Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 December 2025Main stream

Ministrja Evis Sala: Tre fusha kyçe për përmirësimin e kujdesit shëndetësor

By: melisa
22 December 2025 at 12:29

Profesoreshë Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka dhënë një intervistë për “World Health Voices”, duke prezantuar vizionin e saj për transformimin e sistemit shëndetësor shqiptar. Eksperta ndërkombëtare në imazherinë onkologjike ka punuar më parë në Cambridge, Sloan Kettering në SHBA dhe Policlinico Gemelli në Itali, ndërsa tani drejton sektorin kombëtar të shëndetësisë.

Source

Sala për “World Health Voices”: Tre shtylla reforme për të transformuar kujdesin shëndetësor

22 December 2025 at 10:25

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Historia e tretë e kopertinës e “World Health Voices” i është kushtuar Profesoreshë Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një eksperte e njohur ndërkombëtarisht në imazherinë onkologjike, karriera e së cilës ka përfshirë Universitetin e Cambridge-it (Mbretëri e Bashkuar), Memorial Sloan Kettering Cancer Center (Nju Jork, SHBA), Policlinico Gemelli (Romë, Itali)  dhe tani drejtimin kombëtar për shëndetësinë.

Gjatë kësaj bisede, ministrja Sala reflekton mbi thirrjen e saj të hershme drejt mjekësisë, rrugëtimin shkencor të bazuar në inovacion dhe kërkimin onkologjik, si dhe angazhimin për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të barabartë, modern dhe të përqendruar te pacienti për Shqipërinë.

Si Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala mbulon jo vetëm shëndetësinë, por edhe mirëqenien sociale, një portofol që ajo e përshkruan si “gjigant”.

Në sektorin e shëndetësisë, Sala ka përcaktuar tre fusha të mëdha, Onkologjia dhe Rrjeti Shqiptar i Kancerit, Një sistem i unifikuar diagnostik si dhe Inteligjenca artificiale dhe integrimi digjital.

Duhet të përmirësojmë shërbimet e kancerit në Shqipëri”, shprehet Sala e cila planifikon krijimin e Rrjetit Shqiptar të Kancerit, me një Institut Onkologjik në Tiranë në qendër.

Rrjeti është në ndërtim e sipër dhe do të krijohet në gjashtë muajt e ardhshëm, dhe instituti do të vijojë gjatë vitit pasues”, vijon ajo duke shtuar se “ne duam ta çojmë mjekësinë e kancerit te pacienti, jo pacientin te mjekësia”.

Kjo do të shoqërohet me standardizimin e protokolleve onkologjike dhe hedhjen e bazave, brenda rreth dy vitesh, për kapacitetet e provave klinike në Shqipëri.

Ministrja deklaron se: “ne duam që Shqipëria të ketë kapacitet për të zhvilluar prova klinike, për të hapur derën e inovacionit në mënyrë të strukturuar”.

Diagnostika është  një tjetër fushë e lidhur ngushtë me formimin e saj profesional dhe Sala synon që të ndërtojë një sistem sistem diagnostik të integruar mirë në të gjithë vendin. 

Me një popullsi rreth 2.4 milionë banorë, ajo vëren se “Shqipëria është si një qytet i madh, madje jo shumë i madh, po të mendosh për disa qendra urbane globale”.

Kjo shkallë, sipas saj, është avantazh. “Shqipëria mund dhe do të ketë një sistem diagnostik të unifikuar në afat të mesëm dhe të gjatë”.

Shtylla e tretë është inteligjenca artificiale dhe shëndetësia digjitale, e lidhur ngushtë si me onkologjinë ashtu edhe me diagnostikën.

Ne duam të krijojmë një sistem bazë të integruar, një ‘backbone’, që lidh sisteme të ndryshme dhe siguron ndërveprueshmëri”, deklaron ministrja Sala.

Ajo sqaron se: “në afat të shkurtër, ne tashmë po përmirësojmë kushtet dhe protokollet në onkologji. Në tre muaj nuk mund të ndryshosh gjithçka, por mund të fillosh”. 

Në fillim të vitit të ardhshëm, ajo pret të ketë një hartëzim të plotë të këtyre tre fushave strategjike dhe plane konkrete veprimi. “Do t’i kemi hartëzuar fushat, do të kemi përcaktuar veprimet, do të kemi identifikuar ekipet dhe do të kemi planifikuar financimin, sepse financimi duhet planifikuar paraprakisht”, nënvizon ministrja e Shëndetësisë. 

Përtej shëndetësisë, ministrja Sala është shumë e vetëdijshme për sfidat dhe mundësitë në fushën e mirëqenies sociale.

Shqipëria po përgatitet për një hap historik: anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2029. “Këto katër vite janë një moment shumë historik për ne, për t’u përqendruar njëkohësisht si në shëndetësi ashtu edhe në mirëqenie sociale”, deklaron Sala ku një fokus kryesor është përafrimi ligjor, veçanërisht në fushën e mirëqenies sociale.

Kur pyetet posaçërisht për onkologjinë pediatrike, Sala shprehet se “kur them onkologji, kjo përfshin onkologjinë pediatrike dhe sëmundjet hematologjike malinje. Gjithçka.”

Brenda Rrjetit të ardhshëm Kombëtar të Kancerit, tre qendra kryesore do të funksionojnë nën ombrellën e Institutit Onkologjik në Tiranë, Hemato-onkologjia, Onkologjia pediatrike dhe Onkologjia e përgjithshme.

Integrimi i kërkimit shkencor në zemër të sistemit shëndetësor është një prej sfidave shprehet Sala dhe shtyllë kyçe e kësaj strategjie është AI dhe inovacioni i drejtuar nga të dhënat.

