Gjendja e rrugëve në Rugovë vazhdon të mbetet e rënduar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të borës, duke vështirësuar qarkullimin për banorët dhe vizitorët e kësaj zone malore.
Reshjet e dendura duket se i kanë gjetur të papërgatitura autoritetet lokale dhe ato qendrore, pasi shumë segmente rrugore nuk janë pastruar në kohë, ndërsa kalimi i automjeteve është bërë tejet i vështirë dhe në disa raste edhe i rrezikshëm.
Në pamjet e shpërndara nga qytetarët në rrjetet sociale, vërehen rrugë të mbuluara nga bora dhe automjete që mezi arrijnë të lëvizin drejt Rugovës, raporton Telegrafi.
Shoferët përballen me rrëshqitje dhe bllokime, teksa mungesa e ndërhyrjes së mekanizmave pastrues shton shqetësimin për sigurinë në komunikacion.
Qytetarët shprehin pakënaqësi për vonesat në pastrimin e rrugëve, duke kërkuar reagim më të shpejtë nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të sigurohet qarkullimi normal dhe të shmangen rreziqet e mundshme, sidomos në këtë periudhë me kushte të vështira atmosferike.
Reshjet e borës në këtë zonë pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. /Telegrafi/
Një aksident trafiku ka ndodhur sot në fshatin Dollc të Klinës, ku si pasojë një person ka pësuar lëndime trupore.
Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili bëri të ditur se aksidenti ka përfshirë dy automjete.
“Sot rreth orës 17:10, Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Dollc-Klinë. Në këtë aksident ishin të involvuara dy vetura, dhe një person ka pësuar lëndime trupore. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për tretman mjekësor”, deklaroi Rugova.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik për kujdes të shtuar. /Telegrafi/
Një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje rreth orës 07.40 minuta në kilometrin e 26-të të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Në aksident janë përfshirë një kamion me targa të Kosovës dhe një veturë me targa shqiptare. Si pasojë e përplasjes që ka ardhur nga kamioni, i ngarkuar me mallra, drejtuesja e mjetit ka humbur jetën.
Së bashku me të në makinën e aksidentuar kanë qenë edhe dy pasagjerë, njëri i dëmtuar rënd por jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tjetri ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Prizrenit, duke e rënduar bilancin; me dy të vdekur.
Edhe drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime trupore.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë ekipet mjekësorë, njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet e tjera të hetimit, të cilat janë punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Pas kësaj ngjarje, Policia e Kosovës, apelon për respektim të rregullave të trafikut dhe kujdes të shtuar gjatë drejtimit te mjetit, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla tragjike.
Agim Veliu, ish-ministër i Brendshëm dhe një nga figurat e vjetra të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), këtë herë nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për deputet të partisë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Pas publikimit të listës, Veliu ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë një fotografi të tij me ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Përmes këtij simbolizmi, ai ka dërguar një mesazh të qartë për idealin dhe qëndrueshmërinë politike.
“Kur ideali është më i madh se pengesat, çdo shtrëngim duarsh bëhet kapitull historie. Mosdorëzimi është forca që lidh gjeneratat: respekt për të kaluarën, vendosmëri për të ardhmen”, ka shkruar Veliu.
Në ditëlindjen 81-të të presidentit Ibrahim Rugova, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar familjen e tij dhe ka njoftuar përfshirjen e Ukë Rugovës në listën zgjedhore të LDK-së.
“Pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore,” tha Abdixhiku gjatë vizitës.
Ai shtoi se në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës.
“Ukë, të priftë e mbara në këtë garë”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku theksoi edhe trashëgiminë dhe vizionin e Rugovës për Kosovën.
“Mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore”, u shpreh i pari i LDK-së.
Abdixhiku kujtoi jetën dhe arritjet e Rugovës, duke theksuar se ai ishte njeriu që e ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik, që e ndërtoi shtetin e përjetshëm që kemi, dhe që e vendosi Kosovën në hartën e botës si çështje të drejtë, të arsyeshme e të domosdoshme.
