Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Nis studimi i fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan

28 January 2026 at 22:23

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi sot se investimet mbeten një element thelbësor për avancimin e reformës së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, duke e cilësuar këtë proces si një prioritet të lidhur ngushtë me mbrojtjen e mjedisit, shëndetin publik dhe integrimin europian të vendit.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me partnerët francezë u bë e ditur se nisja e studimit të fizibilitetit për tri zona strategjike të vendit: Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan.

Këto zona përfaqësojnë rreth 65% të gjenerimit të mbetjeve urbane në Shqipëri.

Sipas ministrit Jaupaj, studimi synon të ofrojë skenarë konkretë dhe operativë për trajtimin e mbetjeve në të gjitha hallkat e zinxhirit, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për investime afatgjata në sektor.

“Fokusi ynë është i qartë: më shumë ndarje të mbetjeve në burim, më shumë riciklim dhe më shumë investime që mbrojnë mjedisin, shëndetin publik dhe promovojnë ekonominë qarkulluese”, u shpreh Jaupaj.

Ai nënvizoi se me miratimin e ligjit të ri për menaxhimin e mbetjeve, ligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, si dhe me krijimin e “AKEM” si një shoqëri aksionere shtetërore, është përmbyllur faza e parë e reformës në këtë sektor.

Ministri shtoi se hapi i radhës lidhet me konkretizimin e investimeve, të cilat përbëjnë një nga shtyllat kryesore të Kapitullit 27, në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

/a.f/r.e/

The post Nis studimi i fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Organizatat mjedisore kundër resortit të Jared Kushner në Sazan

23 January 2026 at 18:19

Një koalicion prej 41 organizatash mjedisore nga 28 vende të ndryshme të botës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të pezullojë projektin e miratuar për ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit, i vetmi ishull i Shqipërisë, i rrethuar nga Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. “Ky projekt dhe mënyra se si është miratuar janë në […]

The post Organizatat mjedisore kundër resortit të Jared Kushner në Sazan appeared first on Reporter.al.

Jaupaj: Plan me tre faza për vendosjen në kontroll të ndotjes nga plastika

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Qeveria në bashkëpunim me bashkitë e vendit po përgatit një plan të përbashkët kundër ndotjes nga plastika në territor.

Plani i paralajmaëruar edhe nga Kryeministri Edi Rama vjen si përgjigje ndaj fenomenit të ndotjes së ujërave nga plastika që rëndoi problematikat e shkaktuara nga reshjet intensive të fillimjanarit.

Kështu, sipas ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj i cili preku këtë temë gjatë aktivitetit të organizuar në kuadër të projektit “EU4Rivers”, dy ditë më parë, plani ka qasje 360° që nis nga edukimi deri te masat më të forta ndaj çdo abuzimi me mjedisin.

“Qeveria shqiptare po përgatit një ofensivë të përbashkët me pushtetin vendor përmes një plani me tre faza që synon të vendosë në kontroll këtë fenomen kaq të papërshtatshëm për vendin tonë”, tha Jaupaj.

Një nga kompenentët e rëndësishëm të planit është edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezit të ri dhe i popullatës vendase për të shkuar deri deri në ashpërsimin e mëtejshëm të masave ndaj çdo abuzimi me mjedisin.

Sipas planit, pritet të ngrihet një taskforcë e përbashkët qeveri–bashki për luftën kundër ndotjes plastike, duke e cilësuar atë një faktor kyç që përkeqëson përmbytjet dhe dëmton mjedisin.

/k.s/j.p/

The post Jaupaj: Plan me tre faza për vendosjen në kontroll të ndotjes nga plastika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjerohet me zonat bregdetare fokusi i programit të BE-së “EU4Rivers”

20 January 2026 at 16:33

TIRANË, 20 janar /ATSH/ “Lidhja e lumenjve me zonat bregdetare dhe detet” ishte tema e aktivitetit të mbajtur sot në Tiranë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e qeverisjes mjedisore detare dhe bregdetare, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, partnerë ndërkombëtarë, bashki bregdetare, akademikë dhe ekspertë të mjedisit, të cilët theksuan rëndësinë e qeverisjes efektive detare jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ruajtjen e biodiversitetit dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve bregdetare.

I organizuar në kuadër të projektit ‘EU4Rivers’, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), aktiviteti shënoi edhe prezantimin zyrtar të komponentit të ri detar, i cili synon të mbështesë Shqipërinë në zbatimin e ligjit të miratuar së fundmi për Strategjinë Detare dhe në avancimin e reformave në kuadër të Kapitullit 27 të BE-së (Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike).

Fjalët hapëse u mbajtën nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato dhe zëvendësambasadori i Austrisë, Martin Schaller.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, u shpreh se mbrojtja e lumenjve, deteve dhe natyrës kërkon vendosjen e standardeve të reja dhe përgjegjësi të përbashkët institucionale, duke theksuar se prezantimi i komponentit detar të EU4Rivers përkon me përgatitjen e planit kombëtar të koordinimit kundër ndotjes nga plastika.

Ambasadori Gonzato theksoi se mbrojtja e mjedisit detar është një investim i drejtpërdrejtë te njerëzit dhe ekonomia, duke nënvizuar se miratimi i Ligjit për Strategjinë e Mjedisit Detar përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai shtoi se sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i legjislacionit, për të arritur rezultate konkrete si ujëra më të pastra, ushqim më të sigurt dhe zhvillim të qëndrueshëm të zonave bregdetare.

Nga ana e tij, zëvendësambasadori i Austrisë, Martin Schaller, deklaroi se Austria mbetet e angazhuar në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e kapaciteteve afatgjata në qeverisjen detare dhe bregdetare, përmes lidhjes së institucioneve me shkencën, përmirësimit të monitorimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërsektorial.

