Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 February 2026Main stream

Kreditë e këqija në nivelin më të ulët historiK

10 February 2026 at 11:36

Nga Gazeta ‘SI’ – Në fund të vitit 2025, stoku i kredive të këqija preku nivelin më të ulët historik, 3.8%, duke reflektuar një përmirësim të dukshëm të shëndetit financiar të sistemit bankar.

Normat relativisht të ulëta të interesit kanë kontribuar në uljen e kredive me probleme, ndërsa Banka e Shqipërisë raporton një përmirësim të aftësisë paguese të huamarrësve, si për individët ashtu edhe për bizneset. Ky zhvillim tregon se presionet mbi bilancet familjare dhe ato të kompanive janë zbutur krahasuar me vitet e mëparshme.

Gjatë vitit, Banka e Shqipërisë fshiu nga bilancet bankare një vlerë të konsiderueshme kredish me probleme, përmes proceseve të ristrukturimit dhe pastrimit të portofolit, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e stokut total të këtij treguesi.

Nga ana tjetër, bankat kanë shtrënguar kriteret e kreditimit, veçanërisht për kreditë për blerjen e banesave. Ky segment ka qenë prej kohësh në fokus të Bankës Qendrore, e cila vendosi kufizime në financim, duke përcaktuar që vlera maksimale e kredisë të mos tejkalojë 80% të çmimit të pronës. Masa synon të kufizojë rrezikun e mbinxehjes së tregut të pasurive të paluajtshme dhe të ruajë stabilitetin financiar në afat të gjatë.

The post Kreditë e këqija në nivelin më të ulët historiK appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Studimi/ Paratë e pista në Shqipëri kanë fryrë çmimet e pronave me 30%

6 February 2026 at 12:45

Nga Gazeta ‘SI’ – Sektori i ndërtimit në Shqipëri, përveç se shihet si motori kryesor i ekonomisë së vendit, është kthyer edhe në “lavatriçen” e preferuar të parave të pista.

Një raport i Fondacionit Friedrich Ebert (FES) për vitin 2025 zbulon se çmimet e pronave në vend, janë fryrë me 20–30% mbi vlerat reale, për shkak të injektimit të fondeve të pista. Vetëm në tre vitet e fundit, sektori ka përthithur mbi 1.6 miliardë euro të dyshimta dhe ka deformuar tregun imobiliar duke krijuar një iluzion rritjeje ekonomike që nuk reflekton realitetin dhe duke lënë jashtë tregut të blerjes familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.

Një analizë nga Global Initiative against Transnational Organized Crime (GI-TOC) sqaron se për këtë proces, përdoren huatë bankare dhe hipotekore, ku kreditë shlyhen herët përmes depozitave të vogla për të fshehur origjinën e parave. Vetëm trafiku i drogës llogaritet të fusë deri në 500 milionë euro në vit në këto struktura. Parashikimet e GI-TOC sugjerojnë se në dy vitet e ardhshme, rreth 2 miliardë euro të tjera mund të kanalizohen drejt ndërtimit, duke shtyrë çmimet e pronave deri në 35% mbi vlerat reale.

Transformimi i pastrimit të parave është gjithashtu drejt digjitalizimit. Kriptovalutat dhe teknologjitë fintech pritet të jenë të përfshira në 40–50% të rasteve, ndërsa mashtrimet online nga call center-at mund të evoluojnë në skema të drejtuara nga inteligjenca artificiale, duke gjeneruar mbi 100 milionë euro në vit (Europol, 2026).

Studime të tjera, përfshirë raportin e ALTAX, theksojnë se sofistikimi i pastrimit të parave në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Teknologjitë e reja, pjesëmarrja e profesionistëve ligjorë dhe sektoret e luksit kanë krijuar mundësi të reja për formalizimin e fondeve të dyshimta.

Pse ndërtimi?

Ndërtimi mbetet sektori më i favorizuar, falë flukseve të mëdha financiare, vlerave të larta të transaksioneve dhe mungesës së transparencës.

Një problem shtesë është zinxhiri i paqartë i aktorëve. Kompanitë ndërtuese, zhvilluesit dhe nënkontraktorët formojnë një rrjet kompleks, ku gjurmimi i fondeve bëhet pothuajse i pamundur.

Një tjetër element kritik është zinxhiri i paqartë i aktorëve, ku gjurmimi financiar humbet mes kompanive ndërtuese, zhvilluesve dhe nënkontraktorëve. Sektori imobiliar funksionon përmes një rrjeti kompleks subjektesh, që e bën të vështirë identifikimin e përgjegjësive.

Rol të rëndësishëm luajnë edhe profesionet e licencuara, si noterët, avokatët dhe zhvilluesit, të cilët, përmes mungesës së vigjilencës ose përfshirjes aktive, formalizojnë transaksione pa verifikim real të origjinës së fondeve.

Në këtë kontekst, sipas të dhënave të World Economics (2025), ekonomia informale në Shqipëri arrin 27.9% të GDP-së, ose rreth 18.9 miliardë dollarë në terma PPP, duke e renditur vendin ndër më problematikët në Europë për nivelin e informalitetit.

The post Studimi/ Paratë e pista në Shqipëri kanë fryrë çmimet e pronave me 30% appeared first on Gazeta Si.

“Livadhet 3”, arrestohet 19-vjeçari/ Në banesë iu gjetën para të falsifikuara, municion luftarak e lëndë djegëse

6 February 2026 at 09:41

Finalizohet operacioni i koduar “Livadhet 3”. Gjatë operacionit është arrestuar 19-vjeçari Ornaldo  Çerenishta.

Shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale; 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025.

Ndërkohë vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Përmbaruesit shitën skrapin e shtetit 1.2 mln euro, për borxhet private të Bankers Petroleum

5 February 2026 at 15:25

Në 13 dhjetor të vitit 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier urdhëroi kompaninë Bankers Petroleum që t’i paguante rreth 600 mijë dollarë paga, ish drejtorit të saj Leonidha Çobo për largimin e tij nga puna.

Me vendimin e gjykatës në dorë dhe urdhrin përkatës të ekzekutimit, zoti Çobo kontraktoi një zyrë përmbarimore për të mbledhur borxhin nga Bankers. Zyra e quajtur Private Enforcement Group tentoi të gjejë para të Bankers në bankat shqiptare, por pa sukses.

Kompania kineze që shfrytëzon naftën shqiptare prej vitesh nuk ka asnjë llogari aktive në Shqipëri, me qëllim që të mos i ekzekutojnë dot borxhet e shumta që ka akumuluar ndaj kreditorëve privat, por edhe detyrimet ndaj shtetit. Për pagesat e domosdoshme që duhet të kryente brenda vendit, Bankers së bashku me bankën Raifeisen kishin nritur një skemë kriminale, përmes një overdrafti, që sipas ligjit nuk mund të ekzekutohej nga kreditorët.