Abdixhiku nënvizoi gjithashtu rolin e Rugovës në themelimin e LDK-së dhe shtetformimin e Kosovës.
“Kur u bë thirrja e madhe e vitit ’89, ai e la letërsinë për t’u bërë mburojë e një kombi. Nga aty lindi LDK-ja. Dhe nga LDK-ja, lindi rruga e shtetformimit modern shqiptar në Kosovë”, tha ai.
Kreu i LDK-së theksoi se kjo është arsyeja pse Rugova ka vetëm ditëlindje.
“Sepse drita e tij nuk fiket; historia e tij nuk harrohet; rruga e tij nuk tjetërsohet”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/
TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përkujtoi sot në 81-vjetorin e lindjes ish-presidentin e parë të Kosovës, Dr.Ibrahima Rugova.
Spiropali tha se “Ibrahim Rugova ishte një prijës politik e shpirtëror misionar”.
“Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet. Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme”, theksoi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se “Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie. Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës”.
“Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar. Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon. Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur”, tha Spiropali.
Dr.Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë të Istogut dhe u diplomua në gjuhë e letërsi shqipe në Prishtinë. Kreu specializim në Paris dhe doktoraturën në Prishtinë në fushën e letërsisë. Për dy dekada punoi si studiues pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, një qendër e rëndësishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav.
Hyri në politikë në vitin 1989 si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku krijoi bazat ligjore për pavarësinë e vendit. U zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në 1992 dhe rizgjodh në 1998.
Pas luftës së vitit 1999 u kthye nga Roma për të ndihmuar në ngritjen e institucioneve. U zgjodh President i Republikës së Kosovës në 2002 dhe u rizgjodh në 2004, duke ushtruar detyrën deri më 21 janar 2006, kur u nda nga jeta.
Në 81-përvjetorin e Ibrahim Rugovës, ministrja Elisa Spiropali ka ndarë një mesazh përkujtimor për ish-Presidentin e Kosovës. Spiropali kujton se qysh në fëmijëri Ibrahim Rugova i ishte shfaqur si një figurë profetike, ndërsa më vonë e kishte kuptuar se ai “nuk ngjante me askënd tjetër”. Mesazhi i Spiropalit: Ibrahim Rugova Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham…
Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali ka përkujtuar presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova në 81-vjetorin e lindjes.
Spiropali në një shkrim në Facebook thekson se presidenti Rugova nuk ngjante me askënd, nuk çirrej, nuk mburrej e nuk denigronte kundërshtarët, ishte prijës politik e shpirtëror.
Lexoni të plotë postimin e ministres Spiropali:
Ibrahim Rugova
Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet.
Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.
Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi.
Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie.
Rugova nuk udhëhiqej nga turmat.
Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës.
Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar.
Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon.
Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdije atdhetare të palëkundur.
Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë. /Telegrafi/
Rugova e Pejës është zbardhur sot nga bora, duke krijuar pamje të bukura dimërore.
Qytetarët dhe banorët e asaj pjese kanë publikuar pamjet që ka marrë ku vend nga reshjet e para.
Rugova, e cila njihet për bukuritë e saj natyrore dhe për kanionin e thellë, ofron gjithmonë një pamje të bukur gjatë stinës së dimrit, duke u bërë kështu si vend i preferuar për shumë vizitorë qoftë vendor por edhe të huaj, për të kaluar pushimet dimërore por edhe për të shijuar skijimin.
Kujtojmë se meteorologët për sot kanë paralajmëruar reshje bore në viset malore për shkak të rënies së temperaturave. /Telegrafi/
PRISHTINË, 10 nëntor/ATSH/ Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot rifilluan seanca e planifikuara për rastin Thaçi dhe të tjerët.
Anulimi i seancave të mëparshme ishte bërë për shkak të shtyrjes së dëshmisë së diplomatit amerikan, Christopher Hill.
Diplomati amerikan, Christopher Hill tha se me çështjen e Kosovës filloi të merrej me kërkesën e ish sekretares amerikane, Madeline Albright.
