Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

I rremë lajmi për ndarjen nga jeta të Lulzim Bashës

7 January 2026 at 15:21

Pretendimi: Lulzim Basha ka ndërruar jetë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Një postim që ka marrë mbi 400 pëlqime në Facebook njofton vdekjen e papritur të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë mbi shkakun e vdekjes.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen. Ky lajm është i rremë. Nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga familja e Bashës për humbje jete.

Duke përdorur foton e Lulzim Bashës, titulli dhe brendia e artikullit përdorin një dredhi duke iu referuar atij si “Luizin,” “Luiz,” dhe “Luzi.” 

Më tej, ai përshkruhet si “një emër i njohur dhe i dashur në botën e muzikës” dhe një “artist” me “zë unik.” Ky përshkrim nuk ka lidhje me Lulzim Bashën, i cili njihet si politikan, jo si muzikant apo këngëtar.

Ka gjasa që ky artikull, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Ngatërrimi qesharak i Lulzim Bashës me ndonjë këngëtar duket si një ‘delirim’ karakteristik i këtyre programeve gjenerative.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi gjetjen e Bleona Matës së zhdukur në 2010, vdekjen e këngëtarit Shpat Kasapi dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari.

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe lajme të mëparshme mbi vdekjen e Bashës. 

Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve në mënyrë jo etike.

The post I rremë lajmi për ndarjen nga jeta të Lulzim Bashës appeared first on Faktoje.al.

Të rreme lajmet në rrjet për gjetjen e Bleonës së zhdukur

19 December 2025 at 16:57

Pretendimi: Bleona Mata, 6-vjeçarja e zhdukur në 2010, është gjendur nga Altin Dumani/një emision gjerman

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Dy postime të faqes Albania News 247 pretendojnë se e mitura Bleona Mata, e zhdukur në 22 maj 2010 në Kukës, është gjendur, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë. Megjithëse janë postuar brenda dy ditësh nga njëri-tjetri, postimet identifikojnë shpetimtarë të ndryshëm. Në postimin e 17 dhjetorit, pretendohet se Bleona Mata është gjetur nga një emision gjerman, ndërsa në atë të 18 dhjetorit, meritat i jepen kreut të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.

Gjithsesi, të dy pretendimet janë të rreme.

Artikujt e referuar në komente nuk përmbajnë ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur këto pretendime.

Madje, në brendinë e artikullit, shkruhet se një emision gjerman “ka gjetur gjurmë të reja që lidhen që lidhen me zhdukjen misterioze të Bleona Matës,” përkundër pretendimit të titullit që Bleona Mata ishte gjetur. Megjithatë, edhe pretendimi i artikullit është i dyshimtë, duke qenë se nuk jepet emri i emisionit gjerman, apo ndonjë informacion tjetër identifikues. Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve.

Artikulli që pretendon se kreu i SPAK, Altin Dumani, ka zbuluar vendndodhjen e Bleona Matës është edhe më qartësisht i rremë. Ai është i mbushur me pasaktësi faktike dhe logjike.

Që në fjalinë e parë, Altin Dumani quhet “një nga figurat më të njohura të showbiz-it.” Ndërkohë, Bleona 6-vjeçare përshkruhet si “e njohur për talentin e saj dhe karrierën e suksesshme si këngëtare.” Sipas artikullit, Bleona “kishte zhdukur nga sytë e publikut, duke lënë fansat dhe ndjekësit e saj me shumë pyetje.” Qartazi, artikulli ngatërron 6-vjeçaren Bleona Mata me këngëtaren shqiptare Bleona Qereti. Artikulli, ndërkaq, përdor vazhdimisht foton e Bleonës së mitur.

Ka gjasa që të dy këto artikuj, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Ngatërrimi qesharak me këngëtaren Bleona Qereti duket si një ‘delirim’ karakteristik i këtyre programeve gjenerative.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi vdekjen e Shpat Kasapit dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari.

Duhet nënvizuar se këto postime tejkalojnë një kufi moral kur zgjedhin të përdorin si karrem për  klikime imazhin e një fëmije që është zhdukur mbi 10 vite më parë. Mediat raportojnë se e ëma e Bleona Matës vazhdon ende ta kërkojë.

The post Të rreme lajmet në rrjet për gjetjen e Bleonës së zhdukur appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria nuk akordoi pension shtetëror për familjen e Shpat Kasapit

10 December 2025 at 15:17

Pretendimi: Edi Rama thyen heshtjen dhe zbulon lajmin e madh për familjen e Shpat Kasapit

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Vdekja e papritur e këngëtarit shqiptar Shpat Kasapi më 26 nëntor 2025 vazhdon të përdoret në mënyrë jo etike nga portalet shqipfolëse për të mbledhur klikime.

Kështu, një postim që ka marrë mbi 800 pëlqime në Facebook, pretendon se kryeministri shqiptar Edi Rama ka zbuluar një lajm të madh për familjen e Kasapit, ndërsa i fton lexuesit të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Kujtojmë se Shpat Kasapi ishte shqiptar i Maqedonisë së Veriut, jo qytetar shqiptar, familja e të cilit nuk mund të marrë pension shtetëror nga shteti shqiptar, me kryeministër Edi Ramën.

Ndërkaq, në brendinë e artikullit të referuar në komente, nuk përmendet aspak Rama, apo ndonjë lajm i madh për familjen e tij. Në vend të kësaj, flitet për debate që reagimi ndaj vdekjes së Kasapit ka shkaktuar mes artistëve të tjerë shqiptarë.

