Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kushtetuesja bllokon ligjin për konfiskim të pasurisë, reagon ashpër ministri i Drejtësisë

9 January 2026 at 17:04


Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas pranimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar procesin si të vonuar dhe të dëmshëm për luftën kundër korrupsionit.

Përmes një postimi në Facebook, Sallahu ka bërë të ditur se aktgjykimi është pranuar pas një viti e 28 ditësh, duke tejkaluar, sipas tij, afatet ligjore të parapara. Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje procedurale gjatë miratimit të projektligjit në Kuvend, për çka ligji duhet të kthehet sërish për rishqyrtim dhe miratim.

Sallahu e ka cilësuar të papranueshme mbajtjen e një ligji kaq të rëndësishëm për më shumë se një vit për arsye procedurale, duke e quajtur këtë veprim joligjor, joprofesional dhe joetik.

Sipas tij, vonesa të tilla cenojnë kompetencat kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në procesin e miratimit të ligjeve dhe dëmtojnë përpjekjet institucionale për luftimin e krimit dhe korrupsionit, veçanërisht të zyrtarëve publikë.

Megjithatë, ministri në detyrë i Drejtësisë ka shprehur bindjen se, pavarësisht pengesave, procesi i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme do të nisë gjatë këtij viti./Telegrafi/


Lamallari: Shqipëria, e palëkundur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare

4 December 2025 at 16:03

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari foli sot në Kuvend në lidhje me projektligjin “Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit”.

Gjatë fjalës së tij Lamallari tha se ky projektligj “është një akt me rëndësi të veçantë, sepse lidhet drejtpërdrejt me angazhimet tona ndërkombëtare, me mbrojtjen e paqes, me forcimin e shtetit të së drejtës dhe me rolin konstruktiv që kemi luajtur vazhdimisht në arkitekturën e sigurisë rajonale e më gjerë si vend anëtar i NATO-s e që po negocion anëtarësimin në BE”.

Lamallari tha se “Shqipëria e ka ratifikuar Statutin e Romës që në vitin 2002, duke marrë përsipër detyrime të qarta si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare në luftën kundër krimeve më të rënda: gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”.

“Sot, me këtë projektligj, ne plotësojmë dhe pasurojmë këtë angazhim përmes pranimit të ndryshimeve që lidhen me krimin e agresionit, një nga format më të rënda të cenimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Sipas ministrit “ndryshimet e propozuara janë miratuar me konsensus nga shtetet palë të Statutit të Romës, përmes rezolutave të vitit 2010 dhe aktivizimit të juridiksionit në vitin 2017. Ato janë tashmë pjesë e rendit juridik të mbi 40 shteteve, përfshirë vende të Bashkimit Evropian dhe aleatë të rëndësishëm të Shqipërisë. Përfshirja jonë në këtë proces e forcon imazhin e Shqipërisë si vend që kontribuon realisht në rendin juridik ndërkombëtar dhe në mekanizmat e drejtësisë globale”.

Lamallari u ndal edhe te risitë që sjell projektligji.

“Së pari, një përkufizim të qartë dhe të detajuar të krimit të agresionit, përmes nenit 8 bis, duke listuar të gjitha format e veprimeve agresive që përbëjnë shkelje të hapur të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ky është një standard i domosdoshëm për të harmonizuar legjislacionin tonë me të drejtën ndërkombëtare.

“Së dyti, ndryshimet rregullojnë juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale mbi këtë krim, si në rastet kur procedimi nis nga një shtet palë, ashtu edhe kur çështja i referohet Prokurorit nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Këto dispozita, të përfshira në nenet 15 bis dhe 15 ter, janë garanci për një rend ndërkombëtar të bazuar në parime, ku askush nuk qëndron mbi ligjin.

“Së treti, këto ndryshime prekin elemente të tjera të Statutit, si neni 9, neni 20 dhe neni 25, për të siguruar koherencën e standardeve juridike dhe për të përcaktuar qartë se përgjegjësia penale për krimin e agresionit bie vetëm mbi individë që kanë fuqinë efektive për të marrë vendime politike apo ushtarake në nivel shteti”, tha ai.

Ministri theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Si vend që aspiron anëtarësimin në BE dhe si një shtet që ka përkushtim të palëkundur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare, Lamallari theksoi se “ne duhet të sigurojmë harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë me detyrimet që kemi marrë përsipër me ratifikimin e Statutit të Romës. Besoj se me procesin që kemi nisur, në Kodin e ri Penal do të kemi pashmangshmërisht edhe një dispozitë të posaçme për këtë krim”.

Sipas tij, projektligji nuk mbart efekte financiare.

Lamallari nënvizoi se “miratimi i këtyre ndryshimeve është një hap përpara për shtetin tonë të së drejtës, për rolin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dhe për kontributin tonë në drejtësinë penale globale. Është një hap që e vendos Shqipërinë krah vendeve demokratike, që jo vetëm respektojnë të drejtën ndërkombëtare, por edhe punojnë për forcimin e saj. Ju ftoj ta miratojmë projektligjin dhe të konfirmojmë së bashku edhe një herë angazhimin tonë për paqe, drejtësi dhe respektim të ligjit ndërkombëtar”.

/m.q/j.p/r.e/

The post Lamallari: Shqipëria, e palëkundur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Forcojmë mbikëqyrjen e brendshme në të gjithë zinxhirin e ekzekutimit të vendimeve penale

2 December 2025 at 14:40

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, u shqyrtua sot projektligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale” në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, në prezantimin e këtij projektligji, u shpreh se kjo nismë ligjore është e rëndësishme për sistemin peniteciar dhe besimin e qytetarëve te shteti i së drejtës.