“Së pari jam përfshirë [në çështjen e Kosovës] nga SHBA në maj të vitit 1998, mora telefonat nga Madeline Albright që më kërkoi të merrja përsipër postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë, ku i raportoja sekretares së shtetit, Madeline Albright. E kuptova rolin tim që ne duhet të ofronim mbështetje dhe zgjidhje politike dhe duhet të ndihmonim të zbrasnim forcat atje nga dhuna në rritje, jam përpjekur me kolegët që në fillim fare të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë që të rikthehej autonomia e Kosovës dhe në mënyrë të tillë që të kishte qeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, tha fillimisht ai.
Tutje ai tha se SHBA e kishte të rëndësishme zgjidhjen e çështjes së Kosovës pasi aleatët evropianë ishin të shqetësuar për mundësinë e shpërthimit të konfliktit në kontinent.
“Është gjithmonë e preferueshme të gjendet zgjidhje politike, por në këtë rast ishte e rëndësishme sepse aleatët ishin të shqetësuar për shpërthim të dhunës përsëri në kontinent dhe donin këmbënguljen që të arrihej zgjidhje politike, për këtë arsye kemi punuar ngushtë me evropianët. Grupi i kontaktit ishte mekanizëm koordinues ku përfshiheshin interesat e Rusisë, SHBA dhe evropianët, nuk përfshinte të gjitha shtetet evropiane, përfshinte; Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe më vonë edhe Italinë pasi kishte interes të madh në Ballkan për shkak të afërsisë gjeografike. Grupi i kontaktit kishte nivele të ndryshme. Puna ime e përditshme ishte leximi i raporteve të shtypit dhe koordinimin me palët e tjera të interesuara përtej grupit të kontaktit.
Gjatë dëshmisë së tij, Hill tha se në Kosovë kryesisht kontaktonte me ish-Presidentin, Ibrahim Rugova teksa në Serbi me atë serb, Sllobodan Millosheviq.
“Ishte e rëndësishme të bisedojmë me palë të ndryshme që do ishin pjesë e zgjidhjes së problemit, kam kaluar shumë kohë në përpjekje për të komunikuar qoftë nga pala serbe apo nga ana e Kosovës. Nga pala serbe kam kontaktuar me ish presidentin serb dhe ekipin e tij, nga pala serbe ishte shumë e kufizuar ishte kryesisht Millosheviq. Kjo në atë kohë ka qenë sfidë e madhe [kontakti me autoritete në Kosovë], nuk ishte problemi që të gjendej dikush që kishte mendim, por dikush që kishte autoritet, një prej personave ishte kryetari i LDK-së. Ibrahim Rugova kishte pasur pozitë udhëheqje në Kosovë edhe pse ishte pozitë jo-formale, por kishte mbajtur këtë pozitë për një dekadë. U takova me atë në vitin 1999 dhe ai ishte një udhëheqës në Kosovë i mirëpranuar, por përkundër Serbisë, Presidenti Rugova nuk ishte personi i vetëm me të cilin mund të bisedohej në Kosovë sepse nuk përfaqësonte të gjitha pikëpamjet. Në Serbi ishte vetëm një person më të cilin ne komunikonim, kjo situatë nuk pasqyrohej në Kosovë. Në Kosovë kishte diskutime, këto ishin diskutime që unë kam bërë me Presidentin Rugova, por nuk ishin të mjaftueshme për të kuptuar pozitën e Kosovës. Ambasadori Holbrooke ndihej i frustruar që vazhdonte të kishte probleme në Ballkan pas Deytonit, ai mendonte që duhej të angazhohej në një mënyrë apo tjetrën për të gjetur zgjidhje dhe më dha shumë këshilla, ai këshilloi edhe sekretaren Albright. Ishte jashtëzakonisht aktiv kishte mendime dhe shumë prej tyre ishin të vlefshme”, tha ai.
