Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

KQZ: Votat e diasporës do të numërohen në Kosovë

27 December 2025 at 22:00

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur në orët e mbrëmjes se ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe se dalja e qytetarëve për të votuar është 15.597 ose  81.29 % nga 19.187 votues të regjistruar.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencën e tretë për media, tha se gjatë gjithë ditës së sotme kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit në përgjithësi ka qenë i qetë. “Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në SHBA dhe Kanada…Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19.187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29 për qind apo 15,597 votues. Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë”, ka thënë Radoniqi.

Radoniqi u ka bërë thirrje të gjithë këshillave të vendvotimeve dhe këshillave komunal që të jenë në nivel detyre dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin zgjedhore të KQZ-së gjatë procesit të votimit ditën e nesërme.

“Na pret një ditë e gjatë nesër, një ditë ku do t’iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë janë në nivel të këtyre dhe të respektojnë rendin dhe ligjin”, apeloi ai. /KosovaPress/

The post KQZ: Votat e diasporës do të numërohen në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë, votimet e diasporës deri në orën 13:00

27 December 2025 at 15:06

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se  votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit po kalon kryesisht i qetë.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.  

“Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues”, tha Elezi.

Identifikimi në vendvotimin e përfaqësisë diplomatike mund të bëhet përmes njërit nga tri dokumentet e Kosovës: letërnjoftim, pasaportë apo leje e vozitjes.

/Kosovapress/

The post Kosovë, votimet e diasporës deri në orën 13:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

27 December 2025 at 09:20

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës zhvillohet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.

Vetëm 19.187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike mund të votojnë sot, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit 26 nëntor-6 dhjetor.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme. /KosovaPress/

The post Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Zgjedhjet në Kosovë, shpërndahen 93% e pakove me fletëvotime për diasporën

19 December 2025 at 15:54

PRISHTINË, 19 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se në tri ditë janë shpërndarë 93% e pakove të votimit me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka treguar të dhënat e fundit nga ky proces, i cili, sipas tij, është duke u kryer nga KQZ, përmes operatorit ekonomik.

Sipas tij, nga dita martë në mëngjes kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri enjten në mesnatë, janë shpërndarë 93% e pakove me fletëvotime.

“Gjatë tri ditëve, më 16, 17 dhe 18 dhjetor 2025, nga gjithsej 57,829 dërgesa, 93% e tyre apo 53,660, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 50,462 (94%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Evropë, ndërkaq, 3,198 dërgesa (77%) janë dorëzuar te votuesit në shtete jashtë Evropës”, thuhet në përgjigjen e tij.

Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse votuesit do të ndodheshin në shtëpitë e tyre në kohën kur u janë dërguar pakot me fletëvotime.

“Këto statistika do të ishin edhe më të larta dhe përqindja do të arrinte në 98.73% nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 3,437 pakot tjera, por kjo s’ka ndodhur gjatë këtyre datave për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryejë tek adresa e votuesit dhe mund të pranohet vetëm nga votuesit ose familjarët, të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës. Po ashtu, sipas kushteve të kontratës, në adresë të një votuesi, do të shkohet deri në 3 herë për t’ia dorëzuar pakon me fletëvotim”, tha Elezi.

Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

/KosovaPress/

The post Zgjedhjet në Kosovë, shpërndahen 93% e pakove me fletëvotime për diasporën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Debate në KQZ për votimin e të akuzuarve në Hagë

18 December 2025 at 19:07

PRISHTINË, 18 dhjetor /ATSH/ Votimi i ish-krerëve të UÇK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ka ngjallur diskutime në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi propozoi një qendër të veçantë votimi për katërshen e UÇK-së dhe të tjerët të cilët po gjykohen në Hagë.

“Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e që është e votimit në formën, modalitet që duhet të parashihet për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë, kur them në Hagë them për Gjykatën në fjalë. Prandaj propozimi im është që të futet edhe kjo pikë si pikë e votimit si vendvotim, sepse aty janë gjithashtu personat në fjalë që e dimë se cilët janë. Edhe me sa e di unë keni vendosur komunikim me autoritetet atje edhe që mos të kemi nevojë që të kthehemi sërish dhe të diskutojmë këtë çështje, ta zgjidhim bashkë me këto qendra”, u shpreh ai.

Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani.

