Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Aliu: Për herë të parë kemi një bazë të të dhënave për burimet njerëzore në shëndetësi

26 December 2025 at 18:12


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mbajti një takim informativ me gazetarët, ku u diskutua për gjendjet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet sistemi shëndetësor, si dhe për prioritetet në fushën e shëndetësisë për vitin e ardhshëm.

Ai u ndal te pesë shtyllat mbi të cilat bazohet sistemi shëndetësor, në aspektin e infrastrukturës, pajisjeve të reja, digjitalizimit, rregullativës ligjore dhe burimeve njerëzore me të cilat disponojnë institucionet publike shëndetësore.

"Sistemi shëndetësor kudo përballet me sfida. Që nga marrja e detyrës si ministër i Shëndetësisë, në muajin e parë e gjysmë fillimisht kemi bërë një skanim të gjendjeve, ndërsa tashmë, në fund të vitit, kemi një bazë të dhënash të sistemit shëndetësor. Për herë të parë deri më tani kemi një bazë të burimeve njerëzore, ndërsa së shpejti do të kemi edhe bazë të infrastrukturës dhe teknologjive që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor. Nga aspekti i ligjeve, sfidat ishin të mëdha dhe 12 ligje tashmë janë në proces shqyrtimi dhe ndryshimi, ndërsa po punojmë edhe në 2 ligje të reja që deri më tani nuk kanë ekzistuar, por që proceset kërkojnë t’i kemi. Vlerësoj se deri në fund të muajit shkurt të gjitha ligjet do të përfundojnë dhe për to do të informojmë më në detaje", theksoi ministri Aliu.

Sa i përket sfidave të tjera me të cilat përballet shëndetësia, ministri Aliu informoi se janë krijuar gjashtë grupe për monitorimin e problemeve klinike gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët. Prej tyre, pesë grupe deri më tani kanë konstatuar se nuk janë evidentuar probleme klinike.

MSH-Maqedoni: Komisioni konstatoi se procedura e reanimimit për foshnjën e ndjerë është zbatuar sipas protokollit

26 December 2025 at 16:37


Komisioni për mbikëqyrje profesionale për rastin së Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë konstatoi se procedura e reanimimit është zbatuar sipas protokollit, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

"Komisioni për mbikëqyrje profesionale për rastin e foshnjës së porsalindur të ndjerë në Klinikën e Gjinekologjisë, pas kryerjes së mbikëqyrjes, ka nxjerrë këto përfundime:

Në bazë të dokumentacionit të plotë mjekësor, deklaratave të personelit mjekësor dhe gjetjeve të autopsisë, Komisioni për mbikëqyrje profesionale konstatoi se bëhet fjalë për një foshnjë të lindur para kohe, me infeksion të rëndë kongjenital, distres respirator dhe funksion pulmonar të dëmtuar për shkak të mushkërive të paformuara dhe procesit inflamator në kuadër të infeksionit, me prani të pneumotoraksit spontan, parcial, të verifikuar radiologjikisht në orët e para pas lindjes.

Për shkak të seriozitetit të gjendjes dhe rreziqeve të theksuara, foshnja është vendosur në ventilim mekanik katër orë pas lindjes dhe për shkak të infeksionit kongjenital, menjëherë është vendosur në terapi antibiotike", thuhet në njoftim.

Gjatë trajtimit, shtojnë nga atje, është indikuar ndryshimi i terapisë antibiotike, duke marrë parasysh analizave laboratorike që tregonin për një gjendje septike./Telegrafi/

Aliu: Qeveria planifikon blerjen e 100 automjeteve të reja për ndihmën e shpejtë dhe zgjidhje për parkingun e Qendrës Klinike

23 December 2025 at 22:43


Ministri për shëndetësi në Maqedoninë e Veriut, Azir Aliu, ka sqaruar se një nga vendimet e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është blerja e 100 automjeteve për ndihmën e shpejtë.

“Me këtë vendim sigurojmë mjete për furnizimin e 100 automjeteve të reja të ndihmës së shpejtë, me vlerë të përgjithshme prej 461.250.000 denarë, duke marrë përsipër obligime në kuadër të pjesës zhvillimore të buxhetit për katër vitet e ardhshme”, njoftoi Aliu.

Përmes këtyre automjeteve, Qeveria planifikon bartje më të shpejtë ë pacientëve në nivelin sekondar dhe terciar.

