Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

BE shpreh shqetësime serioze për ‘Paqen Fiskale’ në prag të votimit në parlament 

11 December 2025 at 11:48

Esmeralda Topi

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë shpreh shqetësime serioze mbi efektet e “Paqes Fiskale”. Në prag të votimit në parlament të nismës që i hap rrugën faljes masive të borxheve dhe rishikimin e detyrimeve tatimore për bizneset, BE paralajmëron qeverinë mbi rreziqet e saj. 

“Komisioni theksoi shqetësime serioze që lidhen me dekurajimin e përmbushjes tatimore dhe përsëriti nevojën për vendosjen e masave të forta kundër pastrimit të parave brenda këtij propozimi, ndërkohë që vazhdon angazhimin për uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore”, tha për Faktoje.al, zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian. 

Për BE-në, këto shqetësime duhet të adresohen përpara se nisma të konsiderohet e qëndrueshme në kontekstin e integrimit evropian. Delegacioni thekson se çdo amnisti apo program vullnetar për përmbushjen tatimore duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke mos cenuar luftën kundër krimit të organizuar.

“Shqipëria të sigurojë që ‘amnistitë e mundshme dhe programet vullnetare për përmbushjen tatimore të jenë në përputhje me planet e vendit, të avancojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe të jenë në përputhje me acquis-në përkatëse të BE-së dhe standardet ndërkombëtare, si ato të përcaktuara nga Moneyval dhe FATF”, përfundon reagimin zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë. 

Nisma pa dakordësinë e BE-së

Qendrimi i Brukselit pak orë para se Parlamenti të votojë “Paqen Fiskale” sfidon edhe qëndrimin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili më herët ka lënë të kuptohet se nisma është dakordësuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian. 

“Në frymën e transparencës ky projekt është konsultuar me FMN, e cila është dakord me këtë projekt, nuk e ka kundërshtuar fshirjen dhe legalizimin. Po ashtu, edhe me Bashkimin Europian jemi konsultuar”, deklaroi Malaj gjatë emisionit E Zone në Vizion Plus. 

Deklarata bie ndesh me informacionin zyrtar të Delegacionit, sipas të cilit, shqetësimet e BE-së mbeten të pazgjidhura. Nisma, sipas tyre, nuk ka përputhshmëri të plotë me standardet europiane për administrimin fiskal dhe luftën kundër pastrimit të parave.

Ndryshe nga sa deklaron ministri, qeveria nuk është konsultuar me Brukselin për “Paqen Fiskale”. Në qershor të këtij viti, në një reagim për Faktoje.al Komisioni Europian paralajmëronte qeverinë se nisma mund të ndikonte në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. 

“Ne nuk jemi konsultuar nga autoritetet shqiptare për këtë propozim”, tha asokohe një zëdhënës i Komisionit Europian për Faktoje.al.

Madje, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër nismës. Në vizitën e fundit zyrtare, në krah të ministrit, shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber tha se “kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.

“Lavatriçe për pastrimin e parave”

Plani për “Paqen Fiskale” është kundërshtuar ashpër edhe nga opozita. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, i ka adresuar rreziqet e nismës pranë Komisionit dhe Parlamentit Europian.

“Kjo amnisti hap dyer për pastrim parash, dobëson sigurinë ekonomike dhe minon besimin që investitorët ndërkombëtarë duhet të kenë tek Shqipëria. Qëndrimi im është i qartë – asnjë lëshim për informalitetin”, argumenton Tabaku. 

Sipas saj, “Paqja Fiskale” është lavatriçe shtetërore për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit, duke shpërblyer mashtruesit dhe evazorët, ndërsa rëndon barrën mbi bizneset e ndershme dhe qytetarët që paguajnë çdo ditë taksat.

Kundërshti ka shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Bizneset amerikane kanë kritikuar qeverinë për mungesën e konsultimeve publike si dhe mungesën e transparencës për dy projektligjet, që pritet t’u falin bizneseve miliarda euro detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë dhe financave e kanë cilësuar nismën si një sinjal të gabuar dhe të rrezikshëm. 

Ish-drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, e quan fshirjen masive të borxheve një ndëshkim për bizneset që kanë qenë korrektë ndër vite.

Ndërsa audituesi ligjor Julian Saraçi shkon më tej, duke e përshkruar si një kapitullim të shtetit përballë informalitetit të toleruar. Sipas tij, kjo nuk është një marrëveshje, por një shpëlarje faji për dështimet institucionale në mbledhjen e borxheve. 

Çfarë parashikon “Paqja Fiskale”?

Qeveria thotë se “Paqja Fiskale” është një paketë lehtësuese që përfshin falje masive borxhesh dhe rishikim të detyrimeve tatimore. 

Tre shtyllat kryesore të Paqes Fiskale:

  • Tatim i Dakordësuar mbi Fitimin
  • Rishikim i Pasqyrave Financiare
  • Falje e Detyrimeve dhe Kamatë Vonesave

Nisma parashikon fshirjen e plotë të borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite, nëse janë ende të pashlyera. Për detyrimet nga 5-10 vite parashikohet fshirje 50% e borxhit, nëse biznesi e paguan menjëherë. Ndërsa bizneset që nuk kanë mundësi për shlyerje të menjëhershme, do të ketë një marrëveshje 12 mujore dhe falja do të jetë në masën 25%. Nuk përfshihen këtu detyrimet për sigurimet shoqërore. 

Po ashtu, paketa propozon edhe rishikimin e deklaratave të mëparshme të tatim fitimit.
Bizneseve u jepet e drejta që të rishikojnë deklaratat tatimore për 5 vitet e fundit pa gjoba e kamatvonesa (legjislacioni aktual e lejon për 3 vjet) por duke paguar tatim fitimi prej 5% për çdo diferencë fitimi që krijohet nga rishikimi.

Bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 162.5 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro, borxhe të papaguara në tatime dhe dogana. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimi mbi fitimin janë taksat kryesore që bizneset nuk kanë paguar ndër vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se 84.7% e borxhit është me vjetërsi mbi 2 vite. Ndërsa detyrimet e pashlyera në kohë prej më shumë se 5 vitesh zënë 64.4% të totalit. 

Përfundim

Plani për “Paqen Fiskale” u prezantua në mënyrë të beftë në kulmin e fushatës elektorale nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi votat shqiptarëve me premtimin e “pasaportës europiane”. Por nisma bie ndesh me kërkesat e Brukselit. Pak orë para votimit në Parlament, Bashkimi Evropian ngre shqetësime të forta për nismën, të cilat rrëzojnë edhe deklaratat e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili pretendoi se “Paqja Fiskale” kishte dakordësinë e BE-së.

Komisioni Evropian paralajmëron se nisma rrezikon të dekurajojë përmbushjen tatimore dhe mund të krijojë hapësira për pastrim parash, duke shmangur standardet ndërkombëtare të Moneyval dhe FATF. Delegacioni i BE-së i konfirmoi Faktoje.al se shqetësimet mbeten ende të hapura dhe se nisma duhet përputhur me acquis të BE-së para se të konsiderohet e pranueshme në kuadër të integrimit. 

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër nismës. Në vizitën e fundit zyrtare, në krah të ministrit Malaj, shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber tha se “ disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.

Ndaj nisur nga këto informacione, deklaratën e ministrit të financave Petrit Malaj e kategorizojmë të pavërtetë.

The post BE shpreh shqetësime serioze për ‘Paqen Fiskale’ në prag të votimit në parlament  appeared first on Faktoje.al.

Nga përurimi te rrëshqitja e masivit, shembja që zbuloi problemet e rrugës Qukës- Qafë Plloçë

10 December 2025 at 15:00

Esmeralda Topi 

Mëngjesin e 23 nëntorit, disa familjarë nga Tirana nisën një udhëtim drejt Maliqit për të marrë pjesë në një përkujtimore. Ata vendosën të kalonin nga rruga e re Qukës – Qafë Plloçë, pak javë pas ceremonisë inauguruese, ku daullet, veshjet popullore dhe buka me qiqra tipike e juglindjes ishin pjesë e festës. 

Por të gjitha makinat e nisura herët u detyruan të devijonin rrugën, pasi Qafë- Plloça ishte bllokuar nga një masiv i madh shkëmbor.

“Ishim të pavendosur se nga do të kalonim për shkak të motit të keq, por në fund zgjodhëm rrugën e re,” tregon Geri, një nga udhëtarët, duke shtuar se përvojën e morën si mësim. “Nuk bëhet në mot të keq, e aq më pak në dimër”, përfundon ai.

Problemet nisën që herët

Problemet e para me rrugën që u hap për qarkullim në shtator nisën që në javët e para. Por pamjet e çarjes të skarpatës dhe rënies masive të gurëve në nëntor treguan degradimin e shpejtë të veprës më të shtrenjtë dhe më të stërzgjatur të infrastrukturës në Shqipëri.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 23 nëntor 2025

Shembjen e rrugës Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ia la motit të keq, duke lënë në hije përgjegjësinë e kontraktorit.

“Reshjet e dendura të shiut… kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35,” tha ARRSH në një njoftim në rrjetin social facebook më 23 nëntor.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 23 nëntor 2025

Për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve, Autoriteti Rrugor ndërtoi një kalim të përkohshëm në kilometrin 37, pjesa e fundit e rrugës Qukës – Qafë Plloçë.

Seksioni ku ka ndodhur shembja është më i shtrenjti për kilometër. Një segment prej 9.2 kilometrash që ka kushtuar 70 milionë dollarë. E thënë ndryshe 7.6 milionë dollarë për kilometër. 

Burimi: ARRSH 

Ndërsa e gjithë rruga Qukës – Qafë Plloçë (43,4 km) ka kushtuar 242.6 milionë dollarë.  

Verifikim

Një javë pas ndërtimit të bypassit si zgjidhje emergjente nga ARRSH, Faktoje udhëtoi drejt juglindjes dhe vizitoi zonën. Pamjet nga segmenti i tretë, ku kishte ndodhur shembja masive, ishin të njëjta me ato të ditës së parë. 

Masivi shkëmbor vijonte mbi asfalt, barrierat të shtrembëruara dhe skarpatat mbrojtëse nuk ishin përfunduar. Mjetet devijonin nga kalimi paralel i përkohshëm. 

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 29 nëntor 2025

Edhe më 6 dhjetor, panorama ishte e njëjtë. 

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 6 dhjetor 2025

Për t’i dhënë zgjidhje afatgjatë zonës ku ka ndodhur rrëshqitja, Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se do të bëj monitorim dhe studim. 

“Për këtë rrëshkitje do të bëhet monitorim dhe studim gjeologo-inxhinierik për të arritur zgjidhjen më të mirë teknike dhe sigurinë në rrugë”- ARRSH për Faktoje.al.

Por problemet nuk janë të izoluara vetëm në këtë segment. Edhe në pjesë të tjera të rrugës ka problematika me elementët kyë të sigurisë rrugore, skarpatat mbrojtëse mungojnë duke vënë në rrezik kalimtarët. 

Rruga u përurua pa përfunduar

“Ndodhemi në segmentin Qukës- Qafë Plloçë, tashmë totalisht i përfunduar…”, deklaronte zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjatë përurimit. 

Por dy muaj më vonë, masivi shkëmbor bllokoi rrugën, duke vënë në provë sigurinë dhe menaxhimin e këtij projekti që kërkoi gati dy dekada pune dhe qindra milionë dollarë. Dhe ndonëse u festua me daulle dhe valle popullore, rruga u inaugurua e papërfunduar plotësisht.

Segmenti i tretë i rrugës, ai nga km 33 deri në 43, nuk ishte ende dorëzuar kur qeveria e hapi për qarkullim aksin Qukës -Qafë Plloçë.

