Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Bie masivi shkëmbor, bllokohet rruga nacionale Dragash–Shishtavec

15 January 2026 at 16:17


Si pasojë e shkarjes së një masivi shkëmbor në afërsi të fshatit Krushev, në territorin e Republikës së Kosovës, është bllokuar rruga nacionale Dragash–Shishtavec.

Sipas informacioneve nga terreni, shkarjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht të dy korsitë e lëvizjes, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.

Situata paraqet rrezik për sigurinë e mjeteve që kalojnë në këtë segment, pasi në këto momente janë rritur temperaturat duke shkaktuar shkrirje të borës e akullit por edhe të shkëputjes së shkëmbinjve, raporton Top Channel

Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka dalë në vendngjarje dhe ka vendosur konët e bllokimit, duke sinjalizuar ndalimin e qarkullimit dhe duke parandaluar kalimin e mjeteve në zonën e rrezikuar.

Po ashtu, pritet ndërhyrje për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit shkëmbor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë aks rrugor dhe të përdorin rrugë alternative, deri në një njoftim të radhës për normalizimin e qarkullimit.

Kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës, pasi lidh fshatrat Krusheva dhe Restelica, si dhe shërben si aks drejt pikës kufitare Krushev–Shishtavec.

Vazhdojnë punimet për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në Bresanë të Dragashit

22 December 2025 at 08:42


Punimet për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në fshatin Bresanë vazhduan edhe gjatë fundjavës, në kuadër të angazhimeve të Komunës së Dragashit për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe kujdesit ndaj fëmijëve.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka vizituar nga afër ecurinë e punimeve, duke theksuar rëndësinë që ky projekt ka për komunitetin lokal dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja.

“Nuk ka pushim kur punohet për të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe sot, në ditë vikendi, vizitova punimet në ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në fshatin Bresanë”, ka shkruar Xheladini.

Sipas tij, ndërtimi i çerdhes do të krijojë kushte më të mira për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve, si dhe do t’u lehtësojë familjeve qasjen në shërbime cilësore të kujdesit parashkollor.

Komuna e Dragashit ka theksuar se investimet në arsim dhe në kujdesin ndaj fëmijëve mbeten prioritet, me synim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tyre. /Telegrafi/


Komuna e Dragashit nënshkruan memorandum për menaxhimin e pyllëzimeve në Restelicë

19 December 2025 at 08:10


Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se sot është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për monitorimin dhe menaxhimin e pyllëzimeve dhe infrastrukturës përcjellëse në Zonën Kadastrale të Restelicës.

Memorandumi është nënshkruar në bashkëpunim me përfaqësues të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”. Ky bashkëpunim synon menaxhim më të qëndrueshëm dhe mbrojtje më efikase të zonave të pyllëzuara, si dhe të infrastrukturës përkatëse në këtë pjesë të komunës.

Gjatë takimit, kryetari Xheladini u zotua se Komuna e Dragashit do t’i përmbushë me përgjegjësi të plotë të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje, përcjell Telegrafi. Po ashtu, palët diskutuan për situatën aktuale në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe për mundësitë e shfrytëzimit të zonave të caktuara si potencial për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe projektit të pyllëzimit të zonës së Restelicës, e cila ishte e rrezikuar nga ortekët. Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), ndërsa monitorimi dhe menaxhimi i tij do të bëhet në bazë të memorandumit të nënshkruar.

Kryetari i Dragashit ka falënderuar të gjitha institucionet e përfshira për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunës. /Telegrafi/


Ndërpritet përkohësisht furnizimi me ujë në Dragash

10 December 2025 at 15:05


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar konsumatorët e Dragashit se është detyruar të ndërpresë përkohësisht furnizimin me ujë të pijes në qendrën e qytetit, si pasojë e disa defekteve të shumta të shkaktuara nga një operator ekonomik.

Sipas kompanisë, defektet kanë bërë që niveli i ujit furnizues të bjerë nën minimumin e lejuar, çka ka rrezikuar furnizimin me ujë në zonat e tjera të qytetit. Për këtë arsye, ndërprerja e përkohshme është konsideruar e domosdoshme.

KRU “Hidroregjioni Jugor” bën të ditur se furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas sanimit të plotë të defekteve nga operatori përgjegjës, ndërsa u kërkon qytetarëve mirëkuptim deri në normalizimin e situatës. /Telegrafi/


Arinjtë largohen nga fshati Bellobrad i Dragashit, zona shpallet e sigurt

17 November 2025 at 12:41


Pas disa raportimeve për paraqitjen e arinjve në fshatin Bellobrad të Dragashit dhe zonat përreth, banorët janë përballur me shqetësim të shtuar, veçanërisht prindërit e nxënësve të shkollës së fshatit.

