Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Zonat ku uji është i sigurt për pije dhe ku nuk rekomandohet

14 January 2026 at 17:19


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar për gjendjen e ujit të pijshëm në Kosovë, duke theksuar se në disa zona cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për konsum, ndërsa në disa të tjera uji nuk rekomandohet për pije për shkak të turbullirës së rritur.

Rajoni i Prishtinës

Sipas IKSHPK-së, fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Batllavë prodhojnë ujë brenda standardeve të lejuara për pije. Ndërkaq, në fabrikën e Badocit, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për konsum.

Fabrika Drenas/Bivolak aktualisht funksionon me kapacitet të zvogëluar, por cilësia e ujit mbetet e pranueshme për pije.

Në Lipjan dhe Kuzmin uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Vragoli dhe Miradi e Poshtme uji nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Mitrovicës

Në Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, si dhe në komunat veriore, cilësia e ujit është brenda standardeve për ujë të pijshëm.

Rajoni i Ferizajt

Në Ferizaj dhe Shtërpcë uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Han të Elezit rekomandohet që uji të përdoret vetëm për nevoja teknike.

Rajoni i Gjilanit

Në Gjilan uji është brenda standardeve të lejuara për pije.

Në Viti, për shkak të turbullirës së rritur, uji duhet të përdoret vetëm për nevoja teknike.

Rajoni i Pejës

Në Pejë dhe Junik cilësia e ujit është e përshtatshme për pije. Ndërkaq, në Deçan, përfshirë ujësjellësin e Deçanit, Strellc dhe Drenoc, uji rekomandohet vetëm për përdorim teknik.

Në lagjen “Agim Ramadani”, si dhe në Istog (ujësjellësi i Istogut, Vrellë dhe Mbivada) dhe Klinë (rrjeti i puseve dhe burimi i Jarinës), uji duhet të përdoret vetëm për nevoja teknike.

Rajoni i Gjakovës

IKSHPK bën të ditur se furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për konsum. Megjithatë, në lokalitetet Hoçë e Madhe, Opterushë, Zaqishtë, Demjan dhe Gërçinë, janë evidentuar vlera të rritura të turbullirës dhe uji nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Prizrenit

Burimi i ujit nga “40 Bunarët” në qytetin e Prizrenit është brenda standardeve të lejuara për ujë të pijshëm. Po ashtu, në Suharekë dhe Dragash uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Malishevë rekomandohet përdorimi i ujit vetëm për nevoja teknike.

IKSHPK ka njoftuar se do të vazhdojë monitorimin e situatës në bashkëpunim me Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit dhe se qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri, duke bërë thirrje që të respektohen rekomandimet deri në stabilizimin e plotë të parametrave të ujit.

Mbyllet përkohësisht ura në rrugën Drenas-Shtrubullovë-Krajkovë, u dëmtua nga vërshimet

13 January 2026 at 23:38


Rruga Drenas–Shtrubullovë–Krajkovë është mbyllur përkohësisht për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Sipas njoftimit nga Komuna e Drenasit, ura në afërsi të varrezave të Drenasit ka pësuar dëmtime serioze dhe paraqet rrezik për qarkullim.

“Për arsye sigurie, qarkullimi mbi urë ndalohet përkohësisht deri në një njoftim të radhës,” thuhet në njoftim.

Tutje në këtë njoftim, thuhet se në ditët në vazhdim do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.

“Njësitet e Policisë dhe të Zjarrfikësve janë të pranishme në vendin e ngjarjes dhe po monitorojnë situatën”.

Lumi Erzen përmbyt Sukthin dhe Katundin e Ri, evakuohen 842 banorë

9 January 2026 at 13:12


Prurjet e larta në lumin Erzen vazhdojnë të krijojnë probleme në zonat Juba/Katund i Ri dhe Rrushkull/Sukth, ku lumi ka dalje të ujit.

Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po funksionojnë me kapacitet të plotë.

Rreth 2,500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në Sukth dhe Katund i Ri.

Në terren janë angazhuar 448 specialiste, 111 persona nga bashkia dhe ndërmarrjet, 80 nga UKD, 70 policë bashkiakë, 70 policë të shtetit, 80 punonjës të OSHEE dhe 37 efektivë të Forcave të Armatosura. Në gatishmëri janë edhe mjekët e familjes.

