Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Main stream

Malisheva i falet Brrutit, triumfon ndaj Prishtinës së Re

8 February 2026 at 14:55


Malisheva ka marrë fitore shumë të vështirë ndaj Prishtinës së Re, por tejet të vlefshme 1-0.

Ndeshja nisi me luftë të madhe nga të dyja skuadrat, pasi pikët janë mëse të nevojshme.

Megjithatë për të parë golin e parë në ndeshje u desh të pritej minuta e 37-të.

Etnik Brruti realizoi nga penalltia për epërsinë e vendasve 1-0.

45 minutat e para të kësaj ndeshje u mbyllën me epërsinë e skuadrës vendase 1-0.

Pjesa e dytë i takoi mysafirëve të cilët krijuan raste më të mira shënimi.

Astrit Berisha ishte i pafat në këtë ndeshje, pasi pati dy raste të arta shënimi.

Fillimisht në minutën e 88-të goditi shtyllën, derisa në minutën e 94-të në portën e zbrazët nuk arriti të shënonte gol.

Vendasit shpëtuan nga rastet e shumta të mysafirëve dhe arkëtuan tre pikë të mëdha nga kjo sfidë.

Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në pozitën e katërt me 30 pikë, derisa Prishtina e Re mbetet e fundit. /Telegrafi/

Malisheva dhe Prishtina e Re takohen në Liman Gegaj, formacionet zyrtare

8 February 2026 at 12:40


Malisheva është nikoqire e Prishtinës së Re takohen në Liman Gegaj në kuadër të xhiros së 19-të në Albi Mall Superligë.

Dy skuadrat kanë objektiva të kundërta, me vendasit që duan daljen në Evropë derisa mysafirët mbijetesën.

Si vendasit ashtu edhe mysafirët kërkojnë vetëm tre pikët dha na pret një ndeshje spektakolare në Liman Gegaj.

Formacionet zyrtare:

Malisheva: Avdyli, Pira, Kryeziu, Vitija, Xhaka, Bajraktari, Nafiu, Brruti, Xhylani, Diatta, Ibishi.

Pristhina e Re: Smakiqi, Nya-Vedji, PRekazi, Prençi, Zekolli, Dadet, Doukoure, Mekic, Kadriu, Berisha, Gomes.

Superliga vazhdon me ndeshjet e xhiros së 19-të: Luhet në Gjilan dhe Malishevë

8 February 2026 at 08:08


Futbolli në Kosovë është rikthyer pas pauzës dimërore dhe xhiro e 19-të ka startuar ditën e shtunë ku janë zhvilluar tre duele.

Ndërkohë ditën e sotme në program janë dy sfida të tjera për t'u luajtur.

Gjilani para tifozëve të vet pret liderin aktual Ballkanin, në një sfidë që pritet të jetë e zjarrtë.

Gjilanasit duan tre pikët në mënyrë që të afrohen me pikë me Ballkanin dhe të futen në garë për titullin kampion.

Nga ana tjetër Ballkani synon fitore në mënyrë që të shtojë diferencën e pikëve ndaj Prishtinës dhe Dritës që kanë fituar të shtunën.

Sfidë shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në Liman Gegaj, me Malishevën që është nikoqire e Prishtinës së Re.

Vendasit duan fitore për tu ngjitur në tabelë, derisa kryeqytetasit e rinj kërkojnë tre pikët për të mbetur në garë për mbijetesën.

Të dyja sfidat e ditës së sotme fillojnë nga ora 13:00. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Superliga e Kosovës nis në fundjavë sezonin pranveror, xhiroja e 19-të premton spektakël

4 February 2026 at 15:26


Fundjava sjell pesë përballje interesante në Albi Mall Superligën e Kosovës, me të gjitha ndeshjet që luhen në orarin e njëjtë dhe me peshë të madhe për nisjen e edicionit pranveror.

Xhiroja e 19-të e Superligës së Kosovës rikthehet këtë fundjavë me duele vendimtare, ku çdo pikë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë si në garën për titull, ashtu edhe në luftën për mbijetesë.

Të shtunën, më 7 shkurt, Dukagjini pret Prishtinën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, në një takim ku vendasit synojnë të shfrytëzojnë terrenin e tyre, ndërsa kryeqytetasit kërkojnë vazhdimësi dhe rikthim te rezultatet pozitive.

