Vendet e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje për një hua prej 90 miliardë eurosh për të mbuluar nevojat financiare dhe ushtarake të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.
Brukseli planifikon të bëjë pagesën e parë në fillim të prillit për të siguruar vazhdimësinë e ndihmës së huaj për Kievin, shkruan Euronews.
Ambasadorët e vendeve anëtare ranë dakord për tekstet ligjore të mërkurën pasdite, pasi Qiproja, që kryeson Këshillin, prezantoi një version të ri të propozimit.
“Marrëveshja e sotme tregon se BE-ja vazhdon të veprojë me vendosmëri në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj. Financimi i ri do të sigurojë një rezistencë të fortë të vendit ndaj agresionit rus”, deklaroi ministri i Financave i Qipros, Makis Keravnos.
“Në të njëjtën kohë, ne dërgojmë një mesazh të qartë se sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve duhet të respektohet plotësisht, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, shtoi ai.
Hua prej 90 miliardë eurosh, për të cilën u arrit marrëveshje politike në samitin e Brukselit, do të financohet përmes emetimit të borxhit të përbashkët, ku buxheti i BE-së do të shërbejë si garanci për investitorët. Sipas marrëveshjes, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia do të jenë plotësisht të përjashtuara nga të gjitha detyrimet financiare, duke përfshirë pagesat vjetore të interesave.
Komisioni Evropian vlerëson se 24 shtetet e tjera anëtare do të duhet të kontribuojnë çdo vit midis dy dhe tre miliardë eurosh për të mbuluar kostot e lidhura.
Shuma prej 90 miliardë eurosh do të ndahet në dy pjesë kryesore: 30 miliardë euro për mbështetje buxhetore dhe 60 miliardë euro për ndihmë ushtarake për blerjen e armëve dhe municioneve. Ky raport mund të ndryshojë nëse lufta përfundon.
Blerja e armëve ishte pika e fundit e diskutueshme gjatë negociatave të ambasadorëve. Franca, si përkrahëse e politikës “Prodhim në Evropë”, insistoi që të kufizohej sa më shumë blerja jashtë kontinentit.
Në fund u vendos që fondet të përdoren sipas parimit të prioriteteve: armët do të blihen së pari brenda Ukrainës, pastaj në Bashkimin Evropian dhe në Islandë, Lihtenshtajn, Norvegji dhe Zvicër. Vetëm nëse pajisjet nuk janë të disponueshme në këto tregje, Kievit do t’i lejohet të blejë nga furnizues të tjerë, si Shtetet e Bashkuara.
Vendet që kanë partneritete sigurie dhe mbrojtjeje me BE-në, si Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kanadaja, gjithashtu do të kenë prioritet për blerje nëse kontribuojnë “ndershëm dhe proporcionalisht” në kostot e huasë. Kjo marrëveshje përputhet me afrimin mes Brukselit dhe Londrës.
Paratë do të paguhen gradualisht dhe do të jenë subjekt i kushteve të rrepta. Për shembull, çdo hap prapa në luftën kundër korrupsionit në Ukrainë mund të shkaktojë pezullimin e ndihmës.
Ukraina do të detyrohet të kthejë 90 miliardë euro vetëm nëse Rusia ndalon luftën dhe pranon të kompensojë dëmet Kievin. Duke qenë se Moska e ka përjashtuar qartë mundësinë e pagesës së reparacioneve, pritet që Brukseli të shtyjë kthimin e borxhit për kohë të pacaktuar.
Tekstet ligjore të dakorduara të mërkurën duhet të miratohen ende nga Parlamenti Evropian, i cili ka premtuar një procedurë të shpejtuar. Qëllimi është që pagesa e parë të bëhet në fillim të prillit, që është edhe afati që vet Kievi ka propozuar. /Telegrafi/
Bashkimi ka bërë një hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës në basketboll, pasi ka regjistruar fitore bindëse në gjysmëfinalen e parë.
Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra vendase triumfoi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 83:67, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm para ndeshjes së kthimit.
Takimi nisi më mirë për mysafirët nga kryeqyteti, të cilët fituan çerekun e parë me shifrat 20:14. Sigal Prishtina ruajti epërsinë edhe në periudhën e dytë, e cila përfundoi 19:18 në favor të saj, duke shkuar në pushim me epërsi 39:32.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pauzës. Bashkimi shpërtheu në çerekun e tretë, të cilin e fitoi bindshëm 27:13, duke përmbysur rezultatin dhe marrë kontrollin e plotë të ndeshjes. Në çerekun e fundit, prizrenasit vetëm sa e rritën diferencën për të vulosur fitoren.
Lejson Zeqiri ishte më i dalluari te Bashkimi me 17 pikë, tetë kërcime dhe tri asistime. Isaiah Cousins kontribuoi me 19 pikë, tri asistime dhe dy kërcime, ndërsa Shannon Shorter shtoi 18 pikë dhe pesë kërcime. Dequon Lake e mbylli ndeshjen me 15 pikë dhe pesë kërcime.
Te Sigal Prishtina, më efikasi ishte Elijah Clarence me 20 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime, ndërsa Altin Morina realizoi 15 pikë dhe gjashtë kërcime.