Tutje, diplomati amerikan dha detaje edhe mbi takimin e ish-presidentit Rugova me Millosheviqin në Beograd.
Hill tha se ky takim ishte kërkesë e ambasadorit Holbrooke teksa tha se Rugova nuk ishte në pozitë për të refuzuar menjëherë sugjerimet e ambasadorit.
Sipas tij, ky takim i Rugovës i bëri dëm atij pasi në shoqëri ishte krijuar përshtypja se ai nuk po arrinte progres në raport me Serbinë.
“Kjo ishte hera e parë kur ambasadori Holbrooke shkoi në Prishtinë. Unë shkova me të dhe ne u ulëm me Presidentin Rugova, edhe pse nuk e kishim menduar paraprakisht, ambasadori mendoi që do ishte ide e mirë që Presidenti Rugova të takohej me Millosheviçin në Beograd sepse shpresonte që ky takim do të zgjidhte shumë probleme, unë isha më skeptik. Takimi ndodhi në Beograd në fund të majit apo fillim të qershorit. Mendoj që kjo e dëmtoi atë sepse nuk mendoi që kishte mendim të fuqishëm në Kosovë se takimi me Millosheviçin mund të ndihmonte për situatën në Kosovë, ai ishte i shqetësuar por nuk donte të gjendej në situatën ku refuzonte sugjerim nga ambasadori. Rugova ishte udhëheqësi joformal i gjithë Kosovës dhe mendoi që kundërshtimi ndaj tij po rritej sepse kishte përshtypje që ai nuk po arrinte progres. Ai po kalonte një moment të vështirë për të legjitimuar udhëheqjen e tij dhe ndjenja e arritjes së diçkaje në raport me Serbinë, sepse Bosnja kishte rrugëdalje falë marrëveshjes së Deytonit”, tha Hill. /Kosovapress/
Gjykata e Apelit – Departamenti Special, ka refuzuar sot si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale dhe ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e njohur si “Ukë Rugova I”, të datës 30 qershor 2023.
Sipas njoftimit, Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje procedurale dhe se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë ekzistencën e provave që do të vërtetonin fajësinë e të akuzuarve përtej çdo dyshimi.
Me këtë vendim, mbeten në fuqi lirimi nga akuzat për veprat penale: krim i organizuar (neni 283 paragrafi 2 KPRK) dhe kontrabandim me migrantë (neni 170 paragrafi 1 dhe 2 KPRK). Të liruar nga këto akuza janë Ukë Rugova, Izet Beqiri, Qefser Baholli dhe A.H.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur më parë të akuzuarit fajtorë vetëm për veprën penale të mbajtjes, kontrollit ose posedimit të paautorizuar të armëve (neni 374 paragrafi 1 të KPRK), duke i dënuar veç e veç me gjobë prej 6,000 eurosh, të cilën ata duhet ta paguajnë brenda 15 ditëve pas marrjes së aktgjykimit të prerë.
Në arsyetim, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar të gjitha provat e administruara dhe ka dhënë arsye për çdo dëshmi të marrë, duke konstatuar se nuk ka prova që të vërtetojnë kryerjen e veprave penale për të cilat të akuzuarit ishin gjykuar.
Gjykata e Apelit thekson se nuk ka shkelje procedurale që do të justifikonin anulimin e aktgjykimit ose kthimin e çështjes në gjykatën e parë.
Me këtë vendim, çështja konsiderohet përfundimisht e mbyllur për të pandehurit e liruar nga akuzat për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.
Rambuje, Vjenë, Bruksel - tri qytete, tri procese, tri përpjekje për të vendosur fatin e Kosovës.
Dy të parat, për t’i dhënë fund luftës dhe për të zgjidhur statusin, sollën rezultate të prekshme, pavarësisht refuzimeve të Serbisë; e treta, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, prej vitesh mbetet në vendnumëro.