“Toka e hapësirës së parkimit do të regjistrohet në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka hiqet pengesa administrative për nënshkrimin e kontratës me Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit – Shkup”. Kjo kontratë do të mundësojë modernizimin dhe rritjen e ndjeshme të kapaciteteve të parkimit, si dhe vendosjen e rendit”, njoftoi ministri Aliu në lidhje me parkingun te Qendra Klinike “Nënë Tereza”.

Protestë e mjekëve edhe në Shkup, kërkojnë në të gjitha qytetet të njëjtën pagë fillestare neto

22 December 2025 at 16:20


Një marrëveshje kolektive e unifikuar, sipas së cilës paga fillestare neto e mjekëve nga qytetet e tjera dhe nga Shkupi do të jetë e njëjtë, ndërprerja e deficitit të personelit shëndetësor që vjen nga brenda në Shkup, si dhe rritja e pagave të punonjësve në sektorin shëndetësor, janë kërkesat e Sindikatës së pavarur të punonjësve shëndetësorë. Për këto kërkesa, kryetari i Sindikatës, Bobi Bojçevski, sot ka biseduar me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu.

“Kërkesa jonë si sindikatë është që të kemi një marrëveshje kolektive të unifikuar, sipas së cilës një gjinekolog nga Strumica do të marrë të njëjtën pagë neto fillestare si një gjinekolog nga qytete të tjera dhe nga Shkupi, sepse paga neto e një gjinekologu është e ndryshme në Strumicë dhe në Shkup”, tha Bojçevski.

Ai theksoi se çështja e dytë që diskutuan ishte ndalimi i deficitit të këtij stafi nga brenda, i cili vjen në Shkup. Çështje të tjera, shpjegoi ai, lidheshin me rritjen e pagave për punonjësit në sektorin e kujdesit shëndetësor që do të realizohen në muajt në vijim.

Ai shpjegoi se sipas asaj që u nënshkrua vitin e kaluar me kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë, për katër vite duhet të ketë një rritje prej 40 deri në 50 për qind të pagave të punonjësve në sektorin e kujdesit shëndetësor. Ai thekson se shpresojnë që shëndetësia të lëvizë nga pika ku ndodhet.

Ai theksoi se do të kenë një takim tjetër javën e ardhshme me ministrin e Shëndetësisë, ku do të diskutohet në lidhje me të njëjtat. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ai tha se paga mesatare e një mjeku të përgjithshëm është 45 mijë denarë, ndërsa me kujdestarinë arrin në 50 mijë denarë.

Aliu: Së shpejti qendër nacionale për terminet, që pacientët të arrijnë sa më shpejtë tek mjeku specialist

20 December 2025 at 19:42


Sistemi “Termini Im” është një nga pikat ku qytetarët më së shumti ndjejnë nevojën për një shërbim të shpejtë, të qasshëm, të drejtë dhe transparent, theksoi për TVM2 Ministri i Shëndetsisë, Azir Aliu.

Sipas tij së shpejti do të krijojnë një qendër nacionale e cila do të ketë në fokus informatat dhe proceset brenda sistemit “Termini im” që pacientët sa më shpejtë dhe më lehtë të arrijnë në terminin e caktuar tek mjeku specialist.

“Kemi hapur dhe procese për të krijuar një qendër nacionale ‘Data Cent’, qendër në të cilën do t’i kemi të gjitha të fokusuara, si informatat, ashtu e dhe proceset brenda përbrenda këtij sistemi në aspektin e pritjes së pacientëve. Këtu kemi dy probleme, problem i parë është mungesa e mjekëve siç theksuam më herët, pra ky është proces i cili nuk zgjidhet brenda një dite, do të duhet të kalojë kohë për të krijuar profilë adekuat, dhe forma tjetër është mospasja e formave tjera alternative, përveç mjekësisë me metodologji të vjetra, për këtë arsye fusim termin e medicinës si koncept të ri i cili do të mundësojë edhe mjekët që nuk jetojnë në Maqedoni të japin shërbime shëndetësore në shtet, kështu edhe do të lidhen ato me institucionet shëndetësore në shtet ku ato vijnë, por nga ana tjetër edhe ne do të ulim aspektin e pritjes së pacientëve për leximin e rezultateve.” – tha Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se shumë shpejt qytetarët do ta ndjejnë këtë ndryshim, jo vetëm në ekran, por edhe në përditshmërinë e tyre.