Ankesa zyrtare e paraqitur nga drejtori i shkollës ka vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse.

Policia e Kosovës, përmes Stacionit Policor në Dragash, ka reaguar menjëherë duke shtuar patrullimet në zonë dhe duke koordinuar veprimet me institucionet kompetente, përfshirë: Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri”, Drejtorinë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër”.

Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” ka konfirmuar se operacioni për largimin e arinjve ka përfunduar me sukses.

Sipas tyre, arinjtë janë rikthyer në habitatin e tyre natyror në pyje, ku janë ushqyer dhe stabilizuar, duke eliminuar rrezikun e rikthimit në zonat e banuara.

Policia njofton se situata tashmë është e sigurt dhe banorët e Bellobradit mund të qarkullojnë pa pasur shqetësime. Ajo falënderon të gjitha institucionet dhe shoqatën e gjuetarëve për bashkëpunimin dhe reagimin e shpejtë që mundësoi zgjidhjen e këtij rasti./Telegrafi/

Bexhet Xheladini, kryetari me më së shumti vota të diasporës

15 November 2025 at 16:22


Bexhet Xheladini, kryetari i Dragashit është kandidati më i votuar nga diaspora në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Xheladini i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka siguruar plot 873 vota, duke lënë pas vetes kandidatët për kryetar të 17 komunave të tjera që shkuan në balotazh më 9 nëntor.

Sipas rezultatit të përmbledhur të KQZ-së, Bexhet Xheladini ka fituar 59.19% të të gjitha votave, duke mposhtur kështu Shaban Shabanin e PDK-së, me të cilin ishin në garë për të parin e Dragashit.

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj një zyrtari komunal të Dragashit

13 November 2025 at 11:57


Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 7 shtator 2021, në Dragash, A.S., në cilësinë e referentit pranë Zyrës Kadastrale të Drejtorisë për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtjen e Mjedisit të Komunës së Dragashit, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim përfitimi ose shkaktimi të dëmshëm për personin tjetër, përcjell Telegrafi.

Ai ka regjistruar pa bazë ligjore ngastrat kadastrale P-457, P-1478 dhe P-2138 të fshatit Brezne, që i përkisnin qytetarit D.B., në emër të qytetarit H.B., duke i lëshuar këtij të fundit certifikatën e pronësisë më 7 shtator 2021, në kundërshtim me certifikatën ekzistuese të pronësisë të datës 14 gusht 2018 të lëshuar për D.B.

Në aktakuzë thuhet se më 2 nëntor 2021, A.S. përgatiti një shpjegim me shkrim për Gjykatën, të cilin e nënshkroi dhe e vulosi me vulën zyrtare të autoritetit kadastral, pa protokollimin e nevojshëm, duke paraqitur sqarime për veprimet e tij dhe duke i shkaktuar dëmtuarit D.B. dëm në vlerën prej 250,000 euro.

Aktakuzën e ka bërë publike Prokuroria Themelore e Prizrenit, duke theksuar rëndësinë e ndjekjes ligjore të rasteve të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mbrojtjen e pronës së qytetarëve. /Telegrafi/

Qytetarët kërkojnë intervenim urgjent për largimin e arinjve nga fshati Bellobrad i Dragashit – flasin nga policia

12 November 2025 at 14:08


Prania e arinjve në fshatin Bellobrad të komunës së Dragashit ka shkaktuar shqetësim të madh tek banorët lokalë, duke u kthyer në një situatë serioze për sigurinë e tyre.

Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Sezai Surroi” në Bellobrad i është drejtuar zyrtarisht Policisë së Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e masave urgjente, pas raportimeve për shfaqjen e disa arinjve në afërsi të zonës së banuar.



Në kërkesën e dërguar nga drejtoria e shkollës thuhet se këto kafshë të egra po përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për nxënësit, stafin arsimor dhe gjithë banorët e fshatit, sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites, kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla.

“Në emër të ShFMU ‘Sezai Surroi’ në Bellobrad, ju drejtohemi me këtë kërkesë që të ndërmerrni masa të menjëhershme sigurie për eliminimin ose largimin e arinjve që janë shfaqur në territorin e fshatit tonë. Prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e shkollës sonë, për stafin arsimor si dhe për të gjithë banorët e fshatit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla”, thuhet në kërkesë.

