TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Konsultimet për ndryshimet në Kodin e ri Penal kanë vijuar sot në Ministrinë e Drejtësisë me përfaqësues të shoqatave të medieve.
Në takim ishim të pranishëm ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, dekani i Fakultetit të Histori Filologjisë, Mark Marku, kreu i grupit të punës për Kodin Penal, Arben Rakipi, organizata të shoqërisë civile, gazetarë dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.
Ministri vuri theksin tek integriteti i procesit dhe nevoja për të garantuar punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për nevojën për të garantuar punën e gazetarëve, në mënyrë që ata ta ushtrojnë plotësisht lirinë e tyre të shprehjes duke mbajtur përgjegjës zyrtarët. Sigurisht kjo e shkruar mirë në raport me të dhënat, me faktet dhe duke shmangur mundësinë për abuzim, për elementë të qëllimshëm keqdashës dhe të pabazuar në deklaratat e tyre. Unë besoj fort se më shumë sesa është njohur, ky draft Kodi Penal është komentuar. Komentet e ndryshme që janë bërë mbi të janë të natyrave të ndryshme, të qëllimeve të ndryshme që mbështesin këto komente”, u shpreh ai.
Lamallari nënvizoi se rruga e duhur është një proces sa më gjithëpërfshirës dhe transparent, ku gjithësecili është duke ushtruar detyrën e tij dhe përgjegjësinë qytetarë për të forcuar më tej demokracinë e vendit të tij.
Gjithashtu, ministri u shpreh se synimi final është që të kemi një produkt që të reflektojë nevojat e shoqërisë, t’i rezistojë kohës dhe të ketë referenca standardet më të mira ndërkombëtare.
“Në fund të kemi një produkt që është shumatorja e të gjithë mendimeve të shprehura mbi bazë të përvojave dhe dijes që kemi akumuluar, duke bërë edhe referencat me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Për Ministrinë e Drejtësisë, integriteti i procesit është i panegociueshëm. Ne duhet të kemi një proces sa më të hapur, të shëndetshëm, konstruktiv dhe që nxit debatin. Ajo që del më pas nga ky produkt është niveli i emancipimit të shoqërisë shqiptare dhe vizionit të përbashkët për të pasur një demokraci më të fortë, një shtet dinjitoz pjesë e familjes evropiane”, deklaroi ministri Lamallari.
Krasniqi prezantoi sugjerimet e AMA-s për disa nene specifike të draftkodit të ri, të cilat gjykojnë se duhen rishikuar.
“Për punën tonë, liria e shprehjes dhe e drejta për informim, përveçse të drejta themelore të njeriut, janë thellësisht orientuese në aktivitetin rregullator të tregut audioviziv. Bazuar mbi këto të drejta, dhe duke respektuar parimet e gazetarisë profesioniste, duke u mbështetur edhe në parimet që vijnë nga Këshilli i Europës, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut si dhe në standardet ndërkombëtare, kemi vlerësuar disa sugjerime mbi draftin e Kodit Penal, specifikisht në nenet 235, 267, 536, 863 dhe 865″, deklaroi kryetarja e AMA-s.
Ajo i konsideroi shumë konstruktive, diskutimet dhe sugjerimet e parashtruara në tryezën e sotme, e cila do të pasohet edhe nga të tjera, deri në hartimin e draftit përfundimtar të Kodit të ri Penal.
Tryezat konsultative për draftin e Kodit të ri Penal do të vijojnë edhe me aktorë e grupe të tjera interesi sipas një kalendari të dakordësuar më herët.
/m.q/r.e/
The post Drafti i Kodit të ri Penal diskutohet me përfaqësues të medieve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.