Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) dhe Air Transat kanë kënaqësinë të njoftojnë hapjen e linjës së parë direkte pa ndalesë midis Tiranës dhe Torontos, duke shënuar një moment historik për aviacionin shqiptar. Ky shërbim shënon fluturimin e parë transoqeanik nga TIA dhe lidhjen e parë ajrore direkte midis Shqipërisë dhe rajonit të Atlantikut të Veriut. […]
TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i uroi sot 89-vjetorin e lindjes të profesor Servet Pëllumbit, ish-nënkryetar i Partisë Socialiste dhe një nga figurat historike të saj.
Në mesazhin e tij, Balla vlerëson rolin drejtues të Pëllumbit në periudha të vështira për vendin, si referendumi i vitit 1994 dhe zgjedhjet e majit 1996, duke theksuar kontributin e tij në konsolidimin e jetës parlamentare dhe politike.
“Profesor Serveti e mbylli aktivitetin e tij politik si Kryetar i Kuvendit në vitin 2005, ku krijoi një model të respektuar drejtimi”, shprehet Balla, duke nënvizuar trashëgiminë institucionale dhe njerëzore që ai ka lënë pas.
Ish- kryetari i parlamentit, Servet Pëllumbi konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të së majtës shqiptare pas viteve ’90, me një rol të spikatur në jetën akademike dhe parlamentare të vendit.
TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari uroi sot drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, për zgjedhjen në detyrë.
Lamallari vlerësoi rëndësinë e SPAK, i cili ruan dhe rrit besimin e publikut përmes forcës së parimeve dhe standardeve.
“I uroj suksese Klodian Brahos në përgjegjësinë e re si drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pavarësia e prokurorëve, integriteti, maturia, profesionalizmi dhe forcimi i bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar janë vërtet sfida të vazhdueshme të një institucioni kaq të rëndësishëm për vendin, i cili ruan dhe rrit besimin e publikut përmes forcës së parimeve dhe standardeve”, theksoi ai.
Ministri i Drejtësisë shprehu po ashtu vlerësim për Altin Dumanin, për punën dhe rezultatet domethënëse gjatë drejtimit të tij.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të vijojë bashkëpunimin institucional me SPAK në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”, siguroi Lamallari.
TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, për zgjedhjen në këtë detyrë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama përgëzoi po ashtu Altin Dumanin, për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij.
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij”, u shpreh Rama.
Kryeministri siguroi se “SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”.
Drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u zgjodh sot Klodian Braho, i cili mori 7 vota. Braho u zgjodh mes 4 kandidatëve dhe do të ketë një mandat trevjeçar, duke zëvendësuar në këtë pozicion Altin Dumanin.
Në garën për kreun e SPAK u rendit i dyti me tri vota Adnan Xholi, Elvin Gokaj mori 1 votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.
Mëngjesin e 23 nëntorit, disa familjarë nga Tirana nisën një udhëtim drejt Maliqit për të marrë pjesë në një përkujtimore. Ata vendosën të kalonin nga rruga e re Qukës – Qafë Plloçë, pak javë pas ceremonisë inauguruese, ku daullet, veshjet popullore dhe buka me qiqra tipike e juglindjes ishin pjesë e festës.
Por të gjitha makinat e nisura herët u detyruan të devijonin rrugën, pasi Qafë- Plloça ishte bllokuar nga një masiv i madh shkëmbor.
“Ishim të pavendosur se nga do të kalonim për shkak të motit të keq, por në fund zgjodhëm rrugën e re,” tregon Geri, një nga udhëtarët, duke shtuar se përvojën e morën si mësim. “Nuk bëhet në mot të keq, e aq më pak në dimër”, përfundon ai.
Problemet nisën që herët
Problemet e para me rrugën që u hap për qarkullim në shtator nisën që në javët e para. Por pamjet e çarjes të skarpatës dhe rënies masive të gurëve në nëntor treguan degradimin e shpejtë të veprës më të shtrenjtë dhe më të stërzgjatur të infrastrukturës në Shqipëri.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 23 nëntor 2025
Shembjen e rrugës Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ia la motit të keq, duke lënë në hije përgjegjësinë e kontraktorit.
