë të dhëna të përditësuara nga të gjitha komunat dhe do t’i dorëzojë ato tek institucionet qendrore për një reagim sa më të shpejtë dhe të koordinuar. /Telegrafi/
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve njofton se sezoni i gjuetisë në Kosovë ka përfunduar zyrtarisht nga data 2 shkurt, duke ndaluar çdo formë të gjuetisë pas kësaj date.
Fondacioni apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet gjuetie që vërejnë, qoftë drejtpërdrejt në terren, përmes fotografive, videove apo postimeve në rrjetet sociale. Të gjitha raportimet do të trajtohen me anonimitet të plotë.
Sipas ligjit, gjuetia jashtë sezonit të lejuar konsiderohet vepër penale.
Fondacioni ka njoftuar se do të raportojë çdo rast të gjuetisë së paligjshme, si në terren ashtu edhe online, duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse.
“Mbrojtja e jetës së egër është përgjegjësi e përbashkët. Nëse hasni në gjueti të paligjshme, raportoni në Polici, Prokurori apo tek organizata jonë në info@animalrights-rks.org”, njofton Fondacioni. /Telegrafi/
Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës 1 janar 2025 deri më 31 dhjetor 2025, Salla e Lindjes dhe Reparti i Gjinekologjisë kanë funksionuar normalisht, duke përballuar një ngarkesë të lartë pune dhe fluks të vazhdueshëm të pacienteve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe në sallën e lindjes janë realizuar gjithsej 1 539 lindje, nga të cilat kanë ardhur në jetë 1 550 foshnje.
Prej tyre, 1 027 lindje kanë qenë normale, ndërsa 512 janë kryer me prerje cezariane. Po ashtu, gjatë vitit raportues janë realizuar 121 operacione të ndryshme gjinekologjike.
Në Repartin e Gjinekologjisë janë regjistruar 3 742 pranime dhe 5 674 vizita, çka dëshmon për një qarkullim të vazhdueshëm të pacienteve. Gjatë kësaj periudhe, 59 raste janë referuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Nga spitali bëhet e ditur se gjatë vitit janë kryer edhe 218 transfuzione gjaku, duke reflektuar menaxhimin e rasteve klinikisht të komplikuara.
Po ashtu, në repart janë realizuar gjithsej 612 procedura dhe trajtime për patologji të ndryshme gjinekologjike, të cilat kanë përfshirë ndërhyrje diagnostike dhe terapeutike. /Telegrafi/
Komuna e Gjakovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa për lirimin e pronave komunale dhe hapësirave publike që shfrytëzohen pa kontratë të vlefshme, duke përfshirë objektet komunale, rrugët, trotuaret dhe sipërfaqet e tjera publike.
Nga komuna bëhet thirrje që qytetarët, subjektet afariste dhe shfrytëzuesit e pronës komunale të aplikojnë për pajisjen me kontratë përkatëse për shfrytëzim.
“Në rast se shfrytëzuesit e pronave komunale nuk pajisen me kontratë për shfrytëzim, obligohen që të lirojnë pronat dhe hapësirat publike. Përndryshe, Komuna e Gjakovës, respektivisht Drejtoria e Inspektoratit, do të ndërmerr masa ndëshkuese – gjobë sipas dispozitave ligjore në fuqi, si dhe do të ushtrojë kallëzim penal në institucionet përkatëse, pas konstatimit për uzurpim”, bëhet e ditur në njoftim.
Komuna thekson se qëllimi i këtyre masave është garantimi i përdorimit të ligjshëm të pronave dhe hapësirave publike dhe respektimi i ligjit në funksion të komunitetit dhe qytetarëve. /Telegrafi/
Vërshimet e muajit janar 2026 shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në disa komuna të Kosovës, duke prekur dhjetëra familje dhe biznese. Megjithëse komunat formuan komisione dhe krijuan platforma për raportimin e dëmeve, këto aplikime, sikurse edhe në vitet e kaluara, rrezikojnë të mbesin vetëm dokumentacion në letër, për shkak të mungesës së kodit buxhetor dhe fondeve për kompensim.
Komunat më të prekura nga vërshimet e fillimit të këtij viti ishin Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Skenderaj, Gjakova dhe Mitrovica, ndërsa në disa komuna të tjera situata u përballua më lehtë.
Si ishte situata në të kaluarën?