Të gjendur para këtij fakti, përmbaruesit gjetën një metodë tjetër për të marrë paratë e klientit të tyre; bllokuan skrapin në fushën e Patos Marinzës. Por kishte një problem. Skrapi nuk ishte i Bankers, pasi sipas marrëveshjes koncesionare çdo aset në fushë është pronë e shtetit.

Vjedhje e pasurisë publike me forcë
Pasi përmbaruesit bllokuan skrapin e shtetit për ta shitur me qëllim që të merrnin paratë, që Bankers duhet t’i paguante ish drejtorit të saj, dikush lajmëroi institucionet. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore nisi një shkresë zyrtare në drejtim të Bankers Petroleum dhe zyrës së përmbarimit, ku i parlajmëronte se skrapi ishte pronë e shtetit dhe të drejtat e pronësisë së shtetit shqiptar nuk mund të cënoheshin për të shlyer borxhet e kompanisë.

Ekskluzive/ Vjedhje 1.2 mln euro, përmbaruesit shitën skrapin e

Shkresa e AKBN

“Në nenin 11.1.1 të Marrëveshjes Hidrokarbure parashikohet se asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat janë krijuar në këtë liçencë marrëveshje dhe marrëveshje hidrokarbure, bëhen pronë e AKBN pas përfundimit të marrëveshjes hidrokarbure, mbylljes së saj, ose në momentin e mbulimit të tyre si kosto hidrokarbure,” shkruhet në shkresën që AKBN i nisi Bankersit dhe zyrës së përmbarimit.

Ekskluzive/ Vjedhje 1.2 mln euro, përmbaruesit shitën skrapin e

Në fund të shkresës AKBN e paralajmëron edhe më shprehimisht përmbaruesin që të mos ekzekutojë detyrimet e Bankers ndaj klientit të tij duke shitur skrapin, që është pasuri e shtetit.

“Pjesa e aseteve që i është dhënë në përdorim kompanisë Bankers Petroleum është pronë e shtetit shqiptar dhe si e tillë nuk mund t’i nënshtrohet procedurave përmbarimore me qëllim shlyerjen e detyrimeve, që kjo kompani u ka kreditorëve të saj” thuhet në shkresën e AKBN.

Shkresa që AKBN i nisi kompanisë kineze dhe përmbaruesit mban datën 7 prill të vitit të kaluar. Por përmbaruesit nuk e vunë ujin në zjarr hiç edhe pse u paralajmëruan zyrtarisht se po shisnin pasurinë e shtetit për të mbledhur borxhet e një kompanie private.

Dy javë pasi u paralajmëruar nga AKB, përmbaruesi zhvilloi ankandin për shitjen e skrapit. Vetë ankandi është një histori tjetër e madhe vjedhje.

Vjedhje me bekimin e drejtuesve të Bankers
Ndonëse u paralajmërua zyrtarisht nga AKBN të mos e shiste skrapin, përmbaruesi i kontraktuar nga Leonidha Çobo e shpalli ankandin. Në përfundim të tij, skrapi iu shit kompanisë Shkëlqimi 07, kompanisë në pronësi të ish kryetarit të bashkisë së Ballshit, Shkëlqim Kapllanaj. Dhe skrapi i shtetit u shit për një copë bukë.

Ekskluzive/ Vjedhje 1.2 mln euro, përmbaruesit shitën skrapin e

Shkëlqimi 07 e bleu skrapin me një çmim sa gjysma e çmimit të këtij produkti në treg. Vlera totale e skrapit që mori kjo kompani ishte 1.2 milionë euro. Por ajo i pagoi përmbaruesit vetëm 600 mijë euro, aq sa borxhi që Bankers duhet t’i paguante Leonidha Çobos.

Dy burime të mirëinformuara për çështjen dhe të pavarura nga njëri tjetri i thanë Kapitalit se shitja e skrapit me atë çmim u bë me bekimin e drejtuesve të kompanisë. Fundja Bankers ishte më e fituara nga kjo vjedhje. Pagoi borxhet e veta duke shitur pasurinë e shtetit.

Dhe kjo është vetëm një nga rastet e pafundme se si shqiptarët janë vjedhur brutalisht në Patos-Marinzë. Edhe pse në këta rast, vjedhja ka qenë haptazi dhe duke e ulur në gjunjë shtetin dhe ligjin./Kapitali.al

The post Përmbaruesit shitën skrapin e shtetit 1.2 mln euro, për borxhet private të Bankers Petroleum appeared first on Gazeta Si.

Një Call Center do të bëhet bankë në Shqipëri

5 February 2026 at 14:32

Nga Gazeta ‘SI’ – Në fund të vitit 2025, në Bankën e Shqipërisë mbërriti një aplikim i pazakontë dhe bordi duhet të mendohet mirë. Shoqëria JET Bank ka kërkuar që të licencohet si banka e parë digjitale në Shqipëri por në hapësirën publike ka shumë pak informacion mbi aktivitetin, strukturën apo historikun e saj.

Teksa procesi i miratimit final është ende në zhvillim, në media nisën të publikohen informacione që ngritën pikëpyetje mbi profilin dhe aktivitetin e aksionerëve të bankës së re digjitale, të cilët mesa duket nuk u gjendën rastësisht në Shqipëri.

Jet Bank apo Banka Jet është tashmë pronë e Jet Holdings BV, me seli në Amsterdam dhe ka gjashtë shoqëri aksionare (pas shitjes së aksioneve nga pronari fillestar Idan Avishai), raportuar nga revista “Monitor”. Pesë nga këto janë me seli në Izrael, përveç Constador LTD, e cila është e regjistruar në Qipro dhe mban pjesën më të madhe të aksioneve, 71.5%.

Louis Grant Silver, drejtor i Constador LTD, aksioneri kryesor i bankës së parë digjitale në Shqipëri, rezulton se ka një karrierë të suksesshme në investimet në valutë të huaj, njohur si Forex. Ai shërben ende si drejtues aktiv në Fortrade Limited, që operon në këtë aktivitet.

Ortaku i tij, Oliver Hemmer, rezulton dhe drejtues i Fortrade Cyprus, filiali qipriot i Fortrade.

Idan Avishai, ish-pronari i Jet Bank (në regjistrin tregtar ai rezulton ende pronar përfitues), del po ashtu i lidhur me Fortrade dhe me eksperiencë të gjatë në këtë aktivitet.