“Konsideroj që nuk ka nevojë për hapje të votimit, sepse hyjnë në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta. Kështu janë komunikimet zyrtare që kanë qenë, kryetari mund të na i sqarojë më mirë këtë pjesë, që na i kanë dhënë edhe gjatë muajit shkurt, për zgjedhjet e shkurtit”, tha ai.

Diskutimi mes Krasniqit e Elshanit ka shkuar edhe më tej, ku anëtari i LVV-së tha se nuk është e rregulluar çështja e votimit në Hagë.

“Nuk është e rregulluar, nuk është mirë të gënjesh publikisht”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është votuar edhe ndryshimi i vendimit të KQZ-së, ku procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme është prezantuar raporti lidhur me procesin përgatitor të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka njoftuar se sa është numri i pakove me fletëvotime që janë dorëzuar te votuesit jashtë vendit.

Po ashtu, në këtë mbledhje u bë e ditur se janë përgatitur të gjitha materialet zgjedhore për të mundësuar votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 27 dhjetor 2025.

Gjithashtu është bërë akreditimi edhe i grupit të dytë me 303 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

/KosovaPress//r.e/

The post Debate në KQZ për votimin e të akuzuarve në Hagë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOSOVË – KQZ lehtëson votimin për personat mbi 80 vjeç

16 December 2025 at 19:00

PRISHTINË, 16 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që qytetarët me të drejtë vote mbi moshën 80 vjeç, të cilët aplikojnë për t’u regjistruar si votues me nevoja të veçanta për të votuar përmes ekipeve të lëvizshme në ditën e zgjedhjeve, nuk kanë nevojë të paraqesin certifikatë apo diagnozë mjekësore.

Fillimisht propozimi ishte që personat mbi moshën 75 vjeç të mos u kërkohet dëshmia mjekësore, por pas diskutimeve në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u vendos mosha 80 vjeç.

Duke u mbështetur në të dhënat nga lista votuese e certifikuar nga KQZ, numri i qytetarëve me të drejtë vote mbi 80 vjeç, është 48,977 votues.

Arianit Elshani nga Këshilli për Operacione Zgjedhore, tha se përmes këtij propozimi po synohet që personat mbi 75 vjeç të mos ia bashkëngjisin aplikimit për t’u regjistruar si votues me nevoja të veçanta.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha senë rast se ka aplikime në numër të madh për votim nga shtëpia do ta cenojë numrin e fletëvotimeve që janë në dispozicion.

Ai tha se janë mbi 100 mijë votues që i takojnë moshës mbi 75 vjeç.

Kurse, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi deklaroi se ndryshimi nuk është problematik nëse respektohen detyrimet institucionale.

Ndërsa, Sami Hamiti anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës u dakordua që zgjidhja më e mirë është mosha mbi 80 vjeç.

Po në këtë mbledhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi grupin e parë me 283 vëzhguesë për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Besnik Buzhala, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se janë 17 organizata vëzhguese të cilat kanë aplikuar dhe i plotësojnë kriteret ligjore.

Prej tyre tri janë Organizata Joqeveritare, tri ambasada dhe 11 media.

Sqarime rreth akreditimit apo jo të Institutit të Kosovës për Drejtësi si vëzhgues në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Elshani tha se kërkesa është në trajtim e sipër.

/KosovaPress/

The post KOSOVË – KQZ lehtëson votimin për personat mbi 80 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BULLGARI – Parlamenti voton pro dorëheqjes së qeverisë së Zhelyazkovit

12 December 2025 at 11:10

SOFJE, 12 dhjetor /ATSH-BTA/ – Parlamenti i Bullgarisë votoi sot me 227 vota pro dhe asnjë kundër dhe asnjë abstenim për të pranuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit, Rosen Zhelyazkov.

Kryeministri bullgar, Zhelyazkov njoftoi dje dorëheqjen, në një konferencë urgjente për shtyp në Asamblenë Kombëtare, vetëm pak minuta para se deputetët të votonin për një mocion mosbesimi kundër kabinetit të paraqitur nga ”Vazhdo Ndryshimin” dhe ”Bullgaria Demokratike”.

Që nga 1 dhjetori, vendi është përfshirë nga protesta masive antiqeveritare që u shkaktuan nga planet kontroverse të buxhetit të kabinetit, por që u përshkallëzuan në pakënaqësi antiqeveritare për korrupsionin, padrejtësinë dhe dështimin në shumë sektorë qeveritarë.