Ndeshja e kthimit e kësaj gjysmëfinale do të zhvillohet pas një jave në Prishtinë, por Bashkimi udhëton me një epërsi të madhe drejt duelit vendimtar. /Telegrafi/
Ardit Bido në Parlament: Tatzati e Varfaj, Vërva e Dishati, Lefterohori e Kakodhiqi duhet të lidhen me rrugë për banorët dhe turizmin Deputeti Ardit Bido ka ngritur në Parlament problematikën e mungesës së infrastrukturës rrugore në disa fshatra të jugut të vendit, duke theksuar se zhvillimi i tyre nuk mund të mbetet peng i […]
Programet arsimore të Pekinit po riformësojnë perceptimet te të rinjtë e Ballkanit, përderisa fuqia e butë shtrihet përtej infrastrukturës.
Përderisa investimet e mëdha të Kinës po vihen nën vëzhgim në mbarë Evropën, Pekini po i drejtohet një forme më të butë ndikimi në Ballkan: bursa, shkëmbime universitare dhe studentë të rinj që ndajnë jetën në Kinë me audiencat në vendet e tyre.
Kjo përfshin mundësi studimi të financuara nga Kina, e cila ofron bursa për shkollim, pagesa mujore dhe qasje në universitete me rritje të shpejtë. Shumë prej këtyre studentëve kanë ndarë, gjithashtu, përvojat e tyre në rrjetet sociale, ku kanë një numër të konsideruar ndjekësish, ndërsa të tjerë janë paraqitur në media ose në institucione zyrtare kineze.
“Aplikova për qejf [në kursin e gjuhës kineze], ngaqë ishte një gjuhë e re që nuk e kam mësuar asnjëherë", i tha Radios Evropa e Lirë (REL), Era Kërnaja, një 24-vjeçare nga veriu i Shqipërisë që tani studion shkenca kompjuterike në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Kunming, në provincën Yunnan të Kinës.
“Nëse dikush do ta ma bënte një pyetje para tre vjetësh, unë do të thosha që Kina është komunizëm, vend i mbyllur, kaq. Por, tani më ka ndryshuar [mendimi] 360 shkallë”, tha ajo.
Derisa Pekini njihet më së shumti në rajon për projekte infrastrukturore në vlera miliarda dollarëshe, kredi dhe partneritete teknologjike, arsimi është shfaqur si një kanal më i butë përmes të cilit Kina po i formëson perceptimet.
Kjo është veçanërisht e theksuar te brezat më të rinj, për të cilët sondazhet tregojnë se janë më të hapur ndaj portretizimit që Pekini i bën vetes si një fuqi e mirë dhe e përgjegjshme.
“Doja t’ua ndryshoja mendimin që kanë shqiptarët për Kinën dhe t’ju tregoja që mos besoni në çdo gjë që shikoni", tha Kërnaja, e cila që nga viti 2023 - kur nisi të jetonte në Kinë - ka filluar të postojë për përvojën e saj në llogarinë e saj në TikTok dhe tani ka më shumë se 8 mijë ndjekës.
Për Pekinin, thonë analistët, këto programe i shërbejnë një qëllimi afatgjatë: kultivimin e rrjeteve personale, narrativave të favorshme dhe profesionistëve të ardhshëm që kanë përvojë të drejtpërdrejtë nga Kina dhe janë të gatshëm ta ndajnë atë në vendet e tyre.
Kjo shtytje e fuqisë së butë përbën një plotësim të rëndësishëm të ndikimit politik dhe ekonomik në rritje të Kinës në Ballkan dhe mund të sjellë audienca më të hapura ndaj përpjekjeve të Kinës për të zgjeruar shtrirjen e saj ekonomike dhe për t'i shtyrë interesat e saj.
“Pekini ka interes të dërgojë sa më shumë studentë dhe shkencëtarë ndërkombëtarë në Kinë", i tha REL-it Stefan Vlladisavljev, ekspert për rolin e Pekinit në Ballkan pranë Fondacionit BFPE, një institut kërkimor me seli në Beograd.
“Ajo [Kina] po përpiqet të pozicionohet si një ofruese e zhvillimit [dhe] të qenit e pranishme në Evropë është një aspekt shumë i rëndësishëm i shtrirjes globale".
Përvoja e Kërnajës pasqyron një prirje më të gjerë që po zhvillohet në Ballkan, ku mundësitë arsimore kineze kanë ngjallur interes edhe në vende si Shqipëria dhe Kosova, të cilat mbeten fuqishëm pro perëndimore në orientimin e tyre politik, për shkak të mbështetjes historike amerikane për shtetësinë dhe demokracinë e tyre.
Shqipëria dhe Kosova – të lidhura nga lidhje të përbashkëta politike, gjuhësore dhe kulturore – janë vende më të vështira për depërtimin kinez në Ballkan.
Ndikimi rajonal i Pekinit është zgjeruar përgjithësisht nga Serbia, ku Beogradi ka joshur miliarda dollarë investime dhe ka ndërtuar lidhje të thella politike.
Serbia dallohet si partneri më i avancuar arsimor i Kinës në rajon, ku janë vendosur tri institute Konfuci që mbështesin mësimin e gjuhës kineze në dhjetëra shkolla. Në historinë 20-vjeçare të Institutit në Serbi, numri i pjesëmarrësve është rritur nga disa dhjetëra në disa qindra çdo vit dhe bashkëpunimi arsimor është forcuar nga disa marrëveshje të reja mes dy shteteve të nënshkruara në vitin 2018.
