Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se gjatë procedurave për dy konkurset publike të shpallura më 8 gusht 2025, janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore, çka ka sjellë vendimin për anulimin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat administrative.
Konkursi i parë, me Nr. 849, ishte shpallur për pozitat në sektorin shëndetësor dhe administrativ, duke përfshirë: mjekë të përgjithshëm (6 pozita), mjek stomatolog (1 pozicion), infermier/e (18 pozita), teknik/e stomatologjie (4 pozita), teknik/e laborant (4 pozita), teknik/e i farmacisë (1 pozicion), administrator i sistemit informativ shëndetësor (1 pozicion) dhe jurist/e (1 pozicion).
Konkursi i dytë, me Nr. 850, përfshinte pozitat e vozitësve (2 pozita), higjienistëve (3 pozita), mirëmbajtës/punëtor teknik (1 pozicion) dhe punëtor sigurimi (1 pozicion).
Komuna ka bërë të ditur se për çdo konkurs të ri eventual, qytetarët do të njoftohen me kohë përmes faqes zyrtare të internetit dhe rrjeteve sociale. /Telegrafi/
Në ambientet e Komunës së Fushë Kosovës, kryetari Valon Prebreza ka pritur sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Gjatë takimit, pas urimit për mandatin e kryetarit të komunës, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e një Qendre Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të re në këtë qytet.
Sipas njoftimit të komunës, vlera fillestare e këtaj projekti, i cili vlerësohet si tejet i domosdoshëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, është 2.5 milionë euro.
Nga Komuna e Fushë Kosovës bëhet e ditur se bashkëpunimi me institucionet qendrore do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synim realizimin e projekteve të tjera në interes të qytetarëve. /Telegrafi/
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Fushë-Kosovë ka votuar sot njëzëri dy kandidatët që do ta përfaqësojnë degën në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Zyrtarisht, Besnik Osmani dhe Majlinda Shaqiri do të jenë pjesë e garës për Kuvendin e Kosovës.
Në njoftimin e degës theksohen përvojat dhe kontributi i të dy kandidatëve. Për Besnik Osmanin, LDK Fushë-Kosovë thotë se është një figurë e njohur për publikun:
“Besnikun e njihni të gjithë, e keni dëgjuar, e keni parë, e keni ndjekur. Njeri i urtë, i dijshëm, profesionist dhe gjithmonë i gatshëm për t’i shërbyer vendit. Mjafton në Google emri i tij të kërkohet.”
Për Majlinda Shaqirin, nënvizohet profili i saj i gjerë profesional dhe kulturor:
“Majlinda, magjistër e Shkencave Filologjike, zyrtare e lartë në MAPL, gazetare dhe moderatore. Autore e disa librave poetikë dhe fituese e çmimeve letrare kombëtare e ndërkombëtare. E angazhuar në administratë publike, kulturë dhe letërsi. Grua dhe nënë e përkushtuar.”
Në fund, dega e LDK-së u ka uruar të dy kandidatëve suksese në procesin zgjedhor, duke shtuar: “Uroj shumë suksese në këtë rrugëtim, të cilin pak kohë më parë e kalova vetë. Dalshit faqebardhë!”
Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Bajram Curri” në Sllatinë e Madhe ka njoftuar prindërit dhe kujdestarët për vendimin e ri që ndalon ardhjen e nxënësve në shkollë me trotinetë elektrikë.
Sipas drejtorit të shkollës, Fidan Hasani, vendimi është marrë pas konsultimeve me Stacionin Policor në Fushë Kosovë, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në ambientet shkollore dhe për të parandaluar rreziqet apo lëndimet e mundshme gjatë rrugës për në shkollë ose në hapësirat përreth saj, përcjell Telegrafi.
Duke pasur parasysh ligjin në fuqi, përdorimi i trotinetëve elektrikë lejohet vetëm nga personat mbi 16 vjeç. Prandaj, shkolla kërkon bashkëpunimin e prindërve për të siguruar që fëmijët nën këtë moshë të mos përdorin trotinetët për të ardhur apo për të shkuar nga shkolla.
Në rast të konstatohet përdorimi i trotinetëve elektrikë nga nxënës të moshës nën 16 vjeç, rasti do të njoftohet organeve të rendit dhe mjeti do të konfiskohet sipas procedurave ligjore përkatëse.
