Normal view
10:59 Vizat për bashkim familjar në Gjermani/ Shqiptarët tek aplikuesit kryesorë këtë vit
Pavarësisht shtrëngimit të ndjeshëm të politikave të imigracionit nga qeveria e koalicionit të CDU/CDU dhe Socialdemokratëve në Berlin, këtë vit janë lëshuar më shumë se 100.000 viza për bashkim familjar. Kjo sipas shifrave nga Ministria e Jashtme, të raportuara së fundmi.
E drejta për bashkimin familjar në Gjermani përgjithësisht vlen vetëm për familjen bazë, që do të thotë bashkëshortët/et dhe fëmijët e mitur. Ekzistojnë përjashtime për raste të vështira dhe, që nga një reformë në mars 2024, edhe për prindërit dhe vjehrrit e profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar me kualifikim të lartë që mund të sigurojnë në mënyrë të pavarur jetesën e të gjithë familjes.
Në korrik, qeveria gjermane e CDU/CSU dhe SPD e pezulloi ribashkimin familjar për dy vjet për personat me status mbrojtjeje të kufizuar – ndryshe nga refugjatët e njohur. Vetëm në “raste të vështira” atyre u lejohet ende të sjellin bashkëshortët/et e tyre, fëmijët e mitur si edhe, në rastin e të miturve të pashoqëruar, prindërit e tyre në Gjermani. /DW/kb

22:28 “Na e dhanë provën pa dashur”/ Artan Hoxha nxjerr prapaskenat e AKSHI-t
Last Updated on 25/12/2025 by EL
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në një emision televiziv, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet për skandalin e AKSHI-t, duke theksuar se pamjet e regjistruara nga kamera në zyrën e Ergys Agasit kanë nxjerrë në dritë mënyrën reale se si ka funksionuar një strukturë e errët pushteti.
Sipas Hoxhës, ajo që më parë ishte artikuluar si akuzë politike, tashmë është vërtetuar me prova konkrete. ‘Po të mos ishte kamera e Gys Agasit, ne nuk do ta shikonim çfarë ndodhte atje brenda. Ajo kamerë na ka bërë një shërbim shumë të madh,’ u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se autoritetet dhe publiku kanë parë vetëm një pjesë minimale të materialeve të sekuestruara. ‘Janë hapur shumë foldera, por neve na kanë treguar vetëm një. Vetëm një.’ Hoxha ngriti shqetësimin se abuzimi me të dhënat personale nuk ka qenë rastësor, por i qëllimshëm dhe i lidhur drejtpërdrejt me funksionimin e sistemit të patronazhimit politik.
‘Ata nuk i kanë dashur të dhënat nga kureshtja për jetën e dikujt. I kanë dashur për të bërë pikërisht atë që kanë bërë.’ Sipas tij, patronazhimi nuk ka nisur në vitin 2013, por në momentin kur u ndërtua infrastruktura e e-Albania-s. ‘Patronazhimi filloi kur nisi e-Albania, kur u morën të dhënat e rrogës, të shëndetit, të lidhjeve telefonike. Nuk ngeli gjë pa u referuar aty.’ Në këtë kontekst, ai përmendi edhe problematikat e rënda me mbivendosjet e pronave pas kalimit të të dhënave të kadastrës në sistemin elektronik. ‘Kush kishte akses të fuste hundët atje? Pikërisht këta.’
‘Pavarësisht çfarë thuhet lart e poshtë, po të mos ishte kamera e Gys Agasit, ne nuk do ta shikonim çfarë ndodhte atje brenda. Pra, ajo kamerë na ka bërë një shërbim shumë të madh. Atë ta kishim porositur për ta futur atje dhe ata s’do ta lejonin. Jo që e kishin vetë, dhe unë po them është hapur vetëm një folder.
Është hapur, janë hapur shumë foldera, por një na kanë treguar neve. Pra, po të mos ishte ajo kamerë, çfarë do të ndodhte? Po të mos ishte ai koleksioni, çfarë do të ndodhte? Pra, ai na ka dhënë një, një volum kaq të madh elementësh, detajesh, provash, që na ka bërë çdo gjë që është artikuluar deri tani, na e ka bërë, na e ka vërtetuar. Dhe na ka treguar se deri ku është i kapur ky, ëh, ky pushtet dhe ky sistem.
Pra, që ti të kesh në zyrë gjithë kohës drejtoreshën më jetëgjatë të kryeministrit Rama, pra ka qenë nga 2013-ta, sa ç’ka Rama ka dhe zonja Karçanaj. Ti ta kesh aty nën kontroll, të kesh ëh atë që quhet arritja më e madhe e Ramës, qeveria virtuale, pa të kesh informacion për çdo gjë që ndodh në këtë vend. Dhe për më tepër, e di çfarë kanë bërë ata me…
Diella në këtë rast ka ikur. Unë po them, a di çfarë ka ndodhur aty? Ore në momentin kur të dhënat e kadastrës kaluan në e-Albania, a di çfarë probleme ka ndodhur me mbivendosjet? Po kush i bënte mbivendosjet? Kush kishte akses të fuste hundët atje?
Pikërisht këta, se për çfarë e donin këtë? Për këtë gjë pra e kanë dashur. Ata nuk e kanë dashur të dhënat se ishin kuriozë për jetën e X-it apo Y-it. Ata i kanë dashur të dhënat për të bërë pikërisht atë që kanë bërë. Dhe mos harro, kur filloi patronazhimi? Në 2013-ën? Jo. Patronazhimi filloi kur nisi e-Albania, ku u mor dhe të dhënat të rrogës, të gjakut, të operacioneve që kemi bërë, të gjithë lidhjeve të numrave të telefonit. Pra nuk ngeli gjë pa u referuar aty. Dhe nga ai moment patronazhistët u bënë kaq të fuqishëm, dhe me kaq impakt dhe me kaq ndikim.