Titulli i artikullit keqinformon në mënyrë jo etike mbi dikë që ka ndërruar jetë, me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve ndërsa familjarët dhe të afërmit e tij po përjetojnë momente tejet të vështira.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi vdekjen e Kasapit dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari.

The post Shqipëria nuk akordoi pension shtetëror për familjen e Shpat Kasapit appeared first on Faktoje.al.

Djali i Azem Hajdarit nuk zbuloi pas 27 vitesh vrasësin

9 December 2025 at 15:05

Pretendimi: Pas 27 vitesh djali i Azem Hajdarit zbulon vrasësin e babait të tij

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Një postim që ka marrë mbi 600 pëlqime në Facebook pretendon se djali i politikanit të ndjerë shqiptar Azem Hajdari ka zbuluar se kush e ka vrarë të atin, ndërsa i fton lexuesit të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë. Kolazhi i fotos kryesore përfshin në mënyrë të dukshme portretin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke nxitur dyshime se ish-kryeministri është që qendër të akuzës.

Ndërkaq, në brendinë e artikullit të referuar në komente, pretendohet se i biri i Hajdarit, “Genci Hajdari, ka dalë me një deklaratë të papritur dhe të fuqishme, duke thënë se më në fund ka në dorë “dëshmitë që i duhen drejtësisë për të zbardhur të vërtetën”. Ai pretendon se ka identifikuar personin që, sipas tij, ka luajtur rolin kyç në organizimin e atentatit ndaj babait të tij.”

Megjithatë, pretendon artikulli, i biri i Hajdarit “nuk ka publikuar ende në mënyrë të plotë emrin e personit që ai pretendon se është ‘organizatori kryesor’”.

Pretendimet brenda artikullit janë krejtësisht trillime. Ky i fundit nuk i referohet ndonjë burimi. 

Genci Hajdari nuk ekziston. Azem Hajdari ka tre fëmijë, Kirjald, Rudina, dhe Azemin, djalin që mban emrin e tij.

Në fotot bashkëngjitur artikullit, duket djali i vogël, Azemi. Ai foli gjatë një ceremonie homazhesh të organizuar nga Partia Demokratike për nder të të atit më 8 dhjetor 2025 dhe u shfaq në një intervistë për Euronews po atë ditë. Hajdari foli për të atin, por në asnjë moment nuk deklaroi apo aludoi se kishte “zbuluar” vrasësin e tij. 

Azem Shpend Hajdari ishte një nga udhëheqësit e lëvizjes studentore në dhjetor ‘90, që nxiti tranzicionin demokratik në Shqipëri. Më pas ai u bë politikan dhe deputet i Partisë Demokratike. Ai u qëllua për vdekje nga Fatmir Haklaj pranë selisë së Partisë Demokratike më 12 shtator 1998 në moshën 35 vjeçare.

Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve duke hedhur baltë në mënyrë jo etike mbi dikë që ka ndërruar jetë, duke ia rënduar dhimbjen familjarëve të tij.

The post Djali i Azem Hajdarit nuk zbuloi pas 27 vitesh vrasësin appeared first on Faktoje.al.

Autopsia nuk zbuloi vdekjen nga mbidoza të Shpat Kasapit

5 December 2025 at 10:29

Pretendimi: Këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut Shpat Kasapi vdiq si pasojë e mbidozës

Verdikti: E paprovuar

————————————————–

Pas vdekjes së papritur të këngëtarit shqiptar Shpat Kasapi më 26 nëntor 2025, në rrjete sociale nisën të përhapen teori të shumëllojshme mbi shkakun e vdekjes së tij.

Kështu, një postim që ka marrë mbi 300 pëlqime në Facebook, pretendon se Kasapi vdiq nga mbidoza, ndërsa i fton lexuesit të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Ndërkaq, në brendinë e artikullit të referuar në komente, pretendohet se autopsia e Kasapit kishte zbuluar “një kombinim faktorësh shëndetësorë që Shpati i kishte mbajtur të fshehur, qoftë nga familja, qoftë nga ndjekësit e tij. Trupi i tij paraqiste shenja lodhjeje të skajshme, probleme kronike të pa trajtuara si duhet, dhe sipas ekspertëve, organizmi i tij kishte qenë në një gjendje alarmi për një kohë të gjatë.”

Artikulli gjithashtu citon të vëllanë e Kasapit si të ketë thënë: “Nuk e dinim që ishte kaq keq. Ai nuk ankohej kurrë… gjithmonë thoshte ‘jam mirë’. Tani e kuptojmë që ai po e luftonte këtë gjithçka i vetëm.”

Pra, pretendimi i titullit kundërshtohet nga vetë brendia e artikullit. Kasapi nuk vdiq nga mbidoza. Sipas burimeve mediatike, Shpat Kasapi u nda nga jeta për shkak të një arresti kardiak.

Megjithatë, edhe pretendimet brenda artikullit janë trillime. Ky i fundit nuk i referohet ndonjë burimi. Ai i referohet thjesht një “instituti të mejkësisë ligjore” pa specifikuar i kujt shteti. Mjeku që citohet është anonim. Kur citon vëllain e Kasapit, nuk i referohet se për cilën media ka folur ai.