Drejtori Hasani ka falënderuar prindërit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të rregullt për nxënësit. /Telegrafi/
Disa kryetarë të komunave që nuk arritën të fitonin në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë, u detyruan të përgatiteshin për balotazh, mirëpo edhe kësaj radhe u zhgënjyen.
Duke e ditur se gara do të jetë e ashpër në raundin e dytë, vendosën që të bënin koalicione lokale, në mënyrë që të dilnin triumfues, por që nuk ia dolën.
Rasti është në komuna si, Gjilani, Mitrovica, Fushë Kosova, Vushtrria, Juniku e Dragashi, raporton Telegrafi.
Në Anamoravë, LDK që drejtohej nga kandidati Arbër Ismajli, bashkoi forcat me PDK-në, për t’u përballur me Alban Hysenin e LVV-së, mirëpo nuk ia dolën.
Hyseni ia doli të fitonte sërish si kryetar i Gjilanit për të dytën herë radhazi, duke marrë 61,06 për qind apo 22,269 vota.
Ndërsa, Ismajli me këtë koalicion të madh, ia doli të merrte vetëm 14,203 vota apo përkthyer në përqindje 38,94.
Garë e ashpër ishte edhe në Mitrovicë, ku kandidati për kryetar Arian Tahiri nga radhët e PDK-së u bë bashkë me LDK-në, AAK-në dhe AKR-në, përballë Faton Pecit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mirëpo, Peci ia doli të bënte ballë këtij koalicion të gjerë, duke fituar plotë 17,837 vota apo 53,47 për qind, ndërsa Tahiri mori 46,53 për qind apo 15,522 vota.
Në Fushë Kosovë pas pas më shumë se dy dekadash, LDK e humbë bastionin e saj, por kësaj radhe në vend të Burim Berishës ishte Besnik Osmani.
Osmani u fut në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokaret dhe Partinë Liberale Egjiptiane.
Me gjithëkëtë nuk ia doli të triumfonte përballë Valon Prebrezës së LVV-së, që mori 10,583 vota apo 54,99 për qind, derisa Osmani me partitë në koalicion morën 8,664 vota apo 45,01 për qind.
Në Vushtrri koalicionet sollën edhe përplasje në nivelin qendror, pasi Xhafer Tahiri i LDK-së iu bashkua Sylejman Mehollit të Lëvizjes Vetëvendosje për të garuar kundër Ferit Idrizit të PDK-së.
Ndonëse Lumir Abdixhiku së bashku me kryesinë e LDK-së nuk e miratuan këtë koalicion, Tahiri vendosi të mbështeste Mehollin, por morën vetëm 45,73 për qind apo 12,158 vota.
Në anën tjetër, Idrizi i PDK-së mori mbi dy mijë vota më shumë, apo 14,427 sosh – përkthyer në përqindje 54,27, shkruan Telegrafi.
Në Junik, Agron Kuçi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mori mbështetjen e Jetmir Tofajt nga Lëvizja Vetëvendosje, për të garuar kundër Ruzhdi Shehut të LDK-së.
Por, Shehu si i vetëm ia doli të ngadhënjente me 55,92 për qind apo 1,426 vota, ndërsa koalicioni mori vetëm 44,08 për qind apo 1,124 vota.
Kandidati për kryetar të komunës së Fushë Kosovës nga LVV, Valon Prebreza ka shpallur fitoren pas përfundimit të procesit zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Në një postim në rrjete sociale, Prebreza ka falënderuar qytetarët për besimin, duke e cilësuar rezultatin si fitore të përbashkët.
“Faleminderit Fushë Kosovë! Kjo është fitore e përbashkët. E vullnetit, e besimit dhe e guximit për të ecë përpara. Sonte fitoi Fushë Kosova, dhe prej sonte fillon një kapitull i ri! Ju premtoj se do të jem kryetar i të gjithëve,” ka shkruar Prebreza.
Aktualisht sipas numërimit të 91.53% të votave, Prebeza ka 54,89% apo 9 mijë e 673 vota kurse Besnik Osmani i LDK-së ka marrë 45,11% apo 7 mijë e 950 vota.
Rezultatet zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të konfirmohen pas përfundimit të numërimit të votave në këtë komunë. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në komunën e Fushë Kosovës, dy persona janë ndaluar me vendim të Prokurorit të Shtetit për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, sipas nenit 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, gjatë hetimeve të kryera, është sekuestruar një telefon, i cili do të përdoret si provë në procedurën e mëtejshme hetimore.
Veprimet e deritanishme janë ndërmarrë në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë me të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të rastit.