Aliu: Janë përcaktuar programe të reja të specializimit, për formimin e kuadrove mjekësorë

19 December 2025 at 18:53


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha sot se janë përcaktuar programe të reja të specializimit të cilat do të ndryshojnë mënyrën se si formohen kuadrot mjekësore.

Ai sqaroi se për më shumë se 15 vjet programet e arsimit të lartë mjekësor nuk janë përditësuar dhe se me këtë përcaktim tëri, qëllimi është të formohet një mjek specializant i përgjithshëm dhe pastaj të mund të vazhdojë më tej me sub-specializimin në fusha më specifike.

“Thelbi i programeve të reja është i thjeshtë, largojmë nga logjika e specializimeve tepër të ngushta si pikënisje që do të ndërtojmë një bazë të fortë klinike të përgjithshme mbi të cilën më pas do të ndërtojmë mënyrën më racionale përmes sub-specializimeve për specializime shumë të ngushta në fusha të ndryshme”, theksoi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Kujtojmë se sipas statistikave të fundit të publikuara në media, Maqedonia e Veriut ka nevojë të theksuar për kuadro mjekësore, përfshirë mjekët specializantë e poashtu dhe staf për infermierë.

Del raporti nga autopsia, Klinika e Gjinekologjisë tregon arsyen e vdekjes së foshnjës

19 December 2025 at 14:42


Klinika e Gjinekologjisë ku vdiq një i porsalindur, sot njoftoi për mediat se autopsia tregoi se nuk kishte dëmtime fizike në asnjë nga organet dhe se shkaku i vdekjes ishte dështimi i frymëmarrjes nga sindroma e stresit të frymëmarrjes, pra papjekuria e mushkërive.

"Pas marrjes së rezultateve nga Klinika, familja u thirr në mënyrë të rregullt për t'u informuar personalisht për të gjitha detajet e gjetjeve. Për rrjedhën e mëtejshme të rastit, Ministria e Shëndetësisë formoi komision ekspertësh me qëllim sqarimin e plotë të rastit dhe gjetjen e çdo parregullsie të mundshme në trajtimin e të porsalindurit. Sipas përfundimit, Klinika do të veprojë sipas të gjitha procedurave ligjore të përcaktuara për fillimin e mundshëm të procedurave disiplinore brenda afatit të lejuar".

"Si institucion, shprehim keqardhjen tonë të thellë dhe në të njëjtën kohë bashkëndiejmë për dhimbjen dhe humbjen e familjes. Punonjësit e Klinikës së Gjinekologjisë luftojnë për jetën e shumë fëmijëve çdo ditë, por për fat të keq ndodhin edhe humbje që i përjetojmë jo vetëm si profesionistë, por edhe si humbje emocionale", thuhet në deklaratën e Klinikës.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në një konferencë për shtyp tha se komisioni i ekspertëve është formuar tashmë dhe kërkoi që të respektohen procedurat dhe të priten raportet nga të gjitha institucionet përpara se të nxirret ndonjë përfundim./Telegrafi/

Aliu për vdekjen e foshnjës në Klinikën E Gjinekologjisë: Presim rezultatet nga Komisioni i Ekspertëve

19 December 2025 at 13:50


Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, sot është pyetur në lidhje me rastin e vdekjes së foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup, për të cili tha se është formuar komision ekspertësh dhe priten rezultatet e raportit.

"Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar ka përfunduar tashmë procedurat dhe kishte edhe konferencë për shtyp. Nuk janë konstatuar procedura administrative që nuk janë zbatuar. Komisioni është formuar dhe sot është në terren. Të presim rezultatet edhe nga obduksioni për të përmbledhur të gjitha gjetjet dhe më pas do të japim informacion”, tha Aliu.

I pyetur se pse Inspektorati nuk kishte marrë parasysh në raportin e tij një njoftim nga shefja e repartit të Klinikës së Gjinekologjisë që tregonte trajtim të pa kujdesshëm të të porsalindurit, ministri shpjegoi se ai ishte në një udhëtim zyrtar dhe nuk kishte mundur të shihte dokumentin.

“Realisht, nuk isha këtu. Dokumenti është në zyrën time dhe nuk arrita ta lexoj. Në komunikim me drejtorin e ISHS-së, më tha se nga ana e tyre rasti është i pastër dhe kështu më dha informacionin. Do të kontrolloj analizat që janë bërë dhe do t’ju informoj”, tha Aliu.