Numri i banorëve të evakuuar ka arritur 842 persona, ku 299 janë pranë familjarëve dhe 543 të tjerë të strehuar në:

Kavalishenca: 251 persona

Shtëpia e Pushimit: 85 persona

Hotel FAFA: 178 persona

Hotel Bonita: 29 persona

Evakuimet kryhen gradualisht që nga data 6 janar, ku më i madhi numër ishte 251 persona.

Nga Drejtoria e Rezervave Shtetëtorore janë siguruar 700 pako ushqimore për banorët e prekur.

Dëmet deri tani:

2,380 banesa të verifikuara

848 akte konstatimi të mbajtura

12 zona me rrëshqitje dheu raportuar

Procesi i verifikimit të dëmeve vazhdon në terren, ndërsa autoritetet kërkojnë kujdes maksimal nga qytetarët dhe mbeten në gatishmëri për situata emergjente.

Vërshimet në veri të vendit, dëmtohet një urë në Leposaviq - mbyllet përkohësisht

9 January 2026 at 12:20


Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri ka bërë të ditur se pas situatës së krijuar si pasojë e vërshimeve të fundit, gjendja e sigurisë dhe rendit publik në veri të vendit është nën monitorim të vazhdueshëm.

Sipas njoftimit thuhet se Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në terren dhe në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, përfshirë komunat përkatëse, Njësinë e Zjarrfikësve dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe parandalimit të rreziqeve të mundshme për qytetarët.

"Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës", thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve.

Situata aktualisht është e menaxhueshme dhe Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore. /Telegrafi/


Vërshimet në vend, IHMK: Disa nga lumenjtë ende me ngritje të lehtë

9 January 2026 at 11:03


Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur gjendjen hidrometeorologjike (reshjet dhe vërshimet) nga data 03.01.2026 e deri me 08.01.2026

Sipas një njoftimi thuhet se shumica e lumenjve në Kosovë gjatë këtyre dy ditëve kanë shkaktuar vërshime/përmbytje, ku disa prej tyre në disa segmente, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje të përmasës 1h here në 50 vite (periudha kthyese).

"Aktualisht shumicën e lumenjve të vendit, janë në rënie të lehtë, pos lumenjve: Drini Bardhë rrjedha e poshtme, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, të cilët kanë ngritje të lehtë", thuhet në njoftim.

Gjatë këtyre ditëve në territorin e Republikës së Kosovës kanë rënë mesatarisht 97.1 mm (l/m2) reshje. /Telegrafi/



​“Uji hyri në shtëpi”, evakuime dhe pritje për ndihmë në Mitrovicë

8 January 2026 at 15:56


Vërshimet që kanë ardhur si pasojë e të reshurave, kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në lagjen “2 Korriku”, në Mitrovicë.

Aty afër 22 familje janë evakuuar, pasi uji nga lumi Sitnica i ka hyrë në shtëpitë e tyre.

Përfaqësuesi i komunitetit ashkalinjë në komunën e Mitrovicës, Bashkim Krasniqi ka treguar për KosovaPress, se si është gjendja në lagjen “2 Korriku”, për banorët.

“Tash prej dje jemi duke u marrë me familjet që janë përfshirë nga lumi Sitnica, afro 22 familje janë përfshirë brenda një metër katrorë të shtëpive. Katër familje i kemi në 'Hotel Park' tash pritet me bisedu edhe me dy që po duan me shku, edhe ata se nuk kanë ku me u strehu, e kështu është gjendja. Tjerat familje i kemi nëpër kojshi, familjarë, miq e kështu. Gjendja alarmante, jeni edhe ju këtu duke e përcjellë situatën se si është d.m.th banorët janë tmerr. Po kemi pasur me shtabin emergjent, me drejtori të ndryshme, kemi biseduar, jemi tash duke i prit, jemi duke kërkuar edhe çizme, edhe ushqimin për hotel për familjarët. Komuna është e gatshme me ju dalë në ndihmë, por i bëjë apel kuvendit komunal se pasi që të stabilizohet lumi, atëherë me dal me i bërë vlerësimet e familjarëve”, tha ai.

