Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Përplasja në Kuvend Balla-Noka, seanca ndërpritet pas akuzave dhe fyerjeve

11 December 2025 at 11:01

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Seanca plenare e ditës së sotme u ndal për disa minuta, pas një përplasjeje mes kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe deputetit të PD-së, Flamur Noka.

Debati nisi gjatë diskutimeve mbi kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës dhe kandidaturat për Avokatin e Popullit.

Gjatë fjalës së tij, Balla kritikoi deputetët e opozitës se nuk kishin paraqitur asnjë argument për heqjen e një pike nga rendi i ditës dhe iu referua deklaratave të mëparshme të disa prej tyre që e kishin quajtur kandidatin Endrit Shabani “lepur i Surrelit”.

“Dëgjova batuta e tallje. Njëri fliste për lepuj, por po folët për lepuj duhet të flisni dhe për zagarët”, tha Balla, duke vijuar se kandidati Besim Ndregjoni nuk mund të zgjidhet në detyrë për shkak të moshës.

Në këtë moment, deputeti Flamur Noka ndërhyri nga vendi duke e quajtur Ballën “injorant”, çka solli reagimin e menjëhershëm të kryetarit të grupit të PS-së, i cili kërkoi ndërprerjen e seancës deri në nxjerrjen jashtë të Nokës.

Kryetari i Kuvendit vendosi pezullimin e seancës për 10 minuta, me qëllim uljen e tensioneve.

Përplasja ndodhi në vazhdën e akuzave të forta të deputetëve të PD-së, të cilët e cilësuan kandidatin për Avokat të Popullit, Endrit Shabani, si “lepur të Surrelit” dhe kërkuan përjashtimin e tij nga lista.

Seanca pritet të rinisë pas pushimit, ndërsa atmosfera në sallë mbetet e tensionuar.

Kuvendi në seancë plenare, Foto: Florian Abazaj
1 nga 8
Sali Berisha - Kreu i PD, Foto: Florian Abazaj
Blendi Klosi - Deputet i PS, Foto: Florian Abazaj

/gj.m/a.f/r.e/

The post Përplasja në Kuvend Balla-Noka, seanca ndërpritet pas akuzave dhe fyerjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku kërkon listën e përfituesve nga falja e detyrimeve, Malaj: Asnjë tatimpagues në hetim nuk përfiton

4 December 2025 at 14:00

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Deputetë të mazhorancës dhe opozitës u përfshinë në debat gjatë seancës parlamentare lidhur me projektligjin për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore, dhe publikimin e listës së tatimpaguesve që do të përfitojnë nga ky ligj.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi nga Ministria e Financave publikimin e listës së përfituesve, duke theksuar rëndësinë e transparencës për bizneset shqiptare.

“Kam kërkuar prej një muaji nga ministri i Financave informacion mbi përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve, por nuk ka ofruar transparencë. Bizneset shqiptare kanë nevojë të dinë se cilat subjekte do të përfitojnë”, deklaroi Tabaku.

Ajo theksoi gjithashtu se ka dërguar katër shkresa, por nuk ka marrë përgjigje nga ministria, duke kërkuar që informacioni të bëhet publik për të kuptuar se cilët biznese do të përfitojnë nga ligji dhe nëse ka përfitues të veçantë.

“Ministri i Financave ka detyrën kushtetuese të kthejë përgjigje sa i përket përfituesve. A janë përfituesit koncesionarë, evazorë fiskale, marrës të tenderave publikë, subjeke të SPAK? Nuk mund t’a miratojmë atë nen për nen, pa pasur informacionin e plotë, transparencë për këtë ligj, se për cilin ky ligj ka ardhur këtu në Parlament, kë mbron, kë do të ndihmojë, kujt do t’i shlyejë borxhet dhe cilin biznes qeveria kësaj radhe do të mbështesë me ligje speciale siç është bërë normale në këtë sallë parlamenti ”, tha Tabaku.

Ministri i Financave, Petrit Malaj e cilësoi retorikë politike qëndrimin e deputetes Tabaku dhe u shpreh se projektligji ka parashikuar që asnjë tatimpagues që është në ndjekje penale, apo në hetim tatimor të mos përfitojë nga fshirja e detyrimeve.