Ky rast vjen në një periudhë kur institucionet ligjzbatuese po përqendrohen në parandalimin e çdo forme të ndërhyrjes në procesin zgjedhor, duke synuar sigurimin e një procesi demokratik dhe transparent për qytetarët. /Telegrafi/
Një qytetare 100-vjeçare nga Fushë Kosova nuk ka arritur të ushtrojë të drejtën e saj të votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas deklaratës së djalit të saj, asaj nuk iu lejua të votojë për shkak të mungesës së një asistenti që do ta ndihmonte gjatë procesit të votimit.
“Nëna është e lindur në vitin 1931, mirëpo është më vonë e regjistruar, i ka 100 vjet. Është e aftë, por nuk di të shkruaj. Një Alija që ishte në komision tha se nuk ka të drejtë të votojë pa e sjellë një asistent. Unë i thashë që do të votoj për nënën time, sepse askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë”, ka thënë djali i saj për RTV21. /Telegrafi/
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se për shkak të turbullirës së krijuar në kanalin e Ibër Lepencit, si pasojë e punimeve që po zhvillohen nga kompania “Ibër Lepenc”, aktualisht po përballet me vështirësi në Impiantin e Trajtimit të Ujit në Shkabaj, përcjell Telegrafi.
Si rezultat i kësaj situate, është çrregulluar furnizimi me ujë në disa zona të komunave Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, si dhe në disa pjesë të Prishtinës.
Nga KRU “Prishtina” bëjnë të ditur se ITU Shkabaj aktualisht nuk është duke trajtuar ujë, ndërsa impiantet në Albanik dhe Badoc po punojnë me kapacitete maksimale për të kompensuar mungesën.
Kompania ka njoftuar se qytetarët do të mbeten të informuar për zhvillimet e reja në lidhje me normalizimin e furnizimit me ujë. /Telegrafi/
Me kërkesë të prokurorit të rastit Armend Hamiti, është anuluar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit Nika po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë.
Anulimi i seancës u konfirmua nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Gazmend Bahtiri, ku u tha se prokurori Hamiti kërkoi anulimin e seancës për arsye personale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në Fushë Kosovë kanë intensifikuar aktivitetet dhe marrëveshjet politike në prag të balotazhit që do të mbahet më 9 nëntor.
Kandidati i LVV-së për kryetar të komunës, Valon Prebreza, doli i pari në raundin e parë të zgjedhjeve me 45.15 për qind të votave, përkatësisht 9,733 vota. Pas tij renditet kandidati i LDK-së, Besnik Osmani, me 36.66 për qind ose 7,902 vota, raporton Telegrafi.
Meqë asnjëri nuk arriti shumicën e nevojshme për të fituar në raundin e parë, Prebreza dhe Osmani tashmë po përgatiten për një garë të ngushtë në balotazh, që pritet të përcaktojë fituesin e komunës.
Përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se LDK ka arritur marrëveshje për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Është arritur koalicioni i madh për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, që i thotë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit. Në këtë frymë bashkëpunimi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, për Fushë-Kosovën tonë”, ka shkruar Osmani.
Kjo marrëveshje vjen pavarësisht deklaratës së mëparshme të kandidatit të PDK-së, Rrahim Tërnava, i cili kishte thënë se partia e tij nuk do të hynte në asnjë koalicion. Megjithatë, marrëveshja u zyrtarizua gjatë natës së 26 tetorit.
Përveç PDK-së, LDK ka nënshkruar koalicion edhe me Nismën Socialdemokrate dhe Partinë Liberale Egjiptiane, duke e zgjeruar bazën e mbështetjes për balotazh.
Në anën tjetër, ndonëse pritej që LVV, e udhëhequr nga Prebreza, të bashkohej me partitë opozitare për ta sfiduar LDK-në – e cila e ka udhëhequr komunën për më shumë se dy dekada – kjo gjë nuk ndodhi plotësisht, përcjell Telegrafi.
Vetëvendosje ka siguruar mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me të cilën koalicioni u zyrtarizua vetëm disa ditë pas përfundimit të raundit të parë.
Me këto pozicionime të reja politike, Fushë Kosova pritet të jetë arenë e një gare të ngushtë dhe të ashpër më 9 nëntor, me dy kandidatët kryesorë që sipas rezultateve të 12 tetorit janë pothuajse “kokë më kokë”.