Krasniqi pret që dëmet në këtë lagje të vlerësohen dhe se Komuna e Mitrovicës t’i dal në ndihmë.

“Këtu kemi telashe për çdo vit, nuk është hera e parë që e merr këtë pjesë, për çdo vit merremi me këto probleme....Janë evakuuar familjaret, zjarrfikësit, policia, kryetari besa ka qenë aktiv shumë kësaj here presim prej kryetarit që të merr masa urgjente për rregullimin e murit në lumin Sitnica dhe me i kompenzu edhe familjaret se shumica e këtyre këtu jetojnë me social. Tash pasi që stabilizohet uji, atëherë kemi telashe shumë të mëdha se familjarët nuk kemi ku me i strehu brenda e duhet me prit një kohë deri sa t’i vendosim familjaret nëpër shpija. Atëherë e merr vendimin kryetari me drejtori të ndryshme edhe del komisioni për vlerësim që e vlerëson dëmin edhe besoj që prej kryetarit ka me dal ndihmë”, ka thënë Krasniqi. /Kp/

Përfundon gjendja emergjente në Malishevë, qytetarët ftohen të raportojnë dëmet

8 January 2026 at 15:25


Komuna e Malishevës ka njoftuar se është hequr gjendja e situatës emergjente e shpallur pas reshjeve të fundit, të cilat kishin shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të komunës.

Vendimi është marrë pas mbledhjes së Shtabit Emergjent Komunal, ku u vlerësua gjendja aktuale në terren. Sipas komunës, niveli i ujërave ka shënuar rënie dhe situata tani paraqitet stabile, ndonëse shërbimet emergjente do të vazhdojnë të mbesin në gatishmëri të shtuar.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka theksuar se situata e krijuar ditëve të fundit ka qenë e rëndë dhe ka lënë pasoja të mëdha.

“Situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të konsiderueshme, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private”, ka deklaruar Kastrati gjatë mbledhjes së Shtabit Emergjent.

Ai ka bërë të ditur se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve dhe ka ftuar qytetarët e prekur nga vërshimet që të paraqesin kërkesat e tyre për vlerësim.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e dëmtuar që t’i parashtrojnë kërkesat për vlerësimin e dëmeve pranë Zyrës së Pritjes në Komunën e Malishevës”, ka shtuar ai.

Në përmbyllje, kryetari Kastrati, në emër të Shtabit Emergjent dhe në emrin e tij personal, ka falënderuar të gjitha ekipet emergjente dhe institucionet e përfshira për angazhimin gjatë menaxhimit të situatës. /Telegrafi/

Drini i Bardhë del nga shtrati, në ujë edhe kampi te Ura e Fshajtë në Gjakovë

8 January 2026 at 15:21


Pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë ditët e fundit vendin, edhe lumi Drini i Bardhë ka shënuar rritje të ndjeshme të nivelit të ujit, duke arritur në disa segmente nivele të larta.

Sipas pamjeve të siguruara nga Telegrafi shihen prurjet e shtuara të ujit që janë rezultat i reshjeve intensive të shiut.

Në këto pamje shihet edhe përmbytja e kampit te Ura e Fshajtë, në Gjakovë.

Edhe nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) është bërë e ditur se gjatë periudhës nga data 03 janar 2026 deri më 08 janar 2026, në orën 00:00 në territorin e Republikës së Kosovës janë regjistruar reshje të konsiderueshme shiu.

Sipas të dhënave zyrtare të IHMK-së, mesatarja e reshjeve në nivel vendi ka arritur në 97.1 milimetra për metër katror (l/m²), çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e niveleve dhe prurjeve të lumenjve.

Tutje në njoftim thuhet se gjendja e niveleve dhe prurjeve, në lumenj është kjo: "Shumica e lumenjve në Kosovë gjatë këtyre dy ditëve kanë shkaktuar vërshime/përmbytje, ku disa prej tyre në disa segmente, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje të përmasës 1h here në 50 vite (periudha kthyese).