Problemi i kompensimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore vazhdon që nga viti 2016. Familjet dhe bizneset e prekura ndër vite nuk janë kompensuar plotësisht, pasi nuk ekziston një rregullore e qartë që u mundëson komunave realizimin e pagesave, përveç rasteve kur Ministria e Financave ndan mjete specifike për këtë qëllim, pasi mungon "Fondi i Emergjencave".
Në një përgjigje për Telegrafin, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, shpjegoi arsyet pse pagesat për dëmet nuk janë realizuar plotësisht.
“Arsyet kryesore janë disa dhe kryesisht lidhen me kufizimet ligjore dhe financiare me të cilat përballen komunat, ato nuk kanë një fond të veçantë emergjent për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe nuk kanë mjete të mjaftueshme për situata të tilla të jashtëzakonshme”, tha ai.
Sipas Ibrahimit, ligji aktual nuk u jep komunave mundësi për pagesa të drejtpërdrejta për kompensimin e dëmeve.
“Ligji aktual nuk ua mundëson komunave që të bëjnë pagesa të drejtpërdrejta për kompensim të dëmeve. Procedurat e vlerësimit të dëmeve janë të ndërlikuara dhe kërkojnë komisione profesionale, raporte zyrtare dhe verifikime të shumta, gjë që e zgjat procesin”, theksoi ai.
Ibrahimi shtoi se kompetencat kryesore dhe mekanizmat financiarë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore janë të përqendruara në nivelin qendror.
“Pjesa më e madhe e kompetencave dhe mekanizmave financiarë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore janë të përqendruara në nivelin qendror, ndërsa komunat nuk kanë instrumente të mjaftueshme për të reaguar financiarisht”, potencoi drejtori i AKK-së.
Ai bëri të ditur se Asociacioni i Komunave të Kosovës është duke lobuar në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës për krijimin e një Fondi Kombëtar Emergjent për Komuna.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës është duke ndërmarrë disa hapa konkretë. Ne vazhdimisht po lobojmë pranë Qeverisë dhe Kuvendit për krijimin e një Fondi Kombëtar Emergjent për Komuna, i cili do të mundësonte reagim të shpejtë financiar në raste fatkeqësish natyrore”, tha Ibrahimi.
Ai shtoi se AKK po kërkon edhe ndryshime ligjore që komunave t’u jepet bazë më e qartë juridike për kompensimin e dëmeve dhe për menaxhimin e situatave emergjente.
“Po punojmë me komunat për ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale sa i përket menaxhimit më të lehtë të situatave emergjente”, deklaroi ai.
Sipas Ibrahimit, për të shmangur mbetjen pa përkrahje të qytetarëve dhe bizneseve, është e domosdoshme një qasje e koordinuar ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.
“AKK ka propozuar që në kuadër të buxhetit të shtetit të parashihet një linjë e veçantë për mbështetjen e komunave të prekura nga vërshimet, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të mos mbeten pa përkrahje. Qëndrimi ynë është i qartë: komunat nuk mund të përballojnë pasojat financiare të fatkeqësive natyrore. Prandaj nevojitet një qasje e koordinuar ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, me mekanizma të qëndrueshëm financiarë dhe ligjorë”, përfundoi ai.
Çfarë thonë komunat?
Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Drenasit, Nexhmedin Gruda, bëri të ditur për Telegrafin se aktualisht janë duke u përgatitur raportet përfundimtare për vërshimet e fundit, të cilat më pas do të procedohen në Kuvendin Komunal.
Foto: Nexhmedin Gruda/ Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Komuna e Drenasit
“Në bazë të kompetencave të DShPE-së, kemi këto të dhëna për gjendjen aktuale të pagesave për dëmet nga vërshimet për vitet e fundit. Aktualisht, Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe fatkeqësitë e tjera është në fazën e përgatitjes së raportit përfundimtar lidhur me vërshimet e ndodhura nga data 6 deri më 11 janar. Pas përfundimit të raportit, i njëjti do të procedohet për miratim në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal dhe më pas do t’i dërgohet Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve, me qëllim të procesimit për pagesë”, tha Gruda.
Ai theksoi se, pavarësisht aplikimeve me kohë nga qytetarët dhe bizneset, kompensimi nuk ka qenë i mundur për shkak të mungesës së fondit emergjent.
