Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Komuna e Podujevës paralajmëron masa për operatorët që nuk rinovojnë lejet

6 January 2026 at 12:12


Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Komunën e Podujevës ka njoftuar të gjithë operatorët që ofrojnë shërbime transporti të udhëtarëve se është hapur procedura për vazhdimin e lejes së punës për vitin 2026.

Sipas njoftimit, “Operatorët që ushtrojnë veprimtarinë e transportit në linjat urbano-periferik në vendbanimet rurale, si dhe operatorët e Auto Taxi dhe Radio Taxi, janë të obliguar të aplikojnë për rinovimin e lejes së punës deri më 26 janar 2026.”

Dokumentacioni mund të merret dhe dorëzohet në Zyrën për Qytetarë të Komunës, ndërsa Drejtoria paralajmëron: “Operatorët që nuk pajisen me vazhdimin e lejes së punës brenda afatit do të përballen me masa ndëshkuese dhe parandaluese sipas legjislacionit në fuqi.”

Për informacion të detajuar mbi kushtet dhe mënyrën e aplikimit, operatorët mund të konsultojnë vegëzat e bashkangjitura:

  • Autobus dhe Minibus – linjat për vendbanimet rurale (2026): [link]
  • Auto Taxi dhe Radio Taxi (2026): [link]
/Telegrafi/


Komuna e Podujevës njofton për orarin e punës gjatë festave të Vitit të Ri 2026

31 December 2025 at 11:24


Komuna e Podujevës ka njoftuar qytetarët mbi orarin e punës gjatë festave të fundvitit, bazuar në Ligjin Nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për Orarin e Punës për Bizneset që Operojnë në Komunë.

Sipas njoftimit, për nëpunësit e administratës ditët e pushimit zyrtar do të jenë 1 dhe 2 janar 2026.

Përsa i përket bizneseve, më 1 janar 2026 nuk do të punojnë veprimtaritë, përjashtuar:

  • Bizneset e hotelerisë dhe gastronomisë,
  • Internet kafe, videolojëra dhe aktivitete të ngjashme,
  • Pompat e derivateve,
  • Furrat e bukës,
  • Barnatoret sipas kujdestarisë në zonat I, II dhe III. /Telegrafi/


100 familje në nevojë përfitojnë pako ushqimore dhe higjienike në Podujevë

31 December 2025 at 08:29


Njëqind familje me kushte të vështira ekonomike janë mbështetur me pako ushqimore dhe higjienike, në kuadër të një aksioni humanitar të realizuar në prag të festave të fundvitit nga Komuna e Podujevës.

Ndihma është siguruar nga një donator anonim, ndërsa shpërndarja është organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila ka përgatitur listën e familjeve përfituese bazuar në kriteret sociale.

Drejtoresha e kësaj drejtorie, Lirie Hoti, e pranishme gjatë shpërndarjes së ndihmave, ka falënderuar donatorin për kontributin e dhënë, duke theksuar se mbështetja për familjet në nevojë ka rëndësi të veçantë, sidomos në këtë periudhë festive.

Ajo theksoi se institucionet komunale do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me donatorë dhe organizata të ndryshme për të ndihmuar qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike.


Bulliqi raporton para qytetarëve projektet dhe shpenzimet e vitit 2025 në Podujevë

26 December 2025 at 15:36


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zhvilloi një takim me qytetarë, ku prezantoi raportin e punës së Ekzekutivit për vitin 2025 dhe projektet që janë duke u realizuar.

Në fjalën e tij, Bulliqi theksoi se buxheti i vitit 2025, në vlerë prej 33,459,115 euro, është shpenzuar mbi 99 për qind. Ai prezantoi projektet kryesore që po vazhdojnë të realizohen, përfshirë ndërtimin e Pishinës Gjysmëolimpike në vlerë rreth 4 milionë euro, Qendrën Rezidenciale për të moshuar (2.5 milionë euro), Qendrën Multifunksionale (1 milion euro), Tregun e Gjelbër (1 milion euro), Kuzhinën Qendrore (700,000 euro) dhe ndërtimin e shkollave “Nuhi Gashi” në Bradash dhe “Jetullah Gashi” në Dobërdol, si dhe dy salla sportive.

