Rruga rajonale Ferizaj-Gjilan, tek fshati Sojevë e cila më parë ishte e bllokuar për shkak të grumbullimit të ujit, është liruar për qarkullim nga ora 15:30.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai ka shtuar se sipas informatave nga njësitë në terren, të gjitha rrugët në rajonin e Ferizajt, përfshirë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë aktualisht të kalueshme dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.
Autoritetet rrugore dhe njësitë në terren apelojnë tek qytetarët që të respektojnë sinjalizimin dhe të udhëtojnë me kujdes, duke pasur parasysh kushtet e ndryshueshme atmosferike dhe mundësinë e grumbullimit të ujit në disa zona. /Telegrafi/
Si pasojë e reshjeve gjatë ditëve të vikendit, Komuna e Malishevës ka marrë vendim që sërish të shtyjë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë.
Në vendimin e marrë nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë theksohet se si pasojë e reshjeve situata në terren është rënduar.
Procesi i mësimit pritet të nis më 14 janar.
“Duke u bazuar në reshjet e fundit gjatë vikendit, të cilat kanë rënduar situatën në terren përgjatë gjithë komunës sonë dhe kanë dëmtuar shumë rrugë dhe infrastrukturën rrugore, ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 do të bëhet me datën 14 janar 2026”, thuhet në vendim.
Njëherësh, shtyrja e mësimit është bërë edhe në SHFMU-në “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë. /Telegrafi/
Nxënësit e shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, nuk do të fillojnë nesër procesin e mësimit.
Klasat 6 deri 9, do të fillojnë gjysmëvjetorin e dytë më vonë, për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore dhe temperaturave të ulëta.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë, mësimi do të shtyhet deri më 19 janar 2026.
“Vendimi është marrë për të garantuar kushte më të sigurta dhe më të rehatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit”, është bërë e ditur në njoftimin e shkollës.
Shkolla ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe stafin për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe.
Kujtojmë se fillimi i procesit mësimor ishte planifikuar të niste më 8 janar, por për shkak të vërshimeve pas reshjeve MASHTI mori vendim për shtyrje deri më 12 janar. /Telegrafi/
Rrugët në rajonin e Ferizajt, duke përfshirë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë kryesisht të kalueshme për qarkullim, njofton Policia Rajonale e Ferizajt.
Përjashtim bën aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojev, i cili për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë mbetet i mbyllur për qarkullim.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Veseli shtoi se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.
Ai apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër fshatra, ku kushtet atmosferike dhe sasia e borës mund të ndikojnë në qarkullim.
Veslei gjithashtu u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës.
Policia njofton se patrullat janë në terren dhe do të monitorojnë vazhdimisht gjendjen e rrugëve për sigurinë e qytetarëve./Telegrafi/
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka bërë të ditur se për shkak të reshurave kanë reaguar në shtatë raste të ndryshme.
Në një postim në Facebook bëhet apel për kujdes gjatë lëvizjeve dhe të raportojnë për çdo rast emergjent.
Postimi i Drejtorisë:
Kushtet e pafavorshme atmosferike kanë shkaktuar një mori rastesh në Kryeqytet.
Si rrjedhojë, ekipet emergjente të drejtorisë sonë, në bashkëpunim me Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Investimeve Kapitale, Ndërmarrjen Gjelbër dhe kompanitë kontraktuese të Kryeqytetit, janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe aktualisht po intervenojnë njëkohësisht në 7 raste.
Ju lutemi të keni kujdes gjatë lëvizjeve dhe të raportoni çdo rast emergjent në numrat: 0800 122 33 ose 0800 122 44. /Telegrafi/
Spitali i Mitrovicës bëri të ditur se është rritur numri i lindjeve gjatë vitit 2025.
Në njoftim bëhet e ditur se në vitin 2025 u kryen gjithsej 1716 lindje, me 1744 foshnja të porsalindur, që paraqet numër për 118, më shumë, krahasuar me vitin 2024.