Ne do të inkurajojmë shumë ‘spin-off’ të AI-së të vijnë në Shqipëri dhe të punojnë me ne, sepse do të krijojmë një dataset kombëtar që është mjaft specifik mesdhetar, për sa i përket stilit të jetesës dhe modeleve të sëmundjeve”, deklaron ministrja. 

Si një lidere globale në imazherinë onkologjike, Evis Sala pyetet shpesh për një shqetësim që shumë në këtë fushë e kanë në heshtje: A do t’i zëvendësojë AI radiologët?

Ajo përgjigjet pa hezitim: “Nëse do ta rimendoja veten sot, me AI-në që po merr përsipër disa detyra, mendoj se radiologu do të jetë më shumë si një dirigjent orkestre, që orkestron mjete të ndryshme të AI-së”. 

Ajo e hedh poshtë kategorikisht idenë se radiologjia si specialitet do të zhduket.

Geoffrey Hinton e kishte gabim, dhe kjo është provuar, pavarësisht ndikimit të tij në nivel Nobeli dhe mendjes së tij brilante. AI nuk do ta zëvendësojë radiologun. Por me siguri do ta zëvendësojë radiologun që nuk përdor AI”, shprehet Sala.

Mesazhi i saj për brezin e ri është i qartë dhe shkon përtej imazherisë: “Nëse nuk di të përdorësh AI-në, nëse nuk e përdor AI-në, je i vjetëruar. Kjo vlen për onkologjinë dhe për çdo fushë tjetër”.

Sala e sheh AI-në si një forcë çliruese, jo si kërcënim. “Shumë detyra janë të mërzitshme dhe përsëritëse. Kush dëshiron të numërojë më nyjet pulmonare? Të gjitha këto do t’i bëjë AI, e integruar në sistemet tona”, vijon ajo.

Motivimi i saj në krye të Ministrisë së Shëndetësië është të përdorë gjithë përvojën e saj, gati 30 vjet në vende, sisteme shëndetësore dhe rrethana të ndryshme, për të bërë ndryshim në atdhe.

Nëse do të mbahet mend për diçka si ministre, ajo shpreson të jetë për tre fushat që ka zgjedhur si shtylla. “Nëse arrij të bëj ndryshim, bashkë me ekipin, në onkologji, AI digjitale dhe diagnostikë, atëherë do ta kem bërë mirë punën”, shprehet Sala.

Kur pyetet se çfarë do t’u thoshte të rinjve në fillim të karrierës, Sala rikthehet te temat që kanë formësuar jetën e saj: mentorët, lëvizshmëria, rezistenca dhe karakteri. “Duhet ta shihni botën. Ishte një hap i madh kur shkova për felloëship në Sloan Kettering, djali im ishte 11 vjeç. Kur bëra specializimin, ai ishte katër. Është e vështirë, sidomos me familje. Por shihni botën. Mos qëndroni në të njëjtin vend”, apelon ministrja Sala. 

Këshilla e saj është praktike dhe filozofike njëkohësisht: ndërto rezistencë; shko dhe shih si bëhen gjërat diku tjetër, si mirë ashtu edhe keq; dhe mëso nga ajo që nuk bëhet mirë, për të mos e përsëritur.

https://oncodaily.com/magazine/evis-sala-albania-minister-of-health-2025

The post Sala për “World Health Voices”: Tre shtylla reforme për të transformuar kujdesin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Aliu–Sala: Ekzistojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë në fushën e shëndetësisë

18 December 2025 at 09:47


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, zhvilloi një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Evis Sala, ku u rikonfirmua bashkëpunimi i suksesshëm dypalësh mes dy vendeve, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij në fushën e shëndetësisë.

"Me Republikën e Shqipërisë kemi vendosur një bashkëpunim të suksesshëm dhe, së bashku me ministren Sala, angazhohemi për thellimin e bashkëpunimit në disa segmente të sistemit shëndetësor. Personalisht mendoj se shkëmbimi i njohurive dhe përvojave ndërmjet personelit mjekësor të të dy vendeve kontribuon në përmirësimin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor".

"Njëkohësisht, e informova ministren për angazhimin tonë për forcimin e burimeve njerëzore dhe planifikimin proaktiv të kapaciteteve kadrovike, me theks të veçantë në përmirësimin e sistemit të specializimeve dhe subspecializimeve, në përputhje me nevojat e qytetarëve", theksoi ministri Aliu.

Në takimin e punës mes ministrave Aliu dhe Sala u diskutua gjithashtu edhe për digjitalizimin, si një nga shtytësit kryesorë të zhvillimit të sistemeve shëndetësore në rajon.

Rama: Transformimi i Onkologjikut vijon

15 December 2025 at 09:30

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Transformimi i Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mbetet një prej zotimeve që ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala e ka bërë publik që në ditën e parë të marrjes së detyrës.

Sallat e reja të kimioterapisë dhe përmirësimi i kushteve për pacientët që marrin shërbim në pavionet e këtij spitali, janë vetëm hapi i parë drejt një trajtimi të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët.

Kryeministri Edi Rama, përcolli sot në rrjete sociale, pamjet nga spitali Onkologjik në QSUNT, ndërsa u shpreh se transformimi vazhdon nën kujdesin e ministres së Shëndetësisë, e cila është edhe një personalitet i mirënjohur në botën akademike të trajtimit të kancerit.

Investimi në sallat e reja të kimioterapisë është rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve, duke përbërë një hap të rëndësishëm për ofrimin e një trajtimi më të sigurt, më komod dhe më dinjitoz për pacientët.

Në buxhetin 2026 për herë të parë është planifikuar rimbursimi i të gjitha barnave antitumorale për pacientët që trajtohen në këtë spital, duke rritur fondin me 1.5 miliardë lekë dhe duke krijuar një mbështetje më të plotë për trajtimin.

