Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kandidatura e Arbër Grabovcit për Kuvend, një profil që ndërthurë komunikimin publik, disiplinën sportive dhe integritetin personal

25 December 2025 at 19:14


Arbër Grabovci, që në zgjedhjet e fundit lokale të këtij viti, ishte bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Pejë, tashmë ka konfirmuar hapin e tij drejt skenës qendrore politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

AAK në Zgjedhjet lokale të tetorit shënoi rritje të votës partiake dhe të numrit të ulëseve në Asamble.

Grabovci vlerësohet për përkushtimin e tij ndaj çështjeve lokale dhe përfaqësimit të qytetarëve, ndërsa kandidimi i tij për Kuvendin e Kosovës shihet si një hap drejt forcimit të zërit të Pejës në nivel qendror.

I renditur në listën zgjedhore të AAK-së (129) me numrin 82, Arbëri është një prej emrave të spikatur që synojnë të sjellin zërin e komunitetit pejan dhe përvojën e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Kandidaturën e Grabovcit për AAK-në, e ka shpallur Ardian Gjini, edhe zyrtarisht në hapje të fushatës nga ky subjekt.

Kandidatura e Grabovcit për deputet nga AAK, shpreh angazhimin e tij të vazhdueshëm për zhvillimin lokal dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve në nivel kombëtar. Pjesëmarrja në listën e AAK-së tregon për besimin e strukturave të partisë në përvojën e tij dhe vizionin e tij për të kontribuar në procese politike me ndikim të gjerë.

Në Qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti, Arbër Grabovci ka qenë Zv/Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga AAK.

Me një përvojë të gjatë edhe në media, dikur si Kryeredaktorm i RTV ‘Dukagjjini’ e më pas bashkëthemelues i ‘RADIO 1’ dhe me një kontribut të vazhdueshëm në sportin kosovar, Arbër Grabovci vjen në politikë me një bagazh të ndërtuar mbi ndershmëri, transparencë dhe përkushtim publik.

Ai konsiderohet si një zë i afërt me qytetarët, që njeh nga afër sfidat e të rinjve, sportistëve dhe komunitetit.

Grabovci njihet edhe si futbollist i dikurshëm i KF “Buduçnosti” i Pejës deri në sportin paralel për të kaluar bashkë me ekipin tek K.F. ‘Besa’, si lojtar i brezit të Republikës, përderisa menjëherë pasluftës ishte edhe Kryetrajner i K.F. ‘Besa’, në një periudhë të shkurtër.

Kandidatura e tij për deputet shihet si një vlerë e shtuar për AAK-në, duke sjellë në garë një profil që ndërthur komunikimin publik, disiplinën sportive dhe integritetin personal.

Ai synon të përfaqësojë interesat e qytetarëve me përgjegjësi dhe etikë, duke e bartur përvojën e tij nga media dhe sporti në shërbim të vendimmarrjes institucionale.

Për një kohë, Arbër Grabovci u vu edhe në krye të degës së AAK-së në Pejë, në një periudhë kur kjo degë ndodhej në vështirësi të theksuara të jetës opozitare.

Me AAK-në dhe Ramush Haradinajn, Arbër Grabovci mbanë afërsi dhe miqësi familjare që nga paslufta dhe themelimi i subjektit.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të jenë të rëndësishme për formimin e institucioneve të reja, dhe emrat si ai i Grabovcit pretendojnë të sjellin përvojë, angazhim dhe energji të re si në AAK ashtu edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës./Njeshi&RADIO 1/

Ndërmarrja Ambienti rrit pagat për punëtorët dhe ndanë 500 euro shpërblim vjetor

24 December 2025 at 15:54


Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Ambienti, me kryesim të ing. Gramoz Xhemajlit, ka nënshkruar vendimin për shpërblim vjetor prej 500 eurosh për çdo punonjës, me rastin e festave të fundvitit, si dhe për ngritje page për vitin 2026.

Ky vendim u miratua në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, bazuar në propozimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Diedon Berisha, duke vlerësuar sukseset e larta të ndërmarrjes gjatë vitit.

Sipas Bordit, Ambienti Sh.A. për herë të parë pozicionohet si kompani lidere në Kosovë për paga, shujta dhe beneficione për punonjësit e saj.