Komponenti Detar zgjeron projektin EU4Rivers nga menaxhimi i baseneve ujore drejt një qasjeje gjithëpërfshirëse “nga burimi në det”, duke njohur ndërlidhjen mes ujërave të brendshme, zonave bregdetare dhe ekosistemeve detare, në përputhje me Direktivën Kuadër të BE-së për Strategjinë Detare.

Diskutimet u përqendruan në forcimin e njohurive shkencore, përmirësimin e sistemeve të monitorimit, rritjen e koordinimit institucional dhe qartësimin e roleve mes autoriteteve kombëtare dhe bashkive bregdetare. Në përfundim, pjesëmarrësit ranë dakord mbi hapat e ardhshëm dhe angazhimin e përbashkët për ndërtimin e një kuadri të qëndrueshëm për vlerësimin dhe qeverisjen detare në Shqipëri.

Projekti EU4Rivers (2023–2028) financohet nga Bashkimi Evropian me 8.5 milionë euro dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim me 1.9 milionë euro, duke u zbatuar në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Ministrinë e Mjedisit.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

The post Zgjerohet me zonat bregdetare fokusi i programit të BE-së “EU4Rivers” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime

13 January 2026 at 17:10

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Në kuadër të Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërorë 2026, në Shqipëri janë angazhuar 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si dhe 17 ekspertë të fushës, të cilët do të marrin pjesë në monitorimin e shpendëve ujorë në 34 vendnumërime në të gjithë territorin e vendit.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi se Censi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit përbën një nga proceset më të rëndësishme shkencore për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit.

“Prej vitit 1967, ky census mbledh çdo vit të dhëna të çmuara për biodiversitetin, falë mijëra vëzhguesve në mbarë botën”, u shpreh ministri Jaupaj.

Ai nënvizoi se përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Shqipëria i bashkohet edhe këtë vit këtij monitorimi ndërkombëtar, i cili do të zhvillohet më 17-18 janar, me qëllim mbledhjen dhe raportimin e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve ujorë dhe gjendjen e ekosistemeve ujore.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, të dhënat e mbledhura gjatë censusit shërbejnë si bazë shkencore për hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave ujore dhe ligatinore në vend.

Censi Dimëror i Shpendëve Ujorë realizohet çdo vit në bashkëpunim me institucione shtetërore, ekspertë të biodiversitetit dhe vëzhgues të specializuar, duke kontribuar në ruajtjen afatgjatë të shpendëve të ujit dhe habitateve të tyre natyrore.

/r.e/a.f/

The post Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kamerat kurth zbulojnë larmishmërinë e botës së egër në parqet kombëtare

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Kamerat kurth të vendosura në zonat e mbrojtura kanë dokumentuar jetën e botës së egër në vendin tonë, duke regjistruar imazhe e video të kafshëve në habitatin e tyre natyror.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau sot një video nga bota e larmishme e faunës së egër.

“Nga parqet tona kombëtare e natyrore, vijnë pamjet unike të “banorëve” të këtyre habitateve, falë kamerave kurth dhe kujdesit të specialistëve të zonave të mbrojtura”, shkruan Jaupaj.

Nga kamerat kurth janë arritur të identifikohen kafshë të ndryshme si ujku, macja e egër, kormorani i madh (shpend shtegtar), baldosa (vjedulla), dhelpra, pata e egër, sorkadhja, një tufë çakejsh si dhe lejleku.

Vendosja e kamerave kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e faunës së egër që ndodhet në këto zona si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e natyrës. Llojet e faunës së egër jetojnë të qeta në habitatet e tyre falë moratoriumit të gjuetisë.

/m.q/r.e/

The post Kamerat kurth zbulojnë larmishmërinë e botës së egër në parqet kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbillen pemë të reja në parkun kombëtar të Shebenikut

26 December 2025 at 18:10

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Në Parkun Kombëtar të Shebenikut janë mbjellë fidanë të rinj gështenje të egër dhe qershie të egër, në kuadër të fushatës kombëtare të pyllëzimit që po vijon në të gjithë vendin edhe gjatë ditëve të fundvitit.

Aksioni u realizua nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Elbasan në bashkëpunim me organizatën mjedisore PPNEA, me synimin për të kontribuar në rigjenerimin e ekosistemeve natyrore dhe forcimin e biodiversitetit në këtë zonë të mbrojtur.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ndau pamje nga ky aktivitet, duke theksuar se fushata e pyllëzimit do të vijojë në të gjitha rajonet e vendit si pjesë e angazhimit institucional për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e sipërfaqeve pyjore.

Sipas ministrit, çdo fidan i mbjellë përfaqëson një hap konkret drejt mbrojtjes së natyrës dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të gjelbër, ndërsa aksione të tilla kontribuojnë edhe në ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore.

Fushatat e pyllëzimit po zhvillohen paralelisht në disa zona të vendit, duke synuar rikuperimin e sipërfaqeve të dëmtuara dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së ekosistemeve natyrore. e.xh/j.p/

The post Mbillen pemë të reja në parkun kombëtar të Shebenikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Ripërdorimi kreativ i materialeve, mundësi për krijimin e brandit

22 December 2025 at 12:01

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Tirana’s Glass Hub po sfidon konceptet e zakonshme mbi artizanatin dhe po krijon një hapësirë ku ndërthuren arti, inovacioni dhe qëndrueshmëria.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj vizitoi nga afër këtë qendër inovacioni, ku riciklimi takon artin dhe inovacionin.