Një platformë mashtrimi

Lidhja jorastësore me Shqipërinë është se Fortrade, është njëra nga kompanitë që ka operuar ilegalisht në Shqipëri, në fushën e Forex apo siç njihet gjerësisht, skema mashtrimi nëpërmjet Call Center. Pak vite më parë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, u detyrua të bënte një njoftim zyrtar, duke theksuar se ka aktivitet të palicencuar. Atëkohë, AMF njoftonte qytetarët të ishin të kujdesshëm për një skemë të mundshme mashtrimi, pasi çdo transaksion me këtë shoqëri ishte i paligjshëm!

Përdorues të platformës raportojnë humbje të konsiderueshme: një investitore ka pretenduar se Fortrade i bllokoi 20.000 dollarë fitim, duke i lejuar të tërhiqte vetëm një pjesë të vogël nëpërmjet kanaleve jobankare, ndërsa pjesa tjetër nuk iu kthye kurrë. Të tjerë raportuan humbje prej 13.000 dollarësh ose 2.000 euro, duke ndjekur udhëzimet e kompanisë për investime të supozuara fitimprurëse. Një përdorues tjetër tha se nuk mund të aksesonte llogarinë e tij, por pagonte vazhdimisht tarifat e platformës pa përfituar shërbim.

Roli i Oliver Hemmer shtrihet edhe në një tjetër skandal të madh në tregun Forex, platformën 4XFX, e cila operonte me baza në Europën Lindore dhe Afrikën Lindore. Hetimet treguan se fondet e investitorëve përfundonin në një bankë në Rumani nën kontrollin e Hemmerit, duke e bërë këtë një nga skemat mashtruese më të mëdha që ka prekur Europën, Kanadanë dhe Australinë.

Nga tregu spekulativ te sistemi bankar

Ndërsa është e qartë se pronarët e bankës JET janë ekspertë të investimeve në bursë, nuk është e qartë eksperienca e tyre në sektorin bankar.

JET ka marrë miratimin paraprak dhe pret të licencohet përfundimisht, por vetëm pasi të përmbushë kushtet, njësoj si bankat tradicionale. Dy nga këto kushte janë kredibiliteti dhe reputacioni; të panjohura për JET përshkak të mungesës së aktivitetit dhe krijimit vetëm pak muaj para se të aplikonte në Shqipëri për një licencë.

Pamje nga mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku u dha miratimi paraprak për JET Bank, 3 dhjetor 2025

Pronarët e JET, jo domosdoshmërisht kanë shkelur ligjin duke punuar në FOREX, por ky aktivitet është nga natyra spekulativ dhe i rrezikshëm, që i hap rrugën dhe skemave abuzive e mashtruese për fitime të qëndrueshme. Thënë kjo, ka një shqetësim real që të njëjtët njerëz që kanë spekuluar (dhe mashtruar) të marrin në dorë kredi e depozita të qytetarëve, qoftë për çështje profesionalizmi apo çështje imazhi.

Nga ana tjetër, një bankë digjitale vjen me një risk të madh operacional. Varësia totale ndaj teknologjisë e ekspozon këtë bankë ndaj sulmeve kibernetike. Pastrimi i parave po ashtu duket një rrezik i mundshëm, duke qenë se kontakti dhe verifikimi fizik mungojnë, apo brishtësia e sistemeve digjitale që mund ta lehtësojë kalimin e parave të pista në sistem. Për këtë arsye, procesi i licencimit nuk është thjesht një procedurë teknike, por një vendim që prek drejtpërdrejt besimin në sistemin bankar dhe sigurinë e kursimeve të qytetarëve.

The post Një Call Center do të bëhet bankë në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Apokalipsi i ardhshëm i kriptomonedhave

5 February 2026 at 12:31

Para një viti, presidenti me pro-kripto në historinë e SHBA-së, sapo u rikthye në pushtet. Ardhja e dytë e Donald Trump u pa si një agim i ri për kriptomonedhat, me shumë evangjelistë që parashikonin se Bitcoin do bëhej “ari digjital” dhe se do vlerësohej 200 mijë dollarë në fund të vitit.

Siç premtoi, Trump, bëri shumë për kriptot dhe rregullimin e tyre. Ai nënshkroi dhe aktin që rregullonte stablecoins (GENIUS), kriptomonedhat e mbështetura në valutë, loboi për miratimin e aktit të tregtimit të kriptove në një mjedis ligjor të rregulluar (CLARITY), përfitoi personalisht nga marrëveshjet e kriptove dhe reklamoi një kriptomonedhë-meme të vetes së tij.

Kriptot duhet të përfitonin nga risqet makro dhe gjeopolitike, si rritja e borxheve apo deficiteve, zhvlerësimit të dollarit, lufta tregtare dhe tensioni në rritje midis SHBA-së, Kinës, Iranit etj. Por këto ndihmuan arin të rritej jo kriptot.

Ari digjital ra me 6% gjatë 2025-s dhe deri ëm tani ka rënë 35% nga piku i tetorit, kur Trump u zgjodh president.

Sa herë që ari ka pësuar rritje të fortë si reagim ndaj trazirave tregtare ose gjeopolitike gjatë vitit të kaluar, Bitcoin ka rënë ndjeshëm. Ai është larg të qenit një mburojë; përkundrazi, është një mënyrë për të  shfrytëzuar rrezikun, duke treguar një korrelacion të fortë me asete të tjera me rrezik, si aksionet spekulative.

Të quash Bitcoin ose çdo mjet tjetër kripto si “monedhë” ka qenë gjithmonë e kotë. Ai nuk është as njësi llogarie, as mjet i shkallëzueshëm pagese, as ruajtës i qëndrueshëm l i vlerës. Edhe pse El Salvador e bëri Bitcoin ligjërisht monedhë, ai përbën më pak se 5% të transaksioneve për mallra dhe shërbime. Kripto nuk është as një aset, pasi nuk ka rrjedhë të të ardhurave, funksion apo përdorim industrial ose në botën reale (ndryshe nga ari dhe argjendi).

17 vjet pas lançimit të Bitcoin, i vetmi opsion më i pranueshëm në kripto është stablecoin: një version digjital i parave tradicionale, të cilat industria financiare dhe bankare i ka digjitalizuar dekada më parë. Por mbetet për t’u parë, nëse paratë digjitale dhe shërbimet financiare duhet të jenë mbi blockchain apo në platforma tradicionale. Por 95% e parave dhe shërbimeve digjitale të quajtura “blockchain” janë blockchain vetëm në emër. Ato janë private, jo publike; qendrore, jo të decentralizuara; me leje, jo pa leje; dhe të verifikuara nga një grup i vogël autentifikuesish të besuar (si në financat dhe bankat digjitale tradicionale) dhe jo nga agjentë të decentralizuar në juridiksione pa sundim ligji.