Faktoje kishte kërkuar informacion nga ARRSH dhe përgjigja erdhi më 28 nëntor, një ditë para shembjes. Sipas Autoritetit Rrugor punimet në rrugë kishin përfunduar, por punohej ende për përforcimin e skarpatave me ankora dhe rrjeta mbrojtëse. 

Përgjigje kjo që faktonte një problem të njohur në Shqipëri, rrugët shpesh inaugurohen pa u përfunduar plotësisht. Si afat, ARRSH dha fundin e muajit nëntor.  

“Kontraktori është në periudhën e defekteve, ka pastruar dherat e rëna në rrugë dhe po punon për stabilizimin e skarpatave”- ARRSH, 28 nëntor 2025.

Por masivi shkëmbor nuk priti dorëzimin. Ai rrëshqiti, duke bllokuar rrugën dhe duke treguar se inaugurimet ceremoniale nuk garantojnë siguri. Autoriteti u detyrua të shtynte afatin e dorëzimit të seksionit në fundvit dhe të ndërtonte një bypass të përkohshëm që devijon trafikun.

Përfundim

Aksi Qukës – Qafë Plloçë i gjatë 43,4 km nisi të ndërtohej 16 vite më parë. Ndonëse u inagurua me daulle dhe bukë me qiqra, të dhënat zyrtare faktojnë se rruga nuk ishte përfunduar. 

Shembja masive në pjesën e fundit të rrugës nxorri në pah mungesën e sigurisë, edhe pse fatura e projektit infrastrukturor ka qenë e majme dhe punimet kanë zgjatur për vite me radhë.

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi i kryer, deklaratën e zëvendëskryeministres së pezulluar nga detyra, Belinda Balluku se ‘segmenti Qukës- Qafë Plloçë është i përfunduar…’ e kategorizojmë të pavërtetë. 

Shënim: Fotografia kryesore është e prodhuar nga Inteligjenca Artificiale.

The post Nga përurimi te rrëshqitja e masivit, shembja që zbuloi problemet e rrugës Qukës- Qafë Plloçë appeared first on Faktoje.al.

Komisioni Evropian përgënjeshtron Ramën për fondet IPARD

3 December 2025 at 15:21

Esmeralda Topi

Nga foltorja e Kuvendit, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2026, kryeministri Edi Rama iu rikthye çështjes së ndërprerjes së fondeve IPARD, duke e minimizuar vendimin e Brukselit. Me ironi, Rama e cilësoi si “kënga e mjerueshme e fondeve të bujqësisë”. Ai u shpreh se hetimet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për periudhën 2019–2023 kanë zbuluar shkelje të natyrës së ngjashme edhe në vende të BE-së. 

Sipas kryeministrit shumat e identifikuara në këto vende arrijnë mbi 1 miliard euro.

“OLAF, i cili bën hetime për llogari të Komisionit Evropian, për vitin 2019–2023, nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë, (siç ka gjetur në Shqipëri), vetëm në këto vende: Luksemburg, Maltë, Qipro, Irlandë edhe Holandë. Ndërkohë që shuma e vendosur nga OLAF-i përpara vendeve të tjera të Bashkimit Evropian… është mbi 1 miliard euro,” Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Por ky krahasim është i pasaktë. 

Shqipëria, një rast unik 

Në një reagim të posaçëm për Faktoje.al, Komisioni Evropian sqaron se rasti i Shqipërisë është unik. Kjo sepse ndërprerja e pagesave për IPARD II dhe pezullimi i IPARD III u vendos mbi bazën e një hetimi të OLAF, jo thjesht mbi auditime teknike si në vendet anëtare të BE-së.

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, Komisioni Evropian thekson se masa e marrë ndaj Shqipërisë nuk ka precedent. 

“Siç është thënë më parë, nuk ka raste të ngjashme,” deklaron KE për Faktoje.al

Komisioni shpjegon se është e domosdoshme të dallohen korrigjimet financiare për mangësi teknike në vendet anëtare, dhe masat e bazuara në një hetim të OLAF, siç është rasti i Shqipërisë.

“Në rastin e Shqipërisë, Komisioni Evropian ka ndërprerë rimbursimin e shpenzimeve të IPARD dhe, njëkohësisht, ka pezulluar delegimin për të gjitha masat e IPARD III mbi bazën e informacionit të marrë nga OLAF në kontekstin e një hetimi, dhe kjo që prej korrikut 2023.

Është e qartë se, për të korrigjuar mangësi të tilla, përmirësimet në sistemet kombëtare të kontrollit janë të nevojshme në të dyja situatat e përmendura më sipër”, shpjegon Komisioni Evropian. 

Verën e vitit 2023, mbi bazën e informacionit të OLAF, Komisioni Evropian ndërpreu rimbursimet e IPARD II dhe pezulloi të gjitha masat e IPARD III. Për të rikuperuar besueshmërinë, Shqipëria duhet të përmirësojë sistemet e kontrollit dhe të zbatojë masa korrigjuese.

Gënjeshtër e përsëritur

Kjo nuk është hera e parë që qeveria minimizon ndërprerjen e fondeve IPARD II dhe pezullimin e programit IPARD III, për shkak të dyshimeve për korrupsion. 

Korrikun e vitit 2023, kur Komisioni Evropian informoi qeverinë shqiptare se kishte pezulluar grantet për bujqësinë, vendimi ekstrem i Brukselit, u komentua si një procedurë administrative normale. 

Ministrja e Bujqësisë asokohe, Frida Krifca, tha se parregullsi apo shpërdorime të ngjashme me fondet IPARD janë gjetur edhe në vende si Gjermania, Franca apo Holanda. Deklarata e atëhershme e ministres Frida Krifca, u përgënjeshtruan nga Faktoje.al përmes Komisionit Evropian.

Edhe në 2023, KE theksonte se masa ndaj Shqipërisë ishte e paprecedentë.

Përfundim 

Komisioni Evropian argumenton se është e rëndësishme të bëhet dallimi midis korrigjimeve financiare të aplikuara ndaj shteteve anëtare të BE-së nga Drejtoria e Përgjithshme për Agrikulturën dhe Zhvillimin Rural (DG AGRI), kundrejt çështjeve që dalin në dritë mbi bazën e një hetimi nga Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), siç është rasti për Shqipërinë.

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se “OLAF nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë siç ka gjetur në Shqipëri vetëm në Luksemburg, Maltë, Qipro, Irlandë edhe Holandë” e kategorizojmë të pavërtetë. 

Çështja e fondeve IPARD nuk është thjesht një “këngë e mjerueshme”, por test për besueshmërinë e institucioneve shqiptare në rrugën drejt integrimit europian.

The post Komisioni Evropian përgënjeshtron Ramën për fondet IPARD appeared first on Faktoje.al.

Treshja e Kolegjit pa unanimitet, çështja “Balluku” shqyrtim nga 8 gjyqtarë

By: FAKTOJE
2 December 2025 at 17:16

Sebi Alla- Kolegji Penal i Gjykatës Kushtetuese i përbërë nga tre gjyqtarë vendosi që ankimimi i qeverisë ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku do të shqyrtohet në mbledhjen e gjyqtarëve.

“Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore”, thuhet në njoftimin që Gjykata Kushtetuese u shpërndau gazetarëve.

Fitim kohe

 Me ketë vendim, Kushtetuesja i ka lënë kohë vetes për të marrë në shqyrtim çështjen, fillimisht duke mbledhur të gjithë gjyqtarët për të vendosur nëse do të kalojë ose jo për shqyrtim në themel dhe nga ana tjetër mund të presin edhe vendimin e Apelit të GJKKO-së.

Më 20 nentor të këtij viti, Gjkata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë Speciale, SPAK, për “pezullim nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe bllokim të pasaportës për të mos dalë jashtë vendit”.

Ajo akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike” në dy raste për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe. Ky vendim u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga kryeministri Edi Rama.   

Vendim pa “vendim”

Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm i është referuar nenit 24 të Rregullores së Procedurave Gjyqësore.  Në pikën 3, germa b), thotë: “kalimin e çështjes për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, në rast se ka dyshime lidhur me plotësimin e kritereve të pranueshmërisë”. Sikurse theksohet në vendim, fakt është që Kolegji nuk ka qenë njëzëri dhe ka pasur kundërshti për kriterin e pranueshmërisë së kërkesës

Duke iu referuar çështjes konkrete tre anëtarët e Kolegjit Penal nuk kanë mundur të dalin me vendim unanim dhe për pasojë kanë thirrur Mledhjen e Gjyqtarëve të përbërë nga tetë anëtarë.

Politikë me interpretime

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe ditën e sotme që të komentojë çështjen, duke “sfiduar” që të gjendet një rast në Europë ky gjykata të ketë vendosur pezullimin nga detyra të një anëtari qeverie. Sipas tij, pezullimi nga detyra i zëvëndëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës është aniligjor dhe ndërhyrje në kompetencat e pushteteve. “Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë”, shkruan Rama.

“Keqlexohet” vendimi

Kreu i Partisë Demookratike Sali Berisha tha se ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese po bëhet presion nga kryeministri Rama. Ai kërkoi që seanca për shqyrtimin e “çështjes Balluku” të jetë publike, ndërsa hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama. “…gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare nga Edvin Kristaq Rama, duke mos komentuar më tej i bëj thirrje GJK të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje sepse është cështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës europiane”, tha Berisha.

Pasoja

Ndërkohë vendimi i sotëm ia ka kaluar topin mbledhjes së tetë gjyqtarëve. Pra do të jenë këta të fundit që do të vendosin për ta shqyrtuar çështjen ose jo në themel ditët në vijim. Ndaj dhe deklaratën e sotme të kryetarit të PD-së, Sali Berisha e kategorizojmë të pavërtetë

The post Treshja e Kolegjit pa unanimitet, çështja “Balluku” shqyrtim nga 8 gjyqtarë appeared first on Faktoje.al.

Në 35 vite,  6730 të vrarë për motive të ndryshme

By: FAKTOJE
17 November 2025 at 16:48

Sebi Alla – “A e dini se sa të vrarë ka për çështjen e pronës në tranzicionin shqiptar? Mbi 10500 të vrarë. Ky është fakt, janë vrarë njerëzit për një gardh, për një kanal”. Kështu tha kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në një dalje televizive në kulmin e debatit mbi krimet për motive pronësie.

Një shifër e përafërt, madje edhe më e lartë qarkulloi dendur në media të ndryshme nga politikanë apo analistë, pa verifikuar më parë shifrat zyrtare mbi krimin e vrasjes në vendin tonë.

Debati i gjatë nisi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit më datë 6 tetor të këtij viti, brenda sallës së gjyqit në momentin që gjyqtari shpalli vendimin.

I akuzuari Elvis Shkambi, palë në këtë proces për një dosje pronësie, qëlloi mbi gjyqtarin Astrit Kalaja disa herë, duke i shkaktuar vdekjen. Krahas debatit për masat e sigurisë në ambientet e gjykatave, diskutimet lidheshin mbi motivet e krimeve në vendin tonë, duke e konsideruar si më kryesoren pikërisht konfliktet pronësore që mbyllen me ngjarje tragjike.

Shifrat

Policia e Shtetit në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al konfirmoi se nga viti 1990 dhe deri më tani janë shënuar gjithsej 6730 vrasje, për motive të ndryshme. Numrin më i lartë i vrasjeve është regjistruar në vitin 1997, pas shpërthimit të depove të armatimeve, me 1542 “vrasje me dashje”. Edhe dy vitet pasuese janë në shifra të larta, përkatësisht 573 dhe 496. Më pas krimi i rëndë i vrasjeve nis të ulet.

Vrasje për motive pronësie

Në përgjigjen zyrtare, Policia e Shtetit ka renditur edhe motivin e krimeve specifikisht për “pronësi”, por të dhënat për këtë motiv mungojnë nga viti 1990-1997.