“Nëse Kina ka një bastion në Ballkanin Perëndimor, ajo ka edhe një bastion në Evropë", tha Vlladisavljev.
Por, fuqia e butë kineze, kryesisht përmes programeve arsimore dhe përhapjes në rrjetet sociale, po shënon gjithashtu disa suksese të hershme edhe gjetkë në rajon.
Instituti Konfuci në Shqipëri, ku Kërnaja mësoi gjuhën kineze dhe mori udhëzime për të aplikuar për bursën e saj, është një nga kanalet më të dukshme të shkëmbimit arsimor brenda Universitetit të Tiranës.
Ai e përshkruan veten si një “institut arsimor joqeveritar, jofitimprurës", i bashkorganizuar me Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit, që ofron mësime të gjuhës kineze dhe programe kulturore. Gjithashtu ofron bursa dhe ndihmon studentët të aplikojnë në nivele të ndryshme, përfshirë në universitete individuale ose në nivel federal dhe kombëtar brenda Kinës.
Këto institute ekzistojnë kudo në Ballkanin Perëndimor, përveç Kosovës, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Kina dhe si rrjedhojë nuk ka përfaqësim zyrtar nga Pekini.
Institutet Konfuci janë nën vëzhgim gjithnjë e më të madh në të gjithë Evropën, derisa disa qeveri i kanë mbyllur ato për shkak të shqetësimeve lidhur me lirinë akademike dhe ndikimin politik.
Por, në pjesën më të madhe të Ballkanit, ato po shihen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë si platforma të vlefshme fillestare për të ndjekur mundësi ekonomike dhe arsimore.
Ekspertët që ndjekin angazhimin kinez në rajon thonë se historitë dhe përvojat personale të ndara nga studentë vendas që studiojnë në Kinë kanë ndikim dhe duket se po ndjekin një model të kopjuar nga vende të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
“Kina po merr një faqe nga libri i vendit që e ka bërë më së miri fuqinë e butë – Shtetet e Bashkuara", tha Vlladisavljev.
Bursa, shkëmbime dhe të dhëna të kufizuara
Angazhimi arsimor i Kinës në Ballkan ndërtohet mbi një mozaik programesh: bursa të Qeverisë kineze, grante të lidhura me institutet Konfuci, marrëveshje në nivel universitetesh dhe kurse trajnimi afatshkurtra.
Meqë programet ndryshojnë shumë sipas vendit dhe vitit — dhe meqë institucionet kineze dhe ato ballkanike nuk publikojnë të dhëna gjithëpërfshirëse — nuk ka një regjistër të qartë publik që të tregojë se sa studentë ballkanikë kanë studiuar në Kinë ndër vite.
Radio Evropa e Lirë gjeti se disa studentë shqiptarë që studiojnë në Kinë janë shfaqur gjithashtu në mediat shtetërore kineze, përfshirë Radio Kina Ndërkombëtare (CRI), që është botimi shqip i transmetuesit kryesor shtetëror kinez (CGTN), ku kanë ndarë rrëfime shumë pozitive për përvojat e tyre.
Sondazhet e opinionit publik në Shqipëri, përfshirë Barometrin e Sigurisë së Shqipërisë, tregojnë se pikëpamjet ndaj Kinës mbeten kryesisht neutrale, megjithëse perceptimet pozitive janë rritur lehtë vitet e fundit.
Ndërkohë, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit institucional në Kosovë, studentë individualë – shpesh nga diaspora e shpërndarë në Evropë dhe Amerikën e Veriut – kanë gjetur rrugën drejt Kinës dhe ndajnë përvojat e tyre me popullsinë e re në vend.
Vlera Kelmendi, e lindur në Kosovë dhe e migruar në Norvegji, i tha televizionit lokal kosovar ATV, në një intervistë në vitin 2025, se zgjodhi Kinën nga kureshtja, duke përshkruar një përvojë shumë pozitive atje.
Kelmendi, e cila refuzoi të fliste për REL-in, dokumenton jetën e saj në Kinë në llogarinë e saj publike në TikTok me më shumë se 16 mijë ndjekës, duke arritur audienca në Kosovë, ku opinioni publik ndaj Kinës mbetet kryesisht negativ.
Në anën tjetër, ndonëse nuk ka kurse zyrtare kineze në Kosovë, zyrtarët në Institutin Konfuci në Tiranë thanë se kanë vërejtur interes në rritje nga studentët e Kosovës.
“Do të donim shumë të shihnim studentë nga Kosova që të mësojnë gjuhën kineze", i tha Radios Evropa e Lirë, Zheng Baoguo, drejtori i Institutit Konfuci në Tiranë.
“Do të përpiqemi maksimalisht të krijojmë mundësi për ta, nëse ata janë të gatshëm.”
Kur studimi jashtë vendit bëhet komunikim digjital
Më pak se dy orë larg Kosovës, Kadir Ismajli, një student 26-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, pati një rrugë shumë më të drejtpërdrejtë drejt Kinës.
