Një person është arrestuar të martën pasdite në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit në trup dhe në banesën e të dyshuarit mashkull kosovar, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar 534.6 gram substanca të dyshuara narkotike, të paketuara në qese plastike.
Po ashtu, nga i dyshuari është konfiskuar edhe një telefon celular.
I dyshuari është intervistuar në prani të organeve kompetente dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Një 21-vjeçar është arrestuar në Fushë Kosovë, i dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas policisë, rastet kanë ndodhur kryesisht në rajonin e Fushë Kosovës, ku nga tetë automjete të ndryshme janë vjedhur mjete pune dhe gjësende të tjera.
Gjatë bastisjes në vendbanimin e të dyshuarit, E.H., hetuesit policorë kanë gjetur dhe sekuestruar mjete pune dhe sende të vjedhura, të cilat më pas u janë kthyer pronarëve të tyre.
Personi i dyshuar, mashkull 21-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me këto raste po vazhdojnë.
Policia ka bërë të ditur se po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rasteve.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë Kosovë është pajisur me një autoambulancë të re, e cila është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së kapaciteteve për intervenim të shpejtë emergjent.
Nga Komuna e Fushë Kosovës bëhet e ditur se kjo autoambulancë paraqet një ndihmë të rëndësishme, duke pasur parasysh numrin e madh të banorëve dhe nevojat e shtuara për shërbime shëndetësore në komunë. Sipas njoftimit, pajisja e re do të ndikojë drejtpërdrejt në ofrimin më efikas dhe më cilësor të shërbimeve mjekësore për qytetarët.
“Duke marrë parasysh ngarkesën dhe kërkesat e vazhdueshme për shërbime emergjente, kjo autoambulancë është një ndihmë e mirëseardhur dhe e domosdoshme për QKMF-në dhe për qytetarët e Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e komunës.
Komuna e Fushë Kosovës ka shprehur falënderim ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se investime të tilla janë në funksion të drejtpërdrejtë të përmirësimit të shëndetit publik dhe shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/
Drejtoria e Infrastrukturës e Komunës së Fushë Kosovës ka realizuar inspektim në terren në kuadër të kontratës për projektin dyvjeçar “Rregullimi i Rrugës Dardania në Fushë Kosovë”.
Gjatë inspektimit, Autoriteti Kontraktues ka kryer hapje kontrolluese për të verifikuar pozicionin, nivelin dhe përputhshmërinë teknike të instalimeve nëntokësore, në përputhje me projektin ekzekutiv, paramasat dhe paralogaritë përkatëse.
Këto ndërhyrje janë pjesë e procedurave të rregullta të kontrollit teknik të punimeve në terren.
Nga komuna bëhet e ditur se, për shkak të kushteve sezonale dhe periudhës së festave, është paraparë nivelizimi i përkohshëm i sipërfaqes së punuar, me qëllim të sigurimit të qasjes funksionale për bizneset dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për vazhdimin e punimeve në fazat e ardhshme të projektit. /Telegrafi/
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se hapësira e parkingut brenda oborrit të objektit komunal tashmë është e lirë dhe e qasshme për të gjithë qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar, nga data 8 dhjetor 2025, parkingu i komunës do të jetë në shërbim të qytetarëve që vizitojnë institucionin për të marrë shërbime administrative. Vendimi është marrë me rekomandim të kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza.
Deri më tani, kjo hapësirë parkimi ka qenë e dedikuar ekskluzivisht për automjetet zyrtare dhe stafin administrativ të komunës.
Nga komuna bëhet e ditur se ky vendim ka për qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet komunale dhe përmirësimin e kushteve gjatë vizitave të tyre në institucion. /Telegrafi/
Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se sot do të zhvillojë takime publike në Obiliq, Fushë Kosovë dhe Prishtinë Dega 2.
“Kryetari i LDK-së dhe kandidati ynë për kryeministër, Lumir Abdixhiku, vjen për t’ju folur drejtpërdrejt për vizionin e tij për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe plot shpresë”, shkruan LDK.