Statistikat policore janë më të qarta pas vitit 1998, ku krahas numrit të vrasjeve është caktuar edhe “motivi”, për rastet ku ngjarja është zbuluar.

Nga viti 1998 deri më tani konkretisht “vrasje për motive pronësie” policia thotë se janë 189 raste. Edhe pse në numër më të ulët sesa pretendimet e disa personave publikë, konfliktet për çështjet pronësore janë të larta duke mbajtur peshën kryesore të padive civile dhe penale.

Protesta

Gjatë ditës së sotme dhjetëra banorë të zonave Dukat-Orikum-Tragjas-Radhimë të Bashkisë Vlorë dorëzuan në Prokurorinë Speciale SPAK padi penale për strukturat shtetërore që sipas tyre u kanë mohuar të drejtën e pronësisë, apo përfshirje kryesisht të zyrtarëve të Kadastrës në falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim të pronave.

Përfundimi

Çështjet pronësore mbesin ndër problematikat më të medha në vend, duke u bërë shpesh objekt konfliktesh të dhunshme me pasoja të rënda.

Por shifra e Lapajt se janë mbi 10 mijë të vrarë për motive pronësie nuk qëndron, duke iu referuar të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit e cila thotë për Faktoje.al se nga viti 1990 deri më tani janë regjistruar 6730 të vrarë për motive të ndryshme.

The post Në 35 vite,  6730 të vrarë për motive të ndryshme appeared first on Faktoje.al.

Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë në 2026

10 November 2025 at 16:22

Në një video të ditëve të fundit në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama tha se buxheti i shëndetësisë dhe i mirëqenies sociale për vitin e ardhshëm tejkalonte vlerën 1 miliard euro.

“Mu duk e udhës të ndaj me ju projektbuxhetin 2026 me mbi 1 miliardë eurot e tij për shëndetësinë dhe mirëqënien sociale”, deklaroi kryeministri. 

Mirëpo, financimi për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale nuk e tejkalon këtë vlerë. Madje nuk është as 1 miliardë euro.

Sipas projektbuxhetit zyrtar, totali i buxhetit për shëndetësinë dhe përkujdesjen sociale në 2026 është 82,5 miliardë lekë, që konvertohet në rreth 853 milionë euro. Nga përllogaritjet rezultojnë rreth 147 milionë euro më pak se ajo që deklaron kryeministri. 

“E gjithë kjo që ndodh është një propagandë ‘extra’ për veshët e qytetarëve”, shpjegon drejtori i Institutit për Studime Ekonomike, Zef Preçi.  

“Pastaj përse duhet përmendur sikur po jep kursimet e jetës kur buxheti është kontribut fiskal i përbashkët, i të gjithë qytetarëve të vendit,”, shton më tej ai.

Edhe nëse shohim strukturën e buxhetit të shëndetësisë, vihet re një pabarazi e theksuar. Shërbimet e kujdesit dytësor (spitalet) marrin pothuajse gjysmën e totalit, 49.2%, ndërsa planifikimi, menaxhimi dhe administrimi kap vetëm 0,6%. Kujdesi parësor, që do të duhej të ishte baza e çdo sistemi shëndetësor funksional, merr vetëm 8,7%. Ndërkohë, përkujdesja sociale, që shpesh përmendet si shembull i mbështetjes, kap 33,6% të totalit. 

Burimi: Ministria e Financave

Shkurtim fondesh ndër vite

Megjithëse shëndetësia shpallet prioritet, në pesë vitet e fundit, fondet ndonëse të kufizuara janë ulur më tej përmes akteve normative. Nga viti 2021 deri në 2025, buxheti fillestar rritet, por aktet normative që vijnë më pas shpesh reduktojnë shumat reale që shkojnë në shëndetësi. 

“Në shëndetësi fondet janë pakësuar jo aq për shkak të vështirësive buxhetore apo përparësive të tjera zhvillimore, por kryesisht për shkak të kontrollit me dorë të hekurt të prokurimeve. Tenderat anullohen nëse paratë nuk shkojnë ‘aty ku duhet”, argumenton eksperti për ekonominë Zef Preçi. 

Burimi: Ministria e Financave

Rasti më tipik është viti 2023, ku u planifikuan 78 miliardë lekë, por në fakt u dhanë vetëm 74,4 miliardë. Një diferencë që përkthehet në më pak spitale, më pak shërbime dhe më pak mundësi për pacientët. 

Edhe këtë vit, vërehet se në tre akte normative, buxheti për shëndetësinë është reduktuar gradualisht nga 80,7 miliardë lekë në 80,2 miliardë. 

Burimi: Ministria e Financave

Reduktimin më të ndjeshëm e kanë pasur fondet për kujdesin parësor, që janë thelbësore për parandalimin dhe shërbimet bazë. Referuar aktit të fundit normativ, fianancimi është ulur ndjeshëm me gati 1.4 miliardë lekë. Edhe shërbimet e shëndetit publik kanë pësuar ulje me rreth 259 milionë lekë, ndërsa përkujdesja sociale ka mbetur pothuajse e pandryshuar. 

Krahasuar me planin fillestar është rritur vetëm financimi për spitalet me 1.2 miliardë lekë. Pjesa tjetër e sektorit është prekur nga shkurtimet.

Përfundim

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama përmend shifrën 1 miliard euro teksa i referohet financimit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. 

Edhe në mars të këtij viti, gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ai në rubrikën Sy m’ Sy ndau të njëjtën shifër për vitin aktual, duke deklaruar: “Shëndetësi dhe mbështetje sociale sot janë 1 miliardë euro, sot.”

Megjithatë, verifikimi i të dhënave buxhetore tregon se fondet reale për sektorin edhe këtë vit janë më të ulëta se 1 miliard euro.

Nëse do të merrnim për të mirëqenë këtë deklaratë të përsëritur, i bie që kemi të paktën dy vite që po qëndrojmë në vend numëro, me “1 miliardëshin” që s’ndryshon asnjëherë.

  • Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se financimi i shëndetësisë në projektbuxhetin e 2026 tejkalonte vlerën 1 miliard euro, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë në 2026 appeared first on Faktoje.al.

Task Forca për ujërat e ndotura që nisi me bujë dhe përfundoi në heshtje 

22 October 2025 at 16:00
Vitin e kaluar, qeveria shpalli me bujë krijimin e një Task Force për kontrollin e ujërave të ndotura. Asokohe u premtua se “95% e ujërave do të jenë të shkëlqyera” Sot, frytet e Task Forcës tregojnë një tjetër realitet. Shqipëria mban vendin e fundit në Europë për cilësinë e ujërave larës. Vetëm 162 biznese instaluan impiante trajtimi, teksa 115 subjekte u gjobitën në shkelje të ligjit. 

Esmeralda Topi

Vitin e kaluar, përmes një Akti Normativ qeveria ngriti Task Forcën e posaçme për kontrollin e trajtimit të ujërave të ndotura, e cila do të monitoronte të gjitha subjektet përgjatë bregdetit, zonave liqenore apo lumenjve. 

Aksioni i bujshëm për mbrojtjen e ujërave larës që u cilësua emergjencë, nisi tre muaj para çeljes së sezoni turistik veror. 

“Çdo njësi biznesi turistik duhet të ketë impiantin e vet dhe të marrë përgjegjësinë e trajtimit të ujërave të ndotura”, deklaronte ministrja e Turizmit asokohe Mirela Kumbaro. 

Në krah të saj, ministrja e Infrastruktës Belinda Balluku shpjegonte mekanizmin e ri të inspektimeve dhe masat administrative. Biznesit iu la një periudhë 90-ditore për vendosjen e impianteve. Pas këtij afati, aksion me zero tolerancë.

“Synojmë të arrijmë 95% të ujërave larës me cilësi të shkëlqyer”, shprehej Balluku.

Vetëm 16% e ujërave të shkëlqyer

Megjithë pritshmëritë e mëdha, buja me të cilën nisi aksioni u shua dalëngadalë, duke ia lënë vendin aksionit të radhës, pa sjellë rezultat të prekshëm në terren.

Një vit e gjysmë pas ngritjes së Task Forcës, Shqipëria rezulton ende vendi me cilësinë më të ulët të ujërave bregdetare në Europë. 

Nga 119 pika monitorimi, vetëm 16% e ujërave klasifikohen si “shkëlqyer”, ndërsa 22.7% janë me cilësi të dobët. Për krahasim, mesatarja e Bashkimit Europian është 85.4% ujëra me cilësi të shkëlqyer. 

Katër raporte të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit tregojnë të njëjtin trend.  Prej vitit 2022 e deri më tani, gjendja vetëm përkeqësohet.

Dhe për ironi, një nga arsyet kryesore është mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza.

Task Forcë e dështuar, por me kosto 

Task Forca për kontrollin e trajtimit të ujërave të zeza kishte në fokus rreth 9000 subjekte që zhvillonin aktivitetin e tyre ekonomik pranë bregdetit, brigjeve të liqeneve dhe lumenjve. Këto biznese duhet të pajiseshin të gjitha me impiante për trajtimin e ujërave të zeza.

Mirëpo, një vit e gjysmë më pas, të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se më pak se 2% e tyre kanë instaluar impiante të çertifikuara. 

Bazuar në të dhënat e disponueshme deri në muajin Gusht 2025, numri i përgjithshëm i subjekteve që kanë instaluar impiante për trajtimin e ujërave të ndotura është 162”,  pohon Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta.

Për të njëjtën periudhë, AKUK pohon se task forca e ngritur ka gjobitur 115 biznese. 

Burimi: AKUK

Bashkitë si Saranda dhe Pogradeci kryesojnë listën me më shumë gjoba, ndërsa zona si Lezha dhe Dhërmiu kanë vetëm disa masa të regjistruara. 

Vasil Bedinaj, sipërmarrës në fushën e hotelerisë dhe turizmit dhe kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit për Jugun e Shqipërisë, ndan eksperiencën e tij me Faktoje.al. 

“Unë e kam vendosur impiantin në një subjekt, në një tjetër mora gjobë dhe e shlyeva. Pas sezonit nuk kanë dalë më për kontrolle, në qytete si Vlora ku ka fushatë besoj do aktivizohen më pas”

Bedinaj shton se investimi është shumë i shtrenjtë dhe nuk ka produktivitet. 

“Për një hotel me 15 dhoma, investimi fillon nga 30-35 mijë euro, e për kapacitete më të mëdha shkon deri në 100 mijë. Por produktiviteti mungon. Në një subjekt funksionon, në një tjetër jo. Kur ikin dritat, sistemi stakohet. Filtrat nuk pastrohen nga firmat që i kanë montuar. Është lek i hedhur dëm”

Në përfundim, sipas tij, vetëm ata që shitën impiantet dolën fitimtarë. 

Pse dështoi Task Forca?

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës – Kanalizimeve pranon se Task Forca është përballur me një sërë sfidash në terren. 

Shumë subjekte nuk kanë ofruar të dhëna të plota për identifikim, si NIPT apo adresë e saktë, duke vështirësuar ndjekjen administrative dhe penale të rasteve problematike. Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e subjekteve është konstatuar e mbyllur ose jashtë funksionit gjatë riinspektimeve, duke e bërë të pamundur verifikimin e vazhdueshëm të funksionalitetit të impianteve. 

Nga ana tjetër, zbatimi i Aktit Normativ është hasur edhe me përballje ligjore. Deri më tani, janë regjistruar 58 procese gjyqësore kundër AKUK nga subjektet e prekur, ku pjesa më e madhe lidhen me pretendime mbi shkelje proceduriale dhe kundërshtime të vendimeve administrative. Nga këto, 20 çështje kanë përfunduar në favor të AKUK, 1 çështje është humbur, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të shqyrtohet nga gjykatat kompetente. 