Financa e vërtetë e decentralizuar kurrë nuk do të arrijë në shkallë të madhe. Asnjë qeveri serioze,  madje as administrata Trump nuk do të lejojë anonimitet të plotë të transaksioneve monetare dhe financiare, sepse kjo do të ishte një avantazh për kriminelë, terroristë, shtete të pakonsoliduara, aktorë jo-shtetërorë, trafikantë njerëzish, hajdutë dhe shmangës të taksave.

Për më tepër, portofolet digjitale dhe bursat e rregulluara duhet të ndjekin rregullat standarde kundër pastrimit të parave dhe “njofto klientin tënd” (AML/KYC). Kjo do të thotë se nuk është e qartë nëse transaksionet në blockchain-e private dhe me leje janë më të lira se në sistemet tradicionale, sidomos tani që sistemet bankare klasike ofrojnë pagesa në kohë reale dhe mjete më të shpejta për qartësim. Pra, e ardhmja e parasë dhe e pagesave nuk pritet të jetë një revolucion dramatik siç premtonin adhuruesit e kriptove, por një evolucion gradual i sistemit financiar. Rënia e fundit e Bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera tregon edhe njëherë sa e paqëndrueshme është kjo klasë pseudo-asetesh.

Sa i përket GENIUS Act, ky ligj krijoi terrenin për një eksperiment tjetër të rrezikshëm të “bankës së lirë”, si ai që përfundoi keq në shekullin XIX, dhe mund të quhet me ironi Reckless Idiot Act (Ligji i Idiotëve të Papërgjegjshëm). Sipas këtij ligji, stablecoin-et nuk rregullohen si banka të ngushta (që merren vetëm me depozita dhe pagesa), që do të thotë se depozitat dhe pagesat nuk ndahen nga kreditimi dhe investimet më të rrezikshme, dhe as nuk kanë qasje në lender-of-last-resort ose sigurimin e depozitave që ofrojnë bankat qendrore.

Në praktikë, gjithçka që do të duhej për të shkaktuar një panik financiar dhe një bank run është që disa individë të papërgjegjshëm në shtete pseudo-libertariane të SHBA-ve të keqinvestojnë fondet e tyre ose t’i vendosin depozitat në institucione të dobëta, si Silicon Valley Bank. Ashtu si në shekullin XIX, qasja aktuale e SHBA-ve, për shkak të lakmisë dhe paaftësisë së Trump, dhe ndikimit të industrisë kripto të korruptuar, është receta për paqëndrueshmëri financiare dhe ekonomike.

Lufta e fundit midis bankave reale dhe industrisë kripto mbi CLARITY Act është një shembull tjetër që tregon se Trump nuk kupton bazat e financës dhe të parasë. Çështja nuk është se bankat duan të ruajnë pothuajse monopolin e tyre mbi transaksionet. Në një sistem bankar me rezervë fraksionale, bankat bëjnë dy gjëra: menaxhojnë pagesa dhe krijojnë kredi, duke kthyer depozitat afatshkurtra në kredi afatgjata. Kjo do të thotë se ato ofrojnë një shërbim semi-publik shumë të vlefshëm.

Depozitat afatshkurtra nuk paguajnë interes, sepse janë pothuajse ekuivalente me para të gatshme. Megjithatë, industria kripto po kërkon që stablecoin-et të paguajnë interes – drejtpërdrejt ose indirekt përmes bursave – gjë që do të minonte themelet e sistemit bankar që ne marrim të mirëqenë.

Kështu, kemi dy mundësi: ose ndryshojmë rrënjësisht sistemin financiar, duke ndarë pagesat nga krijimi i kredive (përmes bankave të ngushta për pagesat dhe institucioneve financiare për kreditë), ose ndalojmë stablecoin-et të paguajnë interes dhe të ndërhyjnë tek bankat.

Kjo është një çështje politike dhe e stabilitetit financiar, dhe pak njerëz e marrin seriozisht. Jamie Dimon, kryetar dhe CEO i JPMorgan Chase, po ngre alarmin për këto ndryshime që kërkon industria kripto, ndërsa Brian Armstrong i Coinbase është krejtësisht i gabuar kur i minimizon këto shqetësime. Nëse Trump ka këshilltarë që nuk janë të korruptuar nga paratë e kriptos, shpresohet që ata t’i shpjegojnë se si funksionon sistemi bankar para se interesat personale të shkatërrojnë themelet e tij. Sekretar i Thesarit, Scott Bessent, po dëgjon?/Project Syndicate

The post Apokalipsi i ardhshëm i kriptomonedhave appeared first on Gazeta Si.

Në dhjetor fluksi i parave në Shqipëri, rekord historik. Shtohet cash-i

5 February 2026 at 10:25

Nga Gazeta ‘SI’ – Në fund të vitit 2025, paraja jashtë sistemit bankar arriti një nivel rekord. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në muajin dhjetor, 483 miliardë lekë ndodheshin jashtë sistemit, me një rritje prej 16 miliardë lekësh krahasuar me nëntorin, ose 3.4% më shumë në terma mujorë.

Që nga fillimi i vitit, paraja cash në qarkullim është shtuar me rreth 60 miliardë lekë, ose afërsisht 15%, duke reflektuar një zgjerim të ndjeshëm të përdorimit të parasë jashtë bankave.

Me hyrjen e vitit 2026, qeveria miratoi një paketë masash kufizuese ndaj përdorimit të parasë cash, në kuadër të nismës që synon reduktimin gradual të saj. Prej 1 janarit, individët nuk lejohen të kryejnë blerje me vlerë mbi 500 mijë lekë në para në dorë, ndërsa bizneset ndalohen të kryejnë transaksione cash mbi 100 mijë lekë me subjekte të tjera.

Një tjetër element kyç i kuadrit të ri ligjor është detyrimi për pajisjen me terminale POS për të gjitha bizneset, veçanërisht ato të sektorëve të shërbimit, akomodimit, transportit dhe tregtisë, me qëllim lehtësimin e pagesave elektronike. Bizneset në këta sektorë kanë afat deri më 31 maj 2026, ndërsa për subjektet e tjera afati përfundon më 31 dhjetor 2026.