Drini i Bardh\u00eb Foto: Korab Basha

Në njoftim thuhet se aktualisht shumicën e lumenjve të vendit, janë në rënie të lehtë, pos lumenjve: Drini Bardhë rrjedha e poshtme, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, të cilët kanë ngritje të lehtë. /Telegrafi/

Drini i Bardh\u00eb Foto: Korab Basha

Drini i Bardh\u00eb Foto: Korab Basha

Drini i Bardh\u00eb Foto: Korab Basha

Mërgimtarja nga Kaçaniku ofron strehim falas për familjet e prekura nga vërshimet

8 January 2026 at 14:08


Një mërgimtare nga Kaçaniku ka shprehur solidaritet me familjet dhe personat e prekur nga vërshimet e ditëve të fundit, duke ofruar pa pagesë 14 dhoma me ushqim për ata që kanë nevojë për strehim të përkohshëm.

Ajo ka bërë të ditur se kjo ndihmë është e dedikuar për personat dhe familjet në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët po përballen me vështirësi si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut.

“Në këto momente të vështira, ku gjendja po përkeqësohet për shkak të shirave për persona dhe familje në Kosovë dhe Shqipëri, ofroj ndihmë për strehim. Lokacioni është në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, te Pompa Bujari (Fenixs)”, ka deklaruar ajo.

Të interesuarit për strehim mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 045 646 167 për më shumë informata dhe koordinim. /RadioDukagjini/


Regjistrohet viktima e parë në Durrës, lumi Vjosa arrin në pikën kritike mbi 9 metra

8 January 2026 at 12:02


Prej tre ditësh, në shumë zona Shqipëria vijon të jetë e përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Këtë të enjte është regjistruar edhe viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar u gjet pa shenja jete në një kanal kullues në afërsi të ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.

Në disa zona të Elbasanit si dhe në veri, shiu i ka lënë reshje dëborës, e cila ka shkaktuar vështirësi në qarkullim në shumë akse.

Ndërkaq në Vlorë, niveli i Vjosës ka kaluar mbi 9 metra, janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent jep detaje për situatën nga vërshimet në Kosovë

8 January 2026 at 11:55


Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.

Sipas të dhënave zyrtare të marra nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësitë operative në terren, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.

“Situata në shumicën e komunave është e menaxhueshme. Reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vetëm vështirësi të lokalizuara në qarkullim rrugor”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Gjendja sipas rajoneve:

  • Prishtinë & rrethinë: Vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore; situata mbetet nën kontroll.
  • Prizren: Intervenime minimale gjatë natës, kryesisht të natyrës teknike.
  • Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; disa familje në Mitrovicën e Jugut janë evakuuar përkohësisht si masë sigurie.
  • Pejë: Dy intervenime të raportuara në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; komunat e tjera me gjendje stabile.
  • Gjakovë & Gjilan: Gjendje e qetë dhe nën kontroll; niveli i ujit në lumenj ka filluar të bjerë.

Agjencia thekson se njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit janë të mobilizuar në të gjithë vendin dhe se sistemi i komunikimit emergjent 112 po monitoron situatën 24/7.

“Reshjet e borës dhe ngricat mund të shkaktojnë vështirësi në disa rrugë, disa prej të cilave mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes”, thuhet më tej.

Po ashtu, Agjencia ka bashkëpunuar me KEK-un dhe KOSTT-in, duke ofruar pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura.

“Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe do të ndërhyjnë sipas nevojës”, shtohet në njoftim. /Telegrafi/


Drenasi përballet me borë dhe vërshime, komuna jep detaje për gjendjen e rrugëve

8 January 2026 at 10:10


Komuna e Drenasit ka njoftuar se pas reshjeve të borës, kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore ka nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për pastrimin e rrugëve dhe sigurimin e qarkullimit normal.

Sipas njoftimit zyrtar, ekipet komunale janë të angazhuara në terren dhe po punojnë intensivisht në pastrimin e borës në rrugët kryesore dhe dytësore të komunës.

“Ekipet janë në terren dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Nga komuna u është bërë thirrje vozitësve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të jenë të pajisur me pajisje dimërore, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

“Vozitësit obligohen t’i kenë pajisjet dimërore dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes”, thekson njoftimi.

Aktualisht, sipas komunës, shumica e rrugëve janë të kalueshme. Megjithatë, dy segmente rrugore vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

“Të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç rrugës për tek Guri i Plakës, në fshatin Çikatovë e Vjetër, si dhe rrugës për tek Kroi i Mbretit, në lagjen Bucolli, të cilat janë të pakalueshme si pasojë e reshjeve të shiut”, njofton Komuna e Drenasit.