Pas lajmit për vdekjen e të porsalindurit, Inspektorati Shëndetësor Sanitar ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se shkaku i vdekjes ishte pneumotoraks masiv dhe edemë cerebrale. Megjithatë, priten rezultatet e obduksionit që do të tregojnë saktësisht shkakun e vdekjes.

Aliu–Sala: Ekzistojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë në fushën e shëndetësisë

18 December 2025 at 09:47


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, zhvilloi një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Evis Sala, ku u rikonfirmua bashkëpunimi i suksesshëm dypalësh mes dy vendeve, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij në fushën e shëndetësisë.

"Me Republikën e Shqipërisë kemi vendosur një bashkëpunim të suksesshëm dhe, së bashku me ministren Sala, angazhohemi për thellimin e bashkëpunimit në disa segmente të sistemit shëndetësor. Personalisht mendoj se shkëmbimi i njohurive dhe përvojave ndërmjet personelit mjekësor të të dy vendeve kontribuon në përmirësimin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor".

"Njëkohësisht, e informova ministren për angazhimin tonë për forcimin e burimeve njerëzore dhe planifikimin proaktiv të kapaciteteve kadrovike, me theks të veçantë në përmirësimin e sistemit të specializimeve dhe subspecializimeve, në përputhje me nevojat e qytetarëve", theksoi ministri Aliu.

Në takimin e punës mes ministrave Aliu dhe Sala u diskutua gjithashtu edhe për digjitalizimin, si një nga shtytësit kryesorë të zhvillimit të sistemeve shëndetësore në rajon.

Inspektim në Klinikën për Gjinekologji, Inspektorati: Komisioni i formuar do të tregojë nëse ka pasur lëshime në trajtimin e foshnjës e cila vdiq më 1 tetor

17 December 2025 at 19:02


Inspektorati shtetëror sanitar kreu një inspektim të jashtëzakonshëm në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, pas vdekjes së një foshnje të porsalindur më 01.10.2025.

Inspektimi u bazua në shqyrtimin e dokumentacionit mjekësor për nënën V. I. nga Haraçina dhe foshnjën e saj. Ne raport jepen detaje për trajtimin e foshnjës dhe nënës, ndërkaq për çdo gabim eventual në trajtimin e foshnjës duhet të konstatohet nga një komision profesional, të cilin inspektorati ka kërkuar të formohet, ndërsa drejtorit të Klinikës i janë dhënë rekomandime për sqarim të plotë dhe marrje të masave përkatëse.

Mbikëqyrja ka treguar se gjatë trajtimit u shfaqën komplikime të rënda, përfshirë pneumotoraks dhe edemë të trurit, që çuan në përkeqësim progresiv të gjendjes dhe vdekje.

“Më 1 tetor, gjendja e fëmijës u përkeqësua, kështu që u thirr një kardiolog pediatrik dhe një kirurg pediatrik, të cilët vendosën një dren për shkak të gjetjes së një pneumotoraksi masiv në të djathtë; dhe pediatri kujdestar në OINT, MSc. Subspecialist në Neuropediatri, kreu një ekzaminim me ultratinguj të trurit me gjetjen e edemës cerebri. Për shkak të gjendjes së rëndë, u iniciua ringjallja kardiopulmonare, adrenalina u administrua tre herë, por pa sukses dhe exitus letalis ndodhi në orën 7 të mbrëmjes më 1 tetor. Një kërkesë për autopsi u krijua në Institutin e Patologjisë në Fakultetin e Mjekësisë – Shkup, por një raport nuk ishte përgatitur deri në ditën e inspektimit”., tha Kiril Lazov, drejtor i ISHSSH.

Vdekja e foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë, Aliu inicion mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese

16 December 2025 at 13:07


Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me rastin e foshnjës së porsalindur të ndjerë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, shpreh fillimisht ngushëllimet më të sinqerta për prindërit.

"Me qëllim të përcaktimit të rrethanave dhe sqarimit të plotë të rastit, ministri Azir Aliu ka iniciuar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, pas së cilës do të vijojë edhe një mbikëqyrje profesionale.