“Komuna e Drenasit nuk ka fond emergjent dhe, për shkak të kufizimeve buxhetore, nuk ka mundësi të realizojë pagesa të kësaj natyre”, bëri të ditur Gruda.
Sipas tij, Komuna e Drenasit ka realizuar pagesa të pjesshme për dëmet nga vërshimet në vitet 2016, 2021 dhe 2023.
“Në bazë të raporteve të komisioneve të vlerësimit për vitet 2016, 2021 dhe 2023, disponojmë këto të dhëna. Për dëmet e shkaktuara në vitin 2016 është realizuar një pagesë e pjesshme”, deklaroi ai.
Sipas të dhënave të prezantuara, dëmet e vitit 2016 përfshijnë: biznese 44,990.00 euro, ekonomi familjare 5,198.00 euro, infrastrukturë 71,320.00 euro dhe bujqësi 48,387.00 euro.
Ndërsa për vitin 2021, dëmet e raportuara janë: biznese 479,517.00 euro, ekonomi familjare 217,643.20 euro, infrastrukturë 1,705,000.00 euro dhe bujqësi 6,738.20 euro.
Dëmet e shkaktuara në vitin 2016, 2021 dhe 2024 në Komunën e Drenasit
Për vitin 2024, sipas Grudës, janë realizuar pagesa për dëme në ndërtim në vlerë 52,510.68 euro dhe në bujqësi 162,794.19 euro.
Nga Komuna e Rahovecit, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Irfan Berisha, tha për Telegrafin se dëmet nga vërshimet janë kompensuar vetëm pjesërisht.
“Në vitin 2022, dëmet në bujqësi dhe ekonomi familjare janë kompensuar, ndërsa dëmet në biznese jo”, tha Berisha.
Ai shtoi se për vitet 2023 dhe 2024 raportet janë dërguar në komisionin qendror, por ende nuk ka pasur kompensim.
Foto: Irfan Berisha, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Komuna e Drenasit
“Dëmet e shkaktuara nga vërshimet e datës 5, 6 dhe 7 janar 2026, raporti ka kaluar dhe është votuar në Kuvendin Komunal në janar 2026. Sipas procedurave, janë duke u kompletuar dosjet dhe shumë shpejt do të dorëzohen në komisionin qendror për kompensim të dëmeve”, deklaroi Berisha.
Ai përfundoi duke theksuar se qytetarët duhet të kompensohen për dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera.
Ndërkohë, zyrtari për media në Komunën e Malishevës, Artan Paçarizi, bëri të ditur se dëmet nga vërshimet nuk po kompensohen në tërësi për shkak të mungesës së kodit buxhetor.
“Ka pasur raste kur janë përkrahur në ndonjë situatë të caktuar, por kur ka vërshime masive jo, sepse nuk ka fond emergjent. Edhe po të ketë buxhet, nuk ka kod buxhetor. Në rastet e vërshimeve, dëmet nuk janë kompensuar”, tha ai.
Sipas Paçarizit, dëmet nga vërshimet e viteve 2016, 2021 dhe 2026, që kanë qenë të përmasave të mëdha, nuk janë kompensuar asnjëherë.
Foto: Artan Paçarizi, zyrtar për media në Komunën e Malishevës
“Problemi është i njëjtë ndër vite: pa fond emergjent, pa kod buxhetor dhe me buxhet të limituar, nuk mund të kompensohen qytetarët apo bizneset nga dëmet e vërshimeve”, u shpreh ai.
Paçarizi theksoi se përgjegjësia për kompensim i takon nivelit qendror.
“Për kompensim nuk ka ndarje buxhetore. Është detyrë dhe përgjegjësi direkte e Qeverisë, përmes ministrive dhe sektorëve përkatës, që t’i realizojë këto pagesa”, përfundoi ai.
Në lidhje me këto ankesa të komunave, Telegrafi ka kontaktuar edhe Ministrinë e Financave, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje. /Telegrafi/
Gjatë përmbytjeve në Gjakovë, Brigada e Zjarrfikësve qëndroi në vijën e parë të shpëtimit, duke evakuuar familje të rrezikuara dhe duke përballuar sfidat e ujit dhe terrenit të panjohur.
Në shiun që s’u ndalë për orë të tëra e rrugët e stërmbushura me ujë, Brigada e Zjarrfikësve të Gjakovës nuk kërkonte strehë.