“Me filozofinë Zero Waste (zero mbeturina), shishet dhe kavanozët e vjetër kthehen në krijime artizanale me jetë të re. Nën drejtimin e artistes Joana Dhiamandi, qelqi i ricikluar shndërrohet me dorë në bizhuteri, objekte dekorative dhe produkte funksionale që promovojnë ekonominë qarkulluese dhe kujdesin për mjedisin”, tha Jaupaj.

Ministri Jaupaj vlerësoi si mbresëlënës koleksionin e frymëzuar nga Vjosa, që sipas tij “është një xhevahir i vërtetë që tregon se mbrojtja e natyrës frymëzon edhe industrinë”.

“Tirana’s Glass Hub është një model i ekonomisë qarkulluese që materialet e qelqit nuk përfundojnë në landfill apo në pikat  grumbullimit të mbetjeve dhe riciklohen nëpërmjet këtyre produkteve”, nënvizoi Jaupaj.

Ministri Jaupaj u shpreh se “e ardhmja është e gjitha tek riciklimi dhe ripërdorimi i materialeve. Ripërdorimi në mënyrë kaq kreative jam i bindur që biznesi ka për tu rritur dhe do të bëhet edhe një brand”.

Çdo produkt që prodhohet nga Tirana’s Glass Hub nuk ka asnjë mbetje, asnjë thërrime nuk ikën dëm si pasojë e teknikës që përdoret për prodhimin e tyre.

Koleksionet vijnë nga natyra shqiptare si Alta Blu që ka elementin e ujit të detit Jon, koleksioni Vjosa ka lumin Vjosa, dhe koleksionet e tjera kanë disa forma të cilat mund të jenë më universale. Alta Blu, Vjosa dhe Karamele Zana, që sipas Dhimandit janë më të preferuarat dhe më të kërkuarat.

Përveç krijimit të produkteve të bukura, Tirana Glass Hub promovon ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

/k.s/

The post Jaupaj: Ripërdorimi kreativ i materialeve, mundësi për krijimin e brandit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krimet mjedisore, ministrat Lamallari e Jaupaj: Do të kemi një produkt që reflekton stadin për Shqipërinë sot dhe nesër në BE

By: redi
17 December 2025 at 17:23

Në Ministrinë e Drejtësisë është zhvilluar sot tryeza e radhës konsultative për hartimin e Kodit të ri Penal në Shqipëri. Krahas ministrit Besfort Lamallari, i pranishëm në takim ishte gjithashtu ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të pavarura. Fokusi i tryezës së sotme ishin një grup veprash penale që prekin drejtpërdrejtë interesin publik dhe…

Source

Jaupaj: Kodi i ri Penal fokus te parandalimi i krimeve mjedisore

17 December 2025 at 17:51

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Në Ministrinë e Drejtësisë është zhvilluar sot tryeza e radhës konsultative për hartimin e Kodit të ri Penal në Shqipëri.

Krahas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, i pranishëm në takim ishte gjithashtu ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të pavarura.

Fokusi i tryezës së sotme ishin një grup veprash penale që prekin drejtpërdrejtë interesin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: veprat penale kundër mjedisit, regjimit të tokës dhe kafshëve; veprat penale kundër ekonomisë dhe pasurisë; si dhe ato kundër artit, kulturës, pronësisë intelektuale dhe industriale.

Në fjalën e tij Lamallari, tha se kjo tryezë dhe procesi në tërësi është të dëgjojmë mendimet, sugjerimet dhe përvojat praktike.

Ai vuri theksin te gjithëpërfshirja, transparenca dhe një diskutim real, jo formal.

“Të identifikojmë boshllëqet dhe nevojat për përmirësim dhe të sigurohemi që dispozitat e draftit të Kodit Penal të jenë të qarta, të zbatueshme dhe efektive. Vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues mund të ndërtojmë një Kod Penal që i përgjigjet realiteteve të sotme dhe sfidave të së nesërmes. Të mos përsërisim të njëjtat gabime që janë bërë në të shkuarën në Kodin e ri. Kjo me qëllimin e vetëm që t’i ofrojmë shoqërisë shqiptare një Kod cilësor, të qëndrueshëm në kohë dhe që reflekton stadin në të cilin Shqipëria është e synon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”, deklaroi ministri Lamallari.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, tha se ndryshimet në Kodin Penal duhen parë përtej teknikës juridike.

“Ne jemi pjesë e natyrës, jo zotër të saj! Ky parim na udhëheq sot ndërsa ndërmarrim këtë reformë kaq të rëndësishme ligjore. Ndryshimet që propozojmë në Kodin e ri Penal, veçanërisht në kapitullin e veprave penale kundër mjedisit, shkojnë përtej teknikës juridike. Ato dëshmojnë përparimin tonë politik dhe angazhimin tonë për t’iu përgjigjur standardeve evropiane. Me këto dispozita, nuk synojmë ndëshkimin “per se”, të shkelësve të ligjit, por të parandalojmë ndotjen, shfrytëzimin e paligjshëm të burimeve natyrore dhe shkeljet që dëmtojnë florën dhe faunën tonë, një pasuri të vyer kombëtare. Çdo masë, çdo ligj e çdo veprim është një hap drejt një Shqipërie që e sheh kujdesin që tregojmë ndaj natyrës, jo si “lajmi i ditës”, por si vizion dhe trashëgimi që lëmë pas”, deklaroi Jaupaj.

Për pasurimin e mëtejshëm të draftit dhe përthithjen e sa më shumë kontributeve cilësore, Ministria e Drejtësisë dhe grupi i punës i ngritur enkas për Kodin Penal, do të vijojnë tryezat konsultative sipas kalendarit të dakordësuar e miratuar më parë.