“Reshjet e dendura të shiut… kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35,” tha ARRSH në një njoftim në rrjetin social facebook më 23 nëntor.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 23 nëntor 2025
Për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve, Autoriteti Rrugor ndërtoi një kalim të përkohshëm në kilometrin 37, pjesa e fundit e rrugës Qukës – Qafë Plloçë.
Seksioni ku ka ndodhur shembja është më i shtrenjti për kilometër. Një segment prej 9.2 kilometrash që ka kushtuar 70 milionë dollarë. E thënë ndryshe 7.6 milionë dollarë për kilometër.
Burimi: ARRSH
Ndërsa e gjithë rruga Qukës – Qafë Plloçë (43,4 km) ka kushtuar 242.6 milionë dollarë.
Verifikim
Një javë pas ndërtimit të bypassit si zgjidhje emergjente nga ARRSH, Faktoje udhëtoi drejt juglindjes dhe vizitoi zonën. Pamjet nga segmenti i tretë, ku kishte ndodhur shembja masive, ishin të njëjta me ato të ditës së parë.
Masivi shkëmbor vijonte mbi asfalt, barrierat të shtrembëruara dhe skarpatat mbrojtëse nuk ishin përfunduar. Mjetet devijonin nga kalimi paralel i përkohshëm.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 29 nëntor 2025
Edhe më 6 dhjetor, panorama ishte e njëjtë.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 6 dhjetor 2025
Për t’i dhënë zgjidhje afatgjatë zonës ku ka ndodhur rrëshqitja, Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se do të bëj monitorim dhe studim.
“Për këtë rrëshkitje do të bëhet monitorim dhe studim gjeologo-inxhinierik për të arritur zgjidhjen më të mirë teknike dhe sigurinë në rrugë”- ARRSH për Faktoje.al.
Por problemet nuk janë të izoluara vetëm në këtë segment. Edhe në pjesë të tjera të rrugës ka problematika me elementët kyë të sigurisë rrugore, skarpatat mbrojtëse mungojnë duke vënë në rrezik kalimtarët.
Rruga u përurua pa përfunduar
“Ndodhemi në segmentin Qukës- Qafë Plloçë, tashmë totalisht i përfunduar…”, deklaronte zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjatë përurimit.
Por dy muaj më vonë, masivi shkëmbor bllokoi rrugën, duke vënë në provë sigurinë dhe menaxhimin e këtij projekti që kërkoi gati dy dekada pune dhe qindra milionë dollarë. Dhe ndonëse u festua me daulle dhe valle popullore, rruga u inaugurua e papërfunduar plotësisht.
Segmenti i tretë i rrugës, ai nga km 33 deri në 43, nuk ishte ende dorëzuar kur qeveria e hapi për qarkullim aksin Qukës -Qafë Plloçë.
Faktoje kishte kërkuar informacion nga ARRSH dhe përgjigja erdhi më 28 nëntor, një ditë para shembjes. Sipas Autoritetit Rrugor punimet në rrugë kishin përfunduar, por punohej ende për përforcimin e skarpatave me ankora dhe rrjeta mbrojtëse.
Përgjigje kjo që faktonte një problem të njohur në Shqipëri, rrugët shpesh inaugurohen pa u përfunduar plotësisht. Si afat, ARRSH dha fundin e muajit nëntor.
“Kontraktori është në periudhën e defekteve, ka pastruar dherat e rëna në rrugë dhe po punon për stabilizimin e skarpatave”- ARRSH, 28 nëntor 2025.
Por masivi shkëmbor nuk priti dorëzimin. Ai rrëshqiti, duke bllokuar rrugën dhe duke treguar se inaugurimet ceremoniale nuk garantojnë siguri. Autoriteti u detyrua të shtynte afatin e dorëzimit të seksionit në fundvit dhe të ndërtonte një bypass të përkohshëm që devijon trafikun.