Them dhe njëherë te pjesa e pyetjes që bëre ti, problemi me, me, domethënë, ky rast është kaq i madhe ëh, si të them, ajo që ka shpërthyer, pra, plaga që ka shpërthyer atje dhe qelbi që ka shpërthyer, sa nuk kanë ç’t’i bëjnë mediat, nuk kanë mundësi që të mbulojnë një gjë që s’ka diell dhe hënë që të mbulohet. Dhe thashë dhe njëherë, është vetëm, ne kemi parë deri tani vetëm një vendim gjykate për masën e sigurimit. Kaq. Pra, nuk është dosja.
Është vendim për masën e sigurisë. Si të them unë është gjëja më e vogël në të gjithë atë histori. Pra, ne nuk e dimë akoma me saktësi çfarë ka ndodhur aty brenda. Sigurisht ne e dimë çfarë ka ndodhur nga jashtë, flas për vete, por çfarë kanë kapur këta atje brenda, me saktësi ende se ne nuk e kemi parë.
Por sot është provuar ajo që të paktën, nuk po them te mediat e tjera, kam kohë që e them, që kemi të bëjmë me një strukturë që punon në këtë formë, që organizohet në këtë formë. Prandaj është kaq i rëndësishëm ky Ergys Agasi, se ai s’është një gangster, është një njeri që rrinte me pistoletë në brez. Pra nuk ishte ky niveli i Gys Agasit. Ergys Agasi u bë i fuqishëm dhe unë mendoj që ne duhet ta përdorim si indicie Ergys Agasin për të shkuar tek i madhi.
Ergys Agasi pa hyqymetin, pra, pa lejen e të madhit do ishte askushi. Pa lejen e kryeministrit, ai u bë i rëndësishëm sepse ishte kontakti direkt i kryeministrit.
Pra, nëse kishe një hall që nuk shkoje dot te kryeministri, po të shkoje te Gysi dhe Gysi ta mbaronte punën. Dhe kjo linjë, ëh, kjo fuqi e bëri atë të ishte një njeri me kaq ndikim dhe kaq i rëndësishëm. Në pamjen e parë, ajo që tha avokati i tij, ‘Ore ai s’ka konkurruar për asnjë tender’, tha, ‘s’ka garuar’. Po është e vërtetë, se ai s’hynte te tenderi, s’kishte pse të hynte.
Dhe detyra e tij nuk ishte që të hynte te tenderi. Po ai ishte njeriu që bënte lidhjen mes atij që do fitonte tenderin dhe atij që do t’ia jepte tenderin. Dhe pastaj bënte atë xhirimin e parave se si ato kalonin nëpërmjet atij rrjeti labirinth që të humbnin gjurmën. Pra, në vetvete ne aty kemi parë, në qoftë se, mos gaboj, zëvendës, ish-zëvendëskryeministri Petrit Meta e quajti ëh, oborri, kopshti personal.
Bahçe po them unë në term më, personal. Pra, Gys Agasi me atë që ka bërë na ka dhënë të gjitha provat që aty vërtetë është kopshti personal. Pra, në qoftë se te këto të tjerat edhe mund të mendohej ajo se kërkonte pak stil, aty s’kishte nevojë, zgjaste dorën, merrte çfarë donte dhe bënte çfarë donte. Sot ne ndodhemi para këtij fakti të kryer.
Pra, pa dashur na ka ardhur në dorë një gjë kaq e madhe, sa edhe ta kërkonin me qiri, domethënë e kishin vështirë ta gjenin. Na e kanë dhënë pa dashur këtë gjë. Këto videot janë kapur, pra provat janë kapur që në qershor, kemi folur herë tjetër. Pra në operacionin për sepse edhe zyra ku kanë shkuar ata, kompania, në Bllok. Ajo është EA Tabako. Pra Ergys Agasi Tabako. Kanë shkuar për fabrikën e cigareve në Librazhd.
Pra, kjo histori ka filluar në kontrollin e datës 18 dhe 19 qershor. Që aty u kontrollua shumë pak nga objektet që ai kishte. Pra, banesa ku ai jetonte, tek ajo rezidenca mbas qendrës tregtare që ndodhet në Teg, pra nuk u kontrollua në atë kohë.
Ai e boshatisi, e braktisi atë mbrapa, largoi gjithë çfarë kishte, ajo nuk u kontrollua. U kontrollua vetëm zyrat që kishte tek ish-Panto Resort, ambienti që ka patur në Durrës, banesa në Durrës dhe lokali në, në bllok, ose zyra në bllok. Pra, vetëm kaq u kontrolluan. Nuk pati mundësi që do të ndodhte kjo gjë tjetër. Kanë patur siguri që do ta mbyllnin këtë histori, sepse në ato, po e ke parë, edhe në ato pak rreshta që na kanë lënë ne të shohim, pra, edhe aty flitet që ai ka mbështetje dhe ai ka ndikim edhe në Prokurorinë e Posaçme. Prandaj kjo gjë mbase e ka lënë atë më… të qetë. Më, si të them, i ka dhënë pak më shumë siguri që mund t’ia hidhte. Por ai ka harruar një diçka tjetër, që besoj ka qenë determinuese. Personat që kanë folur për të nuk kanë folur vetëm për autoritetet shqiptare.