“Mjekët gjinekologë gjatë vitit 2025, kanë kryer edhe 5185 vizita mjekësore ambulantore tek pacientet. Rritja e numrit të lindjeve është shënuar falë punës me përkushtimit nga stafi, besimit të pacientëve, si dhe përmirësimit të shërbimeve mjekësore.
Pas këtij suksesi qëndron puna e palodhshme e gjinekologëve, neonatologëve, mamive, infermierëve dhe gjithë ekipit që 24 orë në ditë, me dije dhe humanitet, kujdesen për nënat dhe foshnjat e porsalindura”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa zona të vendit, duke sjellë dëme materiale në disa komuna.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara kur Komuna e Vushtrrisë ishte ndër më të goditurat, këtë herë ka pasur më pak raportime për vërshime në këtë komunë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata aktuale është rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme që janë bërë gjatë mandatit të tij në shtretërit e lumenjve, përroskave dhe kanaleve kulluese.
Sipas Idrizit, në fillim të mandatit gjendja e këtyre shtretërve nuk ka qenë e mirë, pasi për një periudhë të gjatë nuk ishte bërë pothuajse asnjë mirëmbajtje.
“Në fillim të mandatit, gjendja e shtretërve të lumenjve, por edhe e përroskave dhe kanaleve kulluese në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë nuk ka qenë e mirë. Për një periudhë të gjatë nuk është bërë pothuajse asgjë për mirëmbajtjen e tyre, gjë që ka sjellë bllokimin e shtretërve me dhe, mbeturina dhe shkurre. Si pasojë e kësaj gjendjeje, Komuna e Vushtrrisë ndër vite është përballur vazhdimisht me vërshime, duke rrezikuar pronën, infrastrukturën publike dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht vërshimet e vitit 2021 që shkaktuan dëme milionëshe”, ka thënë Idrizi.
Ai theksoi se menjëherë pas marrjes së mandatit, ndër prioritetet kryesore të komunës ka qenë identifikimi i zonave më problematike dhe ndërhyrja konkrete në to.
“Fillimisht është bërë identifikimi i zonave më problematike, e më pas kemi filluar me ndërhyrje konkrete, ku është bërë pastrimi, zgjerimi dhe në disa raste edhe betonimi i shtretërve të lumenjve. Po ashtu, është bërë hapja dhe zgjerimi i përroskave në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë, si dhe janë trajtuar kanalet kulluese që më herët kanë qenë të bllokuara”, tha Idrizi.
Ai bëri të ditur se “janë trajtuar shtretërit e lumenjve Silnica, Tërstena, Podranqa, lumin që kalon nëpër fshatin Smrekonicë, lumin që vjen nga Sllakoci e kalon nëpër fshatrat Ceceli, Ropicë, Samadrexhë, Maxhunaj deri në lumin Silnica, por edhe lumenj të tjerë që kalojnë nëpër territorin e komunës".
Sipas tij, janë pastruar përroskat në fshatrat Stanoc i Epërm, Novolan, Pantinë, Akrashticë, Vërnicë, Bukosh, Druar, Dumnicë, etj, ndërkaq gjithashtu është bërë edhe hapja e kanaleve kulluese në tërë territorin e Komunës së Vushtrrisë”.
Idrizi tha se kjo punë e vazhdueshme ka ndikuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e rrezikut nga vërshimet në komunë.
“Gjendja aktuale është dukshëm më e qëndrueshme dhe më e menaxhueshme krahasuar me periudhat e mëparshme. Në shumicën e zonave janë reduktuar rreziqet nga vërshimet, falë ndërhyrjeve të realizuara dhe monitorimit të vazhdueshëm të situatës në terren. Megjithatë, mbetemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje që kërkon angazhim të përhershëm, prandaj do të vazhdojmë me investime, mirëmbajtje të rregullt dhe masa parandaluese për të garantuar siguri afatgjate për qytetarët tanë”, tha ndër të tjera Idrizi. /Telegrafi/
Vërshimet që kanë ardhur si pasojë e të reshurave, kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në lagjen “2 Korriku”, në Mitrovicë.
