Gjatë bashkëbisedimit “E ardhmja e përbashkët e Europës: Zgjerimi dhe brezi i ri”, i zhvilluar në Paris dhe kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të ardhmes së brezit të ri, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për krijimin e shtetit bektashi në Tiranë.
I pyetur se në çfarë faze ndodhet ky projekt, Rama u përgjigj shkurt.
“Po punojmë për këtë dhe të shohim se ku do të mbërrijmë”, tha Rama./mxh
NASA ka hapur një fushatë të re rekrutimi për astronautët e ardhshëm, duke ofruar një pagë vjetore prej 164,395 dollarësh për kandidatët që do të bëhen pjesë e misioneve të ardhshme hapësinore. Të përzgjedhurit do të përfshihen në programet për rikthimin e njeriut në Hënë, ndërtimin e një baze hënore dhe përgatitjen e misioneve të para me ekuipazh drejt Marsit.
Agjencia amerikane e hapësirës po kërkon profesionistë të rinj për të ndihmuar në atë që e cilëson si “shkrimin e kapitullit të ardhshëm të fluturimeve hapësinore me njerëz”.
“Dritarja është e hapur. Misioni po pret. Dhe e vetmja gjë që mungon në aventurën më të madhe në të cilën është përfshirë ndonjëherë njerëzimi, je ti”, deklaroi zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson.
Sipas njoftimit, aplikimet do të pranohen deri më 3 dhjetor, në orën 23:59 sipas orës lindore të SHBA-së. Paga vjetore e ofruar është 164,395 dollarë, më shumë se dyfishi i pagës mesatare vjetore kombëtare në SHBA, e cila sipas të dhënave të përmendura në njoftim është 64,220 dollarë.
Kandidatët duhet të jenë shtetas amerikanë dhe të kenë një diplomë master në një nga fushat STEM, si inxhinieria, shkencat biologjike, shkencat fizike ose informatika, të marrë në një institucion të akredituar.
Kërkesa për master mund të plotësohet edhe nga kandidatët që kanë përfunduar të paktën dy vite studime në një program doktorature. Përveç formimit akademik, aplikantët duhet të kenë të paktën tre vite përvojë profesionale në një fushë përkatëse dhe pesë referenca profesionale.
Ata duhet gjithashtu të kalojnë testet fizike të NASA-s për fluturime hapësinore me kohëzgjatje të gjatë dhe të dëshmojnë aftësi të forta në drejtim, bashkëpunim në grup dhe komunikim.
Kandidatët që do të përzgjidhen do t’i bashkohen trupës aktive të astronautëve të NASA-s, e cila aktualisht numëron 32 anëtarë. Trajnimi do të zgjasë dy vite dhe do të zhvillohet në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston.
Gjatë kësaj periudhe, astronautët e ardhshëm do të mësojnë një sërë aftësish të specializuara, përfshirë pilotimin e avionëve reaktivë T-38, komandimin e krahëve robotikë, kryerjen e ecjeve hapësinore dhe operimin në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Përgatitja do të përfshijë gjithashtu studimin e gjeologjisë hënore dhe aftësitë e nevojshme për misionet e ardhshme në hapësirën e thellë.
Megjithatë, puna si astronaut kërkon edhe sakrifica të konsiderueshme personale. NASA paralajmëron se misionet mund të zgjasin 12 muaj ose më shumë, duke përfshirë izolim ekstrem, kushte të vështira jetese dhe qëndrim larg familjarëve dhe njerëzve të dashur.
NASA zhvilloi fushatën e fundit të rekrutimit në vitin 2024, kur përzgjodhi 10 kandidatë për astronautë nga më shumë se 8 mijë aplikime. Që nga fillimi i programit hapësinor në mesin e shekullit XX, agjencia amerikane ka përzgjedhur gjithsej 370 persona për trajnimin si astronautë.
Procesi i ri i përzgjedhjes do të nisë me shqyrtimin e aplikimeve. Kandidatët me rezultatet më të larta do të ftohen për intervistën e parë në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston, ndërsa rreth gjysma e tyre do të kalojnë në fazën e dytë të intervistave.
Scott Tingle, drejtuesi i trupës së astronautëve dhe kryetari i Bordit të Përzgjedhjes së Astronautëve në NASA, theksoi rëndësinë e këtij angazhimi.
“Për ata që aplikojnë, të bëhesh astronaut i NASA-s është më shumë sesa një mundësi karriere. Është një shans për t’iu bashkuar një trashëgimie eksploruesish që kanë shtyrë kufijtë e zbulimit dhe për të luajtur një rol në misionet që do të formësojnë të ardhmen e njerëzimit në hapësirë”, deklaroi ai.
NASA e shoqëroi njoftimin e rekrutimit me një video promovuese në rrjetin social X, ku shfaqen disa prej astronautëve të saj dhe slogani: “Universi po të thërret”.