“Kërkesa juaj ka ardhur vetëm një javë më parë dhe informacioni që kërkoni është e dhënë personale. Si ligjvënëse e vjetër e Parlamentit duhet të dini se kërkesa që keni sjellë është në kundërshtim me disa ligje të tjera. Për nivelin e informacionit që keni kërkuar, duhet t’i riferoheni ligjit ”Për procedurat tatimore për të kërkuar që informacioni që ju kërkoni nuk mund të ndahet, sepse është e dhënë personale dhe do të duhet të kërkoni konsensusin e debitorit që të japë informacion mbi borxhet që ka në raport me administratën tatimore”, u shpreh Malaj.

Sipas tij, numri i përgjithshëm i përfituesve të ligjit për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe doganore është rreth 202 mijë.

Ministri siguroi se ligji synon të përfshijë vetëm tatimpaguesit pa probleme penale dhe nuk favorizon asnjë subjekt të caktuar.

“Përfituesit që janë në ndjekje penale ose në hetim tatimor nuk përfitojnë nga fshirja e detyrimeve”, tha Malaj. /j.p/

The post Tabaku kërkon listën e përfituesve nga falja e detyrimeve, Malaj: Asnjë tatimpagues në hetim nuk përfiton appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bido: Sulm i padrejtë ndaj mandarinave të Konispolit, dëmshpërblejmë fermerët për përmbytjet

2 December 2025 at 18:24

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, deklaroi sot se mandarinat e Konispolit janë përballur me një sulm të orkestruar mediatikisht, që ka çuar në uljen e çmimit për fermerët, ndërsa në tregjet e qyteteve arrin mbi 100 lekë për kilogram.

Sipas tij, ky është një sulm që vjen prej grosistëve të cilët duan të sjellin mandarina të importuara dhe organizojnë sulme mediatike.

“Në asnjë rast nuk ka asnjë analizë që të nxjerrë mandarinat e Konispolit me pesticide. Dua të falënderoj Ministrinë e Bujqësisë për praninë gjatë javës së kaluar në Konispol, e cila e ngriti këtë çështje dhe e deklaroi publikisht. Besoj se është çasti që ne të veprojmë në shërbim të këtyre njerëzve punëtorë, të një zone që prodhon sasinë më të madhe të mandarinave për tregun shqiptar, i prodhon me cilësi dhe punon gjithë vitin për këto ditë. Duhet të veprojmë përmes organeve shtetërore, duke deklaruar publikisht të vërtetën e madhe se ky është një sulm i padrejtë ndaj fermerëve”, tha Bido.

Deputeti theksoi nevojën e masave për mbrojtjen e prodhimit vendas.

“Ndoshta ka ardhur çasti që për produktet që janë të subvencionuara në vendet e tjera me vlera shumë herë më të mëdha se subvencionimet që vijnë te ne dhe rrjedhimisht nuk përbëjnë tregti të lirë nga ato që rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë përcaktojnë, ne të vendosim traun në doganë, në mënyrë që të mund të shitet produkti vendas në këtë kohë”, deklaroi Bido.

Bido u ndal edhe te situata e përmbytjeve, që ka prekur zona të ndryshme, përfshirë Sarandën, Delvinën dhe Konispolin, duke shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore, shtëpi, blegtori dhe bletari.

“Pa dyshim do të dëmshpërblehen fermerët dhe bizneset e dëmtuara”, tha ai.

/a.f/r.e/

The post Bido: Sulm i padrejtë ndaj mandarinave të Konispolit, dëmshpërblejmë fermerët për përmbytjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis seanca plenare e Kuvendit për çështje të evidentuara nga zgjedhësit

2 December 2025 at 16:28

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kuvendi ka nisur sot seancën plenare publike, sipas urdhrit të firmosur nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Në rendin e ditës janë përfshirë tri pika kryesore, të cilat deputetët do të shqyrtojnë gjatë zhvillimit të seancës.

Pika e parë e rendit të ditës parashikon miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 19 nëntor 2025.

Më pas, deputetët do të vijojnë me seksionin e njoftimeve.