Përfundim
Aksi Qukës – Qafë Plloçë i gjatë 43,4 km nisi të ndërtohej 16 vite më parë. Ndonëse u inagurua me daulle dhe bukë me qiqra, të dhënat zyrtare faktojnë se rruga nuk ishte përfunduar.
Shembja masive në pjesën e fundit të rrugës nxorri në pah mungesën e sigurisë, edhe pse fatura e projektit infrastrukturor ka qenë e majme dhe punimet kanë zgjatur për vite me radhë.
Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi i kryer, deklaratën e zëvendëskryeministres së pezulluar nga detyra, Belinda Balluku se ‘segmenti Qukës- Qafë Plloçë është i përfunduar…’ e kategorizojmë të pavërtetë.
Shënim: Fotografia kryesore është e prodhuar nga Inteligjenca Artificiale.
TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtues politik i PS për Diasporën, Taulant Balla ka uruar në Ditën e Rinisë me një mesazh drejtuar të rinjve shqiptarë kudo që ndodhen në atdhe, në trojet kombëtare dhe në diasporë.
Në një postim në rrjetet sociale, i shoqëruar me videon e këngës simbol të viteve ’90 “Jemi emri i vetë jetës”, Balla shprehet se, Shqipëria ka hyrë në një etapë vendimtare drejt integrimit europian.
“Gëzuar Ditën e Rinisë të gjithë të rejave dhe të rinjve shqiptarë kudo në atdhe, troje kombëtare dhe në diasporë. Atdheu ka hyrë në fazën finale, mund ta numërojmë me muaj por jo më me vite, të ribashkimit me Europën. Kjo është arritja më e madhe që nga Shpallja e Pavarësisë”, shkruan Balla.
Ai thekson se ka zgjedhur pikërisht këtë himn të rinisë së 30 viteve më parë për të kujtuar jo vetëm 8 Dhjetorin, por edhe atë që e cilëson si një arritje historike për vendin.
“Kam zgjedhur këtë himn të rinisë sonë 30 vite më parë për ta kujtuar këtë ditë dhe këtë arritje historike”, shton ai.
Në fund të postimit, Balla falënderon artistët që interpretuan këngën simbol të rinisë së sapodalë nga diktatura.
TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/- Zhani Ciko është një prej figurave më të shquara të artit shqiptar, muzikanti, violinisti, dirigjenti dhe drejtuesi që ka lënë gjurmë të mëdha në kulturën tonë kombëtare.
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka uruar Mastro Cikon për 80-vjetorin e tij të lindjes.
I lindur në Tiranë më 8 dhjetor 1945, trashëgimtar i një familjeje artistësh dhe djali i ‘Artistit të Merituar’, Mihal Ciko, rrugëtimi i tij fillon që në moshën pesëvjeçare me violinën, instrument i cili do ta udhëhiqte drejt një karriere shembullore në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare.
Që nga vitet e hershme si violinist solist dhe spalë e Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, te misioni i tij si pedagog, drejtues institucionesh dhe themelues i ansambleve të para të harqeve në Shqipëri, Zhani Ciko ka formësuar breza të tërë artistësh dhe ka ngritur standardet e muzikës profesioniste shqiptare.
Në moshën 25-vjeçare ai u emërua Drejtor Artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa më pas vijoi punën si pedagog, drejtues i Liceut Artistik “Jordan Misja”, themelues vizionar, dirigjent dhe udhëheqës i disa prej ansambleve dhe orkestrave më të rëndësishme të vendit.
Si Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH-së (1989–2003) dhe më pas Drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit (2003–2013), ai realizoi qindra koncerte, turne kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe bashkëpunime me teatrot më prestigjiozë të Europës dhe botës, duke i dhënë Shqipërisë një prezencë të re kulturore në skenën globale.