Pra, kanë folur për autoritetet gjermane, për autoritetet britanike, për autoritetet zvicerane. Pra, gjurmët janë lënë shumë nga jashtë dhe brenda, s’kishin çfarë t’i bënin më. I dhanë kohë sa mundën, por më shumë nuk mund t’ia jepnin dot më. Janë disa, për shembull, edhe, edhe masa e sigurisë, vendimi i SPAK-ut ka shkuar në datën 8. Ka ndenjur një javë në gjykatë, në datën 15 është bërë veprimi. Pra dhe operacioni është bërë shpejt pastaj, brenda një dite. Por si kohë ka ndenjur. Mbase gjyqtarit s’i është dashur të shkruajë vendimin, se është vendim shumë i gjatë, plot 260 faqe për masën e sigurisë, por ka ndenjur një javë aty.
Pra gjatë asaj jave… ose ka pasur frikë… ka lëvizur shumë gjëra. E lehtë s’është se thashë, është një çështje shumë e madhe, është një çështje që edhe vetë zotëria që ka bërë regjistrimet sot nuk e mban mend me saktësi se deri ku ka regjistruar dhe çfarë ka regjistruar. Por ato pamje që dolën, unë do doja për shembull të mos dilnin ato fotot, sepse ato kanë, kanë vënë në alarm çdo njeri që ka qenë brenda në atë zyrë. Dhe çdo njeri që ka qenë brenda atje do ndërrojë orën, xhupin, bluzën, kanatieren, ku di unë çfarë ka pasur aty. Aty nuk janë vetëm biseda.
Prandaj po them që kushdo që i ka parë ambientet e asaj zyre është kujtuar që ka qenë atje brenda. Jo që merret kryesisht, heton thellësisht’, tha Artan Hoxha./e.t

Shqipëria Sot me Kasandra Palin, (25/12/2025)
10:34 29-vjeçarja dashurohet me ChatGPT-në, e lë sepse u bë servil
Last Updated on 25/12/2025 by Kesjana
Një histori e pazakontë dashurie ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Ayrin, një amerikane 29-vjeçare, u dashurua me një chatbot gjatë verës së vitit 2024, dhe i dha emrin Leo, bazuar në shenjën e saj të horoskopit, Luani. Me Leon, ajo kalonte deri në 56 orë në javë duke ndarë mendime, frikëra dhe reflektime, madje duke pasur edhe një marrëdhënie virtuale intime.
Historia e saj u bë publike kur Ayrin filloi të postonte bisedat e saj në Reddit, duke krijuar një komunitet prej afro 40 mijë personash nën emrin “MyBoyfriendIsAI”. Por pas rreth një viti e gjysmë, ajo vendosi të ndërpresë marrëdhënien me Leo-n, duke e bërë “ghost”, domethënë duke ndaluar të shkruante më shumë me chatbot-in.
Sipas raportimeve të New York Times, arsyeja e vendimit ishte ndryshimi i sjelljes së Leo-s pas përditësimeve të modelit të ChatGPT në fillim të vitit 2025. Ayrin tregoi se chatbot-i ishte bërë tepër servil, gjithmonë duke rënë dakord me gjithçka, gjë që e bënte të humbte besimin tek këshillat e tij. Përditësimet kishin synuar të rrisnin angazhimin e përdoruesve, por për disa persona, si Ayrin, kjo solli frustrim dhe zhgënjim.
Me kalimin e kohës, Ayrin filloi të kalonte më shumë kohë me njerëz të rinj, përfshirë anëtarë të komunitetit të saj në Reddit. Ajo zhvilloi një lidhje të re me një tjetër përdorues, i cili gjithashtu kishte një marrëdhënie me një chatbot. Partneri i ri, i njohur me inicialet SJ, jeton në një shtet tjetër amerikan dhe bisedon vetëm me telefon, duke qenë gjithmonë i disponueshëm 24 orë në 24. Ata madje janë takuar në Londër, së bashku me grupin e komunitetit “MyBoyfriendIsAI”.
Historia e Ayrin ngre pyetje mbi ndikimin emocional të inteligjencës artificiale dhe marrëdhëniet virtuale, duke treguar se si teknologjia mund të ndikojë thellë në jetën personale të përdoruesve./kb

07:30 Kremtohen sot Krishtlindjet/ Mijëra besimtarë në meshën e “Vigjiljes së Krishtit
Last Updated on 25/12/2025 by Kesjana
Besimtarët e krishterë mbushën në mesnatë kishat e tyre duke festuar me lutje dhe këngë lindjen e Krishtit, me shpresën për paqe, begati dhe më shumë gëzime.
Pak historik
Krishtlindja, edhe Kërshëndellat apo Kshnellat, është një festë fetare e krishterë. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit, në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët.
Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes.
Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Kollit apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes. Krishtlindja është festa në të cilën të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë.
Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Mëria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August.
Për nxënësit e tij, lindja e Krishtit është parathënë nga profeci të ndryshme sipas të cilave mesia do të lindte nga shtëpia e Davidit për të shpëtuar botën nga mëkati.
Datëlindja e Jezusit sipas të krishterëve besohet të jetë 24-25 dhjetori edhe pse ka dyshime për datën e saktë të lindjes pasi që ajo nuk përmendet në Dhiatën e re. Kjo feste është ndër festat më të dashura dhe të preferuara nga mbarë bota krishtere apo e thënë më ndryshe edhe si datë e paqes.