Paralelisht, spitali Onkologjik ka nisur zbatimin e shërbimeve të reja digjitale, si receta elektronike dhe dosja elektronike e pacientit (e-file), duke përmirësuar ndjekjen dhe menaxhimin e trajtimit për çdo  pacient.

/e.i/j.p/

The post Rama: Transformimi i Onkologjikut vijon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla të reja kimioterapie për pacientët në Spitalin Onkologjik

14 December 2025 at 11:52

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, nga sallat e reja të kimioterapisë, u shpreh sot se përmirësimi i kushteve në Spitalin Onkologjik, përmes shtimit të sallave dhe shërbimeve, është vetëm hapi i parë drejt një trajtimi të sigurt dhe dinjitoz për pacientët.

Ajo theksoi se vijon puna për garantimin e barnave onkologjike.

Investimi në sallat e reja të kimioterapisë është rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve, duke përbërë një hap të rëndësishëm për ofrimin e një trajtimi më të sigurt, më komod dhe më dinjitoz për pacientët.

Ministrja Sala, në një videomesazh në rrjetet sociale nga sallat e reja të kemioterapisë, tha se që në ditën e parë të detyrës saj, angazhimi ka qenë që shërbimi onkologjik të jetë një përparësi. “Shërbimi që ofrohet këtu prek jetën e shumë familjeve dhe kërkon mbështetje të vazhdueshme”, u shpreh Sala.

“Çdo pacient që kalon këto korridore vjen me sfida, me shpresë. Dhe është detyrë e jona të krijojmë kushte sa më të mira përgjatë këtij rrugëtimi të vështirë”, tha ajo.

“Ky është vetëm hapi i parë. Puna po vijon paralelisht për garantimin e barnave onkologjike. Në buxhetin 2026 për herë të parë është planifikuar rimbursimi i të gjitha barnave antitumorale për pacientët që trajtohen në këtë spital, duke rritur fondin me 1.5 miliardë lekë dhe duke krijuar një mbështetje më të plotë për trajtimin”, vijoi Sala.

Sala shprehu njëherësh, mirënjohje dhe respekt për mjekët, infermierët, farmacistët dhe gjithë stafin shëndetësor, të cilët çdo ditë janë forca që sipas ministres mban në këmbë këtë shërbim jetik.

Paralelisht, Spitali Onkologjik ka nisur zbatimin e shërbimeve të reja digjitale, si receta elektronike dhe dosja elektronike e pacientit (e-file), duke përmirësuar ndjekjen dhe menaxhimin e trajtimit për çdo  pacient.

/e.i/a.f/

The post Salla të reja kimioterapie për pacientët në Spitalin Onkologjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala në Qendrën Kombëtare të Urgjencës: Gatishmëri e shtuar për sezonin e festave

9 December 2025 at 10:57

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore numëron përgjatë 10 viteve aktivitet, rreth 3,5 milionë thirrje të trajtuara dhe mbi 800 mijë misione të realizuara në banesë.

Kapaciteti i kësaj qendre është trefishuar me flotën e re të autoambulancave, të cilat janë të pajisura me aparatura moderne duke garantuar ndërhyrje të shpejtë e të sigurt në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala e shoqëruar nga
drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj zhvilluan një vizitë në këtë qendër duke u takuar nga afër me personelin mjekësor dhe stafet e angazhuara aty.

Sala tha se kjo qendër ka gatishmëri operacionale sidomos në këtë periudhën aktuale që është më e ndjeshme për shkak të festave. “Ka më shumë lëvizje, por nga ana ime si mjeke, si edhe nga ana institucionale dua t’ju falënderoj”, tha Sala.

“Kjo është një periudhë e ndjeshme me rritje të qarkullimit, ndaj reagimi i shpejtë bën diferencën. Kapacitetet tona të urgjencës janë në gatishmëri të plotë operacionale në koordinim me të gjitha strukturat e sigurisë për t’u përgjigjur menjëherë në çdo urgjencë”, deklaroi ministrja.

“Prioriteti ynë është që çdo thirrje të marrë përgjigje të menjëhershme dhe çdo qytetar të marrë ndihmën e duhur, kudo që ndodhet – një angazhim që garanton shërbim shëndetësor pa ndërprerje dhe mbarëvajtjen e sezonit festiv” , shtoi ajo.

Brataj bëri një prezantim të të gjithë institucionit, nga hyrja ku matet temperatura deri te salla e trajnimeve.

Brataj tha se njësia e koordinimit është truri i këtij institucioni.

“Kemi tre mjekë që japin konsulenca mjekësore dhe infermierët. Thirrjen e parë e marrin infermierët. Gjithsecili ka një sistem me tre monitorë, në të cilët në një është rubrika me numrat e kontakteve, pastaj është skeda e të dhënave, më pas filtri që bën kodifikimin e sëmundjes. Ndërsa në Google monitorohen të gjitha ambulancat ku janë”, tha Brataj.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore u ndal edhe te salla e emergjencës maksimale, që është përdorur sipas tij gjatë periudhës së tërmetit dhe pandemisë.

“Është një sallë që nëse ndodh diçka, në kohën zero aktivizohet menjëherë, por përdoret dhe trajnime”, cilësoi ai.

Ministrja Sala tha se këto elementë duhet të jenë në bashkërendim edhe me teknologjinë digjitale që ndryshon shpejt.

Brataj prezantoi edhe sallën e trajnimeve, ku theksoi se aty janë kryer mbi 10 mijë trajnime në total. Ndër të tjera, Brataj shtoi se një qendër e ngjashme do të hapet së shpejti edhe në Vlorë.