Sipas Hoxhës, projektligji synon të forcojë mbikëqyrjen e brendshme në të gjithë zinxhirin e ekzekutimit të vendimeve penale duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Policia e Burgjeve dhe Shërbimi i Provës, duke parandaluar veprimtarinë e kundërligjshme, rritur transparencën dhe respektuar liritë dhe të drejta themelore të individëve

“Agjencia ushtron veprimtari inspektuese, informative, gjurmuese, dhe hetimore, administron ankesa, kryen analiza rreziku dhe jep rekomandime sistematike, bashkëpunon me organet e zbatimit të ligjit dhe respekton parimet e ligjshmërisë, proporcionaliteti, konfidencialitetit dhe llogaridhënies”, tha Hoxha.

Zëvendësministrja e Drejtësisë shtoi se projektligji synon “krijimin e një agjencie të specializuar për mbikëqyrjen e gjithë sistemit te ekzekutimit të vendimeve penale me mandat të qartë ligjor; zgjerimin e qartë të fushës së mbikëqyrjes; përfshirjen e të burgosurve dhe personave nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës si subjekte të mbrojtura dhe të verifikueshme; mandat të plotë inspektues dhe hetimor; si dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve”.

“Në praktikë kjo nismë synon që të standardizojë dhe përshpejtojë trajtimin e ankesave, të ulë hapësirat për abuzim e korrupsion, të forcojë sigurinë dhe etikën e shërbimit penitenciar, si dhe përmirësojë rehabilitimin përmes mbikëqyrjes së përqendruar tek rreziku dhe evidenca”, pohoi Hoxha.

Sipas Hoxhës, “agjencia do të jetë ura që do të lidhë disiplinën e brendshme me pritshmërinë e qytetarëve, për respekt të dinjitetit njerëzor dhe rendit publik”.

“Ky është një hap i domosdoshëm për një sistem ekzekutimi të dënimeve penale, më të drejtë, më transparent dhe më të besueshëm, ndaj ju ftoj që ta mbështesim këtë projektligj në mënyrë që t’i japim vendit një mekanizëm modern mbikëqyrjeje në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, tha Hoxha.

Deputeti Bledi Çomo në cilësinë e relatorit, tha se kjo nismë synon forcimin e kontrollit, rritjen e transparencës dhe garantimin e respektimit të të drejtave themelore të individëve.

“Synimi kryesor është modernizimi i shërbimit, fuqizimi i rolit të tij dhe sjellja me standardet e BE-së dhe SHBA. Nevoja për një ligj të ri vjen pas një sërë problematikash të konstatuara në ligjin aktual, ndër të cilat mungesë e mbikëqyrjes mbi institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, trajtim jo i duhur i ankesave, vakum ligjor, etj. Ligji aktual nuk është harmonizuar me ndryshimet ligjore të fundit, sidomos me Kodin Penal për të mitur”, tha Çomo.

Nga ana e tij, deputeti i PD, Ivi Kaso ngriti disa pyetje lidhur me këtë projektligj, nga nevoja për konsultim publik, te kostot financiare që parashikohen për këtë nismë, dhe kompetencat e agjencisë që janë të natyrës hetimore dhe gjurmuese, që i mbivendosen sipas Kasos atributeve të Policisë Gjyqësore.

“Konsultimi publik është bërë së brendshmi me gjithë organet e ekzekutivit dhe legjislativit, me Prokurorin e Përgjithshëm është konsultuar në rrugë shkresore dhe të gjithë sugjerimet janë marrë parasysh dhe janë reflektuar. Ky projektligji ka qenë pjesë e paketës së vitit 2020 për sistemin peniteciar, dhe është brenda tavaneve buxhetore”, tha Abi Gjilani, përgjegjës sektori në Ministrinë e Drejtësisë.

Deputetët e pranishëm dhe kryetari i Komisionit paraqitën një sërë sugjerimesh për disa nga nenet e projektligjit.

Projektligji u miratua më shumicë votash pro.

/e.i/j.p/

The post Hoxha: Forcojmë mbikëqyrjen e brendshme në të gjithë zinxhirin e ekzekutimit të vendimeve penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari për mbylljen e IEVP Bënçë: Punonjësit do të transferohen, transporti falas

21 November 2025 at 18:21

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi një vizitë inspektuese në ambientet e IEVP Fier, ku edhe pati gjithashtu një takim me të gjithë drejtuesit e burgjeve të vendit.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i ecurisë së punës në sistemin e penitenciar, garantimin e sigurisë, kushtet, si dhe përpjekjen për të rritur standardet në trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Në nisje të fjalës së tij, Lamallari evidentoi lajmin e mirë se me buxhetin e ri do të kryhet indeksimi i pagave për të gjithë punonjësit e sistemit të burgjeve, si dhe do të ketë rritje të pagave për personelin shëndetësor në IEVP-të tona. “Konkretisht, plus 12 000 lekë për mjekët dhe 5 500 lekë në muaj për infermierët. Për vetë natyrën e vështirë të punës së tyre, vëmendja e qeverisë për policinë dhe stafin e burgjeve as ka munguar dhe as do të mungojë”, tha mes të tjerash Ministri i Drejtësisë.