Katolicizëm
Krishtlindja te katolikët dhe disa kisha ortodokse, përfshirë edhe ortodoksët shqiptarë (krahas kishave greke, rumune, bullgare, qipriote, etj) festohet me 24-25 dhjetor për shkak të kalendarit gregorian.
Ortodoksi
Te një pjesë e kishave ortodokse dhe kishat e tjera lindore Krishtlindja festohet në 7 janar për shkak të kalendarit julian.
Ungjillizëm
Njëlloj si me katolikët gjithashtu edhe tek evangjelistët dhe kishat protestante Krishtlindja festohet më 24-25 dhjetor./Kb

08:30 Si u krijua PKSH?/ Kasmi: Një arsye urrejtja, ndaj Zogut. Për të rinjtë komunizmi ishte trend
Historiani Mariglen Kasmi ka sjellë një këndvështrim të ri mbi rrethanat e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare, duke theksuar se ajo nuk lindi si rezultat i bindjeve të thella marksiste, por si produkt i një momenti historik dhe shoqëror të favorshëm.
Gjatë prezantimit të librit të tij më të ri “Sadik Premtaj, Trockisti i fundit”, Kasmi u shpreh se në fillim të viteve ’40 komunizmi ishte një trend për të rinjtë, ndërsa një nga arsyet kryesore të zgjerimit të kësaj lëvizjeje ishte urrejtja e akumuluar ndaj regjimit të Ahmet Zogut.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ai theksoi se Partia Komuniste u themelua me program kryesor çlirimin e vendit, duke shfrytëzuar kontekstin e Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimet ndërkombëtare, çka bëri që ajo të gjente mbështetje të gjerë dhe të konsolidonte radhët e saj në një moment kyç historik.
Mariglen Kasmi: Fillim vitet 40 të ishe komunist ishte trend i kohës dhe këtu dal te elementi moshës. Komunizmi për të rinjtë ishte atraktiv, nuk duhet harruar që grupet komuniste që ishin aty, pavarësisht se nuk merreshin vesh për tu angazhuar dhe formuar një parti të vetme, shtratin e kishin të shtruar nga urrejtja që kishin patur me regjimin e Zogut dhe ky shtrat u kanalizua më qartë me sulmin nga Bashkimit Sovjetik.
Është e vetmja parti komuniste që themelohet me program kryesor çlirimin e vendit, çka padyshim i shtrëngoi më shumë radhët e saj. Nuk duhet menduar se ishte parti që u formua nga marksist leninistë të vërtetë komunistë me bindje. Një nga arsyet kryesore që partia komuniste gjeti një shtrat kaq të zgjeruar në Shqipëri, ishte pikërisht ajo urrejtje që ishte mbledhur ndaj sistemit të Zogut. E tregojnë faktet, ka historianë që e trajtojnë.
Në libër nuk jam marr me pjesën e organizimit të luftës, por jam përqendruar vetëm me organizimin e saj të brendshëm si një analizë politike, duke marrë si shembull edhe Sadik Premten me qëllim që të kuptojmë më mirë, intensitetin e zhvillimit të ngjarjeve brenda dhe kjo parti që drejtoi luftën duhet parë edhe si luftoi brenda saj. Ndaj viti 1941 përveç angazhimit të madh në nivel botëror ku bota hyri qartë në një konflikt të hapur, u krijuan kampet dhe derisa u përmend Curcill, thirrja e tij nuk i drejtohet qeverisë së Bashkimit Sovjetik, por popullit sovjetik. Ndaj ky është momenti që u shfrytëzua nga komunistët shqiptar. Në gjithë këtë zhvillim, ditën të gjejnë shtratin kapën momentin historik./kb

Shqipëria Sot me Kasandra Palin, (23/12/2025)
12:47 FSHF nis së shpejti ndërtimin e hotelit për ekipet kombëtare, ja detajet nga projekti
Federata e Futbollit po përgatitet të realizojë një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, me ndërtimin e një hoteli modern pranë kompleksit “Shtëpia e Futbollit”.
Ky projekt do të shërbejë për akomodimin e të gjitha ekipeve kombëtare gjatë grumbullimeve, duke nisur nga Kombëtarja A e djemve dhe vajzave, e deri te ekipet e moshave.
Hoteli do të ketë 5 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë, ndërsa në përbërjen e tij do të përfshihen ambiente funksionale si restorante, salla konferencash dhe gjithsej 87 dhoma.
Kapaciteti i tij do të mundësojë akomodimin e deri në katër ekipeve kombëtare njëkohësisht, veçanërisht në raste turnesh.
Po ashtu, hoteli do të përfshijë një kat të dedikuar parkimi, ambiente magazinimi, si edhe facilitete të tjera si pishina apo palestra.
Punimet pritet të nisin menjëherë pas miratimit të lejes së ndërtimit. Federata e Futbollit thotë se ka aplikuar tashmë për lejen përkatëse dhe aktualisht ndodhet në proces pritjeje./kb

-
- 10:07 Pamje të rralla në Kolesjan të Kukësit, banori i zonës ndeshet në rrugë më një arushë dhe tre këlyshët e saj
10:07 Pamje të rralla në Kolesjan të Kukësit, banori i zonës ndeshet në rrugë më një arushë dhe tre këlyshët e saj
Në Kukës është shfaqur një arushë së bashku me tre këlyshët e saj.
Pamjet e rralla janë shkrepur mëngjesin e sotëm në fshatin Kolesjan, ku arusha është parë duke lëvizur në rrugën kryesore të zonës.