Një mundësi që premton jo vetëm një pagë prej më shumë se 164 mijë dollarësh në vit, por edhe pjesëmarrjen në misionet që synojnë të çojnë njerëzimin drejt një epoke të re të eksplorimit të hapësirës.
Drejtuesi i motorit, i cili u aksidentua ditën e djeshme në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka humbur jetën.
Përplasja e automjetit dhe motoçikletës ndodhi në afërsi të fshatit Haskovë, Dropull.
Automjeti i drejtuar nga E. R., 35 vjeç, banues në fshatin Nepravishtë të Libohovës, u përplas me një motomjet që drejtohej nga T. A., 64 vjeç, banues në fshatin Dervician.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motomjetit mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Pavarësisht ndihmës mjekësore 64-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve duke ndërruar jetë. Ndërkaq 35-vjecari është arrestuar nga policia./et
Kosova ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar me personel ushtarak në misionet e sigurisë dhe policimit në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuse (ISF), për dislokimin e së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë nisur përgatitjet ushtarake pranë kufirit të enklavës palestineze së shkatërruar nga Izraeli.
Kosova është një nga gjashtë vendet që deri më tani i janë bashkuar ISF-së, krahas Shqipërisë, Indonezisë, Marokut, Kazakistanit dhe Ugandës. Ajo ka propozuar angazhim në misionet e sigurisë dhe operacionet e ruajtjes së rendit publik, kurse Kazakistani ka ofruar ndihmë mjekësore dhe logjistike, sipas mediumit izraelit Walla.
Qeveria e Izraelit i ka dhënë miratimin SHBA-sër vendosjen fillestare të rreth 250 pjesëtarëve të ushtrive partnere në Gaza. Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura hollësi për numrin e pjesëtarëve që Kosova mund të dërgojë, natyrën e angazhimit të tyre apo afatin e mundshëm të dislokimit të tyre në brendësi të territorit të Gazës./mxh
Momente paniku në bordin e një avioni të kompanisë Ryanair që udhëtonte nga Barcelona drejt Venecias, pasi papritur u aktivizua alarmi i zjarrit.
Pas shqetësimit të krijuar mes pasagjerëve, u zbulua se shkak ishte një student spanjoll, i cili ishte mbyllur në tualet për të përdorur cigaren elektronike. Tashmë ai rrezikon një gjobë të majme, procedim penal dhe përjashtim nga fluturimet e kompanisë.
Mediat e huaja shkruajnë se ngjarja ndodhi paraditen e së dielës, më 8 nëntor, kur i riu po udhëtonte drejt Venecias së bashku me shokët e klasës në një ekskursion shkollor.
Duke menduar se nuk do të zbulohej, studenti ishte futur në tualetin e avionit për të përdorur cigaren elektronike, duke shpërfillur ndalimin e vendosur qartë në derën e ambienteve sanitare. Por tymi i krijuar në hapësirën e vogël u kap nga detektorët dhe aktivizoi alarmin e zjarrit në të gjithë avionin.
Sirena shkaktoi shqetësim dhe panik mes dhjetëra pasagjerëve. Për fat të mirë, ekuipazhi arriti të identifikonte burimin e alarmit brenda pak sekondash dhe u konstatua se nuk kishte zjarr, defekt teknik apo rrezik për jetën e udhëtarëve.
Megjithëse studenti tentoi të mohonte veprimin e tij, komandanti kërkoi ndërhyrjen e policisë sapo avioni u ul normalisht në aeroportin Marco Polo të Venecias. I riu u shoqërua në ambientet e Policisë Kufitare, ndërsa tashmë përballet me pasoja të mundshme ligjore.
Studenti në fluturimin Barcelona-Venecia rrezikon një gjobë prej më shumë se 2 mijë eurosh, kallëzim në prokurori, përfshirë edhe atë për të miturit nëse është nën moshën 18 vjeç, si dhe ndalimin e ardhshëm të udhëtimit me Ryanair.
Ndërkohë ndalimi i duhan pirjes gjatë fluturimit parashikohet nga neni 1231 i Kodit të Navigacionit në Itali dhe përfshin si cigaret tradicionale, ashtu edhe ato elektronike. Një nga rreziqet kryesore është mundësia e shkaktimit të zjarrit në bord, qoftë nga hiri i ndezur, qoftë nga bateritë e litiumit që përdoren në cigaret elektronike.
Gjithashtu, duhan pirja mund të ndikojë në cilësinë e ajrit brenda avionit, ku ajri filtrohet dhe riciklohet vazhdimisht./et
Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare të shtunën, më 14 nëntor, në kompleksin “Mövenpick” në Gjirin e Lalëzit, Durrës. Mbledhja do të nisë në orën 10:30, ndërsa konfirmimi u është komunikuar zyrtarisht anëtarëve të Asamblesë përmes një mesazhi.
“Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS! Ju njoftojmë që ditën e shtunë (14.11.2026), ora 10:30, Lalëz, Durrës do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare e Partisë Socialiste”, thuhet në njoftimin e dërguar anëtarëve, të cilëve u kërkohet të marrin masat për pjesëmarrjen.
Në këtë mbledhje pritet që fokusi kryesor të jetë përgatitja e Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të vitit 2027, si dhe organizimi i strukturave në të 46 bashkitë.
Një tjetër çështje me interes pritet të jetë formula që do të përdoret për përzgjedhjen e kandidatëve socialistë për kryetarë bashkish.
Vëmendje pritet t’i kushtohet edhe zhvillimeve politike brenda Partisë Socialiste, përfshirë debatet e fundit dhe qëndrimet e figurave të ndryshme të kësaj force politike. Deri më tani nuk është bërë publike axhenda zyrtare e mbledhjes dhe as temat konkrete që do të diskutohen.
Asambleja Kombëtare e 14 nëntorit pritet të shërbejë si një moment për diskutimin e organizimit të brendshëm të PS-së dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027./et
Klubi i Partizanit ka publikuar pamjet nga punimet dhe transformimi që po kryhet në kompleksin sportiv të të kuqve.
Projekti synon t’i japë një pamje të re impiantit, duke e kthyer atë në një kompleks modern, me kushte dhe standarde bashkëkohore për zhvillimin e futbollit.
Punimet vijojnë, ndërsa shumë shpejt Partizani pritet të ketë në dispozicion një kompleks tërësisht të transformuar, që do t’i shërbejë ekipit të parë dhe strukturave të klubit.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka konfirmuar se Lamine Yamal do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së dielës kundër Anglisë, pavarësisht shqetësimeve fizike që ka pasur në gjurin e djathtë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve EFE, tekniku spanjoll bëri të ditur se gjendja e yllit të Barcelonës nuk është shqetësuese, por stafi teknik vendosi të mos rrezikojë me aktivizimin e tij në sfidën kundër Republikës Çeke.
Sipas De la Fuentes, Yamal kishte mundësi të luante edhe këtë të enjte, por shqetësimet fizike nuk e lejonin të ishte në formën e tij optimale. Për këtë arsye, u vendos që futbollisti të qëndronte në Barcelonë dhe të rikuperohej plotësisht për duelin e rëndësishëm ndaj Anglisë.
“Me shumë mundësi, ai ishte i gatshëm të luante. Nëse do të kishim pasur një urgjencë, do të kishim vendosur ta aktivizonim, por nuk ia vlente të merrnim asnjë rrezik. Fillimisht mendojmë për shëndetin e tij dhe më pas duam që të jetë në gjendje perfekte për të dielën”, deklaroi De la Fuente.
Trajneri spanjoll zbuloi se shqetësimet e sulmuesit datojnë nga ndeshja e fundit e Ligës së Kampionëve kundër Aston Villas, ku një inflamacion i lehtë i shkaktuar në gjurin e djathtë e pengoi të ishte në gjendjen më të mirë fizike.
Pritet që Yamal t’i bashkohet përfaqësueses në Las Rozas të enjten në mbrëmje ose të premten në mëngjes, duke pasur kështu mundësinë të zhvillojë dy seanca stërvitore përpara përballjes me Anglinë.
De la Fuente flet edhe për Oyarzabalin
Përveç situatës së Lamine Yamal, De la Fuente foli edhe për sulmuesin e Real Sociedadit, Mikel Oyarzabal. Ky i fundit po rikuperohet nga gripi, por vonesa në bashkimin me kombëtaren lidhet edhe me një arsye familjare, pasi bashkëshortja e tij është në pritje të fëmijës së dytë.
“Jemi në pritje të lindjes së fëmijës së tij. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe sa më shpejt, në mënyrë që ai të mund të bashkohet me ne. Duhet të presim deri në momentin e fundit”, u shpreh trajneri.
Ndërkohë, De la Fuente konfirmoi se Martin Zubimendi nuk do të ketë probleme për t’u aktivizuar, pavarësisht maskës mbrojtëse që mban pas një frakture në hundë. Mesfushori i Arsenalit ka luajtur edhe më parë me maskë dhe është plotësisht i gatshëm për dy ndeshjet e radhës.
Lajmi kryesor për Spanjën mbetet rikthimi i pritshëm i Lamine Yamalit, i cili pritet të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm në përballjen me Anglinë./et
Kryeministri Edi Rama tha nga Parisi se Kosova është një shtet i pavarur dhe sipas tij, nuk ka asnjë mënyrë për të ‘rikthyer një fantazi të re serbe’.
Sipas Ramës, sa më shpejtë që edhe serbët ta pranojnë paravarësinë e Kosovës, aq më mirë do të jetë edhe për ta, ‘sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht përsa i takon marrëdhënieve në rajon’.