1 nga 2
Tryezë për Kodin e ri Penal - Foto: Ministria e Drejtësisë

/gj.m/a.f/

The post Jaupaj: Kodi i ri Penal fokus te parandalimi i krimeve mjedisore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministri Jaupaj: BE, kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër

By: redi
16 December 2025 at 16:10

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, ku theksoi se “veç gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në Shqipëri janë duke u zbatuar 81 projekte me financim të huaj, me vlerë të përgjithshme rreth 2.3 miliardë euro, ku mbi 18.2% e kësaj shume lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrje klimatike dhe mjedisore, duke dëshmuar se klima është tashmë një nga…

Source

Jaupaj: BE, kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër

16 December 2025 at 13:36

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, ku theksoi se “vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në Shqipëri janë duke u zbatuar 81 projekte me financim të huaj, me vlerë të përgjithshme rreth 2.3 miliardë euro, ku mbi 18.2% e kësaj shume lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrje klimatike dhe mjedisore, duke dëshmuar se klima është tashmë një nga destinacionet kryesore të financimeve zhvillimore në vend”.

Në fjalën e tij, Jaupaj tha se kjo nuk është thjesht statistikë.

“Kjo është prova e një besimi të fortë ndërkombëtar mbi aftësinë e institucioneve shqiptare për të menaxhuar, planifikuar dhe zbatuar programe komplekse me standarde evropiane”, u shpreh ministri i Mjedisit.

Duke u ndalur tek projektet kryesore të këtij portofoli, Jaupaj tha se programi për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta, me financim 66.7 milionë euro nga KfW dhe SECO, është një ndërhyrje që transformon shërbimet bashkiake dhe rrit standardet e mjedisit urban.

“Programi “Klima në Shqipëri I”, i mbështetur nga KfW, modernizon dhe digjitalizon rrjetin energjetik, duke sjellë një reduktim real të emetimeve dhe një forcim të qëndrueshmërisë së sistemit energjetik. Në bujqësi, projekti “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimi i Bujqësisë”, me financim 64.6 milionë euro nga Banka Botërore, ndihmon vendin të përshtatet ndaj rreziqeve klimatike përmes modernizimit të ujitjes dhe kullimit, forcimit të sigurisë ushqimore dhe digjitalizimit të analizës së politikave”, nënvizoi Jaupaj.

Në fushën e menaxhimit të rreziqeve, Jaupaj përmendi programin CLIRES, financuar nga SECO, si dhe programin ALBAdapt, i financuar nga GCF, BMZ, SECO dhe SDC, të cilët theksoi ai “krijojnë sisteme moderne paralajmërimi të hershëm dhe mbështesin 12 bashki bregdetare si edhe institucionet tona qendrore të menaxhimit të fatkeqësive si IGJEUM dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile”.

Ministri Jaupaj informoi se në fushën e natyrës, vijoi programi “EU for Nature”, i financuar nga BE dhe SIDA, që po ndihmon integrimin e rrjetit “Natura 2000”, ndërsa në transport, programi gjerman për transportin urban të qëndrueshëm mbështet tranzicionin e qyteteve tona drejt sistemeve moderne, gjithëpërfshirëse dhe klimë–rezistente.

“Nëse analizojmë burimet financiare të këtyre ndërhyrjeve, përveç Bashkimit Evropian, vërejmë se Banka Botërore ka aktualisht në zbatim 1,474 milionë euro projekte, KfW dhe GIZ rreth 1,240 milionë euro, ndërsa Japonia dhe AFD kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në projektet mjedisore përkatësisht me 717,500 euro dhe 610,000 euro. Zvicra dhe Suedia mbeten gjithashtu partnerë të qëndrueshëm në financime klimatike”, vuri në dukje Jaupaj.

Megjithatë, shtoi ai, Bashkimi Evropian mbetet kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër.

“Nën instrumentin IPA III, Dritarja 3 “Marrëveshja e Gjelbër dhe Konektiviteti i Qëndrueshëm” përfaqëson shtyllën kryesore të mbështetjes së BE-së për vendin tonë. Rreth 15% e portofolit IPA për Shqipërinë është dedikuar për ndërhyrje klimatike, përfshirë programet BE për Natyrën, BE për Ekonominë Qarkulluese, BE për Ujin, paketën e rezistencës energjetike nën IPA 2023 me vlerë 80 milionë euro, si dhe programin BE për Pyjet me 13 milionë euro nën IPA 2024. Krahas kësaj, Programet Operacionale 2024–2027, veçanërisht Programi Operacional për Eficiencën Energjetike, me vlerë totale 79 milionë euro – ku 50 milionë euro janë kontribut i BE-së dhe 29 milionë euro bashkëfinancim kombëtar – adresojnë drejtpërdrejt ndërtesat publike, e-mobilitetin, energjinë e rinovueshme dhe elektrifikimin e hekurudhave, duke përputhur politikat tona kombëtare me prioritetet e BE-së për neutralitet klimatik”, tha Jaupaj.

Jaupaj bëri të ditur se “në kuadrin e Facilitetit për Reforma dhe Rritje, fusha e politikës nr.4  që i dedikohet energjisë së pastër parashikon një fond 127.8 milionë euro, i cili pritet të përthithet nga institucionet shqiptare pas kryerjes së reformave të qëndrueshme me fokus klimën dhe energjinë e pastër”.

Më tej Jaupaj tha se “në vitet e fundit, tranzicioni i gjelbër është shndërruar në boshtin themelor të modernizimit të shtetit shqiptar, një bosht që përkufizon qartë ambicien e vendit tonë për të avancuar si një ekonomi evropiane, rezistente, konkurruese dhe të orientuar drejt së ardhmes”.