Ndërsa fillimisht po kërkonte të studionte diku tjetër, studenti me nacionalitet shqiptar tha se mori një bursë shtetërore kineze për një diplomë master në provincën Yunnan, ku mori ndihmë edhe nga ambasada në procesin e aplikimit.
Ashtu si të tjerët, Ismajli ka ndërtuar një numër ndjekësish në TikTok me më shumë se 31 mijë persona, ku veç tjerash, poston edhe për jetën e tij në Kinë.
“E fillova TikTok-un për biznes, por kur shoh diçka interesante këtu, e postoj", tha ai.
“Në shtëpi njerëzit më thonë se nuk e kemi ditur si ishte në të vërtetë Kina".
Gjatë dekadës së fundit, rreth 100 studentë maqedonas kanë studiuar në Kinë përmes programeve gjuhësore dhe programeve të plota të studimit.
Një studim mbi ndikimin kinez në Maqedoninë e Veriut, i kryer nga organizata Estima me seli në Shkup, zbuloi se “perceptimi i reputacionit të Kinës në Maqedoninë e Veriut është një tablo e përzier që ka tendencë të jetë më pozitive te njerëzit që kanë pasur përvojë dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me Kinën dhe aktorët kinezë".
Sipas të dhënave të Estima-s nga viti 2005, numri i bursave kineze për studentët e Maqedonisë së Veriut ka qenë në rritje.
Programet e edukimit të gjuhës kineze po depërtojnë gjithashtu edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Mali i Zi ka pasur një institut Konfuci që nga viti 2015 dhe ka dërguar më shumë se 100 studentë në Kinë gjatë kësaj periudhe, sipas një raporti nga Qendra për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA).
Në Bosnje-Hercegovinë ekziston një marrëveshje formale për shkëmbime arsimore me Kinën dhe programet e financuara nga Kina vazhdojnë të rriten, veçanërisht përmes Universitetit të Sarajevës Lindore, ku më shumë se 170 studentë kanë marrë pjesë në programe shkëmbimi në Kinë.
Mes këtij grupi është edhe Ana Jasarevic, një 23-vjeçare që studionte në departamentin e gjuhës kineze të Universitetit të Sarajevës Lindore.
Ajo kaloi vitin e kaluar në Universitetin e Vuhanit me disa kolegë të tjerë nga fakulteti.
“Kur mbërritëm, ishte pak tronditje kulturore sepse është krejtësisht ndryshe", tha ajo.
Pas diplomimit, ajo tani thotë se planifikon të regjistrohet në një program të nivelit master në Kinë.
“Më pëlqeu atje, megjithëse e kuptoj që shumë njerëz nuk e pëlqejnë mënyrën se si funksionojnë", tha ajo. “Kam qenë në shumë qytete, kam udhëtuar nëpër vend dhe jam ndier e sigurt kudo".
Kanë përfunduar për sot bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi.
Këtë e njoftoi për gazetarët Diana Davitian, sekretarja për shtyp e shefit të delegacionit ukrainas.
“Bisedimet për sot kanë përfunduar,” tha Davitian, raporton Ukrinform.
Ndërkohë, shefi i delegacionit ukrainas, Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov ka deklaruar se “puna ishte e thelluar dhe produktive, e fokusuar në hapat konkret dhe zgjidhje praktike” ndërsa nuk ka zbuluar se çfarë mund të jenë këto hapa.
Umerov pohoi se delegacioni amerikan përfshinte përfaqësuesin Steve Witkoff, dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner, Josh Gruenbaum, Daniel Driscoll dhe gjeneralin Alex Grynkewich.
Ai thotë se rusët ishin përfaqësuar në një nivel të lartë ushtarak.
Umerov thotë se po përgatit një raport për t’ia dërguar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Parashikohet që negociatat të vazhdojnë nesër.
Siç raportoi më parë Ukrinform, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, miratoi kornizën e diskutimeve dhe objektivat specifike për ekipin ukrainas të negociatave para raundit të ri të takimeve trepalëshe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Takimi i mëparshëm në Abu Dhabi mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë u zhvillua më 23–24 janar dhe u fokusua në parametrat për përfundimin e luftës. Përfaqësuesit ushtarakë gjithashtu paraqitën listën e çështjeve që do të trajtohen në takimet e ardhshme. /Telegrafi/
Ardit Bido në Parlament: Saranda dhe Delvina nuk mund të lihen më pa ujë – Projekti nga Tatzati duhet të nisë brenda këtij viti Deputeti Ardit Bido ka ngritur në Parlament shqetësimin për krizën e furnizimit me ujë të pijshëm në Sarandë dhe Delvinë, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe me […]
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga historia e Migena Kodrës, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj, Roland Sina, ndërsa flinte në të njëjtin shtrat me të voglën e saj 2-vjeçare. Pas vrasjes së Migenës, kunati u vetëvra në oborrin e banesës, ndërsa prindërit e tij, përfshirë nënën, u zgjuan […]
Pas daljes nga Big Brother VIP Albania 5, Stelina, ka folur për herë të parë për ‘Shqipëria Live’ për eksperiencën në këtë format.
Teksa është pyetur nëse ende ka ndjenja për Keijsin, Stelina është përgjigjur se 'është shumë e trazuar'.