Lamallari e vlerësoi me rëndësi të veçantë sistemin e burgjeve dhe kërkoi nga drejtuesit angazhim maksimal për të ruajtur e forcuar parametrat e sigurisë dhe për të parandaluar futjen e sendeve të paligjshme.

Mes çështjeve të tjera që u përmendën në takim ishte edhe mbyllja e IEVP Bënçë, Tepelenë. Ministri i Drejtësisë tha se kjo ishte një vendimmarrje e pashmangshme duke marrë parasysh kushtet e papranueshme të trajtimit dhe sigurisë që kishte ai burg. Lamallari përmendi këtu edhe raportin dhe rekomandimet e lëna nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës në Këshillin e Evropës, që vlerësonte se ky burg nuk përmbushte kushtet minimale.

“Vendimmarrja ishte e fortë, por e drejtë”, tha ministri i Drejtësisë në takim teksa shtroi nevojën që sistemi ynë i burgjeve duhet të përshtatet me pritshmëritë dhe kërkesat ndaj një vendi ulur në tryezën e negociatave me Bashkimin Evropian.

Pavarësisht këtij vendimi, Lamallari tha se punonjësve të IEVP Bënçë iu është dhënë mundësia të vijojnë të shërbejnë brenda sistemit të burgjeve në të gjithë vendin duke filluar me Fierin, të cilin e kanë edhe më afër, me transport falas të garantuar. Disa prej punonjësve tashmë e kanë kryer transferimin.

Në vijim të takimit ministri Lamallari përmendi masterplanin e burgjeve, i cili ka për synim të sjellë një transformim në të gjithë sistemin e menaxhimit të këtij sektori delikat.

“Ne duhet të kemi një sistem të ngjashëm me standardet e BE për trajtimin e të burgosurve”, u shpreh ministri Lamallari teksa përmendi edhe takimin me homologun e tij italian, Carlo Nordio, të cilit i kërkoi gjithashtu mbështetje për sistemin e burgjeve përmes projekteve të ndryshme teknologjike dhe rehabilituese.

1 nga 5

/m.q/r.e/a.f/

The post Lamallari për mbylljen e IEVP Bënçë: Punonjësit do të transferohen, transporti falas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qorolli në Madrid përfaqësoi Kosovën në “Justice Action Coalition”: Për drejtësinë që u shërben njerëzve

12 November 2025 at 13:45


Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ka përfaqësuar Kosovën në Justice Action Coalition (JAC), forum global ku mblidhen ministra të drejtësisë dhe përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme të botës për drejtësi dhe sundim të ligjit, në Madrid të Spanjës.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook Qorolli ka shkruar se që nga prilli i vitit 2023, Kosova është anëtare e plotë e kësaj aleance ndërkombëtare.

“Dhe sot, në Madrid, zëri i saj u dëgjua si zëri i një Republike që po ecën përpara, me duar të pastra dhe me institucione që po rriten në forcë e besueshmëri. Në fjalën time theksova se lufta kundër korrupsionit nuk është më betejë morale, por një projekt kombëtar për ta bërë drejtësinë themel të çdo përparimi”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shkruar se një shtet që lufton korrupsionin, është një shtet që fiton besimin e qytetarëve dhe respektin e botës.

“Kosova po ecën me hapa të mëdhenj përpara, sipas Ëorld Justice Project, Transparency International dhe Freedom House, vendi ynë renditet ndër më përparimtarët në rajon”.

Sipas Gallup Global Safety Report 2025, Kosova është ndër tri vendet më të sigurta në botë dhe vendi më i sigurt në Evropë, me 94 pikë nga 100 – një dëshmi e besimit të qytetarëve në ligj dhe në shtetin e tyre.

“Me Kosovën që po forcon drejtësinë, ligjin dhe dinjitetin e saj institucional, në zemrën e Evropës dhe në skenën globale të së drejtës”, ka shkruar ndër të tjera Qorolli. /Telegrafi/


Lamallari: Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë prej 14,96 miliardë adreson nevojat tona

12 November 2025 at 11:35

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, projektbuxhetin për vitin 2026, për Ministrinë e Drejtësisë.

Konkretisht për Ministrinë e Drejtësisë janë parashikuar 14,96 miliardë lekë, të ndara 8,38 miliardë lekë për shpenzime për paga dhe sigurime shoqërore, 2,6 miliardë lekë për mallra dhe shërbime, 2,7 miliardë lekë zëra në transferta dhe 1,28 miliardë lekë për shpenzime dhe investime.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se ky buxhet adreson plotësisht nevojat që ka Ministria e Drejtësisë.

“Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë prej 14,96 miliardë lekësh adreson plotësisht nevojat që ne kemi, ku sigurisht prioritete janë ato që lidhen me sistemin e burgjeve. Kemi disa projekte të reja me rikonstruksion dhe ngritje të godinave të reja për burgjet duke ofruar standardet ndërkombëtare në trajtimin e të dënuarve.

Përmbarimin gjyqësor, ndihma juridike falas, ku rreth 5 mijë qytetarë llogaritet se do të ndihmohen përmes këtij mekanizmi, mjekësia ligjore, më shumë qytetarë përfitojnë nga ky buxhet për të adresuar nevojat e mjekësisë ligjore”, tha Lamallari.

Lamallari përmendi gjithashtu edhe ndërtimin e godinës së re të Institutit të të Miturve në Konflikt me Ligjin, “i cili ndërtohet si godinë për herë të parë dhe përbën një risi jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin, ku do të kemi institut model për trajtimin e posaçëm të veçantë të të miturve në konflikt me ligjin”.