“Shqipëria në vitin 2025 është një vend në transformim të thellë evropian. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030 e përfshin tranzicionin e gjelbër si pjesë të pandashme të rrugës sonë drejt BE-së, duke e konsideruar energjinë e pastër, efikasitetin energjetik, ekonominë qarkulluese dhe mbrojtjen e mjedisit si fusha që përkufizojnë vetë modelin tonë të zhvillimit”, theksoi Jaupaj.

Ministri Jaupaj u shpreh se “raporti i parë i progresit të kësaj strategjie, finalizuar në vitin 2025, dëshmoi forca të prekshme të Shqipërisë në fushën e klimës dhe energjisë, duke vërtetuar se vendi ynë nuk është më vetëm një aspirues i standardeve evropiane, por një kontribuues aktiv me rezultate konkrete”.

Sot, vijoi Jaupaj, mbi 45.4% e konsumit total të energjisë së vendit mbështetet në burime të rinovueshme, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me peshën më të lartë të energjisë së pastër në Evropë.

Jaupaj vuri në dukje se “kjo arritje nuk buron vetëm nga tradita hidroenergjetike, por edhe nga investimet e reja strategjike si Parku Diellor i Karavastasë me kapacitet 140 MË, një shembull i modelit të ri të zhvillimit të energjisë në vend”.

“Klima është sot fusha ku bashkërendohet më qartë se kudo tjetër vizioni politik i qeverisë, pritshmëria e qytetarëve dhe standardet e BE-së. Detyra jonë e përbashkët është të garantojmë koherencë, të forcojmë koordinimin dhe të sigurojmë që çdo euro e investuar të materializohet në zhvillim të qëndrueshëm dhe në mirëqenie për qytetarët e vendit.  Platforma Kombëtare e Financave të Klimës do të jetë një tjetër element i rëndësishëm i bashkimit të forcave dhe energjive për të maksimizuar burimet dhe rezultatet. SASPAC mbetet plotësisht e angazhuar ta udhëheqë këtë proces me profesionalizëm, me integritet dhe me një vizion të qartë evropian për Shqipërinë e vitit 2030”, tha Jaupaj.

/k.s/j.p/

 

The post Jaupaj: BE, kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Landfilli i Maliqit siguron menaxhim e mbetjeve për 20 vjet

13 December 2025 at 14:50

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Pika fundore e trajtimit të mbetjeve në Maliq i shërben të gjitha bashkive të qarkut Korçë dhe është shembull i bashkëpunimit ndërbashkiak, inovacionit dhe edukimit mjedisor.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj vizitoi nga afër këtë pikë fundore.

“Me administrimin efikas, teknologjinë e duhur dhe programet e ndërgjegjësimit për të rinjtë, puna për trajtimin e mbetjeve në Maliq vijon sipas standardeve më të larta”, theksoi Jaupaj.

Jaupaj bëri të ditur se krijimi i Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, do të mbështesë bashkitë në menaxhimin e pikave fundore, duke u lënë më shumë hapësirë të fokusohen në ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklim.

“Me programin e ri të Ministrisë së Mjedisit dhe Bankës Gjermane për Zhvillim në landfillin e Maliqit do të ketë një paketë investimesh, duke shtuar dy qeliza të reja të trajtimit të mbetjeve për të siguruar kapacitetet për një periudhë 20-vjeçare në zonën e menaxhimit të mbetjeve të Korçës”, tha Jaupaj.

Landfilli i Maliqit është një nga investimet më të rëndësishme për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në qarkun e Korçës. Ai shërben si vendgrumbullimi kryesor për mbetjet e bashkive të qarkut dhe funksionon sipas standardeve bashkëkohore të mbrojtjes së mjedisit.

Në këtë landfill janë ndërmarrë masa të posaçme për izolimin e shtresave të tokës, grumbullimin e ujërave të ndotura dhe trajtimin e gazrave që krijohen nga mbetjet, duke rritur sigurinë mjedisore dhe shëndetësore për komunitetin.

/k.s/r.e/

The post Landfilli i Maliqit siguron menaxhim e mbetjeve për 20 vjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Kulturë e re e gjuetisë me elemente të traditës ndërsa eliminon praktikat e dëmshme

11 December 2025 at 19:08

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot në Kuvend, projektligjin “Për gjuetinë”.

Jaupaj tha se ky projektligj ka një kuadër të ri ligjor që do të rregullojë aktivitetin e gjuetisë në Shqipëri.

“Ky propozim vjen në një moment kyç për vendin tonë pasi përfaqëson rikthimin e një aktiviteti  pas një dekade moratoriumi, të cilin e cilësonim shumë të nevojshëm për rikthimin e qetësisë në habitatet natyrore”, tha ai.

“Për kontekstin kohor, kjo masë drastike është marrë pasi ka qenë e domosdoshme për biodiversitetin dhe zonat e mbrojtura. Por, pas moratoriumit që ka shërbyer edhe si periudhë për të ndërtuar mekanizmat ligjorë që kontrollojnë pasuritë natyrore të Shqipërisë, siç është AKZM ndodhemi sot në një stad të ri”, tha Jaupaj.

Ministri Jaupaj u shpreh se “gjuetia në vendin tonë ka qenë dhe vazhdon të jetë  një traditë që është transmetuar brez pas brezi dhe që ka pasur një vlerë që shkon përtej aspektit të sigurimit të ushqimit. Propozimi për rihapjen e gjuetisë nën kushtet e kontrolluara njeh këtë dimension kulturor dhe kërkon ta transformojë atë”, pohoi Jaupaj.

Sipas Jaupajt, ideja e këtij projektligji qëndron në faktin e krijimit të një kulture të re të gjuetisë që ruan elementet pozitive të traditës ndërsa eliminon praktikat e dëmshme.