"Në kuadër të këtyre takimeve, partia do të prezantojë programin qeverisës dhe kandidatët nga këto degë, të cilët sipas njoftimit janë “të njohur, të përkushtuar dhe të gatshëm të punojnë për qytetarët me ndershmëri dhe përgjegjësi”.
Partia fton qytetarët, familjarët, miqtë dhe aktivistët që të marrin pjesë në këto takime për të dëgjuar vizionin e LDK-së dhe për të dhënë mbështetjen e tyre për të ardhmen e Kosovës.
“Zgjidh shpresën! Le të jemi bashkë për Kosovën, për ndryshimin që e presim!”, përfundon postimi.
Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Fushë Kosovë, Ylber Kelmendi, ka reaguar për gjendjen e rënduar të Shtëpisë së Kulturës në këtë komunë, duke theksuar se objekti është lënë në harresë dhe pa mirëmbajtje për vite me radhë.
Në një postim në Facebook, Kelmendi ka bërë të ditur se shfaqja e fundit në këtë objekt është mbajtur para rreth 20 vitesh dhe se që nga ajo kohë kultura në Fushë Kosovë nuk ka pasur vëmendjen e duhur.
Sipas tij, objekti që dikur kishte jetë kulturore, sot ndodhet në gjendje të mjerueshme, me mungesë të plotë të mirëmbajtjes.
Ai ka njoftuar se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndërmarrë hapin e parë konkret, duke filluar me pastrimin e brendshëm të objektit, një proces që, sipas tij, nuk ka ndodhur prej dekadash. “Ky është vetëm fillimi”, ka theksuar Kelmendi.
Drejtori ka paralajmëruar se Shtëpia e Kulturës do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe se synimi është që ajo t’u rikthehet qytetarëve si hapësirë funksionale për artin dhe kulturën. Në fund, ai ka nënvizuar se Fushë Kosova meriton më shumë dhe se kultura duhet të trajtohet me dinjitet. /Telegrafi/
Pas hetimeve të policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin e dyshuar të dhunimit të një të mituri në Ferizaj, autoritetet kanë njoftuar se një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“Më 16.12.2025 pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.
Rasti ishte raportuar më 15.12.2025, kur Policia e Kosovës në stacionin policor të Fushë Kosovës ka pranuar informacion për një i mitur të dyshuar se ishte abuzuar seksualisht.
Viktima, i mitur ka treguar se përmes rrjetit social TikTok ishte njohur më parë me personin që dyshohet të ketë kryer veprën. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e Ferizajt.
Specialistët e Policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim për veprën penale “dhunimi”.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dje është bërë e ditur se çështja është në fazë preliminare dhe po shqyrtohen provat dhe informacionet, ndërsa procedurat i nënshtrohen rregullave të procedurës për të mitur, duke qenë se viktima është i mitur dhe informacione të tjera janë konfidenciale. /Telegrafi/
Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur ditë më parë në qytetin e Ferizajt, ku një i mitur nga Fushë Kosova, po dyshohet se është dhunuar nga një person të cilin e kishte njohur në rrjetet sociale.
I mituri raportohet se ka treguar se përmes rrjetit social TikTok ishte njohur me një person që nuk e njihte më herët.
Lidhur me rastin Telegrafi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët kanë njoftuar se janë në fazën e mbledhjes së provave.
“Prokurori i Shtetit ka pranuar një informacion të tillë në lidhje me këtë çështje. Aktualisht çështja në fjalë është në fazën preliminare të grumbullimit të informacioneve dhe provave tjera të cilat do të shërbejnë për vijimin e procedurës së mëtejshme hetimore”, ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala.
Ajo tutje ka shtuar se kjo çështje penale i takon procedurës për të mitur andaj kufizimi i informacioneve është konfidencial.
Ndryshe Policia e Kosovës ka njoftuar se më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri.
“Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt. Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka shtuar se me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij. /Telegrafi/
Policia e Kosovës raporton për dy raste të vdekjes në Fushë Kosovë e në fshatin Ratkoc të Rahovecit.
Sipas raportit 24 orësh bëhet e ditur se një grua është gjetur në shtëpinë e saj pa shenja jete, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar.
“Rr. Kadri Minushi, Fushë Kosovë 10.12.2025, 16:11. Është raportuar se në shtëpinë e saj është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”.
Ndërsa në rastin e dyta një grua është sjellë pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Gjakovës.
“Fsh. Ratkoc, Rahovec 10.12.2025, 10:30-11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është sjellë pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një e mitur ka raportuar se ishte abuzuar seksualisht nga një person.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 10:30, në Fushë Kosovë.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje.
“ Fushë Kosovë 10.12.2025-10:30. Viktima e mitur femër kosovare ka raportuar se ishte abuzuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Albana Gashi ka marrë zyrtarisht drejtimin e Drejtorisë së Shëndetësisë në komunën e Fushë Kosovës, nën mandatin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një njoftim për qytetarët, Gashi falënderoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e sapozgjedhur të komunës, Valon Prebreza, për besimin e dhënë, përcjellTelegrafi.
“Dua t’ju siguroj për angazhimin dhe përkushtimin tim në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe përmirësimin e kushteve të punës për gjithë personelin mjekësor. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë qytetari dhe ofrimi i shërbimeve sa më cilësore dhe efikase”, shkroi Gashi në profilin e saj në Facebook.
Drejtimi i Drejtorisë së Shëndetësisë vjen në një kohë kur përmirësimi i shërbimeve mjekësore dhe kujdesi për qytetarët janë prioritet i qeverisjes lokale, duke synuar standarde më të larta dhe efikasitet në sektorin shëndetësor. /Telegrafi/
Tre persona janë arrestuar të cilët pas një mosmarrëveshje dyshohet se ishin përleshur mes vete.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 16:20 në rrugën “Dardania”, në Fushë Kosovë.
Tutje bëhet e ditur se si pasojë e përleshjes viktima dhe dy të lënduarit kanë marrë lëndime trupore.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët pas një mosmarrëveshje dyshohet se ishin përleshur në mes vete. Si pasojë e përleshjes viktima dhe dy nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin tre të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Nëpër shumë qytete të Kosovës, situata për menaxhimin e mbeturinave po vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha.
Një lexues i Telegrafit ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e rënduar të mbeturinave në një zonë të Fushë Kosovës, e cila menaxhohet nga KRM “Pastrimi”.
Sipas tij, situata paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për nxënësit dhe banorët e lagjes.
Ankesa ka të bëjë me hapësirën afër shkollës fillore “Mihail Grameno”, në aneksin 1.
Sipas banorëve, mbeturinat grumbullohen në mënyrë të pakontrolluar, duke krijuar shqetësime të vazhdueshme higjienike dhe mjedisore.
“Shikoni ku na jetojnë fëmijët. Ne paguajmë çdo muaj për pastrim, por gjendja vetëm përkeqësohet. Jemi të brengosur mos po na sëmuren fëmijët”, na shkruan lexuesi, i cili kërkon nga institucionet përgjegjëse ndërhyrje të menjëhershme.
Banorët apelojnë që KRM “Pastrimi” dhe komuna të marrin masa urgjente për pastrimin e zonës dhe vendosjen e një sistemi të rregullt menaxhimi të mbeturinave, në mënyrë që të shmangen rreziqet për shëndetin publik dhe mjedisin. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, lidhur me akuzën për rastin e vrasjes së A.H., më 2023 në Fushë-Kosovë. Musliu u dënua me dënim unik prej 16 vjet e 8 muaj burgim, ndërkaq Bajrami me 11 vjet burgim.
Në këtë rast, Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami akuzoheshin se kanë privuar nga jeta A.H., me ç’rast ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Gent Beka dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Agim Kuçi, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie të arritur mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve.