Sala falënderoi ekipin e mjekëve për gatishmërinë dhe operacionalitetin që sipas saj “është zemra e sistemit shëndetësor”.

Stafet e urgjencës prezantuan protokollet e reja të menaxhimit të flukseve dhe mobilizimin e rrjetit rë autoambulancave dhe motoambulancave në zona me risk të shtuar, për të siguruar mbulim të plotë gjatë periudhës festive.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, me ekipe në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, është e angazhuar në përballimin e çdo emergjence dhe në ofrimin e ndihmës shëndetësore në çdo kohë për qytetarët.

/e.i/r.e/a.f/

The post Sala në Qendrën Kombëtare të Urgjencës: Gatishmëri e shtuar për sezonin e festave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala takim me homologun e Katarit: Digjitalizimi dhe zhvillimi i IA, bazë për sistem modern në shëndetësi

7 December 2025 at 14:41

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi sot një takim me ministrin e Shëndetit Publik të Shtetit të Katarit, Mansoor bin Ebrahim bin Saad Al Mahmoud, në kuadër të Forumit të Dohas.

Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe identifikimin e fushave me potencial për projekte të përbashkëta.

Gjatë diskutimeve, ministrja Sala theksoi se, transformimi i shëndetësisë është sfida kryesore për Shqipërinë, duke identifikuar tre prioritete strategjike: përmirësimi i menaxhimit të shërbimeve shëndetësore, me qëllim rritjen e cilësisë dhe aksesit për pacientët; integrimi i shërbimeve të mirëqenies sociale dhe shëndetësore, për të ndërtuar një model të unifikuar dhe efektiv të kujdesit ndaj qytetarëve dhe digjitalizimi dhe zhvillimi i Inteligjencës Artificiale (IA) në shëndetësi, si bazë për një sistem modern dhe të qëndrueshëm.

Ministrja theksoi se vendi ka nevojë të ngrejë arkitekturën e sistemeve digjitale që sigurojnë ndërveprueshmëri, një komponent thelbësor për funksionimin efikas të sektorit dhe për zhvillimin e aplikimeve të avancuara të IA në shëndetësi.

Ajo nënvizoi se ky transformim do të shërbejë si bazë e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm, të integruar dhe të orientuar drejt inovacionit.

Në vijim, u vlerësua rëndësia e zhvillimit të robotikës mjekësore në Shqipëri, si një drejtim strategjik për përmirësimin e trajtimeve dhe ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ministrja Sala u shpreh se Katari, me sistemin e tij të avancuar të robotikës, përfaqëson një partner ideal për bashkëpunim në këtë fushë, duke ofruar mundësi për trajnime, shkëmbim ekspertize dhe projekte të përbashkëta zhvillimore.

Të dy ministrat shprehën vullnetin për të vijuar bashkëpunimin institucional dhe ranë dakord që ekipet teknike të dy vendeve të punojnë në muajt e ardhshëm drejt konkretizimit të marrëveshjeve dhe iniciativave të reja të përbashkëta.

Forumi i Dohas, që këtë vit u mbajt në datat 6-7 dhjetor 2025 me temë: Drejtësia në veprim – progresi përtej premtimeve dhe me fokus tek shëndetësia, financa e sfidat globale është një platformë globale për dialog, që bashkon liderët në politikë për të diskutuar sfidat kritike me të cilat përballet bota jonë dhe për të ndërtuar rrjete inovative dhe të nxitura nga veprimi.

/gj.m/r.e/

The post Sala takim me homologun e Katarit: Digjitalizimi dhe zhvillimi i IA, bazë për sistem modern në shëndetësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministrja Sala i bën “dhuratë” transplantin e veshkave ish-bossit Allajbeu dhe Spitalit Amerikan

By: Elva
5 December 2025 at 15:53

Edhe pse jemi në vitin 2025 dhe premtimi për kryerjen e transplantit të veshkës në QSUT ishte dhënë që në vitin 2023, qendra spitalore universitare e vendit vijon të mos ofrojë këtë procedurë jetike. Rezultati është i qartë: shteti paguan miliona lekë tek spitalet private për shërbime që duhej t’i ofronte vetë brenda sistemit publik […]

The post Ministrja Sala i bën “dhuratë” transplantin e veshkave ish-bossit Allajbeu dhe Spitalit Amerikan appeared first on BoldNews.al.

Sala: Për herë të parë regjistër kombëtar për produktet biocide

4 December 2025 at 22:08

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala prezantoi sot në Kuvend, projektligjin “”Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, të ndryshuar”.

Sala tha se sot prezantohet një projektligj me rëndësi të veçantë për shëndetin publik.

“Edhe pse në pamje të parë duket një paketë e specializuar teknike, realiteti është se ky ligj prek jetën e përditshme të të gjithëve. Ky është një ligj që vendos në qendër të tij sigurinë e qytetarit. Produktet biocide përdoren në spitale, në shtëpitë tona, në industrinë ushqimore ose në ambiente kolektive. Për këtë arsye, standardet për to duhet të jenë të qarta, të unifikuara dhe të garantuara, në mënyrë që mbrojtja e shëndetit publik të mos vijë në kurriz të sigurisë së qytetarëve”, tha Sala.

”Për më shumë se dhjetë vjet, Shqipëria ka funksionuar me një kuadër ligjor të pjesshëm, jo plotësisht të harmonizuar me legjislacionin europian. Boshllëqet ligjore, kanë sjellë një proces jo të strukturuar e transparent për të vlerësuar sigurinë dhe cilësinë e këtyre produkteve.