“Gjuetari modern që ky projektligj synon të ndërtojë është dikush që njeh dhe mbron natyrën, që kupton rëndësinë e mbrojtjes së biodiversitetit dhe respektin e ligjit, si edhe ushtron aktivitetin me përgjegjësi dhe etikë”, vijoi ai.

“Edukimi mjedisor i brezave të rinj është komponent thelbësor i kësaj strategjie afatgjatë. Fëmijë që rriten me rëndësinë e natyrës do të jenë gjuetarë të përgjegjshëm të së nesërmes. Përpara vendosjes së moratoriumit, gjuetia në vendin tonë kishte marrë përmasa shqetësuese, një situatë që krijoi një territor të hapur për gjuetinë e pakontrolluar dhe goditi faunën e egër”, tha ai.

Jaupaj tha se studimet treguan se shumë specie kishin pësuar rënie drastike të popullatës së tyre.

“Shpendët ujorë dhe migratorë që dikur ishin të bollshëm në zonat bregdetare u zvogëluan në mënyrë shqetësuese. Edhe speciet e vogla që kishin qenë objekt i gjuetisë sportive u bënë gjithmonë e më të rralla”, cilësoi Jaupaj.

Sipas tij, në këtë kontekst qeveria shqiptare vendosi një moratorium të plotë për gjuetinë, vendim të cilin Jaupaj e cilësoi të guximshëm  për kohën, por i domosdoshëm pasi synonte t’i jepte kohë rikuperimit të popullatës së faunës dhe ndërtimin e një sistemi të ri të menaxhimit për burimet natyrore.

Ministri i Mjedisit u shpreh se përmes këtij projektligji synohet të vendosen rregulla të qarta për mënyrën e organizimit dhe ushtrimit të gjuetisë, që të sigurohet ruajta e diversitetit biologjik dhe ekuilibri natyror i habitateve të florës dhe faunës së egër.

Jaupaj tha se eksperienca e vendeve evropiane tregon se gjuetia mund të shndërrohet në burim të ardhurash në zonat rurale me hapjen e vendeve të reja të punës, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve.

“Ndryshimi është kalimi i kompetencës nga strukturat qendrore te bashkitë, ndryshe nga më parë , tani përgjegjësinë për gjuetinë e kanë njësitë e qeverisjes vendore.

Duke synuar një gjueti të qëndrueshme që garanton mbrojtjen e biodiversitetit. Ky propozim i ri përfaqëson një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë që krijon një model bashkëkohor për mirëqenien e komuniteteve”, përfundoi Jaupaj.

/e.i/j.p/

The post Jaupaj: Kulturë e re e gjuetisë me elemente të traditës ndërsa eliminon praktikat e dëmshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Drilon–Tushemisht Waterscape Park”, ndër 8 finalistët në Bienalen e Peizazhit në Barcelonë

10 December 2025 at 19:34

TIRANË, 10 Dhjetor /ATSH/ Qendra e re e vizitorëve në Parkun Drilon–Tushemisht, e ridimensionuar plotësisht nga pikëpamja estetike, është tashmë gati, duke krijuar një pikëtakim harmonik mes natyrës, përkujdesjes dhe projekteve ekologjike infrastrukturore.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, njoftoi sot se projekti Drilon–Tushemisht Waterscape Park”, i realizuar nga Ministria e Mjedisit dhe AADF, është përzgjedhur ndër 8 finalistët më të mirë në botë në Bienalen Ndërkombëtare të Peizazhit të Barcelonës, mes 230 projekteve nga 20 vende dhe 4 kontinente.

Jaupaj bëri të ditur se restaurimi i qendrës së re të vizitorëve në parkun Drilon–Tushemisht, dhe përfundimi i projektit për zbatimin e Biosferës së Prespës janë investime të rëndësishme me ndikim në ekonominë dhe turizmin e zonë.

Ndërkohë, vijoi ai, restaurimi i Parkut të Drilonit është zgjedhur si një nga 8 projektet më të mira në botë për restaurimin e natyrës.

“Investimi është një vlerë e shtuar për këtë pikë turistike që është ndër më të frekuentuarat nga vizitorët gjatë sezonit dimëror”, shtoi ministri i Mjedisit.

Projekti njihet si një model i restaurimit ekologjik, ringritjes së habitateve dhe zhvillimit të turizmit të përgjegjshëm, duke kontribuar në rritjen e vizibilitetit të Shqipërisë në nivel ndërkombëtar dhe promovimin e natyrës si atraksion turistik. e.xh/j.p/

The post “Drilon–Tushemisht Waterscape Park”, ndër 8 finalistët në Bienalen e Peizazhit në Barcelonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Të gjitha zonat e mbrojtura me plan menaxhimi deri në 2030-ën

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi sot se “Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka dorëzuar dosjen e aplikimit për përfshirjen në UNESCO të liqenit të Shkodrës”.

Në aktivitetin ”Për Ty Natyrë”, ku u diskutua mbi prioritetet e mjedisit dhe pyjeve, të cilat do të hyjnë në një fazë të re në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian Jaupaj tha se “Liqeni i Shkodrës është një tjetër pasuri natyrore e Shqipërisë që do t’i bashkohet pasurive botërore të UNESO-s”.

Ai shprehu mirënjohjen ndaj Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me UNESCO-s për rezultatet që kanë arritur gjatë këtyre viteve.

Jaupaj u shpreh se “këto rezultate na motivojnë të bëjmë më shumë në radhë të parë për qytetarët dhe integrimin europian”.

“Deri në 2030 synojmë që 100% të zonave të mbrojtura të kenë planet e tyre të menaxhimit, të finalizojmë rrjetin Natyra 2000 si një kriter i qartë i nënkapitullit të natyrës me BE-në dhe zonat e mbrojtura të shndërrohen në qendra të zhvillimit lokal dhe turizmit dhe inovacionit natyror”, nënvizoi Jaupaj.