Vëllai i Kasapit ka folur vërtet për vdekjen e këngëtarit në një intervistë për Top Channel. Megjithatë, ai nuk tha se Kasapi nuk ankohej kurrë për shëndetin. Përkundrazi, Albin Kasapi tha se i vëllai ka patur disa shqetësime të vogla nga zemra.

“Nuk ka pasur diçka të rrezikshme, gjëra normale. Ka pasur dhe një herë pak me zemrën probleme, një shtrëngim, por jo diçka serioze,” tha Kasapi.

Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve duke hedhur baltë në mënyrë jo etike mbi dikë që ka ndërruar jetë, ndërsa familjarët dhe të afërmit e tij po përjetojnë momente tejet të vështira.

The post Autopsia nuk zbuloi vdekjen nga mbidoza të Shpat Kasapit appeared first on Faktoje.al.

Kuvendi i hoqi imunitetin ministrit të njohur, por jo në Shqipëri

By: FAKTOJE
17 November 2025 at 12:15

Pretendimi: Kuvendi i ka hequr imunitetin një “ministri të njohur”

Vlerësimi: Mungon konteksti / clickbait

Jona Cenameri

Një postim në 8 nëntor në Facebook i portalit “Preferenca” me titullin sensacional të një lajmi urgjent “Kuvendi i heq imunitetin ministrit të njohur” krijon natyrshëm interes për lexuesin shqiptar që po ndjek me interes hetimet për korrupsion të SPAK ndaj antarëve të kabinetit Rama 4. Titulli nuk përmend vendin dhe përdor termin e përgjithshëm “Kuvendi”, ndërsa fraza “ministri i njohur” lë të kuptohet një politikan vendas.

Pas hapjes së linkut në koment, rezulton se lajmi i referohet Polonisë, jo Shqipërisë. Teksti përshkruan heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Drejtësisë Zbigniew Ziobro, një zhvillim i raportuar edhe nga media ndërkombëtare si Reuters më 7 nëntor 2025: “Parlamenti polak i heq imunitetin ish-ministrit të drejtësisë”.

Pra, ngjarja është reale, por i përket parlamentit polak. Megjithatë, postimi në Facebook nuk e përmend këtë fakt, duke e lënë lexuesin të mendojë se bëhet fjalë për institucionet shqiptare. Kjo është një teknikë e njohur clickbait/karrem-klikimesh, ku lajmet ndërkombëtare paketohen me tituj të paqartë për të gjeneruar klikime.

Konfuzioni i krijuar nga titulli reflektohet edhe në komentet nën postim. Disa përdorues kërkojnë sqarim, si në komentin: “Cili Kuvend o ‘gazetaruc’?”. Të tjerë ironizojnë mënyrën e përsëritur të faqes për të fshehur vendngjarjen: “Me që e keni Sekret, e keni mbërthyer nën dy dryna, nuk po e lexojmë fare, se zakonisht, mbasi lexon lajmin, del që ministri i njohur është nga … Burkina Faso, ose … Nga Burundi! ‘BINGO’!” Ironia e përdoruesit e nënvizon qartë perceptimin se portali ka krijuar tashmë një precedent për publikimin e lajmeve me tituj clickbait.

Ndërkohë, disa lexues diskutojnë për imunitetin e deputetëve shqiptarë, gjë që tregon se titulli ka krijuar keqkuptim dhe konfuzion tek audienca shqiptare.

Edhe pse përmbajtja e lajmit është korrekte dhe përputhet me raportimin ndërkombëtar, mënyra se si është prezantuar në Facebook, pa vend, pa kontekst dhe me titull të përgjithshëm, e bën postimin dezinformues.

Faktoje e vlerëson pretendimin si dezinformues dhe clickbait, pasi ngjarja nuk ka ndodhur në Shqipëri dhe titulli i përdorur krijon një perceptim të rremë tek publiku.

The post Kuvendi i hoqi imunitetin ministrit të njohur, por jo në Shqipëri appeared first on Faktoje.al.

E pabazë këshilla për shërimin e diabetit me Aloe vera

6 November 2025 at 16:34

Pretendimi: Aloe vera shëron diabetin përgjithmonë

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Një postim në Facebook jep lajmin e mirë se aloe vera është “sekreti që ‘shëron’ diabetin përgjithmonë” duke ftuar lexuesit të lexojnë se si ta përdorin në artikullin e portalit inforculture.info.

Megjithatë, lexuesi shpresëplotë mund të zhgënjehet kur të lexojë në brendinë e artikullit se “nuk ekziston një “kurë përfundimtare” për këtë sëmundje kronike”, por “studimet sugjerojnë se aloe vera mund të ndihmojë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe përmirësimin e metabolizmit.”

Kështu, titulli i artikullit keqinformon me synim mbledhjen e klikimeve. 

Në fakt, siç Faktoje ka shpjeguar më parë, konsensusi mjekësor është se, deri tani, nuk ka një kurë për shërimin e diabetit tip 2, por vetëm mënyra për ta menaxhuar atë.

Diabeti mellitus (DM) një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insuline, karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë > 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash në të gjithë botën.

Studimet e kryera së fundmi tregojnë se nuk ka një kurë për diabetin deri më tani, por vetëm trajtime për ta mbajtur nën kontroll.

Disa studime sugjerojnë se lëngu i aloe verës mund të ndihmojë në menaxhimin e niveleve të sheqerit në gjak nëse keni diabet. Megjithatë, kërkimet mbi efektivitetin e tij janë të kufizuara dhe të përziera.