Ndërkohë, në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar pranimin e kërkesës dhe ka sqaruar se ajo është përcjellë tek Kuvendi Komunal i Dragashit dhe Ministria e Ambientit.

“Është pranuar një kërkesë nga shkolla në Bellobrad. Edhe pse kjo çështje nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të Policisë, ne do të dërgojmë patrullime të shpeshtuara në zonë. Kërkesa i është përcjellë Kuvendit Komunal të Dragashit dhe Ministrisë së Ambientit”, ka deklaruar Bytyqi. /Telegrafi/


Shtyhet afati për aplikim për bursa studentore në Dragash

11 November 2025 at 17:13


Për shkak të interesimit të madh të studentëve, Drejtoria për Arsim në Komunën e Dragashit ka njoftuar se është shtyrë afati për aplikim për bursa studentore.

Sipas njoftimit të drejtorisë, vendimi është marrë pas numrit të lartë të aplikimeve dhe kërkesave të pranuara gjatë ditëve të fundit, me qëllim që t’u mundësohet të gjithë studentëve të komunës të përfitojnë nga kjo mundësi.

“Afati i ri për aplikim është caktuar deri të premten, më datën 14 nëntor 2025. Ftojmë të gjithë studentët e komunës sonë që ende nuk kanë aplikuar, të shfrytëzojnë këtë mundësi për të dorëzuar dokumentacionin brenda afatit të zgjatur” thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Arsim.

Ky program i bursave ka për qëllim mbështetjen e studentëve të Komunës së Dragashit në vijimin e studimeve universitare dhe përmirësimin e mundësive të tyre akademike.

Drejtoria për Arsim ka theksuar se përzgjedhja e përfituesve do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në konkursin publik. /Telegrafi/


Organizohet ngjarja “Aplikim për skema të granteve dhe hapja e biznesit” në Dragash

10 November 2025 at 08:07


Komuna e Dragashit, në bashkëpunim me organizatat “ASB” dhe “WEntrepreneur”, do të mbajë nesër ngjarjen informuese me temën “Aplikim për skema të granteve dhe hapja e biznesit”.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Përkrahja e Integrimit të Grave në zonat rurale të Kosovës – WIntegra”, i cili financohet nga Komisioni Evropian dhe synon të fuqizojë gratë në zonat rurale përmes mbështetjes në ngritjen e bizneseve dhe qasjes në grante zhvillimore, përcjell Telegrafi.

Ngjarja do të mbahet të martën, më 11 nëntor 2025, në orën 12:00, në Qendrën për Angazhimin e Komuniteteve në Dragash.

Pjesëmarrëset do të kenë mundësi të informohen rreth mundësive të aplikimit në skema grantesh, mënyrave të mbështetjes financiare për nisma të reja biznesore, si dhe këshillimit për zhvillimin e bizneseve të qëndrueshme.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të Komunës së Dragashit dhe partnerëve ndërkombëtarë për të nxitur pavarësinë ekonomike të grave dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zhvillimin lokal. /Telegrafi/


Po finalizohet Amfiteatri në Bellobrad të Dragashit

30 October 2025 at 23:33


Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka vizituar sot nga afër disa nga projektet infrastrukturore që janë në fazën përfundimtare të realizimit.

Gjatë vizitës në terren me inxhinierët komunalë, kryetari Xheladini përcolli punimet në projektin e Amfiteatrit në Bellobrad, i cili pritet të përfundojë gjatë javës së ardhshme. Po ashtu, ai inspektoi punimet e kubëzimeve në fshatin Bresanë, ku punimet po zhvillohen sipas planifikimeve.



“Çdo ditë e më tepër Komuna jonë po përjeton transformime të mëdha në infrastrukturë, falë projekteve që po realizohen me përkushtim të madh dhe me synim përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në çdo cep të Dragashit,” ka deklaruar Xheladini.

Komuna e Dragashit ka paralajmëruar se gjatë muajve në vijim do të përfundojnë edhe disa projekte të tjera në fushën e infrastrukturës dhe hapësirave publike, që synojnë rritjen e cilësisë së jetesës për banorët e të gjitha fshatrave të komunës. /Telegrafi/

LVV e Dragashit: Për koalicion me PDK, morëm aprovimin e kryesisë qëndrore të LVV

30 October 2025 at 20:26


Lëvizja Vetëvendosje në Dragash ka njoftuar se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahet më 9 nëntor, do të mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaban Shabani.

