Shtohen 360 mijë fidanë të rinj për rikuperimin e ekosistemeve pyjore
TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Pyllëzimi po vijon të mbetet një nga prioritetet kryesore të politikave mjedisore në vend, me qëllim mbrojtjen e natyrës, rikuperimin e ekosistemeve dhe rritjen e qëndrueshmërisë mjedisore.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, bëri të ditur se 360 mijë fidanë të rinj i janë shtuar pyjeve të Shqipërisë, si rezultat konkret i shpalljes së Vitit të Pyjeve dhe i një angazhimi që ka vijuar përtej simbolikës.
Sipas ministrit, nisma e ripyllëzimit synon jo vetëm shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, por edhe rikuperimin e zonave të degraduara dhe forcimin afatgjatë të pasurisë pyjore kombëtare.
“Pyllëzimi është një investim për të ardhmen. Ai ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e biodiversitetit, përmirësimin e cilësisë së ajrit, mbrojtjen nga erozioni dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike” u shpreh ministri Jaupaj, duke theksuar se angazhimi institucional do të vijojë edhe në vitet në vijim.
Programet e ripyllëzimit janë shtrirë në disa qarqe të vendit, duke përfshirë zona malore, sipërfaqe të dëmtuara nga zjarret apo ndërhyrjet e pakontrolluara, si dhe territore me rëndësi të veçantë ekologjike. Në këto nisma janë përfshirë struktura shtetërore, pushteti vendor, organizata mjedisore dhe komunitete lokale.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, përzgjedhja e fidanëve është bërë në bazë të kritereve shkencore, duke favorizuar specie autoktone, të përshtatshme për kushtet klimatike dhe gjeografike të zonave ku janë mbjellë. Kjo qasje synon të garantojë sukses afatgjatë të ripyllëzimit dhe rezistencë më të lartë ndaj ndryshimeve klimatike.
Pyjet përbëjnë një pasuri strategjike kombëtare dhe mbrojtja e tyre është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke kontribuar edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
![]()
/a.f/
The post Shtohen 360 mijë fidanë të rinj për rikuperimin e ekosistemeve pyjore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
