TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama njëkohësisht Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi sot se përpjekjet e disa shoqatave përfaqësuese të gjyqësorit për të rritur pagat e veta përmes vendimeve gjyqësore përbëjnë ndërhyrje të papërshtatshme në territorin e pushtetit legjislativ dhe krijojnë precedentë shqetësues për funksionimin e shtetit.
“Çfarë është përveçse gjymtuese ndërhyrja në territorin e pushtetit legjislativ përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq. Kur në historinë e republikave me 3 pushtete, pushteti gjyqësor llogarit pagat dhe përcakton politikat e pagave apo të taksave të një vendi. Çfarë është rasti më i fundit përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mënyrën se si Parlamenti ka vendosur të ndajë komisionet parlamentare”, tha Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së.
Por, vijoi Rama, shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kundërshtimet e përsëritura jashtë kontekstit kushtetues e ligjor të përfaqësuesve të pushtetit të shprehin gjykim të qartë, sepse në të kundërt nuk do të kemi dot një gjyqësor jo vetëm të pavarur, por as një shtet funksional, një administratë publike që të japë më të mirën e performancës së shtetit, pa frikë të marrë vendime, deri edhe për blerjen e letrës higjenike.
“Ky është fakt dhe është një nga mijëra faktet që mund të jap, por e zgjodha enkas, sepse është më tragjikomiku i zinxhirit kilometrik të fakteve të prodhuara nga frika. Por as nuk do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punë dhe larg qoftë deri edhe një konsumator të çliruar nga frika se mund të bjerë në sy”, deklaroi ai.
Ai nënvizoi rëndësinë e nxjerrjes së mësimeve nga përvojat ndërkombëtare.
”E përsëris këtë leksion që vendet e tjera e kanë nxjerrë me vonesa të caktuara. Ne nuk kemi luksin, dhe Shqipëria nuk ka luksin të vonohet për t’i nxjerrë këto mësime. Dhe këto rezultate janë serioze, nuk janë imagjinare. Prandaj duhen marrë në konsideratë nga të gjithë, sa nuk kanë prekur palcën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, siç ka ndodhur gjetkë, ku antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme se vetë sëmundja e korrupsionit, dhe ka mijëra, madje miliona studime, libra dhe doktoratura për këtë temë”, tha ai.
Por ndërkohë, Rama tha se ai vetë personalisht qëndronte me shpresë dhe besim dhe përpiqej t’ju ushqente këtë shpresë shumë partizanëve të zhgënjyer të reformës në drejtësi.
“Sepse, për hir të së vërtetës, gjithmonë më shumë janë raste të pajustifikuara të brutalitetit, sa të pajustifikuara aq edhe të panevojshme për prokurorët. Por edhe gjyqtarëve. Këta të fundit kanë arritur madje të habisin edhe mbështetësit më të verbër anglishtfolës të këtij qyteti për reformën në drejtësi. Kur dëgjon një gjykatës t’i thotë prokurorit “rëndoje dorën se e ke të lehtë akuzën” apo një tjetër gjykatë në apel i jep ankuesit një dënim edhe më të rëndë se ai që kishte në shkallën e parë, këta kujtojnë, anglishtfolësit, se këto janë bomba artizanale të propagandës”, deklaroi Rama.
Sipas tij, janë fakte të tmerrshme.
“Por halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në horizontin e pushtetit gjyqësor, dhe ky perceptim shqetësues më përforcon një fakt shumë domethënës: që kur unë ngre shqetësime të kësaj natyre, këshillat e prokurorisë dhe gjyqësorit, sipas rastit, reagojnë si pulla poste mbi fjalët e mia. Disa deklarata nervoze si ato të njerëzve që në ditë dasme ua prishin drekën me ca thirrje bajate për aktorët politikë që të mos bëjnë presion drejtësisë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, kjo pavarësisht faktit që ai nuk ishte aktor politik, por kryeministri.
“Pavarësisht faktit që unë nuk jam aktor politik, por jam kryeministri i dalë nga një votë popullore që i dha PS-së një shumicë të qartë prej 83 mandatesh. Ndërkohë që kjo parti nuk ka një konkurrent në historinë botërore si faktori qeverisës më mbështetës i pavarësisë së drejtësisë dhe faktori më i heshtur politik ndaj gabimeve dhe gafave të drejtësisë së pavarësuar në thelb. Unë ngre probleme serioze që duhen marrë në konsideratë pikërisht nga hartuesit e atyre deklaratave të kota”, tha Rama.
Rama theksoi se fjala “presion” ishte fjalë shumë e madhe e përdorur nga shoqatat e gjyqësorit.
“Para se të shkruajnë më kollajllëkun më të madh fjalën “presion”, pasi fjala “presion” është fjalë shumë e madhe për mbështetësin më të madhe të pavarësisë së tyre, mirë është të kujtojnë se ku ishin fshehur ekzaktësisht kur paraardhësi im i ngrinte si puçistë dhe e quante lavire Prokuroren e Përgjithshme”, tha ai.
Rama i kërkoi drejtësisë të lexonin drejtë mesazhin që ai përcillte.
“Ose nëse ju vjen zor ta kujtojnë se ku mund të ishin fshehur, apo aq më keq, ju vete mendja ta quajnë të panevojshme për kujtesën e tyre këtë detaj se helbete iku ajo kohë, dhe tani po hyjmë në Europë, të mos harrojnë se tani, sot, në këtë kohë, atij që s’u bë dot pasardhësi im pasi ishte paraardhësi im nuk ja artikulojnë dot jo një deklaratë po gjysmë llafi edhe pasi del dhe i lexon “librin e shtëpisë” prokurorit tonë më kurajoz, mu te dera e SPAK-ut. Prandaj ju sugjeroj të merren me mesazhin, jo me mesazherin”, tha Rama.
/a.f/
The post Rama: Përpjekjet e gjyqësorit për rritje pagash, ndërhyrje në pushtetin legjislativ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.