Në vërshimet e fundit që u përballë vendi nga reshjet e dendura të shiut, zjarrfikësit u vendosën në vijën e parë të shpëtimit duke ndihmuar familje të tëra që mbetën të ngujuara në shtëpitë e tyre.
Ato rrethana i tregojnë këto pamje, në ditë e natë, zjarrfikësit kishin njëri-tjetrin, varkat dhe shpresën.
“Kam qenë personalisht në fshatin e Gjelbër, kemi evaukuar mbi 30 familje, kam qenë personalisht aty. Ka qenë situatë emocioni, i shifshim anëtarët e familjet. Kati i parë ishte përmbytur tërësisht, familja kishe shkuar në katin e dytë, të kapur në dritare. Të thoshin të gjithë: Hajde te unë, tjetri hajde merrem mu. U dashke me i qetësu me ju thanë që të gjithë do t’i tërheqim. Përpiqeshim familjet me fëmijë t’i evakuonim të parat, ishin në panik, qanin”, ka deklaruar Fitim Agushi, zjarrfikës.
Agushi tregon se profesioni ka ditur ta sfidojë por edhe t’i falë momente të çmueshme.
“E kam pas rastin edhe një të moshuar t’a evakuojë. Fshati i Gjelbërt krejt ujë ka qenë. Të moshuarit janë më të stresuar, kanë frikë. Te fëmijët dhe të moshuarit janë më delikatët në këto raste. Pa e dasht punën nuk mundesh me hy këtë profesion. Duhet me dit se kjo punë ka lloj-lloj sfide. Ka pas raste kur fëmijët na thonin fjalë shumë të mira. Na thonin “Je heroi im”. Kemi pas lavdata shumë. Zjarrfikësit janë gjithmonë në shërbim të popullit në çdo situatë, zjarr, ujë, mbyllje shtëpisë. Gjithkund!”, ka theksuar ai.
Për sfidat e terrenit e veçanërisht përballjet ndër vite me vërshimet, tregon edhe drejtuesi i kësaj brigade.
“Para se me mbërri tek vendi zakonisht i ndajmë detyrat por Uji është sfida më e madhe se terreni është i panjohshëm se nuk e din terrenin, nuk e din ku duhesh me shkel. Më problematikun e kemi pas këtu te stacioni i autobusëve, shtëpitë kanë qenë të mbuluara katin e parë me ujë. U tutshim po na bjen najsen prej katit të dytë po prapë po them, intervenimi në ujë është më i zorshmi. Kemi pas vërshime edhe para 3-4 viteve po kësaj here i kemi përballuar më lehtë. Ka pasur më pak thirrje për t’iu ndihmuar”, ka deklaruar Xhevdet Brahimaj – Komandant i Zjarrfikësve – Gjakovë.
Reshjet u ndalën e uji nga vërshimet u tërhoq por në vijën e parë të shpëtimit në rast të situatave emergjente, aty mbetet prapë një brigadë zjarrfikësish, që nuk pushon derisa gjithçka, të jetë e sigurt përsëri./Tv Dukagjini
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vendosur të shtyjë afatet për tatimin në pronë për vitin 2026, vendim i cili vlen për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Sipas këtij vendimi, afati për lëshimin e faturave të tatimit në pronë është shtyrë deri më 31 mars 2026, ndërsa pagesa e këstit të parë do të mund të bëhet deri më 30 qershor 2026.
Nga Ministria bëhet e ditur se shtyrja e afateve ka për qëllim t’u ofrojë qytetarëve më shumë kohë për përmbushjen e obligimeve tatimore, si dhe të sigurojë zbatim të drejtë dhe efikas të legjislacionit në fuqi.
Komunat janë obliguar që këtë vendim ta zbatojnë në mënyrë të njëjtë dhe të informojnë qytetarët për afatet e reja lidhur me tatimin në pronë për vitin 2026. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë IADK, e cila synon mbështetje konkrete për sektorin e bujqësisë në këtë komunë.
Kastrati ka bërë të ditur se kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për fermerët, gratë, të rinjtë dhe studentët që merren dhe jetojnë nga bujqësia në Malishevë.
“Sot kam nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë IADK, një mundësi e mirë për mbështetje konkrete të fermerëve, grave, të rinjve dhe studentëve në Komunën e Malishevës”, ka deklaruar ai.