Komisioni i Çështjeve Ligjore diskuton pr.buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë
1 nga 3
Ministri Lamallari diskuton pr.buxhetin e vitit 2026 tek Komisioni i Çështjeve Ligjiore. Foto; Florian Abazaj

/m.q/a.f/r.e/

The post Lamallari: Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë prej 14,96 miliardë adreson nevojat tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal diskutohet me përfaqësues të medieve

11 November 2025 at 15:16

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Konsultimet për ndryshimet në Kodin e ri Penal kanë vijuar sot në Ministrinë e Drejtësisë me përfaqësues të shoqatave të medieve.

Në takim ishim të pranishëm ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, dekani i Fakultetit të Histori Filologjisë, Mark Marku, kreu i grupit të punës për Kodin Penal, Arben Rakipi, organizata të shoqërisë civile, gazetarë dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.

Ministri vuri theksin tek integriteti i procesit dhe nevoja për të garantuar punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për nevojën për të garantuar punën e gazetarëve, në mënyrë që ata ta ushtrojnë plotësisht lirinë e tyre të shprehjes duke mbajtur përgjegjës zyrtarët. Sigurisht kjo e shkruar mirë në raport me të dhënat, me faktet dhe duke shmangur mundësinë për abuzim, për elementë të qëllimshëm keqdashës dhe të pabazuar në deklaratat e tyre. Unë besoj fort se më shumë sesa është njohur, ky draft Kodi Penal është komentuar. Komentet e ndryshme që janë bërë mbi të janë të natyrave të ndryshme, të qëllimeve të ndryshme që mbështesin këto komente”, u shpreh ai.

Lamallari nënvizoi se rruga e duhur është një proces sa më gjithëpërfshirës dhe transparent, ku gjithësecili është duke ushtruar detyrën e tij dhe përgjegjësinë qytetarë për të forcuar më tej demokracinë e vendit të tij.

Gjithashtu, ministri u shpreh se synimi final është që të kemi një produkt që të reflektojë nevojat e shoqërisë, t’i rezistojë kohës dhe të ketë referenca standardet më të mira ndërkombëtare.

“Në fund të kemi një produkt që është shumatorja e të gjithë mendimeve të shprehura mbi bazë të përvojave dhe dijes që kemi akumuluar, duke bërë edhe referencat me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Për Ministrinë e Drejtësisë, integriteti i procesit është i panegociueshëm. Ne duhet të kemi një proces sa më të hapur, të shëndetshëm, konstruktiv dhe që nxit debatin. Ajo që del më pas nga ky produkt është niveli i emancipimit të shoqërisë shqiptare dhe vizionit të përbashkët për të pasur një demokraci më të fortë, një shtet dinjitoz pjesë e familjes evropiane”, deklaroi ministri Lamallari.

Krasniqi prezantoi sugjerimet e AMA-s për disa nene specifike të draftkodit të ri, të cilat gjykojnë se duhen rishikuar.
Për punën tonë, liria e shprehjes dhe e drejta për informim, përveçse të drejta themelore të njeriut, janë thellësisht orientuese në aktivitetin rregullator të tregut audioviziv. Bazuar mbi këto të drejta, dhe duke respektuar parimet e gazetarisë profesioniste, duke u mbështetur edhe në parimet që vijnë nga Këshilli i Europës, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut si dhe në standardet ndërkombëtare, kemi vlerësuar disa sugjerime mbi draftin e Kodit Penal, specifikisht në nenet 235, 267, 536, 863 dhe 865″, deklaroi kryetarja e AMA-s.
Ajo i konsideroi shumë konstruktive, diskutimet dhe sugjerimet e parashtruara në tryezën e sotme, e cila do të pasohet edhe nga të tjera, deri në hartimin e draftit përfundimtar të Kodit të ri Penal.

Tryezat konsultative për draftin e Kodit të ri Penal do të vijojnë edhe me aktorë e grupe të tjera interesi sipas një kalendari të dakordësuar më herët.

/m.q/r.e/

The post Drafti i Kodit të ri Penal diskutohet me përfaqësues të medieve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

​“Katër parimet kryesore”, Svirca dhe Musaj shpjegojnë strategjinë e Kosovës për drejtësi tranzicionale

3 November 2025 at 15:06



Në episodin më të ri të "Përballje Podcast" në Telegrafi.com, është diskutuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, dokumenti dhjetëvjeçar që synon të vendos themelet e drejtësisë dhe ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë.

Të ftuar në këtë podcat ishin Baki Svirca, udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, dhe Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në KRCT ( Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës).

Katër shtyllat e drejtësisë tranzicionale

Sipas Svircës, drejtësia tranzicionale është proces shoqëror që ndihmon një vend të përballet me të kaluarën dhe të ndërtojë të ardhmen mbi bazën e së vërtetës.

“Drejtësia tranzicionale nuk ka të bëjë me hakmarrje, por me reformim shoqëror. Katër shtyllat kryesore janë: e drejta për të vërtetën, qasja në drejtësi, reparacionet për viktimat dhe reformat institucionale për të parandaluar përsëritjen e së kaluarës,” tha ai.

Ai shtoi se kjo strategji është e ndërtuar përmes një procesi të gjerë konsultimesh me qytetarë, komunitete dhe organizata të shoqërisë civile.