Paditësit kanë kërkuar shpesh shfuqizimin e aktit administrativ përkatës dhe pezullimin e ekzekutimit të masave administrative deri në vendimin përfundimtar.

Një element tjetër shqetësues është mungesa e koordinimit ndërinstitucional. 

Task Forca nuk ka pasur informacion të plotë nga Shoqëritë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve, Agjencia Kombëtare e Mjedisit apo MTM. Inspektimet në terren janë bërë kryesisht manualisht, duke humbur pjesën më të madhe të subjekteve, që nuk ofrojnë të dhëna ose janë jashtë funksionit. Kjo e bën të pamundur krijimin e një pasqyre të plotë dhe të besueshme të gjendjes reale.

Vetëm 57% e vendit me kanalizime 

Pavarësisht aksioneve të mëdha për trajtimin e ujërave të ndotura, infrastruktura e nevojshme mbetet e dobët. 

Sipas raportit të fundit të Entit Rregullator të Ujit për vitin 2024, mbulimi me kanalizime në shkallë kombëtare ka arritur vetëm 57%, me nje rritje të lehtë prej 2.2% krahasuar me një vit më parë. 

Nga mbi 4.4 milionë banorë në juridiksionin e 17 shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, vetëm 2.5 milionë kanë akses në shërbimin e grumbullimit të ujërave të ndotura.

Përmirësimi, sipas raportit, është bërë kryesisht në zonat urbane, ndërsa zonat rurale vijojnë të mbeten jashtë çdo rrjeti kanalizimesh, duke u mbështetur në gropa septike për shkarkimin individual të ujërave të ndotura. 

Një tjetër arsye që pengon zhvillimin është mungesa e investimeve. Fondet për kanalizime përbëjnë vetëm një të tretën e atyre për furnizimin me ujë. 

Në këtë drejtim, raporti thekson nevojën urgjente për ndërtimin e infrastrukturës së grumbullimit dhe impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN), një detyrim që lidhet jo vetëm me standardet e BE-së, por edhe me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030, që kërkojnë akses të barabartë në kanalizime dhe kushte higjenike për të gjithë qytetarët.

Përfundim

Kjo nuk është hera e parë që një Task Forcë nis me bujë mediatike dhe premtime të mëdha, për t’u harruar pas pak muajsh. Nga pastrimi i plazheve deri te inspektimet sezionale, çdo vit krijohet një atmosferë propagandistike, ku lajmi është se “Task Forca po vepron”, ndërsa pas verës problematika vijon të mbetet. 

Task Forca e krijuar për kontrollin e trajtimit të ujërave të ndotura, e cila kishte për qëllim të monitoronte të gjitha subjektet përgjatë bregdetit, zonave liqenore dhe lumenjve, ka rezultate të dobta.

Masat e ndërmarra janë pjesërisht të zbatuara, inspektimet janë të limituara, raportimi nuk është transparent, dhe ndikimi mbi gjendjen reale të ujërave mbetet minimal. 

Nisur nga këto të dhëna, deklaratën e ish ministres së turizmit, Mirela Kumbaro se “Çdo njësi biznesi turistik duhet të ketë impiantin e vet dhe të marrë përgjegjësinë e trajtimit të ujërave të ndotura”, e kategorizojmë të pavërtetë. 

The post Task Forca për ujërat e ndotura që nisi me bujë dhe përfundoi në heshtje  appeared first on Faktoje.al.

Dy muaj pas zjarreve, banorët ende në pritje të fjalës së dhënë

By: FAKTOJE
15 October 2025 at 14:00

Esmeralda Topi 

Këtë vit, Shqipëria u përball me një sezon të rëndë zjarresh që dogjën 60 mijë hektarë pyje e kullota. 

Burimi: EFFIS

Mbi 130 vatra zjarresh lanë pas dhjetëra banesa të shkatërruara plotësisht, të tjera të dëmtuara, krerë bagëtish të djegur dhe hektarë të tërë pemtarie të shkrumbuar. Zonat më të prekura ishin Gramshi dhe Delvina, ku dëmet prekën më rëndë komunitetet rurale. 

Më 14 gusht 2025, kryeministri Edi Rama, premtoi se të gjithë do të dëmshpërbleheshin për shtëpitë dhe bagëtitë e humbura. Sipas shifrave paraprake, 207 banesa u dëmtuan, prej të cilave 40 u shkatërruan plotësisht.

 “Askush nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë, pa e pasur në krah shtetin për tu rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë ashtu si dhe për të marrë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur”, premtoi Rama. 

Dy muaj më vonë, më 4 tetor 2025, Rama përsëriti angazhimin e tij, duke e cilësuar si një detyrim moral dhe ligjor procesin e kompensimit. 

“Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata të cilët kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë”, deklaroi kryeministri. 

Inventari nuk është gati

Por ndryshe nga deklaratat e kryeministrit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) konfirmoi për “Faktoje.al” se inventari ende nuk është përmbyllur. Agjencia që koordinon procesin ndërmjet strukturave qendrore dhe vendore thotë se inventarizimi është në fazën përfundimtare. 

“Të dhënat përfundimtare do të publikohen pas verifikimit dhe miratimit nga strukturat përgjegjëse, për të siguruar saktësi dhe transparencë”, pohoi Agjencia për mbrojtjen civile për Faktoje.al.

Vonesat, sipas Agjencisë, lidhen me verifikimet në terren dhe harmonizimin e të dhënave mes institucioneve qendrore dhe vendore, me synim garantimin e trajtimeve të drejta e ligjore për çdo rast. 

Afatet për fillimin e pagesave do të publikohen pas miratimit të listave dhe alokimit të fondeve nga buxheti i shtetit, ndërsa kompensimi do të bëhet sipas shkallës së dëmit për çdo banesë, bagëti apo dëme materiale të tjera.

Familjet e prekura përballen vetë me pasojat

Banorët e prekur nga zjarret janë detyruar të gjejnë zgjidhje vetë. Lulëzim Doku, nga fshati Harunas njësia Skëndërbegas në Gramsh, humbi shtëpinë nga zjarri i fuqishëm i gushtit. 

“Kanë sjell kontenierë dhe disa mobilie, por nuk jetohet atje se kemi dy fëmijë të vegjël” – tregon Lulëzimi. 

Prej dy muajsh ai është zhvendosur në qytetin e Gramshit dhe paguan 15 mijë lekë qira për banesën ku jeton me bashkëshorten dhe dy fëmijët. 

“Kanë ardhur të na bëjnë vlerësimet, matjet…tani presim”, tregon ai. 

Ekspertët e pushtetit vendor shprehen se vonesat në procesin e dëmshpërblimit po i lënë familjet e prekura të përballen vetë me pasojat.

“Premtimet politike për rindërtim dhe kompensim nuk kanë gjetur ende mbështetje në zbatimin konkret të ligjit 45/2019, duke e lënë barrën tek familjet e prekura që vijojnë të presin raportet dhe fondet përkatëse”, thotë Agron Haxhimali, drejtues i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë.

Ai shton se duke pasur parasysh numrin e kufizuar të banorëve dhe përmasat e dëmit, verifikimet mund të ishin mbyllur brenda pak javësh. 

“Mosfunksionimi në kohë i mekanizmit ligjor të kompensimit ngre dyshime për mungesë koordinimi ndërinstitucional dhe neglizhencë administrative”, argumenton Haxhimali.

Sipas të dhënave të Censit 2023, zonat më të prekura nga zjarret, Gramshi dhe Delvina, kanë popullsi të ulët, çka nënkupton një proces më të lehtë verifikimi dhe menaxhimi të dëmeve. Bashkia Gramsh numëron 16,533 banorë, prej të cilëve vetëm 667 jetojnë në njësinë Skënderbegas, një nga zonat më të dëmtuara. Bashkia Delvinë ka 6,166 banorë, ku shumica banojnë në qytet (4,952). 

Përfundim


Nisur nga informacioni i mbledhur dhe verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se ‘tanimë është inventari i plotë i dëmeve nga zjarret’ e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Dy muaj pas zjarreve, banorët ende në pritje të fjalës së dhënë appeared first on Faktoje.al.

Kushtetuesja pezullon dekretin e Presidentit, nuk ka zgjedhje në Tiranë, por PS vijon punën

By: FAKTOJE
9 October 2025 at 17:27

Sebi Alla- Gjykata Kushtetuese shpalli si të pavlefshëm dekretin e kreut të shtetit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjeshme lokale në Bashkinë Tiranë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Gjykata publikoi ekstraktin e vendimit, i cili nuk pati asnjë diskutim, pasi në mënyrë unanime të gjithë anëtarët votuan për të pezulluar dekretin e Presidentit të Republikës që përcaktonte datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjeshme lokale.

“Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”, thuhet në njoftim.

Ky vendim nuk prek 5 bashkitë e tjera, Vlorë, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Berat, ku në 9 Nëntor do të zgjidhen kryetarët e rinj bashkiakë. Në këtë mënyrë Erion Veliaj, nga ish-kryetar për një javë, u kthye në kryetar, ndonëse nuk ushtron këtë funksion që nga 10 shkurti i këtij viti kur u arrestua në zyrë për katër akuza, korrupsion pasiv, fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në 13 raste.

Dekreti i shumëdiskutuar

Nëpërmjet një dekreti të shumëdiskutuar, Presidenti i vendit Bajram Begaj nuk priti as 48 orë nga momenti i mbërritjes së vakancës dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt, duke dekretuar zgjedhjet më datë 9 nëntor.

Më datë 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet në gjashtë bashki të vendit, por ndërsa për pesë bashkitë e tjera nuk kishte asnjë pretendim, ajo e Tiranës ishte rast specifik që më së paku kërkonte thellim në interpretim të Kushtetutës së vendit. Fillimisht Presidenti i Republikës sqaroi se për vakancën në Tiranë, ai shqyrtoi procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak i Tiranës e më pas nga kryeministria.

Duke iu referuar “neneve kushtetuese”, kreu i shtetit interpretonte se Këshilli i Ministrave e ka bazuar vendimin për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut në një dispozitë të veçantë ligjore (Ligji për “Vetqeverisjen vendore”) pas mungesës 3-mujore në punë, e cila dallon sipas tij nga rasti i shkarkimit për shkelje të Kushtetutës që referon neni 115. “Mendoj se jam shërbëtor i Kushtetues si ushtar i parë i mbrojtjes së saj  dhe në asnjë rast në asnjë moment këtë betim mbi Kushtetutë nuk do ta harroj e nuk do ta cenoj”, tha kreu i shtetit pak orë pas dekretit në emisionin “Top Story”, në një intervistë me Grida Duman.

Por konstitucionalistë në vend e konsideruan dekretin si cenim të Kushtetutës dhe tashmë edhe Gjykata Kushtetuese duke vendosur për pasojë pezullimin e dekretit.

Debatet juridike 

Avokatët e Veliajt pretenduan në padinë e tyre se çështja duhet të trajtohet në Kushtetuese, pasi lidhet me rastet e shkeljes së Kushtetutës nga një i zgjedhur nga populli dhe se, vetë legjislatori, sipas tij, ka përcaktuar se ligji ku është referuar edhe shkarkimi i tij, ka dalë edhe në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës.

Neni në fjalë pezullon automatikisht vendimin për shkarkimin, nëse i zgjedhuri i shkarkuar i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Me shmangien e këtij neni të Kushtetutës presidenca sugjeroi” se Veliaj mund t’i drejtohej për këtë çështje Gjykatës Administrative, por vendimi i sotëm rrëzoi dekretin presidencial.

Reagimet

Pas vendimit të Kushtetueses i pari që reagoi ishte kryetari i PD-së Sali Berisha i cili përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe hodhi akuza ndaj kreut të shtetit.