Dialogu mes tyre për këtë qëllim nisi zyrtarisht në vitin 2011. Qeveria e Kosovës e pranoi atë si obligim ndërkombëtar, pas votimit të një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2010.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, takimi i parë u mbajt më 9 mars, 2011. Delegacionin e Kosovës e udhëhiqte Edita Tahiri, ndërsa atë të Serbisë Borisllav Stefanoviq.
Negociatat mes palëve përgjatë muajve prodhuan disa marrëveshje - nga lëvizja e lirë deri te menaxhimi i kufirit dhe çështjet kadastrale.
Ndonëse ishte paralajmëruar se do të bisedohej vetëm për çështje teknike, procesi kaloi në nivel politik në vjeshtë të vitit 2012. Takimi i parë mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, u zhvillua më 19 tetor.
Dhe, më pak se gjashtë muaj më vonë, ata arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve - një moment që ndërmjetësuesja e BE-së, Catherine Ashton, e përshkroi si “hap më afër Evropës”.
“Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme se ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe një hap më afër Evropës”, tha Ashton.
Nga ajo kohë kanë kaluar mbi 12 vjet. Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri të negociatave për anëtarësim që prej vitit 2021.
Gjatë këtyre viteve, palët zhvilluan dhjetëra takime - shpeshherë të gjata maratonë. Si negociatorët, ashtu edhe ndërmjetësuesit u ndërruan, por shumica e marrëveshjeve të arritura, nuk u zbatuan kurrë plotësisht ose fare.
Tensionet, akuzat dhe fajësimet nuk munguan gati në asnjë periudhë dhe kulmin e arritën në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një rreshter.
Incidenti u përshkrua si më i rëndi që nga paslufta dhe bëri që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tani në detyrë, të refuzojë edhe sot e kësaj dite çdo takim të nivelit të lartë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha ai në një mbledhje të Qeverisë, vitin e kaluar.
Qeveria e Kurtit është në detyrë prej disa muajsh. Këtë javë, ai u pyet nga mediat serbe nëse, pas formimit të Qeverisë, ekziston ndonjë plan për vazhdimin e dialogut. Ai theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj normalizimit të marrëdhënieve, por përsëriti se çdo hap përpara është i lidhur ngushtë me dorëzimin e Radoiçiqit dhe me zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve - e arritur mes tij dhe Vuçiqit në shkurt të vitit 2023.
“Duket se kjo nuk do të ndodhë shpejt, sepse Serbia, për fat të keq, po shndërrohet në një Bjellorusi të dytë në Evropë. Nëse Kremlini ka në verilindje Bjellorusinë, në juglindje të Evropës, fatkeqësisht, ka Serbinë”, tha Kurti.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në deklarata publike shfaqet i hapur për dialog, por, njëkohësisht, përsërit qëndrimin se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Për ish-diplomatin Ylber Hysa, qëndrimi refuzues dhe konfrontues i Serbisë është i njohur që nga negociatat e Rambujesë dhe ato të Vjenës, ku ai vetë ishte pjesë e delegacionit kosovar.
Dialogun aktual, Hysa e sheh vetëm si vazhdimësi të këtyre proceseve dhe thekson se Kurti duhej të tregonte më shumë këmbëngulje, duke pasur parasysh se gjenerata e mëparshme e negociatorëve krijoi një realitet të pakthyeshëm - Kosovën e pavarur - pavarësisht kërcënimeve, madje edhe ekzistenciale, për popullin e Kosovës.
“Zoti Kurti duket se ka dashur të blejë kohë, nga frika se mund të pranonte diçka, që do ta sfidonte perceptimin e tij politik si i vetmi lider që i kundërshtonte të gjitha ato rrugëtime të dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai e ka pasur konceptin e tij të Vetëvendosjes, në kuptimin që vetë vendos. Dhe, mbase kjo ka qenë një barrë politike për të, për të ecur përpara”, thotë Hysa.
Në Prishtinë ka ndërruar jetë Fadil Rugova, pedagog, profesor dhe veteran i arsimit, një ndër arsimtarët më të dalluar të brezit të tij.