Aty afër 22 familje janë evakuuar, pasi uji nga lumi Sitnica i ka hyrë në shtëpitë e tyre.
Përfaqësuesi i komunitetit ashkalinjë në komunën e Mitrovicës, Bashkim Krasniqi ka treguar për KosovaPress, se si është gjendja në lagjen “2 Korriku”, për banorët.
“Tash prej dje jemi duke u marrë me familjet që janë përfshirë nga lumi Sitnica, afro 22 familje janë përfshirë brenda një metër katrorë të shtëpive. Katër familje i kemi në 'Hotel Park' tash pritet me bisedu edhe me dy që po duan me shku, edhe ata se nuk kanë ku me u strehu, e kështu është gjendja. Tjerat familje i kemi nëpër kojshi, familjarë, miq e kështu. Gjendja alarmante, jeni edhe ju këtu duke e përcjellë situatën se si është d.m.th banorët janë tmerr. Po kemi pasur me shtabin emergjent, me drejtori të ndryshme, kemi biseduar, jemi tash duke i prit, jemi duke kërkuar edhe çizme, edhe ushqimin për hotel për familjarët. Komuna është e gatshme me ju dalë në ndihmë, por i bëjë apel kuvendit komunal se pasi që të stabilizohet lumi, atëherë me dal me i bërë vlerësimet e familjarëve”, tha ai.
Krasniqi pret që dëmet në këtë lagje të vlerësohen dhe se Komuna e Mitrovicës t’i dal në ndihmë.
“Këtu kemi telashe për çdo vit, nuk është hera e parë që e merr këtë pjesë, për çdo vit merremi me këto probleme....Janë evakuuar familjaret, zjarrfikësit, policia, kryetari besa ka qenë aktiv shumë kësaj here presim prej kryetarit që të merr masa urgjente për rregullimin e murit në lumin Sitnica dhe me i kompenzu edhe familjaret se shumica e këtyre këtu jetojnë me social. Tash pasi që stabilizohet uji, atëherë kemi telashe shumë të mëdha se familjarët nuk kemi ku me i strehu brenda e duhet me prit një kohë deri sa t’i vendosim familjaret nëpër shpija. Atëherë e merr vendimin kryetari me drejtori të ndryshme edhe del komisioni për vlerësim që e vlerëson dëmin edhe besoj që prej kryetarit ka me dal ndihmë”, ka thënë Krasniqi. /Kp/
Komuna e Skenderajt ka njoftuar fillimin e procesit të aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, për ekonomitë familjare dhe bizneset e prekura.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në Facebook, aplikimet do të fillojnë më 9 janar, ndërsa qytetarët e prekur ftohen që brenda afatit të caktuar të paraqesin kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.
“Komuna e Skenderajt njofton të gjithë qytetarët se nga data 9 janar fillon procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare dhe biznese, si pasojë e dëmtimeve të evidentuara nga vërshimet”, thuhet në njoftim.
Për aplikim, qytetarët duhet të dorëzojnë të dhënat personale, kopjen e letërnjoftimit, konfirmimin e llogarisë bankare, fotografi që dëshmojnë dëmet e shkaktuara, si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë apo dëmin e pësuar.
Afati për dorëzimin e kërkesave është tetë ditë pune nga data e publikimit të njoftimit, ndërsa aplikimet dorëzohen personalisht në sportelin numër 13, në objektin e Komunës së Skenderajt.
