UASHINGTON, 14 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump pranoi se republikanët mund të humbasin zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026, pavarësisht asaj që ai i konsideron si suksese ekonomike gjatë vitit të kaluar, në një intervistë me ”The Wall Street Journal” (WSJ), të botuar dje në mbrëmje.
“Unë kam krijuar ekonominë më të madhe në histori. Por, duhet kohë që njerëzit ta kuptojnë këtë”, vërejti presidenti amerikan në intervistën, të cilën e përditshmja e biznesit thotë se u zhvillua të premten në Zyrën Ovale.
“Të gjitha këto para që po derdhen në vendin tonë tani po ndërtojnë gjëra: fabrika makinash, inteligjencë artificiale, shumë gjëra. Por, nuk mund t’ju them se si do të përkthehet kjo për votuesin. E tëra çfarë mund të bëj është puna ime”, pranoi miliarderi republikan.
Pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, Donald Trump pohon rregullisht se ekonomia amerikane tani po lulëzon dhe vazhdon të fajësojë për inflacionin paraardhësin e tij demokrat, Joe Biden.
“Mendoj se deri në kohën kur të flasim për zgjedhjet, pas disa muajsh, mendoj se niveli i çmimeve do të jetë i mirë”, tha presidenti për ”Wall Street Journal”, gati një vit para zgjedhjeve të mesit të mandatit që do të rinovojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe një të tretën e Senatit në fillim të nëntorit.
“Edhe ata që kanë pasur presidenca të suksesshme, kanë pasur pengesa”, pranoi ish-zhvilluesi 79-vjeçar i pasurive të patundshme, i zgjedhur për herë të parë në vitin 2016.
“Do të shohim çfarë ndodh. Duhet të fitojmë. Por, statistikisht është shumë e vështirë të fitosh”, i tha Trump gazetës amerikane.
”Ekonomia më e madhe në botë vlen “25/20″ (A+++++)”, i tha ai ”Politico”-s, në një intervistë të botuar të martën.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, i rizgjedhur në nëntor 2024 me premtimin e tij për të ulur inflacionin, këmbëngul se çmimet po bien, ndërsa shumë nga bashkëqytetarët e tij vazhdojnë të ankohen për koston e lartë të jetesës.
Sipas një sondazhi të Universitetit të Çikagos për Associated Press, të publikuar të enjten, vetëm 31% e amerikanëve janë të kënaqur me politikat ekonomike të Donald Trump.
“Kur do të pasqyrojnë sondazhet sa e madhe është Amerika sot?”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.
“Kur do të thonë më në fund njerëzit se unë krijova, pa inflacion, ndoshta ekonominë më të mirë në historinë e vendit tonë? Kur do ta kuptojnë njerëzit se çfarë po ndodh?”, shtoi ai./ a.jor.
The post SHBA – Trump: Mund t’i humbasim zgjedhjet e mesmandatit, pavarësisht politikës së shkëlqyer ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.