“Mendoj që kam parë mjaftueshëm dhe nëse do të thoja kam ndjenja, nuk e di jam shumë e trazuar, nuk e di nëse kam ende ndjenja për Keijsin. Gjithçka u thye, asnjë vlerë për mua", u shpreh ajo.
Foto: YouTube
"Më duket historia e Inës dhe Keijsit përsëritje e historisë sime me Keijsin. Një surprizë dy javë pasi bëri surprizën për mua. Keijsi mendon se unë e kam sharë. Keijsi e ka treguar vetë ku qëndron dhe ku është”.
Sa i përket mundësisë për një ribashkim me Kejsin, Stelina u shpreh se pas gjithë këtyre situatave të ndodhura nuk do të ketë një gjë të tillë.
“Patjetër që jo. Unë nuk do ta bëj asnjëherë rolin e të tretës, se kam bërë ndonjëherë dhe s’do e bëj, kështu që patjetër tërhiqem”.
Stelina sqaroi edhe bisedën virale që doli në rrjet, ku shprehej se e kishte parë videon e Keijsit dhe të Inës duke u puthur.
Një çift bashkëshortor ukrainas, të cilët kishin qenë të dashuruar adoleshentë, qëndrojnë të ngrirë dhe të pagjetur në dëborë, pasi u vranë një nga një nga dronë rusë ndërsa largoheshin nga fshati i tyre i pushtuar.
Valentyna Klochkov, 52 vjeç, dhe bashkëshorti i saj Valerii, 54 vjeç, po përpiqeshin të largoheshin nga Hrabovske në rajonin Sumy të Ukrainës kur u panë nga qielli dhe u ndoqën në atë që dëshmitarët e përshkruajnë si një vrasje të ngadaltë dhe të qëllimshme.
E para që vdiq ishte Valentina, tashmë e plagosur dhe e ulur drejt në një sajë të improvizuar ndërsa bashkëshorti i saj e tërhiqte atë nëpër rrugicën e ngrirë që të çonte jashtë fshatit, transmeton Telegrafi.
Një dron kamikaz rus u përplas mbi të, duke e copëtuar. Por në vend që të vraponte për siguri, Valerii u gjunjëzua pranë trupit të gruas së tij dhe refuzoi të largohej.
Çast më vonë, një dron tjetër mbërriti dhe e vrau edhe atë. Pamjet e kapura nga një dron tregojnë bashkëshortin e plagosur duke qarë pranë trupit të gruas së tij para se të goditej. Çifti kishte qenë i martuar për 33 vjet.
Një javë më vonë, trupat e tyre mbeten aty ku ranë, të paarritshëm në fushën e betejës së dimrit të ashpër. Vdekjet e tyre janë bërë një simbol i tmerrshëm i civilëve të zakonshëm të kapur në shënjestër të konfliktit.
"Ata ishin njerëz të sjellshëm dhe të butë, të cilët jetonin një jetë të thjeshtë së bashku dhe e donin shumë njëri-tjetrin", tha motra e Valentinës, Oksana Zyma, 53 vjeç, për The Times.
Hrabovske, një fshat i vogël kufitar që dikur kishte më shumë se 400 banorë, ra në duart e trupave ruse nga Brigada e 34-të më 19 dhjetor. /Telegrafi/
NPL “Kastrioti” ka vazhduar me aktivitete intensive të operativës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në territorin e komunës. Punëtorët e ndërmarrjes janë angazhuar në grumbullimin e mbeturinave, pastrimin e shesheve, parqeve, rrugëve dhe hapësirave të tjera publike në Obiliq, duke kontribuar në ruajtjen e pastërtisë, rendit dhe mjedisit të shëndetshëm për qytetarët.
“Në bazë të planit tonë operativ, punëtorët e operativës angazhohen çdo ditë për të siguruar një ambient të pastër dhe të shëndetshëm, duke grumbulluar mbeturinat dhe duke pastruar sipërfaqet publike në përputhje me standardet e përcaktuara”, thuhet në njoftimin e NPL “Kastrioti”.
Ndërmarrja i bën thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë duke mos hedhur mbeturina në hapësira publike dhe duke respektuar mjedisin përreth, pasi vetëm me bashkëpunim mund të sigurohet një ambient më i pastër dhe më i shëndetshëm për të gjithë.
Aktivitetet e kryera gjatë ditëve të fundit përfshijnë:
Sheshi "Dëshmorët e Kombit"
"Brezi i Gjelbër"
Rruga "Hasan Prishtina"
Parkingu i qytetit
Parku te Hashant
Parku te Palojt
Parku nën Hekurudh
Pastrimi te Biblioteka
NPL “Kastrioti” vijon me punën e përditshme për të garantuar pastërti dhe rend në hapësirat publike të komunës. /Telegrafi/
Fundjava sjell pesë përballje interesante në Albi Mall Superligën e Kosovës, me të gjitha ndeshjet që luhen në orarin e njëjtë dhe me peshë të madhe për nisjen e edicionit pranveror.
Xhiroja e 19-të e Superligës së Kosovës rikthehet këtë fundjavë me duele vendimtare, ku çdo pikë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë si në garën për titull, ashtu edhe në luftën për mbijetesë.