Bordi i Drejtorëve gjithashtu theksoi se prioritet për vitin 2026 mbetet modernizimi i mëtejshëm, digjitalizimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i ndërmarrjes.

Në përbërje të Bordit janë Gramoz Xhemajli, kryesues, Drita Krasniqi dhe Gazmend Kastrati, të cilët u uruan punonjësve për shëndet dhe suksese të përbashkëta edhe në vitin e ardhshëm.

Bordi falënderoi gjithashtu stafin ekzekutiv dhe operativ për kontributin e dhënë në realizimin e politikave të ndërmarrjes dhe për arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/


Kurti: Për Pejën pesë çerdhe të reja dhe inkubatorin e biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”

22 December 2025 at 22:03


Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, qëndroi në Pejë, ku në një tubim me qytetarë, ka rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Ai theksoi se angazhimi i Qeverisë Kurti për komunën e Pejës nuk ka munguar, duke renditur projektet në proces si ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos, Stadiumit, projekti i ngrohjes qendrore, rruga e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën e Deçanin me Pejën dhe Istogun, si dhe rruga Pejë–Kuçishtë, përkrah rehabilitimit të rrugëve rajonale.

Dëshmi e vëmendjes së pandërprerë të Qeverisë për qytetin e Pejës, janë edhe zotimet e mandatit të ardhshëm, tha Kurti.

Ai renditi prioritetet kryesore si: zgjidhjen e problemeve të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave, hapjen e pesë çerdheve në Baran, Raushiq, Leshan, Nabërgjan dhe Novosellë, si dhe mbështetjen e Inkubatorit të Biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”.

Më tej tha se forcimi i lidhjeve mes universitetit, sipërmarrësve dhe sektorit privat, si dhe prioritetizimin e ICT-së, turizmit dhe shërbimeve digjitale, ka për synim që të shndërrojë Pejën në qendër të inovacionit në rajon.

Tentim vrasje në Pejë, plagoset një person - i dyshuari në arrati

22 December 2025 at 14:38


Një rast i vrasjes në tentativë ka ndodhur para pak çastesh në Pejë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.

Sipas tij, me autorizimin e prokurorit të shtetit, janë duke u grumbulluar të gjitha provat relevante dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.

Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Ndryshe, Spitali i Pejës ka njoftuar se i plagosuri është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Prishtinë. /Telegrafi/


Mbi 2,800 vizita specialistike dhe 27 lindje në Spitalin e Pejës

22 December 2025 at 09:47


Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar në këtë institucion shëndetësor kanë ardhur në jetë gjithsej 27 foshnje, prej tyre 14 djem dhe 13 vajza.

Gjatë së njëjtës periudhë, spitali ka ofruar një numër të konsiderueshëm shërbimesh shëndetësore për qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar 2 mijë e 880 vizita specialistike, ndërsa janë regjistruar 255 pranime të reja të pacientëve.

Mesatarisht, 171 pacientë kanë qenë të shtrirë çdo ditë në repartet e spitalit. Po ashtu, 1 mijë e 656 pacientë kanë kryer gjithsej 19 mijë e 236 analiza laboratorike.

Në sallat operative janë realizuar 75 operacione të suksesshme, ndërsa janë kryer edhe 221 seanca të dializës. Në kuadër të shërbimeve diagnostikuese janë bërë 511 incizime me rëntgen, 256 ekzaminime eho, 71 rezonanca magnetike (MRI) dhe 8 mamografi.

Po ashtu, janë kryer 24 teste ergometrike, 49 ehokardiografi, 9 kolonoskopi dhe 22 gastroskopi, si dhe 285 shërbime fiziatrike.

Nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës është theksuar se stafi shëndetësor vazhdon të ofrojë shërbime cilësore dhe të pandërprera për pacientët, duke u përkushtuar ndaj kujdesit shëndetësor të qytetarëve të rajonit. /Telegrafi/


Grabitje e armatosur në një barnatore në Pejë, detajet e para

21 December 2025 at 23:34


Një grabitje e armatosur ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në një barnatore në Pejë.

Dy persona të maskuar dhe të armatosur me thika kanë arritur të marrin para të gatshme.