Rezultatet e balotazhit do të përcaktojnë se kush do të marrë drejtimin e kësaj komune strategjike në mandatin e ardhshëm. /Telegrafi/
Marrëveshja mes LDK-së dhe PDK-së në Fushë Kosovës
Marrëveshja mes LDK-së dhe PDK-së në Fushë Kosovës
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka njoftuar për arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se të dyja partitë kanë hartuar së bashku planin qeverisës për mandatin e ardhshëm.
“Në këtë frymë bashkëpunimi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, për Fushë-Kosovën tonë,” ka shkruar Osmani.
Ai ka shtuar se degët e dy partive kanë punuar ditëve të fundit në harmonizimin e objektivave dhe në përgatitjen e planit të përbashkët qeverisës.
“Gjatë këtyre ditëve, dy degët tona kanë punuar së bashku në hartimin e planit qeverisës dhe, në koordinim të plotë edhe me qendrën, kemi nënshkruar marrëveshjen për qeverisjen gjithëpërfshirëse për mandatin e ardhshëm qeverisës,” ka theksuar ai.
Sipas Osmanit, marrëveshja me PDK-në është shprehje e përgjegjësisë politike dhe e vullnetit të përbashkët për ta çuar Fushë Kosovën përpara me një qeverisje moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
Ka përfunduar numerimi i votave të rregullta për zgjedhjet e kryetarit të komunës së Fushë Kosovës.
Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), qyteti do të shkojë në balotazh mes kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kandidati i LVV-së, Valon Prebreza, prin me 45,14% të votave ose 9,529 vota, ndërsa pas tij renditet Besnik Osmani nga LDK me 36,62% (7,730 vota).
Procesi i votimit në Zgjedhjet Lokale 2025 po zhvillohet përgjithësisht normalisht, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Megjithatë, në disa komuna janë raportuar incidente të vogla, si raste të fotografimit të fletëvotimeve.
Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, pjesëmarrja në votime deri në orën 13:00 mbetet e ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Në kryeqytet, deri në këtë orë kanë votuar 18.58% e qytetarëve, që përkthehet në 41,304 votues nga 222,326 të regjistruar, raporton Telegrafi.
Në Fushë Kosovë, pjesëmarrja është 18.12%, apo 9,254 votues nga gjithsej 51,075 me të drejtë vote, ndërsa në Lipjan përqindja është 18.73% (12,425 votues nga 66,348).
Në Obiliq, dalja është pak më e lartë – 20.93%, që përfaqëson 5,482 qytetarë nga 26,188 të regjistruar.
Komuna e Drenasit vazhdon të ketë një pjesëmarrje më të ulët, me 17.84% ose 10,227 votues nga 57,342 që kanë të drejtë vote.
Në Podujevë, deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 17.12% e qytetarëve (14,841 nga 86,668), ndërsa pjesëmarrjen më të lartë në rajonin e Prishtinës e mban Graçanica, me 23.82%, që përfaqëson 6,029 votues nga 25,311 të regjistruar. /Telegrafi/
Komuna e Fushë Kosovës ka përfunduar edhe një projekt tjetër të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë. Qendra e re e Mjekësisë Familjare, e ndërtuar në rrugën “Tahir Zemaj”, tashmë është gati të vihet në shërbim të qytetarëve.
Me një investim prej 550,000 euro dhe një sipërfaqe prej 1,120 metrash katrorë, objekti modern ofron kushte bashkëkohore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore afër banorëve të kësaj zone, përcjell Telegrafi.
Qendra pritet të fillojë punën që nga java e ardhshme, duke lehtësuar qasjen e qytetarëve në kujdesin parësor shëndetësor.
Sipas njoftimit të komunës, objekti është pajisur me infrastrukturë moderne dhe staf të përkushtuar mjekësor, që do të garantojë shërbime cilësore, të sigurta dhe efikase për të gjithë pacientët.
Ky projekt vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve në sektorin e shëndetësisë lokale dhe përmbushjes së nevojave të komunitetit për kujdes më të afërt e më të standardizuar. /Telegrafi/
Sot (7 tetor), me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u bë përurimi i rrjetit të ri të ujësjellësit në fshatrat Lismir, Bardh i Madh, Grabovc dhe Sllatinë, projekt që do të përfitojë mbi 10,000 banorë të zonës.
Në ceremoni morën pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, udhëheqësi për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza, si dhe kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, përfaqësues të institucioneve të tjera dhe një numër i madh banorësh, përcjell Telegrafi.