Paralelisht, edhe treguesit e tjerë monetarë sinjalizojnë një rritje të likuiditetit në ekonomi, si brenda ashtu edhe jashtë sistemit bankar. Agregati M3, i njohur si paraja e gjerë, u rrit në 1.97 trilionë lekë në dhjetor, nga 1.92 trilionë lekë që ishte një muaj më parë.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në dhjetor 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese, së bashku me llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa përfshirë qeverinë) u shtua me rreth 37 miliardë lekë krahasuar me nëntorin, duke arritur në 967.7 miliardë lekë.

Ndërkohë, agregati M2, që përfshin paratë jashtë korporatave depozituese dhe depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, u rrit me 36 miliardë lekë brenda një muaji, duke arritur vlerën e 1.194 trilionë lekëve.

Rritja e parasë në qarkullim në fund të vitit duket se lidhet me një kombinim faktorësh, përfshirë sezonalitetin e shpenzimeve të festave të fundvitit, si edhe një reagim paraprak të individëve dhe bizneseve ndaj masave kufizuese për përdorimin e parasë cash, të cilat qeveria kishte paralajmëruar që në muajt e mëparshëm. Po ashtu, përqendrimi i shpenzimeve kapitali të qeverisë në muajin e fundit të vitit, ndikon drejtëpërdrejtë në fluksin e parasë në vend.

The post Në dhjetor fluksi i parave në Shqipëri, rekord historik. Shtohet cash-i appeared first on Gazeta Si.

Banka e Shqipërisë detyron bankat të tregojnë kursin e këmbimit në tërheqjet nga ATM apo pagesat me kartë

4 February 2026 at 11:43

Nga Gazeta ‘SI’- Banka e Shqipërisë ka hedhur për konsultim disa ndryshime rregullatore për kursin e këmbimit në rastet e tërheqjeve të parave nga bankomati apo pagesat me kartë POS.

Banka qendrore i detyron bankat tregtare që të shprehin në përqindje (mark-up), diferencën mes kursit të këmbimit të aplikuar nga operatorët dhe kursit zyrtar më të fundit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Ky informacion duhet t’i bëhet i ditur klientit përpara se të iniciohet transaksioni i pagesës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo masë synon të eliminojë praktikat ku kostoja e këmbimit fshihet pas shumës finale të debituar, duke i dhënë konsumatorit një pasqyrë të qartë mbi marzhin që po paguan.

Operatorët e pagesave do të duhet gjithashtu ta publikojnë këtë përqindje në platforma elektronike lehtësisht të aksesueshme, në mënyrë që klientët të mund të krahasojnë kostot mes ofruesve të ndryshëm të shërbimeve.

Projektrregullorja vendos detyrime të reja edhe për subjektet që ofrojnë këmbim valutor në ATM dhe në pikat e shitjes (POS). Përpara çdo transaksioni, klienti duhet të informohet qartë.

për shumën që do t’i paguhet përfituesit në monedhën e përdorur prej tij;

për shumën që do të debitohet nga llogaria e paguesit në monedhën e llogarisë.

Ky informacion duhet të shfaqet drejtpërdrejt në pajisjen ku kryhet transaksioni, duke reduktuar hapësirën për keqkuptime ose kosto të papritura.

Sipas projektrregullores, bankat do të jenë të detyruara t’u dërgojnë klientëve njoftime elektronike për pagesat ose tërheqjet në ATM të denominuara në lek, kur llogaria është në monedhë tjetër. Minimalisht, një njoftim i tillë duhet të dërgohet të paktën një herë në muaj.

Të gjitha informacionet mbi tarifat dhe kursin e këmbimit duhet të ofrohen falas, në mënyrë neutrale dhe të kuptueshme. Klientëve u njihet gjithashtu e drejta për të zgjedhur nëse dëshirojnë ose jo të marrin këto njoftime elektronike.

Vendimi parashikohet të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2027 dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si konsumatorët informohen dhe mbrohen nga kostot e fshehura në këmbimet valutore.

The post Banka e Shqipërisë detyron bankat të tregojnë kursin e këmbimit në tërheqjet nga ATM apo pagesat me kartë appeared first on Gazeta Si.

Aeroporti i Vlorës- Pacolli ankohet sërish. Kush është ‘viktima’, ai apo shqiptarët?

3 February 2026 at 15:02

Nga Gazeta Si- Si të mos mjaftonte reagimi tepër i ashpër i Organizatave mjedisore për ndikimin që Aeroporti i Vlorës do ketë në mjedis, Aeroporti po kalon një nga fazat më të paqarta dhe problematike që prej nisjes së projektit, mes përplasjeve institucionale, konflikteve mes dy aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, dhe një statusi ligjor ende të pazgjidhur. Për muaj me radhë, opinioni publik është përballur me mesazhe kontradiktore: herë thuhet se punimet kanë nisur, herë se projekti është i bllokuar, herë se problemet mes ortakëve janë zgjidhur dhe herë jo?!!

Debati rreth aeroportit nuk kufizohet vetëm te ritmi i punimeve, por shtrihet te mënyra e menaxhimit të koncesionit, transparenca e marrëveshjeve, konfliktet kontraktuale, si dhe ndikimi ekonomik e mjedisor i projektit.

Më 23 janar, aksioneri kryesor i aeroportit, Behgjet Pacolli, deklaroi publikisht në Facebook se në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës “nga sot rikthehet normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi”, duke vlerësuar rolin e drejtësisë dhe pavarësinë e saj.

“Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj. Është një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësia në vendin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme”, shkroi asokohe Pacolli.

Por vetëm dy muaj më vonë, më 1 shkurt, narrativa ndryshoi rrënjësisht. Pacolli njoftoi se do të publikojë një libër për atë që e cilëson si “padrejtësi, pabesi dhe mashtrime” nga ortaku i tij Valon Ademi, duke paralajmëruar ndjekje penale dhe civile në disa juridiksione, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Emiratet dhe Libinë.

Ai e akuzon partnerin për falsifikime dokumentesh, mashtrime, tentativa për dëmtim reputacioni dhe cenim të pronës, duke premtuar se do të publikojë prova me emra dhe data konkrete.

“Ndërkohë që çdo ditë po dalin faktet e reja, pabesia e njeriut që i kisha besuar me vite nuk ishte ndalur vetëm te mashtrimet apo falsifikimi i dokumenteve, por përfshinte edhe tentativa poshtërimi, vjedhje, përbuzje të sofrës, gënjeshtra, intrigat, tërheqjen e bashkëpunëtorëve tjerë në këto akte kriminale dhe shumë veprime të tjera të ulëta. As këto nuk i kishin mjaftuar. Ai duke mos pas fytyrë të përballët me atë që kishte bërë, kishte vazhduar më tej, duke tentuar të rrënoj gjithçka që kam ndërtuar gjatë gjithë kohës së punës time, respektin ndaj njerëzve, moralin dhe pronën”, shkruan Pacolli, duke shtuar se faktet e këtyre pabesive do t’i publikojë një nga një, me emër dhe data.