Rastin e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

"Të dyshuarit janë futur në barnatore dhe, nën kërcënimin e thikave, kanë grabitur të hollat, përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes", u shpreh Gashi.

Sipas Policisë, nga ky rast nuk raportohet për persona të lënduar.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Policia po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të rastit./Telegrafi.

Grabitje e armatosur në një shtëpi në Pejë, autorët ende në arrati

21 December 2025 at 10:17


Një rast grabitjeje është raportuar në Pejë, të shtunën rreth orës 03:25.

Sipas Policisë së Kosovës, tre viktima meshkuj kanë deklaruar se tre persona të maskuar kanë hyrë me forcë në shtëpinë e tyre.

Të dyshuarit, nën kërcënimin e armës së zjarrit, thikave dhe sprejit, kanë arritur të grabisin gjëra me vlerë, përfshirë para të gatshme, ari dhe një telefon të llojit iPhone. Pas grabitjes, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga ky rast nuk raportohet për persona të lënduar. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve. /Telegrafi/

Sektori i teknologjisë në fokus, Abdixhiku premton trajnim për 40 mijë të rinj

20 December 2025 at 20:42


Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku, nga Peja shpalosi programin qeverisës, i cili parasheh 500 euro pagë për të diplomuarit.

Përveç kësaj, paralelisht do të trajnohen edhe 40 mijë të rinj në sektorin e teknologjisë informative, përmes Ministrisë së Digjitalizmit.

“Çdo i diplomuar në Kosovë do të ketë punësim të garantuar për gjashtë muaj me pagë 500 euro, të subvencionuar nga shteti. Asnjë i diplomuar nuk do të endet rrugëve pa shpresë”, tha Abdixhiku.

“Paralelisht, 40 mijë të rinj do të trajnohen në sektorin e teknologjisë informative, përmes Ministrisë së Digjiitalizimit”, përfundoi ai.


Spitali i Pejës pajiset me inventar dhe pajisje të reja mjekësore

18 December 2025 at 09:06


Spitali i Përgjithshëm në Pejë është pajisur me një numër të konsiderueshëm pajisjesh dhe mobilieri mjekësore, të siguruara nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe kushteve të trajtimit për pacientët.

Sipas njoftimit të spitalit, pajisjet e reja përfshijnë shtretër elektrikë për pacientë, karroca emergjente dhe procedurale, tavolina për ekzaminime, pajisje për sallat operative, mobilieri spitalore, si dhe pajisje mbështetëse për repartet dhe shërbimet diagnostike.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë bëhet e ditur se këto investime janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për modernizimin e infrastrukturës spitalore, rritjen e sigurisë së pacientëve dhe lehtësimin e punës së stafit shëndetësor.

Institucioni shëndetësor thekson se do të vazhdojë me investime të tilla edhe në të ardhmen, me synimin që qytetarëve t’u ofrohen shërbime shëndetësore sa më cilësore dhe dinjitoze. /Telegrafi/


Po realizohen disa projekte infrastrukturore në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës

15 December 2025 at 14:02


Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë duke u realizuar disa projekte infrastrukturore me qëllim përmirësimin e kushteve të shërbimit dhe të ambientit spitalor.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori Ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Dr. Fahri Hasani, së bashku me Drejtorin e Administratës, Edonis Haxhijaj, dhe Shefin e Shërbimit Teknik, Shefqet Kryeziu, kanë vizituar nga afër punimet që po zhvillohen në ambientet e brendshme dhe të jashtme të spitalit.

Aktualisht, punimet janë të përqendruara në disa projekte, përfshirë renovimin e Repartit Internistik, renovimin e Repartit të Pulmologjisë, renovimin e ambulancave specialistike të TBC-së, ndërtimin e kanalit kullues, si dhe pastrimin dhe rregullimin e hapësirave gjelbruese përreth spitalit.

Nga menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës theksohet se këto projekte synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për pacientët dhe stafin shëndetësor. /Telegrafi/


Vetëm gjatë javës së kaluar, Spitali i Pejës ka kryer 61 operacione, 210 dializa dhe 16 lindje

15 December 2025 at 12:16


Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar se gjatë javës së kaluar në këtë institucion kanë lindur 16 fëmijë, nga të cilët 12 janë vajza dhe 4 djem.