Në njoftimin e qendrës së Vetëvendosjes në Dragash thuhet se vendimi është marrë pas analizës së rezultatit zgjedhor dhe diskutimeve në grupin punues të partisë në Sharr, si dhe pas aprovimit nga kryesia qendrore.

“Pushteti aktual komunal në Sharr duhet të shkojë. Kjo është premisa kryesore mbi të cilën bazohet vendimi ynë”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sipas njoftimit, marrëveshjes i janë bashkuar edhe Koalicioni VAKAT, që përfaqëson komunitetin boshnjak, si dhe kandidati i pavarur nga komuniteti goran, Nedzmidin Sejdilar.

“Lëvizja Vetëvendosje! në Sharr, duke ruajtur në mënyrë të pakompromis parimet e saj, do të kontribuojë që në këtë proces zgjedhor t’i ndërpritet mandati i dytë një qeverisjeje që nuk i ka sjellë asnjë dobi qytetarëve, por i ka varfëruar dhe ka pasur tendenca për të sunduar me ta, e jo për t’u shërbyer”, përfundon reagimi i degës së LVV-së në Sharr.


PDK e Vetëvendosje koalicion për balotazh në Dragash

30 October 2025 at 19:29


Pas një procesi konsultimesh dhe bashkëbisedimesh, është arritur marrëveshja e koalicionit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Dragashit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV), Koalicionit Vakat dhe kandidatit të pavarur Nedzmidin Sejdilar.

Sipas njoftimit të kandidatit të PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, para arritjes së marrëveshjes është bërë harmonizimi i programeve dhe parimeve qeverisëse, të cilat do të shërbejnë si bazë për një qeverisje të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve të komunës.

“Kjo marrëveshje është dëshmi e bashkëpunimit për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe në interes të përbashkët të secilit qytetar, pa dallim”, ka deklaruar Shabani.

Ndryshe nga raundi i parë i zgjedhjeve në Dragash prin kandidati i LDK-së Behxhet Xheladini me 45.62% i cili kishte koalicion parazgjedhor me SDU-në e Duda Baljes./Telegrafi/

Dy arinj futen në një depo ushqimore në Dragash - pronari i xhiron momentet e pazakonta

26 October 2025 at 08:34


Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmë në komunën e Dragashit, ku dy arinj janë parë duke hyrë në një depo ushqimore.

Sipas pronarit të depos, ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur ai kishte dëgjuar zhurma të çuditshme që vinin nga ambientet e jashtme.

Pasi doli për të parë çfarë po ndodhte, ai vërejti dy arinj të mëdhenj, të cilët kishin arritur të futeshin brenda hapësirës ku mbaheshin produktet ushqimore.

Pronari ka arritur t’i xhirojë arinjtë teksa lëviznin nëpër depo dhe më pas dilnin jashtë saj. /RTK/Telegrafi/


Përfundon numërimi i votave me postë në Dragash, në balotazh LDK-PDK

18 October 2025 at 18:45


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar tashmë numërimin edhe të votave me postë jashtë Kosovës për disa komuna.

Një nga këto komuna është ajo e Dragashit.

Nga rezultatet, kjo komunë do të shkojë në balotazh, pasi që asnjëri nga kandidatët s’ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u shpallur fitues në raundin e parë.

Duhet shtohet se votat me kusht edhe të personave me nevoja të veçanta ende s’janë numëruar.

Rezultatet pas numërimit të votave me postë:

LDK – Bexhet Xheladini: 45.73%

PDK – Shaban Shabani: 27.95%

VV – Filiz Mustafa: 16.78%

VAKAT – Usmen Baldži: 5.21%

Nedžmidin Sejdilar: 4.33%

Numërimi i votave në Dragash drejt fundit, Xheladini i LDK-së në epërsi

12 October 2025 at 21:11


Procesi i numërimit të votave për kryetar të Komunës së Dragashit po shkon drejt fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 21:04 janë procesuar 44 nga gjithsej 57 vendvotime, që përbën 77,19% të totalit.

Rezultatet preliminare tregojnë se në krye të garës është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bexhet Xheladini, me 44,64% të votave, apo 3,624 vota të numëruara deri tani.

Në vendin e dytë ndodhet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaban Shabani, me 24,62% (1,999 vota), ndërsa pas tij renditet kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Filiz Mustafa, me 16,89% (1,371 vota).

Në vijim janë:

Usmen Baldži (Koalicija Vakat) – 7,33% (595 vota)

Nedžmidin Sejdilar – 6,52% (529 vota)

Numërimi i votave në Dragash pritet të përfundojë së shpejti, ndërsa KQZ do të publikojë rezultatet e plota pas përpunimit të të gjitha kutive të mbetura.