“Koalicioni qeverisës diskutoi situatën”, tha Zhelyazkov.

“Nuk kemi dyshim se në votimin e ardhshëm të mosbesimit qeveria do të marrë mbështetje. Pavarësisht kësaj, rezoluta e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi kur pasqyron vullnetin e popullit”, theksoi kryeministri.

“Dëshira jonë është të jemi në nivelin që pret shoqëria. Burimi i pushtetit është sovrani dhe zëri i popullit”, tha ai.

Zhelyazkov u zgjodh kryeministër më 16 janar 2025 me 125 vota pro, 114 kundër dhe asnjë abstenim./ a.jor.

The post BULLGARI – Parlamenti voton pro dorëheqjes së qeverisë së Zhelyazkovit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Me 81 vota pro, Parlamenti miraton buxhetin 2026, më i madhi ndonjëherë

By: lindita
12 December 2025 at 09:25

Parlamenti ka miratuar buxhetin 2026 me 81 vota pro dhe 16 kundër në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mes dhjetëra amendimeve për shtesa buxhetore për institucione e projekte të ndryshme nga deputetët, të gjithë u rrëzuan. Të vetmit që u pranuan, ishin kërkesat e institucioneve të bëra në komisionet parlamentare. 12 institucione marrin 504.9 milionë lekë shtesë…

Source

Avokati i Popullit, rrëzohet kërkesa e opozitës për heqjen nga rendi i ditës

11 December 2025 at 13:12

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Kuvendi rrëzoi sot me 77 vota kundër, 30 vota pro dhe 1 abstenim kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Seanca e sotme nisi me debate, teksa deputetët e opozitës kërkuan që të tërheqin firmat për 6 kandidatët për Avokatin e Popullit.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku në emër të opozitës u shpreh se, Avokati i Popullit duhet zgjedhur mbi ligjin dhe duhet të jetë me mbështetje të gjerë për qytetarët dhe jo për mazhorancën.

“Përsëris, le të zgjedhim një Avokat Populli bazuar mbi ligjin, mbi rregulloren, mos krijoni një ngërç tjetër kushtetues me zgjedhjen e një drejtuesi të një organi kaq të rëndësishëm dhe t’u japim qytetarëve një Avokat Populli që ka mbështetje të gjerë, jo një Avokat Populli të mazhorancës, jo të pushtetit”, tha Tabaku.

Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, sqaroi opozitën për çështjen e procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, pas kërkesës për të tërhequr firmat për mbështetjen e 26 kandidatëve.

Manja tha se Komisioni i Ligjeve ka ndjekur me përpikëri bazën ligjore të përcaktuar nga Kushtetuta, ligji “Për Avokatin e Popullit” dhe rregulloret përkatëse.

Ai shtoi se kandidatët kanë pasur 20 ditë afat për mbledhjen e 28 firmave të deputetëve, ndërsa shumica e tyre i kanë dorëzuar brenda kohës së përcaktuar.

“Kemi shpallur afatin 20-ditor, kemi administruar 26 kandidatura, kemi vlerësuar nëse janë në rregull, kemi dëgjuar të 26 kandidatët, morëm kohën dhe në mbledhjen e datës 17 nëntor, Komisioni për Çështjet Ligjore ka miratuar kandidatët që vlerësoheshin se plotësonin kushtet. Deri në datën 2 dhjetor vendosëm, sepse deri në këtë moment nuk je kandidat po nuk erdhe në seancë, 26 kandidatët e listës të mbledhin 28 firmat. Ia kemi sjellë deputetëve”, tha Manja.

“Është e vërtetë që në vendimin e komisionit shprehet se një deputet mbështet me firmë vetëm një kandidat. Por nuk më dëgjuat! Jua thashë. Ata që janë juristë e dinë se vendimet e komisionit janë akte proceduriale, por nuk janë akte normative. Nuk e kufizon vullnetin e një deputeti për të dhënë më shumë se një firmë. Nuk e respektuat! Dhatë 360 firma, nëse do kishit zbatuar atë që thashë unë dhe kolegët e mi, ju do kishit sjellë në Kuvend një kandidat e gjysmë, se aq firma keni ju”, tha Manja.