Sipas të dhënave të spitalit, gjatë javës së kaluar janë kryer gjithashtu edhe shërbime të tjera mjekësore në volum të konsiderueshëm:

  • 2,601 vizita specialistike;
  • 211 pranime pacientësh;
  • 164 pacientë të shtrirë mesatarisht në një ditë;
  • 1,606 pacientë kanë kryer gjithsej 19,296 analiza laboratorike;
  • 61 operacione të suksesshme;
  • 210 dializa;
  • 509 Rëntgen, 252 Eho, 73 MRI, 19 Mamografi;
  • 30 ergometri dhe 34 ehokardiografi;
  • 4 kollonoskopi dhe 23 gastroskopi;
  • 286 shërbime fiziatrike.

Spitali i Përgjithshëm i Pejës thekson se ky statistika tregon angazhimin e stafit mjekësor për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të gjithanshme për qytetarët. /Telegrafi/

Manovronte me armë - plagosi një person në Pejë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

15 December 2025 at 09:40


Një person gjersa ka manovruar me armë ka plagosur një person.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 19:00 në rrugën “Bill Clinton”, në Pejë.

Tutje bëhet e ditur se viktima ka pësuar lëndime në këmbë dhe pas trajtimit mjekësor është liruar.

“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar gjersa ka manovruar me armë ka plagosur viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime në këmbë dhe pas trajtimit mjekësor është liruar”, thuhet në raport.

Ndërkaq, nga i dyshuari është sekuestruar një revole me 13 fishekë dhe një gëzhojë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. /Telegrafi/

Aktakuzë ndaj 11 personave në Pejë për skema piramidale, bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

10 December 2025 at 16:58


Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave për veprimtari të paligjshme në Isniq të Deçanit.

Dhjetë prej tyre – A.O., G.N., A.Sh., H.R., M.K., P.A., E.B., A.J., R.B. dhe F.H. – akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm, ndërsa i pandehuri F.M. akuzohet për posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, Prokuroria ka dokumentuar veprimet inkriminuese të secilit të pandehur. Nga hetimet rezulton se më 17 gusht 2025, rreth orës 02:00, i pandehuri A.O. ka organizuar në lokalin e tij “Te Katamt” një veprimtari të lojërave të fatit dhe skemave piramidale, të cilat konsiderohen të paligjshme.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, nëntë të pandehurit e tjerë janë kapur teksa tentonin të largoheshin nga dhoma ku zhvillohej bixhozi. Në vendngjarje janë gjetur letra bixhozi dhe një shumë e konsiderueshme parash – gjithsej 17,578 euro – të cilat janë sekuestruar.

Ndërkohë, i pandehuri F.M. akuzohet se gjatë natës së rastit kishte në posedim një armë pa autorizim.

Prokuroria vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar mirë që të gjithë të pandehurit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i çështjes ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Telegrafi/

Aksident në Leshan të Pejës – tre persona të lënduar

8 December 2025 at 18:22


Tre persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti të ndodhur pasditen e sotme, më 8 dhjetor 2025, në fshatin Leshan të Pejës.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij, aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00 në magjistralen Pejë–Prishtinë, ku janë përfshirë dy automjete.

“Tre persona janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës. Sipas mjekëve, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Njëri prej tyre ka pësuar lëndime më të rënda, por edhe ai ndodhet jashtë rrezikut,” ka deklaruar Gashi.

Ai ka shtuar se njësitë kompetente të Policisë së Kosovës ndodhen në vendngjarje dhe po merren me hetimin e shkaqeve të aksidentit./Telegrafi/

LDK Pejë miraton listën me pesë kandidatë për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit

5 December 2025 at 21:43


Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Pejë, ka finalizuar dhe votuar listën e kandidatëve që do të garojnë për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në njoftimin e publikuar thuhet se dega ka propozuar pesë emra, të cilët do të përfaqësojnë Pejën në listën zgjedhore të LDK-së.

Pesë kandidatët e votuar janë:

  1. Kujtim Shala
  2. Fatmir Asllani
  3. Sadri Berisha
  4. Diellëza Berisha
  5. Agime Lajqi

“Ju urojmë suksese në fitore të përbashkët”, thuhet në fund të njoftimit të LDK Pejë.