“Këto veprime janë aq të rënda, sa kam filluar t’i përmbledh faktet edhe në një libër, të cilin do ta promovoj gjerë e gjatë”.

Konflikti mes dy aksionerëve të Aeroportit të Vlorës ka shkuar edhe më tej, pasi Behgjet Pacolli ka denoncuar publikisht se po i marrin duty free-t dhe shërbimet e tjera të aeroportit.

Kompania e Pacollit MABCO Construction SA denoncon veprime të paautorizuara në Aeroportin e Vlorës dhe paralajmëron për pavlefshmëri absolute dhe pasoja ligjore të rënda për çdo kontratë të lidhur.

“MABCO Construction SA, shoqëri e së drejtës zvicerane dhe ortaku mazhoritar me 98 për qind të kapitalit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport, VIA shpk, paralajmëron publikisht dhe pa ekuivok se çdo kontratë, marrëveshje qiraje apo akt tregtar që po lidhet ose do të tentohet të lidhet për dyqane, bare, duty free apo shërbime të tjera në Aeroportin e Vlorës, nga z. Vegim Hoxha ose nëpërmjet tij, është juridikisht inekzistente, absolutisht e pavlefshme dhe e destinuar të rrëzohet,” thuhet në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga kompania e Pacollit.

Sipas saj, këto veprime po kryhen në kundërshtim flagrant me ligjin, me statutin e shoqërisë dhe me vendimet në fuqi të gjykatës.

Në qendër të konfliktit janë dy aksionerët kryesorë të projektit: Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi. Përplasja mes tyre ka përfunduar në dyert e gjykatës, e cila aktualisht ka bllokuar çdo lëvizje mbi aksionet e kompanisë koncesionare.

Valon Ademi, aksioneri i minorancës, e ka akuzuar publikisht Pacollin për mashtrim, ndërsa thelbi i konfliktit lidhet me ndarjen e aksioneve: zyrtarisht Ademi zotëron 2%, por pretendon 47%, duke u mbështetur në një kontratë noteriale të firmosur pas largimit të grupit turk “YDA” nga koncesioni.

Grupi “YDA”, që zotëronte 40% të aksioneve, ia shiti ato kompanisë “Mabco” të Pacollit për shumën simbolike prej 4,200 eurosh. Në të njëjtën ditë, “Mabco” dhe “2A Group” e Ademit firmosën një marrëveshje të re që përcaktonte një ndarje 53% me 47% të aksioneve.

Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke krijuar një vakum ligjor që ka thelluar konfliktin dhe ka bllokuar funksionimin normal të kompanisë.

Ndërkohë, përplasjet kanë sjellë pasoja direkte në drejtimin e projektit: administratori i parë u shkarkua, ndërsa i dyti dha dorëheqjen, duke e lënë aeroportin në një situatë pasigurie institucionale.

Në një kohë kur Aeroporti i Vlorës është promovuar si një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, realiteti aktual tregon një tjetër panoramë: një investim i madh publik dhe privat i zhytur në konflikte pronësie, procese gjyqësore dhe mungesë transparence, dhe s’po kuptohet kush është viktima Pacolli apo aeroporti dhe shqiptarët.

The post Aeroporti i Vlorës- Pacolli ankohet sërish. Kush është ‘viktima’, ai apo shqiptarët? appeared first on Gazeta Si.

Pranga “agjentëve” mashtrues/ U merrnin para qytetarëve për shitje banese dhe u jepnin mandate bankare false

31 January 2026 at 15:29

Një çift nga Tirana është arrestuar pasi kanë mashtruar qytetarët qe donin te blinin apartamente, duke u marre parate. Elvis Ramca dhe Veriana Ziu shtireshin si agjentë imobiliare dhe pasi përvetësonin paratë falsifikonin mandate banke për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar.

Mandatet e falsifikuara ua paraqitnin edhe shoqërive ndërtuese, duke i mashtruar per te lidhur kontrata për shitblerje apartamentesh.

Deri më tani janë janë dokumetuar 2 raste mashtrimi pas denoncimeve per 2 apartamente me vlerë rreth 150 mijë euro secili.

Për Veriana Ziun ky nuk është rasti I parë që është përfshirë në mashtrim. Ajo ishte arrestuar në vitin 2023 pasi mashtroi një person duke i premtuar një leje punësimi në Gjermani dhe duke I marrë 800 euro.

Kursimet e shqiptarëve u zvogëluan gjatë muajit nëntor

28 January 2026 at 12:46

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë muajit nëntor, depozitat në bankat shqiptare vlerësohen 1.452 triliardë lekë, me nëj rënie prej 6 mld lekësh nga muaji tetor, ose -0.4%.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rritja vjetore është 8.72%.

Kursimet raportohen në rënie për monedhën vendase, 2.7 mld lekë më pak në sistem. Po ashtu shifrat tregojnë se kursimet kanë rënë edhe në valutë, 9.2 mld lekë.  

Rënia e depozitave gjatë nëntorit duket si një fenomen sezonal që lidhet me festat e periudhës dhe nevojës për konsum më të lartë.

Përgjatë dy viteve të fundit, depozitat kanë rezultuar si investimi më tërheqës për shqiptarët përballë një tregu të dobët të titujve të borxhit dhe një tregu investimesh të pazhvilluar ende. Rënia graduale e normave të interesit mund të ndryshojë sërish balancat.

Pak muaj më parë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave njoftoi se po shqyrtohet mundësia e rritjes së vlerës së kursimeve të siguara, nga 25 mln lekë (të vjetra) në 100 milionë.

The post Kursimet e shqiptarëve u zvogëluan gjatë muajit nëntor appeared first on Gazeta Si.

Digjitalizimi, ‘thikë me dy tehe’ për bankat në Shqipëri: Rrit rrezikun kibernetik dhe pastrimin e parave

28 January 2026 at 10:22

Nga Gazeta ‘SI’ – Transformimi digjital ka ardhur si një “thikë me dy tehe” për sistemin bankar në Shqipëri, të cilat po përballen me përfitimet dhe rreziqet e inovacionit.

Sipas një studimi të kryer nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, më shumë se 45% e bankave në vend e vlerësojnë rrezikun kibernetik “të lartë”,  ndërsa pothuajse 55%, e konsiderojnë atë “të mesëm”.