Sot ne e mbyllim këtë boshllëk. Ky projektligj e vendos Shqipërinë në të njëjtin standard me Bashkimin Europian, duke adoptuar parimet e rregulloret e BE-së dhe duke sjellë një model modern dhe të qëndrueshëm. Projektligji që po shqyrtohet sot, është një shembull i mirë që integrimi i standardeve europiane shtrihet në çdo qelizë. Ai sjell mbrojtjen e shëndetit publik dhe lehtësimin e tregtisë sipas standardeve europiane”, vijoi ajo.

Ministrja Sala nënvizoi se ky projektligj është i rëndësishëm para së gjithash, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Sipas Salës, “produktet biocide nuk janë produkte të zakonshme pasi përmbajnë substanca aktive që mund të jenë të dëmshme kur nuk përdoren apo nuk kontrollohen siç duhet”.

“Mungesa e kritereve të detyrueshme krijonte mundësinë që në treg të depërtonin produkte të pasigurta. Me këtë ligj, çdo produkt i tillë do të kalojë një proces të qartë vlerësimi, duke u testuar efikasiteti, përbërja dhe rreziqet e mundshme”, tha Sala.

“Ky projektligj i jep fund edhe fragmentimit të deritanishëm. Për herë të parë krijohet një regjistër kombëtar i produkteve biocide, një databazë transparente ku çdo qytetar, çdo biznes, çdo institucion publik mund të verifikojë se cilat produkte janë të autorizuara dhe cilat jo.

Për herë të parë, sigurojmë që produktet biocide, që do të tregtohen në Republikën e Shqipërisë, janë të njëjta e me të njëjtat standarde me ato që tregtohen në secilin nga vendet e Bashkimit Europian, qofshin këto produkte vendase apo të importuara”, pohoi Sala.

Ministrja tha se me miratimin e projektligjit, autorizimi për vendosjen në treg të produkteve biocide do të lëshohet vetëm për produkte biocide të prodhuara në vend, por të autorizuara paraprakisht në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe produkte biocide të importuara dhe të autorizuara paraprakisht në njërin nga vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht vendit të origjinës.

“Projektligji siguron vendosjen e një ekuilibri të drejtë ku nga njëra anë, rritet kontrolli dhe siguria; nga ana tjetër, bizneset nuk rëndohen. Kemi propozuar adresimin e mangësive të ndeshura ndër vite ku procedurat ligjore nuk ishin të qarta dhe proceset ishin të paparashikueshme. Për çdo subjekt që importon apo prodhon biocide vendoset detyrimi për të pasur një person teknik të kualifikuar, çka rrit profesionalizmin dhe shmang abuzimet që vijnë nga mungesa e ekspertizës”, tha Sala.

“Kemi dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e ngritura gjatë komisioneve parlamentare. Disa prej tyre lidhen me ngarkesën që mund të krijojnë vlerësimet laboratorike. Dua të theksoj se ligji e parashikon qartë që analizat kryhen vetëm kur ka dyshim të arsyeshëm për rrezik ose për cilësi të pamjaftueshme. Pra, nuk kemi të bëjmë me shpenzime të panevojshme për biznesin, por me një mekanizëm mbrojtës që aktivizohet vetëm kur kërkohet. E kjo është një garanci për sigurinë e qytetarëve”, shtoi ajo.

Sipas Salës, afatet e zbatimit janë menduar në mënyrë realiste, duke krijuar një periudhë tranzitore që i jep kohë tregut të përshtatet natyrshëm me kërkesat e reja.

Sala tha se “sa i përket administratës publike, ministria jonë ka nisur tashmë një proces trajnimi për inspektorët dhe për specialistët që do të jenë të përfshirë në zbatimin e ligjit”.

“Ne sigurojmë se struktura jonë është gati për ta zbatuar këtë ligj me profesionalizëm dhe për të garantuar që çdo produkt i hedhur në treg të jetë i sigurt dhe i kontrolluar. Ky projektligj sjell mbrojtje të drejtpërdrejtë të shëndetit publik dhe njëkohësisht rrit cilësinë e produkteve që qarkullojnë në treg, duke krijuar konkurrencë të ndershme dhe duke shmangur hyrjen e produkteve të dyshimta që dëmtojnë konsumatorin dhe çekulibrojnë tregun”, tha Sala.

Ministrja Sala shtoi, në përfundim të fjalës në Kuvend, se me këtë projektligj sillet një model europian i kontrollit të sigurt.

“Ajo është garanci për qytetarët, është një investim në sigurinë e familjeve tona, është një mburojë për shëndetin publik dhe një hap i qartë drejt modernizimit të tregut shqiptar. Sot vendosim të garantojmë standarde europiane në një fushë që është thelbësore për cilësinë e jetës së qytetarëve”, tha Sala.

/e.i/r.e/

The post Sala: Për herë të parë regjistër kombëtar për produktet biocide appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministrja Evis Sala në provë me veten për ish-bosin, oligarkun Klodian Allajbeu

By: Ela
1 December 2025 at 14:44

Nga Boldnews.al Lajthitja logjike në të folur e ministres së Shëndetësisë, është vetëm e dukshmja, e cila shërben për meme të gatshme, por shëndetësia më shumë se shëron, po vret me aferat e panumërta që mbolojnë njëra-tjetrën. Ndonëse rishtare në detyrë dhe pa barrën e mëkateve të këtyre 13 viteve qeverisje të Ramës, ministrja e […]

The post Ministrja Evis Sala në provë me veten për ish-bosin, oligarkun Klodian Allajbeu appeared first on BoldNews.al.