“Shqipëria ka qenë vend paqedashës. Ka disa gjëra për të cilat nuk mund të zgjedhësh. S’mund të zgjedhësh dot kushërinjtë e fqinjët. Më mirë të shkosh mirë me fqinjin, se pastaj gjen belanë. Sa i takon çështjes për Serbinë e Kosovën mbetet një pikëpyetje. Kosova është një shtet i pavarur, s’ka më kthim pas, s’ka asnjë mënyrë për ta rikthyer një fantazi të re serbe. Sa më shpejtë që serbët ta njohin si një fakt jete, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht përsa i takon marrëdhënieve në rajon”, tha kryeministri Rama./mxh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i bëri thirrje udhëheqjes së re të Serbisë që të njohë realitetin që Kosova është shtet i pavarur.
Në një bashkëbisedim me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), Kurti theksoi gjithashtu që Serbia të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, duke kërkuar dorëzimin e Milan Radoiçiçit, të cilin e cilësoi si organizatorin kryesor të sulmit ku mbeti i vrarë një efektiv policie.
“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, tha Kurti.
Ai u shpreh se Serbia duhet të ndalë fushatën kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa bëri thirrje edhe për një qasje më të drejtë të BEndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti rikujtoi gjithashtu rëndësinë e njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së dhe katër shtetet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, duke theksuar se historia e Kosovës nuk mund të krahasohet me lëvizjet e tjera separatiste.
“Çështja e tretë, e ndërlidhur ngushtë me dialogun me Serbinë, është njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur atë. Besojmë se ato duhet ta kuptojnë se rrethanat në të cilat lindi vendi ynë, represioni, spastrimi etnik dhe gjenocidi që përjetoi populli ynë, nuk mund të barazohen thjesht me lëvizjet separatiste me të cilat nganjëherë bëhen paralele”, tha ai./mxh
Pas disa muajsh pa u shfaqur në rrjetet sociale, këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku është rikthyer me një video të re, e cila është publikuar në TikTok nga biznesmeni Elton Ilirjani.
Në pamjet e shpërndara, artistja shfaqet me pamje të kuruar dhe e buzëqeshur, ndërsa përshëndet shqiptarët nga New York-u.
“Ju përshëndes të gjithëve nga New York, ju dua. Më shumë dashuri dhe mirënjohje, Parashqevia”, shprehet këngëtarja në videon e publikuar.
Mesazhi i saj i shkurtër përcjell dashuri dhe mirënjohje për publikun shqiptar, ndërsa shfaqja e saj pas disa muajsh mungesë ka tërhequr interesin e ndjekësve./et
Një tjetër dëshmi e historisë dhe arkitekturës tradicionale të Shkodrës po shkon drejt rrënimit.
Kalimi i viteve po merr me vete jo vetëm një ndërtesë karakteristike, por edhe gjurmë të kujtesës, traditës dhe trashëgimisë kulturore të qytetit. Kjo është shtëpia e familjes Kraja në Shkodër, e ndërtuar në …shekullin e 18-të dhe e shpallur monument kulture i kategorisë së parë.
Sot, banesa është e pabanuar dhe në gjendje të rëndë. Afresket, tavanet e punuara, dyert, dritaret, sergjitë dhe trapazani, elemente që dëshmojnë mjeshtërinë e arkitekturës shkodrane, po degradojnë dita-ditës.
Afrim Kraja, pasardhës i familjes dhe pronar i kësaj banese, kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të shpëtuar objektin nga shembja. Ai kërkon restaurimin e tij nga shteti, ose në të kundërt, rishikimin e statusit monument kulture.
Si kjo shtëpi qe mbart historinë dhe traditën e Shkodrës, janë edhe shtëpi te tjera dhe zona muzeale e gjuhadolit qe dita ditës po degradojnë.
E keni mbyllur darkën, ndiheni të ngopur dhe mendoni se nuk keni më nevojë për ushqim. Por, vetëm gjysmë ore më vonë, e gjeni veten duke kërkuar diçka të ëmbël në kuzhinë. Një zakon që u ndodh shumë njerëzve dhe që nuk lidhet gjithmonë me urinë e vërtetë apo mungesën e vetëkontrollit.
Sipas një studimi, rreth një e treta e njerëzve konsumojnë ushqime të lehta çdo mbrëmje pas darkës. Kjo prirje është edhe më e theksuar te të rinjtë e moshës 18-24 vjeç, ku katër në pesë persona e kanë të vështirë t’i rezistojnë tundimit për të ngrënë diçka para gjumit.
Por pse ndodh kjo? Dietologia Dr. Kristine Beaulieu shpjegon se oreksi ynë ka tendencë të rritet natyrshëm gjatë orëve të mbrëmjes. Një nga arsyet lidhet me grelinën, hormonin që nxit urinë, nivelet e të cilit priren të jenë më të larta në pjesën e vonë të ditës.