Pika e tretë parashikon diskutimet për çështje të evidentuara nga zgjedhësit, të cilat ndahen sipas minutazhit të përcaktuar për grupet parlamentare dhe deputetët jashtë grupeve, në bazë të nenit 40/1 të Rregullores së Kuvendit.

Kuvendi në seancë plenare, Foto; Florian Abazaj
1 nga 3
Kuvendi në seancë plenare, Foto; Florian Abazaj

/gj.m/r.e/a.f/

The post Nis seanca plenare e Kuvendit për çështje të evidentuara nga zgjedhësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Veliaj në GJKKO: Më është mohuar e drejta për t’u njohur me aktet e dosjes

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u zhvillua seanca e radhës paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Gjykata pritet të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim ose jo, apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme.

I pranishëm në seancë kryebashkiaku Veliaj kërkoi nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) njohjen me dosjen kundër tij.

“E drejta ime për t’u njohur me aktet e dosjes më është mohuar plotësisht deri sot”, u shpreh Veliaj para trupës së gjyqtarëve, duke shtuar se edhe e drejta për mbrojtje efektive është shkelur brutalisht, në shkelje edhe të Kushtetutës dhe KEDNJ.

Veliaj kërkoi respektimin e dinjitetit, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive.

“Qëndrimi im prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, në prani të këtij trupi gjykues, përbën një shkelje të qartë dhe të vazhdueshme të dinjitetit tim njerëzor, prezumimit të pafajësisë, të drejtës sime për mbrojtje efektive dhe të vetë perceptimit të paanshmërisë së gjykatës”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj kërkoi heqjen e menjëhershme “të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ, që e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës”.

Një tjetër kërkesë, tha Veliaj, është vënia e plotë dhe e menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime.

Veliaj kërkoi gjithashtu shtyrjen e procedurës.

“Derisa kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale”, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se “pres drejtësi me standarde evropiane ose refuzoj të bëhem pjesë e një procedure poshtëruese që nuk e meriton asnjë qytetar i këtij vendi”.

Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

/k.s/j.p/

The post Veliaj në GJKKO: Më është mohuar e drejta për t’u njohur me aktet e dosjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtyhet për me 5 dhjetor seanca paraprake për Veliajn

By: Fax Web
2 December 2025 at 10:47

U zhvillua seanca e radhës paraprake për dosjen “Veliaj”, me të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë. Gjykata pritet të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim ose jo, apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme. I pranishëm në seancë është edhe vetë kryebashkiaku Veliaj, ndërsa Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga prokurori Ols Dado.

Veliaj në seancë ka thënë se i është mohuar e drejta për tu njohur me aktet e dosjes, ndërsa ka theksuar se vendosja e tij në kafaz është trajtim degradues dhe në kundërshtim me Konventen europiane per te drejtat e njeriut. Seanca u shty për më datë 5 dhjetor pasi Gjykata pranoi kërkesën e Veliajt për tu njohur me aktet.

Më herët, Veliaj i është drejtuar me GJKKO-së që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e dosjes që të ketë mundësi të përgatitet për mbrojtjen. Veliaj argumenton se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në paraburgim.

Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Më datë 3 nëntor Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për masën ‘arrest me burg’.

Mbahet seanca në GJKKO, Erion Veliaj i pranishëm në gjyq

By: lindita
2 December 2025 at 10:00

Mbahet seanca ditën e sotme në GJKKO për Erion Veliajn. Mësohet se kryebashkiaku Veliaj është i pranishëm në seancë. Në këtë seancë pritet që të vendoset nëse çështja do të kalojë apo jo për gjykim. Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për veprat penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara…

Source

Sot seancë në Kuvend, nga rritja e pagës minimale tek Projekt-Buxheti 2026 dhe Paketa Fiskale

By: V K
19 November 2025 at 08:40

Këtë të të mërkurë, Kuvendi i Shqipërisë, do të zhvillojë seancë plenare, ku do të shqyrtohen disa projektligje të rëndësishme që lidhen me sistemin tatimor, fiskal dhe buxhetor të vendit.