Ministri Jaupaj bëri të ditur edhe nisjen e një strategjie për pyjet, që sipas tij “vjen si harmonizim i shkencës, restaurimit ekologjik, digjitalizmit dhe pyllëzimit inovatv”.

“Në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit për 2026 kemi një zë të veçantë për programin e pyllëzimeve me dron, të cilat do të zhvillohen si fillim në Parkun Kombëtar të Dajtit, në bredhin e Hotovës në Përmet, Parkun Kombëtar Lurë, Mali i Dejës, duke garantuar rigjenerim të saktë dhe më të shpejtë”, informoi Jaupaj.

Jaupaj tha se “zonat e mbrojtura, pyjet, ujërat, biodiversiteti përkufizojnë atë që quhet identiteti ekologjik i Shqipërisë dhe janë aseti ynë kombëtar”.

Për këtë arsye pas 10 vitesh pas krijimit të AKZM, moratoriumit të pyjeve që dha rezultate duke kthyer qetësinë me mbi 1 milionë ha pyje, sipas tij, ka ardhur momenti për të krijuar një model të ri që i përgjigjet sfidave, por edhe ambicieve të kohës.

Jaupaj tha se “e mendojmë të udhës që standardet e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës të unifikohen në një zinxhir të qartë përgjegjësish me struktura të qarta, por edhe me vizionin inovativ për të zhvilluar një ekonomi të qëndrueshme”.

Jaupaj tha se përmes kësaj qasjeje që fillon në janar të 2026 “mund të sigurojmë një menaxhim unik të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, një vendimmarrje të bazuar në të dhëna shkencore, një monitorim të biodiversitetit dhe kontroll të qartë të territorit”.

“Me punë gjatë këtyre viteve kemi treguar që zonat e mbrojtura mund të jenë katalizator të zhvillimit lokal dhe përfitues janë komunitetet që jetojnë në këto zona. Parku Kombëtar i Vjosës është një shembull i jashtëzakonshëm, pasi është pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s”, tha Jaupaj.

/k.s/j.p/

The post Jaupaj: Të gjitha zonat e mbrojtura me plan menaxhimi deri në 2030-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Shqipëria drejt epokës së ekonomisë qarkulluese, ndotësi paguan

4 December 2025 at 19:41

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Në Kuvend u prezantua sot nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”.

Jaupaj tha se ky projektligj vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian pas hapjes së negociatave të grup-kapitullit 4, pjesë e të cilit është edhe Kapitulli 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.

“Miratimi dhe zbatimi i këtij ligji do të thotë se Shqipëria nuk po përmbush vetëm formalisht kërkesat e BE-së, por po ndërton një model të qëndrueshëm që sjell përfitime konkrete për shëndetin publik, mjedisin dhe ekonominë”, tha ai.

Ministri i Mjedisit, u shpreh se Qeveria shqiptare ka marrë përsipër angazhime të qarta lidhur me ekonominë qarkulluese dhe plani kombëtar për menaxhimin e mbetjeve e identifikon përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit si një shtyllë kryesore për arritjen e objektivave kombëtare.

“Pa zbatimin e këtij sistemi, objektivat për ripërdorim dhe riciklim të mbetjeve mbeten thjesht në letër. Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Parisit dhe ka marrë angazhime në forume ndërkombëtare për zvogëlimin e emetimeve të gazeve serrë. Menaxhimi i integruar i mbetjeve kontribuon drejtpërdrejtë duke ulur emetimet e gazeve nga landfillet duke promovuar riciklimin”, tha Jaupaj.

Sipas Jaupajt, ligji është në përputhje me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

“Përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit është një qasje mjedisore e cila parashikon se prodhuesi dhe importuesi duhet të mbajnë përgjegjësi financuare dhe organizative për menaxhimin e mbetjeve që gjenerohen nga produktet e tyre nga mbledhja, riciklimi dhe trajtimi fundor i tyre. Subjektet prodhuese që vendosin produkte në tregun shqiptar do të jenë financiarisht përgjegjëse për trajtimin e mbetjeve që krijohen nga këto produkte”, pohoi ai.

Jaupaj theksoi se projektligji do të zbatohet për të paktën pesë rryma të mbetjeve, si ambalazhet, bateritë, automjetet në fund të jetës, mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike dhe vajrat e përdorur.

Ministri Jaupaj pohoi se ky projektligj fuqizon parimin “ndotësi paguan”, si një element kyç në menaxhimin e mbetjeve dhe përfaqëson një reformë, e cila transferon barrën e transferimit të mbetjeve nga tatimpaguesi te prodhuesit dhe ndotësit.

Sipas Jaupajt, projektligji plotëson një kërkesë të BE-së, ndërsa krijon mekanizma financiarë për ekonominë qarkulluese, si edhe rrit përgjegjësinë e biznesit ndaj mjedisit dhe shoqërisë.

“Për dekada të tëra, ekonomia ka ndjekur modelin linear prodho-konsumo-hidh. Ky model tejkalon kapacitetin tonë për t’i menaxhuar mbetjet, ndërsa mjedisi po dëmtohet. Ky ligj përfaqëson hyrjen e Shqipërisë në epokën e ekonomisë qarkulluese ku burimet ruhen, produktet ripërdoren dhe mbetjet transferohen në mundësi”, tha ai.