Theksojmë se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me inspektoratin, do të veprojë në mënyrë profesionale, të specializuar dhe transparente, me qëllim informimin e saktë dhe objektiv të opinionit publik mbi rrethanat e këtij rasti, si dhe mbi aktivitetet e ndërmarra nga aspekti profesional.

Në këto momente të vështira për familjen, lusim të priten hulumtimet e mbikëqyrjeve dhe rezultati i obduksionit, i cili është i vetmi dhe përfundimtari për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes, në mënyrë që deri në marrjen e rezultateve përfundimtare të mos krijohet shqetësim te familja dhe në opinionin publik", njoftojnë nga MSH.

Nga atje rikujtojnë se Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës është një institucion terciar i nivelit të lartë, me protokolle ligjërisht të përcaktuara për veprim në raste të tilla./Telegrafi/

Aliu: Bashkë me MASH-in do të përgatisim strategji 10 vjeçare nacionale për formimin e kuadrit shëndetësor

14 December 2025 at 19:55


Shëndetësia në vend ka nevojë për kuadro të reja pasi përballet me mungesën e mjekëve, infermierëve dhe personelit teknik. Në përputhje me nevojat, çdo drejtori i shtëpisë së shëndetit, apo drejtor i ndonjë spitali, është obliguar që në bazë të sistematizimit të bën kërkesa deri Ministria e Shëndetësisë për punësime të reja, bën të ditur për TVM2 Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.

“Pra momentalisht Maqedonia është shumë poshtë në përputhje me standardet evropiane në përputhje me kapacitetet demografinë dhe shërbimet shëndetësore që i japim. Kemi diku në disa prej shërbimeve shëndetësore jemi dy herë më ulët sesa kapacitete që i ka Bashkimi Evropian, dhe standardet evropiane në rastet më të mira jemi 50 përqind më ulët në aspekt të kapaciteteve njerëzore. Pra në total mund të them që eko sistemit shëndetësor i mungojnë shumë mjek, infermierë dhe personel teknik dhe një nga performansat që ne i bëjmë dhe nga prioritetet që i kemi si shëndetësi është që të zgjidhim problemin hap pas hapi, por në aspekt afatgjatë.”, u shpreh për TVM2 Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.

Ministri Aliu po ashtu bën të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të përgatisin strategji 10 vjeçare nacionale për formimin e kuadrit shëndetësor.

“Bashkë me ministrinë e arsimit bëjmë një strategji nacionale 10 vjeçare e cila do të bën edhe performimin e kuadrit të nevojshëm në shëndetësi i cili pastaj pas mbarimit të shkollës së mesme direkt do të punësohet apo pas mbarimit të fakultetit mjek të përgjithshëm do të punësohen apo do të vazhdojnë specializimin më tej. Pra krijojmë një politikë e cila do të paraprin nevojat dhe jo politikë e cila do të zgjidhë problemet reale ato në moment.”, tha Aliu për TVM2.

Numri i të punësuarve në shëndetësi është 32,383 persona, prej të cilëve 18,536 janë në institucione publike shëndetësore, ndërsa 13,842 persona në shëndetësinë private.

MSH: Për herë të parë u krye ndërhyrje kirurgjikale tek një fëmijë me deformim kongjenital të rrallë

13 December 2025 at 18:56


Në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendër Urgjente (TOARILUC), për herë të parë në Maqedoni është realizuar një ndërhyrje kirurgjikale komplekse te një fëmijë 4-vjeçar me deformim të rrallë kongjenital – deformiteti i Sprengelov (Sprengel deformity), në bashkëpunim me prof. dr. Ufuk Ajdinli nga Republika e Turqisë.

Kjo ndërhyrje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor maqedonas për trajtimin e gjendjeve ortopedike të rralla dhe komplekse në moshën pediatrike, përmes punës ekipore, përcjelljes së njohurive dhe zbatimit të teknikave moderne operative.

“Kjo ndërhyrje është rezultat i një koordinimi multidisiplinar të nivelit të lartë – ekip ortopedik, anestezi, kujdes intensiv dhe mbështetje urgjente – me fokus të qartë në sigurinë dhe cilësinë e procedurës. Falë bashkëpunimit me prof. dr. Ufuk Ajdinli, kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara në trajtimin e deformimeve kongjenitale të rralla te fëmijët. Qëllimi ynë është që këto lloj procedurash të bëhen pjesë standarde e praktikës klinike në vend, përmes edukimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit të ekipeve vendore,” – thekson drejtori i TOARILUC-it, prof. dr. Igor Merxhanoski.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, ndërtimi i besimit në sistemin shëndetësor realizohet përmes rezultateve konkrete, njohurive, punës ekipore dhe krijimit të kushteve që edhe ndërhyrjet më komplekse të kryhen brenda vendit.