“Te Drejtoria e Urbanizmit janë asfaltuar dhjetëra rrugë në qytet e fshatra dhe dhjetëra të tjera janë në proces. Përfshirë edhe rrugët e parapara në memorandumin me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bëhet fjalë për 50 km asfalt në vlerë mbi 9 milionë euro”, tha kryetari Bulliqi.

Ai gjithashtu përmendi projektet në sektorët e Shërbimeve Publike, përfshirë kolektorin e ujërave të zeza, ndërtimin e urave, ndriçimin publik dhe rrugët me kubëza. Në kulturë, u përmend ndërtimi i aneksit dhe rinovimi i Teatrit “Avdush Hasani” si dhe ndërtimi i terreneve sportive. Në shëndetësi, investimet përfshinë blerjen e pajisjeve, furnizimin me barna dhe subvencionimin e 991 qytetarëve me sëmundje kronike, si dhe mbështetjen e OJQ-ve si Hendikosi, Autizmi dhe OFAP.

Në bujqësi, komuna ka dhënë subvencione për fermerë, furnizim me fidanë mjedrash dhe feferonash, ndërsa janë në proces dhënia e 162 mëshqerrave. Në arsim, u theksua ndërtimi i çerdheve, përmirësimi i katër shkollave me masa efiçiente në vlerë 698,728.80 euro, furnizimi me kabinete informatike dhe për shkencat natyrore, si dhe bursa për studentë. Zhvillimi ekonomik përfshin mbështetjen e bizneseve ekzistuese dhe startup-eve dhe rregullimin e hapësirave publike në fshatrat Kerpimeh, Sfeçël, Llapashticë dhe Dumnicë.

Pas prezantimit të raportit, kryetari Bulliqi hapi diskutimin me qytetarët, të cilët parashtruan kërkesat e tyre dhe morën përgjigje direkte nga kryetari.

“Ky takim është një mundësi për të diskutuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe për të ndarë rezultatet e punës së Ekzekutivit në mënyrë transparente”, tha Bulliqi. /Telegrafi/


Komuna e Podujevës ndalon përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit

22 December 2025 at 11:36


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka lëshuar një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike dhe eksplozive në sheshe, rrugë, tregje dhe hapësira të tjera publike në të gjithë territorin e komunës.

Sipas urdhëresës, ndalesa hyn në fuqi nga data 22 dhjetor 2025 dhe do të vlejë deri më 3 janar 2026.

Personat që nuk respektojnë këtë vendim do të përballen me gjoba sipas rregullativës ligjore në fuqi.

Zbatimi i urdhëresës do të monitorohet nga Drejtoria e Inspekcionit, ndërsa qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat për të parandaluar aksidentet gjatë festave të fundvitit. /Telegrafi/


Komuna e Podujevës hap thirrje për shfrytëzimin e shtëpizave të drurit gjatë “Ditëve të Fundvitit 2025”

16 December 2025 at 16:03


Komuna e Podujevës ka shpallur thirrje publike për aplikim, duke ftuar bizneset dhe organizatat joqeveritare lokale që të aplikojnë për shfrytëzimin e pesë shtëpizave të drurit në kuadër të aktivitetit tradicional “Ditët e Fundvitit 2025”.

Sipas njoftimit, aktiviteti do të mbahet nga 22 dhjetor 2025 deri më 16 janar 2026, në sheshet “Ali Ajeti” dhe “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Nga gjithsej pesë shtëpizat, dy janë të dedikuara për veprimtari gastronomike, ndërsa tri të tjera për biznese dhe OJQ që merren me prodhim dhe përpunim të produkteve bujqësore, artizanate dhe produkte të ngjashme.