Fadil Rugova ka lindur në Durrës më 1935 dhe ishte ndër mësuesit e parë të shkollave shqipe pas Luftës së Dytë Botërore në rajonin e Pejës.
Shkollën Normale e kreu në Prishtinë, ndërsa studimet universitare në Universitetin e Shkupit, në drejtimin e pedagogjisë.
Gjatë karrierës së tij, Rugova ka shërbyer si drejtor i Shkollës Normale në Pejë dhe më vonë si këshilltar arsimor në Entin për Arsim dhe Pedagogji të Prishtinës.
Më 6 tetor 1990 ai u largua dhunshëm nga puna, në një periudhë të vështirë për arsimtarët shqiptarë në Kosovë.
Ai ka lënë pas vetes bashkëshorten, vajzën dhe dy djemtë, si dhe pesë nipër e mbesa.
Sipas njoftimit të familjes, varrimi do të mbahet të premten, më 24 tetor 2025, në varrezat e Prishtinës, nga ora 15:00.
Ndërsa e pamja mbahet të shtunën dhe të dielën, më 25 dhe 26 tetor, në Hotelin Grand, nga ora 09:00 deri në 16:00.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar premtimet kryesore në përmbyllje të fushatës.
Ai ka përmendur Unazën e jashtme, Spitalin e Prishtinës, Fshatin Olimpik e Memorialin për Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin.
“Në mandatin e dytë, do ta çojmë Prishtinën PËRTEJ! Në mandatin e ri, ne do të shkojmë përtej çdo pengese. Sepse projektet që kanë nisur nuk ndalen: Ato do të bëhen realitet. Do ta bëjmë Unazën e Jashtme të qytetit – projektin që do t’i japë frymë trafikut të qytetit. Do ta ndërtojmë Spitalin e Kryeqytetit - që do të kujdeset vetëm për qytetarët tanë".
"Do ta zgjerojmë Mësimin Tërëditor - në të gjitha shkollat e kryeqytetit, do ndërtojmë shkolla moderne, çerdhe të reja, qendra sociale dhe hapësira për fëmijë. Do ta hapim Fshatin Olimpik - zemrën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Do ta realizojmë Platformën e Arbërisë që lidh qendrën me lagjen më të re, nënkalimin e Agim Ramadanit, dhe Pasarelën Grand–Pallati i Rinisë – për ta kthyer qendrën në hapësirë të këmbësorëve e të jetës urbane”, tha Rama.
Ai theksoi se Prishtina do të shkojë përtej të sotmes, drejt së ardhmes.
“Do ta ndërtojmë Parkun “Bardha”, parkun më të madh në 25 vitet e fundit. Dhe do të nderojmë historinë me Parkun Memorial “Ibrahim Rugova” dhe Memorialin “Adem Jashari”. Do ta ndërtojmë Qendrën e Teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, për t’i dhënë të rinjve hapësirë, dije dhe mundësi. Ky është vizioni ynë: Prishtina përtej së sotmes, drejt së ardhmes”, tha Rama.
Në Podujevë ka nisur ndërtimi i dy anekseve të reja shkollore, që do të shtojnë ndjeshëm kapacitetet për nxënësit e qytetit. Gurthemeli për ndërtimin e aneksit të Shkollës “Ibrahim Rugova” dhe “Enver Maloku” u vendos sot në dy ceremoni të ndara, ku morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, drejtori për Arsim, Avni Fetahu, stafi pedagogjik, nxënës dhe prindër, përcjell Telegrafi.
Kryetari Bulliqi tha se ky është një investim i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit në komunë, duke theksuar se qëllimi kryesor është krijimi i kushteve për mësim gjithëditor dhe cilësi më të lartë në procesin edukativo-arsimor.
“Me këto projekte po zgjerojmë kapacitetet shkollore dhe po përmirësojmë cilësinë në arsim, sepse besojmë se investimi më i vlefshëm që mund të bëjmë është ai në arsim dhe në fëmijët tanë", tha Bulliqi.