Nën drejtimin e tij u krijuan dhe interpretuan dhjetëra produksione të reja, mes tyre dhe vepra shqiptare të autorëve më të rëndësishëm: Opera “Dhoma”, “Një jetë në stuhi”, “Borana”, “Jeta është ëndërr”, “Lulja e Kujtimit”, “Skënderbeu” Baleti “Migjeniana”, “Lumi i Vdekur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Delina”, “Caravaggio”, “Zorba”, “Arrëthyesi” si dhe një repertor i gjerë veprash botërore, nga Verdi, Puccini, Mozart, Donizetti, Bizet, Strauss, Bellini, Gershëin, Giordano, Offenbach e deri te Ëagner.
Nën drejtimin e tij artistik erdhën në jetë 20 produksione të reja dhe 55 premiera operistike e baleti.
Me orkestrën “Virtuozët e Rinj të Tiranës” dhe ansamblin AMRA, Zhani Ciko fitoi çmime të para dhe vlerësime europiane, mes tyre Çmimi i Parë dhe Çmimi i Madh i Bashkisë së Vjenës në Festivalin Botëror “Vienna 2000”, Summa Cum Laude në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Belgjikë dhe Çmimi i Parë për orkestrën “Virtuozët e Rinj të Tiranës” dhe Çmimi i Madh si dirigjent në Festivalin Europian të Hungarisë
Ciko gjithashtu ka qenë disa herë fitues si violinist solist në “Koncertet e Majit”.
Për veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, Zhani Ciko është nderuar me titujt të lartë kombëtarë dhe ndërkombëtarë: “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, “Kryqi i Nderit për Shkencën dhe Artin” – nga Presidenti i Austrisë, “Kalorës i Artit dhe Letrave” – nga Ministria e Kulturës së Francës, “Ylli i Artë Akademik” – nga Akademia Ndërkombëtare “Imperialis”, Itali, Nderi i Qytetit të Durrësit, Nderi i Qytetit të Patosit ku gjithashtu shkolla e mesme mban emrin e tij (Shkolla e mesme “Zhani Ciko” Patos.) si dhe Urdhëri “Naim Frashëri”.
Ai ka qenë gjithashtu kryetar dhe anëtar i dhjetëra jurive ndërkombëtare në Itali, Francë, Belgjikë, Kosovë, Maqedoni të Veriut e Shqipëri, si edhe kryetar i Shoqatës “Frederik Shopen” dhe anëtar i shoqatave të shumta kulturore gjithashtu tashmë edhe President i Bordit të TKOBAP-së.
TKOBAP e falënderon Mastro Zhani Ciko për kontributin e madh në artin shqiptar, për vizionin, pasionin dhe përkushtimin me të cilin ka formuar breza të tërë artistësh e ka lartësuar kulturën tonë kombëtare. /a.g/
TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka uruar sot sportistët Briken Calja dhe Ertjan Kofsha për rekordet e vendosura në Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes.
Në një njoftim zyrtar, Begaj uron sportistët Briken Calja dhe Ertjan Kofsha për medaljet e arta dhe rekordet ballkanike në Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes.
“Sukseset tuaja na bëjnë krenarë”, shkruhet në njoftimin e Presidentit Begaj.
Ertjan Kofsha shkëlqeu në Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes, duke dominuar kategorinë deri 94 kg.
Ai fitoi 3 medalje ari dhe vendosi 3 rekorde të reja ballkanike për të rinj.
Kofsha ngriti 165 kg në shkëputje, 193 kg në shtytje dhe 358 kg në dygarësh, rezultate që i siguruan jo vetëm podiumin e parë në të tre stilet, por edhe thyerjen e rekordeve ekzistuese.
Me këtë paraqitje, peshëngritësi shqiptar konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe renditet si një prej talenteve më premtues të këtij sporti.
Më herët edhe Briken Calja ka shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes që po mbahet në Durrës, duke fituar tri medalje ari dhe duke vendosur tre rekorde ballkanike.
TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Tregu i sigurimeve vullnetare vijoi të zgjerohet gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, duke shënuar ritme pozitive rritjeje në pothuajse të gjitha portofolat. Tendenca konfirmon interesin në rritje të individëve dhe bizneseve për mbrojtje financiare më të gjerë, si dhe një stabilizim të strukturës së tregut.
Sipas të dhënave paraprake, primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 8,4 miliardë lekë, me një rritje prej 6,79% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe numri i kontratave u rrit në të njëjtën linjë, me 6,58%, çka tregon se rritja nuk është vetëm në vlerë monetare, por edhe në zgjerim të bazës së klientëve.
Rritje ka pësuar edhe segmenti i sigurimeve vullnetare të Jo-Jetës, me një ecuri pozitive prej 4,97%, çka reflekton rritjen e kërkesës për mbrojtje ndaj riskut të pronës, përgjegjësive dhe forcave të natyrës.
Portofolat e “Pronës, përgjegjësive dhe garancive” siguruan mbi 3,58 miliardë lekë gjatë periudhës, duke mbajtur peshën kryesore në tregun e Jo-Jetës. Brenda këtij grupi, sigurimi nga “Zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë” zuri vendin kryesor me 67,07% të të ardhurave totale, i ndjekur nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme, me 23,25%. Ky dominim tregon se bizneset po i kushtojnë më shumë vëmendje menaxhimit të riskut dhe mbrojtjes së aseteve.
Ndërkohë, portofoli i “Zjarrit dhe forcave të natyrës” regjistroi një rritje të qëndrueshme, si në vëllimin e primeve të shkruara bruto me 4,53%, ashtu edhe në numrin e kontratave, me një rritje të fortë prej 9,92%. Ky rezultat lidhet edhe me ndërgjegjësimin në rritje për pasojat e fenomeneve klimatike.
Tregu i sigurimeve të aksidenteve dhe shëndetit arriti të gjenerojë rreth 1,201 miliardë lekë, një rritje prej 2,67%, ndërsa kërkesa për produkte të kujdesit shëndetësor privat vijon të jetë e qëndrueshme.
Segmenti i sigurimeve të Jetës ka shënuar një nga performancat më të forta në treg, me primet që arritën 1,862 miliardë lekë, një rritje e ndjeshme prej 13,87% krahasuar me vitin 2024. Ky zhvillim i atribuohet zgjerimit të ofertave të paketave afatgjata të kursimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit për planifikimin financiar. /j.p/
SHKUP, 29 nëntor/ATSH/- Në Ditën e Flamurit Kombëtar u përurua dje në Garanë të Kërçovës shtatorja e Skënderbeut, simbol i përjetshëm i lirisë, qëndresës dhe krenarisë kombëtare.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se ky moment i rëndësishëm vjen pikërisht në ditën kur zemrat tona rrahin më fort për kuq e zinë, duke na kujtuar rrugën e sakrificës që na solli deri këtu.
Gjatë ditës, u bënë edhe homazhe pranë monumentit të Nënës Shqiptare në Zajaz, një monument që mishëron përkushtimin, sakrificën dhe dashurinë e pakushtëzuar që ka mbajtur gjallë familjen dhe kombin ndër shekuj.
“Ky nderim i dyfishtë, për heroin dhe për nënën, na rikujton se liria dhe identiteti ynë janë trashëgimi e përbashkët e burrave dhe grave që dhanë gjithçka për të ardhmen tonë”, është shprehur Ahmeti.
PRISHTINË, 28 nëntor /ATSH/ Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka uruar qytetarët shqiptarë me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke e cilësuar këtë datë si ditën kur “u ndez përjetësisht drita e lirisë shqiptare”.
Kamberi ka shkruar në Facebook se kjo festë përfaqëson lidhjen mes së kaluarës heroike dhe aspiratave për të ardhmen.
“Sot zemrat tona rrahin më fort, sepse kujtojmë ditën kur e shkuara jonë heroike takon të ardhmen. Flamuri kuqezi na kujton se jemi një komb me shpirt të madh, të kaluar në sakrifica të shumta, por me krenari të pathyer,” shkroi ai.