Nga Komuna bëjnë të ditur se për informata shtesë, qytetarët mund t’u drejtohen zyrave komunale gjatë orarit zyrtar të punës. /Telegrafi/
Komuna e Malishevës ka njoftuar se është hequr gjendja e situatës emergjente e shpallur pas reshjeve të fundit, të cilat kishin shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të komunës.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së Shtabit Emergjent Komunal, ku u vlerësua gjendja aktuale në terren. Sipas komunës, niveli i ujërave ka shënuar rënie dhe situata tani paraqitet stabile, ndonëse shërbimet emergjente do të vazhdojnë të mbesin në gatishmëri të shtuar.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka theksuar se situata e krijuar ditëve të fundit ka qenë e rëndë dhe ka lënë pasoja të mëdha.
“Situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të konsiderueshme, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private”, ka deklaruar Kastrati gjatë mbledhjes së Shtabit Emergjent.
Ai ka bërë të ditur se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve dhe ka ftuar qytetarët e prekur nga vërshimet që të paraqesin kërkesat e tyre për vlerësim.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e dëmtuar që t’i parashtrojnë kërkesat për vlerësimin e dëmeve pranë Zyrës së Pritjes në Komunën e Malishevës”, ka shtuar ai.
Në përmbyllje, kryetari Kastrati, në emër të Shtabit Emergjent dhe në emrin e tij personal, ka falënderuar të gjitha ekipet emergjente dhe institucionet e përfshira për angazhimin gjatë menaxhimit të situatës. /Telegrafi/
Pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë ditët e fundit vendin, edhe lumi Drini i Bardhë ka shënuar rritje të ndjeshme të nivelit të ujit, duke arritur në disa segmente nivele të larta.
Sipas pamjeve të siguruara nga Telegrafi shihen prurjet e shtuara të ujit që janë rezultat i reshjeve intensive të shiut.
Në këto pamje shihet edhe përmbytja e kampit te Ura e Fshajtë, në Gjakovë.
Edhe nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) është bërë e ditur se gjatë periudhës nga data 03 janar 2026 deri më 08 janar 2026, në orën 00:00 në territorin e Republikës së Kosovës janë regjistruar reshje të konsiderueshme shiu.
Sipas të dhënave zyrtare të IHMK-së, mesatarja e reshjeve në nivel vendi ka arritur në 97.1 milimetra për metër katror (l/m²), çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e niveleve dhe prurjeve të lumenjve.
Tutje në njoftim thuhet se gjendja e niveleve dhe prurjeve, në lumenj është kjo: "Shumica e lumenjve në Kosovë gjatë këtyre dy ditëve kanë shkaktuar vërshime/përmbytje, ku disa prej tyre në disa segmente, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje të përmasës 1h here në 50 vite (periudha kthyese).
Foto: Korab Basha
Në njoftim thuhet se aktualisht shumicën e lumenjve të vendit, janë në rënie të lehtë, pos lumenjve: Drini Bardhë rrjedha e poshtme, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, të cilët kanë ngritje të lehtë. /Telegrafi/
Një mërgimtare nga Kaçaniku ka shprehur solidaritet me familjet dhe personat e prekur nga vërshimet e ditëve të fundit, duke ofruar pa pagesë 14 dhoma me ushqim për ata që kanë nevojë për strehim të përkohshëm.
Ajo ka bërë të ditur se kjo ndihmë është e dedikuar për personat dhe familjet në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët po përballen me vështirësi si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut.
“Në këto momente të vështira, ku gjendja po përkeqësohet për shkak të shirave për persona dhe familje në Kosovë dhe Shqipëri, ofroj ndihmë për strehim. Lokacioni është në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, te Pompa Bujari (Fenixs)”, ka deklaruar ajo.
Të interesuarit për strehim mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 045 646 167 për më shumë informata dhe koordinim. /RadioDukagjini/
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka thirrur Shtabin Emergjent pas reshjeve të fundit dhe situatës së krijuar nga vërshimet në disa zona të komunës.