Gjykatësi Beka tha se dy të akuzuarit shpallen fajtorë sipas marrëveshjes së arritur për pranim fajësie për veprën penale “Vrasje” dhe i akuzuari Musliu edhe për armëmbajtje pa leje.
I akuzuari Musliu për veprën penale “Vrasje” u dënua me 16 vjet burgim, ndërkaq për armëmbajtje pa leje me 10 muaj burgim. Ndaj tij, u shpall dënim unik me 16 vjet e 8 muaj burgim.
Kurse, i akuzuari Bajrami për veprën penale “Vrasje” u dënua me 11 vjet burgim.
Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar. Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.
Obligohet secili i akuzuar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë nga 200 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimt.
Meqenëse kemi dënim të rekomanduar, Gjykata u dha të drejtën e ankesës brenda afatit ligjor.
Të pranishëm në shpallje ishin dy të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Taulant Broqi dhe Fehmije Gashi-Bytyqi.
Paraprakisht, Gjykata në seancën dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, pas marrjes së mendimit të palëve, mori aktvendim me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami.
Ndryshe, më 5 shtator 2023 i akuzuari Musliu e kishte pranuar fajësinë, kurse i akuzuari Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm. Andaj, ndaj të akuzuarit Musliu ishte veçuar procedura, i cili ishte dënuar me 22 vite burgim, më 2 tetor 2023. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të 6 shkurtit 2024.
Ndërsa, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të 27 majit 2024 e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit për të akuzuarin Atdhe Musliu, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Në seancën e 20 qershorit 2024, ishte propozuar të bëhet bashkimi i procedurës penale ndaj dy të akuzuarve.
Andaj, më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka kishte njoftuar se në këtë çështje penale është bërë bashkimi i procedurës penale ndaj të pandehurit Atdhe Musliu, për të cilin ka qenë duke u vazhduar procedurë e veçantë. Kështu, ndaj dy të pandehurve Labinot Bajrami dhe Atdhe Musliu procedura vazhdon si një.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H., i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.
Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.
Me këtë, Musliu akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/
Një vrasje në tentativë ka ndodhur dje pasdite në Fushë Kosovë, ku një person është plagosur nga arma e zjarrit.
Policia përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje rreth këtij incidenti.
Sipas policisë derisa viktima mashkull ka qenë në semaforët për kyçje i dyshuari m/k për shkak që nuk i ka dhënë përparësi kalimi një i dyshuar mashkull ka dalur nga vetura e tipit Audi A 3 dhe duke e ofenduar verbalisht e ka shtënë me armë zjarri në tokë ku plumbi e ka goditur në këmbë.
I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa në vend ngjarje është gjetur dhe konfiskuar predha dhe gëzhoja.
Rasti në ndodhet në procedurë hetimore. /Telegrafi/
Një person është plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të shtune në Fushë-Kosovë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dardania”, ndërsa ende nuk dihet identiteti i personave të përfshirë në ngjarje. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar se policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje. “Aktualisht hetuesit policor kanë […]
Një person është plagosur nga arma e zjarrit pasditen e së shtunës në Fushë-Kosovë.
Rasti është regjistruar në rrugën “Dardania” më 29 nëntor 2025.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar për Telegrafin se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa deri tani nuk raportohet për të arrestuar në lidhje me incidentin.
“Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka deklaruar Ahmeti.
Policia po vazhdon mbledhjen e provave dhe punën hetimore për të sqaruar motivin dhe autorët e mundshëm të ngjarjes.
KRU “Prishtina” njofton konsumatorët se, për shkak të punimeve në rrjetin e ujësjellësit, nesër, më 25 nëntor 2025, do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në lagjet 028 dhe 029 në Fushë Kosovë.
Ndërprerja e furnizimit pritet të zgjasë nga ora 08:00 deri në ora 17:00.
KRU “Prishtina” kërkon mirëkuptimin e të gjithë konsumatorëve të prekur nga kjo ndërprerje e përkohshme dhe falënderon për bashkëpunimin. /Telegrafi/