“Zoti Begaj është i padenjë, jo për postin e Presidentit, por me dosjet që i rëndojnë është skllav i akteve të tij kriminale me plaçkitjen e pronave të ushtrisë, me Edi Ramën. I lejoi vetes të firmosë një vendim që kurrë nuk mund ta firmoste”, tha Berisha.

Ndërkohë strukturat e PS po udhëzohen që të vijojnë punën në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet më 9 Nëntor

“Përshëndetje! Ju rikujtoj për takimet e sotme sipas orareve dhe grupeve përkatëse. Mire u takofshim”, thuhet në mesazhin që u ka mbërritur strukturave të PS.

TVSH për fermerët nuk do të njësohet, por do të rimbursohet

6 October 2025 at 15:00

Esmeralda Topi 

Në fillim të korrikut, kryeministri Edi Rama zgjodhi Cërrikun për të zhvilluar “Dialogun për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”. Pak javë më vonë, kryebashkiaku i qytetit u emërua ministër për Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural. 

Nga takimi në Cërrik, kryeministri premtoi rishikimin e skemës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH-së) për fermerët, gjashtë vite pas ndryshimit të bërë nga vetë socialistët.

“Një tjetër element shumë i qartë për të kaluar tek një gjë më e madhe është që duhet të njësojmë TVSH”, tha Rama.

Një muaj pas kësaj deklarate, ministria e Financave i tha “Faktoje” se është në proces rishikimi të TVSH-së për fermerët, por jo përmes njësimit sikurse deklaroi kryeministri. 

“Fokusi i këtij procesi është rishikimi i normës së kompensimit të fermerit dhe procedura e zbatimit të skemës së kompensimit, me qëllim bërjen efektive dhe funksionale të kësaj skeme, si dhe formalizimin e sektorit bujqësor”, thonë financat në përgjigjen zyrtare. 

Edhe në programin “Shqipëria 2030” qeveria premton rishikim të skemës, përmes rimbursimit direkt për fermerët. 

“Rishikojmë skemën e TVSH-s për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE me një efekt financiar prej rreth 1.5 mld lekë/vit transfertë direkte tek fermerët”, shkruhet në program. 

Rimbursim apo barazim të TVSH-së?

Sipas ekspertes së bujqësisë Esmeralda Ballesha, kjo përpjekje nëse administrohet mirë, mund të ulë kostot, të nxisë formalizimin dhe të barazojë terrenin me importet.

“Këto modele synojnë të lehtësojnë barrën fiskale dhe burokracinë për fermerët, duke inkurajuar formalizimin dhe rritjen e prodhimit vendas”, thekson Ballesha. 

Por deputeti Erion Braçe, një nga zërat më të fortë në parlament për bujqësinë, këmbëngul prej vitesh se zgjidhja e duhur vjen vetëm përmes barazimit të TVSH-së. 

“Rregullimi ligjor e përfundimtar i TVSH në tregun e brendshëm, barazimi i saj është jetik. Përmbysja dhe reformimi i plotë i skemës së subvencioneve, duke e çuar paranë tek bujku dhe për çdo njësi prodhimi, është jetik”, argumenton Braçe. 

Aktualisht, fermeri shet prodhimin me 0% TVSH, ndërsa përpunuesi e shet në treg me 20% TVSH. Diferenca krijon një hendek që e bën më të leverdisshme blerjen e produkteve të importuara, ku TVSH kreditohet. Importuesi paguan 20 lekë TVSH në doganë, i zbritet në shitje dhe del në treg me vetëm 4 lekë TVSH të pagueshme. Për produktin vendas, përpunuesi paguan plot 24 lekë.

Deri në ndryshimin e kësaj skeme, fermerët do të vazhdojnë të vazhdojnë të shesin prodhimin e tyre më shtrenjt se importet. Dhe kjo ndodh në një kohë kur bujqësia është zyrtarisht në recesion. Pesha e bujqësisë në ekonomi ka rënë nga 19,24% në vitin 2014 në vetëm 15,45% në vitin 2024. 

Burimi: INSTAT

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se TVSH për fermerët duhet të njësohet, e kategorizojmë të pavërtetë. Qeveria ka në plan të rishikojë skemën e TVSH-së vitin e ardhshëm, por përmes rimbursimit direkt dhe jo barazimit të TVSH-së në shitje dhe blerje. 

The post TVSH për fermerët nuk do të njësohet, por do të rimbursohet appeared first on Faktoje.al.

Kryeministri Rama përgënjeshtron veten për Parkun Eden

19 September 2025 at 10:00

Esmeralda Topi 

Në shtator të vitit 2022 Shqipëria ndodhej në kulmin e krizës energjetike. Qeveria kishte shpallur emergjencën dhe qytetarët përballeshin me paralajmërime për rritje të faturave të energjisë. 

Në të njëjtën kohë, kryeministri Edi Rama i kishte hapur rrugën një projekti prej 410 milionë lekësh në oborrin e Kryeministrisë: “Parkut Eden”. 

Vendimi ndezi debat publik dhe shkaktoi një lumë akuzash nga opozita. Rama u përpoq ta shuante polemikën duke mohuar kategorikisht se qeveria kishte shpenzuar para për këtë instalacion.

Por tre vite më vonë, kryeministri ndryshoi qëndrim. 

Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, ai pranoi se ndërtimi i “Parkut Eden” ishte një “investim shtetëror”. Pa përmendur shifra konkrete, Rama u kujdes të theksonte se “shpenzimet ishin të papërfillshme krahasuar me vlerën e shtuar që krijojnë”

“Ky nuk është oborri i shtëpisë time, është një park inovativ i cili do t’i shërbejë të gjithë kryeministrave më pas dhe do të jetë një vlerë e kësaj godine, shumë e shtuar”, deklaroi ai.

Kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimin e tij të shtatorit 2022.

“Qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë lloj instalacioni në mjediset e Këshillit të Ministrave,”  shprehej Rama. 

Nëse atëherë “Parku Eden” ishte një shpenzim i mohuar, në vitin 2025 është shndërruar në simbol krenarie për Kryeministrin.

Si duket sot ‘Parku Eden’?

Për herë të parë, pamjet e “Parkut Eden” u publikuan këtë fillimviti nga vetë kryeministri Edi Rama. Ai zgjodhi që urimin për Vitin e Ri 2025 ta përcillte nga instalacioni prej druri i ndërtuar në oborrin e Kryeministrisë, i cili ishte pjesërisht i përfunduar.

Në videon e shpërndarë nga Rama, kamera ndjek kryeministrin teksa përshkon hapësirat e reja. Pamjet nisin me akuariumin që rrethon strukturën vertikale prej druri, ku shfaqen peshq të shumtë. Më pas, Rama ngjitet në çdo kat të parkut duke treguar ambientet e mbushura me gjelbërim, lule dhe pemë të vendosura në mënyrë dekorative.

Në fund të videos, kryeministri ngjitet shkallëve spirale që çojnë në tarracë, nga ku ofrohet një panoramë mbi Tiranën, përpara se të zbresë sërish dhe të japë urimin për shqiptarët.

‘Parku Eden’ u inagurua në muajin qershor.

“Ky ishte kulmi i jetës sime arkitekturore. Hapja e Kopshtit tonë ishte e mbushur me heronj, mentorë dhe miq.
Nuk mund të mos ndihem pak si një fëmijë që i tregon prindërve një vizatim dhe thotë: “Shiko çfarë bëra.”- shkruante arkitekti austriak Chris Precht teksa ndante pamjet e inagurimit të ‘Parkut Eden’.

Përgënjështrimi nga Faktoje

Edhe tre vite më parë, Faktoje përgënjeshtroi deklaratat e Ramës duke sjellë prova të kundërta. Nga verifikimi i bërë në shtator 2022 rezultoi se qeveria kishte ngarkuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit për zbatimin e instalacionit prej druri në oborrin e Kryeministrisë, të quajtur “Parku Eden”. Projekti parashikonte edhe prodhimin e energjisë përmes paneleve diellore, me një kosto totale prej 410 milionë lekësh ose rreth 3.7 milionë euro me kursin e kohës. Projekti ishte hartuar nga studio austriake Precht, e specializuar në ndërtim ekologjik me materiale natyrale nën drejtimin e arkitektit Chris Precht. 

Objekti parashikonte, ngritjen e një parku të gjelbër vertikal, me mjedise pune, hapësira për takime dhe eventesh publike, në funksion të aktivitetit të Kryeministrisë, të institucioneve të tjera apo edhe shoqërisë civile. 

Po ashtu, mbulimin e tarracës së kryeministrisë me 1,700 m² panele fotovoltaike si dhe sisteme të riciklimit të ujit të shiut.

Asokohe FSHZH e përshkruante projektin si “unik” dhe “model të qëndrueshmërisë mjedisore”.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se “qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë lloj instalacioni në mjediset e Këshillit të Ministrave” e kategorizojmë të pavërtetë.  

The post Kryeministri Rama përgënjeshtron veten për Parkun Eden appeared first on Faktoje.al.

Berisha (nuk) tha se 21 janari ishte krim shtetëror

8 September 2025 at 11:56

Më 4 gusht 2025, pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme SPAK për çështjen e 21 Janarit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha iu drejtua gazetarëve me një deklaratë që zuri vend në titujt e të gjitha mediave. 21 Janari ishte krim shtetëror pa dashje, deklaroi Berisha për dhjetëra mikrofona gazetarësh që interesoheshin për procesin hetimor të SPAK lidhur me këtë ngjarje famëkeqe.

A mund të lexosh fjalimet e Sali Berishës vite me radhë përpara, i cili e ka quajtur krim shtetëror. E kam quajtur unë përpara,” tha Berisha, duke shtuar se ka ndryshim mes krimit shtetëror me dashje dhe atij pa dashje. “Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje”,  përfundoi Berisha.

Ngjarja e njohur nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë gjatë protestës së opozitës socialiste të kohës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011, ka mbetur një nga momentet më të debatueshme të tranzicionit politik shqiptar. Berisha përsëriti atë që ka mbështetur gjithmonë, se nuk ka patur asnjë urdhër për të qëlluar mbi protestuesit dhe se viktimat u vranë nga armët e shtetit, por jo me qëllim. Ai gjithashtu kujtoi se viktimat ishin dëmshpërblyer dhe cilësoi përgjegjës kryesor për protestën e dhunshme të asaj dite kryeministrin Edi Rama.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje verifikoi pretendimin e Berishës se ai kishte pranuar “pesë a gjashtë vjet më parë” se ngjarja e 21 janarit ishte një krim shtetëror pa dashje. Një kërkim i zgjeruar në arkivat e fjalimeve dhe daljet publike të kryedemokratit nuk tregoi përdorim të termit “krim shtetëror” në lidhje me 21 janarin.

Në deklaratat e tij publike në janar të vitit 2020 në studio televizive Berisha është shprehur se “asnjëri prej tyre [viktimave] nuk janë vrarë me urdhër” dhe se “garda ka qëlluar në përputhje absolute me ligjin”. Këto deklarata mbeten në përputhje me vijën mbrojtëse që Berisha ka mbajtur për vite me radhë, duke theksuar mungesën e urdhrit dhe duke i atribuar veprimet e gardës si të ligjshme.

Kërkimi tregoi se termi “krim shtetëror” për ngjarjet e 21 janarit është përdorur nga kundërshtari i tij politik, Edi Rama disa herë dhe ndër vite.

Sa i përket kryedemokratit Berisha, ai termin “vrasje shtetërore pa dashje” sipas rekordeve në rrjet e ka përdorur në një kontekst tjetër.

Në vitin 2019, Berisha pranoi përgjegjësi morale për tragjedinë e Gërdecit të vitit 2008 dhe e cilësoi atë si një “vrasje shtetërore pa dashje”. “Kam shprehur keqardhjen më të madhe për Gërdecin dhe jam i vetmi që e kam quajtur vrasje shtetërore,” tha ai atëherë. Kjo tregon se koncepti është përdorur prej tij, por jo për ngjarjen e 21 janarit.