Të shtunën, më 7 shkurt, Dukagjini pret Prishtinën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, në një takim ku vendasit synojnë të shfrytëzojnë terrenin e tyre, ndërsa kryeqytetasit kërkojnë vazhdimësi dhe rikthim te rezultatet pozitive.
Po në të njëjtën orë, Drenica dhe Llapi përballen në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, në një duel direkt mes skuadrave që kërkojnë pikë të mëdha për stabilitet në tabelë dhe largimin nga zona e rrezikut.
Në Ferizaj, skuadra vendase do të matet me Dritën në stadiumin e qytetit, ku mysafirët nga Gjilani hyjnë si favoritë në letër, por Ferizaj pritet të japë maksimumin për të befasuar një nga ekipet më konstante të sezonit.
Të dielën, më 8 shkurt, vëmendja zhvendoset në Gjilan, ku Gjilani pret Ballkanin në stadiumin me bari artificial. Një përballje me aromë derbi, ku kampionët vjeshtor kërkojnë të mbajnë ritmin në krye, ndërsa vendasit synojnë të ndalin furinë e tyre dhe të hynë në garë për pozitat e para.
Xhiroja mbyllet në Malishevë, ku skuadra vendase përballet me Prishtinën e Re në stadiumin “Liman Gegaj”, në një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare për objektivat sezonale të të dyja ekipeve.
Me të gjitha ndeshjet që zhvillohen në orën 13:00, Superliga premton një fundjavë të ngjeshur, emocionuese dhe plot tension, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë për vazhdën e edicionit. /Telegrafi/
Bashkimi Evropian duhet të emërojë një të dërguar të posaçëm për të rihapur kanalet diplomatike me Rusinë, si pjesë e negociatave të vazhdueshme për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, thanë kryeministrja e Letonisë dhe presidenti i Estonisë për Euronews në intervista të ndara.
Komentet pasqyrojnë një ndryshim të shpejtë në të menduarit strategjik të Evropës kur bëhet fjalë për Rusinë, pasi u përjashtua nga bisedimet e drejtpërdrejta në negociatat e paqes të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha më parë këtë javë se puna kishte filluar tashmë "në nivelin teknik" për të emëruar një të dërguar të posaçëm, një thirrje e mbështetur edhe nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Ideja u hodh për herë të parë verën e kaluar, por shumica e udhëheqësve e konsideruan të papërshtatshme në atë kohë, transmeton Telegrafi.
Kryeministrja letoneze Evika Siliņa dhe presidenti estonez Alar Karis thanë se çdo komunikim me Rusinë duhet të bëhet në konsultim me Ukrainën dhe sugjeruan që bashkëbiseduesi, i cili ende nuk është emëruar, të jetë një figurë konsensusi.
"Mendoj se duhet të angazhohesh në diplomaci. Gjithmonë duhet të flasësh, por ne duhet ta izolojmë dhe të kemi ende sanksione ndaj Rusisë", tha kryeministrja letoneze Siliņa në një intervistë me Euronews në margjinat e Samitit të Qeverive Botërore në Dubai.
"Ne duhet të jemi në tryezën e negociatave sepse vetë ukrainasit kanë filluar të negociojnë. Atëherë, pse evropianët nuk duhet të negociojnë", shtoi ajo.
Siliņa tregoi presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin Gjerman Friedrich Merz, kryeministrin Polak Donald Tusk dhe kryeministrin britanik Keir Starmer si përfaqësues të mundshëm evropianë. Ndryshe nga Macron, Merz ka kundërshtuar fuqimisht bisedimet e drejtpërdrejta.
"Po, ne me të vërtetë kemi nevojë për një të dërguar. Ndoshta pyetja është se kush do të jetë. Dhe mendoj se kemi shumë mundësi", shtoi Siliņa.
"Jam gati të shkoj nëse është e nevojshme, por mendoj se udhëheqësit evropianë nga Gjermania ose Franca, si dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila është anëtare e 'Koalicionit të Vullnetit', duhet të jenë ata që janë në të vërtetë në tryezë së bashku me amerikanët, duke ndihmuar Ukrainën të jetë në ato negociata shumë të vështira", theksoi ndër tjera.
Presidenti estonez Karis nuk dha emra, por theksoi se i dërguari i zgjedhur duhet të vijë nga një vend i madh evropian dhe të gëzojë "besueshmëri nga të dyja palët".
"Edhe Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në këto diskutime. Edhe pse nuk po luftojmë drejtpërdrejt me Rusinë, ne e kemi mbështetur Ukrainën për kaq shumë vite dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë", tha Karis për Euronews në të njëjtin aktivitet në Dubai.
"Edhe ne duhet të kemi një fjalë, por e shihni, jemi pak vonë. Duhet ta kishim filluar, ndoshta jo presidenti Trump, por ndoshta Bashkimi Evropian, për të filluar të gjente zgjidhje diplomatike për këtë", vazhdoi ai.
"Disa vjet më parë, ishim në një pozicion që nuk flisnim me agresorët, dhe tani jemi të shqetësuar se nuk jemi (në) tryezën e bisedimeve", shtoi ai.
Çështja nëse do të rihapen kanalet diplomatike me Rusinë, kryesisht të mbyllura që nga shkurti i vitit 2022, ka fituar terren në javët e fundit, ndërsa ritmi i procesit të udhëhequr nga SHBA-të përparon dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën po thellohen.