Të drejtë aplikimi kanë vetëm bizneset dhe organizatat joqeveritare lokale të regjistruara, të cilat plotësojnë kriteret e përcaktuara nga komuna.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është nga 16 deri më 18 dhjetor 2025, çdo ditë nga ora 08:00 deri në 16:00. Aplikimet, së bashku me dokumentacionin e kërkuar, duhet të dorëzohen fizikisht në zyrën pritëse të Komunës së Podujevës.

Nga Komuna e Podujevës bëhet thirrje që subjektet e interesuara të aplikojnë me kohë, duke theksuar se kjo iniciativë synon të promovojë prodhuesit lokalë, gastronominë vendore dhe krijimin e një atmosfere festive për qytetarët gjatë festave të fundvitit. /Telegrafi/


Komuna e Podujevës publikon listën përfundimtare të përfituesve në projektin “Ngritja dhe Zhvillimi i Bizneseve”

10 December 2025 at 14:31


Komuna e Podujevës ka bërë publike listën përfundimtare të 29 përfituesve të projektit “Ngritja dhe Zhvillimi i Bizneseve”, i cili zbatohet nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik.

Përfituesit janë përzgjedhur pas vlerësimit të aplikimeve, me qëllim të fuqizimit të bizneseve lokale dhe rritjes së kapaciteteve të tyre prodhuese.

Lista përfshin biznese dhe individë nga Podujeva dhe fshatrat përreth, të cilët do të pajisen me makineri profesionale dhe pajisje të ndryshme, varësisht nga nevojat e tyre operacionale. Ndër pajisjet e ndara janë makina qepëse industriale, mikserë për brumë, makineri për shtypjen e nxehët, pajisje për industrinë ushqimore, frigoriferë profesionalë, si dhe ngritës për autoservis.

Përfituesja me më së shumti pikë është Filloreta Maçani Lalloshi nga Podujeva, e cila ka siguruar 92 pikë dhe ka fituar një makinë qepëse industriale overlluk. Përfitues të tjerë janë biznese të vogla familjare, punishte artizanale, prodhues lokalë dhe ofrues të shërbimeve teknike.

Pajisjet e akorduara synojnë t’i ndihmojnë bizneset e vogla dhe të mesme që të rrisin prodhimin, cilësinë e shërbimeve dhe të krijojnë kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik në komunë.

Komuna e Podujevës ka njoftuar se projekti është pjesë e planit të mbështetjes së ndërmarrësisë lokale dhe do të vazhdojë me thirrje të reja edhe në vitet e ardhshme. /Telegrafi/


GGK: Kosova po shpyllëzohet - komunat më të prekura janë Prishtina, Gjakova, Peja dhe Podujeva

2 December 2025 at 08:09


Grupi i Kosovës për Sisteme Gjeografike të Informacionit (GGK – GIS Group of Kosovo) ka publikuar të dhënat më të fundit lidhur me ndryshimet në sipërfaqet pyjore në Kosovë për periudhën 2000–2023, bazuar në analizat e Hansen Global Forest Change.

Sipas raportit, vendi ka pësuar humbje të konsiderueshme të pyjeve në dy dekadat e fundit. Të dhënat tregojnë se nga viti 2001 deri në vitin 2023, në Kosovë janë humbur 152 kilometra katrorë pyje, ndërsa në të njëjtën periudhë janë regjistruar vetëm 56 kilometra katrorë sipërfaqe të re pyjore, përcjell Telegrafi.

GGK bën të ditur se komunat më të prekura nga shpyllezimi janë Prishtina, Gjakova, Peja dhe Podujeva, zona ku ndikimi në biodiversitet, në ekosistemet pyjore dhe në klimën lokale është më i theksuar.

Në njoftim theksohet se këto të dhëna ngrenë alarmin për nevojën urgjente të projekteve për ri-pyllëzimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, si një parakusht për mbrojtjen e natyrës dhe alancave klimatike në vend.