Seanca pritet të përfshijë diskutime mbi procedurat tatimore, tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi të ardhurat, taksat vendore, faturimin dhe monitorimin e qarkullimit, si dhe masat për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme dhe menaxhimin e detyrimeve tatimore.

Në seancë pritet të diskutohet projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”.

Projektbuxheti 2026 parashikon shpenzime totale prej 886,7 miliardë lekësh, ose 31,9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.

Ndërkohë, të ardhurat buxhetore për vitin e ardhshëm janë planifikuar në 823,1 miliardë lekë, ose 29,6% të PBB-së, me një rritje prej 52,9 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar të këtij viti

Shtylla kryesore e tij është Reforma e Pensioneve, që nis në janar 2026 dhe do të shtrihet deri në vitin 2030, me një efekt financiar prej 10,4 miliardë lekësh për vitin e ardhshëm.

Gjithashtu, paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë, duke arritur në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, me synimin 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.

Do të zbatohet edhe indeksimi periodik i pagave në administratën publike dhe rritje të diferencuara për kategori të caktuara punonjësish.

Një tjetër element i rëndësishëm është rritja e pagës minimale, e cila do të kalojë nga 40 mijë në 50 mijë lekë në muaj nga 1 janari 2026, duke përfshirë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat.

Sipas planit afatmesëm, paga minimale do të arrijë 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.

Në buxhet janë parashikuar edhe rritje të diferencuara pagash dhe indeksim periodik për mbi 144 mijë punonjës të administratës qendrore dhe vendore, me një kosto të përgjithshme prej 10 miliardë lekësh.

Rritja ekonomike për vitin 2026 parashikohet të jetë 4%, papunësia do të ruhet në nivelin 8,5%, ndërsa inflacioni pritet të mbetet i qëndrueshëm në 2,2%. Deficiti buxhetor do të ulet në 2,3% të PBB-së dhe borxhi publik në 53,6%.

Gjithashtu, rendi i ditës në seancën plenare përfshin miratimin e projektligjit “Për marrëveshjen e paqes fiskale”.

Sipas projektligjit, nëse një biznes ka deklaruar informacion gabim për vitet e kaluara, mund ta korrigjojë atë dhe të paguajë një tatim 5% për ndryshimet, pa pasur dënime të tjera të shtrënguara.

Ky projektligj ka për qëllim të ofrojë mundësinë e një marrëveshjeje me administratën tatimore për një periudhë afatmesme prej tre vitesh.

Ky instrument do të jetë i vlefshëm për tatimpaguesit me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë, të cilët përmbushin disa kushte të veçanta, siç janë mungesa e detyrimeve të papaguara dhe një histori e pastër tatimore.

Nëpërmjet këtij projektligji, tatimpaguesit mund të lidhin një marrëveshje të veçantë me administratën tatimore, ku do të përcaktohet paraprakisht baza e tatueshme dhe detyrimi tatimor për një vit, me mundësi rinovimi deri në dy vite të tjera.

Në rend të ditës parashikohen edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar.”

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’.”

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’.”

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’, të ndryshuar.”

Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar.

Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”./ATA

The post Sot seancë në Kuvend, nga rritja e pagës minimale tek Projekt-Buxheti 2026 dhe Paketa Fiskale appeared first on Albeu.com.

Kuvendi ndërpret diskutimet dhe kalon në votim

6 November 2025 at 22:04

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialsite, Taulant Balla ka kërkuar ndërprerjen e diskutimeve pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato dhe gjuhës së përdorur nga opozita.

“Kërkoj nenin 49 të Rregullores, ndërprerjen e diskutimeve, kalimin menjëherë në votim”, tha Balla pas rikthimit në seancë.

“E di që Rregullorja kërkon edhe opinionin e kolegëve të opozitës, shpresoj shumë të ketë reflektim”, u shpreh Balla.

“Pengmarrja e kësaj partie është keqardhje e madhe. Nuk do tolerojmë shkeljen e dinjitetit institucional të Kuvendit”, tha Balla.

Po ashtu ai paralajmëroi një rezolutë për distancimin nga gjuha e opozitës, duke iu referuar kreut të PS, Sali Berisha.