Franca, Italia, Austria, Luksemburgu dhe Republika Çeke janë ndër ata që kanë mbështetur idenë e nisjes së bisedimeve të drejtpërdrejta për të shmangur varësinë nga Shtëpia e Bardhë, e cila sot është bashkëbiseduesja kryesore me Moskën.
Në të kundërt, Gjermania e ka hedhur poshtë atë, duke përmendur "kërkesat maksimaliste" të Putinit dhe bombardimet e vazhdueshme të qyteteve ukrainase në temperatura dimërore nën zero si provë se Kremlinit i mungon një "gatishmëri e sinqertë për të negociuar".
Në rastin e Estonisë, presidenti, i cili mban një pozicion ceremonial, duket se është në kundërshtim me qeverinë, e cila përcakton politikën e jashtme. Në një deklaratë për Euronews, ministria e Jashtme estoneze paralajmëroi kundër riangazhimit.
"Për sa kohë që Rusia nuk ka ndryshuar veprimet dhe objektivat e saj në agresionin e saj kundër Ukrainës, nuk është e mundur të angazhohemi në bisedime me Rusinë, as nuk duhet t'i ofrojmë asaj një rrugëdalje nga izolimi", tha një zëdhënës estonez. "Nuk duhet të përsërisim gabimet e bëra herë pas here duke rivendosur marrëdhëniet kur Rusia nuk ka ndryshuar kursin", shtoi ajo.
Komisioni Evropian, i cili duhet të ecë në një vijë të hollë midis ndarjeve të mprehta, i ka kërkuar Putinit të bëhet "serioz" për paqen para çdo rifillimi diplomatik. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka përfunduar instalimin e sistemeve fotovoltaike në dy shkolla të mesme, në kuadër të investimeve për promovimin e energjisë së pastër dhe të qëndrueshme.
Sipas njoftimit zyrtar, panelet diellore janë instaluar në Shkollën e Mesme “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, me kapacitet prej 14.26 kWp, si dhe në Shkollën e Mesme “Fehmi Lladrovci”, me kapacitet prej 17.36 kWp.
Këto investime janë realizuar në bashkëpunim me Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB), bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit për Avancimin e Tranzicionit të Energjisë Komunale, të nënshkruar më herët ndërmjet palëve.
Nga Komuna e Drenasit bëhet e ditur se ky projekt synon prodhimin e energjisë së pastër, uljen e kostove të energjisë elektrike dhe promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore në institucionet arsimore.
Po ashtu, theksohet se Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar në zbatimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe në mbrojtjen e mjedisit. /Telegrafi/
Pas daljes nga shtëpia e “BBV”, Stelina ka folur për herë të parë, duke zbuluar më shumë për raportin e saj me Keijsin. E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, teksa është pyetur nëse ka ende ndjenja për Keijsin, Stelina është përgjigjur se “ende është shumë e trazuar.” “Mendoj që kam parë mjaftueshëm dhe nëse do […]
Pas denoncimit në Saranda Web, rifillojnë punimet për korrigjimin e kanalit në Delvinë Pas publikimit të denoncimit në Saranda Web lidhur me punimet pa cilësi në një kanal kullues në hyrje të qytetit të Delvinës, ditën e sotme ka nisur sërish puna në terren për korrigjimin e problematikave të konstatuara. Nga pamjet […]
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026 është duke e realizuar auditimin “Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS) në Universitetin e Prishtinës”.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të ZKA-së.
“Auditimi do të vlerësojë menaxhimin dhe administrimin e platformës SEMS, si dhe nëse kjo platformë siguron mbështetje efektive dhe të sigurt për funksionet kryesore të Universitetit të Prishtinës.
Universiteti i Prishtinës ka krijuar platformën SEMS për t’ju ofruar shërbime elektronike studentëve që nga procesi i aplikimit për studime deri te pajisja me diplomë. SEMS është në përdorim që nga viti 2012 dhe funksionon në të gjitha njësitë akademike të UP-së duke mbuluar gjithsej 14 fakultete. SEMS ka rol kyç në efikasitetin dhe transparencën e menaxhimit akademik dhe administrativ të UP- së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Forcat ukrainase kanë shkatërruar një nga armët më të avancuara të Rusisë - raketëhedhësin termobarik TOС-1A Solntsepyok - për herë të parë në territorin rus.
Sulmi u krye nga operatorët e dronëve të Batalionit "Bulava". Sulmi ndodhi në rajonin Belgorod të Rusisë, pak matanë kufirit me Ukrainën.
Videoja e publikuar nga njësia të hënën tregon pamje në kohë reale nga dronë, ndërsa ata i afrohen objektivit.
Në video, Solntsepyok goditet katër herë radhazi, duke shkaktuar një shpërthim masiv të municioneve të tij në bord.
Shpërthimi shkatërron raketën, e cila vlerësohet të ketë një vlerë prej më shumë se 10-15 milionë dollarësh, transmeton Telegrafi.
Pamjet shënojnë shkatërrimin e parë të konfirmuar të një TOС-1A brenda Rusisë, një armë që Moska e ka përdorur prej kohësh për të bombarduar pozicionet ushtarake ukrainase dhe zonat civile me raketa termobarike.