Arusha me tre këlyshët e saj është fotografuar nga një banor i zonës, i cili fatmirësisht ndodhej brenda automjetit në momentin kur u përball me arinjtë në rrugë. Fatmirësisht, nuk raportohet për incidente apo dëme.
Pamjet kanë tërhequr vëmendjen e banorëve dhe rikthejnë vëmendjen mbi praninë e kafshëve të egra pranë zonave të banuara./kb

Përjashtimi i 29 deputetëve të PD-së/ Mblidhet sot Sekretariati i Etikës
Mëngjesin e kësaj të marte në orën 10:00, Sekretariati i Etikës, do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste, për masa disiplinore ndaj 29 deputetëve të partisë demokratike.
Partia Socialiste, ka kërkuar të merren masa disiplinore ndaj 29 deputetëve demokratë pas tensioneve dhe incidenteve të ndodhura gjatë seancës plenare të 18 dhjetorit, në Kuvend, me argumentin se veprimet e deputetëve kanë qenë të mirëorganizuara dhe kanë përfshirë akte dhune dhe incidente të rënda.
Sipas qëndrimit të mazhorancës, aktet e dhunës nuk ishin spontane, por të organizuara nga drejtues të Partisë Demokratike, duke përfshirë Sali Berishën, Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin.
Në kërkesë, mazhoranca kërkon ndëshkime disiplinore që variojnë nga 10 deri në 60 ditë përjashtim nga seancat plenare dhe nga punimet e komisioneve parlamentare për deputetët e përfshirë.
Deputetët për të cilët kërkohen masa disiplinore:
Përjashtim për 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:
1-Belind Këlliçi
2-Fidel Kreka
3-Albana Vokshi
4-Ledina Alolli
5-Denisa Vata (për futje dhe përdorim të lëndëve piroteknike në sallën e Kuvendit)
6-Klevis Balliu
7-Flamur Noka (për moszbatim të masave disiplinore, dëmtim të pajisjeve të Kuvendit dhe veprime të dhunshme ndaj Gardës së Republikës)
Përjashtim për 30 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:
1-Elda Hoti (për dëmtim të pajisjeve dhe mosrespektim të Kodit të Sjelljes)
2-Gazment Bardhi
3 -Sali Berisha (për shkelje të përsëritura të rendit të seancës, përdorim të gjuhës joparlamentare dhe pengim të zhvillimit normal të punimeve parlamentare)
Përjashtim për 10 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:
1-Besart Xhaferri
2-Xhelal Mziu
3-Bledjon Nallbati
4-Luçiano Boçi
5-Saimir Korreshi (për pengim të zhvillimit të seancës dhe akte dhune)
6-Edi Paloka
7-Ina Zhupa
8-Klodiana Çapja
9-Oerd Bylykbashi
10-Enno Bozdo
11-Tomorr Alizoti
12-Ivi Kaso
13-Gent Strazimiri
14-Luan Baçi
15-Bledi Himçi
16-Greta Bardeli
17-Manjola Luku
18-Flamur Hoxha
19-Kliti Hoti
The post Përjashtimi i 29 deputetëve të PD-së/ Mblidhet sot Sekretariati i Etikës appeared first on Albeu.com.
Shqipëria Sot me Kasandra Palin, (22/12/2025)
07:28 Arkeologët zbulojnë gjurmë këmbësh njerëzore 115 mijë vjeçare në Arabinë Saudite
Një gropë balte prehistorike e ruajtur në mënyrë unike mund të mbajë gjurmët më të vjetra të këmbëve njerëzore ndonjëherë në Gadishullin Arabik, thonë shkencëtarët.
Shumë fosile dhe objekte të mbetura nga era kanë ardhur nga situata si ky shtrat i veçantë liqeni në Arabinë Saudite veriore. Arkeologët zbuluan vendin, thellë në shkretëtirën Nefud në një vend të quajtur “gjurma” në arabisht, në vitin 2017, pasi koha dhe moti fshinë sedimentin sipërfaqësor.
Është e lehtë të imagjinohet se një shtrat liqeni me baltë ishte një zonë me trafik të lartë në Gadishullin Arabik mbi 100,000 vjet më parë.
Kur popullatat lëvizin, këto gjurmë lihen pas derisa të mbulohen. Në ngjarjen shumë, shumë më të vjetër të Burgess Shale, disa nga organizmat më të vjetër të gjetur ndonjëherë u ruajtën të paprekur sepse ka të ngjarë të kenë rënë në një rrëshqitje balte dhe të jenë vrarë menjëherë./Kb

16:50 Gabimi që e bëjnë thuajse të gjithë/ Sa kohë lejohet të qëndrojë mishi i tharë në frigorifer?
Last Updated on 21/12/2025 by EL
Nga mishi i papërpunuar te ai i kriposur e i tymosur – ja sa ditë, javë apo muaj është i sigurt për konsum dhe kur duhet patjetër hedhur
Mishi i tharë është një nga ato ushqime që, te ne, ka pothuajse status kult. Nuk ka festë, tryezë festive apo meze me raki e verë pa të. Megjithatë, edhe pse konsumohet shpesh dhe me kënaqësi, shumë njerëz gabojnë në një pikë thelbësore: si ruhet siç duhet mishi i tharë dhe sa kohë mund të qëndrojë realisht në frigorifer ose në ngrirës pa rrezikuar shëndetin.