Deputetët vendosën miratimin me shumicë votash kalimin në votim.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Kuvendi ndërpret diskutimet dhe kalon në votim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi mblidhet në dy seanca plenare, shqyrtohet kërkesa e PD-së për shkarkimin e Peleshit

30 October 2025 at 07:40

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare për të shqyrtuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi me pretendimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe rregulloren e këtij institucioni.

Seanca për shkarkimin e Peleshit parashikohet të nisë në orën 10:00, ndërkohë që gjatë ditës së sotme Kuvendi do të mblidhet në dy seanca plenare.

Në vijim, në seancën e orës 11:30, në Kuvend do të raportojnë mbi veprimtarinë e vitit 2024, krerët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Institutit të Statistikave, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Radiotelevizionit Shqiptar.

Po ashtu, Kuvendi do të shqyrtojë edhe kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore.

Kuvendi do të diskutojë mbi projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal”.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.

Ndër të tjera, Kuvendi do të miratojë edhe projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

/m.m/a.f/r.e/

The post Kuvendi mblidhet në dy seanca plenare, shqyrtohet kërkesa e PD-së për shkarkimin e Peleshit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Erion Veliaj do të jetë i pranishëm në seancën e Gjykatës Kushtetuese më 31 tetor

By: lindita
28 October 2025 at 14:25

Më 31 do të mbahet seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Njoftimi: Në përgjigje të interesit të shprehur nga mediat dhe në kuadër të transparencës dhe shpërndarjes së informacionit publik, më poshtë gjeni informacionin e dhënë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2…

Source

Sot seanca paraprake për Ilir Metën, Monika Kryemadhi paraqitet në GJKKO: Më njoftuan të vij me vrap

By: lindita
28 October 2025 at 09:38

Ditën e sotme do të mbahet seanca paraprake për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, teksa fillimisht në Gjykatën e Posaçme ka mbërritur avokati i tij, e më pas Monika Kryemadhi. “Do thonë pastaj që nuk je paraqitur në orar, se më njoftuan hajdeni me vrap”, tha Kryemadhi.

Source

Mbi 14 orë seancë plenare, Kuvendi vijon punimet me raportimin e kreut të KLGJ-së

28 October 2025 at 00:28

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kuvendi ka vijuar punimet e seancës plenare edhe pas mesnate me prezantimin e  raportit të kreut të KLGJ.

Ndërsa mbeteshin dhe raportimet e KLGj dhe KLP, opozita kërkoi shtyrjen e seancës me argumentin se ora e vonë nuk mundësonte që raportimet dhe diskutimet të ndiqeshin nga qytetarët.

PS dhe PD u dakordësuan që të vijohej me raportimin e kreut të KLGJ, Ilir Rusi ndërsa raportimi i drejtueses së KLP, Mirela Bogdani dhe diskutimet për raportet e dy institucioneve të vijojnë në seancën plenare të së enjtes.

Gjatë seancës që nisi prej orës 10:00 të së hënës kanë raportuar drejtuesit e institucioneve të drejtësisë.

Në seancë u paraqitën të dhënat për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD).

Në fillim të seancës, deputetët miratuan edhe ngritjen e dy komisioneve me rëndësi: atë për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Territoriale.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi “Raportin përmbledhës mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024”, duke theksuar sfidat me të cilat përballet sistemi për shkak të numrit të ulët të prokurorëve pas procesit të rivlerësimit kalimtar.

Sipas Çelës, gjatë vitit 2024 janë trajtuar 61.167 materiale në shqyrtim, me një rritje prej 10,5% krahasuar me vitin 2023. Janë ndjekur 47.576 procedime penale, nga të cilat 24.956 janë regjistruar për herë të parë.

Prokuroria e Tiranës regjistroi 35,5% të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi, ndërsa rritje të dukshme kanë pasur veprat për pastrim parash me 59%, falsifikim monedhash me 48%, krime doganore me 40% dhe veprimtari bankare/financiare me 33%.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi se gjatë vitit janë hetuar 33 ish-zyrtarë të lartë, prej të cilëve 19 janë dërguar në gjykatë, që përbën 52,9% të rasteve.