Po në të njëjtën orë, Drenica dhe Llapi përballen në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, në një duel direkt mes skuadrave që kërkojnë pikë të mëdha për stabilitet në tabelë dhe largimin nga zona e rrezikut.

Në Ferizaj, skuadra vendase do të matet me Dritën në stadiumin e qytetit, ku mysafirët nga Gjilani hyjnë si favoritë në letër, por Ferizaj pritet të japë maksimumin për të befasuar një nga ekipet më konstante të sezonit.


Të dielën, më 8 shkurt, vëmendja zhvendoset në Gjilan, ku Gjilani pret Ballkanin në stadiumin me bari artificial. Një përballje me aromë derbi, ku kampionët vjeshtor kërkojnë të mbajnë ritmin në krye, ndërsa vendasit synojnë të ndalin furinë e tyre dhe të hynë në garë për pozitat e para.

Xhiroja mbyllet në Malishevë, ku skuadra vendase përballet me Prishtinën e Re në stadiumin “Liman Gegaj”, në një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare për objektivat sezonale të të dyja ekipeve.

Me të gjitha ndeshjet që zhvillohen në orën 13:00, Superliga premton një fundjavë të ngjeshur, emocionuese dhe plot tension, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë për vazhdën e edicionit. /Telegrafi/

Disa zona të Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës pritet të mbesin pa ujë

2 February 2026 at 13:15


KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar konsumatorët se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga kompania KEDS në njësitë operative të Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës, mund të paraqiten probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.

Nga KRU “Hidroregjioni Jugor” bëhet e ditur se furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas rikthimit të rregullt të energjisë elektrike, duke siguruar normalizimin e shërbimit.

“Konsumatorëve u kërkojmë mirëkuptim për këtë situatë dhe i falënderojmë për bashkëpunimin,” thuhet në njoftim. /Telegrafi/


AME: Lumenjtë e degraduar po rrezikojnë qytetarët

29 January 2026 at 15:10


Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka njoftuar se gjatë vërshimeve të fundit kanë intervenuar në 196 raste, nga të cilat janë evakuuar 42 persona. Kjo agjenci ka theksuar se çdo lum është i degraduar dhe duhet të mirëmbahet, derisa ka dhënë edhe rekomandime të detajuara.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Shefki Abdullahu gjatë konferencës për media lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet e fundit të muajit janar, si dhe për veprimet dhe angazhimet e agjencisë.

“Vërshimet kanë përfshirë disa komuna, i kemi potencuar më së shumti ato komuna të cilat kanë qenë vërshimet më të theksuara dhe këtu janë Malishevë, Gjakovë, Klinë, Junik, Drenas, Skenderaj, Mitrovicë, Suharekë, Gjilan dhe Prishtinë. Ekipet e specializuara të AME-së, njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, kanë realizuar intervenime të shumta duke përfshirë thithje të ujit me pompa të kapacitetit të lartë te objektet me rëndësi të veçantë si KEK-ut, të cilat i posedon AME-ja, kurse njëkohësisht edhe njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit, të cilat kanë pompat edhe njësitë e tyre... kemi pasur numri i rasteve të koordinuara kanë qenë 1070 raste. Numri i intervenimeve në vërshime ka qenë 196, thithja e ujit me pompa të kapacitetit të lartë 24, intervenime teknike 63, persona të evakuuar kanë qenë 42”, tha ai.

Ai shtoi se kanë vendosur barriera kundër vërshimeve dhe thasëve në Mitrovicë, në veçanti në lagjen te Ura e Ibrit.

Abdullahu theksoi se mungesa e mirëmbajtjes së lumenjve, deformimi i shtretërve pas luftës dhe hedhja e mbeturinave, kanë rritur ndjeshëm rrezikun e vërshimeve në shumë komuna të Kosovës.