Sipas kryetarit të komunës, marrëveshja do të kontribuojë drejtpërdrejt në fuqizimin e bujqësisë lokale.
“Kjo marrëveshje do të sjellë trajnime, grante dhe përkrahje direkte për ata që punojnë dhe jetojnë nga bujqësia”, ka theksuar Kastrati.
Ai ka shtuar se Komuna e Malishevës do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin ekonomik dhe rural.
“Vazhdojmë me punë dhe angazhim për zhvillimin e komunës sonë”, ka përfunduar Kastrati. /Telegrafi/
Në 36-vjetorin e Masakrës së Malishevës, sot u përkujtua me nderim dhe respekt vrasja e dy qytetarëve të kësaj komune, Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu, si dhe plagosja e dhjetëra qytetarëve të tjerë.
Me këtë rast, u bënë homazhe pranë varrezave të dy dëshmorëve, duke rikujtuar njërën nga ngjarjet më të rënda dhe më të dhimbshme në historinë e Malishevës, e cila kishte ndodhur më 30 janar 1990.
Në homazhe morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Fatmir Ademaj, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë, të cilët me praninë e tyre nderuan sakrificën dhe kujtimin e të rënëve.
Gjatë fjalëve përkujtimore, 30 janari i vitit 1990 u cilësua si dita më e rëndë për Malishevën, kur protestat paqësore të qytetarëve shqiptarë u shtypën me dhunë nga pushteti i atëhershëm, duke lënë pas të vrarë, të plagosur dhe shumë qytetarë të maltretuar.
“Krahas dhimbjes së madhe që kjo ngjarje mbart, ajo përfaqëson edhe krenarinë tonë si Malishevë, sepse institucionet lokale të asaj kohe, të prira nga kryetari i komunës, Daut Krasniqi, me bashkëpunëtorë, shënuan një kthesë të rëndësishme historike. Për herë të parë, reagimi institucional ndaj kësaj masakre u artikulua zyrtarisht, madje edhe në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
Ai theksoi se Komuna e Malishevës do të vazhdojë t’i përkujtojë dhe t’i nderojë vlerat dhe kontributin e dëshmorëve, si dhe të gjithë qytetarëve që u sakrifikuan për liri, duke ruajtur gjallë kujtesën për ngjarjet e viteve ’90, të cilat më pas kulmuan me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Si pasojë e vërshimeve të fundit, në disa zona të Komunës së Gjakovës ende janë evidentuar mbetje të mbeturinave të shpërndara në hapësira publike.
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati” ka bërë të ditur se ekipet e saj janë çdo ditë në terren, duke punuar intensivisht për largimin e mbeturinave dhe rikthimin e pastërtisë në zonat e prekura.
Nga KRM “Çabrati” thuhet se angazhimi po vazhdon me kapacitete të plota, me qëllim që hapësirat publike të bëhen sa më shpejt të pastra dhe të sigurta për qytetarët.
Njëkohësisht, kompania ka kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët, derisa po zhvillohen këto intervenime pastruese në terren.
KRM “Çabrati” ka theksuar se mbetet e përkushtuar për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe ruajtjen e mjedisit në Komunën e Gjakovës. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, Afrim Oruqi, ka vizituar repartin e diagnostikës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fahredin Hoti”.
Vizita u realizua për të parë nga afër situatën pas problemeve të evidentuara në pajisje dhe aparatura, të cilat kishin ndikuar në funksionimin e laboratorit.
Nga komuna bëhet e ditur se laboratori tashmë është rikthyer plotësisht në funksion.
Me këtë rikthim, qytetarët e Rahovecit nga sot kanë mundësi të shfrytëzojnë shërbimet laboratorike, përfshirë edhe kryerjen e disa analizave laboratorike shtesë, duke lehtësuar qasjen në shërbime shëndetësore brenda komunës. /Telegrafi/
Pas përfundimit të rinumërimit të votave në Komunën e Malishevës, Prokuroria Themelore në Gjakovë sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë hetimor, lidhur me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.
Në një konferencë për media, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka bërë të ditur se pas rinumërimit është lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve konkrete hetimore me qëllim të grumbullimit të provave.