Totali i çështjeve për korrupsion është rritur me 8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara ka arritur në 65,5 milionë euro, një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2023.

Këto asete përfshijnë pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe kriptovaluta, duke reflektuar forcimin e luftës ndaj pasurive me origjinë kriminale.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, në raportimin e tij theksoi rëndësinë e pavarësisë së magjistratëve dhe profesionalizmit në përballjen me ndikimet politike apo të tjera.

“Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të kufizohet vetëm ndaj ndikimeve politike, por ndaj çdo interesi tjetër”, deklaroi Metani.

Gjatë vitit 2024 pranë ILD janë depozituar 1.491 ankesa të reja ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa 1.363 janë mbartur nga vitet e mëparshme, duke e çuar në 2.854 numrin total të ankesave për trajtim.

Nga këto, 1.374 janë shqyrtuar, ndërsa 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor.

Sipas Metanit, përveç qytetarëve, ankues gjatë vitit kanë qenë edhe institucione të sistemit të drejtësisë, përfshirë drejtues të prokurorive, kryetarë gjykatash, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Gjykatën e Lartë.

/j.p/ /a.g/

The post Mbi 14 orë seancë plenare, Kuvendi vijon punimet me raportimin e kreut të KLGJ-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi në seancë plenare/ Drejtësia bën bilancin para deputetëve, pritet ngritja e ‘Zgjedhores’ dhe ‘Territoriales’

27 October 2025 at 07:41

SHQIPËRI- Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet këtë të hënë në orën 10:00 në seancë plenare, ku në rend të ditës janë parashikuar një sërë çështjesh.

Mazhoranca dhe opozita pritet të votojnë ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, konkretisht “Ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe  “Ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrativo–Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Pjesa tjetër, e cila do marrë vëmendje janë raportimet e institucioneve të drejtësisë mbi punën 1 vjeçare.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, do të raportojë mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë vitit të kaluar.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, do të prezantojë raportin mbi gjendjen e kriminalitetit në vend për vitin 2024.

Në seancë do të paraqitet gjithashtu raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, për vitin 2024.

Ndërkohë , kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, do të raportojë mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe punën e KLGJ-së, ndërsa kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, do të prezantojë raportin vjetor të institucionit që drejton.

Institucionet e drejtësisë raportojnë të hënën në Kuvend, Bardhi: Shmangni çdo provokim

24 October 2025 at 16:29

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Kuvendi do të mblidhet të hënën në orën 10:00 në seancë plenare.

Në rend të ditës janë dy projektvendime, ai për  “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe për  “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrativo–Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Gjithashtu në rend të ditës janë edhe raportimet vjetore të institucioneve të drejtësisë.

Kështu Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela do të prezantojë raportin mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024.

Më pas kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani do të prezantojë raportin mbi veprimtarinë e SPAK për vitin 2024.

Po ashtu, do të prezantohet edhe raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2024 nga ILD, Artur Metani.

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi do të prezantojë më pas raportin mbi gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2024.

Gjithashtu, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani do të prezantojë raportin e veprimtarisë vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2024.

Koha për debat pas çdo raportimi do të jetë 150 minuta e shpërndarë në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve parlamentare. Për raportimet e këtyre institucioneve pritet të miratohen edhe rezolutat përkatëse nga Kuvendi.

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi që të shmangë provokimet ndaj opozitës dhe të Rregulloren.

Në shkresën e tij, Bardhi konfirmon se grupi parlamentar i PD do të marrë pjesë në debatet parlamentare mbi raportimet e institucioneve të pavarura kushtetuese, duke kërkuar që të respektohet koha prej 150 minutash për secilin raportim, ashtu siç është rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve.

Sipas grupit të PD, “çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimit 34 vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizmit dhe asgjësim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës”.

Në fund grupi i PD i kërkon Peleshit që në ushtrim të përgjegjësive të tij, të marrë masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe të ndalë menjëherë nga aktet provokative ndaj opozitës dhe sjelljes së saj krejtësisht konstruktive në Kuvendin e Shqipërisë.