“Me miratimin e këtij ligji, ne po vendosim themelet e një transformimi të domosdoshëm. Ky ligj është një provë konkrete se Shqipëria po ecën me vendosmëri drejt standardeve evropiane, nga bindja se ky është modeli i zhvillimit që meriton vendi ynë, një ekonomi moderne që e pozicionon Shqipërinë si një vend që mbron interesin publik, orienton bizneset drejt përgjegjësisë dhe inovacionit dhe që zgjedh të ndërtojë një ekonomi të gjelbër për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, përfundoi Jaupaj.

/e.i/a.f/r.e/

The post Jaupaj: Shqipëria drejt epokës së ekonomisë qarkulluese, ndotësi paguan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Diferencimi në burim, sfida tjetër për menaxhimin e mbetjeve

1 December 2025 at 10:56

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Në Impiantin e Përpunimit të Mbetjeve në Tiranë puna vijon pa asnjë ndalesë, ku kryhen të gjitha hallkat e menaxhimit modern të mbetjeve.

Falë investimeve tashmë po rikualifikohet edhe i gjithë peizazhi përreth, ndërsa synimi mbetet rritja e sasisë së mbetjeve të rikuperuara dhe të ricikluara, për të ulur volumin që përfundon në landfill.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, inspektoi sot punën në terren, ku theksoi se diferencimi në burim do të jetë edhe sfida tjetër për menaxhimin e mbetjeve.

“Nuk mjaftojnë vetëm investimet që kryhen në pikat fundore të mbetjeve. Ministria e Mjedisit është e angazhuar përmes programeve të mëdha për të plotësuar të gjitha nevojat me infrastruktura fundore në të gjithë Republikën”, u shpreh ai.

Por diferencimi në burim, sipas Jaupajt, është një sfidë që Ministria e Mjedisit do e ndjekë me njësitë e qeverisjes vendore që janë përgjegjëse për ta prezantuar në qytete.

Ministri vlerësoi se programi i edukimit mjedisor me nxënës dhe studentë po sjell një energji të re në arritjen e këtij objektivi.

“Iniciativa që keni marrë bashkë me orët mjedisore dhe edukimin me nxënësit krijon një premisë të mirë për ta prezantuar këtë në mënyrë të suksesshme. Qëllimi është që ne të kemi një diferencim më të madh të mbetjeve në mënyrë që ato mbetje që shërbejnë si ekonomi qarkulluese të mund të shiten për të rritur vlerën financiare”, tha Jaupaj.

Ministri theksoi se sasia e mbetjeve që do të depozitohet në landfill duhet të jetë sa më e vogël, minimale, që të rrisë jetëgjatësinë e landfilleve.

“Shqipëria nuk e ka luksin të ketë shumë landfille sepse është një vend shumë i vogël, megjithatë me procesin e diferencimit dhe kapsulimit po bëhet një punë shumë e mirë”, shtoi ai.

/m.m/j.p/

The post Jaupaj: Diferencimi në burim, sfida tjetër për menaxhimin e mbetjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Reshjet, 12 Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura në gatishmëri të plotë

22 November 2025 at 18:27

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, njofton se 12 Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për shkak të reshjeve të dendura.

Strukturat janë angazhuar për të monitoruar situatën dhe për t’u përgjigjur menjëherë ndaj çdo problematike që mund të lindë në terren.

Ministri apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve në shtigje, akse rrugore, kanione, ujëvara dhe përgjatë lumenjve, pasi prurjet e larta dhe rrëshqitjet e mundshme mund të shkaktojnë situata të papritura.

“Jemi të gjithë së bashku për të kaluar këtë situatë me përgjegjësi dhe kujdes”, thekson Jaupaj.

/a.f/

The post Jaupaj: Reshjet, 12 Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura në gatishmëri të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Programi Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve, qasje moderne dhe e harmonizuar me acquis të BE-së

20 November 2025 at 17:27

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi sot se Programi Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve është një nga elementët përmbyllës më të rëndësishëm të Kapitullit 27 të negociatave me BE, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike, si edhe një shtyllë qendrore e reformës kombëtare për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë mbi menaxhimin modern të mbetjeve, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve vendore, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave mjedisore, Jaupaj theksoi se ky program vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Europian dhe GIZ Albania, duke i ofruar vendit një qasje tërësisht moderne dhe të harmonizuar me acquis të BE-së dhe me parimet e ekonomisë qarkulluese.

Sipas ministrit, programi i ri fokusohet në gjashtë drejtime strategjike: Forcimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e përgjegjësisë së prodhuesit; Nxitjen e prodhimit dhe konsumit të qëndrueshëm; Zgjerimin e ripërdorimit, riparimit dhe reduktimit të mbetjeve; Parandalimin e mbetjeve organike; Reduktimin e mbetjeve plastike dhe paketimit; Masa konkrete për menaxhimin e mbetjeve të ndërtimit.

Jaupaj vuri theksin te roli i pushtetit vendor, duke theksuar se bashkitë janë hallka kyçe e reformës, pasi aty nis ndarja në burim, riciklimi dhe edukimi qytetar. Ai solli në vëmendje shembuj pozitivë si qendrat e riciklimit në Berat dhe Përmet, të cilat konsiderohen modele të suksesshme, si edhe nismat e reja që po transformojnë mënyrën e menaxhimit të mbetjeve në disa bashki të vendit.

Ministri nënvizoi se përmes këtij programi Shqipëria hedh një hap të rëndësishëm drejt standardeve europiane të mbrojtjes së mjedisit, duke reduktuar volumin e mbetjeve dhe duke çuar përpara objektivat e ekonomisë qarkulluese.

Sipas tij, zbatimi i programit do të shoqërohet me investime, trajnime dhe modele të reja operacionale në terren, duke garantuar një qasje të qëndrueshme dhe afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve në të gjithë vendin.

/e.xh/r.e/

The post Jaupaj: Programi Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve, qasje moderne dhe e harmonizuar me acquis të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