Edhe përbërja e vakteve ndikon në këtë proces. Nëse darka nuk përmban mjaftueshëm proteina, fibra dhe ushqime që japin ndjesinë e ngopjes, uria mund të rikthehet më shpejt. Nga ana tjetër, ngrënia para televizorit apo gjatë aktiviteteve të tjera mund të kthehet në një zakon që trupi e lidh automatikisht me dëshirën për të konsumuar diçka.
Nuk është vetëm uria ajo që na drejton drejt frigoriferit. Studimet sugjerojnë se në orët e mbrëmjes rritet edhe dëshira për ushqime me shumë kalori, veçanërisht ato që përmbajnë sheqer, yndyrë dhe kripë.
Kjo lidhet me sistemin e shpërblimit në tru, i cili aktivizohet nga këto ushqime dhe mund të na shtyjë të kërkojmë diçka të ëmbël edhe kur jemi të ngopur. Pra, dëshira për një çokollatë apo disa biskota pas darkës nuk do të thotë domosdoshmërisht se organizmi ka nevojë për më shumë energji.
Lidhja mes ushqimit të konsumuar në mbrëmje dhe gjumit nuk është ende plotësisht e qartë. Megjithatë, dihet se vaktet e rënda, të konsumuara shumë vonë, mund të vështirësojnë tretjen dhe të ndikojnë në përgatitjen natyrale të organizmit për gjumë.
Disa studime kanë vënë re gjithashtu një lidhje mes konsumit të lartë të karbohidrateve të rafinuara dhe sheqernave të shtuara, si buka e bardhë, orizi i bardhë, biskotat dhe ëmbëlsirat, me një cilësi më të dobët të gjumit.
Nga ana tjetër, edhe mungesa e gjumit mund të shtojë oreksin dhe dëshirën për ushqime me shumë kalori. Kjo e bën më të vështirë përcaktimin nëse janë ushqimet ato që ndikojnë te gjumi apo nëse lodhja na shtyn të hamë më shumë.
Sipas ekspertëve, hapi i parë është të kuptoni nëse po hani sepse keni vërtet uri apo thjesht sepse jeni mësuar ta bëni këtë.
Nëse ndiheni të uritur, mund të ndihmojë përfshirja e më shumë proteinave dhe fibrave në vaktet e ditës, veçanërisht në darkë. Ndërsa, nëse ngrënia është kthyer në një zakon, ndryshimi i rutinës mund të bëjë diferencën.
Disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë:
Shmangni ngrënien para televizorit, pasi shpërqendrimi mund t’ju bëjë të konsumoni më shumë pa e kuptuar.
Mbani në shtëpi alternativa më të shëndetshme, si fruta, kos dhe arra.
Nëse dëshironi diçka të ëmbël, zgjidhni një porcion të vogël në vend që ta ndaloni plotësisht veten.
Planifikoni paraprakisht çfarë do të konsumoni në mbrëmje, në mënyrë që të mos veproni vetëm nga impulsi.
Ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të hiqni dorë plotësisht nga ushqimet që pëlqeni. Edhe çokollata apo një ëmbëlsirë herë pas here mund të jenë pjesë e një regjimi të ekuilibruar. Sekreti qëndron te masa dhe te zgjedhjet që bëni çdo ditë.
Në fund të fundit, qëllimi nuk është të shkoni në shtrat të uritur, por të kuptoni sinjalet e trupit dhe të mos lejoni që zakonet e mbrëmjes të diktojnë gjithmonë atë që hani./mxh
Më 1 janar të vitit të ardhshëm, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) pritet të nisë zbatimin e autonomisë financiare, një reformë që synon të sjellë përmirësim të shërbimeve dhe rritje të cilësisë së kujdesit për pacientët.
Po kështu, është parashikuar edhe nisja e funksionimit të Institutit të Onkologjisë, së bashku me aparaturën e shumëpërfolur të PET Scan, e cila pritet të përmirësojë diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Për këtë vit, vetëm për Qendrën Spitalore Universitare janë planifikuar 16.3 miliardë lekë buxhet. Megjithatë, gjatë diskutimeve në Komisionin e Shëndetësisë, deputetët kanë ngritur shqetësime për mungesën e barnave, si dhe për pajisjet mjekësore që nuk janë funksionale në mënyrë të vazhdueshme.
Në buxhetin e ri janë parashikuar 6.3 miliardë lekë për barna dhe materiale mjekësore, 396 milionë lekë për investime, 900 milionë lekë për materiale dhe pajisje laboratorike, 780 milionë lekë për sterilizimin e integruar, si dhe 566 milionë lekë për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.
Ndërkohë, gjatë vitit 2027 pritet të përfundojë ndërtimi i godinës së re të Pediatrisë, si dhe të realizohen investime për shërbimin e Djegie-Plastikës, Psikiatrinë dhe shërbime të tjera spitalore.