"Hartat e lumenjve të cilët rrezikojnë do t’i kemi në raport, do t’i dërgojmë dhe do t’i keni të gjitha detajet, sepse të gjithë lumenjtë në Kosovë vërshojnë komunat të cilat shpeshherë edhe po përsëriten, domethënë janë plotësisht këta lumenj të cilët nuk janë përmbajtur, nuk janë mirëmbajtur apo shtrati i tyre është deformuar në mënyrë të egër pas luftës, do të thotë rëra që kanë nxjerrë të gjitha ato kompani, por edhe hedhja e mbeturinave në lumenj të lirë, kështu që kanë shkaktuar… çdo lum është i degraduar dhe duhet të mirëmbahet, të pastrohet, është primare që të sigurohet jeta e qytetarëve, ambienti, prona, ku njëkohësisht edhe për gjallesat, për secilin, duhet t’i kemi ato lumenj, që ne si i kemi pikërisht për këto arsye të ndotjes dhe të degradimit të lumenjve", theksoi Abdullahu.

“Nga analiza dhe mësimet e nxjerra, kemi nxjerrë rekomandime. Pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e shtretërve të lumenjve, monitorimi i vazhdueshëm i zonave me rrezik të lartë, hartimi dhe zbatimi i planeve lokale për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, ndarja e qartë e përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, ndalimi i ndërtimeve në zonat e rrezikuara nga vërshimet dhe forcimi i inspektimeve ndërtimore, rritja e kapaciteteve të reagimit në emergjencë përmes trajnimeve të rregullta dhe pajisjeve adekuate të strukturave lokale, vetëdijesimi i qytetarëve për rreziqet dhe fatkeqësitë natyrore dhe forcimi i sistemit për paralajmërim të hershëm”, tha ai. /KP/

Disa zona të Malishevës mbesin pa ujë

26 January 2026 at 15:49


KRU Hidroregjioni Jugor njofton të gjithë konsumatorët e Njësisë Malishevë se për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit në Rrugën “Imer Krasniqi”, ekipet e saj do të realizojnë punime teknike për sanimin e tij.

Punimet do të fillojnë nesër, më 27.01.2026, nga ora 09:00, dhe gjatë kohës së punimeve mund të ketë ndërprerje të përkohshme ose vështirësi në furnizimin me ujë të pijes në disa zona të Njësisë Malishevë.

Sipas njoftimit, ekipet janë të angazhuara që punimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe furnizimi të rikthehet në normalitet.

KRU Hidroregjioni Jugor falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/


Instituti GAP publikon analizën e premtimeve të kryetarëve të komunave për mandatin 2025–2029

22 January 2026 at 11:58


Instituti GAP ka prezantuar të dhënat mbi premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave të Kosovës për mandatin e ri qeverisës 2025–2029. Sipas raportit, gjatë këtij mandati janë dhënë gjithsej 1,683 premtime në 26 komuna, shifër kjo 132 premtime më pak se mandati i kaluar.

Raporti evidenton komunat me rritjen më të madhe të numrit të premtimeve, ku spikasin Lipjani me 170 premtime (nga 61 në mandatin e kaluar), Deçani 124 (nga 20), Fushë Kosova 110 (nga 35), Drenasi 88 (nga 37), Obiliqi 104 (nga 69) dhe Podujeva 88 (nga 61).

Ndërkohë, komunat që shënuan rënie më të madhe të premtimeve janë Prishtina 115 (nga 206), Kaçaniku 38 (nga 94), Suhareka 24 (nga 78), Shtimja 58 (nga 107), Mitrovica e Jugut 74 (nga 123), Rahoveci 44 (nga 84), Hani i Elezit 39 (nga 78), Malisheva 20 (nga 48), Klina 35 (nga 63) dhe Istogu 55 (nga 78).

Sipas raportit, fushat me më së shumti premtime janë infrastruktura me 382 premtime, arsimi 322, shërbimet publike 184 dhe shëndetësia 146. Fushat me më së paku premtime janë urbanizmi me 51 dhe administrata 50.

Instituti GAP vë në dukje gjithashtu përfaqësimin gjinor, ku nga 185 kandidatë që kanë garuar, 20 kanë qenë gra, ndërsa vetëm një kryetare është zgjedhur. Partitë që udhëheqin komunat janë VV (7), PDK (7), LDK (7), LS (10), AAK (5), Nisma (1) dhe PDTK (1).

“Edhe në këtë mandat, Instituti GAP do të vazhdojë të vlerësojë periodikisht përmbushjen e premtimeve, me qëllim të rritjes së përgjegjësisë publike të kryetarëve të zgjedhur për ato që kanë premtuar”, thuhet në njoftim.