“Ky është një shembull se si bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimi i eksperiencës dhe i njohurive shndërrohen drejtpërdrejt në kujdes më të mirë për pacientët. Ministria do të vazhdojë të mbështesë modernizimin e klinikave, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe futjen e metodave bashkëkohore mjekësore, me qëllim që qytetarët të kenë një sistem shëndetësor modern, funksional dhe të qëndrueshëm,” – u shpreh ministri Aliu.

Deformiteti i Sprengel-it është një gjendje e rrallë kongjenitale, në të cilën shpatulla (lopata e shpatullës) është e vendosur në mënyrë jonormale më lart dhe është e pazhvilluar mjaftueshëm, si pasojë e migrimit të pasuksesshëm poshtë gjatë zhvillimit embrional. Kjo gjendje zakonisht shkakton një “dalje” të dukshme dhe kufizim të lëvizjes së shpatullës.

Shpesh shoqërohet edhe me gjendje të tjera, si sindroma Klipel-Fil, skolioza, dhe nganjëherë me lidhje shtesë kockore ose fibroze me shtyllën kurrizore (brez omovertebral). Për këtë arsye, për diagnozë të saktë dhe planifikim adekuat përdoren ekzaminime si KT dhe/ose MRI. Trajtimi kirurgjikal zakonisht rezervohet për rastet më të rënda te fëmijët e moshës 3 deri në 8 vjeç, me qëllim përmirësimin e funksionit dhe pamjes fizike.

ISHP: Javën e kaluar janë regjistruar 96 raste me grip

12 December 2025 at 16:10


Brenda një jave, nga 1 deri më 7 dhjetor 2025, në Maqedoninë e Veriut u raportuan 96 raste të raportimeve grupore të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, 15.8% më pak se javën e kaluar, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

Nga këta, 85 persona janë të moshës 15-64 vjeç, 6 persona mbi 65 vjeç, 4 fëmijë të moshës 5-14 vjeç dhe një rast i regjistruar është i moshës 0-4 vjeç.

Në sezonin 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit/sëmundjeve të ngjashme me gripin është 872. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur me 60.9%.

Nga ISHP thonë se që nga 16 tetori, ka filluar vaksinimi falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikut të qytetarëve, dhe interesi është i lartë. Deri më tani, gjithsej 76,702 persona nga kategoritë e rrezikut janë imunizuar me vaksinë falas në Maqedoninë e Veriut.

Në Klinikën e Ortopedisë u kryen me sukses dy transplante kockash nga donatorë të vdekur

6 December 2025 at 15:40


Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Klinikën e Ortopedisë janë kryer dy transplante të kockave te dy fëmijë të moshës 14 dhe 13 vjeçar.

Ministria e Shëndetësisë falënderoi ekiçet mjekësore dhe familjarët e donatorëve për humanizmin.

“Operacioni i parë u krye tek një vajzë 14-vjeçare me një anomalitet të lindur të këmbës. U arrit një korrigjim i qëndrueshëm dhe pacientja u rikthye në aktivitetet e zakonshme. Operacioni i dytë u krye tek një djalë 13-vjeçar me deformitet të përsëritur të këmbës. Pacienti u shkrua nga spitali në gjendje të mirë dhe pritet të fillojë rehabilitimin. Përdorimi i transplantimeve kockore nga kadaverët ka një rëndësi të madhe në ortopedinë pediatrike – shmanget një plagë kirurgjikale e re, dhimbja dhe deformimet shtesë, ndërsa ndërhyrjet bëhen më të sigurta dhe më të shkurtra”, tha Ministria e Shëndetësisë.

Aliu: Me sindikatat jemi në të njëjtën anë, bashkëpunojmë për përmirësimin e statusit të punonjësve shëndetësorë

5 December 2025 at 12:31


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mbajti takim pune me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe me Sindikatën e Qendrës Klinike.