Ai akuzoi opozitën se përpiqet të ndryshojë rregullat pas mbylljes së afatit, duke deklaruar se tërheqja e firmave më 9 dhjetor “nuk ka asnjë efekt juridik”.

“Tërheqja e firmave pas afatit të 2 dhjetorit bie ndesh me parimin e sigurisë juridike. Nuk mund të firmosni në mëngjes dhe tërhiqeni në darkë, kjo krijon kaos”, deklaroi Manja, duke shtuar se komisioni nuk ka kompetencë hetimore dhe se çdo firmë e depozituar brenda afatit është e vlefshme.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Avokati i Popullit, rrëzohet kërkesa e opozitës për heqjen nga rendi i ditës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KLP voton unanimisht Joni Ketën si kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit

By: lindita
9 December 2025 at 11:43

Joni Keta është zgjedhur sot kreu i i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Me 11 vota pro, anëtarët e KLP votuan kandidatin e propozuar nga Prokuroria e Posaçme. Joni Keta do të ketë një mandat 5-vjeçar nën drejtimin e BKH-së. Keta mbante postin e zv.drejtorit të Byrosë dhe u propozua si drejtues në finale të një procesi që zgjati disa muaj. Në garë për drejtimin e strukturës që ndihmon SPAK në hetime…

Source

KLP zgjedh sot kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit

9 December 2025 at 10:56

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet sot në orën 11:00 për të diskutuar dhe miratuar projektvendimin “Për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Sipas planit të punës, kandidati i propozuar për pozicionin e drejtorit të BKH është Joni Keta, i cili në rast se votohet do të ketë një mandat 5-vjeçar.

“Rendi i ditës: Miratimi i Procesverbaleve të mbledhjeve plenare të datave 13.11.2025, 14.11.2025 dhe 18.11.2025. Diskutimi/miratimi i projektvendimit: “Për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit””, thuhet në njoftim.

Ky proces u monitorua nga afër nga partnerët ndërkombëtarë, ku të pranishëm në momentin e vendimmarrjes ishin përfaqësues të ICITAP (Programi i Ndihmës për Trajnime Hetimore Penale Ndërkombëtare) dhe të Bashkimit Europian, duke garantuar transparencën e procesit.

/a.f/r.e/

The post KLP zgjedh sot kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rinumërimi në Mitrovicë, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotime nga 105

12 November 2025 at 11:46

PRISHTINË, 12 nëntor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës bëri të ditur se në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës.

Sipas KQZ-së, deri në orën 09:00 të ditës së sotme, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotime nga 105 sa i takojnë kësaj komune.

KQZ thotë se ky proces, planifikohet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Mitrovica e Jugut të shkojë në rivotim, dy ditë pas përfundimit të balotazhit në këtë komunë. Në PDK thanë të martën se në Mitrovicën e Jugut është përdorur fenomeni i “trenit bullgar” dhe kësisoj është dëmtuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.

KQZ njofton po ashtu se një ditë më herët, të martën është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.

Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka filluar një ditë më parë. Sipas KQZ-së deri në orën 09:00 ditës së mërkurë, janë rinumëruar 10 vendvotime.

/KosovaPress//r.e/

The post Rinumërimi në Mitrovicë, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotime nga 105 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria urdhëron ndërprerjen e numërimit në Mitrovicë

11 November 2025 at 09:25

PRISHTINË, 11 nëntor /ATSH/ Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, pas raportimeve për parregullsi gjatë procesit.

Sipas njoftimit zyrtar, komisionerët kanë ndërprerë punën pasi janë vërejtur dallime në numrat serialë të disa fletëvotimeve. Fillimisht është dyshuar për gabime teknike, por janë ngritur edhe pretendime për manipulim të qëllimshëm.

“Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies së çdo dileme, kjo urdhëresë mbetet në fuqi deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo për manipulim të mundshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, të lëshuar më 11 nëntor 2025.

Ndërprerja e procesit po ndodh gjatë numërimit të votave të balotazhit të mbajtur më 9 nëntor, për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut.

/KosovaPress//r.e/

The post Prokuroria urdhëron ndërprerjen e numërimit në Mitrovicë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bojni: Besimin e qytetarëve do ta përkthejmë në punë për Matin

10 November 2025 at 09:47

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Kandidati fitues i Partisë Socialiste për bashkinë e Matit, Altin Bojni u shpreh i emocionuar pas fitores së arritur të dielën.