Platformën e plotë të premtimeve të kryetarëve mund ta gjeni në: https://www.komunat.institutigap.org/Premtimet. /Telegrafi/


Digjet një shtëpi në Malishevë, humb jetën një grua

21 January 2026 at 08:50


Një grua rreth moshës 53 vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka kapluar një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.

Sipas tij, viktima ka jetuar me babain e saj dhe ka qenë e palëvizshme.

“Një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës është përfshirë nga flakët, ku për pasojë ka mbetur pa shenja jete një grua rreth moshës 53 vjeçare e cila ka qenë duke jetu veç me babën dhe ka qenë e palëvizshme. Ende nuk dihen rrethanat e zjarrit dhe policia është duke u marr me rastin”, ka thënë Graishta. /Telegrafi/

Ushtroi dhunë psikike ndaj nënës së tij, arrestohet i mituri në Malishevë

20 January 2026 at 10:54


Një person (i mitur) është arrestuar pasi që i njëjti e ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 19:00, në Malishevë.

Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Malishevë 19.01.2026-19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i mitur pasi që i njëjti e ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Komuna e Malishevës hap thirrjen për aplikim për gjashtëmujorin e dytë të Programit të Pagesave Direkte 2025

19 January 2026 at 13:45


Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Malishevës ka njoftuar se është hapur thirrja për aplikim për gjashtëmujorin e dytë të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025, e cila zbatohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas njoftimit, përmes këtij programi do të vazhdojë mbështetja për sektorin e blegtorisë dhe akuakulturës, përmes pagesave direkte për qumësht, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat dhe zogjtë për majmëri, si dhe për akuakulturë, në përputhje me programin e miratuar për vitin 2025.

Përkrahja financiare përfshin këto kategori:

  • Pagesa Direkte për qumësht;
  • Pagesa Direkte për therjet e raportuara të gjedhit;
  • Pagesa Direkte për viçat për majmëri;
  • Pagesa Direkte për zogjtë për majmëri (brojlerët);
  • Pagesa Direkte për akuakulturë.

Afati për aplikim fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00.

Nga Drejtoria për Bujqësi në Malishevë ftohen të gjithë fermerët që i plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit të paraparë, me qëllim të përfitimit nga mbështetja financiare e Programit të Pagesave Direkte. /Telegrafi/


Turbullira të ujit në Malishevë, përdorimi vetëm për nevoja sanitare

15 January 2026 at 12:18


KRU “Hidroregjioni Jugor” njofton konsumatorët e Malishevës se, si pasojë e ndryshimeve të përkohshme në parametrat fizikë të ujit në burimin e Banjës së Malishevës, është vërejtur turbullirë në ujë.

Për këtë arsye, uji nuk rekomandohet për pije deri në njoftimin e radhës.

Zonat e prekura janë:

  • Fshati Banjë
  • Malisheva
  • Fshati Carrallukë
  • Rruga “Imer Krasniqi” – Mirushë

Uji mund të përdoret vetëm për nevoja sanitare.

Ekipet e KRU-së po monitorojnë situatën dhe do të informojnë qytetarët sapo uji të jetë i sigurt për përdorim. /Telegrafi/


Prishtina rifillon nesër mësimin në të gjitha shkollat, Malisheva e Fushë Kosova e shtyjnë

11 January 2026 at 17:51


Komuna e Prishtinës njoftoi se nesër do të rifillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit.

Procesi mësimor do të vazhdojë pa u shtyrë më shumë, pasi Komuna thotë se ka ndërhyrë dhe menaxhuar suksesshëm situatën pas reshjeve të shumta.

“Pas ndërhyrjeve dhe menaxhimit të suksesshëm të situatës pas reshjeve të shumta, njoftojmë se nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. Falë angazhimit të ekipeve në terren dhe masave të marra, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor. Urojmë nxënësve një rikthim të mbarë në shkollë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Ndryshe, për shkak të vërshimeve, Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi të ndarë, shtyu për dy ditë, përkatësisht për 14 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës.

Ndërkaq, drejtoria e Arsimit në Fushë-Kosovë tha se ka vendosur që ta shtyjë rinisjen e mësimit deri më 19 janar.