/gj.m/a.f/

The post Institucionet e drejtësisë raportojnë të hënën në Kuvend, Bardhi: Shmangni çdo provokim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Seanca për Qeverinë e Kosovës mbahet të dielën

24 October 2025 at 15:00

PRISHTINË, 24 tetor/ATSH/ Në Kuvendin e Kosovës të dielën e 26 tetorit në orën 10:00 do të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Megjithatë, ende është e paqartë nëse ai i ka 61 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.

Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e ekzekutivit, duke u shprehur se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti.

Osmani e mandatoi Kurtin për formimin e Qeverisë më 11 tetor dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re qeveritare dhe të kërkojë mbështetje për të.

LVV-ja ka 48 deputetë në Kuvendin prej 120 ulësesh. Nga kjo parti më herët kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për formimin e Qeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.

PDK-ja i ka 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma ka tetë ulëse në Kuvend.

Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare.

Në rast se LVV-ja nuk arrin t’i mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh. /rel/

The post Seanca për Qeverinë e Kosovës mbahet të dielën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvend, sot shqyrtohet veprimtaria e disa institucioneve të pavarura

16 October 2025 at 09:27

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Kuvendi mblidhet sot  në seancë plenare, ku pritet të shqyrtohet raporti i veprimtarisë për vitin 2024 të disa institucioneve të pavarura.

Kështu Kuvendi do të shqyrtojë raportin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2024, Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish – Sigurimit të  Shtetit, si dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Më pas, Kuvendi do të miratojë rezoluta për veprimtarinë e këtyre institucioneve.

Në rend të ditës gjithashtu është edhe shqyrtimi i  projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Ky projektligj ka për qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri, me synim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore, duke mbështetur kalimin drejt ekonomisë qarkulluese.

Projektligji përcakton rregullat për funksionimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve, duke u fokusuar në parandalimin ose reduktimin e mbetjeve; minimizimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe trajtimi i tyre; rritjen e eficiencës në përdorimin e burimeve.

Nga fusha e zbatimit të këtij ligji përjashtohen disa kategori të posaçme, si shkarkimet në atmosferë, tokat e paprekura, dherat e pastra të përdorura për ndërtim, mbetjet radioaktive, anijet e dala jashtë përdorimit, mbetjet nga aktivitetet minerare, ujërat e përdorura dhe nënproduktet shtazore të caktuara.

Ky projektligj është i përafruar me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Mbi mbetjet”, duke siguruar harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian.

Kuvendi gjithashtu pritet të miratojë edhe projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

/gj.m/a.f/

The post Kuvend, sot shqyrtohet veprimtaria e disa institucioneve të pavarura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Opozita kërkon përsëritjen e seancës, debat për programin e qeverisë në Kuvend

24 September 2025 at 10:53

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kuvendi po zhvillon sot seancë plenare, ku në rend të ditës janë projektvendimi “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit” si dhe projektvendimi “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

Përpara miratimit të procesverbalit të seancës së shkuar ku u miratua programi politik i qeverisë dhe përbërja e Këshillit të Ministrave deputetët e opozitës kërkuan debat parlamentar lidhur me programin e qeverisjes, duke kundërshtuar mënyrën e votimit në seancën e fundit.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në fjalën e saj në nisje të seancës plenare, u shpreh se kjo është hera e parë në 34 vite që një qeveri betohet pa u diskutuar fillimisht programi, ndërsa duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, u shpreh se nuk ia heq dot të drejtën e debatit opozitës.

“Hera e parë në 34 vite që qeveria kalon dhe miratohet pa u diskutuar programi. Nuk besoj që shqiptarët mund ti lëmë në hije për programin e qeverisë, për të diskutuar prioritet tuaja dhe tonat. Nuk besoj se doni ta mbani këtë njollë dhe ta nisni në këtë mënyrë sesionin. E kuptoj që qeveria nuk ka ndonjë program, por nuk na hiqni dot të drejtën e debatit dhe as nuk e shkelni dot rregulloren”, tha ajo.

Edhe deputeti i PD-së, Belind Këlliçi i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi që të rregullojë procesverbalin e seancës së kaluar plenare, që u shoqërua me debate të forta.

Ai tha se seanca e 18 shtatorit është njollë turpi për Kuvendin dhe PS-në.