Sipas njoftimit të Komunës së Istogut, pas vlerësimeve në terren dhe raportimeve të pranuara nga të gjitha shërbimet komunale, është konstatuar se gjendja aktuale është e menaxhueshme dhe nuk paraqet rrezik për qytetarët.
“Kjo situatë pozitive është rezultat i intervenimeve të vazhdueshme që Komuna ka realizuar gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftim, duke theksuar se ndërhyrjet e bëra, përfshirë edhe ato të mëhershme, kanë dhënë efekt në parandalimin e vërshimeve më të mëdha.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve, masat preventive dhe intervenimet teknike kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e rrezikut nga përmbytjet.
Nga Komuna e Istogut bëhet e ditur se ekipet komunale vazhdojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri të plotë, duke monitoruar situatën në vazhdimësi dhe duke ofruar mbështetje për qytetarët sipas nevojës. /Telegrafi/
Komuna e Rahovecit ka njoftuar se ka filluar procesi i regjistrimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe përmbytjet e fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët që janë prekur nga përmbytjet ftohen që të paraqesin kërkesën e tyre pranë komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve, në administratën komunale të Rahovecit, jo më vonë se data 14 janar 2026.
“Pas paraqitjes së kërkesës, komisioni komunal do t’i kontaktojë qytetarët dhe ekipi përkatës do të dalë në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Rahovecit.
Komuna ka bërë të ditur se për aplikim nevojitet dorëzimi i dokumentacionit përkatës, përfshirë kërkesën e plotësuar me fotografi me ngjyra, kopjen e letërnjoftimit dhe konfirmimin e llogarisë bankare.
Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve të prekur që t’i respektojnë afatet e përcaktuara për të mundësuar trajtimin me kohë të kërkesave dhe vlerësimin korrekt të dëmeve. /Telegrafi/
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka bërë thirrje për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj ujëmatësve dhe pjesëve përcjellëse gjatë periudhave me temperatura të ulëta.
“Me rënien e temperaturave, apelojmë që të shtohet kujdesi ndaj ujëmatësve, sidomos ata që janë të vendosur në ambiente të hapura,” thuhet në njoftimin e kompanisë.
KRU “Gjakova” rekomandon mbështjelljen e ujëmatësve dhe pjesëve përcjellëse, pasi ngrirja e tyre mund të shkaktojë dëmtime teknike.
“Mbështillni mirë ujëmatësit dhe pjesët përcjellëse, sepse ngrirja mund të shkaktojë defekte dhe dëmtime të pjesëve hidro-teknike”, theksojnë nga kjo kompani.
Institucioni nënvizon se respektimi i këtyre masave parandaluese është i domosdoshëm për të shmangur ndërprerjet në furnizimin me ujë dhe për të mbrojtur infrastrukturën. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar sot emërimet e dy drejtuesve të rinj në kabinetin komunal.
“Emërova sot Adem Morinën në pozitën e Drejtorit të Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, ndërsa Sencar Karamuçon Drejtor të Kadastrës dhe Gjeodezisë”, tha kryetari Totaj në postimin e tij në Facebook.
Ai gjithashtu bëri me dije se procesi i emërimeve për kompletimin e ekzekutivit do të përmbyllet së shpejti, duke siguruar vazhdimësinë e punës në interes të qytetarëve.
“Cikli i emërimeve për kompletimin e ekzekutivit pritet të përmbyllet së shpejti, në mënyrë që të vazhdohet me angazhim dhe përkushtim në realizimin e punëve të mira për Prizrenin tonë”, shtoi Totaj.
Ky hap vjen si pjesë e përpjekjeve të komunës për të përforcuar strukturat drejtuese dhe për të garantuar realizimin e projekteve zhvillimore në qytet. /Telegrafi/
KRU “Mitrovica” ka njoftuar qytetarët se impiantet e trajtimit të ujit kanë rifilluar funksionimin pas krijimit të kushteve të nevojshme.