Plan kombëtar veprimi për Garancinë Evropiane për Fëmijët, Sala: Ndërtojmë mbrojtje të qëndrueshme

27 November 2025 at 09:00

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Fëmijëve, theksoi se tre politikat kryesore Garancia për Fëmijët, Transformimi i Qendrave Rezidenciale dhe Ligji i Kujdesit Alternativ janë pjesë e një vizioni të vetëm, ndërtimi i një sistemi mbrojtjeje të qëndrueshëm, të koordinuar dhe të qasshëm, ku çdo fëmijë ndjehet i sigurt, i mbështetur dhe i përfshirë, ndërsa familjet marrin ndihmën e nevojshme për t’u forcuar.

“Fëmijët janë gjithmonë të parët dhe do të mbeten të tillë në çdo vendimmarrje të këtij institucioni,” tha ministrja në fjalën e saj.

Duke falënderuar anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre të përditshëm, ministrja ftoi pjesëmarrësit të ndajnë rekomandimet e tyre për përmirësimin e politikave, në mënyrë që zbatimi të jetë sa më cilësor dhe efektiv. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për Bashkimin Evropian, UNICEF-in, organizatat partnere dhe të gjithë aktorët që kanë mbështetur këtë proces reformues.

Në takim u prezantua Plani Kombëtar i Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët, që synon të garantojë që çdo fëmijë në Shqipëri, pavarësisht prejardhjes apo gjendjes socio–ekonomike, të ketë akses të barabartë në shërbime cilësore arsimore, shëndetësore, sociale dhe mbrojtëse. Ministrja Sala theksoi se Garancia Evropiane orienton institucionet drejt mbështetjes së fëmijëve më vulnerabël – përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, ata nga komunitetet rom dhe egjiptian, fëmijët pa kujdes prindëror apo në rrezik dhune dhe shfrytëzimi.

Një tjetër element i rëndësishëm i prezantuar ishte Procesi i Transformimit të Qendrave Rezidenciale, një reformë e cila përkthehet në zhvendosjen nga kujdesi institucional drejt shërbimeve komunitare dhe mbështetjes së familjes. Modeli tashmë i suksesshëm në Korçë dhe Vlorë po shtrihet në Durrës dhe së shpejti edhe në Shkodër, ndërsa me buxhetin e garantuar për periudhën 2026–2028, reforma do të shndërrohet në një realitet kombëtar.

Ligji i ri për Kujdesin Alternativ, i cili po finalizohet, është një prej shtyllave kryesore të reformës së deinstitucionalizimit dhe një angazhim kyç në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ligji pritet të modernizojë të gjithë sistemin e kujdesit për fëmijët që nuk mund të rriten me prindërit e tyre, duke vendosur standarde të reja në garantimin e interesit më të lartë të fëmijës dhe ndërtimin e një modeli funksional të kujdestarisë profesionale.

/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala gjatë mbledhjes së Këshillit...
1 nga 5

/e.i/j.p/

The post Plan kombëtar veprimi për Garancinë Evropiane për Fëmijët, Sala: Ndërtojmë mbrojtje të qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Onkologjiku në kolaps, ministrja Sala “udhëtime të rëndësishme pune” në Itali

By: Ela
26 November 2025 at 14:33

Spitali Onkologjik është në kolaps total prej numrit të madh të pacientëve të cilët marrin kimioterapi. Gazetari Osman Stafa, teksa shikon nga afër situatën kaotike në Onkologjik, shprehet se ministrja Evis Sala duhet të shkojë të shohë nga afër se çfarë po ndodh në këtë spital pasi pacientët po mbahen për orë e orë të […]

The post Onkologjiku në kolaps, ministrja Sala “udhëtime të rëndësishme pune” në Itali appeared first on BoldNews.al.

Gënjeshtër publike/ Bisedën me një ish-koleg italian, ministrja Sala e shet si “takim të rëndësishëm pune”

By: Ela
26 November 2025 at 12:52

Nga Boldnews.al Prej shtatorit të këtij viti, mjeka Evis Sala ka nisur punën part-time si Ministre e Shëndetësisë në kabinetin “Rama 4”. Kohën e saj fizike e ndan mes Shqipërisë dhe Italisë, ku ka ushtruar prej vitesh aktivitetin profesional. Por, duket se ajo kishte lënë shumë punë të pambaruara në Itali, kur u thirr nga […]

The post Gënjeshtër publike/ Bisedën me një ish-koleg italian, ministrja Sala e shet si “takim të rëndësishëm pune” appeared first on BoldNews.al.

FOTO/ Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala prezanton masat për parandalimin e dhunës ndaj grave

By: redi
25 November 2025 at 19:29

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me UN Women Albania, organizatat partnere të shoqërisë civile, të rinj e të reja aktiviste në mbarë vendin, hapën fushatën “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, me temë “Asnjë justifikim për dhunën online”. Në qendër të vëmendjes këtë vit është kërcënimi në…

Source

Sala: Thellim i bashkëpunimit me partnerët evropianë në trajtimin e sëmundjeve tumorale në Shqipëri

24 November 2025 at 16:07

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi sot një takim me presidentin e Aleancës Kundër Kancerit në Itali, prof. Ruggero De Maria.

Në një postim në rrjetin social X, Sala e konsideroi këtë takim si të shkëlqyer, teksa theksoi se diskutimi u fokusua te përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për të përmirësuar më tej parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për sëmundjet tumorale.

Sala nënvizoi se në këto përpjekje përfshihet krijimi i Rrjetit Kombëtar Onkologjik; ngritja e Institutit Kombëtar të Tumoreve; standardizimi i protokolleve të trajtimit dhe zgjerimi i aksesit në trajtimet klinike inovative.

“Presim me padurim thellimin e bashkëpunimit me partnerët kyç evropianë, ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë një sistem onkologjik modern, të aksesueshëm dhe të bazuar në fakte që ofron rezultate më të mira për çdo pacient”, tha Sala.