Kamberi uroi që flamuri shqiptar të valojë kudo ku jetojnë shqiptarët, duke shtuar se uniteti dhe dinjiteti janë kyçe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.
“Të valojë flamuri ynë i shenjtë në çdo shtëpi, në çdo zemër dhe në çdo cep të botës ku jetojnë shqiptarët. Me unitet dhe dinjitet mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, përfundoi ai. /KosovaPress/
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali i është përgjigjur urimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio për Ditën e Pavarësisë.
Në postimin e saj në platformën X, Spiropali theksoi se, Shqipëria dhe SHBA janë bashkë në altarin e vlerave demokratike.
Spiropali shtoi se, në orët më kritike të historisë sonë, Amerika ka qenë gjithmonë në krahun tonë.
“Etërit tanë themelues, të cilëve u detyrohemi sot lirinë dhe pavarësinë tonë, e dinin se në orët vendimtare të kombit shqiptar, Amerika qëndronte në krahun tonë. Ne nuk e harrojmë, dhe nuk do ta harrojmë, se në orët më kritike të historisë sonë – në afirmimin e së drejtës së Shqipërisë për të ekzistuar dhe në Pavarësinë e Kosovës – populli amerikan luajti një rol vendimtar”, shkroi Spiropali.
“Në ato momente, distanca mes dy vendeve tona u zhduk dhe fatet tona u ndërthurën në mënyrë të pandashme”, theksoi ministrja.
“Kjo miqësi sot na bashkon në altarin e vlerave që ne ndajmë. Kombet tona lidhen nga një besim i thellë te liria, demokracia, paqja, siguria dhe dinjiteti njerëzor”, shtoi Spiropali.
“Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për rolin e Shqipërisë në NATO, përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin në zbatimin e ligjit, si edhe ndërveprimin tonë të ngushtë në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe në mbrojtjen e sigurisë sonë të përbashkët”, nënvizoi ministrja Spiropali.
“Ndërsa festojmë Ditën tonë të Pavarësisë, me mirënjohje në zemër dhe me një vendosmëri të qartë, synojmë të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë strategjik, të zgjerojmë lidhjet tona ekonomike dhe të forcojmë edhe më shumë miqësinë e qëndrueshme e të palëkundur mes popujve tanë”, u shpreh ministrja, teksa falënderoi sekretarin Rubio për urimet e ngrohta dhe për partneritetin e palëkundur e besnik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Kryebashkiaku i Piana degli Albanesi, Rosario Petta, ka përcjellë urimet e tij me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar lidhjen e pazgjidhshme mes komunitetit arbëresh dhe mëmëdheut shqiptar.
“Gëzuar 28 Nëntorin, Festën e pavarësisë dhe të flamurit shqiptar, nga Arbëreshët të Horës e Arbëreshëvet”, shkruan Petta në urimin e tij në shqip, duke nënvizuar krenarinë e komunitetit për origjinën dhe traditat që ruhen me devotshmëri prej shekujsh.
Piana degli Albanesi vijon të mbetet një prej qendrave më të rëndësishme të kulturës arbëreshe në Itali, ku gjuha, zakonet dhe simbolet shqiptare përcillen brez pas brezi.
Në këtë ditë të shënuar, bashkia e qytetit i bashkohet urimeve dhe festimeve mbarëkombëtare, duke e kthyer 28 Nëntorin në një urë të gjallë mes traditës arbëreshe dhe identitetit shqiptar.
Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka reaguar ndaj urimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Në një postim në platformën X, ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi lidhjet e forta historike mes dy vendeve. Postimi i Spiropalit në X: Etërit tanë themelues, të cilëve u detyrohemi sot…
TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Misioni i SHBA-së në NATO ka uruar sot Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në gjuhën shqipe.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”, shkruan në shqip Misioni i SHBA-së në NATO
“Urime Dita Kombëtare e Shqipërisë! Ne festojmë pavarësinë, qëndrueshmërinë dhe kontributet e qëndrueshme të vendit tuaj në Aleancën tonë”, thuhet më tej në urim.