Një tjetër problematikë që pritet të marrë zgjidhje është edhe parkimi brenda territorit të QSUT-së. Çdo ditë, në ambientet e qendrës spitalore hyjnë rreth 1,800 automjete, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe në gjetjen e vendeve të parkimit për pacientët dhe familjarët e tyre./et
Përplasjet për mënyrën e menaxhimit të zjarrit tragjik në Elbasan u zhvendosën edhe në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes.
Deputeti i opozitës, Isuf Çela, kritikoi ndërhyrjen e strukturave zjarrfikëse, duke e cilësuar të papranueshme që flakët në pallatin ku humbën jetën dy persona të shuheshin me një zorrë uji, ndërsa për protestat përdoren mjete që hedhin ujë me presion në distanca deri në 300 metra.
“Javën e kaluar ndodhi një situatë e rënies së zjarrit në një pallat në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Mënyra e menaxhimit të asaj situate linte shumë për të dëshiruar. Tregon filozofinë e kësaj qeverisjeje në 13 vite, vetëm pjesën e fasadës. Fikja e zjarrit atje bëhej vetëm me një zorrë uji, sikur po ujit lulishten, ndërkohë që në shesh makineritë e hedhjes së ujit, për të shtyrë studentët, për të shtyrë protestuesit, e çojnë në 200 m, 300 m, në antitezë me atë që ndodhi në Elbasan”, tha deputeti demokrat.
Në përgjigje të akuzave, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, pranoi se ndërhyrja në momentet e para ishte shoqëruar me vështirësi, duke evidentuar mungesën e përvojës për përballimin e një ngjarjeje të kësaj përmase.
“Për zjarrin në Elbasan, sigurisht që zjarri është një fenomen që në momentet e para ka efektet e panikut edhe për qytetarët, por në momente të caktuara edhe për strukturat operacionale. Ne kemi angazhuar të gjitha kapacitetet, deri te autoshkallët, qoftë në Tiranë dhe në Elbasan. Ka pasur një risk të shtuar për banorët e pallatit, mbase edhe përvoja për një aksident të tillë, se është një aksident që sjell pasoja të konsiderueshme, ka qenë e munguar nga ekspertët, specialistët në momentin e parë, se shkaqet dalin pasi menaxhohet një situatë e tillë”, u shpreh Çako.
Çako theksoi se për shuarjen e flakëve dhe shpëtimin e banorëve u angazhuan të gjitha kapacitetet në dispozicion, ndërsa operacioni përfundoi me gjetjen e viktimës së fundit në mesnatë.
“Njësitë e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura dhe të Mbrojtjes ndaj Zjarrit kanë operuar gjatë gjithë natës dhe kanë siguruar jetën e banorëve të pallatit dhe kanë siguruar në mesnatë edhe kanë gjetur viktimën”, theksoi kreu i emergjencave.
Zjarri në Elbasan, i cili dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja i bombolës së gazit i mori jetën 2 të moshuarve, pronarit të banesës ku ndodhi shpërthimi dhe një gruaje në katin sipër. Si pasojë, dhjetëra familje kanë mbetur pa strehë, pasi godina është shpallur e pabanueshme dhe mund të prishet./et
Apartamente të pashitura dhe çmime që i afrohen atyre të kryeqytetit.
Kjo është situata e tregut të banesave në Elbasan ku blerja e një shtëpie është bërë shumë e vështirë.
Specialistët thonë se në rritjen e konsiderueshme të çmimeve ka ndikuar afërsia gjeografike me Tiranën.
Çmimet e apartamenteve të reja dhe ato ekzistuese nuk kanë dallim të konsiderueshëm në Elbasan.
Për prenotomin e një apartamenti çmimi minimal luhatet në 1 mijë euro m2 teksa maksimali mbi 1300 euro. Blerës janë kryesisht emigrantët dhe ata që munden të përballojnë një kredi bankare./et
Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur avionët ushtarakë amerikanë nga një bazë ajrore në Britaninë e Madhe, pas një kërcënimi të lidhur me Iranin. Lajmi është raportuar nga gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, e cila citon burime të njohura me çështjen.
Bëhet fjalë për bazën ushtarake britanike RAF Mildenhall, e cila përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së. Sipas WSJ, autoritetet amerikane janë duke shqyrtuar natyrën e saktë të kërcënimit ndaj kësaj baze. Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve, të analizuara nga CNN, tregojnë se të hënën janë zhvendosur 10 avionë amerikanë të furnizimit me karburant në ajër, të tipit KC-135 Stratotanker.
Katër prej tyre u transferuan në bazën ajrore Spangdahlem në Gjermani, një në bazën Ramstein, gjithashtu në Gjermani, katër në bazën Moron në Spanjë dhe një në aeroportin Glasgow Prestwick në Skoci. Paralelisht me zhvendosjen e avionëve, autoritetet amerikane kanë rritur nivelin e sigurisë në bazat RAF Mildenhall dhe RAF Lakenheath në kategorinë FPCON Charlie.