Ministria e Arsimit veçse ka shtyrë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë për 12 janar, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet./Telegrafi/



Vëllau binjak i futbollistes së njohur Riola Xhemajli mund të zbarkojë së shpejti te Malisheva

10 January 2026 at 13:02


Malisheva po përgatitet që së shpejti të bëjë një goditje të madhe në afatin kalimtar të transferimeve.

Siç ka mësuar Telegrafi, drejtuesit e klubit janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me futbollistin e talentuar Rion Xhemaili.

Xhemaili, 22-vjeçar, i lindur dhe i rritur në Zvicër, është vëllau binjak i futbollistes së njohur Riola Xhemaili, e cila tashmë përfaqëson Zvicrën në kategorinë e femrave dhe aktualisht është pjesë e gjigantit holandez PSV Eindhoven.

Rioni është produkt i akademisë së Baselit, atje ku kishte kaluar në moshë shumë të hershme nga Solothurni. Për Baselin ai luajti nga grupmoshat U17 deri tek ato U21.

Rion dhe Riola Xhemaili

Për Xhemailin, sipas burimeve të afërta me lojtarin, interesim kanë shprehur disa klube të njohura kosovare, por është Malisheva ajo që ka bërë një hap tutje në negociata dhe se tashmë lojtari ka disa ditë që ka filluar stërvitjet me ta.

Futbollisti i talentuar aktualisht është pjesë e FC Langenthal, një klub në kantonin e Bernit që bën gara në ligën e katërt të futbollit zviceran.

Xhemaili njihet si një futbollist me driblime vdekjeprurëse dhe këmbëshpejtë, por një lëndim i pësuar i ka penguar vazhdimësinë dhe ai tashmë e sheh Superligën e Kosovës si vendin e duhur për të rikthyer formën.

Kujtojmë se Malisheva aktualisht renditet e pesta në Superligën e Kosovës me 27 pikë të grumbulluara dhe transferimi i Xhemailit do të ishte një ndihmesë e madhe drejt arritjes së objektivave./Telegrafi/

Përfundon gjendja emergjente në Malishevë, qytetarët ftohen të raportojnë dëmet

8 January 2026 at 15:25


Komuna e Malishevës ka njoftuar se është hequr gjendja e situatës emergjente e shpallur pas reshjeve të fundit, të cilat kishin shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të komunës.

Vendimi është marrë pas mbledhjes së Shtabit Emergjent Komunal, ku u vlerësua gjendja aktuale në terren. Sipas komunës, niveli i ujërave ka shënuar rënie dhe situata tani paraqitet stabile, ndonëse shërbimet emergjente do të vazhdojnë të mbesin në gatishmëri të shtuar.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka theksuar se situata e krijuar ditëve të fundit ka qenë e rëndë dhe ka lënë pasoja të mëdha.

“Situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të konsiderueshme, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private”, ka deklaruar Kastrati gjatë mbledhjes së Shtabit Emergjent.

Ai ka bërë të ditur se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve dhe ka ftuar qytetarët e prekur nga vërshimet që të paraqesin kërkesat e tyre për vlerësim.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e dëmtuar që t’i parashtrojnë kërkesat për vlerësimin e dëmeve pranë Zyrës së Pritjes në Komunën e Malishevës”, ka shtuar ai.

Në përmbyllje, kryetari Kastrati, në emër të Shtabit Emergjent dhe në emrin e tij personal, ka falënderuar të gjitha ekipet emergjente dhe institucionet e përfshira për angazhimin gjatë menaxhimit të situatës. /Telegrafi/

Komuna e Malishevës thotë se të gjitha rrugët janë pastruar nga bora

8 January 2026 at 12:15


Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se, përkundër reshjeve të borës gjatë natës së kaluar, të gjitha rrugët në territorin e saj janë të hapura dhe të qasshme për qarkullim, përfshirë edhe zonat malore.

Sipas njoftimit zyrtar, kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve janë angazhuar intensivisht në largimin e borës dhe hedhjen e kripës, për të siguruar qarkullim të lirë dhe të sigurt për qytetarët.

Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, ka vizituar disa fshatra në zonën e maleve të Berishës për të monitoruar punimet. Ai ka deklaruar:

“Komuna ka angazhuar kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, të cilat po kryejnë punën e tyre me përkushtim. Sot kam përcjellë nga afër punimet në zonën e maleve të Berishës, për t’u siguruar që qytetarët të kenë qarkullim të sigurt dhe të pandërprerë”, ka deklaruar Kastrati.