/e.i/r.e/

The post Sala: Thellim i bashkëpunimit me partnerët evropianë në trajtimin e sëmundjeve tumorale në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministrja Sala takim me presidentin e aleancës kundër kancerit në Itali: Do ndërtojmë një sistem onkologjik modern

By: redi
24 November 2025 at 16:12

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Evis Sala zhvilloi një takim me presidentin e aleancës kundër kancerit në Itali, Prof. Ruggero De Maria ku u diskutuan përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për të përmirësuar më tej parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për sëmundjet tumorale. ”Shqipëria mbetet e angazhuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët kyç evropianë…

Source

Projektbuxheti 2026 në Shëndetësi, ministrja Sala: Garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët

By: redi
19 November 2025 at 19:54

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala gjatë raportimit të saj në Kuvend, tha se projektbuxheti për vitin 2026 është një instrument që forcon reformën, modernizon sistemet tona, garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët. ”Fondi prej 15 milionë euro shtesë për barnat antitumorale është një investim serioz për përballimin e kësaj sfide. Kemi një strategji të qartë për modernizimin…

Source

Sala: Brenda pak ditësh, rritet me 57% kapaciteti i poltronave për kimioterapinë në spitalin Onkologjik

17 November 2025 at 15:42

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala deklaroi sot se janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e shërbimit ndaj pacientëve në spitalin Onkologjik, që lidhet me protokollin dhe kushtet në kryerjen e kimioterapisë.

Gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenies Sociale lidhur me pr.buxhetin për vitin 2026, Sala tha se sa i përket situatës në spitalin Onkologjik janë marrë masa të menjëhershme duke shtuar një fond emergjence prej 200 milionë lekësh për të adresuar mungesat.

“Ne kemi ngritur një ekip, duke riorganizuar edhe fluksin e pacientëve, të cilët marrin numrin dhe shkojnë në dhomën e caktuar në fashën orare të caktuara për të marrë kimioterapinë. Kemi bërë një vlerësim të situatës, brenda ambienteve që ka Onkologjiku që të krijojmë edhe dy hapësira të tjera dhe të kalojmë në 19 poltrona në 30 poltrona”, tha ministrja Sala.

Sala tha se buxheti 2026 ka një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, teksa përmendi shifrën e 15 milionë eurove për spitalin Onkologjik, një fond i dedikuar për barnat e këtij spitali.

“Vizioni im për shëndetësinë për këto katër vite, është që në qendër të jetë pacienti. Çdo iniciativë dhe çdo sistem do të integrohet i atillë që të jetë më efikas për pacientin. Qeveria do të vazhdojë të investojë në struktura dhe ndërtesa, por tani fokusi është në integrimin e shërbimeve që ato të jenë edhe më efikase”, tha Sala.

Sala tha se fokusi i dytë për të si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është digjitalizimi i shërbimeve dhe protokollove, jo vetëm për Onkologjikun, por për të gjithë rrjetin e shërbimit shëndetësor, si edhe zhvillimi i stafit përmes trajnimeve të vazhdueshme.

“Në fund të një mandati, programi do jetë që ne do kemi një institut të mirëfilltë të standardeve evropiane, por edhe një rrjet kombëtar për sëmundjet tumorale. Trajtimi të mos merret vetëm në QSUT për kimioterapinë, por edhe në spitalet rajonale apo edhe në qendrat ku ekzistojnë kushtet për trajtimin e kimioterapisë. Por, nuk duhet të harrojmë edhe sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, etj”, pohoi Sala.

Ministrja Sala tha se në këtë mandat do t’i shërbejë popullit shqiptar me mundësitë më mëdha që ajo ka si mjeke, duke ngritur grupe pune deri në qelizat më të skajshme të sistemit shëndetësor.

Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda u shpreh se kemi të bëjmë me një portofol shumë të madh që ka shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, që janë dy sektorë shumë të rëndësishëm për vendin.

Doda tha se sektori i shëndetësisë është në tranzicion, ndërsa deputetja iu drejtua ministres Sala me pyetjet se si do të shtohet kontrolli në rastet e neglizhencave dhe keqtrajtimit të sëmurit, si do të tërhiqen mjekët jashtë vendit, si edhe ngriti shqetësimin për mungesën e defribilatori dhe aparaturave të oksigjenit për fëmijët, në spitalin Pediatrik në Tiranë.

Ministrja Sala tha se është njohur me problematikën e defribilatorit në Pediatrinë e QSUT-së dhe çështja është drejt zgjidhjes.

Deputetja e PL-së, Erisa Xhixho ngriti një sërë pyetjesh drejtuar ministres Sala, nga mungesa poltronëve për marrjen e kimioterapisë në spitalin Onkologjik, te pajisja e prishur e brakiterapisë për gratë me kancer gjinekologjik, deri te mungesa e petskanit.

Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bardh Spahia tha se në perimetrin e QSUT po ndërtohet një hotel, teksa i kërkoi shpjegime ministres Sala për dijeninë rreth këtij projekti, kush po e kryen investimin etj.

Ministrja Sala nënvizoi se asnjë qindarkë nga buxheti i MSHMS për vitin 2026 nuk do të shkojë për ndërtim hoteli.

Sipas Salës, investimet janë përqendruar në sigurimin e një akseleratori linear të tretë që do fillojë punë brenda këtij viti, ndërsa theksoi se në 31 janar 2026 do të ketë një listë të re të barnave të rimbursueshme dhe futje të molekulave të reja.

Deputeti i PD, Zija Ismaili tha profesioni i mjekut duhet të sigurohet me ligj.

“Vetëm sot janë larguar tre mjekë nga spitali Onkologjik. Ne e dimë që një institucion mbahet mbi burimet njerëzore dhe infrastrukturë, por duhet të sigurohet profesioni i mjekëve, jo vetëm shërbimi i tyre”, tha Ismaili ndërsa kërkoi nga ministrja Sala se kur do të ketë një rishikim të protokolleve.