Megjithatë, studiuesit pajtohen se nevojiten më shumë studime tek njerëzit për të kuptuar plotësisht rolin e mundshëm të aloe vera në menaxhimin e diabetit, si dhe për të përcaktuar formën, llojin dhe dozën optimale.

Aloe vera nuk është zëvendësim për ilaçet e përshkruara për diabetin dhe duhet të përdoret vetëm nën mbikëqyrje mjekësore.

Kjo sepse disa nga përfitimet e pretenduara të aloe vera mund të jenë në fakt disavantazhe.

Sipas Qendrës Kombëtare amerikane për Shëndetin Plotësues dhe Integrativ (NCCIH), njerëzit me diabet të tipit 2 që përdorin ilaçe për të ulur sheqerin në gjak duhet të jenë të kujdesshëm në marrjen e aloe verës nga goja. Nëse i kombinoni të dyja, mund të shkaktoni një rënie të ndjeshme të niveleve të sheqerit në gjak (një gjendje serioze e njohur si hipoglicemi).

Kur nivelet e sheqerit në gjak bien shumë, mund të ndiheni të lodhur, të dridhur dhe të djersitur, dhe të keni një ritëm të çrregullt të zemrës. Kur hipoglicemia përkeqësohet, mund të përjetoni konfuzion, shikim të turbullt, kriza ose edhe humbje të vetëdijes.

Dhe për shkak se aloe vera është treguar se ka efekte laksative, ajo mund të ulë përthithjen, dhe si pasojë efektivitetin, e ilaçeve të tjera orale, thotë NCCIH.

Faktoje ka verifikuar një sërë këshillash dhe kurash të rreme që kanë qarkulluar online për të kuruar diabetin.

The post E pabazë këshilla për shërimin e diabetit me Aloe vera appeared first on Faktoje.al.

Ulja e pritshme e shtëpive në Tiranë jo një analizë e Bankës së Shqipërisë

6 November 2025 at 15:32

Pretendimi: Banka e Shqipërisë ka thënë se çmimet e shtëpive do bien frikshëm në Tiranë në muajt në vijim

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————————-

Një artikull i botuar më 4 nëntor 2025 në portalin Noxblog jep lajmin e mirë se Banka e Shqipërisë ka njoftuar se çmimet e shtëpive në Tiranë “do bien frikshëm” në muajt në vijim.

Megjithatë, lexuesi nuk duhet të lumturohet para kohe. Titulli i mësipërm është një keqintepretim.

Në brendinë e artikullit sqarohet se titulli i referohet botimit të vrojtimit mujor të besimit të bizneseve dhe konsumatorëve nga Banka e Shqipërisë.

Artikulli deklaron se “sipas raportit, Treguesi i Besimit në Ndërtim është rritur me 2.4 pikë përqindje në tetor, duke qëndruar rreth 15 píkë mbi mesataren afatgjatë. […] Megjithatë, Banka thekson se pritjet për çmimet në të ardhmen janë ulur, çka tregon një tendencë drejt stabilizimit ose rënies së çmímeve në tregun e ndërtimit.”

Vrojtimi në fjalë, botuar më 3 nëntor 2025, vërtet raporton se treguesi i besimit në ndërtim u rrit dhe “pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar me rënie.”

Megjithatë, ky ‘parashikim’ nuk vjen nga Banka e Shqipërisë, por nga bizneset e anketuar për përpilimin e këtij vrojtimi të besimit, të cilët i janë përgjigjur pyetjes së mëposhtme.

Për krahasim, në muajt e mëparshëm pritja e ndryshimit të çmimeve në këtë sektor ka parë si ulje dhe rritje. 

Ulja më domethënëse ka qenë nga maji në qershor, ndërsa rritja më domethënëse nga korriku në gusht. Krahasimisht, ulja e pritur e çmimeve këtë muaj vështirë se mund të quhet e frikshme. 

Për më tepër, çfarë përgjigjen bizneset e anketuara nga Banka e Shqipërisë dhe çfarë është realiteti i tregut të pronave të patundshme në Tiranë, jo domosdoshmërisht mund të përkojnë.

Titujt e mësipërm dukshëm synojnë të përfitojnë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e publikut.

The post Ulja e pritshme e shtëpive në Tiranë jo një analizë e Bankës së Shqipërisë appeared first on Faktoje.al.

Gjykata e Lartë nuk ka vendosur rrëzimin e Kodit të ri Penal

6 November 2025 at 15:31

Pretendimi: Gjykata e Lartë rrëzon Kodin e ri Penal

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————–

Ndërsa propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për Kodin e ri Penal vijon të diskutohet në muajt pas botimit të tij në Korrik 2025, artikulli i Politiko më 5 nëntor duket se lajmëron përfundimin e debatit duke njoftuar se “Gjykata e Lartë rrëzon Kodin e ri Penal.”

Një titull i tillë krijon natyrshëm idenë e një vendimmarrje gjyqësore.

Lexuesi skeptik do të rikujtojë, me të hasur këtë titull, ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve (ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor), duke dyshuar nëse Gjykata e Lartë ka tagër të ‘rrëzojë’ një propozim ligji.

Në të vërtetë, artikulli i referohet qëndrimit të shprehur nga Gjykata e Lartë, nëpërmjet kreut të saj Sokol Sadushi, gjatë një takimi konsultimi të organizuar nga Ministria e Drejtësisë për draftin e Kodit të ri Penal.