Faktoje iu drejtua edhe Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj me një kërkesë për të treguar një rast, dokument apo video, që mbështet pretendimin e Berishës.

“Deklarata ime është 100% e vërtetë në parlament, por mendoj edhe në studio televizive unë kam kërkuar që të njihet si krim shtetëror pa dashje, në mënyrë që familjet e viktimave të shpërblehen sipas këtij kategorizimi dhe këtë deklaratë kundërshtarët e mi e kanë përdorur më shumë se një herë kundër meje”, Sali Berisha për Faktoje.

Pavarësisht qëndrimit publik, zoti Berisha nuk ofroi asnjë provë të deklaratës së pretenduar dhe deri tani, në materialet publike të aksesueshme, nuk gjendet asnjë rast ku Berisha e ka quajtur më parë ngjarjen e 21 janarit “krim shtetëror pa dashje”. Për këtë arsye, deklaratën e tij se e ka thënë disa vite më parë se 21 Janari ishte krim shtetëror pa dashje do e kategorizojmë si të pavërtetë.

The post Berisha (nuk) tha se 21 janari ishte krim shtetëror appeared first on Faktoje.al.

Titull abuziv për shfaqjen e peshkut helmues në brigjet spanjolle

By: FAKTOJE
3 September 2025 at 11:53

Pretendim: Një krijesë vdekjeprurëse deti po vendos në rrezik pushuesit

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një postim shqetësues që pretendon se një krijesë vdekjeprurëse po rrezikon pushuesit. Në fakt, lajmi që po shpërndahet nuk lidhet fare me Shqipërinë, por është marrë nga një ngjarje e ndodhur së fundmi në Spanjë.

Në brigjet e Costa Blanca, një rajon në juglindje të Spanjës, autoritetet kanë paralajmëruar pushuesit për praninë e një krijese të rrallë detare të quajtur “dragoi blu” ose Glaucus atlanticus. Siç mund të shihet faqet shqiptare kanë marrë foton e postuar nga policia e shtetit spanjoll dhe e kanë përkthyer nga spanjishtja pa përcaktuar se ku me të vërtetë ndodhet rreziku.

Artikujt origjinalë shpjegojnë se kjo krijesë me pamje të pazakontë dhe ngjyra të forta blu është shumë helmuese dhe mund të shkaktojë dhimbje ekstreme apo komplikime të rënda nëse preket. Megjithatë, deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast hospitalizimi apo humbje jete ashtu si pretendohet në titujt e postimeve.

Në disa plazhe spanjolle janë vendosur flamuj të kuq dhe janë marrë masa parandaluese, përfshirë mbylljen e përkohshme të disa zonave. Biologët detarë theksojnë se ky fenomen është i rrallë, pasi dragoi blu zakonisht jeton në ujëra tropikale dhe ka ardhur në Spanjë për shkak të rrymave oqeanike.

Megjithatë ky rrezik nuk ekziston në Shqipëri. Asnjë institucion zyrtar apo qytetarë nuk kanë raportuar praninë e kësaj krijese në ujërat shqiptare. Postimi që qarkullon është një keqpërdorim i informacionit për të gjeneruar klikime dhe për të tërhequr vëmendje përmes frikës. Në realitet, pushuesit në brigjet shqiptare nuk kanë asnjë arsye të alarmohen.

The post Titull abuziv për shfaqjen e peshkut helmues në brigjet spanjolle appeared first on Faktoje.al.

Nga premtimi për “flamur blu”, tek realiteti i ujërave të zeza

28 August 2025 at 15:28

Shqipëria renditet e fundit në Europë për cilësinë e ujërave bregdetare. Shkaku kryesor? Ujërat e zeza të patrajtuara që derdhen në det, mungesa e impianteve të trajtimit dhe menaxhimi i dobët mjedisor.

Esmeralda Topi

Në fillim të vitit 2023, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë një konference të posaçme për prezantimin e “Arritjeve, sfidave dhe objektivave të vitit”, shpalosi ambiciet për përmirësimin e cilësisë së ujërave larës në vend.

“Qëllimi është të shkojmë në zero dhe të avancojmë me një procedurë tjetër që është flamuri blu për plazhet. Synohet zerimi i ujërave larës problematikë”, deklaroi ajo, teksa citoi të dhëna nga Agjencia Europiane e Mjedisit

E njëjta agjensi, një vit më vonë ngre alarmin për cilësinë e ujërave në Shqipëri. Ndryshe nga sa zotohej Kumbaro, Shqipëria renditet e fundit në Europë për cilësinë e ujërave larës. 

Burimi: EEA

Këto shifra e vendosin Shqipërinë si vendin me përqindjen më të ulët të cilësisë së shkëlqyer dhe më të lartën për cilësinë e dobët, ndër të gjitha vendet e përfshira në analizë.

“Janë të paktën katër raportet e fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit që tregojnë përkeqësimin e cilësisë së ujërave larës në Shqipëri. Jemi shumë larg flamurit blu. Dhe kjo e dëmton turizmin”, thotë Olsi Nika, drejtues i Eco Albania. 

Të fundit në Evropë

Nga 119 pika të monitoruara në vend, vetëm 16% janë klasifikuar me cilësi “shkëlqyer”, duke shënuar rënie dramatike nga 41% një vit më parë dhe shumë larg mesatares së BE-së që është 85.4%. Edhe më shqetësues është fakti se 22.7% e ujërave në Shqipëri kanë cilësi të dobët. 

46% e ujërave të monitoruara në vend rezultojnë me cilësi të mirë dhe 11.8% kanë cilësi të mjaftueshme.

Ndërkohë që Ministrja Kumbaro promovon idenë e plazheve me flamur blu, një standard ndërkombëtar që kërkon cilësi të lartë ujore, menaxhim të qëndrueshëm dhe shërbime të plota, të dhënat tregojnë se jemi shumë larg tij. 

Agjencia Europiane e Mjedisit thotë se problemi kryesor lidhet me mungesën e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura. Shpeshherë, ujërat e zeza të papërpunuara përfundojnë drejtpërdrejt në det apo lumenj, duke kontaminuar zonat bregdetare që janë kthyer në epiqendra të turizmit masiv. 

Po ashtu, raporti nxjerr në pah se reshjet intensive dhe përmbytjet e herëpashershme mund të shtojnë ndjeshëm ndotjen nga rrjetet e kanalizimeve.

Ndaj për vendet me renditje të dobët, si Shqipëria, Agjencia Europiane e Mjedisit rekomandon masa urgjente duke përfshirë ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, forcimin e monitorimit sezonal dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale në kontrollin dhe mbrojtjen e mjedisit. 

Përfundim

Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e ministres Mirela Kumbaro për zerimin e ujërave larës problematikë në Shqipëri, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Nga premtimi për “flamur blu”, tek realiteti i ujërave të zeza appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria nuk i ka mbyllur procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës siç deklaroi ministri Vëngu

13 August 2025 at 11:55

Në një kohë kur Shqipëria po kalon një situate dramatike për shkak të zjarreve të favorizuara nga temperatuarat ekstremisht të larta dhe avionët zjarrëfikës të ardhur nga vendet e BE-së nga flota e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile po ndihmojnë Shqipërinë të përballojë situatën, zyrtarët e lartë duket se po “fshihen” pas propagandës duke maskuar të vërtetën mbi shkallën e përgatitjes shtetërore për emergjenca të tilla.

 Më 29 korrik 2025, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu deklaroi publikisht se “janë alokuar fondet, kemi buxhetin dhe kemi realizuar edhe procedurën për blerjen e dy avionëve zjarrfikës”. Kjo deklaratë erdhi fill pas publikimit nga Faktoje të një artikulli ku dokumentohej se qeveria shqiptare nuk e kishte mbajtur premtimin për të siguruar dy avionë zjarrfikës për sezonin e zjarreve në verën 2025.

Por sa e vërtetë është kjo deklaratë?

Çfarë thotë Ministria e Mbrojtjes?

Pas kësaj deklarate Faktoje u interesua për më shumë detaje përmes një kërkese për informacion. Në përgjigjen e saj zyrtare për Faktoje, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se nuk bëhet fjalë për avionë zjarrfikës, siç pretendoi ministri Vëngu, por për avionë shumërolësh, të cilët do të pajisen edhe me kapacitete për fikjen e zjarreve nga ajri. Këta avionë nuk janë të dedikuar për emergjenca civile apo shuarje zjarresh, por do të kenë gjithashtu funksione ushtarake.

Për më tepër, në kundërshtim me deklaratën e ministrit që pretendonte përfundimin e procedurës së blerjes, Ministria e pranoi se procesi është ende në zhvillim:

“Blerja e këtyre avionëve është në proces, i cili po shkon drejt përfundimit.”

– Ministria e Mbrojtjes për Faktoje

Gjithashtu, Ministria nuk dha informacione mbi koston e këtyre avionëve, si dhe refuzoi të tregojë afatet se kur do të merren në dorëzim ato, duke u justifikuar me klasifikimin “për qëllime ushtarake”.

Një histori që përsëritet

Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes i referohet këtyre avionëve shumërolësh si zgjidhje për përballimin e zjarreve. Në shtator 2024, në një tjetër përgjigje për Faktoje, institucioni parashikonte se avionët do të viheshin në funksion në fund të vitit 2025 ose fillim të vitit 2026.

Pra, edhe një vit më vonë, nuk ka ndryshuar as statusi i procedurës dhe as mungesa e transparencës.

Për këtë arsye, Faktoje e kategorizon deklaratën e ministrit Pirro Vëngu si të pavërtetë.

Në një kohë kur vendi përballet çdo verë me dhjetëra vatra aktive zjarri dhe një sistem të kufizuar menaxhimi të emergjencave, nevojitet më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri në komunikimin publik, e jo deklarata që nuk qëndrojnë përballë fakteve.

Rama justifikon situatën

Menjëherë pas publikimit të artikullit nga Faktoje.al, Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjete sociale duke shmangur përgjegjësinë direkte dhe duke vendosur debatin në një perspektivë më të gjërë. Ai theksoi se zjarret nuk zgjidhen vetëm me një apo dy avionë zjarrfikës dhe se Shqipëria ka më shumë mjete ajrore këtë vit se çdo vit tjetër, falë mbështetjes nga Mekanizmi Europian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rama bëri krahasime me vendet e tjera, duke treguar se edhe Greqia, Italia, Turqia dhe Spanja përballen me zjarre të shumta, pavarësisht kapaciteteve të tyre. Ai nënvizoi gjithashtu se parandalimi i shkaqeve të zjarreve dhe menaxhimi strategjik janë po aq të rëndësishëm sa reagimi emergjent, duke sugjeruar se fokusimi vetëm tek numri i avionëve nuk ofron zgjidhje të plotë.

Ky artikull u rishikua duke shtuar reagimin e Kryeministrit Edi Rama mbi situatën e zjarreve dhe perspektivën e qeverisë.

The post Shqipëria nuk i ka mbyllur procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës siç deklaroi ministri Vëngu appeared first on Faktoje.al.

Zbatuesit e Kodit të ri Penal janë kundër, për kë u bë Kodi?

By: FAKTOJE
6 August 2025 at 16:58

Nga Sebi Alla– Prokurorët, avokatët dhe gjyqtarët, (tre palët në një proces penal), u vendosën para faktit të kryer me 950 nene të Kodit të ri Penal, të cilët ata i kundërshtojnë në një pjesë të madhe, por nëse mazhoranca me votat e saj e miraton, njerëzit e drejtësisë duhet ta zbatojnë.

Sapo drafti i Kodit Penal u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, njëkohësisht me konferencën e mbajtur për “arritjet” e këtij Kodi, pati reagime të shumta.