GGK apelon për më shumë angazhim institucional dhe shoqëror në ruajtjen e pasurisë pyjore, duke e cilësuar atë si një ndër resurset më të rëndësishme natyrore të Kosovës. /Telegrafi/


Reshjet e natës rrisin nivelin e lumenjve në Podujevë, ekipet emergjente në gatishmëri

18 November 2025 at 15:10


Pas reshjeve të dendura të shiut që kanë nisur që nga mesnata, në Komunën e Podujevës është shënuar rritje e nivelit të ujit të lumenjve dhe përroskave.

Megjithatë, autoritetet lokale njoftojnë se situata aktualisht paraqitet stabile dhe pa rrezik të menjëhershëm, përcjell Telegrafi.

Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se po e monitoron gjendjen në terren në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa ekipet emergjente dhe ato të mirëmbajtjes janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në rast të paraqitjes së ndonjë problemi.

Qytetarët janë njoftuar që për çdo rast urgjence të kontaktojnë numrat zyrtarë të shërbimeve emergjente: Policia: 192, Zjarrfikësit: 193, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Shpëtimit: 044 238 221.

Komuna apelon për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat pranë rrjedhave ujore. /Telegrafi/


Nënshkruhet memorandum për projektin “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim” në Podujevë

12 November 2025 at 15:47


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe përfaqësuesja e Iniciativës “Education Empowerment Initiative” (EEI), Blerta Aliu, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për zbatimin e projektit “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim”.

Ky projekt ka për qëllim forcimin e edukimit medial, sigurisë digjitale dhe mendimit kritik tek mësimdhënësit dhe nxënësit, si dhe promovimin e një qasjeje bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin arsimor, përcjell Telegrafi.

Me këtë marrëveshje, Komuna e Podujevës dhe EEI synojnë të ndihmojnë mësimdhënësit dhe nxënësit që të zhvillojnë aftësi për t’u orientuar me përgjegjësi në hapësirën digjitale dhe për të njohur e parandaluar dezinformimin.

Kryetari Shpejtim Bulliqi theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke e cilësuar si një domosdoshmëri në kohën e përdorimit masiv të teknologjisë dhe përhapjes së informacionit të rremë në platforma të ndryshme online.

Sipas marrëveshjes, ekspertët nordikë do të zhvillojnë një program “Training of Trainers” për ekipin lokal të EEI-së, me qëllim që ata të jenë të përgatitur për trajnimin e mësimdhënësve në shkollat e Podujevës.

Pas përfundimit të programit, trajnerët e certifikuar do të organizojnë sesione trajnimi me 30 deri në 40 mësimdhënës në shkollat e përzgjedhura, me fokus në: edukimin medial dhe analizën kritike të burimeve të informacionit, sigurinë digjitale dhe sjelljen e përgjegjshme në internet, parandalimin e dezinformimit dhe përmbajtjeve të dëmshme online.

Kohëzgjatja e këtij memorandumi është 18 muaj. /Telegrafi/


Në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë do të shfaqet komedia “3 yje dhe 3 karrige”

11 November 2025 at 16:44


Në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë, sonte në orën 19:00 do të jepet repriza e komedisë “3 yje dhe 3 karrige”, e autorit Valentin Krasnogorov.

Shfaqja, e cila premton mbrëmje plot humor e emocione, është në regji të Skënder Podvoricës, ndërsa në role paraqiten aktorët e njohur: Ryva Kajtazi, Muhamet Zeka, Besart Zeneli, Kumrie Hoxha, Gani Morina, Valire Haxhijaj – Zeneli dhe Sindi Çitaku.

Teatri “Avdush Hasani” fton publikun llapjan të shijojë këtë komedi të suksesshme që po rikthehet në skenë pas interesimit të madh të publikut. /Telegrafi/


Komuna e Podujevës hap thirrjen publike për projektin “Furnizimi dhe montimi i serrave”

7 November 2025 at 15:54


Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës ka hapur ftesën publike për aplikim në projektin “Furnizimi dhe montimi i serrave”, që synon mbështetjen e fermerëve lokalë dhe rritjen e prodhimtarisë bujqësore.