Universiteti “Haxhi Zeka” drejt Universitetit 4.0: Roli strategjik në ekosistemin e inovacionit dhe modeli i Heliksit të Trefishtë

3 December 2025 at 16:37


Universitetet moderne po tejkalojnë rolin tradicional të qendrave të arsimit dhe po shndërrohen në institucione që prodhojnë zhvillim, politika dhe inovacion.

Në këtë drejtim, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë po pozicionohet fuqishëm drejt modelit të Universitetit 4.0, ku mësimdhënia, kërkimi shkencor, teknologjia dhe sipërmarrja ndërveprojnë si një tërësi e integruar.

Në qendër të këtij transformimi qëndron modeli i Heliksit të Trefishtë, i cili bashkon universitetin, qeverinë dhe industrinë në funksion të krijimit të ekosistemeve inovative.

Ky model, i bazuar në bashkëpunim të ndërlidhur dhe jo linear, synon që hulumtimi akademik, politikat publike dhe tregu të funksionojnë si mekanizma plotësues për zhvillimin socio-ekonomik.

Universiteti “Haxhi Zeka” ka ndërmarrë një sërë nismash që e kanë shndërruar atë në një aktor kyç të zhvillimit rajonal në Dukagjin. Ndër iniciativat kryesore janë:

Themelimi i FERD-it, mekanizëm rajonal i bashkëpunimit institucional dhe ekonomik;

Krijimi i UNI NOVA-s, qendra e inovacionit dhe sipërmarrjes universitare;

Forcimi i bashkëpunimit me komunat e Dukagjinit;

Zgjerimi i partneriteteve akademike me universitete evropiane;

Integrimi i thelluar me industrinë dhe tregun e punës.

Këto hapa e kanë pozicionuar UHZ-në si institucion që tashmë nuk ofron vetëm arsim, por edhe zhvillim konkret ekonomik dhe social.

FERD, i themeluar nga UHZ, ka krijuar një model të ri bashkëpunimi mes komunave, bizneseve dhe universitetit.

Kjo strukturë po funksionalizon në praktikë modelin e Heliksit të Trefishtë, përmes analizave, konsultimeve dhe projekteve të përbashkëta zhvillimore në Dukagjin.

UNI NOVA, si shoqëri në pronësi të UHZ-së, përfaqëson një risi të rëndësishme në arsimin e lartë në Kosovë. Ajo i mundëson universitetit fleksibilitet për:

zhvillimin e projekteve të inovacionit,

mbështetjen e startup-eve studentore,

krijimin e spin-off-eve akademike,

transferimin e dijes në treg,bashkëpunime ndërkombëtare në teknologji dhe inovacion.

Përmes kësaj strukture, UHZ hyn fuqishëm në orbitën e universiteteve moderne të modelit 4.0.

UHZ ka krijuar marrëdhënie funksionale me komunat e Pejës, Istogut, Klinës, Deçanit, Gjakovës, Malishevës, Rahovecit dhe Junikut. Universiteti është përfshirë në proceset e planifikimit të arsimit, tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik.

Në të njëjtën kohë, bizneset e Dukagjinit e shohin UHZ-në si partner strategjik. Universiteti ka krijuar Barometrin e tregut turistik dhe hotelier, të parin në vend, ndërsa është duke zhvilluar Barometrin Kombëtar të Tregut të Punës, një instrument që pritet të ndikojë në politikat kombëtare të punësimit.

UHZ ka zgjeruar ndjeshëm bashkëpunimet me universitete të njohura në Kosovë, rajon dhe Evropë, duke krijuar mundësi të reja për mobilitete, projekte ndërkombëtare dhe ngritje profesionale për studentët dhe stafin.

Universiteti 4.0 – identiteti i ri i UHZ-së

Me strukturat inovative si FERD dhe UNI NOVA, me partneritete strategjike dhe një qasje moderne akademike, UHZ po ndërton profilin e një Universiteti 4.0 — një institucion që prodhon dije, inovacion dhe zhvillim.

Në këtë mënyrë, Universiteti “Haxhi Zeka” nuk është më vetëm një qendër arsimore, por po shndërrohet në motor të inovacionit, qendër të zhvillimit rajonal dhe një prej modeleve më të avancuara universitare në Kosovë.