Sadushi deklaroi se konsultimi institucional për hartimin e Kodit ka qenë i kufizuar dhe i pjesshëm. 

Ai tha se pas publikimit të draftit, Gjykata e Lartë ka hartuar një analizë me vërrejtjet, komentet dhe propozimet konkrete, e cila i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe grupit të punës. Sipas tij, dokumenti prej 50 faqësh evidenton çështjet themelore që kërkojnë reflektim dhe rishikim të kujdesshëm.

Fjala e plotë e Sadushit është botuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

Titulli i mësipërm tërheq interesin dhe vëmendjen e publikut duke përfituar klikime.

The post Gjykata e Lartë nuk ka vendosur rrëzimin e Kodit të ri Penal appeared first on Faktoje.al.

Kjo foto e Rexhina Nanos në homazhe është e pasaktë

By: FAKTOJE
4 November 2025 at 10:30

Pretendimi: Kjo foto tregon Rexhina Nanon, ish-bashkëshorten e ish-kryeminstrit Fatos Nano, të pranishme në ceremoninë e homazheve pas ndarjes së jetës së këtij të fundit

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, një numër portalesh shqiptare nxituan të raportonin për praninë e ish-bashkëshortes së tij, Rexhina Nano, në ceremoninë e homazheve për nderim të tij.

Megjithatë, zonja në imazh nuk është Rexhina Nano, bashkëshortja e parë e Fatos Nanos.

Siç është sqaruar edhe nga media të tjera, zonja është biznesmenia Shefikat Ngjela, “mikeshë e familjes dhe e zonjës Xhoana Nano.”

Edhe pse ngatërresa e fotos u sqarua nga disa portale si një lapsus, titujt e mësipërm vijojnë të jenë të publikuar duke synuar dukshëm të përfitojnë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e publikut pavarësisht momenteve të vështira që po kalon familja dhe të afërmit e të ndjerit.

The post Kjo foto e Rexhina Nanos në homazhe është e pasaktë appeared first on Faktoje.al.

Dorëheqja e deputetes për të kandiduar për kryebashkiake, krejt e pritshme

28 October 2025 at 23:49

Pretendimi: Dorëheqja e deputetes së PS shkakton “tërmet” të papritur në parti dhe “trondit” Edi Ramën 

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Dorëheqja e pritshme nga mandati e kandidates së Partisë Socialiste për kryebashkiake të Vlorës, Brunilda Mersini, është përdorur nga portali Noxblog jo vetëm për një, por dy tituj abuzues me qëllim mbledhjen e klikimeve.

Kështu, lexuesi nxitet të mendojë se më 27 tetor 2025, një deputete e Partisë Socialiste ka hequr dorë nga mandati papritur dhe pa dijeninë e qeverisë dhe kryeministrit, të cilët janë tronditur tepër nga ky gjest.

Megjithatë, lexuesi kurioz do të zhgënjehet kur të klikojë titullin dhe të lexojë në brendinë e artikujve se bëhet fjalë për dorëheqjen e deputetes Brunilda Mersini, e cila “është e lidhur drejtpërdrejt me synimin e saj për të garuar në zgjedhjet e pjesshme vendore.”

Detyrimisht, për të kandiduar për kryebashkiake, Mersini duhet të braktisë mandatin si deputete. Si rrjedhim, mund të themi se, ndryshe nga ç’pretendojnë titujt e mësipërm, ky veprim nga ana e saj ishte krejt i pritshëm.

Titujt e mësipërm dukshëm synojnë të përfitojnë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e publikut.

The post Dorëheqja e deputetes për të kandiduar për kryebashkiake, krejt e pritshme appeared first on Faktoje.al.

Ende nuk ka një plan të brendshëm në PD për largimin e Berishës

27 October 2025 at 09:26

Pretendimi: Zbulohet plani i brendshëm i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të lërë drejtimin e partisë.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

“Zbulohet plani i brendshëm i PD-së/ Deputeti plas ‘bombën’: Berisha do të lërë drejtimin e partisë …” lajmëron titulli i artikullit të portalit Shqipëria Ime.

Megjithatë, lexuesi nuk duhet të hidhërohet apo lumturohet para kohe. 

Në brendinë e artikullit, sqarohet se bëhet fjalë për një deklaratë të deputetit demokrat Besart Xhaferri, i cili tha më 21 tetor 2025

“Berisha nuk ka ripërsëritur zgjedhjet, kauza për farsë elektorale e tij duhet të vazhdojë. Nëse nuk përsëriten zgjedhjet, Berisha duhet të largohet nga drejtimi brenda 2026-ës. Nëse nuk ikën Berisha, unë do të vazhdoj misionin brenda PD, por nuk do të bëj luftë brenda partisë. Kjo, pasi përballja brenda partisë ka një lloj hierarki, nuk është radha ime.”

Qartazi nuk ekziston jo vetëm ndonjë plan i brendshëm i PD për largimin e Berishës nga drejtimi, por as ndonjë plan konkret i Xhaferrit, i cili pranon se nëse ish-kryeministri nuk ikën, ai, gjithsesi, “nuk do të bëjë luftë brenda partisë.”

Në fakt, Berisha nuk duket se ka ndërmend të ikë. 