E vërteta është se mishi i tharë nuk është i njëjtë në çdo fazë të përgatitjes. Afati i ruajtjes varet nga fakti nëse mishi është sapo blerë, i kriposur, i tymosur apo i përpunuar termikisht. Pikërisht këtu lindin edhe më së shumti keqkuptimet, sepse shpesh të gjitha llojet përfundojnë në të njëjtën ndarje të frigoriferit, pa u menduar mjaftueshëm.
Mishi i tharë i papërpunuar
Mishi i tharë që ende nuk është kriposur apo tymosur mund të qëndrojë vetëm 3-4 ditë, dhe atë vetëm në pjesën më të ftohtë të frigoriferit (zakonisht afër murit të pasmë, në temperaturë rreth 0-4°C). Pas këtij afati, rreziku i prishjes rritet ndjeshëm, edhe nëse në pamje të parë duket në rregull.
Këshillë praktike: Nëse nuk do ta përpunoni menjëherë, kriposeni, përpunojeni termikisht ose priteni në copa dhe vendoseni në ngrirës.
Mishi i tharë i kriposur dhe i tymosur
Kur bëhet fjalë për mish të kriposur dhe të tymosur, situata është dukshëm më e favorshme. Ky lloj mishi mund të ruhet në frigorifer deri në 2-3 muaj, me kusht që:
- të jetë i paketuar mirë (idealja: vakum),
- të mos ekspozohet ndaj lagështisë,
- të mos hapet shpesh dhe të prekët me duar të lagura.
Tymi dhe kripa janë konservues natyralë, por kjo nuk do të thotë se mishi mund të qëndrojë pafundësisht. Lagështia dhe ajri janë armiqtë kryesorë të tij.
Ngrirja – zgjidhja më e sigurt për ruajtje afatgjatë
Nëse keni përgatitur një sasi më të madhe mishi të tharë dhe e dini se nuk do ta konsumoni shpejt, ngrirja është alternativa më e sigurt. Mishi duhet:
- të mbështillet fort me qese najloni ose,
- akoma më mirë, të futet në qese vakumi, në mënyrë që të mos ketë kontakt me ajrin.
Në këto kushte, mishi i tharë mund të ruhet deri në 12 muaj, pa humbje të ndjeshme të shijes dhe cilësisë.
Këshillë shtesë për siguri ushqimore
- Nëse vini re erë të pazakontë, mukozë në sipërfaqe apo myk, mishi duhet hedhur menjëherë.
- Shkrirja bëhet gjithmonë në frigorifer, jo në temperaturë dhome.
- Pasi të shkrihet, mos e ngrini sërish.
Ruajtja e duhur e mishit të tharë nuk është vetëm çështje shijeje, por mbi të gjitha çështje shëndeti. /e.t

Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe të qeta me periudha me diell.
Në mëngjes, në disa lugina do të shfaqet mjegull. Temperatura minimale do të jetë në intervalin -5 deri në 1, ndërsa maksimale do të arrijë nga 7 deri në 12 gradë.
Në Shkup, vranësira të ndryshueshme dhe të qeta me mjegull në mëngjes.
Temperatura minimale do të bjerë në -3, ndërsa maksimale do të arrijë deri në 7 gradë.

17:39 “Mora medalje”/ Lapaj shfaqet brenda Komisariatit të Policisë pas protestës
Last Updated on 20/12/2025 by EL
Kryetari i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, ka treguar se është proceduar penalisht, pas protestës së organizuar ditën e sotme para Kryeministrisë.
Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, Lapaj shfaqet nga Komisariati i Policisë, ku tha se këtë procedim penal e ka marrë si medalje.
Ai tha gjithashtu se ishte proceduar penalisht për prishje të rendit dhe sigurisë publike, teksa premtoi se Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ nuk do t’i ndalte protestat.
Në përfundim Lapaj u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkoheshin protestave në sheshin para Kryeministrisë.
“Mora një tjetër medalje sot, e pesta, më proceduan penalisht për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Shihemi në shesh, nuk ndalojmë, ju përshëndes!”, tha Lapaj.
Kujtojmë se Lapaj dhe Lëvizja që ai drejton përmes protestave kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilën e akuzojnë si të përfshirë në korrupsion./e.t

12:45 A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë e të menduarit?
Çfarë ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale të bënte për ju?
Ndoshta i kërkuat një strukturë eseje për të dhënë një përgjigje për një pyetje të vështirë, një analizë të zgjeruar të një sasie të madhe të dhënash, apo thjesht të kontrollonte nëse letra juaj e motivimit përputhej me përshkrimin e vendit të punës.
Në fillim të këtij viti, Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) publikoi një studim që tregonte se personat që përdornin ChatGPT për të shkruar ese shfaqnin më pak aktivitet në rrjetet e trurit që lidhen me përpunimin kognitiv, gjatë kohës që kryenin detyrën.
Studiuesit deklaruan se studimi i tyre nxjerr në pah “nevojën urgjente për të eksploruar një rënie të mundshme të aftësive të të nxënit”.
Në kërkim morën pjesë 54 persona, të gjithë të rekrutuar nga MIT dhe universitete përreth. Aktiviteti i trurit të tyre u regjistrua përmes elektroencefalografisë (EEG), një metodë që përfshin vendosjen e elektrodave në skalp.
Disa nga “prompte”-t e përdorura nga pjesëmarrësit përfshinin kërkesa për përmbledhjen e pyetjeve të esesë, gjetjen e burimeve, si dhe përmirësimin e gramatikës dhe stilit.
AI u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe formuluar ide, megjithëse disa përdorues ndjenë se inteligjenca artificiale nuk ishte veçanërisht e mirë në këtë drejtim.