Sipas njoftimit zyrtar, përmes këtij projekti do të përfitojnë gjithsej 149 fermerë, të ndarë sipas kapaciteteve të serrave: 134 përfitues me serra prej 50 m², 10 përfitues me serra prej 500 m², 5 përfitues me serra prej 1000 m².

Fermerët përfitues do të kontribuojnë me 30 për qind të vlerës së projektit, ndërsa Komuna e Podujevës do të mbulojë 70 për qind të kostos, në cilësinë e subvencionuesit.

Dokumentet e nevojshme për aplikim përfshijnë: kopjen e letërnjoftimit, certifikatën familjare, vërtetimin e tatimit në pronë, certifikatën mbi pronësinë e tokës, certifikatën e regjistrimit të fermerit (NIF) dhe raportin e pagesave direkte/subvencioneve 2025 për aplikuesit e serrave mbi 500 m².

Kushtet e përgjithshme kërkojnë që aplikuesi të jetë i regjistruar si fermer para datës së publikimit, të ketë mundësi të mjaftueshme për ujitje dhe përshtatshmëri të vendit për realizimin e projektit.

Ndërsa kushtet e veçanta parashohin që aplikuesit të jenë kultivues të perimeve dhe të posedojnë sipërfaqe të caktuara toke bujqësore, varësisht nga madhësia e serrës për të cilën aplikojnë.

Përparësi në përzgjedhje do të kenë aplikuesit që nuk kanë përfituar projekte të ngjashme në tre vitet e fundit, ata me arsim profesional në bujqësi, gratë fermere si dhe familjet me më shumë anëtarë.

Aplikimet dorëzohen në Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve deri më 27 nëntor 2025, ora 16:00.

Ky projekt, i cili realizohet në bashkëpunim me fermerët përfitues, pritet të kontribuojë në zhvillimin ekonomik rural dhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese në Komunën e Podujevës. /Telegrafi/


Në Podujevë hapet fushata vetëdijesuese kundër trafikimit me njerëz

30 October 2025 at 16:22


Në kuadër të aktiviteteve për parandalimin e trafikimit me njerëz, sot në Komunën e Podujevës është mbajtur një takim vetëdijesues, i organizuar nga Njësiti për të Drejtat e Njeriut.

Takimin e hapi udhëheqësi i njësitit, Ahmet Ahmeti, i cili theksoi rëndësinë e informimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve për parandalimin e kësaj dukurie shqetësuese. Ai prezantoi gjithashtu aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtij muaji në kuadër të fushatës.



Në takim morën pjesë zyrtarë komunalë nga sektorë të ndryshëm, si dhe përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, të cilët diskutuan për bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta në luftimin e trafikimit me njerëz.

Fushata zhvillohet nën mesazhin “Trafikimi prek të gjithë! Ta mbrojmë veten dhe fëmijët tanë!” dhe me slloganin “Mos hesht!”, duke synuar ngritjen e ndërgjegjësimit publik për këtë problem dhe inkurajimin e raportimit të rasteve të dyshuara. /Telegrafi/

Komuna e Podujevës ndalon gjuetinë gjatë sezonit 2025–2026

27 October 2025 at 13:19


Komuna e Podujevës njofton qytetarët se, bazuar në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, gjatë sezonit të gjuetisë 2025–2026 nuk lejohet zhvillimi i aktiviteteve të gjuetisë në territorin e komunës.

Ky vendim është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ka për qëllim mbrojtjen e faunës së egër dhe ruajtjen e biodiversitetit në zonën e Podujevës, përcjell Telegrafi.



Komuna fton të gjithë qytetarët, shoqatat e gjuetarëve dhe menaxherët e vendgjuetive që të respektojnë këtë vendim dhe të kontribuojnë në ruajtjen e natyrës dhe mjedisit të shëndetshëm.

“Çdo aktivitet i gjuetisë i zhvilluar në kundërshtim me këtë vendim do të konsiderohet i paligjshëm dhe do të sanksionohet sipas ligjit në fuqi”, bëjnë të ditur nga Komuna e Podujevës.