Nga komuna kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe kanë bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht. /Telegrafi/


Përmbytjet në Kosovë në sy të mediave botërore

7 January 2026 at 23:05


Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Kosovës gjatë kësaj jave, duke detyruar shërbimet emergjente të ndërhyjnë në incidente të shumta në mbarë vendin, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.

Sipas Reuters, pamje nga qyteti i Kuzminit tregojnë vetura të zhytura nën ujë, shtëpi të përmbytura dhe zjarrfikës që evakuojnë banorë të mbetur të bllokuar si pasojë e rritjes së nivelit të ujit.

Autoritetet lokale kanë angazhuar ekipet e emergjencës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur, ndërsa situata mbetet e vështirë në disa zona për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe dëmeve në infrastrukturë.

Reuters raporton se përmbytjet kanë shkaktuar gjithashtu probleme në furnizimin me energji elektrike, duke lënë pa rrymë disa vendbanime, ndërkohë që autoritetet po punojnë për normalizimin e gjendjes.

Po ashtu edhe Sky News edhe Al Jazeera kanë raportuar për gjendjen e rëndë si pasojë e vërshimeve./Telegrafi.

Kurti: Sonte natë kritike në rrugët e Kosovës, shmangni lëvizjet e panevojshme

7 January 2026 at 22:45


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike sa i përket qarkullimit rrugor në Kosovë, për shkak të rënies së theksuar të temperaturave.

Sipas tij, kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, rrit rrezikun në trafik, pasi rrugët e lagura nga reshjet e shiut mund të ngrijnë gjatë natës.

Kurti ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.

Ai ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

Kryeministri në detyrë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, ndërsa ata që janë të detyruar të qarkullojnë, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike.

Sipas Kurtit, institucionet po bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë në rrugë, por kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të ulur rrezikun dhe për të rritur sigurinë e përgjithshme./Telegrafi.


Rifillon trajtimi i ujit me kapacitet të reduktuar në Mitrovicë

7 January 2026 at 22:42


KRU “Mitrovica” Sh.A. ka njoftuar se ka filluar trajtimin dhe shpërndarjen e ujit nga impiantet e saj, por me kapacitet të reduktuar. Sipas kompanisë, rritja e kapacitetit do të bëhet gradualisht, varësisht nga krijimi i kushteve teknike.

Nga KRU “Mitrovica” është bërë e ditur se uji i shpërndarë në këtë fazë nuk duhet të përdoret për pije, por vetëm për nevoja higjienike dhe sanitare.

Gjatë ditës në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Varagë, si pasojë e reshjeve ka rrëshqitur dheu, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit, duke lënë qytetarët pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka njoftuar se rrëshqitjet përgjatë kanalit kanë ndikuar në cilësinë e ujit të papërpunuar, duke e bërë atë të papërshtatshëm për trajtim në impiantet e KRU “Mitrovica”.

Ndërkohë, KRU “Mitrovica” ka sqaruar se ndërprerja e furnizimit ka ndodhur për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në ujin e papërpunuar që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit.

Gjatë ditës, kjo kompani ka njoftuar se po realizon shpërndarje të ujit përmes autobotëve në disa lokacione të qytetit, përfshirë rrugën “Ali Zeneli”, sheshin “Adem Jashari” dhe rrugën “Mehë Uka”. Po ashtu, është bërë e ditur se nga ora 15:00, në zonën e Tunelit të Parë, autoboti do të jetë i pozicionuar pranë Shkollës së Mesme të Lartë “Elena Gjika”.

Nga KRU “Mitrovica” është theksuar se qytetarët do të informohen me kohë për çdo përmirësim të situatës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.

FSK në gatishmëri për të ndihmuar zonat e përmbytura

7 January 2026 at 19:27


Pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan përmbytje në disa vendbanime, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj për të mbështetur Autoritetet Civile në menaxhimin e situatës.

Me urdhër të Komandantit të FSK-së, ekipet kanë intervenuar për shpëtimin e jetëve, duke vepruar sipas kërkesave të Qendrës së Situatave të Republikës së Kosovës.