Më 22 tetor, vetëm një ditë pas deklaratës së Xhaferrit, kreu i PD, pyetur mbi këtë deklaratë tha: 

“Së pari, cilido që lexon raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe ka kulturën minimale në të drejtën elektorale, kupton se zgjedhjet kanë qenë farsë.  Janë zhvilluar në kushtet e partisë së shtet, e thotë këtë rekomandimi i Këshillit të Europës. Janë zhvilluar në kushte të pabarabarta e thotë raporti paraprak i OSBE-ODIHR. Që këtu zgjedhjet janë farsë dhe jo zgjedhje. Së dyti, ju garantoj se çdo deputet, anëtar, mbështetës i kësaj partie do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka.  Natyrisht interpretimi i nenit të statutit, duhet të jetë i saktë. Statuti bën fjalë për zgjedhje, e jo për farsa dhe tani që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD-së që do ti bëjë interpretimin përfundimtar. Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së.” 

I pyetur nëse do të kandidojë sërish në 2026, ai tha: “Sigurisht që do të jem. Pyetje është kjo? Por e hapur ama, cilido.”

The post Ende nuk ka një plan të brendshëm në PD për largimin e Berishës appeared first on Faktoje.al.

Titull bombastik për incidentin me rojen në gjykatën e Apelit

22 October 2025 at 16:58

Pretendimi: Një tjetër ngjarje tronditëse ka ndodhur në gjykatat shqiptare

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

“Një tjetër ngjarje tronditëse në gjykatat shqiptare” lajmëron titulli i një artikulli të botuar më 19 tetor në portalin Rrjeti-social-shqiptar. Lajmi shoqërohet me një foto të gjykatës së Apelit në Tiranë dhe policë të shumtë në hyrjen e saj.

Duke qenë se artikulli vjen disa ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit më 6 tetor, lexuesja e shqetësuar paramendon se një tjetër incident i tillë ka ndodhur.

Megjithatë, shqetësimi i lexueses me gjasa do t’i lërë vend acarimit kur ajo të klikojë për të lexuar artikullin, vetëm për të zbuluar se në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë vrasje apo goditje, por për një fjalë goje.

Kështu, siç shpjegohet në brendinë e artikullit, “një person i identifikuar si Gentian M. u shoqërua nga policia” pasi i tha rojes së sigurisë së Gjykatës së Apelit: “Jeni për t’u vrarë të gjithë.”

Fatmirësisht, ndryshe nga ç’nënkupton titulli i artikullit, “ngjarja tronditëse” në fjalë nuk ka patur viktima apo të dëmtuar fizikisht.

Titulli i mësipërm dukshëm synon të përfitojë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e një publiku tashmë të tronditur nga një ngjarje e rëndë si vrasja e gjyqtarit Kalaja në sallën e gjyqit. Ky titull përhap panik të panevojshëm dhe dezinformon.

The post Titull bombastik për incidentin me rojen në gjykatën e Apelit appeared first on Faktoje.al.

Titull abuziv për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit kenian

21 October 2025 at 16:49

Pretendimi: Ndahet nga jeta ish-kryeministri “baba i demokracisë”, reagon urgjent presidenti.

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————

“E trishte! ‘Babai i demokracise…’ – Ndahet nga jeta ish KRYEMINISTRI, reagon urgjent PRESIDENTI,” lajmëron titulli i artikullit të portalit Noxblog.

Megjithatë, lexuesit që mendojnë se një ish-kryeministër shqiptar është ndarë nga jeta nuk duhet të shqetësohen.

Në brendi të artikullit, sqarohet se bëhet fjalë për ish-kryeministrin e Kenias, Raila Odinga, i cili ka ndërruar jetë më 15 tetor 2025, në moshën 80 vjeçare.

Megjithatë, titulli i vendosur me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve e bën lexuesin të mendojë se tragjedia ka ndodhur në Shqipëri, duke shkaktuar alarm të panevojshëm tek publiku shqiptar.

Komentuesit në postimin e portalit gjithashtu shprehen të frustruar me hilenë e “karremit të klikimeve,” duke u ankuar pikërisht se titulli keqinformues i kishte bërë të mendonin se ishte një politikan shqiptar që kishte vdekur.

The post Titull abuziv për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit kenian appeared first on Faktoje.al.

Tituj abuzivë për rritjen e pensioneve këtë tetor

16 October 2025 at 14:39

Pretendimi: Pritet të ketë rritje pensionesh në këtë datë

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

“E FUNDIT! Ja data kur do rriten pensionet nuk do besoni dot sa PARA do shkojnë tek xhepat e të moshuarve”, jep lajmin e mirë titulli i një artikulli të botuar në portalin Noxblog më 14 tetor 2025.

Megjithatë, pensionistët do të zhgënjehen me të lexuar fjalinë e parë të artikujve, ku shpjegohet se “ekspertët paralajmërojnë se indeksimi i pensioneve këtë tetor do të jetë më i ulët se vitet e kaluara.”

Pra, nuk kemi të bëjmë me rritje pensionesh, por me indeksimin e tyre.

Për më tepër, paçka premtimit të titullit se do të zbulojë datën e ‘rritjes’ së pensioneve, asnjë datë e tillë nuk gjendet në brendinë e artikullit.

Referuar ligjit 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” pensionet indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve. “Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit,”– shkruhet në nenin 61 të ligjit.

Siç Faktoje ka shpjeguar në tetor 2023, megjithëse kryeministri Rama në atë kohë e quajti indeksimin e pensionit rritje, ekonomistët argumentojnë se nuk janë e njëjta gjë. 