Ministrja Sala u shpreh se do të ketë një rishikim tërësor të protokolleve duke filluar nga viti i ardhshëm.

/e.i/ /a.g/

The post Sala: Brenda pak ditësh, rritet me 57% kapaciteti i poltronave për kimioterapinë në spitalin Onkologjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala takon Schillaci-n: Bashkëpunim për Rrjetin e ri Kombëtar Onkologjik dhe Institutin Kombëtar të Tumoreve

13 November 2025 at 13:40

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi sot një takim me ministrin italian të Shëndetësisë, Orazio Schillaci, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e shëndetësisë mes Shqipërisë dhe Italisë.

Gjatë takimit, i cili i parapriu mbledhjes së parë të përbashkët mes dy qeverive (G2G) Shqipëri-Itali sot në Romë, u theksua rëndësia e zgjerimit të partneritetit në disa fusha të rëndësishme ku prioritet do të jetë bashkëpunimi për ngritjen e Rrjetit të ri Kombëtar Onkologjik dhe Institut të ardhshëm Kombëtar të Tumoreve, të cilët do të përfaqësojnë elementë qendrore të reformës së sistemit tonë shëndetësor.

Po ashtu, do të vijojë bashkëpunimi dypalësh për përmirësimin e shërbimeve për shëndetin e nënës dhe fëmijës, përmes mbështetjes së projekteve të përbashkëta në neonatologji, e deri tek forcimi i kapaciteteve spitalore dhe profesionale në vend.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte bashkëpunimi në fushën farmaceutike, mes Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) dhe agjencisë homologe italiane AIFA, në fushën e politikave të regjistrimit, kontrollit dhe certifikimit të barnave, si dhe në përcaktimin e metodologjive të çmimeve.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po punon për hartimin e ligjit për qelizat, gjakun, indet dhe transplantin, ku Italia pritet të ofrojë mbështetje dhe shkëmbim përvojash, veçanërisht në fushën e transplantit.

Palët ranë dakord gjithashtu për të zgjeruar bashkëpunimin në trajtimin e sëmundjeve onkologjike, përfshirë forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e protokolleve të trajtimit në këtë fushë, si dhe për asistencë në trajtimin e rasteve që kërkojnë kujdes më të specializuar.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është zhvillimi i kapaciteteve në mjekësinë bërthamore dhe sigurimi i radiofarmaceutikëve (FDG – Fluorodesossiglucosio 18F), pas instalimit të aparaturës PET-CT në QSUT.

Në fokus të veçantë ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e arsimit universitar dhe formimit të vazhdueshëm profesional në mjekësi, si dhe konsolidimi i sistemeve të shëndetit digjital, telemjekësisë dhe monitorimit të performancës së institucioneve shëndetësore.

Ministrat Sala dhe Schillaci vlerësuan gjithashtu mundësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e menaxhimit spitalor, përmes bashkëpunimit me spitalin e njohur “San Raffaele” në Milano.

Takimi i parapriu mbledhjes së parë të përbashkët mes dy qeverive (G2G) të Shqipërisë dhe Italisë.

Nga takimi i ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala me homologun Italian
1 nga 5

/e.i/r.e/

The post Sala takon Schillaci-n: Bashkëpunim për Rrjetin e ri Kombëtar Onkologjik dhe Institutin Kombëtar të Tumoreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala: Për herë të parë, shërbim Trombektomie në QSUNT për 300 pacientë

12 November 2025 at 14:34

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Për herë të parë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, 300 pacientë do të marrin shërbimin e Trombektomisë gjatë vitit 2026.

Lajmin e bëri të ditur, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cila prezantoi sot projektbuxhetin e vitit 2026 në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale.

Sala tha se programi i shërbimit të kujdesit spitalor, do të financojë për herë të parë 300 pacientë që do të marrin shërbimin e Trombektomisë në QSUNT, me një vlerë financimi 480 milionë lekë.

“350 pacientë që do tu ofrohet për herë të parë rikonstruksioni i gjirit, me një vlerë financimi 70 milionë lekë. 50 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë procedura e transplantit të kornesë, me një vlerë 25 milionë lekë”, tha ajo.

Ministrja Sala nënvizoi se do të vijojë financimi në 5 spitalet terciale, 11 spitalet rajonale dhe Spitalin “Memorial” Fier, si dhe 27 spitalet bashkiake me një vlerë prej 27,9 miliardë lekësh.

“Këtu përfshihet ofrimi i të gjithë barnave onkologjike, me një vlerë shtesë në buxhetin për barna me 1 miliardë lekë. 1394 pacientë që do të trajtohen me dializë, me një vlerë financimi 2,6 miliardë lekë. 11.930 pacientë që do të trajtohen me paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me një vlerë financimi 1,4 miliardë lekë, të cilët do të trajtohen në dy spitale terciare (QSUNT dhe QSR Shefqet Ndroqi) dhe dy Spitale Rajonale (Shkodër dhe Fier për kardiologjinë). 22 pacientë që do të trajtohen me paketën e transplantit renal, me një vlerë financimi 23 milionë lekë. 5147 pacientë që do të trajtohen me paketën e kataraktit, me një vlerë financimi 112 milionë lekë”, tha Sala.

Gjithashtu, ministrja Sala shtoi se 200 çifte që do të përfitojnë nga paketa e fertilitetit, me një vlerë financimi 37,5 milionë lekë, ndërsa pritet të realizohen 1250 analiza për Sindromën Down, me një vlerë financimi 6 milionë lekë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Sala: Për herë të parë, shërbim Trombektomie në QSUNT për 300 pacientë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