Sipas “The Wall Street Journal” dhe medias së specializuar për çështjet e mbrojtjes “The War Zone”, duke cituar një zyrtar amerikan, ky është niveli i dytë më i lartë në sistemin e mbrojtjes së forcave të Pentagonit dhe nënkupton se ekziston mundësia e një akti terrorist ose të një sulmi të synuar.
“Ne marrim masa paraprake për të garantuar që avionët, personeli dhe instalimet tona të mbeten të sigurta dhe të mbrojtura”, tha një zyrtar amerikan për CNN.
Ndërkohë, një zyrtar tjetër nga Komanda Europiane e SHBA-së deklaroi se avionët ushtarakë amerikanë zhvendosen rregullisht mes bazave dhe pikave të ndryshme të operimit për arsye të ndryshme, përfshirë stërvitjet dhe nevojat reale operacionale.
“Për arsye të sigurisë operacionale, nuk do të japim informacione të mëtejshme mbi lëvizjen e mjeteve ushtarake”, theksoi zyrtari.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes deklaroi se autoritetet britanike “nuk komentojnë në mënyrë rutinë aktivitetet e vendeve të tjera”. Ai shtoi se “avionët dhe mjetet e tjera zhvendosen rregullisht në përputhje me kërkesat operacionale”.
Zhvendosja e avionëve vjen pas një tjetër kërcënimi të lidhur me Iranin, të raportuar muajin e kaluar ndaj bazës ajrore britanike RAF Fairford. Kjo bazë ishte përdorur nga bombarduesit amerikanë B-1 për të kryer sulme ndaj Iranit. Megjithatë, avionët u tërhoqën për arsye sigurie, pak kohë pasi pesë persona u arrestuan në orët e para të mëngjesit të 27 shtatorit, jashtë bazës ushtarake.
Prokuroria britanike ngriti akuza ndaj dy shtetasve britanikë në bazë të Ligjit për Sigurinë Kombëtare (National Security Act), në lidhje me incidentin jashtë RAF Fairford. Policia britanike bëri të ditur se dy personat dyshoheshin për ndihmë ndaj Iranit. Deri më tani, autoritetet amerikane nuk kanë bërë publike hollësi të mëtejshme mbi natyrën e kërcënimit ndaj bazës RAF Mildenhall./et
Aktorja legjendare Elizabeth Taylor u angazhua fuqishëm në luftën kundër AIDS-it, në një kohë kur të prekurit nga sëmundja përballeshin me frikë dhe paragjykime. Ajo vizitonte pacientët në spitale, i përqafonte dhe i puthte, edhe kur mjekët hezitonin t’u afroheshin.
Një prej këtyre episodeve, gjatë një vizite në Tajlandë në fillim të viteve 1990, është rrëfyer nga miku i saj, Trip Henise, për revistën “People”, 15 vjet pas vdekjes së aktores. Ai e kishte shoqëruar Taylor gjatë udhëtimit dhe kujton se në atë kohë AIDS-i përbënte një krizë të rëndë shëndetësore në mbarë botën.
“Një nga gjërat që më kujtohet më shumë është udhëtimi ynë së bashku në Tajlandë. Ishte koha e krizës së AIDS-it. Ajo kishte shkuar atje për t’u marrë me këtë çështje dhe në spital kishte një pavijon të tërë me pacientë të prekur nga sëmundja. Madje, shumë prej mjekëve nuk dëshironin t’i preknin këta njerëz”, tregoi ai.
Sipas Henise, aktorja iu afrua pacientëve pa hezitim, duke u përpjekur të thyente paragjykimet për transmetimin e virusit.
“Elizabeth hyri brenda dhe përdori gjithë ndikimin e saj. U fotografua duke i përqafuar dhe puthur këta njerëz dhe kjo ndryshoi vërtet shumë gjëra në atë vend. Ajo u thoshte njerëzve: ‘AIDS-i nuk transmetohet në këtë mënyrë. Mund të tregoni mirësi. Mund të qëndroni pranë këtyre njerëzve’”, rrëfeu ai.
Vizitat në spitale mbaheshin larg kamerave
Angazhimi i Elizabeth Taylor në luftën kundër AIDS-it mbetet një nga pjesët më të rëndësishme të trashëgimisë së saj, përtej karrierës në kinema. Në një intervistë për “People” në vitin 2024, avokatja dhe mikja e aktores, Barbara Berkovitz, zbuloi se në arkivin personal të Taylor kishte gjetur dëshmi për vizitat e saj te pacientët.
Edhe pse përdorte famën për të ndërgjegjësuar publikun dhe për t’i kërkuar qeverisë së presidentit të atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, të merrte masa kundër epidemisë, shumë prej vizitave zhvilloheshin larg vëmendjes mediatike.
“Ajo nuk fotografohej gjatë vizitave në pavijonet e spitaleve ku trajtoheshin pacientët me AIDS, sepse dëshironte që vëmendja të përqendrohej te ata dhe jo tek vetja”, shpjegoi Berkovitz.