“AI e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve”
Në një studim tjetër, Universiteti Carnegie Mellon dhe Microsoft, kompania që operon Copilot, zbuluan se aftësitë e zgjidhjes së problemeve te njerëzit mund të dobësohen nëse ata bëhen tepër të varur nga inteligjenca artificiale.
Ata anketuan 319 punonjës të sektorit administrativ (white-collar), të cilët përdornin mjete AI për punën e tyre të paktën një herë në javë, duke i pyetur se si e aplikonin të menduarit kritik gjatë përdorimit të tyre.
Studiuesit analizuan rreth 900 shembuj detyrash të dhëna inteligjencës artificiale, që varionin nga analiza e të dhënave për të nxjerrë njohuri të reja, deri te verifikimi nëse një punim i plotësonte rregulla të caktuara.
Studimi zbuloi se sa më e lartë të ishte besimi i përdoruesve në aftësinë e mjetit për të kryer një detyrë, aq më i ulët ishte “angazhimi në të menduar kritik”.
“Ndërsa GenAI mund të rrisë efikasitetin e punonjësve, ajo mund të pengojë angazhimin kritik me punën dhe potencialisht të çojë në varësi afatgjatë nga mjeti, si dhe në dobësim të aftësive për zgjidhje të pavarur të problemeve”,thuhet në përfundimet e studimit.
Edhe nxënësit e shkollave në Mbretërinë e Bashkuar u anketuan në një studim të publikuar në tetor nga Oxford University Press (OUP). Rezultatet treguan se gjashtë në dhjetë prej tyre mendonin se AI kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me detyrat shkollore.
Atëherë, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a janë vërtet në rrezik aftësitë tona njohëse?
Sipas Dr. Alexandra Tomescu, specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP dhe bashkëautore e studimit me nxënësit, përgjigjja nuk është aq e thjeshtë.
“Hulumtimi ynë tregon se nëntë në dhjetë nxënës thonë se AI i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me shkollën, qoftë zgjidhjen e problemeve, kreativitetin apo përsëritjen”, shpjegon ajo.
“Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i AI e ka bërë shumë të lehtë kryerjen e punës për ta… Pra, kemi të bëjmë me një panoramë me nuanca.”
Ajo shton se shumë nxënës dëshirojnë më shumë udhëzime se si ta përdorin saktë inteligjencën artificiale.
ChatGPT, i cili sipas drejtorit ekzekutiv Sam Altman ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë çdo javë, ka publikuar një listë me 100 “prompte” për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.
Por profesori Wayne Holmes, studiues i inteligjencës artificiale dhe edukimit në University College London (UCL), thotë se kjo nuk mjafton.
Ai kërkon shumë më tepër kërkime akademike mbi efektet e mjeteve AI në procesin e të nxënit, përpara se nxënësit dhe studentët të inkurajohen gjerësisht t’i përdorin ato.
“Sot nuk ka prova të pavarura, në shkallë të gjerë, për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, as për sigurinë e tyre, apo madje për idenë se ato kanë ndikim pozitiv”, thotë ai për BBC-në.
Rezultate më të mira, por nxënie më e dobët?
Prof. Holmes i referohet edhe kërkimeve mbi atë që quhet atrofi kognitive, ku aftësitë e një personi dobësohen pas përdorimit të AI.
Ai përmend rastin e radiologëve që përdorin mjete AI për të interpretuar rrezet X përpara se të vendosin diagnozën.
Një studim i Shkollës së Mjekësisë në Harvard, i publikuar vitin e kaluar, zbuloi se ndihma e AI përmirësonte performancën e disa klinicistëve, por e dëmtonte atë të të tjerëve, për arsye që studiuesit ende nuk i kuptojnë plotësisht.
Autorët bënë thirrje për më shumë kërkime mbi mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me inteligjencën artificiale, në mënyrë që të gjenden forma përdorimi që “rrisin performancën njerëzore, në vend që ta dëmtojnë atë”.
Prof. Holmes shpreh shqetësimin se studentët, si në shkollë ashtu edhe në universitet, mund të bëhen tepër të varur nga AI për të kryer punën e tyre dhe, si pasojë, të mos zhvillojnë aftësitë themelore që ofron arsimi.
Një ese mund të marrë nota më të mira falë ndihmës së inteligjencës artificiale, por pyetja kryesore mbetet kjo: A përfundojnë studentët duke kuptuar më pak?
Siç e përmbledh ai, “Produktet e tyre janë më të mira, por në fakt të nxënit është më i dobët”.
Nga ana tjetër, Jayna Devani, drejtuese e arsimit ndërkombëtar në OpenAI, kompania që zotëron ChatGPT dhe e përfshirë në marrëveshjen me Universitetin e Oksfordit, thotë se kompania është “shumë e vetëdijshme për këtë debat”.
“Ne definitivisht nuk mendojmë se studentët duhet ta përdorin ChatGPT për të bërë punën”, thotë ajo për BBC-në.
Sipas saj, mjeti funksionon më mirë si tutor sesa si një burim i thjeshtë përgjigjesh. Ajo jep shembull përdorimin e ChatGPT në “study mode”, ku studenti mund të zhvillojë një dialog me chatbot-in.
Studenti fut pyetjen që e ka të vështirë dhe chatbot-i e ndan atë në pjesë, duke ndihmuar në kuptimin e saj.
Shembulli që ajo sjell është ai i një studenti që punon vonë natën për një temë që nuk e kupton plotësisht.