“Me sindikatat jemi në të njëjtën anë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm, mbajmë takime të rregullta pune dhe së bashku angazhohemi për përmirësimin e statusit të punonjësve shëndetësorë. Në frymën e dialogut social, biseduam dhe shqyrtuam aspektet e mundshme për plotësimin e marrëveshjes kolektive".

"Po ashtu, i informova përfaqësuesit e organizatave sindikale për dinamikën e realizimit të punësimeve të reja në shëndetësi, të cilat u shtynë përkohësisht për shkak të zgjedhjeve lokale, si dhe për punësimin e përhershëm të specialistëve privatë", theksoi ministri Aliu.

Aliu: Forcohet kuadri në Spitalin Klinik të Tetovës, u ndanë vendimet për punësim të 28 mjekëve specializantë

3 December 2025 at 16:35


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot e vizitoi Spitalin Klinik të Tetovës me rastin e ndarjes së vendimeve për punësim të mjekëve–specializantë nga disa fusha.

Ai tha se specializantët privatë punësohen përmes konkursit publik të shpallur, testimeve të realizuara, intervistave dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore.

“Me kënaqësi të madhe marr pjesë në ndarjen e vendimeve për punësimin e 28 mjekëve specializantë. Bëhet fjalë për specializantë privatë nga fusha të ndryshme, me ç’rast përmirësohet ndjeshëm kujdesi shëndetësor specialistik në këtë institucion. Specializantët privatë punësohen përmes konkursit publik të shpallur, testimeve të realizuara, intervistave dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore. Në kuadër të përpjekjeve për regjionalizimin e shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e spitaleve klinike rajonale dhe atyre të përgjithshme në mbarë shtetin, pikërisht Spitali Klinik i Tetovës është një nga fokuset kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë", theksoi Aliu.

Ai kujtoi se, në kuadër të këtyre përpjekjeve për regjionalizim, në këtë institucion po punohet edhe në shpërndarjen e shërbimeve onkologjike, me qëllim që pacientët t’i marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore më afër vendbanimit të tyre.

Koreja i jep tetë automjete elektrike Ministrisë së Shëndetësisë në RMV

24 November 2025 at 15:19


Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Koresë, përmes një granti ndihme, ka siguruar tetë automjete moderne elektrike, së bashku me instalimin e stacioneve për karikim elektrik, thuhet në njoftimin e MSH-së.

“Bashkë me ambasadorin e Republikës së Koresë, Dong-bae Kim, sot realizuam dorëzimin e tre automjeteve të para nga granti, ndërsa deri në fund të muajit presim të mbërrijnë edhe pesë automjete të tjera, me çka do të përmbyllet plotësisht donacioni prej gjithsej tetë automjetesh elektrike.

Kjo mbështetje e rëndësishme nga Republika e Koresë paraqet një hap të madh drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe do të mundësojë funksionim më efikas, më ekonomik dhe më ekologjik të shërbimeve inspektuese,” deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit, ministri Aliu shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë së Republikës së Koresë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin në forcimin e kapaciteteve të sistemit publik shëndetësor. /Telegrafi/

Aliu: Filluam me analizimin e të dhënave për vendosjen e regjistrit për burime njerëzore në institucionet shtetërore

21 November 2025 at 13:36


Ministria e Shëndetësisë filloi me analizimin e të dhënave të situatës momentale të burimeve njerëzore në institucionet publike dhe private shëndetësore në mbarë vendin.

Ministri kompetent Azir Aliu sot në konferencën për shtyp njoftoi se bëhet fjalë për fillimin e vendosjes së regjistrit të punëtorëve në fushën e shëndetësisë dhe se do të mund ta ndjekin lëvizjen e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor, nga pensionimi, punësime të reja, specializime, deri te transferimi nga njëri institucion në tjetrin.

Ai theksoi se kjo do të thotë se kur të flitet për punësime të reja, kjo do të jetë përgjigje e nevojave konkrete në sistemin shëndetësor. Kur të themi se do të përforcohet shëndetësia primare në ndonjë komunë, theksoi Aliu, saktë do ta dimë se sa mjekë dhe infermiere duhet të ketë atje, kur të themi se nuk do të lejojmë të ketë qytete me dyfish më pak mjekë për kokë banori, do ta dimë si ta rregullojmë këtë.

Sipas analizës, në vend ka gjithsej 3.779 institucione shëndetësore nga të cilat 2.942 janë në rrjetin e institucioneve shëndetësore, ndërsa jashtë rrjetit janë 837 institucione.