Bojni garantoi angazhim maksimal për të vijuar projektet madhore për zhvillimin e qytetit për një të ardhme sa më të mirë.

“Një emocion i veçantë, por sot dua të falënderoj të gjithë banorët e bashkisë Mat për besimin dhe mbështetjen e tyre që na kanë dhënë”, tha Bojni.

“E  gjithë kjo mbështetje që na kanë dhënë, është një përgjegjësi e madhe që duhet ta përkthejmë në shumë punë për gjithë komunitetin tonë, që punët e mira të mos ndalen dhe e ardhmja të jetë më e mirë dhe me këtë ritëm do të vazhdojmë përpara që bashkia jonë të jetë sa më mirë”, tha Bojni.

Ai garantoi se do të vazhdojë me ritëm punën për të ndërtuar një të ardhme edhe më të mirë për bashkëqytetarët e tij.

Bojni mori 66,54% të votave, ose 7425 vota, duke lënë pas kandidatin e pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike, Eduart Brahilika, me 28,54% ose 3184 vota, si dhe kandidaten e pavarur Suzana Pasha, e cila mori 4,92% ose 549 vota.

/a.f/r.e/

The post Bojni: Besimin e qytetarëve do ta përkthejmë në punë për Matin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Voton kandidati i pavarur në Vlorë, Nika: Pjesëmarrja e ulët në votime, leksion për klasën politike

9 November 2025 at 13:04

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Nga pesë bashki ku sot votohet për zgjedhjet e pjesshme vendore, bashkia e Vlorës regjistron pjesëmarrjen më të ulët në votime.

Deri në mesditë, sipas të dhënave të KQZ-së në Vlorë kanë votuar 7.03% e zgjedhësve, ndërkohë që .pjesëmarrja në votime në të pesat bashkitë së bashku rezulton të jetë 11.02%.

Pasi ushtroi të drejtën e votës, kandidati i pavarur për kryetar bashkie në Vlorë Gjergj Nika u shpreh se pjesëmarrja e ulët në votime do të jetë një leksion për klasën politike.

“Sa i përket pjesëmarrjes së ulët unë mendoj se do te ketë një bojkotim të klasës politike ky do të jetë leksion: dhe ky leksion do vijë nga Vlora. Sipas meje përqindja në këto zgjedhje nuk e kalon 15%”, u shpreh ai.

I pyetur për besimin e tij në fitore, Nika tha se ka hyrë në këtë garë për të fituar dhe do të ndjekë individualisht çdo shkelje ligjore.

Në bashkinë Vlorë, për postin e kryetarit të bashkisë garojnë Brunilda Mersini nga Partia Socialiste, kandidati Gjergji Nika, i propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidati Dionis Sota i mbështetur nga opozita.

/m.m/a f/

The post Voton kandidati i pavarur në Vlorë, Nika: Pjesëmarrja e ulët në votime, leksion për klasën politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Voton kandidati i pavarur në Tepelenë, Guma: Qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime

9 November 2025 at 11:53

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Gabriel Guma i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga opozita për kreun e bashkisë Tepelenë votoi sot në fshatin Luzat të Tepelenës.

Guma iu drejtua qendrës së votimit i shoqëruar nga bashkëshortja dhe me fëmijën e vogël në krah.

Pasi ushtroi të drejtën e votës, ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë kandidatin e duhur.

“U bëj thirrje të gjithë të dalin të votojnë masivisht. Të bëjnë zgjedhjen e duhur. Jam shumë i lumtur që zgjedhjet këtë herë janë demokratike. Vonesa ka pasur, por incidente jo”, u shpreh ai.

Në Bashkinë Tepelenë, kandidatët janë Gabriel Guma i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga opozita dhe Gramos Sako nga Partia Socialiste.

/a.f/

The post Voton kandidati i pavarur në Tepelenë, Guma: Qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Voton kandidatja e pavarur në Mat, Pasha: Proces i qetë dhe i barabartë

9 November 2025 at 11:43

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Kandidatja e pavarur për kryetare bashkie në Mat, Suzana Pasha vlerësoi sot se procesi zgjedhor në Mat është i qetë dhe i barabartë.

Në një prononcim për mediet pas ushtrimit të së drejtës së votës, Pasha falënderoi qytetarët e Matit për mbështetjen.