“Jemi krenarë që qëndrojmë me ju si partnerë dhe miq të besuar të NATO-s. Urime!”, përfundon urimi i Misionit të SHBA-së në NATO.
Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë, një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.
Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.
TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani uroi sot shqiptarët për 113-vjetorin e Pavarësisë.
Në një postim në rrjetet sociale Osmani tha se “Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare”.
Presidentja Osmani u shpreh se “nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër”.
“Gëzuar Ditën e Flamurit!Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë”, uron Osmani.
Shqiptarët, kudo ku ndodhen, festojnë sot 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i kryesuar nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ky akt ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe ngritjen e një shteti të pavarur shqiptar.
TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka uruar sot të gjithë shqiptarët me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Kuvendi Kombëtar i drejtuar nga Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e vendit, duke i dhënë fund sundimit pothuajse pesëshekullor të Perandorisë Osmane dhe duke i hapur rrugën ngritjes së shtetit modern shqiptar.
Aktit historik të Pavarësisë i paraprinë përpjekje të gjata politike dhe luftarake për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe identitetin kombëtar.
Në mbledhjen e Vlorës morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, prej të cilëve 40 firmosën Aktin e Pavarësisë, duke e bërë 28 Nëntorin ditën e bashkimit të vullneteve kombëtare.
Rama kujtoi sot rëndësinë e kësaj date dhe simbolikën e dyfishtë të 28 Nëntorit, që lidhet edhe me çlirimin e Krujës nga Gjergj Kastriot Skënderbeu më 28 Nëntor 1443 – një moment që historia e njeh si “Nëntori i Dytë”.
Shpallja e Pavarësisë solli ndryshime të mëdha politike e shoqërore dhe shënoi lindjen e shtetit shqiptar, duke e pozicionuar kombin tonë në radhën e popujve të lirë të Evropës.
Data 28 nëntor lidhet edhe me ngjarje të tjera historike, si nisja e transmetimeve të Radio Tiranës në vitin 1938 dhe datëlindja e heroit Adem Jashari në vitin 1955.
Që prej vitit 2017, 28 Nëntori është edhe festë zyrtare në Kosovë, si shenjë e respektit për traditat, historinë dhe vlerat e përbashkëta të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka uruar shqiptarët për 113-vjetorin e Pavarësisë. Në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, Rubio shprehet se vlerëson bashkëpunimin e ngushtë mes Tiranës dhe Uashingtonit. “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një…
TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) ka restauruar deri tani 19 filma të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale një video me pjesë të filmave të restauruar, teksa shkruan se “19 filma ikonë të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, me figurë, zë dhe ngjyra të rikthyera mjeshtërisht në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, që së shpejti do të shfaqen ekskluzivisht në ekranin e RTSH”.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nisi punë me restaurimin veprave filmike në vitin 2012 në bashkëpunim edhe me studiot e huaja. Filmat që janë restauruar deri tani janë prodhime kinematografike para viteve ’90 në vendin tonë.
Filmat “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Lulëkuqe mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”, “Kapedani” etj. janë disa nga produksionet e restauruara në 4 K.
Këto produksione kanë kaluar në një proces të mirëfilltë digjitalizimi si në video ashtu edhe në audio për të qenë një pasuri e veçantë në fondin e kinematografisë shqiptare.
Banka Kombëtare Tregtare vijon rrugëtimin e saj të zhvillimit dhe përkushtimit ndaj klientëve me inaugurimin e degës së restauruar dhe rinovuar në qytetin e Vlorës. Ceremonia u zhvillua në ndërtesën historike të bankës, e cila është restauruar me kujdes duke ruajtur vlerat arkitektonike dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, ndërkohë që janë aplikuar standardet më bashkëkohore […]