Sipas njoftimit nga Komuna, vlera e përgjithshme e investimit është rreth 1.2 milionë euro, dhe financohet plotësisht nga buxheti komunal.
Ndërkohë, javën e kaluar ka filluar ndërtimi edhe i aneksit të Shkollës “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë të Epërme, duke e bërë këtë periudhë ndër më intensive për investime në infrastrukturën arsimore në Podujevë. /Telegrafi/
Fillimi i tetorit ka shënuar një rënie të ndjeshme të temperaturave, ndërsa në disa vende të Kosovës kanë pasur edhe reshje bore.
Meteorologu Mendim Rugova ka thënë se reshjet e borës që kanë filluar më 3 tetor në Prishtinë, shënojnë datën më të hershme të regjistruar për reshje bore në këtë rajon, transmeton Telegrafi.
“3.10.2025 - Me një shtresë prej 10cm borë, data e 3 tetorit është më e hershmja përgjatë muajit tetor në Prishtinë ku reshjet e dëborës formojnë një shtresë. Deri më tani 7 tetori i 2017-ës ishte dita më e hershme që bie borë në Prishtinë dhe formon shtresë, dhe atë vetëm prej 1cm”, thotë Rugova, përmes një postimi në Facebook.
Ai ka shkruar se kjo shtresë e sotme prej 10cm, është më e larta, pra rekorde për muajin tetor.
“Më 1997 e 2003 kishte pasur shtresa dëbore, por vetëm prej 4cm, dhe atë krejt nga fundi i tetorit, më 28 tetor 1997, dhe 27 tetor 2003. Patjetër që shkaku i topografisë së Prishtinës, trashësia e borës mund të ndryshojë, meqenëse në pjesë më të ulëta, shtresa mund të jetë më e ulët”, ka pohuar ai.
Moti me shi dhe reshje bore do të vazhdojë deri javën e ardhshme, ndërsa më pas pritet një rritje e temperaturave. /Telegrafi/
Një tjetër ngjarje e rëndë me protagonistë të rinj ka ndodhur diten e sotme pranë ambienteve të gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz. Një konflikt mes nxënësve është përshkallëzuar në një përplasje të dhunshme fizike, e cila ka ndodhur në rrugë, shumë pranë hyrjes së shkollës.
Sipas raportimit nga gazetari Besar Bajraktaraj për Klan News, dy nxënës janë plagosur si pasojë e përdorimit të sendeve të forta dhe të mprehta, çka e ka bërë përplasjen edhe më të rrezikshme dhe ka alarmuar banorët e zonës dhe komunitetin shkollor.
Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites, në një orar të afërt me mësimin, ndërsa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes tregojnë për një përplasje të nisur fillimisht me fjalë, që më pas ka degjeneruar në dhunë fizike, ku janë përdorur objekte të rrezikshme.
Dy nxënësit e plagosur janë transportuar menjëherë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e tyre është e qëndrueshme, edhe pse njëri prej tyre ka marrë plagë më serioze në pjesën e barkut.
Policia mbërriti me urgjencë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e përplasjes. Të dy nxënësit e përfshirë janë identifikuar, ndërsa po hetohet nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë apo nxitës të konfliktit.
Me shallin e tij karakteristik prej mëndafshi të mbështjellë rreth qafës së tij të dobët, një vijë tymi që dilte nga cigarja gjithmonë e pranishme në dorën e tij të njollosur me nikotinë, Ibrahim Rugova ishte për vite me radhë një figurë shumë e njohur, megjithëse enigmatike, për gazetarët dhe diplomatët që vizitonin Kosovën. I […]
Nga Albert Vataj Në tetor të vitit 1989, qyteti i Nju Jorkut u bë skenë e një ngjarjeje të veçantë kulturore dhe akademike që mbledhi figura të shquara të diasporës shqiptare dhe intelektualë nga trojet shqiptare: Seminari për 300-vjetorin e vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, një prej figurave më të ndritura të historisë, letërsisë dhe mendimit shqiptar. Në një imazh të rrallë të asaj kohe…