- YouTube www.youtube.com

“Strategjia është dokument gjithëpërfshirës dhe dinamik – nuk është vetëm një letër politike, por proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve,” theksoi Svirca.

Nga dokument në veprim, si po zbatohet strategjia?

Sipas tij, strategjia ka hyrë në fazën e zbatimit dhe përfshin një plan veprimi trevjeçar me mbi 100 aktivitete konkrete.

“Strategjia është dhjetëvjeçare, ndërsa plani i veprimit është trevjeçar. Ai rishikohet çdo tre vjet për t’u përshtatur me nevojat dhe zhvillimet e reja,” sqaroi Svirca, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional.

Megjithatë, sfida më e madhe, sipas tij, mbetet mungesa e koordinimit efektiv mes institucioneve publike dhe nevoja për konsensus politik e shoqëror.

“Nëse secili institucion nuk e merr përgjegjësinë e vet, strategjia mbetet në letër. Drejtësia kërkon veprim të përbashkët, empati dhe qasje njerëzore ndaj viktimave,” shtoi ai në "Përballje Podcast" me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu.

Roli i shoqërisë civile dhe viktimave në qendër

Nga ana tjetër, Mehmet Musaj nga KRCT theksoi se shoqëria civile ka qenë motori i parë i drejtësisë tranzicionale në Kosovë, shumë përpara miratimit të strategjisë.

“Shoqëria civile ka punuar në drejtësi tranzicionale që nga viti 1999. Ne kemi trajnuar gjyqtarë e prokurorë me qasje të ndjeshme ndaj traumës dhe kemi ndërtuar hapësira miqësore ku viktimat mund të dëshmojnë me siguri e dinjitet,” tha Musaj.

Ai theksoi se viktimat duhet të jenë qendra e procesit, jo thjesht subjekt dokumentesh.

“Nuk mjafton t’i vendosësh viktimat në qendër në letër. Duhet t’i pyesësh se çfarë kanë nevojë, si mund t’i ndihmojmë pa i ritraumatizuar. Kjo është drejtësia e vërtetë,” shtoi ai.

Sipas Musajt, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka hartuar një strategji të tillë, duke u bërë shembull për qasje institucionale ndaj drejtësisë pas konflikteve.

“Kjo strategji tregon vullnetin për ta pranuar të kaluarën dhe për ta shndërruar në bazë të pajtimit e zhvillimit demokratik,” deklaroi ai.

Në fund të bisedës, të dy të ftuarit theksuan se drejtësia tranzicionale është proces i gjatë, që kërkon durim dhe ndjeshmëri shoqërore.

Drejtësia nuk është vetëm formale, por shoqërore dhe pa përfshirjen e qytetarëve nuk ka pajtim të qëndrueshëm kanë shtuar ata.

“Ky podcast u realizua në bashkëpunim me Pro Peace. Pikëpamjet e shprehura në këtë podcast janë përgjegjësi e Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace”.

"Përballje Podcast” sjell diskutimin për Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale

3 November 2025 at 10:34



Në episodin më të ri të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, do të trajtohet një nga proceset më të rëndësishme për shoqërinë kosovare, “Strategjia Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale”, dokumenti që vendos bazat për ballafaqim me të kaluarën.

Të ftuar në këtë episod janë: Baki Svirca, Udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë e Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT).

Baki Svirca e Mehmet Musaj n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" Foto: Korab Basha

Ata diskutojnë se si është ndërtuar strategjia, cilat janë katër shtyllat kryesore të saj, rolin e shtetit dhe shoqërisë civile, si dhe sfidat që priten në zbatimin praktik të këtij dokumenti dhjetëvjeçar.

Ky podcast realizohet në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare “Pro Peace” dhe do të publikohet këtë javë në platformat e Telegrafit./Telegrafi/.

Sallahu: KEK fiton arbitrazhin kundër KEDS dhe KESCO në Zvicër

30 October 2025 at 13:23


Korporata Energjetike e Kosovës në bashkëpunim me Avokaturën Shtetërore të Ministrisë së Drejtësisë, si palë paditëse, ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar në Zvicër kundër KEDS dhe KESCO, si palë e paditur për mos pagesë të energjisë së shfrytëzuar nga viti 2020-2024.

Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ushtruesi i detyrës i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Sipas tij, në këtë rast, KEDS dhe KESCO obligohen që t’ia paguajnë KEK-ut rreth 9 milionë Euro kompensim dhe shpenzime të tjera të procedurës.

“Republika e Kosovës nuk po i ndalë fitoret në arenën ndërkombëtare, dhe ky është tregues që reflekton suksesin e Qeverisjes sonë. Kosova do të aspirojë edhe më fuqishëm në mandatin tjetër, me rezultate të cilat do të ndihen në të gjitha institucionet dhe në jetën e secilit qytetarë”, ka thënë Sallahu. /Telegrafi/


Konfirmohet arrestimi i Xhemail Nuhiut, MD: Ekstradimi do të bëhet pas vendimit të Britanisë

28 October 2025 at 15:31


Kosovari Xhemail Nuhiu është kapur nga autoritetet britanike pasi që i njëjti ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës në gusht të këtij viti.

Nuhiu dyshohet për vrasjen e 11 gushtit të ndodhur në Hajvali ku i vrarë mbeti Muhamet Matoshi.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë, e cila në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se procedurat për ekstradimin e tij tashmë kanë nisur.