“Faleminderit qytetarëve të Matit. U kam kërkuar mbështetjen derë më derë. Jam krejt e qetë, vota është e lirë. E shoh që procesi është i qetë dhe mendoj të jetë edhe i barabartë, dhe i falenderoj. Fitoftë më i miri për drejtimin e bashkisë Mat, se është bashkia jonë, qyteti ynë, jeta jonë dhe e fëmijëve tanë,” tha Pasha.

Pasha theksoi se ka vendosur të kandidojë si e pavarur, por do të vazhdojë të mbetet pjesë e Partisë Socialiste, të cilën e konsideron “parti e zemrës”.

“Falenderoj PS-në, PD-në dhe të gjithë zgjedhësit e Matit,” përfundoi ajo.

Në Bashkinë Mat garojnë Altin Bojni nga Partia Socialiste, Eduart Brahilika i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga opozita dhe kandidatja e propozuar nga zgjedhësit, Suzana Pasha.

/m.m/a.f/

The post Voton kandidatja e pavarur në Mat, Pasha: Proces i qetë dhe i barabartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti pas votimit: Votoni për të zgjedhur kryetarin e komunës tuaj

9 November 2025 at 09:50

PRISHTINË, 10 nëntor /ATSH/Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë që gjatë kësaj fushate ka punuar në tri turne. Kështu u shpreh ai, teksa u pyet se a ka qëndruar mbrëmë në Mitrovicë.

Këto deklarime ai i bëri pasi ka ushtruar të drejtën e votës, ku u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.

“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri turne, pra anë e mbanë komunave të Kosovës, dhe jam përpjekur që të vëzhgojë përgatitjet për zgjedhje sepse zgjedhjet komunale, lokale janë më pak të rëndësishme se sa ato parlamentare, qendrore, duke qenë se qytertarët e Republikës janë njëkohësisht janë edhe banorë të komunave, dhe është tejet e rëndësishme, për mirëqenien, dinjitetin dhe cilësinë e jetesës në përgjithësi se cfarë kryetarë të komunave do të kenë. Fletëvotimi ishte i thjeshtë, i kishte vetëm dy emra, njëri prej tyre doemos bëhet kryetarë në mbrëmje, andaj edhe një herë i ftojë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për ta zgjedhur kryetarin e komunës së tyre. 18 komuna ku mbahen zgjedhjet sot në balotazh janë më pak se gjysma e Kosovës, por nëse shikoni se për të cilat komuna bëhet fjalë është e qartë se mbase mbi 80 për qind të popullsisë së Republikës”, ka deklaruar Kurti.

/Kosovapress/

The post Kurti pas votimit: Votoni për të zgjedhur kryetarin e komunës tuaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Voton kandidati i PS -së në Mat, Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve

9 November 2025 at 09:29

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Mat, Altin Bojni votoi sot në qendrën e votimit 0930, në shkollën fillore “Lagjja e Re”.

Në një prononcim për mediet, Bojni u bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë me qetësi dhe dinjitet.

“Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e bashkisë sonë. E diela është dita e votuesve, dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni në votime me qetësi dhe dinjitet”, tha ai për mediet.

Në Bashkinë Mat garojnë Altin Bojni nga Partia Socialiste, Eduart Brahilika i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga opozita dhe kandidatja e propozuar nga zgjedhësit, Suzana Pasha.

/m.m/a.f/

The post Voton kandidati i PS -së në Mat, Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Seanca për Qeverinë e Kosovës mbahet të dielën

24 October 2025 at 15:00

PRISHTINË, 24 tetor/ATSH/ Në Kuvendin e Kosovës të dielën e 26 tetorit në orën 10:00 do të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Megjithatë, ende është e paqartë nëse ai i ka 61 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.

Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e ekzekutivit, duke u shprehur se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti.

Osmani e mandatoi Kurtin për formimin e Qeverisë më 11 tetor dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re qeveritare dhe të kërkojë mbështetje për të.

LVV-ja ka 48 deputetë në Kuvendin prej 120 ulësesh. Nga kjo parti më herët kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për formimin e Qeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.

PDK-ja i ka 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma ka tetë ulëse në Kuvend.

Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare.

Në rast se LVV-ja nuk arrin t’i mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh. /rel/

The post Seanca për Qeverinë e Kosovës mbahet të dielën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