“Nuk mund ta kaloni këtë seancë sikur gjithçka është normale”, tha ai, teksa shtoi se, “që të kalojë seanca e seancave më e rëndësishmja e 4 viteve, vetëm në 25 minuta dhe të dëgjohen vetëm socialistët, kjo është një njollë turpi për këtë Kuvend dhe për ju”.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Peleshi u shpreh se, “ky nuk është diskutim për përmbajtjen e procesverbalit, pasi nuk përmban pamje filmike, apo për të treguar temperaturën e diskursit politik”.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kërkoi përsëritjen e seancës së fundit parlamentare, gjatë së cilës u prezantua programi i ri qeverisës, por që, sipas saj, u mbyll në mënyrë të paprecedentë pas vetëm 25 minutash.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi që të kalohet në votimin e rendit të ditës së seancës së sotme dhe të miratohet përbërja e komisioneve të përhershme parlamentare.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke iu drejtuar kreut të Kuvendit, Niko Peleshit u shpreh se ai shënoi rekordin më të zi në historinë e parlamentarizmit shqiptar, në historinë e Europës, në historinë e botës, të çdo regjimi.

“Akti i vetëm që kjo seancë mund të bëjë për procesverbalin e seancës së shkuar është ta hedhë në koshin e plehrave seancën dhe procesverbalin”, tha Berisha.

Seanca e fundit plenare, ajo e datës 18 shtator u mbyll për 25 minuta pas tensioneve dhe dhunës së deputetëve të opozitës.

Gjatë seancës, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi që të kalohej menjëherë ne procesin e votimit për shkak se opozita pengoi fjalën e kryeministrit Edi Rama, për prezantimin e programit qeverisës dhe përbërjen e qeverisë.

Projektvendimi “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”, u miratua me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha, Florian Abazaj
1 nga 19

/gj.m/j.p/

The post Opozita kërkon përsëritjen e seancës, debat për programin e qeverisë në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mblidhet sot Kuvendi, në rend dite miratimi i anëtarëve të komisioneve parlamentare

By: lindita
24 September 2025 at 09:20

Kuvendi do të mblidhet sot për seancën e radhës plenare, pas asaj të 18 shtatorit, ku qeveria e re u votëbesua për vetëm 25 minuta, për shkak tensionit dhe të kaosit të krijuar nga opozita. Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe në me rend dite ka votimin e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare. Deri më tani janë miratuar vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e propozuar nga PS…

Source

Përbërja e komisioneve të përhershme, Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare

24 September 2025 at 07:39

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë do të zhvillohet sot në orën 10:00, pas urdhrit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Në rend të ditës për këtë seancë janë projektvendimi “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit” si dhe projektvendimi “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

Ditën e hënë, nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku u miratua lista e anëtarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit dhe lista e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Në lidhje me dy pikat e rendit të ditës, ishin depozituar propozime vetëm nga grupi parlamentar i Partisë Socialise dhe çështja i kaloi për miratim seancës plenare.

Në seancën plenare të 16 shtatorit, Kuvendi miratoi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca në rregulloren e parlamentit, me 79 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. Ndryshimet, ndër të tjera parashikojnë kalimin e Kuvendit me 11 komisione parlamentare të përhershme. Vendimi u kundërshtua nga opozita, e cila ka paralajmëruar se do ta çojë në Kushtetuese. Sipas opozitës, ndryshimi në rregulloren e Kuvendit nuk duhej kaluar me procedurë të përshpejtuar, por me procedurë normale paralamentare dhe me dakordësinë e pakicës në Kuvend.

Lista e 11 komisioneve të përhershme të Kuvendit:

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Ndërsa seanca e fundit plenare, ajo e datës 18 shtator u mbyll për 25 minuta pas tensioneve dhe dhunës së deputetëve të opozitës.

Gjatë seancës, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi që të kalohej menjëherë ne procesin e votimit për shkak se opozita pengoi fjalën e kryeministrit Edi Rama, për prezantimin e programit qeverisës dhe përbërjen e qeverisë.

Projektvendimi “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”, u miratua me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Përbërja e komisioneve të përhershme, Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