“Ju njoftojmë se procedura e ekstradimit të personit në fjalë do të realizohet sapo vendimi për ekstradim i marrë nga autoritetet britanike të bëhet i plotfuqishëm. Për shkak të natyrës së rastit dhe procedurave ligjore, për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Autoritetet britanike kanë konfirmuar se Nuhiu ndodhet në paraburgim në Londër, ndërsa procesi i ekstradimit të tij në Kosovë pritet të përfundojë pas përfundimit të procedurave ligjore. /Telegrafi/

Lamallari: Kjo mazhorancë ka përgjegjësinë të konsolidojë reformën në drejtësi

27 October 2025 at 16:23

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në fjalën e tij në Kuvend, vuri theksin tek Reforma në Drejtësi.

Sipas ministrit ishte shumica socialiste “që ideoi reformën në drejtësi dhe që pati vullnetin ta çojë deri në fund me ndihmën e çmuar të partnerëve tanë strategjikë kryesisht BE dhe SHBA”.

Lamallari tha se po të ishte “në dorë të një pjese të politikës që rrijnë dhe anatemojnë Reformën në drejtësi dhe krerët e institucioneve të pavarura të drejtësisë, kjo nuk do të kishte ndodhur asnjëherë”.

“Po kjo mazhorancë ka përgjegjësinë historike për ta konsoliduar më tej këtë reformë dhe shqiptarët të kenë më në fund drejtësinë e munguar qysh nga dita e parë e themelimit të shtetit të pavarur shqiptar”, tha Lamallari.

Ministri theksoi më tej se “pas kapërcimit të madh që ne bëmë duke hequr drejtësinë nga duart e politikës, dhe çdo lloj ndikimi tjetër, sot është koha për një dimension të ri, një demokraci që të garantojë standarde të panegociueshme, demokratike njësoj si në vendet evropiane.

Lamallari tha se “fokusi ynë për vitin 2025 është shumë i qartë, lidhet me nevojën për transparencë, integritet, godina të qenësishme për gjykata dhe prokurorinë, si dhe për përdorimin masivisht të teknologjisë”.

Sipas Lamallarit, Ministria e Drejtësisë “po udhëheq fazën e dytë të konsolidimit të Reformës në Drejtësi me theksin tek integriteti, profesionalizmi dhe drejtësia e aksesueshme për të gjithë qytetarët”.

“Raporti i Kuvendit e thotë qartë drejtësia penale shqiptare po ecën drejt standardeve evropiane”, tha Lamallari.

Lamallari shtoi se “pavarësia e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe llogaria institucional përballë qytetarëve janë dy anët e së njëjtës monedhë: drejtësisë që funksionon”.

“Në 2025 nuk do të flasim më për reformë, por për konsolidimit, për drejtësi të matshme, të aksesueshme dhe të ndershme”, tha Lamallari.

Në këtë rrugë, shtoi ministri “Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të jetë jo vetëm një koordinatore e politikave, por një udhëheqëse e transformimit të sistemit të drejtësisë”.

/m.q/a.f/

The post Lamallari: Kjo mazhorancë ka përgjegjësinë të konsolidojë reformën në drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rasti “Kosova Petrol & Hotel Victory”, Sallahu thotë se Gjykata e Apelit në Paris ka vendosur në favor të shtetit

24 October 2025 at 09:14


Gjykata e Apelit në Paris ka refuzuar padinë e Bedri Selmani për anulimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), duke konfirmuar përfundimisht fitoren e Republikës së Kosovës në këtë çështje të rëndësishme juridike.

Kështu ka njoftuar ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, transmeton Telegrafi.

"Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), në çështjen nr. 24443/MHM/HBH, me 01.08.2022, e kishte refuzuar kërkesën e Bedri Selmanit në vlerë prej 60 milionë euro kundër Republikës së Kosovës (Kosova Petrol & Hotel Victory) dhe njëkohësisht e kishte detyruar të njëjtin t’ia kompensoi Republikës së Kosovës shpenzimet e shkaktuara në këtë procedurë në shumë prej 1,477,165.38 USD dhe 71,653.305 €.Z. Bedri Selmani kundër vendimit të arbitrazhit kishte ushtruar padi për anulimin e të njëjtit në Gjykatën e Apelit në Paris, ndërsa e njëjta ka refuzuar padinë dhe e ka urdhëruar Selmani qe t’ia kompensojë shpenzimet Republikës së Kosovës në shumën prej 120,000.00 euro", ka bërë të ditur Sallahu.

Ai ka sqaruar se Republika e Kosovës më herët e ka angazhuar zyrën ligjore përkatëse në Londër për fillimin e procedurës së ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit, meqë vendbanimi i Selmani ishte në Londër.

"Edhe një fitore e Republikës së Kosovës për çështjen e njëjtë, tashmë në Gjykatën e Apelit në Paris", shtoi Sallahu.

Republika e Kosovës ishte paditur nga Bedri Selmani gjatë vitit 2019, në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit ICC, për kompensimin e dëmit dhe fitimin e humbur, me pretendimin se ndërprerja e kontratës për shfrytëzimin e pompave të benzinës ka qenë e kundërligjshme./Telegrafi/



Integrimi, MD takim për përafrimin e ligjit shqiptar me BE-në

20 October 2025 at 20:27

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit morën pjesë në takimin e punës me temë “EU Law Approximation in Albania”, organizuar nga TAIEX, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit dhe Evropës Lindore (DG ENEST).

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe në funksion të detyrimeve që kanë institucionet shqiptare për përafrimin e legjislacionit kombëtar me Acquis Communautaire.