Qytetarët këshillohen të informohen dhe të veprojnë në përputhje me rregullat për të shmangur shkeljet ligjore. /Telegrafi/

Punime emergjente në transformatorin energjetik në Podujevë, ndërprerje e përkohshme e energjisë

24 October 2025 at 10:47


KOSTT ka njoftuar se po zhvillon punime emergjente në transformatorin energjetik TR-1 në Nënstacionin 220/35/10 kV në Podujevë, me qëllim përmirësimin e nivelit të izolimit të kabllove 35 kV në hyrje të trafofushës.

Sipas njoftimit, gjatë intervalit kohor nga ora 11:00 deri në 12:00, do të bëhet shkyçja e përkohshme e transformatorit, gjë që do të ndikojë në furnizimin me energji elektrike për disa nënstacione të zonës, përcjell Telegrafi.



Pa furnizim do të mbesin konsumatorët dhe institucionet që furnizohen nga NS 35/10 kV Koliqi, NS 35/10 kV Ujësjellësi dhe NS 35/10 kV Batllava.

Nga KOSTT kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e prekur, duke theksuar se punimet kanë karakter emergjent dhe janë të domosdoshme për stabilizimin dhe sigurinë e sistemit energjetik në zonë. /Telegrafi/

Dalje e ulët në rajonin e Prishtinës deri në orën 13:00 - pjesëmarrja nën 20%

12 October 2025 at 14:55


Procesi i votimit në Zgjedhjet Lokale 2025 po zhvillohet përgjithësisht normalisht, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Megjithatë, në disa komuna janë raportuar incidente të vogla, si raste të fotografimit të fletëvotimeve.

Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, pjesëmarrja në votime deri në orën 13:00 mbetet e ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Në kryeqytet, deri në këtë orë kanë votuar 18.58% e qytetarëve, që përkthehet në 41,304 votues nga 222,326 të regjistruar, raporton Telegrafi.

Në Fushë Kosovë, pjesëmarrja është 18.12%, apo 9,254 votues nga gjithsej 51,075 me të drejtë vote, ndërsa në Lipjan përqindja është 18.73% (12,425 votues nga 66,348).

Në Obiliq, dalja është pak më e lartë – 20.93%, që përfaqëson 5,482 qytetarë nga 26,188 të regjistruar.

Komuna e Drenasit vazhdon të ketë një pjesëmarrje më të ulët, me 17.84% ose 10,227 votues nga 57,342 që kanë të drejtë vote.

Në Podujevë, deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 17.12% e qytetarëve (14,841 nga 86,668), ndërsa pjesëmarrjen më të lartë në rajonin e Prishtinës e mban Graçanica, me 23.82%, që përfaqëson 6,029 votues nga 25,311 të regjistruar. /Telegrafi/

Në Podujevë fillon ndërtimi i dy anekseve të reja shkollore

8 October 2025 at 16:40


Në Podujevë ka nisur ndërtimi i dy anekseve të reja shkollore, që do të shtojnë ndjeshëm kapacitetet për nxënësit e qytetit. Gurthemeli për ndërtimin e aneksit të Shkollës “Ibrahim Rugova” dhe “Enver Maloku” u vendos sot në dy ceremoni të ndara, ku morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, drejtori për Arsim, Avni Fetahu, stafi pedagogjik, nxënës dhe prindër, përcjell Telegrafi.

Kryetari Bulliqi tha se ky është një investim i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit në komunë, duke theksuar se qëllimi kryesor është krijimi i kushteve për mësim gjithëditor dhe cilësi më të lartë në procesin edukativo-arsimor.



“Me këto projekte po zgjerojmë kapacitetet shkollore dhe po përmirësojmë cilësinë në arsim, sepse besojmë se investimi më i vlefshëm që mund të bëjmë është ai në arsim dhe në fëmijët tanë", tha Bulliqi.

Sipas njoftimit nga Komuna, vlera e përgjithshme e investimit është rreth 1.2 milionë euro, dhe financohet plotësisht nga buxheti komunal.