“Pas përfundimit të rinumërimit të votave në Malishevë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të grumbullimit të provave”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka bërë të ditur se gjatë aksionit të sotëm janë intervistuar gjithsej 58 persona të dyshuar për veprën penale "falsifikim i rezultateve të votimit".
“Sot kemi realizuar një aksion ku nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë, janë intervistuar 15 kryesues dhe 43 komisionerë. Pesëmbëdhjetë kryesuesit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor Prokuroria do të vendosë për masën e sigurisë”, ka theksuar kryeprokurori Gashi.
Sipas tij, për 43 komisionerët e intervistuar, Prokuroria është ende në fazën e vlerësimit për caktimin e ndonjë mase eventuale.
“Në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë nga Departamenti për Krime të Rënda”, ka shtuar Gashi, transmeton Telegrafi.
Ai ka theksuar se në komunën e Malishevës kanë qenë 75 vendvotime dhe nga to 9057 vota janë të shtuara dhe 7996 janë vota të hequra, në total 17 mijë e 53 vota.
Detaje shtesë për aksionin ka dhënë edhe nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Bekim Avdija, i cili ka bërë të ditur se në këtë rast dyshohet për përfshirjen e gjithsej 68 personave.
“Pas grumbullimit të provave që kemi mbledhur, kemi parë se janë të implikuar 68 persona, kryesues dhe komisionerë. Sot janë intervistuar 43 komisionerë dhe 15 kryesues, ndërsa kanë mbetur edhe tre kryesues dhe shtatë komisionerë, të cilët besojmë se së shpejti do të intervistohen”, ka deklaruar Avdija.
Ai ka theksuar se Policia do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë për procedimin e të gjitha shkeljeve.
“Do të vazhdojmë bashkëpunimin me Prokurorinë, në mënyrë që të procedohen sipas ligjit të gjitha shkeljet deri në elementet e fundit”, ka shtuar Avdija.Ndërkaq, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka deklaruar se veprimet e shpejta të Prokurorisë kanë rezultuar me arrestime të personave që dyshohet se kanë manipuluar vota.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta janë kryer arrestime, duke përfshirë komisionerë që dyshohet se kanë manipuluar vota. Asnjë individ, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk qëndron mbi ligjin dhe integriteti i procesit zgjedhor është i panegociueshëm”, ka deklaruar Pula.
Ajo ka shtuar se Prokuroria e Shtetit do të vazhdojë hetimet deri në zbardhjen e plotë të rasteve.
“Prokuroria e Shtetit do të mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së qytetarëve. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha autoritetet e zbatimit të ligjit dhe nuk do të ndalemi deri në hetimin e fundit”, ka theksuar Pula. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore e Gjakovës në bashkëpunim me policinë është duke zhvilluar një aksion në Malishevë lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore të 28 dhjetorit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie Drin Domi.
“Aksioni është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjakovë mbi dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore të kandidatëve brenda subjekteve politike”, ka thënë Domi.
Ai ka shtuar se për detaje tjera do të njoftohemi pas përfundimit të këtij aksioni.
Kujtojmë se të premten e kaluar Prokuroria Themelore e Prizrenit realizoi aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore, që përfundoi me 109 të arrestuar. /Telegrafi/
Ekipi shëndetësor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës është forcuar sot me shtatë mjekë të rinj specialistë, të cilët do të kontribuojnë në zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët.
Specialistët e rinj që iu bashkuan spitalit janë:
Dr. Lorena Rruka – Specialiste e Dermatologjisë
Dr. Fahruk Iljazi – Specialist i Endokrinologjisë
Dr. Arton Hoti – Specialist i Pulmologjisë
Dr. Halit Delija – Specialist i Pulmologjisë
Dr. Durim Nuza – Specialist i Pulmologjisë
Dr. Lisa Qurdina – Specialiste e Oftalmologjisë
Dr. Fatbardh Kadrija – Specialist i Gastroenterologjisë
Spitali i Gjakovës thekson se angazhimi i këtyre profesionistëve do të rrisë ndjeshëm kapacitetin dhe cilësinë e kujdesit mjekësor, duke mundësuar shërbime më të specializuara për pacientët.
Me këtë përforcim, institucioni shëndetësor synon të ofrojë trajtim më të avancuar dhe të plotë, duke i shërbyer më mirë nevojave shëndetësore të komunitetit. /Telegrafi/
KRU Hidroregjioni Jugor njofton të gjithë konsumatorët e Njësisë Malishevë se për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit në Rrugën “Imer Krasniqi”, ekipet e saj do të realizojnë punime teknike për sanimin e tij.