Njësitë e Forcës së Sigurisë mbesin në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë dhe kapacitete të Mbështetjes Ushtarake në zonat e prekura.

Shiu pushoi të mërkurën ditën por reshjet rifilluan pasdite vonë. Gjendja me vërshime në vend vazhdon të jetë “dinamike” në disa komuna, përfshirë Prizrenin, pasi Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati, tha Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) në Facebook.

“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”, tha ajo.

Por, agjencia paralajmëroi se gjendja mund të përkeqësohet në rast se do të bjerë më shumë shi, “megjithatë rreziku i tanishëm vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi”.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të mërkurën se vërshimet kanë shkaktuar telashe me ujin e pijes në disa pjesë të vendit, si Prishtina, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Kamenica, Vitia, Deçani, Klina dhe Mitrovica.

Instituti tha se do ta vëzhgojë dhe vlerësojë cilësinë e ujit të pijës në bashkëpunim me ujësjellesit rajonalë për shkak të turbullirave të shkaktuara nga vërshimet./Telegrafi.


Osmani viziton Komunën e Malishevës pas situatës së rënduar nga vërshimet

7 January 2026 at 19:15


Në orët e mbrëmjes, presidentja Vjosa Osmani, ka vizituar Komunën e Malishevës, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati.

Qëllimi i vizitës ishte njoftimi i drejtpërdrejtë me gjendjen e krijuar nga reshjet e fundit dhe sfidat me të cilat po përballet Komuna e Malishevës.

Kryetari Ekrem Kastrati, pasi e falënderoi Presidenten për vizitën, e informoi atë për situatën aktuale, masat e ndërmarra për menaxhimin e saj, si dhe për rreziqet potenciale me të cilat është përballur komuna.

Ai theksoi se është aktivizuar Shtabi Emergjent, se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe sa komuna ju ka dalë në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë.

“Kemi monitoruar vazhdimisht digën e Liqenit të Mirushës, për shkak të rrezikut që mund të paraqesë ndonjë avari”. Po ashtu, kryetari Kastrati, e ka informuar presidenten edhe për dëmet e shkaktuara deri më tani. Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e nivelit qendror për sanimin e dëmeve, kompensimin e të dëmtuarve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë digën dhe disa ura.

Nga ana e saj, Osmani përgëzoi Komunën e Malishevës dhe të gjitha ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke shprehur solidarizimin e plotë me qytetarët dhe institucionet lokale.

Ajo theksoi se, pavarësisht situatës së vështirë, nuk ka pasur humbje jete dhe se mbrojtja e jetës së qytetarëve ka qenë prioritet.

“Bashkë gjithmonë mund të punojmë në menaxhimin dhe parandalimin e situatave të tilla, sidomos tani që problemet janë identifikuar, gjë që e lehtëson marrjen e masave nga të gjitha nivelet”, tha Presidentja Osmani, duke ofruar mbështetjen e plotë të Presidencës në përballimin e situatës.

Pas takimit, Osmani dhe Kryetari Kastrati vizituan digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen dhe rrezikun eventual që mund të paraqesë ajo.

Osmani viziton Gjakovën pas vërshimeve: Institucionet do të jenë pranë familjeve të prekura

7 January 2026 at 17:49


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Gjakovën pas vërshimeve të ditëve të fundit, ku ka shprehur solidaritet me qytetarët dhe ka vlerësuar angazhimin institucional për menaxhimin e situatës.

“Sot ishim këtu së bashku me ekipin tonë për të shprehur solidaritetin me të gjithë qytetarët e Gjakovës, me komunën e Gjakovës, për shkak të dëmeve të krijuara nga vërshimet e djeshme. Fatmirësisht, ato pak a shumë janë ndalur dhe po shpresojmë që nuk nuk do të ketë dëme të mëtejme, por dua t'i falenderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar pa ndalë, nga kryetari i komunës dhe të gjitha institucionet lokale tek institucionet qendrore, agjencitë e emergjencave, organet e rendit dhe secilin qytetar që ka treguar solidaritet në mënyrë që kjo gjendje të tejkalohet më me lehtësi”, tha Osmani.

Ajo shtoi se ka familje të prekura nga kjo situatë dhe se institucionet do të jenë pranë tyre.