Gjatë punimeve, ekspertë të vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Italinë, Francën, Slloveninë, Estoninë dhe Rumaninë ndanë përvojat e tyre profesionale dhe prezantuan shembuj konkretë mbi hapat që duhen ndjekur për përafrimin efektiv të legjislacionit kombëtar me standardet evropiane.

Pjesëmarrësit patën mundësi të zhvillonin diskutime të frytshme mbi praktikat më të mira që mund të shërbejnë si modele për institucionet shqiptare në këtë proces, si edhe të trajtonin sfidat dhe mënyrat për kapërcimin e tyre gjatë rrugëtimit drejt integrimit evropian.

Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se, ky takim pune përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në rritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve shqiptare të angazhuara në procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Integrimi, MD takim për përafrimin e ligjit shqiptar me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tetori Rozë, Ministria e Drejtësisë i bashkohet thirrjeve për kontrolle

18 October 2025 at 13:32

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Tetori Rozë është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, që synon rritjen e kujdesit dhe vëmendjes për diagnostikim të hershëm dhe trajtim në kohë të kësaj diagnoze.

Ministria e Drejtësisë i bashkua fushatës së ndërgjegjësimit në betejën kundër kancerit të gjirit. Përmes një videoje sensibilizuese, punonjëse të Ministrisë së Drejtësisë ndanë mesazhe me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për kontrolle të vazhdueshme për shëndetin.

“Të flasësh për shëndetin nuk është turp është domosdoshmëri dhe forcë!”, “Një kontroll i thjeshtë sot, do të thotë një jetë e shpëtuar nesër. Vlerësojeni jetën!”, janë disa nga mesazhet e tyre.

“Me mesazhin “Vrapo për jetën” bashkohemi që të rrisim ndërgjegjësim dhe të mbështesim gratë dhe vajzat në betejën kundër kancerit të gjirit! “Mos e shty kontrollin, jeta është e çmuar! “Një eko gjiri sot shpëton jetë nesër! Çdo mesazh ka rëndësi, çdo kontroll mund të shpëtojë një jetë”, ishin disa nga mesazhet e ndara nga punonjëset e Ministrisë së Drejtësisë.

Tetori rozë është muaji që shërben për të informuar dhe sensibilizuar publikun mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të sëmundjes, që vazhdon të jetë një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në botë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka shtrirë fushatën e saj sensibilizuese jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit, përmes mamografive stacionare apo njësive lëvizëse në qytete të ndryshme të vendit.

Gjithashtu, MSHMS ka mundësuar që nëpërmjet portalit “e-Albania” çdo grua apo vajzë të vendos për orarin dhe vendin e kryerjes së mamografisë duke planifikuar më herët atë.

/m.q/j.p/

The post Tetori Rozë, Ministria e Drejtësisë i bashkohet thirrjeve për kontrolle appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari prezanton zëvendësministren Elona Hoxha: Profesioniste e administratës

15 October 2025 at 17:54

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari prezantoi sot zëvendësministren e re Elona Hoxha, emërimi i së cilës u vendos sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se Hoxha “është një profesioniste e administratës sonë prej 15 vitesh e që vazhdimisht ka spikatur vetëm përmes punës e përkushtimit të lartë në çdo detyrë që ka mbajtur”.

“Besimplotë se ajo do të çojë përpara punën shumë të mirë që ka bërë deri më tani Klajd Karameta, të cilit i jam shumë falënderues për kontributin që ka dhënë në këtë institucion për 5 vite dhe i dëshiroj sukses në vijim”, shkruan Lamallari.

Lamallari thekson më tej se “punët e mira bëhen gjithmonë me ekip dhe me shembullin e bashkëpunimit”.

“Mbështes fort çdo punonjës e drejtues të Ministrisë së Drejtësisë dhe i inkurajoj të përkushtohen në përmbushjen e objektivave tona drejt aspiratës së përbashkët për Shqipërinë 2030 në BE”, përfundoi Lamallari.

1 nga 4

/m.q/j.p/

The post Lamallari prezanton zëvendësministren Elona Hoxha: Profesioniste e administratës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Paraburgimi një nga padrejtësitë më të mëdha, duhet adresuar

14 October 2025 at 11:56

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale si dhe në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, për raportin e vitit 2024.

Gjatë mbledhjes opozita ngriti edhe shqetësimin për paraburgimin në Shqipëri. Në përgjigje, ministri Lamallari pranoi se problematika është reale dhe theksoi se qasja ndaj paraburgimit duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Lamallari e cilësoi paraburgimin si një nga padrejtësitë më të mëdha, ndërsa shtoi se kjo problematikë duhet adresuar.

“Një nga padrejtësitë më të mëdha është që të shpenzosh kohë në paraburgim më shumë se koha që gjykata vendos në vendimin përfundimtar. Kjo duhet adresuar. Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën si janë shkruar dispozitat, por edhe me zbatimin e tyre në praktikë. Burgu duhet të shihet si mjeti i fundit, kur plotësohen edhe kushtet e rrezikshmërisë. Kjo kërkon ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve përkatës, prokurorive dhe gjykatave, këtu vjen në ndihmë edhe roli i partnerëve”, tha Lamallari.

Ministri gjithashtu bëri të ditur se pas përfundimit të punës me Kodin Penal do të ketë edhe një rishikim të Kodit Civil.

