10:50 “Nuk e ndieja më tokën poshtë këmbëve”, Gigliola Haveriku ndan foton nga spitali me nënën: Asgjë nuk na mposht!
Gigliola Haveriku ka ndarë në rrjetet sociale një nga momentet më të vështira me të cilat është përballur. Këngëtarja e njohur ka postuar një foto ku mban dorën e nënës së saj që po përballet me tumorin.
Gigliola shkruan se fotoja është shkrepur kur sapo kishte kaluar “dy ditët më të frikshme të jetës” dhe nëna e saj do të operohej. Gjatë dhjetorit që sapo lamë pas, analizat rutinë treguan se në trupin e së ëmës gjendej një tumor.
Këngëtarja përshkruan gjithë kalvarin e kësaj periudhe, ku asnjëherë nuk e ka humbur shpresën. Fotoja është postuar natën e fundit të qëndrimit në spital, para rikthimit në shtëpi dhe vazhdimit të luftës, pas një beteje të fituar. Në fund, Gigliola rikthen edhe njëherë në vëmendje diçka që thuhet shpesh, shansi për jetën e nënës së saj erdhi falë një kontrolli rutinë.
“Kjo foto është bërë të martën, mamush..
Dhe unë kisha kaluar dy nga ditët më të frikshme të jetës sime. Ti do të operoheshe.
Nuk do ta mendoja kurrë që këtë dhjetor, në një muaj festiv, jeta jonë do të tronditej kaq shumë dhe unë të mos ndjeja më tokën poshtë këmbëve. Nga disa analiza rutinë që nuk dolën mirë, tek momenti kur qëndrova përballë teje për të të dhënë lajmin më të vështirë: kishin zbuluar një tumor.
Nuk do ta harroj kurrë shikimin tënd të habitur… dhe pafuqinë time për të të thënë që ishte vetëm një ëndërr e keqe.
Që nga ai çast: takime, eko, analiza, pritje… derisa erdhi dita e shtrimit.
Lot (jo para teje), net pa gjumë, ankth dhe frikë e madhe… por mbi të gjitha, forcë, dashuri dhe besim të palëkundur që gjithçka do të shkonte mirë.
Mamushi im, drita jonë,
sonte është nata e fundit, nesër ikim tek shtëpia me një betejë të fituar dhe shumë shpejt do ta fitojmë edhe luftën. Bashkë, hap pas hapi.
Të dua pafund. Sa të jemi bashkë, asgjë nuk na mposht, as kanceri!
Një kontroll rutinë (check-up) na dha mundësinë të vepronim në kohë dhe t’i jepnim vetes një shans.”/KM