Komuna u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të pajisen me pajisje dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, për shkak të mundësisë së ngricave në rrugë. /Telegrafi/

Malisheva shpall gjendje të jashtëzakonshme nga përmbytjet

6 January 2026 at 18:38

PRISHTINË, 6 janar/ATSH/ Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, bëri të ditur se kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme si pasojë e vërshimeve të mëdha në këtë komunë.

Kastrati thekson se Komuna e Malishevës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, të cilat kanë shkaktuar shumë dëme dhe kanë shqetësuar qytetarët të cilët gjatë natës dhe ditës së sotme kanë përjetuar këto reshje.

“Komuna e Malishevës shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, e të cilat kanë shkaktuar shumë dëme dhe kanë shqetësuar qytetarët e komunës, të cilët gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme kanë përjetuar një ndjenjë jo të mirë për shkak të vërshimeve të mëdha të shiut. Prandaj, si komunë kemi themeluar shtabin emergjent, I cili gjatë gjithë ditës ka qenë në nivel të detyrës dhe gatishmërinë tonë që t’u dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës, të cilët tani për tani jetojnë një një gjendje të jashtëzakonshme”, tha ai.

Kastrati tha se kanë kontaktuar edhe me institucionet qendrore, përfshirë Agjencinë për Menaxhim Emergjent por edhe institucione tjera përkatëse sa i përket menaxhimit të këtyre vërshimeve.

Ndërkaq, në komunën e Drenasit, konkretisht në Komoran, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, disa biznese janë përballur me vërshime, ndërsa që nga orët e hershme të mëngjesit po tentojnë të largojnë ujin nga ambientet e tyre. Edhe në disa komuna tjera të vendit gjendja është e rënduar nga vërshimet. /KosovaPress/

The post Malisheva shpall gjendje të jashtëzakonshme nga përmbytjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Malishevë shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkaku i vërshimeve

6 January 2026 at 14:13


Komuna e Malishevës ka njoftuar për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha institucionet arsimore, përfshirë edhe çerdhet për fëmijë.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, vendimi është marrë bazuar në parashikimet e Institutit Meteorologjik të Kosovës për përkeqësim të motit, si dhe në gjendjen e rënduar në terren në komunën e Malishevës, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve që kanë përfshirë pothuajse të gjitha vendbanimet.

“Ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më datën 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim të Komunës së Malishevës.

Po ashtu, nga kjo drejtori bëhet e ditur se institucionet arsimore do të mbahen të informuara në vazhdim për të gjitha rrjedhat e përgatitjeve për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.

“Ditët e humbura do të kompensohen gjatë muajve në vijim, kur të kemi mot të qëndrueshëm dhe të mirë”, thuhet më tej në njoftim.

Vendimi vlen për të gjitha shkollat dhe institucionet parashkollore në territorin e Komunës së Malishevës. /Telegrafi/


Disa zona të Malishevës dhe Rahovecit pa rrymë shkaku i vërshimeve

6 January 2026 at 11:59


KEDS ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV.

Sipas KEDS: “Uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.

Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës.

KEDS gjithashtu njofton se, për shkak të vërshimeve, gjendja mbetet jo stabile edhe në komunat e Malishevës dhe Rahovecit.

“Për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës”, bëhet e ditur në njoftim.

Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushtet e sigurta.

“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe do t’ju mbajmë të informuar me njoftime të tjera”, shtohet në komunikatë. /Telegrafi/


Vërshohet qyteti dhe disa fshatra, Komuna e Malishevës apelon qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme

6 January 2026 at 08:50


Komuna e Malishevës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë territorin e komunës.

Sipas njoftimit të Shtabit Emergjent për Menaxhimin e Situatave Emergjente, niveli i lumenjve dhe përroskave është rritur ndjeshëm, duke shkaktuar bllokim të disa rrugëve dhe vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në apelin e Shtabit Emergjent.

Nga Komuna e Malishevës bëhet e ditur se të gjitha ekipet emergjente janë angazhuar në terren dhe po punojnë me intensitet të lartë për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e rreziqeve të mundshme për qytetarët.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të raportojnë çdo situatë të rrezikshme tek shërbimet emergjente. /Telegrafi/


❌
❌