Vdes një grua në Dragash pas shpërthimit të një bombole gazi

10 October 2025 at 09:42


Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në komunën e Dragashit, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi brenda shtëpisë së saj.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është regjistruar rreth orës 18:20 në një nga fshatrat e komunës. Viktima, shtetase kosovare, ka mbetur pa shenja jete pas shpërthimit që ndodhi në dhomën ku ajo po qëndronte, përcjell Telegrafi.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. /Telegrafi/

Në Dragash shënohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave: Kryetari Xheladini bashkë me maturantet e ShML “Ruzhdi Berisha”

10 October 2025 at 08:16


Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, në Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash u zhvillua një aktivitet ndërgjegjësues me vajzat maturante, me pjesëmarrjen e kryetarit të komunës, Behxhet Xheladini.

Aktiviteti u organizua nga Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me qëllim promovimin e rolit të vajzave dhe grave në shoqëri, si dhe mundësive të tyre për ndërtimin e një karriere në institucione shtetërore, përfshirë edhe FSK-në, përcjell Telegrafi.



Në fjalën e tij, kryetari Xheladini uroi vajzat për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, duke theksuar angazhimin e qeverisjes lokale për avancimin e pozitës së grave dhe vajzave në Komunën e Dragashit.

“Frytet e këtij angazhimi i shohim sot kudo – nga emërimi i grave në pozita të larta politike e institucionale, e deri te përfaqësimi i tyre në administratë, arsim e shëndetësi”, tha ai.

Kryetari shtoi se komuna do të vazhdojë me zbatimin e politikave që synojnë fuqizimin e vajzave dhe grave, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike dhe politike.

Në fund, ai uroi vajzat maturante për shëndet dhe suksese në rrugëtimin e tyre profesional, duke i inkurajuar që të bëhen pjesë aktive e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilën e cilësoi si institucion që përfaqëson vlerat e sigurisë, mbrojtjes dhe shtetësisë. /Telegrafi/

Vështirësi në qarkullim shkaku i borës në disa zona të Kosovës

3 October 2025 at 10:20


Reshjet e borës gjatë natës së 3 tetorit kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore të Kosovës, raporton Telegrafi.

Ekipet e emergjencës dhe autoritetet kompetente kanë dalë në terren për të pastruar rrugët, mirëpo përveç borës, pengesë paraqesin edhe drunjtë e rrëzuar në disa segmente.

Foto: Gjilan–Preshevë

Në aksin rrugor Gjilan–Preshevë, kalimi është i vështirësuar, pasi drunjtë e rrëzuar po bllokojnë rrugën, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vetëm veturat e vogla mund të qarkullojnë.

Probleme të ngjashme raportohen edhe në rrugën Pejë–Kullë, ku përveç borës ka edhe mjegull të dendur, duke kufizuar qarkullimin vetëm për automjetet e vogla.

Foto: Dragash

Ndërkohë, në aksin Prishtinë–Mutivodë, rruga mbetet e kalueshme, por me vështirësi të mëdha.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion, të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe të pajisen me goma dimërore. /Telegrafi/

Vandalizohet për herë të dytë Çerdhja e Fëmijëve në Dragash

24 September 2025 at 10:18


Çerdhja e Fëmijëve në Dragash është bërë sërish cak i veprimeve vandaliste, vetëm katër muaj pas rastit të parë, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke shkaktuar vonesa në funksionimin e saj të rregullt.

Komuna e Dragashit ka bërë të ditur se hapësirat e brendshme të institucionit janë demoluar nga persona të papërgjegjshëm, duke dëmtuar për herë të dytë objektin që shërben për edukimin dhe kujdesin e fëmijëve, përcjell Telegrafi.

“Pas renovimit të parë, sërish ndodhi demolimi, duke sjellë pasoja materiale, financiare dhe vonesa në funksionimin e çerdhes. Ceremonia e inaugurimit, e planifikuar për këtë periudhë, tashmë është shtyrë për një kohë të pacaktuar", thuhet në njoftimin e Komunës.

Autoritetet lokale kanë njoftuar organet e rendit, duke kërkuar identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve. Ndërkohë, përmes Drejtorisë së Arsimit dhe menaxhmentit të çerdhes, janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për rikthimin e institucionit në funksion sa më shpejt që të jetë e mundur.

Komuna e Dragashit ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të siguruar kushte të denja për fëmijët dhe shpreson që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. /Telegrafi/


❌
❌