“Matematikisht janë e njëjta gjë, ndërsa ekonomikisht edhe ligjërisht nuk janë,” shpjegonte Irena Beqiraj duke shtuar se ekonomikisht rritja nuk lidhet me nivelin e çmimeve, sikurse indeksimi. 

“Pra konsiderohet rritje kur ajo ndodh e pavarur nga inflacioni, duke rritur kështu mirëqënien e një pensionisti. Indeksimi kompenson pensionistin për uljen e fuqisë blerëse të shkaktuar nga inflacioni pa rritur aspak mirëqenien aktuale të tij,” argumentoi Beqiraj. 

Një tjetër ndryshim thelbësor lidhet me detyrimin ligjor të qeverisë për indeksimin e përvitshëm të pensioneve.

“Ligjërisht indeksimi për shkak të inflacionit është nje detyrim i përcaktuar në ligj për qeverinë, edhe duhet të kryhet nga kjo e fundit pavarësisht parametrave makro- fiskal. Ndërsa rritja nuk është detyrim ligjor. Ajo vjen si rezultat i përmirësimit të parametrave ekonomike,” shprehej Beqiraj.

Në tetor 2023, pensionet u indeksuan në masën 8,6%. Në Tetor 2024, pensionet u indeksuan në masën 4,1%.

The post Tituj abuzivë për rritjen e pensioneve këtë tetor appeared first on Faktoje.al.

E keqpërdorur pamja e QSUT në lajmin për krimin familjar në Gjermani

1 October 2025 at 14:46

Pretendimi: Krimi brenda një familjeje ka lidhje me Shqipërinë 

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————

Një postim i faqes AlbMedia në Facebook jep lajmin tragjik se një burrë ka vrarë partneren, fëmijët dhe më pas veten, një titull që vendoset mbi një imazh të Urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë.

Kjo jep përshtypjen se tragjedia ka ndodhur pikërisht në Tiranë.

Megjithatë, nëse lexojmë artikullin që shoqëron postimin, zbulojmë se krimi ka ndodhur në Oldenburg të Gjermanisë dhe nuk ka lidhje me Shqipërinë apo edhe emigrantët shqiptarë në këtë vend.

Sipas mediave gjermane, burri 59-vjeçar, gruaja 35-vjeçare, djali 11 vjeç dhe vajza 8 vjeç ishin gjermanë.

Megjithatë, titulli i vendosur me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve e bën lexuesin të mendojë se tragjedia ka ndodhur në Shqipëri, duke shkaktuar alarm të panevojshëm tek publiku shqiptar.

The post E keqpërdorur pamja e QSUT në lajmin për krimin familjar në Gjermani appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht indeksimit, pensionet nuk rriten këtë tetor

24 September 2025 at 14:42

Pretendimi: Pritet të ketë rritje pensionesh në muajin e ardhshëm

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————

Më 23 shtator 2025, titujt e disa portaleve shqipfolëse jepnin lajmin e mirë se do të ketë rritje pensionesh në muajt e ardhshëm.

Megjithatë, pensionistët dhe dashamirët e tyre do të zhgënjehen me të lexuar fjalinë e parë të artikujve, ku shpjegohet se “indeksimi i pensioneve këtë tetor pritet të jetë shumë më i ulët krahasuar me vitet e kaluara.”

Menjëherë kuptohet se nuk kemi të bëjmë me rritje pensionesh por me indeksimin e tyre.

Referuar ligjit 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” pensionet indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve. “Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit,”– shkruhet në nenin 61 të ligjit.

Siç Faktoje ka shpjeguar në tetor 2023, megjithëse kryeministri Edi Rama në atë kohë e quajti indeksimin e pensionit rritje, ekonomistët argumentojnë se rritja nuk është e njëjta gjë me indeksimin. 

“Matematikisht janë e njëjta gjë, ndërsa ekonomikisht edhe ligjërisht nuk janë,” shpjegon Irena Beqiraj duke shtuar se ekonomikisht rritja nuk lidhet me nivelin e çmimeve, sikurse indeksimi. 

“Pra konsiderohet rritje kur ajo ndodh e pavarur nga inflacioni, duke rritur kështu mirëqënien e një pensionisti. Indeksimi kompenson pensionistin për uljen e fuqisë blerëse të shkaktuar nga inflacioni pa rritur aspak mirëqenien aktuale të tij,” argumenton Beqiraj. 

Një tjetër ndryshim thelbësor lidhet me detyrimin ligjor të qeverisë për indeksimin e përvitshëm të pensioneve.

“Ligjërisht indeksimi për shkak të inflacionit është nje detyrim i përcaktuar në ligj për qeverinë, edhe duhet të kryhet nga kjo e fundit pavarësisht parametrave makro- fiskal. Ndërsa rritja nuk është detyrim ligjor. Ajo vjen si rezultat i përmirësimit të parametrave ekonomike,” shprehet Beqiraj.

Në tetor 2023, pensionet u indeksuan në masën 8,6%. Në Tetor 2024, pensionet u indeksuan në masën 4,1%.

The post Pavarësisht indeksimit, pensionet nuk rriten këtë tetor appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar gjetja nga emigranti shqiptar i bunkerit anglez

28 August 2025 at 10:26

Pretendimi: Një shqiptar në Angli zbuloi një bunker në oborrin e shtëpisë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

“Shqiptari ne Angli gjen dicka ne oborrin e tij, Shikoni pamjet se cfare i ndodh me pas nga shteti” është një titull tipik shkruar me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve nga lexuesit kureshtarë.