Lamallari theksoi se ndryshimet do të bëjnë që të përafrohen me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Pas përfundimit të punës me Kodin Penal ne do të vijojmë një rishikim edhe të Kodit Civil, për të adresuar problematikat që lidhen me Kodin, por është ende herët të flasim për këtë proces. Edhe Kodi Civil dhe ai i Procedurës do të jenë pjesë e rishqyrtimit, kjo edhe për t’i bërë pjesë e kuadrit të brendshëm ligjor dhe për t’i përfaruar me direktivat e BE”, tha Lamallari.

/m.q//r.e/a.f/

The post Lamallari: Paraburgimi një nga padrejtësitë më të mëdha, duhet adresuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Sekuestruam 65,5 milionë euro pasuri, rritje me 60% krahasuar me vitin 2023

14 October 2025 at 10:56

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale si dhe në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024 në vend.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari theksoi se në vitin 2024 Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të hetimeve proaktive dhe të sekuestrimeve pasurore në 5 vitet e fundit.

“Hetimet e nisura kryesisht nga prokurorët janë shtuar me 12,3%. Janë sekuestruar dhe konfiskuar 65,5 milionë euro pasuri një rritje domethënëse me gati 60% krahasuar me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë në 5 vitet e fundit”, u shpreh Lamallari.

Ministri nënvizoi më tej se “janë çuar për gjykim 569 çështje korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, me 234 të pandehur”.

Sipas Lamallarit, janë trajnuar mbi 1500 profesionistë të drejtësisë dhe janë zhvilluar 190 trajnime për prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore.

“SPAK ka regjistruar 65 hetime të nisura kryesisht dhe 163 procedime me përgjime”, tha Lamallari.

Duke folur për sfidat, Lamallari theksoi se “aktualisht kemi 34,5% të organikës me vende vakante”.

“Konstatojmë një përdorim të kufizuar të teknologjive moderne në hetime. Mbetet aktuale nevoja për hetime proaktive dhe hetime të nisura kryesisht nga organi i prokurorisë”, tha ai.

Lidhur me rekomandimet për vitin 2025, Lamallari tha se “Ministria e Drejtësisë vlerëson si më të rëndësishme 5 shtylla kryesore”.

“Së pari, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të procesit penal; së dyti, forcimi i luftës kundër kriminalitetit; së treti, integriteti dhe transparenca në veprimtarinë e prokurorisë; së katërti, rritja e eficiencës dhe kapaciteteve institucionale; së fundmi, përdorimi i metodave bashkëkohore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”, tha Lamallari.

/m.q//r.e/a.f/

The post Lamallari: Sekuestruam 65,5 milionë euro pasuri, rritje me 60% krahasuar me vitin 2023 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sallahu: Mbi 12 milionë euro pasuri e sekuestruar në katër vitet e fundit

4 October 2025 at 15:37


Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se mbi 12 milionë euro është vlera e pasurisë së konfiskuar, ngrirë dhe sekuestruar gjatë katër viteve të fundit, të administruar AAPSK.

Ai ka paralajmëruar se "shumë shpejt, pasuria e përfituar jashtëligjshëm nga zyrtarë publik do të jetë cak i Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, e cila aktualisht pret që një kohë të gjatë pa asnjë arsyetim në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese për hyrjen në fuqi të ligjit".

"Atëherë edhe shifrat do të jenë krejtësisht tjera, ku koncepti i realizimit të drejtësisë do të gjej efikasitetin e vet. Byroja do të jetë institucioni që nuk do të tolerojë më përfitime të “rastësishme” nga zyrtarë publik që nuk arrijnë të dëshmojnë prejardhjen e pasurisë së tyre", ka deklaruar ai.

Sallahu shton tutje se pasuritë e tilla do të sekuestrohen dhe konfiskohen, pastaj ato do t’u kthehen qytetarëve si pronar legal e legjitim. /Telegrafi/


Kodi i ri Penal, zhvillohet tryeza e radhës konsultuese në Korçë

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Ministria e Drejtësisë organizoi sot në Korçë tryezën e radhës për konsultimin publik të Kodit të ri Penal.

Ministria e Drejtësisë dhe Grupi i Punës i ngritur enkas për këtë proces dëgjuan opinionet dhe qëndrimet e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve dhe përmbaruesve gjyqësorë.

“Kontributi i tyre ka një vlerë të çmuar në përmirësimin e draftit, i cili i paraprin finalizimit të një dokumenti solid e të gjithëpranuar”, njoftoi Ministria e Drejtësisë, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas MD-së “jemi në rrugë të mbarë për një Kod Penal modern, që adreson të gjitha shqetësimet e aktorëve kryesorë, të shoqërisë në tërësi e të këtij stadi ku ndodhet Shqipëria sot.

“E po kështu një Kod Penal që do t’i rezistojë kohës, si dhe do të jetë në përputhje me standardet e Brukselit”.

Për draftin e Kodit të ri Penal janë parashikuar që të zhvillohen rreth 25 tryeza konsultimi publik.

Drafti i parë i Kodit të ri Penal u paraqit më 25 korrik, pas një pune voluminoze disavjeçare nga një grup ekspertësh i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, prof. Arben Rakipi.

Drafti u hodh për konsultim nga Ministria e Drejtësisë me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediet dhe qeverinë si pjesë e angazhimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një domosdoshmëri për forcimin e Shtetit të së Drejtës.

/m.q/r.e/

The post Kodi i ri Penal, zhvillohet tryeza e radhës konsultuese në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