Pak zëra që dolën në mbrojtje ishin përfaqësues të qeverisë, konkretisht Ministri i Drejtësisë dhe kryeministri, gjithashtu edhe kreu i grupit të punës, Arben Rakipi.

Konstitucionalistë të njohur, avokatë dhe drejtues të prokurorive dhe të gjyqësorit, ngritën shqetësimin se në thelb, ky Kod nuk është gjithëpërfshirës, shton masat represive të dënimit me burg për çështje që mund të ishin kundravajtje penale dhe lë mundësi interpretimesh, por edhe keqinterpretimesh.

Qeveria e merr “lehtë”

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në ditën e prezantimit të Kodit të ri Penal tha se është produkt i një procesi gjithëpërfshirës dhe sipas tij për hartimin kanë kontribuuar ekspertët më të mirë.

“Kodi i Ri Penal është produkt i një procesi gjithëpërfshirës dhe profesional, ku janë angazhuar ekspertët më të mirë të së drejtës penale. Ai synon përafrimin me konventat, direktivat dhe standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare, rekomandimet e institucioneve kryesore të drejtësisë, si dhe kontributet e partnerëve ndërkombëtarë, akademikëve, shoqërisë civile dhe mediave”, tha Manja.

Por a është drafti deri tani produkt i një procesi gjithëpërfshirës, siç deklaroi ministri Manja?   

I pari që reagoi ishte Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.  “Prokuroria e Përgjithshme nuk ka qenë e përfaqësuar zyrtarisht në grupin e punës për hartimin e një Kodi të ri Penal“, tha ai.

Në të njëjtën ditë, përmes një takimi informal që kryetari i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi me gazetarët, rezultoi se Prokuroria Speciale nuk ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal. Dumani nuk komentoi draftin e ri, sa kohë që, sipas tij, paketa e propozimeve nuk kishte mbërritur ende në SPAK.

Edhe Bashkimi Evropian përmes një reagimi për Faktoje.al theksoi rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për paketën e projekt-amendamenteve të Kodit të ri Penal duke përfshirë institucionet e drejtësisë, aktorët e sundimit të ligjit dhe shoqërinë civile.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka theksuar gjithashtu rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor, që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë.

Edhe kryetari i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, Maksim Haxhia tha në një reagim zyrtar se drafti i Kodit Penal duhet të dilte me një komunikim për të gjithë aktorët. “Nuk kemi prezencën e nevojës pse duhet Kod i ri. Nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë”, tha ai

Reagimet

Edhe pse në tryezën e prezantimit të draftit për Kodin e ri Penal ishin Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kreu i grupit të punës, hartues të Kodit, ish-kryeprokurori Arben Rakipi, i pari që hodhi dyshime mbi këtë kod aty për aty ishte kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

“Të mos harrojmë se ligji penal nuk është thjesht për juristët. Ai është për shoqërinë dhe nëse nuk kuptohet, ka gjasa të mos respektohet, por nëse nuk zbatohet drejt, nuk bëhet as drejtësi”, tha Sadushi.

Më i drejtpërdrejtë në kritika të forta u shfaq Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela. “Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve”, tha Çela.

Konstitucionalisti, avokati njëherazi pedagogu, Jordan Daci, në një reagim për Faktoje.al shprehet se Kodi i ri ka zgjeruar gamën e veprave penale, e ka mbingarkuar me interpretime dhe sipas tij është thellësisht me probleme nëse kalon për miratim. “Vepra të cilat mund të përfshihen si kundravajtje penale me Kodin e Ri cilësohen vepra penale. Me këtë Kod kushdo mund të shkojë në burg”, tha ai, ndërsa shton se është një draft- kod represiv dhe “nuk duhet të arnohet, por të zhbëhet i gjithi”.

Avokati Daci shkon më tej teksa shprehet se nëse miratohet ky Kod, ashtu siç është apo me disa arnime, shumë nene do të shkojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese

Hartuesit e Kodit

Nisma për një Kod të ri Penal ishte politike, ku mazhoranca që në fundin e vitit 2019 bëri publike nevojën sipas saj të një Kodi të ri i përafruar me vendet e BE-së dhe ngritjen e grupit të ekspertëve.

Faktoje.al iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë për informacion mbi përbërjen e grupit të punës, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk pati qëndrim zyrtar.

Nga analizimi që i ka bërë Kodit të ri Penal, avokat Daci thotë se se më shumë se punë ekspertësh në këtë rast kemi kopjime të kodeve nga Turqia, Franca dhe Italia që janë modifikuar, ç’ka sipas tij, ka sjellë mbingarkesë dhe shpesh nene që flasin për të njëjtin fakt penal dhe bien në kundërshtim me nene të tjera, po në të njëtin Kod.

“Kodi i ri ka probleme të karakterit parimor dhe gjithashtu edhe të teknikës juridike”, thotë Daci.

Përfundimi

Kodi i ri Penal ka hasur në kundërshtimin e krerëve të sistemit të drejtësisë, Dhomës së Avokatëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile por edhe medias. Reagimet e menjëhershme nga organet kryesore të drejtësisë por edhe jashtë saj tregojnë se procesi (deri më tani) për hartimin e Kodit të ri Penal nuk ka qënë gjithëpërfshirës, duke e kategorizuar deklaratën e ministrit Ulsi Manja si të pavërtetë.

The post Zbatuesit e Kodit të ri Penal janë kundër, për kë u bë Kodi? appeared first on Faktoje.al.

Milot–Balldren sërish në pikën zero

5 August 2025 at 14:00

Në kulmin e fushatës elektorale, ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku lajmëroi shpalljen e fituesit për Milot–Balldren “brenda 2-3 ditësh”, por pas 3 muajsh tenderi u anulua. Projekti i nyjes strategjike të “Korridorit Blu” mbetet pezull, për herë të dytë në 7 vite.

Esmeralda Topi 

Më 15 prill 2025, në kulmin e fushatës elektorale, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi publikisht:

“Në dy-tre ditët në vazhdim, ne do të shpallim konsorciumin fitues për sa i përket Milot–Balldren”.

Fakt

As pas dy ditësh, as pas dy javësh, nuk u shpall asnjë fitues. Përkundrazi, në mesin e muajit korrik, Ministria e Infrastrukturës njoftoi zyrtarisht anulimin e procedurës për koncesionimin e segmentit rrugor Milot–Balldren, me argumentin se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk ishte e përshtatshme”.

Ky është dështimi i dytë për të njëjtin projekt, i cili që prej vitit 2018 mbetet një ndër nismat më të debatueshme infrastrukturore në vend.

Procedura për dhënien me koncesion të segmentit 17-kilometërsh Milot–Balldren nisi fundvitin e kaluar, më 19 dhjetor 2024. Pas disa shtyrjeve, gara u zhvillua më 10 mars të këtij viti, me katër oferta të paraqitura nga kompanitë “Gener 2”, “Salillari”, “A.N.K” dhe “4 A-M”.

Një muaj më pas, ministrja Balluku bëri deklaratën publike për shpalljen e afërt të fituesit. Por, siç tregojnë edhe dokumentet zyrtare, në datën 19 qershor ofertuesit u njoftuan për skualifikimin, dhe në 14 korrik procedura u anulua përfundimisht.

Sipas Ministrisë, asnjë prej ofertave nuk përmbushte kushtet e ftesës konkurruese. Me këtë vendim, projekti i shumëpërfolur u kthye sërish në pikën zero.

Një nyje strategjike 

Segmenti Milot–Balldren është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i njohur ndryshe si Korridori Blu. Rruga parashikohej të ndërtohej me një vlerë ndërtimi prej 182.5 milionë eurosh, ndërsa me gjithë kostot e projektimit, mirëmbajtjes dhe operimit, vlera e kontratës do të arrinte në rreth 365 milionë euro për 35 vite.

Sipas planit të biznesit të koncesionit, kjo rrugë pritej të gjeneronte 1 miliard euro të ardhura përgjatë gjithë periudhës koncesionare. Tarifa e kalimit do të ishte 0.12 euro për kilometër, duke e përkthyer në 2.5 euro për një autoveturë që përshkon segmentin e plotë.

Në vitin 2018, i njëjti segment iu dha me modelin e Partneritetit Publik Privat kompanisë “A.N.K.”, e cila duhej ta ndërtonte me fonde të veta dhe të paguhej më pas nga shteti. Por ajo kontratë u anulua, pasi kompania nuk gjeti financim.

Përfundim

Deklarata e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku për shpalljen e fituesit “brenda dy-tre ditësh” rezultoi e pavërtetë. E gjithë procedura për koncesionimin e segmentit rrugor Milot–Balldren, u anulua dhe segmenti strategjik mbetet ende në letër. 

The post Milot–Balldren sërish në pikën zero appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria hap grup-kapitullin e fundit me BE-në? Bashkimi Europian: Jo plotësisht

4 August 2025 at 14:00

Më 23 korrik, rrjetet sociale të qeverisë shqiptare u përmbytën nga një valë entuziazmi zyrtar. Ministri i Jashtëm Igli Hasani shpalli një arritje historike: Shqipëria, sipas tij, kishte “hapur të gjithë kapitujt e negociatave” me Bashkimin Europian.

Në një video të publikuar nga Kryeministria, qytetarët u informuan se hapja e “grupkapitullit 5”, që përfshin bujqësinë dhe kohezionin, do të sjellë modernizim të sektorit, ndihmë për fermerët dhe standarde më të larta të sigurisë ushqimore. Kryetarja e Kuvendit shkoi më tej, duke deklaruar se ky zhvillim “përmbyll çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave”.

Por, kur premtimet e politikës përballen me faktet, realiteti shpesh del të jetë më i ndërlikuar.

Çfarë thotë Bashkimi Europian?

Në përgjigje të një kërkese zyrtare për informacion nga “Faktoje”, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ofroi një panoramë të qartë të progresit të Shqipërisë në procesin e negociatave.

Shqipëria deri tani ka hapur negociatat e anëtarësimit për katër grupe kapitujsh.

Deri më tani, sipas Delegacionit, janë hapur vetëm katër nga gjashtë grupkapitujt e parashikuar në metodologjinë e re të zgjerimit:

Ndërsa grupi Grup-kapitulli 4 (Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme) dhe Grup-kapitulli 5 (Burimet, bujqësia dhe kohezioni) mbeten ende të pahapura.

Dakordësia s’është hapje

Mospërputhjet mes deklaratave të zyrtarëve të lartë shqiptar dhe delegacionit europian në Tiranë duket se vijnë për shkak të interpretimit të një akti diplomatik. Dakordësia e vendeve anëtare të BE-së për të ftuar Shqipërinë të paraqesë pozicionin negociues për Cluster-in 5. Ky është një hap i rëndësishëm, por jo i barazvlefshëm me hapjen formale të grupkapitullit, thekson Blerjana Bino nga qendra SciDev për Faktoje.

Hapja formale dhe zyrtare ndodh vetëm pas dorëzimit të Pozicionit Negociues [dokument ku qeveria sqaron qartë ku qëndron aktualisht vendi në lidhje me kriteret e kërkuara nga BE-ja, cilat reforma janë ndërmarrë deri tani, cilat do të ndërmerren në të ardhmen dhe si planifikon Shqipëria të plotësojë standardet e BE], vlerësimit pozitiv nga Komisioni Evropian dhe miratimit unanim nga Këshilli i BE-së në një Konferencë Ndërqeveritare” – Blerjana Bino, SciDev.

Sipas metodologjisë së zgjerimit, një grupkapitull konsiderohet i hapur vetëm pas përfundimit të Konferencës Ndërqeveritare, për të cilin nuk ka ende një datë. Deri atëherë, hapja është vetëm një projekt politik në pritje.

Kronologji politike vs. kronologji zyrtare

Tendenca e qeverisë për të përshpejtuar kronologjinë e progresit europian të vendit nuk është e re. Në një vend ku integrimi europian është kauzë e mbështetur gjerësisht nga publiku, retorika optimiste politike ofron një valë të shpejtë miratimi popullor – edhe kur nuk mbështetet nga faktet.