Punimet do të fillojnë nesër, më 27.01.2026, nga ora 09:00, dhe gjatë kohës së punimeve mund të ketë ndërprerje të përkohshme ose vështirësi në furnizimin me ujë të pijes në disa zona të Njësisë Malishevë.
Sipas njoftimit, ekipet janë të angazhuara që punimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe furnizimi të rikthehet në normalitet.
KRU Hidroregjioni Jugor falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi me Koordinatorin e Shoqatës Humanitare “Bereqeti”, Abdurrahman Bejtullahu, me qëllim ofrimin e ndihmës sociale dhe realizimin e projekteve të banimit për familjet me kushte të vështira ekonomike.
Nga Komuna e Gjakovës bëhet e ditur se kjo marrëveshje synon forcimin e mbështetjes institucionale për rastet sociale, duke krijuar mundësi konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve në nevojë.
Institucioni komunal ka theksuar se mbetet i përkushtuar të jetë pranë kategorive më të ndjeshme shoqërore në Gjakovë, ndërsa bashkëpunimi i vazhdueshëm me Shoqatën Humanitare “Bereqeti” vlerësohet si tejet i rëndësishëm.
Shoqata “Bereqeti” njihet për angazhimin e saj gjatë gjithë vitit në misionin humanitar, duke ofruar ndihmë për familjet në nevojë, ndërsa Komuna ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe bashkëpunimin e deritanishëm. /Telegrafi/
Gjatë vitit 2025, në Traktin Operativ, përkatësisht në sallat e operacionit të Spitalit të Gjakovës, është realizuar një numër i konsiderueshëm ndërhyrjesh kirurgjikale, duke reflektuar ngarkesën e punës dhe angazhimin e stafit mjekësor.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsej 2,127 ndërhyrje operative, nga të cilat 1,481 kanë qenë me anestezion të përgjithshëm, ndërsa 646 me anestezion lokal.
Ndërhyrjet kirurgjikale janë realizuar në disa specialitete mjekësore. Në repartin e kirurgjisë janë kryer 1,440 ndërhyrje, në ortopedi 387, ndërsa në oftalmologji janë realizuar 94 ndërhyrje kirurgjikale, si dhe 946 aplikime të terapisë Avastin.
Në urologji janë kryer 149 ndërhyrje kirurgjikale dhe 239 cistoskopi, ndërsa në repartin e ORL-së janë realizuar 12 ndërhyrje kirurgjikale.
Nga Spitali i Gjakovës është theksuar se këto të dhëna dëshmojnë përkushtimin profesional të stafit shëndetësor dhe ofrimin e shërbimeve operative në përputhje me kapacitetet ekzistuese të institucionit. /Telegrafi/
Emergjenca e Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë ka përballuar një ngarkesë të konsiderueshme pune gjatë vitit 2025, duke ofruar shërbime mjekësore për mijëra pacientë, përfshirë raste urgjente dhe me rrezik të lartë për jetën.
Sipas raportit vjetor të punës për vitin 2025, në Emergjencë janë realizuar gjithsej 22,371 vizita mjekësore, ndërsa janë ofruar 4,544 konsulta mjekësore për pacientë me gjendje të ndryshme shëndetësore.
Gjatë kësaj periudhe, 2,741 pacientë janë pranuar për trajtim spitalor, ndërsa 160 raste kanë qenë të domosdoshme për transferim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Raporti evidenton edhe një numër të madh të rasteve specifike. Gjatë vitit 2025 janë trajtuar 1,183 raste aksidentesh, 253 raste rrahjeje, 20 raste therjeje, 39 raste të dhunës në familje, 23 tentativa për vetëvrasje, si dhe 4 raste plagosjeje.
Po ashtu, gjatë vitit të kaluar në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës janë regjistruar gjithsej 64 raste exitusi.
Nga Spitali i Gjakovës bëhet e ditur se këto të dhëna pasqyrojnë ngarkesën e lartë të punës në Emergjencë gjatë vitit 2025, si dhe përkushtimin profesional të stafit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve të pandërprera, cilësore dhe në kohë për qytetarët. /Telegrafi/