“Nga 2.942 institucione shëndetësore 2.830 janë private (IPSH), ndërsa 112 janë institucione publike – nga të cilat 108 janë institucione shëndetësore publike (ISHP) dhe 4 institucione të cilat japin shërbime shëndetësore publike, siç janë Qendra Ushtarake Mjekësore, ASHAM, Universiteti Shën. Cirili dhe Metodi – Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Farmacisë-Shkup. Numri i të punësuarve në sektorin publik dhe privat arrin 32.383, nga të cilët 18.536 janë në ISHP, ndërsa 13.847 në IPSH. Nga 13.847 të punësuar, 9.040 janë mjekë dhe anëtarë të ekipit në shëndetësinë primare, ndërsa të tjerët 4.807 të punësuar në institucionet shëndetësore publike (të gjithë të punësuar në sektorin e shëndetësisë)”, tha Aliu.

Nga 18.536 të punësuar në shëndetin publik, theksoi ministri, 4.746 janë mjekë dhe bashkëpunëtorë mjekësor në nivel sekondar dhe terciar. Në institucionet e shëndetit publik ka 7.003 infermiere, si dhe personel tjetër mjekësor dhe jomjekësor.

Ai theksoi se nuk beson në politika pa të dhëna dhe prandaj e kanë filluar këtë proces, e kanë udhëhequr si proces të kryqëzimit të të dhënave nga institucionet e shëndetit publik dhe institucionet shëndetësore private dhe i kanë lidhur të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, përkatësisht atë primar, sekondar dhe terciar, e kanë analizuar shpërndarjen në të gjitha komunat dhe rajonet, të dhënat i klasifikuam sipas specializimit, sipas profilit dhe llojit të institucionit.

Sipas tij, ky është fillimi i vendosjes së regjistrit të të punësuarve në fushën e shëndetësisë ku të dhënat do të mund t’i shikojnë në kohë reale dhe të krijojnë politika shëndetësore të bazuara në të dhënat e përditësuara dhe të sakta në kohë.

“Kjo analizë doli nga një proces institucional themelor i kryqëzimit të të dhënave nga disa institucione, siç janë Regjistri Qendror, Agjencia për Punësim, Oda e Mjekëve, Oda Stomatologjike, Oda Farmaceutike, Drejtoria për Shëndetësi Elektronike dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor. Kujdesi shëndetësor nuk mund të reformohet “verbërisht”, është e pamundur të planifikosh kujdestari, lista pritjeje, specializime, ekipe ndërhyrjeje dhe shërbime shëndetësore afër shtëpisë së çdo qytetari, nëse nuk e di saktësisht se sa njerëz punojnë në sistem, ku punojnë dhe me çfarë ekspertize”, shtoi Aliu.

Aparaturë moderne për rezonancë magnetike në Klinikën Kirurgjike “Shën Naum i Ohrit”, Aliu: Vazhdojmë me projekte për avancimin e procedurave diagnostikuese

20 November 2025 at 14:11


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryeministrin, Hristijan Mickoski, sot e vizituan Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naum i Ohrit”, ku është siguruar një aparat modern dhe i gjeneratës më të re për rezonancë magnetike.

Vazhdojmë aty ku ndalëm për shkak të zgjedhjeve lokale. Ky është edhe një projekt tjetër i realizuar nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për avancimin e procedurave diagnostikuese, me qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore në kohë reale dhe me cilësi më të lartë", deklaroi ministri Aliu.

Drejtori i klinikës, Nebojsha Nastov, theksoi se vitin e kaluar institucioni është pajisur me aparaturë moderne mjekësore me vlerë totale prej 90 milionë denarësh.

"Me këtë gjeneratë të re të aparateve për rezonancë magnetike shkurtohet koha e ekzaminimeve dhe rritet numri i kontrollimeve që mund të kryhen brenda ditës. Me aparatin paraprak, i cili ishte 16 vjet i vjetër, kryheshin rreth 4.000 rezonanca magnetike në vit, ndërsa me aparatin e ri presim të realizohen të paktën 5.000 incizime vjetore. Përveç aparatit më të ri për rezonancë magnetike, në klinikë janë siguruar edhe dy kolona të reja laparoskopike dhe instrumente për traumatologji", shtoi drejtori Nastov.

❌
❌