Dronët ukrainas ndoqën gjithashtu një obus vetëlëvizës rus Msta-S aty pranë. Disa goditje nga droni ndezën një zjarr brenda sistemit të artilerisë 152 mm, me tym të trashë që dilte nga automjeti.
Pamjet e publikuara të martën sugjerojnë se ekuipazhi iku pas sulmit fillestar, me shumë mundësi nga frika e një shpërthimi municionesh. Dronët ukrainas vazhduan të sulmonin për të siguruar shkatërrimin e plotë të obusit. /Telegrafi/
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme i Moldavisë, Mihai Popşoi, tha se ka "besim" në "vullnetin e sinqertë dhe angazhimin e sinqertë për paqen" e administratës së Donald Trump në Ukrainë.
E mërkura do të shënojë fillimin e një raundi të dytë të negociatave të paqes të udhëhequra nga SHBA-të me Rusinë dhe Ukrainën në Abu Dhabi.
Kjo fazë diskutimesh do të trajtojë një nga pikat kryesore të ngërçit: mosmarrëveshjen mbi kërkesat maksimaliste të Moskës mbi të ardhmen e territoreve në Ukrainën lindore, pjesë të të cilave janë të pushtuara nga Rusia.
Dhe duke folur për Euronews, Popşoi mbajti një qëndrim të kujdesshëm ndaj situatës ashtu siç është.
"Kur raketat fluturojnë dhe fëmijët vdesin, dhe njerëzit ngrijnë çdo mëngjes, mendoj se një bazë e mirë për fillimin e një dialogu do të ishte që këto lloj gjërash të ndalen", tha ai për emisionin kryesor të mëngjesit të Euronews, Europe Today.
Popşoi tha se ishte "thjesht çështje që Kremlini të mos jetë veçanërisht i suksesshëm, siç mund ta shohim me sulmet e fundit të tmerrshme ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës", dhe vuri në dyshim nëse Moska "është plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi".
Popşoi vlerësoi rezistencën ukrainase ndaj përpjekjeve të Rusisë për të "gjymtuar kombin ukrainas".
Ai tha se vendi ka "rezistuar heroikisht" dhe se bashkësia ndërkombëtare ka "ndihmuar në mënyrë kuptimplote", por se tani është koha për një "paqe të qëndrueshme dhe të drejtë".
Moldavia nuk është pjesë as e NATO-s dhe as e BE-së, një situatë që Popşoi tha se përfshin "një dozë të konsiderueshme ankthi".
"I vetmi vend në botë që ka shkelur vazhdimisht statusin e neutralitetit të Moldavisë ka qenë Federata Ruse", tha Popşoi.
Moldavia tani është në garë për t'u bërë anëtare e BE-së dhe ka vendosur një "datë për të përfunduar negociatat deri në vitin 2028".
Popşoi tha se vendi i tij ka bërë reforma të rëndësishme për të mbajtur ritmin e saj për anëtarësim në rrugën e duhur. /Telegrafi/
Kryeshefi Ekzekutiv i KRM Pastrimit, Petrit Reçica, ka bërë të ditur se ekipet e ndërmarrjes kanë nisur largimin e mbeturinave inerte dhe vëllimore që, sipas tij, po hidhen padrejtësisht në kontejnerët e amvisërisë, në lagje dhe në hapësira publike në të gjitha zonat e Prishtinës.
“Po i largojmë mbeturinat inerte dhe vëllimore që po hidhen padrejtësisht në kontejnerët e amvisërisë, në lagje dhe në hapësira publike në të gjitha lagjet e Prishtinës,” ka shkruar Reçica.
Ai ka dërguar një mesazh paralajmërues për qytetarët dhe bizneset që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme, duke theksuar se këto veprime përbëjnë shkelje ligjore.
“Të hedhësh mbetje si copa sfungjeri, lëkure, tekstili, apo mbetje nga restorante peshku dhe kasapë mishi në kontejnerët e dedikuar për amvisëri është shkelje e ligjit dhe së shpejti do të dënohen me gjobë,” ka theksuar ai.
Reçica ka shtuar se hedhja e pakontrolluar e këtyre mbeturinave ka pasoja direkte në mjedis.
“Këto veprime dëmtojnë mjedisin,” ka deklaruar Kryeshefi Ekzekutiv i KRM Pastrimit.
Në fund, ai ka falënderuar punëtorët e ndërmarrjes dhe partnerët për angazhimin e tyre të përditshëm në terren.
“Falënderim i veçantë për punëtorët e KRM Pastrimi, të cilët çdo ditë po punojnë për ta mbajtur qytetin të pastër. Po ashtu, falënderoj partnerët tanë nga Gjelbër dhe NPB për bashkëpunimin dhe mbështetjen në terren,” ka përfunduar Reçica. /Telegrafi/
Programet arsimore të Pekinit po riformësojnë perceptimet te të rinjtë e Ballkanit, përderisa fuqia e butë shtrihet përtej infrastrukturës. Përderisa investimet e mëdha të Kinës po vihen nën vëzhgim në mbarë Evropën, Pekini po i drejtohet një forme më të butë ndikimi në Ballkan: bursa, shkëmbime universitare dhe studentë të rinj që ndajnë jetën në […]