“Nëse keni një prezantim për të bërë dhe është mesnatë, nuk do t’i dërgoni email tutorit tuaj universitar për ndihmë. Mendoj se potenciali është realisht aty që ChatGPT të përshpejtojë të nxënit, nëse përdoret në mënyrë të duhur”, thotë ajo.
Megjithatë, Prof. Holmes këmbëngul se çdo student që përdor mjete AI duhet të jetë i vetëdijshëm se si funksionon arsyetimi i tyre dhe si i trajtojnë të dhënat kompanitë që i ofrojnë ato. Ai thekson se rezultatet duhet gjithmonë të verifikohen.
“Nuk u them kurrë studentëve të mi se nuk duhet ta përdorin AI-në… Por ajo që përpiqem të them është se duhet ta kuptojmë mirë, që të mund të marrim vendime të mira.”/kb

Shqipëria Sot me Jeta Kasemi, (20/12/2025)
12:00 Ndjesia e të mos bërit asgjë, ja pse është kaq e bukur (Lifestyle)
Italianët kanë një shprehje për këtë: dolce far niente. “Mosveprimi i ëmbël”, është një dhuratë për trupin e njeriut dhe mirëqenien tonë, të cilën për fat të keq nuk e kemi kuptuar rëndësinë e saj.
Shumë herë të premteve, kolegët e pyesin njëri-tjetrin “çfarë planifikoni të bëni këtë fundjavë ” dhe nëse përgjigjja juaj është “asgjë”, ata mund t’ju shikojnë çuditshëm. Sigurisht, keni interesa, hobi dhe punë shtëpie për të bërë, por ndonjëherë thjesht duhet të zgjidhni zgjidhjen e asgjësë për të pushuar vërtet. Sa herë që na ndodh diçka e tillë, pyesim veten pse ndjesia e të mos bërit asgjë është kaq e bukur. Sipas Julie Leonard, themeluese e Klubit të Lumturisë, trupat tanë nuk janë të projektuar për të punuar fizikisht dhe mendërisht 24 orë në ditë.
Pse duhet patjetër ta kalojmë kohën tonë të lirë në një mënyrë cilësore, për shembull duke lexuar një libër ose duke bërë punë shtëpie? Trupi ynë ka nevojë për pushim , të cilin shpesh nuk e gjen vetëm me tetë orë gjumë natën dhe tetë orë zakonisht janë rasti për njerëzit më me fat. Jeta jonë e përditshme është kaq e komplikuar tani, kaq e ngarkuar, nga puna, nga lajmet e këqija, madje edhe nga gjërat e këndshme që mund të na ndodhin, dhe kemi nevojë për një rivendosje, sipas Leonard.
Nuk është përtaci. Është një domosdoshmëri , thotë Leonard, duke theksuar se gjatë kësaj kohe kur nuk bëjmë asgjë, mendjet tona përpunojnë në mënyrë të pavetëdijshme atë që ka ndodhur gjatë gjithë ditës, organizojnë emocionet dhe mendimet tona dhe, sigurisht, largojnë stresin , në mënyrë që pas pushimit të jemi më funksionalë.
Jade Thomas i Luxe Psychology Practice pajtohet, duke theksuar nevojën për pushim, pasi na ndihmon të bëhemi më kreativë në jetën tonë, ndër të tjera. Në të vërtetë, lodhja nga puna është një realitet i ashpër në të gjithë botën dhe nëse nuk kujdesemi të vendosim kufij për veten dhe të tjerët, madje mund të jemi në rrezik të saj. Nuk është e mundur për hir të ritmit të shpejtë të jetës që të gjithë të duhet të zgjohen dhe të flenë zgjuar.
Që kjo të ndodhë, duhet të pajtohemi me veten dhe të vendosim vërtet se meritojmë një cilësi më të mirë jetese.
Mendimi se pushimi është humbje kohe duhet të hiqet nga jeta jonë e përditshme dhe të zëvendësohet me kujdesin për veten.
Kur zgjedhim të pushojmë, e lëmë mënjanë celularin ose çdo gjë tjetër që mund të na ndërpresë, i lëmë mënjanë axhendat tona, kompjuterin dhe më e rëndësishmja, njerëzit që nuk mund të na lënë vetëm, dhe gradualisht i gjithë ky proces do të bëhet pjesë e rutinës sonë. Nëse jemi mësuar të planifikojmë gjithçka dhe ta fusim në kalendar, le ta përfshijmë edhe këtë. Në këtë rast, do të jetë më e lehtë të arrijmë pushimin e përditshëm dhe të shpëtojmë nga efektet negative të stresit afatgjatë në jetën tonë./kb

-
- 08:30 Dom Gjergj Meta: Shkenca po zhvillohet vrullshëm, por kthen mbrapa zhvillimin e brendshëm të njeriut
08:30 Dom Gjergj Meta: Shkenca po zhvillohet vrullshëm, por kthen mbrapa zhvillimin e brendshëm të njeriut
Dom Gjergj Meta, i ftuar në “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, komentoi zhvillimet shkencore, të cilat, sipas tij, po kthejnë mbrapa “zhvillimin e brendshëm të njeriut”.
“Pavarësisht se njeriu mund të ecë para në aspekte të jashtme të tij, mund të ecë mbrapa në aspekte të tjera. Kush e mendonte që 80 vite pas Luftës së Dytë Botërore do të kishim luftëra të tjera në dyert e Evropës”, shtoi Dom Gjergj Meta.
Sipas tij, “antisemitizmi dhe racizmi janë ringjallur” ndërkohë që jemi në “kulmin e të drejtave të njeriut”./kb