Ndërkohë, javën e kaluar ka filluar ndërtimi edhe i aneksit të Shkollës “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë të Epërme, duke e bërë këtë periudhë ndër më intensive për investime në infrastrukturën arsimore në Podujevë. /Telegrafi/

Kryetari Bulliqi priti Shoqatën e Peshkatarëve “Llapi”, fituese të Kampionatit të Kosovës

7 October 2025 at 18:18


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë “Llapi”, të cilët së fundmi kanë fituar Kampionatin e Kosovës në disiplinën e Krapit – Krapiada 2025.

Në takim morën pjesë kryetari i shoqatës, Mirsim Topanica, si dhe anëtarët Labinot Babatinca, Argjent Abiti dhe Shpend Lahu, të cilët përfaqësuan me sukses komunën e Podujevës në këtë garë kombëtare, përcjell Telegrafi.



Kryetari Bulliqi i përgëzoi peshkatarët për arritjen e tyre, duke theksuar se ky sukses është rezultat i përkushtimit, bashkëpunimit dhe pasionit për sportin e peshkimit, si dhe një dëshmi e potencialit që ka Llapi në aktivitete sportive dhe rekreative.

Ai uroi që shoqata të vazhdojë me suksese edhe në garat e ardhshme, duke promovuar sportin dhe turizmin rekreativ në komunën e Podujevës. /Telegrafi/

Aksion vullnetar i dhurimit të gjakut në Podujevë, kryetari Bulliqi falënderon qytetarët

7 October 2025 at 17:18


Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë organizuan një aksion vullnetar për dhurim gjaku, i cili u zhvillua në ambientet e Urgjencës së re të qytetit.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte përmbushja e nevojave të pacientëve dhe sigurimi i gjakut për trajtimin e rasteve emergjente në spitalet e Kosovës, përcjell Telegrafi.



Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi qytetarët për përgjigjen e tyre të shpejtë dhe pjesëmarrjen aktive në këtë iniciativë humanitare.

“Ky është një shembull i mirë i humanizmit të qytetarëve. Dhurimi i gjakut nga ata që gëzojnë shëndet të mirë mund t’ua shpëtojë jetën atyre që janë duke u trajtuar në spitalet e Kosovës”, tha Bulliqi.

Aksioni u prit me interesim të madh nga qytetarët, duke reflektuar vullnetin e komunitetit për të kontribuar në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të tjerëve. /Telegrafi/

Poliklinikës Specialistike në Podujevë i shtohen 15 shërbime specialistike

22 September 2025 at 12:50


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se nga dita e nesërme qytetarëve të komunës do t’u ofrohen 15 shërbime shëndetësore të reja në Poliklinikën Specialistike. Ky lajm vjen pas përurimit të Repartit të Hemodializës në këtë poliklinikë.

Nga dita e martë, në Poliklinikë do të fillojnë punën 15 mjekë specialistë në fushat e mëposhtme: gjinekologji, reumatologji, kardiologji, endokrinologji, hematologji, gastroenterologji, nefrologji, pulmologji, ortopedi, kirurgji abdominale, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare, kirurgji, urologji, pediatri dhe neurologji, transmeton Telegrafi.

Shërbimet do të ofrohen çdo ditë pune (nga e hëna në të premten) në katër ambulanca specialistike, prej orës 08:00 deri në 14:00. Programi i ditëve për secilën specializim është si më poshtë:



  • E hënë: kardiologji, hematologji, pulmologji dhe ortopedi
  • E martë: reumatologji, gastroenterologji, kirurgji abdominale dhe pediatri
  • E mërkurë: endokrinologji, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare dhe neurologji
  • E enjte: kardiologji, nefrologji, urologji dhe pediatri
  • E premte: gjinekologji, endokrinologji, ortopedi dhe neurologji

Kryetari Bulliqi falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar për ndihmën dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti që synon rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Podujevës. /Telegrafi/

❌
❌