Investimi i bankave në sisteme të forta sigurie ndaj suleve kibernetike i detyron ato të kontraktojnë palë të tretë duke i bën sistemet bankare të varura dhe të ekspozuara ndaj  kompanive të teknologjisë. Rreth 10.01% e bankave e konsiderojnë këtë si rrezik të lartë dhe 37.64% si rrezik mesatar.

Në mjedisin digjital rriten edhe rreziqet e mashtrimit dhe pastrimit të parave. Sipas vrojtimit, 37.6% e bankave i konsiderojnë këto rreziqe si “të mesme”, ndërsa 23% si “të larta”, duke treguar nevojën për mjete më të avancuara të zbulimit të mashtrimit.

Edhe rreziqet e reputacionit janë të pranishme. Rreth 59.7% e bankave i vlerësojnë ato si “të mesme”, pasi çdo problem, si rrjedhja e të dhënave apo ndërprerja e shërbimeve, mund të dëmtojë imazhin e bankës dhe besimin e klientëve.

Megjithatë, shumica e bankave shfaqen të sigurta se transformimi digjital nuk do të çojë në humbje të konsiderueshme klientësh. Rreth 34.4% e bankave e konsiderojnë rrezikun e humbjes së klientëve si “pa rrezik”, ndërsa 18.87% si “të ulët”.

Por nga ana tjetër, bankat shprehin se përfitimet nga ky proces janë po ashtu të larta. 100% e bankave në Shqipëri pohojnë se digjitalizimi ul kostot e shërbimit, menaxhon flukset e punës dhe optimizon shërbimin. Në të njëjtën kohë, transformimi digjital shihet si nxitës i përfshirjes financiare dhe integrimit europian.

Kur u pyetën për gatishmërinë e tyre për të adresuar rreziqet kibernetike që lidhen me FinTech, bankat shqiptare treguan besim të konsiderueshëm në përgatitjet e tyre. Përafërsisht 65.33% e bankave e vlerësuan veten si «shumë të përgatitura», ndërsa pjesa tjetër prej 30.74% treguan se ishin «të përgatitura».

Pagesat u shfaqën si fusha më e digjitalizuar, ku 23.78% e bankave deklarojnë një nivel «shumë të lartë» digjitalizimi dhe 49.9% raportuan një nivel «të lartë». Shërbimi ndaj klientit vlerësohet fusha e dytë më e digjitalizuar, ku 42.56% e bankave e vlerësojnë digjitalizimin e kësaj fushe si “i lartë” dhe 24% si “shumë i lartë”.

The post Digjitalizimi, ‘thikë me dy tehe’ për bankat në Shqipëri: Rrit rrezikun kibernetik dhe pastrimin e parave appeared first on Gazeta Si.

Strategjia e Bankës së Shqipërisë: Monitorim më i kujdesshëm i kredisë

13 January 2026 at 11:11

Nga Gazeta ‘SI’ -Banka e Shqipërisë ka publikuar strategjinë e saj për katër vitet e ardhshme, me fokus tek shëndeti i të gjithë sistemit bankar.

Një ndër masat kryesore që parashikon BSH është monitorimi i kujdesshëm i rrezikut të kredisë dhe cilësisë së tij, veçanërisht në rastet e ekspozimeve të ndjeshme apo në sektorët më vulnerabël.

Banka gjithashtu synon të vendosë kërkesa të diferencuara të kapitalit, në varësi të bankës dhe nivelit të rrezikut që ajo mbart. Strategjia parashikon edhe shkëmbimin e informacionit dhe realizimin e ekzaminimeve të përbashkëta me autoritete të ndryshme brenda vendit, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, si dhe me autoritete të huaja.

Një objektiv tjetër është edhe integrimi i faktorëve ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në procesin mbikëqyrës. Kjo përfshin edhe vlerësimin e ndikimit të rreziqeve financiare të lidhura me klimën dhe mjedisin në bilancet e bankave.

Përmirësimi i cilësisë së drejtimit, rritja e rolit dhe e pavarësisë së strukturave që menaxhojnë rreziqet dhe funksionet e kontrollit të brendshëm, mbetet një tjetër objektiv kryesor i Bankës.

Po ashtu, parashikohen kontrolle periodike për vlerësimin e ekspozimit ndaj rrezikut kibernetik dhe për adaptimin e teknologjive të reja, përfshirë Inteligjencën Artificiale, në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj klientëve.

The post Strategjia e Bankës së Shqipërisë: Monitorim më i kujdesshëm i kredisë appeared first on Gazeta Si.

Ulet stoku i kredive me probleme

12 January 2026 at 11:26

Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajin nëntor të vitit 2025, stoku i kredive të këqija ra lehtë në 4.2%, nga 4.3% që ishte në tetor.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues nuk përbën gjithmonë një përkthim të saktë të vlerave absolute, pasi shpesh ndikohet nga efekte statistikore, si diferencat nga kursi i këmbimit apo ecuria e kredisë së re.

Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë raporton një zgjerim të stokut të huave me probleme në vlerë nominale, si rezultat i prurjeve të reja. Ky tregues do të ishte edhe më i lartë nëse nuk do të ishin fshirë rreth 6.3 miliardë lekë kredi të humbura.

Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit përfaqëson rreth 17.6% të tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave, nga rreth 2.7% në gjashtëmujorin e kaluar.

Shifrat duket se pasqyrojnë shqetësimin e Bankës Qendrore, e cila ka bërë thirrje për moderim të kreditimit, veçanërisht në sektorin imobiliar. Për këtë segment, Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime në financim, duke përcaktuar që maksimumi i huasë të mos tejkalojë 80% të vlerës së pronës që blihet.

The post Ulet stoku i kredive me probleme appeared first on Gazeta Si.

Kërcënoi shitësen me thikë dhe vodhi paratë në market/ Arrestohet 40-vjeçari në Tiranë

By: xhir jeta
9 January 2026 at 14:13

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari që vodhi një shumë parash, në një market në Yzberisht, duke kanosur punonjësen, me thikë.

I arrestuari, me precendent penal për vjedhje me dhunë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent”.

Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi Elkjer Tafciu(Tafçiu) 40 vjeç, banues në Tiranë.

Punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.

Banka e Shqipërisë, gjatë verës tërhoqi nga tregu 595 mln euro për të ngadalësuar rënien e kursit

8 January 2026 at 12:08

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë periudhës së verës, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 595.3 milionë euro, rreth 50% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Nga kjo sasi eurosh të blera, 108 milionë euro janë përdorur për rritjen e rezervës valutore, ndërsa pjesa tjetër ka pasur si qëllim stabilizimin e kursit të këmbimit. Paralelisht me këto ndërhyrje, kursi euro/lek gjatë kësaj periudhe mbeti praktikisht i “ngrirë” në intervalin 97–98 lekë.