Postimi në Facebook, në mënyrë tipike, drejton lexuesit kureshtarë drejt një lidhjeje në komente për të zbuluar çfarë ndodh pas këtij zbulimi.

Po në mënyrë tipike, në brendinë e tij, artikulli i shkruar me një shqipe të çalë e ridrejton lexuesin tek një video 10-minutëshe në Youtube. 

Video pretendon se një burrë i quajtur Simon Marku kishte gjetur një bunker të Luftës së Dytë Botërore në oborrin e shtëpisë.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se kjo ngjarje nuk i ka ndodhur një shqiptari të quajtur Simon Marku, por një anglezi të quajtur Simon Marks.

Sipas mediave vendase, në 2016, Simon Marks nga Luton zbuloi atë që mendohet të jetë një strehë kundërajrore nën oborrin e tij, pasi rrota e makinës së tij ngeci në një gropë.

The post E manipuluar gjetja nga emigranti shqiptar i bunkerit anglez appeared first on Faktoje.al.

E rreme intervista e gruas së ish-drejtorit të zhdukur të AKSHI

25 August 2025 at 15:11

Pretendimi: Në këtë video, gruaja e Daniel Shimës tregon se çfarë zbuluan kamerat për drejtorin e zhdukur

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Një video e botuar më 21 gusht 2025 nga kanali Vjosa TV pretendon të përmbajë fjalët e gruas së “drejtorit të zhdukur” Daniel Shima mbi çfarë zbuluan kamerat e sigurisë.

Video duket se i referohet lajmit të bujshëm për ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Daniel Shima, i cili u deklarua i zhdukur nga familjarët më 20 gusht 2025, për t’u rishfaqur disa orë më vonë.

Megjithatë, shikuesi kurioz do të zhgënjehet kur të shohë videon.

Në të, nuk përmendet, e aq më pak të flasë, gruaja e Shimës. Kjo sepse ajo në fakt nuk ekziston. Shima nuk rezulton të jetë i martuar dhe raportimet në media flasin për një partnere ose të dashur. Daniel Shima kur u kthye tha se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren e tij.

Më tej, video premton të tregojë çfarë “zbuluan kamerat për Daniel Shimën”, por zhgënjen duke thënë se “kamerat e asaj zone i kishin fshirë pamjet duke ngritur akoma më shumë dyshime se një dorë e fuqishme qëndron pas kësaj ngjarjeje.” 

Për këtë pretendim, si zakonisht, nuk sillet ndonjë provë apo burim. Asnjë njoftim i policisë apo raportime të mediave të tjera nuk përmendin fshirjen e kamerave. Përkundrazi, gazetarja Klodiana Lala raporton se kamerat e sigurisë e kanë filmuar Shimën në makinën e tij në Qytetin Studenti dhe deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.

The post E rreme intervista e gruas së ish-drejtorit të zhdukur të AKSHI appeared first on Faktoje.al.

Shqipërisë nuk pritet t’i ndodhë një e keqe që lumturon Vuçiç

19 August 2025 at 13:01

Pretendimi: Shqipërisë pritet t’i ndodhë një e keqe për të cilën Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç janë shumë të lumtur

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————-

Në rrjetet shqipfolëse po qarkullon një titull alarmues, por i paqartë në detaje: “Vuçiç fërkon duart! Ish Ministri jep lajmin e keq! Ja e keqja që pritet ti ndodhë Shqipërisë! Pse Serbia është kaq e lumtur”

Në brendinë e artikullit që mban këtë titull, megjithatë, nuk gjejmë ndonjë lajm që meriton këtë alarm.

Teksti i referohet një interviste të ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, të botuar që në qershor të këtij viti.

Panariti citohet të ketë thënë se shqiptarët duhet të bëjë shumë kujdes teksa ndodhin konflikte madhore, pasi historitë e së shkuarës rrezikojnë të përsëriten. “Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse në rast se çështjet shqiptare kalojnë në nivelet e mëdha, në tavat e mëdha të bisedimeve, nuk kemi dalë ndonjëherë fitimtarë”, tha Panariti.

Si rrjedhojë e këtij fenomeni, tha ai, Serbia dhe presidenti serb Vuçiç kanë refuzuar dialogun me Kosovën, me qëllim zgjidhjen në nivele më të larta, ku çështjet kombëtare shqiptare, sipas Panaritit, janë në disavantazh.

Askund në artikull nuk raportohet ndonjë “e keqe e madhe” që pritet t’i ndodhë Shqipërisë.

Trajtimi i temës së luftës në Kosovë preferohet nga mediat shqiptare për shkak të interesit të gjerë dhe patriotizmit që ngjall tek lexuesit. Fatkeqësisht gjatë viteve të fundit, kryesisht mediat online kanë përdorur këtë interes për “mbledhje klikimesh”, duke u kthyer në burim keqinformimi dhe shqetësimi emocional tek lexuesit.

Opinione të ndryshme mbi skenaret duhen pasqyruar si të tilla nga mediat dhe jo si fakte të kryera me tituj bombastik që në kërkim të klikimeve rrezikojnë përhapjen e informacioneve të pavërteta dhe krijimin e panikut.

The post Shqipërisë nuk pritet t’i ndodhë një e keqe që lumturon Vuçiç appeared first on Faktoje.al.

❌
❌