Konsumatorët e këtyre fshatrave do të furnizohen me ujë nga liqeni i Ujmanit përmes ITU Shkabaj. Aktualisht, furnizimi me ujë të pijshëm është siguruar për fshatrat Bardh i Madh, Lismir dhe Grabovc, ndërsa shumë shpejt do të përfshihen edhe Bardhi i Vogël dhe Pomozoti.
Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Ambientit dhe Mjedisit, përmes fondeve të investuara në ndërtimin e sistemit të pompave dhe rezervuarit në Lismir, duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë për banorët e zonës.
KRU “Prishtina” ka theksuar përkushtimin e saj për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe partnerët donatorë. /Telegrafi/
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka vazhduar takimet me bizneset lokale në kuadër të fushatës së tij zgjedhore.
Gjatë vizitave “derë më derë”, Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së bizneseve vendore që, sipas tij, po punojnë me përkushtim dhe përgjegjësi çdo ditë.
Ai ka vlerësuar se tregu i Fushë Kosovës po bëhet gjithnjë e më konkurrues, falë bizneseve që ofrojnë produkte dhe shërbime të larmishme – nga pajisjet sportive ndërkombëtare e deri te shërbimet profesionale të dekorit dhe pastërtisë.
“Pa ekonomi të fortë, nuk ka komunë të zhvilluar”, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se zhvillimi ekonomik do të jetë një nga prioritetet e tij kryesore.
Fushë Kosova, ka përfunduar ai, meriton të ecë “përtej” në zhvillim dhe modernizim, përmes mbështetjes konkrete të sektorit privat dhe krijimit të kushteve të favorshme për bizneset lokale.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar sot një takim me gratë e një prej lagjeve të qytetit, ku u diskutua për sfidat dhe nevojat që prekin drejtpërdrejt gratë e komunitetit.
Osmani theksoi se në programin e tij qeverisës, barazia gjinore dhe fuqizimi i grave zënë vend qendror, duke përfshirë masa për rritjen e punësimit, mbështetjen ekonomike dhe përfshirjen më të madhe të grave në vendimmarrje.
“Sot mbajtëm një takim të ngrohtë dhe frytdhënës me gratë e Fushë-Kosovës. Diskutuam hapur për sfidat dhe nevojat që i prekin ato — nga punësimi e mbështetja ekonomike, deri te roli i tyre në vendimmarrje. Zëri i grave duhet të dëgjohet dhe të ketë ndikim në zhvillimin e Fushë-Kosovës që duam,” ka shkruar Osmani.
Ai ka shtuar se vizioni i tij dhe i LDK-së është për një Fushë-Kosovë “përtej dallimeve”, që krijon mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
“Fushë Kosova PËRTEJ! 113 është numri,” ka përfunduar kandidati i LDK-së.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, zhvilloi sonte një takim elektoral të veçantë me gratë dhe vajzat e komunës, në ditën e parë të Muajit Rozë – muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.
Gjatë takimit, Osmani prezantoi me krenari 13 kandidatët femra të LDK-së, të cilat po japin maksimumin përmes profesionalizmit, integritetit dhe pasionit të tyre, me synimin e fitores më 12 tetor.
Në këtë atmosferë, u prezantua edhe programi qeverisës i LDK-së për familjen dhe gruan, një vizion që synon të garantojë mbështetje më të madhe, siguri dhe mundësi të barabarta për të gjitha qytetaret e komunës.
“Ky bashkim i fuqisë së gruas dhe përkushtimit politik është garanci për ndryshimin që na pret,” tha Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të grave në vendimmarrje dhe zhvillim lokal.
Kandidati për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka vizituar pazarin e qytetit, duke e cilësuar atë si një vend ku bashkohen prodhuesit vendorë me produkte të freskëta dhe cilësore, por edhe tregtarët e gjësendeve të vjetra që ruajnë traditën e qytetit.
Osmani theksoi se pazari nuk është vetëm hapësirë për tregti, por edhe vend ku qytetarët bëjnë pazare, ndajnë buzëqeshje dhe takohen me dashamirësi.
Ai premtoi se shumë shpejt tregu do të marrë një pamje më të rregulluar, me tezga të përshtatshme dhe nyje sanitare moderne.
“Ky treg do të shndërrohet në një hapësirë të rehatshme, dinjitoze dhe mikpritëse për të gjithë qytetarët e Fushë Kosovës”, tha Osmani gjatë vizitës së tij.