Rikthehet hyrja e Emergjencës në Spitalin e Pejës – vendoset sistem i ri i triazhimit dhe rregulla të rrepta funksionimi

27 November 2025 at 13:35


Pas përfundimit të renovimeve, hyrja e Emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është rikthyer sot në lokacionin e saj të mëparshëm. Nga ora 14:00, të gjithë pacientët duhet të përdorin hyrjen tradicionale të këtij shërbimi.

Spitali ka njoftuar gjithashtu se nga sot ka hyrë në fuqi edhe sistemi i ri i funksionalizimit të Emergjencës, i bazuar në standardet moderne të triazhimit dhe menaxhimit të rasteve urgjente.

Sipas udhëzimeve të reja, çdo pacient do t’i nënshtrohet vlerësimit fillestar nga personeli i triazhës, ndërsa trajtimi do të bëhet sipas nivelit të urgjencës – me prioritet për rastet që paraqesin rrezik për jetën. Pacientët që nuk kategorizohen si urgjentë do të orientohen drejt QMF-ve apo specialistëve përkatës, përcjell Telegrafi.

Emergjenca do të fokusohet ekskluzivisht në trajtimin e rasteve akute dhe gjendjeve kritike, ndërsa hyrja në këtë shërbim do të lejohet vetëm për pacientët dhe një përcjellës, kur është e domosdoshme. Të afërmit apo personat e tjerë nuk do të lejohen të hyjnë në hapësirat e emergjencës.

Spitali paralajmëron se referimi i pacientëve pa indikacion emergjent nga mjekët e kujdesit parësor konsiderohet shkelje profesionale dhe mund të pasojë me masa disiplinore. Po ashtu, mosrespektimi i rregullave nga qytetarët ose personeli do të sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas institucionit shëndetësor, këto masa synojnë krijimin e një shërbimi emergjent më efikas, më të sigurt dhe më profesional, duke garantuar trajtim të menjëhershëm për rastet me rrezik jete. /Telegrafi/


Dënohet me 6 vjet burgim i dyshuari nga Peja për veprën penale "Vrasje e mbetur në tentativë"

25 November 2025 at 11:45


Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin në çështjen kundër të pandehurit A.H., me vendbanim në Pejë.

Gjykata ka vendosur që të pandehurit A.H. t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv prej 6 (gjashtë) viteve për shkak të veprës penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, përmes kësaj Gjykate, pranë Gjykatës së Apelit në Prishtinë. /Telegrafi/

Gjenden mbetje mortore në Pejë e Prizren, dyshohet se i përkasin luftës së fundit

24 November 2025 at 19:18


Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) njofton se gjatë aktiviteteve të zhvilluara sot në regjionin e Pejës dhe Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, të cilat mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë.

Komisioni ka bërë të ditur përmes një njoftimi se gërmimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte (DHKL) dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), gjatë aktiviteteve të planifikuara sot ka zhvilluar gërmime vlerësuese në dy lokacione në terren, të iniciuara nga Sektori për Persona të Zhdukur i DHKL-së në bashkëpunim me familjarët e personave të zhdukur dhe qytetarët. Në këto dy lokacione, një në regjionin e Pejës dhe një në regjionin e Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, që potencialisht mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe personave që ende figurojnë në listën e të zhdukurve,” thuhet në njoftim.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka theksuar se pas konfirmimit dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së, familjarët do të njoftohen zyrtarisht nga Komisioni, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.


Pamje mahnitëse nga Rugova, bora mbulon malet

23 November 2025 at 12:31


Rugova e Pejës është zbardhur sot nga bora, duke krijuar pamje të bukura dimërore.

Qytetarët dhe banorët e asaj pjese kanë publikuar pamjet që ka marrë ku vend nga reshjet e para.

Rugova, e cila njihet për bukuritë e saj natyrore dhe për kanionin e thellë, ofron gjithmonë një pamje të bukur gjatë stinës së dimrit, duke u bërë kështu si vend i preferuar për shumë vizitorë qoftë vendor por edhe të huaj, për të kaluar pushimet dimërore por edhe për të shijuar skijimin.

Kujtojmë se meteorologët për sot kanë paralajmëruar reshje bore në viset malore për shkak të rënies së temperaturave. /Telegrafi/

❌
❌