Në total, nga janari deri në shtator 2025, Banka e Shqipërisë ka blerë mbi 825 milionë euro në tregun valutor.

Paralelisht, në periudhën korrik–shtator, Banka realizoi operacione injektimi të likuiditetit me një vlerë mesatare ditore prej 38 miliardë lekësh, një nivel pak më i ulët se në tremujorin paraardhës. Megjithatë, në një krahasim që merr parasysh efektet sezonale, mungesa e likuiditetit rezulton të ketë rënë me rreth 64%, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të blerjeve valutore në rritjen e ofertës monetare në lekë.

Sipas të dhënave, blerjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë qenë faktori kryesor që ka kontribuar në uljen e mungesës së likuiditetit me rreth 63.66 miliardë lekë. Në të kundërt, rritja e parasë në qarkullim me 20.26 miliardë lekë, e përqendruar kryesisht gjatë muajve korrik–gusht, ka vepruar në drejtim të kundërt, duke zbutur pjesërisht efektin e ndërhyrjeve të Bankës.

Gjatë gjithë vitit 2025, euro ka shfaqur një lloj “imuniteti” artificial, i ndërtuar mbi ndërhyrjet e shpeshta të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti banka qendrore ka tërhequr nga tregu rreth 800 milionë euro, me qëllim frenimin e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës europiane.

Megjithatë, kjo strategji nuk është parë me sy pozitiv nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka theksuar vazhdimisht nevojën për një regjim të lirë këmbimi, pa ndërhyrje të vazhdueshme administrative, duke argumentuar se tregu duhet të reflektojë vetë balancat reale ekonomike.

The post Banka e Shqipërisë, gjatë verës tërhoqi nga tregu 595 mln euro për të ngadalësuar rënien e kursit appeared first on Gazeta Si.

Fundi i cash-it? Hyjnë në fuqi masat kundër parasë së thatë në Shqipëri

3 January 2026 at 12:22

Nga Gazeta ‘SI’ – Me hyrjen e vitit të ri, Shqipëria ka vendosur masa të reja me qëllim luftimin e informalitetit ekonomik dhe rritjen e përdorimit të pagesave digjitale. Që nga 1 janari 2026, asnjë individ nuk mund të kryejë blerje me vlerë mbi 500 mijë lekë cash, ndërsa bizneset nuk mund të kryejnë transaksione me para në dorë mbi 100 mijë lekë me kompanitë e tjera.

Një tjetër detyrim i rëndësishëm i ligjit është pajisja me terminal POS për të gjitha bizneset, veçanërisht ato të sektorëve të shërbimit, akomodimit, transportit dhe tregtisë, për të lehtësuar pagesat me kartë nga klientët. Bizneset në këto sektorë kanë kohë deri më 31 maj 2026, ndërsa për të gjithë të tjerët afati përfundon më 31 dhjetor 2026.

Ky nismë, e quajtur “Cashless Albania” dhe e mbështetur nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, synon të rrisë përdorimin e pagesave elektronike dhe të formalizojë ekonominë, duke ulur qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se efektiviteti i projektit mund të jetë i kufizuar përballë një popullsie që ka besueshmëri të ulët në sistemet bankare dhe është mësuar të përdorë kryesisht para cash. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për muajin nëntor tregojnë se në vend qarkullonin 467 miliardë lekë jashtë sistemit bankar, një shifër rekord.

Sipas statistikave ndërkombëtare, Shqipëria renditet e treta në botë për përhapjen më të lartë të parasë cash, me 97% të totalit të parasë në qarkullim që ekziston jashtë bankave.

The post Fundi i cash-it? Hyjnë në fuqi masat kundër parasë së thatë në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Foshnjet e para të vitit 2026 marrin “Bonusin e bebes”

1 January 2026 at 14:45

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Në këtë fillimvit, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, vizitoi paraditen e sotme, bebet e ardhura në jetë në minutat e para të vitit 2026, përkatësisht Adea, e lindur në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, dhe Sibel, e lindur në SUOGJ “Koço Gliozheni”.

Gjatë vizitës, zv.ministrja Tomini u takua nga afër me nënat dhe foshnjet, duke shprehur urimet për ardhjen e tyre në jetë, si dhe u dhuroi çekun e “Bonusit të bebes” mbështetja direkte financiare e qeverisë për çdo të porsalindur.

Programi universal “Bonusi i bebes” është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë për mbështetjen e çdo fëmije dhe familjeve të tyre, duke garantuar shpërblim financiar për çdo lindje, pavarësisht statusit social apo ekonomik, si dhe në kuadër të incentivave për rritjen e natalitetit. Që nga viti 2019, janë shpërndarë mbi 245 mijë bonuse për të porsalindurit.

Masa financiare e “Bonusit të bebes” varion nga 40 000 deri në 120 000 lekë, në varësi të rendit të lindjes, ndërsa për lindjet e shumëfishta përfitimi është 80 000 lekë për secilën foshnjë në rastin e binjakëve dhe 120 000 lekë për secilën foshnjë në rastin e trinjakëve ose më shumë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vijon angazhimin për forcimin e politikave sociale në mbështetje të familjeve dhe garantimin e një fillimi të sigurt dhe dinjitoz për çdo fëmijë që vjen në jetë.

/e.i/j.p/

The post Foshnjet e para të vitit 2026 marrin “Bonusin e bebes” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy vajza, bebet e para të lindura në 2026-ën

1 January 2026 at 00:01

TIRANË, 1 janar /ATSH/  Dy vajza janë bebet e para që erdhën në jetë në orët e para të vitit 2026 në kryeqytet.

Njëra prej tyre lindi në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ndërsa tjetra në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Kryeministri Edi Rama u uroi mirëseardhjen foshnjeve të para të vitit 2026,

/gj.m/

The post Dy vajza, bebet e para të lindura në 2026-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Para dhe karrierë/ Çfarë parashikojnë yjet për këto shenja të horoskopit në 2026-ën

By: Brisi
31 December 2025 at 10:28

Dashi Viti 2026, për të qenë i sinqertë, po fillon pak ngadalë: qoftë sepse keni një krizë të vogël për të kapërcyer, apo sepse do të keni disa vendime për karrierën, të cilat nuk janë gjithmonë të lehta. Dyjava e parë e janarit paraqet disa kufizime. Sa i përket ndjenjave tuaja, megjithatë, gjërat e reja […]

The post Para dhe karrierë/ Çfarë parashikojnë yjet për këto shenja të horoskopit në 2026-ën appeared first on BoldNews.al.

❌
❌