“Natyrisht që ka familje të prekura nga kjo situatë, vendbanimet e të cilëve janë dëmtuar. Do të punojmë bashkarisht që kjo të tejkalohet dhe të jemi pranë tyre në përballjen me këtë situatë. Kryetari Gjini na njoftoi për të gjitha masat që janë ndërmarrë e po ashtu për planet që do të hartohen në vazhdimësi sa i përket kalkulimit dhe kompenzimit të dëmeve dhe po ashtu çështjeve të tjera. Do të jemi aty për të bashkëpunuar sepse çdo sfidë është e tejkalueshme atëherë kur punojmë bashkë”, theksoi Osmani.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, e cilësoi vizitën e presidentes si të rëndësishme dhe bëri të ditur se situata është drejt stabilizimit.

Gjini: Po duket që situata ka me qenë më mirë

“Është vizitë e rëndësishme. E kemi kaluar një dy-tri ditë goxha të zorshme, po sot është e vërtetë që niveli i ujërave ka rënë edhe nuk po shihet që do të kemi rritje ose rritje të problemit në ditët që vijnë. Po duket që situata ka me qenë më mirë”, tha Gjini.

Ai njoftoi se gjatë vërshimeve ka pasur edhe evakuime të qytetarëve.

“Po, kemi pasur disa evakuime, i kemi vendosur në objektet tona të banimit social. Ka familjarë të cilët i kanë marrë të afërmit e vet nëpër shtëpitë e tyre. Jemi kujdesur deri sot për ushqim, një pjesë edhe për veshmbathje”, u shpreh ai.

Gjini shtoi se ekipet komunale janë duke punuar në sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonave të prekura. “Jemi duke i sanuar dëmet aty ku mundemi, duke i pastruar rrugët prej shembjeve ose prej vërshimeve ose prej mbeturinave fatkeqësisht që kanë sjellë dëme të shumta, fatkeqësisht duhet me thënë”, tha ai.

Sipas tij, nga dita e nesërme do të nisë procesi zyrtar i vlerësimit të dëmeve.

Pamje me dron të lumit Drin pas reshjeve të rrëmbyeshme që shkaktuan vërshime

7 January 2026 at 17:21


Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në pjesë të mëdha të Kosovës, duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale, probleme në infrastrukturë dhe vështirësi në qarkullim.

Si pasojë e përmbytjeve, autoritetet u detyruan të shtyjnë për disa ditë rifillimin e procesit mësimor pas pushimit dimëror, për shkak të situatës së rënduar dhe rrezikut për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

Reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje të pronave private, tokave bujqësore dhe rrugëve, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe evakuime të banorëve. Të martën, qarkullimi në disa akse rrugore është bllokuar përkohësisht për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Telegrafi ka realizuar disa fotografi përmes dronit, të cilat pasqyrojnë gjendjen e krijuar nga vërshimet e lumit Drin.

Pamjet tregojnë shtrirjen e madhe të ujit dhe dëmet e shkaktuara në zonat përreth, duke dëshmuar përmasat e situatës.

Autoritetet kompetente janë në terren dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat pranë lumenjve dhe rrugëve të rrezikuara nga përmbytjet, derisa situata të stabilizohet.

Foto: Telegrafi

Foto: Telegrafi



Foto: Telegrafi


Shtyhet fillimi i mësimit në Deçan për shkak të motit të keq

6 January 2026 at 23:09


Drejtoria e Arsimit në Komunën e Deçanit ka njoftuar se për shkak të gjendjes së përkeqësuar atmosferike, fillimi i procesit mësimor në të gjitha institucionet arsimore të kësaj komune shtyhet deri më 12 janar 2026.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ditët e humbura të mësimit, 8 dhe 9 janar 2026, do të kompensohen deri në përfundim të vitit shkollor, sipas planifikimeve që do të përcaktohen nga institucionet arsimore përkatëse.

Autoritetet komunale shprehen me shpresë se kushtet atmosferike do të përmirësohen sa më shpejt, në mënyrë që procesi mësimor të vazhdojë normalisht dhe pa pengesa.

Drejtoria e Arsimit ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe stafin arsimor për mirëkuptimin.

❌
❌