Megjithatë, për të qenë të saktë dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, dallimi mes dakordësisë për nisjen e negociatave dhe hapjes formale të kapitujve nuk është thjesht një detaj teknik – është një tregues i maturisë institucionale dhe saktësisë në komunikim.

Transparenca dhe qartësia e komunikimit publik mbi statusin real të negociatave është kyç për informimin e qytetarëve mbi kompleksitetin e procesit dhe shmangien e keqkuptimeve, pritshmërive jorealiste dhe mosbesimit ndaj procesit, thekson Blerjana Bino.

Faktoje kontaktoi edhe Ministrinë e Jashtme e cila në përgjigje të kërkesës për informacion konfirmoi se Shqipëria ka hapur deri tani katër nga gjashtë grupkapitujt e negociatave për antarësim me Bashkimin Europian.

Përfundimi: Po, progres ka. Por jo të gjithë grup-kapitujt janë hapur.

Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian dhe ka hapur zyrtarisht katër nga gjashtë grupkapitujt duke iu afruar synimit për të mbyllur hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda vitit 2025, premtim ky i dhënë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por, deklaratat e zyrtarëve të lartë që pretendojnë se “të gjithë kapitujt janë hapur” janë të pasakta dhe çorientuese.

Në mungesë të një Konference Ndërqeveritare për grup-kapitujt 4 dhe 5, procesi mbetet i papërfunduar. E vërteta është se Shqipëria është afër, por ende jo në përfundim të hapjes së të gjithë grup-kapitujve. Dhe Integrimi europian, ashtu si demokracia, është një proces që kërkon më shumë se vetëm entuziazëm – kërkon transparencë dhe përmbajtje. Ndaj nisur nga këto të dhëna, deklaratën e ministrit të jashtëm Igli Hasani se Shqipëria hapi negociatat për grup-kapitullin e fundit të negociatave me BE-ne do e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Shqipëria hap grup-kapitullin e fundit me BE-në? Bashkimi Europian: Jo plotësisht appeared first on Faktoje.al.

McAllister nuk njoftoi mision faktmledhës për Shqipërinë

2 August 2025 at 13:00

David McAllister nuk ka njoftuar asnjë mision faktmbledhës të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Deklarata e ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilës, Komisioni i Jashtëm i PE do të dërgonte një mision për zgjedhjet, rezulton e pavërtetë. Zyra e Parlamentit Europian konfirmon për Faktoje.al se bëhet fjalë vetëm për një vizitë të mundshme në vitin 2026, jo për një mision të planifikuar këtë vit.

Esmeralda Topi 

Dy muaj më parë, ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi nga Brukseli se kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, kishte paralajmëruar dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri nga ky komision, duke e cilësuar këtë si “një mbështetje të madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci”

“Unë e përshëndes këtë vendim të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian si një mbështetje e madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci… Në qoftë se në harkun kohor të 24 orëve, njoftohen dy misione faktmbledhëse, kjo tregon se Shqipëria tashmë është një emergjencë…”, deklaroi Berisha gjatë një interviste televizive nga Brukseli.

Deklarata e Berishës për një mision të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian erdhi menjëherë pas lajmit se Partia Popullore Europiane (PPE) kishte njoftuar dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri. Në këtë kontekst, Berisha ndodhej në Bruksel pikërisht për të kërkuar mbështetje nga partitë simotra europiane, duke i informuar për atë që ai e konsideron si “farsë elektorale” në zgjedhjet e fundit në vend. 

Fakt

Faktoje kontaktoi me zyrën e shtypit të Parlamentit Europian për të sqaruar nëse është njoftuar zyrtarisht një mision faktmbledhës nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian (AFET), ashtu siç u pretendua.

Përgjigjja zyrtare nga zëdhënësja e Parlamentit Europian e rrëzoi këtë pretendim.

“Zoti McAllister nuk ka njoftuar një mision të tillë. Ai tha se Komisioni për Punët e Jashtme (AFET) duhet të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm. Për këtë vit, planifikimi është bërë tashmë. Megjithatë, ndryshime mund të ndodhin gjithmonë”, shkruan zëdhënësja për Faktoje.al.

Pra, bëhet fjalë për një vizitë të mundshme në vitin 2026, jo për një mision faktmbledhës të paralajmëruar për 2025-n, siç u interpretua në deklaratën e Berishës dhe në pasqyrimin mediatik që pasoi. 

Si u përhap lajmi i pavërtetë?

Në vijim të deklaratës së Berishës, Partia Demokratike publikoi në faqen e saj zyrtare një artikull me titull: “Berisha në Bruksel: Raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian damkosi regjimin e Edi Ramës. U denoncua me qartësinë më të madhe farsa elektorale”, duke përforcuar narrativën për një mision faktmbledhës që nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar europian. 

Më tej edhe mediandryshme online e pasqyruan lajmin duke e bërë fakt të kryer misionin faktmbledhës nga Parlamenti Europian. 

Përfundim

Deri më sot, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni i Jashtëm i PE për një mision fakmbledhës për zgjedhjet në Shqipëri gjatë këtij viti. Zoti McAllister ka përmendur vetëm një vizitë të mundshme vitin e ardhshëm. Ndaj, nisur nga verifikimi i kryer deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha rreth një misioni faktmbledhës të Parlamentit Europian e katëgorizojmë të pavërtetë.

The post McAllister nuk njoftoi mision faktmledhës për Shqipërinë appeared first on Faktoje.al.

Nuk ka pezullim të punës së AKU-së

By: FAKTOJE
18 July 2025 at 17:00

Esmeralda Topi

Këtë fillim korriku, teksa fusha e mbetjeve në Elbasan digjej dhe tymi helmues u shpërnda përtej zonës urbane, vëmendja publike papritmas u devijua diku tjetër.

Kryeministri Edi Rama, në një tryezë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, lëshoi një deklaratë të fortë kundër Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke e quajtur një institucion që “më shumë bën dëm sesa mirë”

Me tone ultimative, ai i kërkoi ministres së Bujqësisë pezullimin e plotë të institucionit. “Ministre, duhet nxjerrë urdhri i pezullimit të AKU-së, totalisht. Nuk duhet më të dalin dhe të shkojnë askund”, deklaroi Rama.

Kjo deklaratë pati efekt të menjëhershëm mediatik. Brenda pak orësh, portale të shumta u mbushën me tituj bombastikë: “Shkrihet AKU-ja”, “Rama pezullon AKU-në”, “AKU merr fund”.

Ndërsa opinioni publik shfrytëzonte rrjetet sociale për të diskutuar mbi inspektorët e AKU-së dhe “shpërbërjen” e autoritetit, flakët në Elbasan vazhdonin të përhapeshin mbi një nga fushat më problematike të trajtimit të mbetjeve në vend, pa asnjë reagim nga autoritetet shtetërore në terren.  

Çfarë ndodhi me AKU-në?

Pavarësisht ultimatumit të kryeministrit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk është pezulluar, as ‘shkrirë’, dhe as mbyllur. Ajo që ka ndodhur në të vërtetë është pezullimi i inspektimeve të paplanifikuara si dhe ngritja e një komisioni vlerësimi për trupën inspektuese. Funksionet themelore të AKU-së, përfshirë inspektimet e planifikuara dhe miratuara, vijojnë të ushtrohen sipas planit operacional.

Pas një kërkese për informacion nga Faktoje.al, Ministria e Bujqësisë sqaroi se ky vendim është marrë si përgjigje ndaj një rritjeje të ndjeshme të ankesave nga subjektet e inspektuara, për sjellje joetike të inspektorëve dhe mungesën e transparencës në inspektime. Paralelisht, kjo masë lidhet me përgatitjet për zbatimin e Ligjit të ri për Inspektimet (nr. 99/2024).

Ligji i ri parashikon ristrukturimin e tri institucioneve ekzistuese; AKU, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA) dhe Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), duke i bashkuar funksionet e tyre inspektuese në një strukturë të vetme qendrore.

Në kuadër të kësaj reforme, është ngritur një grup pune me ekspertizë të jashtme nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, që do të merret me vlerësimin e trupës aktuale të inspektorëve dhe përzgjedhjen e kuadrove të rinj, në përputhje me standardet profesionale dhe kërkesat e ligjit të ri.

Ekspertët

Qeveria flet për një “ndryshim rrënjësor”, por çfarë thonë zërat që e njohin nga brenda sistemin? Prof. Abdyl Sinani, nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, nuk e fsheh zhgënjimin.

“Kohët e fundit ka rënë si institucion. Nuk është ndjekur si duhet. Një nga arsyet kryesore është se i kanë dhënë përparësi agronomit dhe veterinerit, duke lënë mënjanë teknologun kimist”, argumenton ai për Faktoje.al

Por për Ilir Pilkun, ekspert i integrimit europian dhe politikave të bujqësisë, “tronditja” e AKU-së është më shumë se debat profesional, është një kërcënim institucional.

“Nuk mund të mbyllet një institucion që është pjesë e Kapitullit 12 të integrimit me BE-në, kur janë investuar miliona euro të taksapaguesve europianë. Janë zbatuar dy projekte me rreth 12 milionë euro në një dekadë”

Pilku rendit qartë se çfarë duhet të ndodhë, përtej fasadës së një reforme:

  • Shkarkim i drejtuesve jo-profesionistë në qendër dhe rrethe;
  • Testim i plotë profesional dhe çmontim i ndërhyrjes politike;
  • Përfshirje e ekspertëve realë në proces — dhe këtu del në pah një tjetër boshllëk që nuk mund të anashkalohet:

“Si ka mundësi që në komisionin e ngritur nga Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë ekspert të teknologjisë ushqimore, as profesorë të standardeve ushqimore, laboratorëve apo kimisë? Ndërkohë që UBT ka Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, me figura si Kapllan Sulaj, Anila Kopali dhe Valbona Paluka, që do ishin aset për çdo reformë serioze”, pyet ai.

Kritika e tretë, por jo më pak e fortë, vjen nga Esmeralda Gjollesha, eksperte me përvojë në sektorin e sigurisë ushqimore.

“Prej më shumë se një dekade, AKU ka qenë institucioni që duhet të garantonte sigurinë ushqimore në Shqipëri. Por në vitet e fundit, ka dështuar sistematikisht, skandalet me mish të kontaminuar, fruta me pesticide të ndaluara, ushqime me origjinë të pasigurt janë bërë normë”, vë në dukje Gjollesha.

Sipas saj, ligji i miratuar në shtator të 2024 që parashikon bashkimin e tre institucioneve është reagim ndaj një situate që ka dalë jashtë kontrollit.

“Reforma duhet të sjellë një autoritet të pavarur, me bazë shkencore, me laboratorë të certifikuar dhe pa varësi politike. Kontrolli i ushqimit nuk nis në doganë dhe nuk mbaron në treg. Duhet të ndjekësh produktin nga ferma deri në tavolinën e konsumatorit”, përfundon Esmeralda Gjollesha.

Siguria ushqimore ishte një nga kapitujt me vlerësimin më negative të Komisionit Evropian në raportin e vitit 2024 për Shqipërinë. Nga progres i limituar në fushën e sigurisë ushqimore vitin e kaluar vendi rezultoi se nuk ka bërë ‘asnjë progres’ në këtë drejtim. Ndonëse qeveria vit pas viti e shpall si prioritet, buxheti dhe investimet për sigurinë ushqimore nuk arrijnë të mbulojnë nevojat e tregut. 

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama ndaj ministrisë së Bujqësisë për të nxjerrë urdhër pezullimi total për AKU-në, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Nuk ka pezullim të punës së AKU-së appeared first on Faktoje.al.

❌
❌