Edhe Tim Mendelson, ish-asistenti personal i aktores, i cili kishte nisur të punonte me të në vitin 1990, konfirmoi se Taylor nuk kërkonte gjithmonë vëmendjen publike.
“Ajo ishte e lumtur kur arrinte të qëndronte anonime”, tha ai.
Megjithatë, aktorja e kuptonte se në raste të caktuara fama e saj mund të ndihmonte në ndryshimin e qëndrimit të shoqërisë ndaj pacientëve me AIDS.
“Duhet të jem e pranishme, sepse kështu njerëzit mobilizohen”
Elizabeth Taylor besonte se popullariteti i saj mund të shërbente për kauza të rëndësishme dhe të ndihmonte njerëzit që përballeshin me paragjykime.
Në një deklaratë të publikuar nga Fondacioni Elizabeth Taylor për AIDS-in, aktorja kishte shpjeguar pse e konsideronte të rëndësishme praninë e saj në aktivitetet ndërgjegjësuese.
“Duhet të jem e pranishme, sepse kjo i mobilizon njerëzit. Ata e dinë se nuk jam aty për të shitur diçka apo për të përfituar personalisht. Jam aty për të njëjtën arsye si ata: për të arritur diçka që ka vërtet rëndësi”./mxh
Stuhia atlantike Charles pritet të godasë Portugalinë më 11 nëntor, me erëra që në zonat më të ekspozuara mund të arrijnë deri në 140 kilometra në orë.
Autoritetet portugeze kanë shpallur paralajmërim të kuq në tetë distrikte, përfshirë Lisbonën, ndërsa kanë vendosur mbylljen e shkollave dhe shërbimeve publike joesenciale.
Sipas BBC Weather, moti i keq do të prekë edhe jugun e Francës dhe veriperëndimin e Italisë, përpara se reshjet dhe erërat e forta të përfshijnë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Në Shqipëri, përkeqësimi më i ndjeshëm i motit pritet të premten, më 13 nëntor veriu dhe veriperëndimi do të përballen me rrebeshe të forta, ndërsa në pjesën tjetër të vendit reshjet parashikohen më të pakta.
Të enjten dhe të premten, era mund të kalojë 80 kilometra në orë në det të hapur dhe të arrijë rreth 65 kilometra në orë pranë brigjeve jugperëndimore. Në Kroaci, përgjatë Adriatikut, parashikohen erëra me forcë stuhie, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë reshjet më intensive priten në Hercegovinë dhe në perëndim të vendit.
Në zonat malore, gjatë natës drejt së shtunës, shiu mund të kthehet në dëborë. Moti i paqëndrueshëm pritet të prekë gjithashtu Malin e Zi, Slloveninë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe pjesë të Greqisë./et
Shqipëria është rritur dhe përmirësuar ndjeshëm në sezonin e fundit sa i takon renditjes që bëhet nga UEFA për Fair Play për sezonin 2025/26. Vendi ynë renditet i pari në Europë për përmirësimin e treguesve të Fair Play nga një sezon në tjetrin.
Sipas raportit zyrtar të UEFA-s, Shqipëria ka arritur të kapë shifrën e 7.789 pikë për sezonin 2025/26, duke përmirësuar ndjeshëm rezultatin prej 7.503 pikësh të sezonit të mëparshëm. Diferenca pozitive prej 0.286 pikësh e vendos Shqipërinë në krye të kësaj kategorie, përpara Islandës, që renditet e dyta me një përmirësim prej 0.263 pikësh, dhe Sllovenisë, në vendin e tretë, me 0.250 pikë më shumë se sezoni paraardhës.
Ky rezultat e pozicionon Shqipërinë përpara 50 federatave të tjera europiane të përfshira në renditje. Renditja e UEFA-s bazohet në rezultatet e Fair Play të regjistruara në të gjitha ndeshjet e kompeticioneve europiane, në nivel klubesh dhe kombëtaresh, të zhvilluara nga 1 korriku 2025 deri më 30 qershor 2026. Në vlerësim janë përfshirë federatat që kanë zhvilluar të paktën 50 ndeshje në kompeticionet e UEFA-s.
UEFA ndan vlerësime në tri kategori: Fair Play i përgjithshëm, përmirësimi i rezultatit të Fair Play nga një sezon në tjetrin dhe sjellja e spektatorëve. Në kategorinë e rezultatit të përgjithshëm, vendin e parë e ka siguruar Islanda me 8.533 pikë, ndërsa në kategorinë e sjelljes së spektatorëve është vlerësuar Uellsi me 9.125 pikë.
Përmirësimi i Shqipërisë në këtë renditje përbën një vlerësim pozitiv në nivel europian, duke e vendosur futbollin shqiptar në krye të federatave për progresin e treguar në treguesit e Fair Play gjatë sezonit 2025/26./et