“Pas ndërprerjes së operimit, impiantet e trajtimit të ujit tani janë në funksion, por deri në njoftimin e radhës, rekomandohet që uji të përdoret vetëm për nevoja higjienike dhe sanitare, jo për pije”, thuhet në njoftimin e KRU-së.
Qytetarët apelohet të respektojnë udhëzimet e institucionit për të shmangur çdo rrezik shëndetësor. /Telegrafi/
Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se, përkundër reshjeve të borës gjatë natës së kaluar, të gjitha rrugët në territorin e saj janë të hapura dhe të qasshme për qarkullim, përfshirë edhe zonat malore.
Sipas njoftimit zyrtar, kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve janë angazhuar intensivisht në largimin e borës dhe hedhjen e kripës, për të siguruar qarkullim të lirë dhe të sigurt për qytetarët.
Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, ka vizituar disa fshatra në zonën e maleve të Berishës për të monitoruar punimet. Ai ka deklaruar:
“Komuna ka angazhuar kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, të cilat po kryejnë punën e tyre me përkushtim. Sot kam përcjellë nga afër punimet në zonën e maleve të Berishës, për t’u siguruar që qytetarët të kenë qarkullim të sigurt dhe të pandërprerë”, ka deklaruar Kastrati.
Komuna u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të pajisen me pajisje dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, për shkak të mundësisë së ngricave në rrugë. /Telegrafi/
Komuna e Rahovecit ka njoftuar rritjen e shumës së subvencionimit për çdo lindje të realizuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, “Dr. Fahredin Hoti”.
Sot (08/01/2026), kryetari i komunës, Smajl Latifi, nënshkroi vendimet e para për subvencionimin e dy lindjeve.
“Nga janari i këtij viti, çdo lindje e realizuar në repartin e maternitetit të QKMF-së ‘Dr. Fahredin Hoti’ do të mbështetet me 600 euro, nga 500 euro sa ishte më parë”, bëri të ditur Komuna përmes një postimi në Facebook.
Latifi gjithashtu bëri të ditur se subvencionimi do të rritet gradualisht deri në përfundim të mandatit.
“Në përputhje me zotimin e dhënë, subvencionimi për lindjet do të arrijë në 750 euro”, thuhet më tej.
Ky vendim vjen si pjesë e angazhimit të Komunës për të mbështetur familjet dhe për të inkurajuar rritjen e numrit të lindjeve në komunë. /Telegrafi/
Gjendje e rënduar si pasojë e vërshimeve nga reshjet e shiut po vazhdon edhe sot në qytetin e Mitrovicës.
Në lagjen 2 Korriku janë evakuuar 10 familje. Pas pak pritet të evakuohen edhe disa familje në fshatin Lisicë, si dhe një familje në fshatin Kçiq, e cila ka kërkuar ndihmën e zjarrfikësve.
Ndërkohë, reduktimet e ujit janë rikthyer, ndërsa spitali i qytetit po furnizohet me ujë nga Shërbimi i Zjarrfikësve.
Për RTK-në, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka deklaruar se shtabi emergjent është 24 orë në krye të detyrës dhe po identifikon nevojat e qytetarëve në të gjitha zonat.
Peci tha se të gjitha familjet që po evakuohen do të strehohen, ndërsa shprehu pritjen që gjatë ditës të ketë normalizim të situatës, duke iu referuar daljes nga shtrati të lumenjve Sitnica, Ibri dhe Lushta.
Kryeshefi i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, i ka thënë RTK-së se para një ore është rikthyer furnizimi me ujë, megjithatë ky ujë nuk rekomandohet për pije, por vetëm për nevoja sanitare.
“Në orën 9:00 ka rifilluar trajtimi i ujit me kapacitete të reduktuara, për shkak të turbullirës ende të lartë, me shpresë që të kthehemi në normalitet pas uljes së saj”, ka thënë Kurti për RTK-në. /Telegrafi/