Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë në rrjetet sociale një video kushtuar angazhimit të Forcave Detare në mbrojtjen e ujërave shqiptare, duke vënë në fokus misionin e përditshëm të Rojës Bregdetare.
“Misioni ka emër”, shkruan Vengu, duke theksuar rolin e Kapiten Jetnor Ballës dhe ekuipazhit të anijes “Iliria”, të cilët janë çdo ditë në det, në vijën e parë të kontrollit dhe sigurisë së ujërave shqiptare.
Sipas ministrit, Forcat Detare, ashtu si çdo komponent tjetër i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, po rrisin ndjeshëm përgatitjen operacionale, kapacitetet dhe ritmin e trajnimeve, si dhe angazhimin në misione të përbashkëta me aleatët.
“Duke investuar në përgatitje dhe kapaciteteve, ne po rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë tona ujore e nënujore”, thekson Vengu në mesazhin e tij.
Në video, nënlejtnanti Marison Mira shpjegon se gjatë patrullimeve dhe lundrimit në det, ekuipazhet zhvillojnë paralelisht edhe stërvitje operacionale.
Ai nënvizon se një nga trajnimet e rëndësishme është edhe lufta kundër zjarrit në anije, si pjesë e përgatitjes për situata emergjente.
Ky angazhim, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është pjesë e strategjisë për forcimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe për garantimin e sigurisë detare në përputhje me standardet e NATO-s.
Ushtarë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe (MSU) e KFOR, kanë zhvilluar ushtrime të luftimit në ambiente të mbyllura (Close Quarters Battle – CQB) në bazën e MSU-së në Prishtinë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, trajnimet e rregullta janë thelbësore për të garantuar gatishmëri të lartë operacionale të trupave dhe aftësinë e tyre për të reaguar shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj çdo sfide të mundshme të sigurisë.
Këto ushtrime, sipas KFOR-it, theksojnë bashkëpunimin e fortë dhe ndërveprueshmërinë ndërmjet personelit shumëkombësh, duke mbështetur misionin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë në gjithë Kosovën.
Në ushtrimin e detyrave të tij, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me rolin e vet si reagues i sigurisë.
Evropa duhet të jetë përgjegjëse për sigurinë e saj, ka thënë të mërkurën presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen. “Kjo nuk është më një mundësi. Është një domosdoshmëri”, i ka thënë ajo Parlamentit Evropian në Strasburg. Ajo ka shtuar se Evropa “nuk mund të lejojë që të tjerët të përcaktojnë pikëpamjen e […]
Shkolla të pasigurta është ky konkluzioni që arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi të kryer nga shtatori 2021 deri në 2024. Monitorimi në gati 4 vite për rolin e oficerëve të sigurisë edhe punën e bërë në institucionet arsimore ka rezultuar një proces jo efektiv, për shkak të mungesës së koordinimit institucional, […]
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur sot dy aderime të rëndësishme në listën zgjedhore të partisë: ekspertin e teknologjisë Astrit Desku dhe specialistin e sigurisë Muharrem Asllani.
Astrit Desku, doktor i shkencave kompjuterike dhe një nga profesionistët më të njohur të ICT-së në vend, i bashkohet LDK-së si figurë e profilit të lartë në inovacion, udhëheqje teknologjike dhe edukim universitar.
Ndërkohë, Major Muharrem Asllani, me mbi 20 vite përvojë në operacione emergjente, menaxhim të materieve të rrezikshme dhe bashkëpunime ndërkombëtare në fushën e sigurisë, i shtohet listës së LDK-së si një prej ekspertëve më të respektuar të FSK-së dhe Mbrojtjes Civile.
Abdixhiku tha se të dy aderimet përfaqësojnë vizionin e LDK-së për të përfshirë profesionistët më të mirë të vendit në funksion të një Qeverie më të aftë dhe më evropiane.
Instituti për Ekonomi dhe Paqe ka publikuar raportin e tij vjetor për vitin 2025 mbi Indeksin Global të Paqes, një studim i detajuar që mat nivelin e sigurisë dhe stabilitetit në mbi 160 shtete të botës. Sipas raportit, pesë vendet më të sigurta në botë për këtë vit janë: Islanda, Irlanda, Zelanda e Re, Austria […]
Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka marrë pjesë në Ministerialin e OSBE-së.
Në fjalimin që mbajti ajo rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për ligjin ndërkombëtar, drejtësinë, llogaridhënien dhe dinjitetin njerëzor, përballë agresionit rus në Ukrainë.
Spiropali shtoi se siguria dhe përparimi në Ballkanin Perëndimor fillojnë me njohjen e Kosovës si shtet.
“Paqja, stabiliteti dhe siguria kudo në Evropë, vijojnë të jenë prioritetet tona kryesore. Siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, tha ajo.
TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Në 113-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha se Forcat e Armatosura janë një janë një domosdoshmëri për të ecur përpara.
Në aktivitetin e organizuar me këtë rast, Vengu theksoi se “16 vite pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria është e sigurt jo për shkak të madhësisë, por për shkak të përkushtimit të njerëzve të saj në uniformën”.
“Kjo është edhe arsyeja pse aleatët na besojnë. Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk janë vetëm një institucion. Janë njerëzit e uniformës, familjet e tyre, komunitetet që ndihmohen në emergjenca, dhe qytetarët që punojnë të qetë, sepse e dinë që vendi i tyre është i mbrojtur”, theksoi Vengu.
Vengu tha se janë 113 vite histori, 113 vite shërbim, ndërsa e ardhmja e Forcave të Armatosura ndërtohet çdo ditë me të njëjtin parim si në vitin 1912.
“Shqipëria duhet të jetë në gjendje të mbrohet për të qenë në gjendje të zhvillohet”, tha Vengu.
Trashëgimia e 113 viteve shërbim ndaj atdheut mbetet një burim frymëzimi dhe përgjegjësie për misionin e sotëm dhe të ardhshëm të Forcave të Armatosura, të cilat me përkushtimin e tyre ndaj sigurisë kombëtare, mbrojtjes së integritetit territorial dhe shërbimit ndaj qytetarëve, vijojnë të ecin me standarde moderne dhe me vizion të qartë drejt të ardhmes.
Në një vend që supozohet të jetë ndër më të mbrojturit. Aty ku çdo lëvizje, çdo hyrje dhe çdo kthesë filmohet e regjistrohet nga dhjetëra kamera, ndodhi që siguria u thye në formën më të ashpër nga plumbat e kallashnikovëve. Pak pas mesditës së datës 11 nëntor 2025, rreth orës 14:15, një makinë e ndaluar […]
TIRANË- Siguria kibernetike është kthyer një nga sfidat kryesore të ne kohet e sotme, një sfide kombëtare. Zhvillimet e hovshme teknologjike kane sjellë me vete edhe mjaft rreziqe. Shqipëria përballet me një sulm kibernetik çdo tre minuta.
Shumë prej tyre sigurisht shenjtërojnë të dhënat e sistemet e të dhënave.
Por si po mbrohet Shqipëria në këtë drejtim?
Zëvendësdrejtuesja e përgjithshme e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Floreta Faber, e ftuar në “Money Report” se Shqipëria po bën përpjekje të jashtëzakonshme në rritjen e kapaciteteve të saj mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike.
Ajo u shpreh se sulmet mund të vijnë në fronte të ndryshme, por pjesa që ka shumë rëndësi është aftësia mbrojtëse.
Sipas saj, qeveria shqiptare ka shtuar investimet në teknologji me qëllim forcimin e kapacitetit të saj në një realitet të ri, siç është dhe lufta kiberbnetike që vjen në rritje.
“Shqipëria kë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme jo vetëm që të reagojë ndaj sulmeve, por dhe të marren masa , që efekti të jetë sa më i vogël.
Sulmet mund të vijnë nga shumë drejtime. e rëndësishmja mbrojtja. Ajo që ne kemi në dorë është përgatitja se si duhet të reagojmë ndaj këtyre sulmeve, nga 2022, kur patëm një sulem të një niveli që ndikoi shumë.
Qeveria shqiptare ka vënë foksin në ndryshimet dhe investimet teknologjike. Sulmet më të mëdha janë drejt institucioneve publike, drejt bankave etj”, tha ajo.
Në kuadër të forcimit të mbrojtjes kibernetike është miratuar tashmë edhe një strategji kombëtare 5-vjeçare. E pyetur nga gazetarja Genta Dobra se ku konsiston kjo strategji kombëtare, Faber dha këtë shpjegim:
“Strategjia e re kombëtare u miratua nga qeveria javën e kaluar. Kjo strategji është në përputhje me direktivat e BE, për hapat që duhet të ndjekë Shqipëria drejt rrugës për BE. Fokusi te infrastruktura kritike. kërkohet që investimet të jenë të mëdha në teknologji.
Të gjithë institucionet duhet të jenë në gatshme për mbrojtjen. Duhet të kemi më shumë ekspertë.
Shqipëria si pjesë e NATO, e vendeve që synojnë BE, si një nga ndetë Kombeve të Bashkuara, ka disa vende ku e ka shtrirë fushën e bashkëpunimit në diplomacinë dhe bashkëpunimit kibernetik. Po punojmë në të gjitha drejtimet që të rrisim sigurinë e vendit”, tha ajo/abcnews.al
Njerëzit ndihen më pak të sigurt duke ecur vetëm natën në Itali dhe Francë sesa në dhjetëra vende të tjera, përfshirë Irakun, Ruandën dhe Bangladeshin, sipas një raporti të ri.
Në fakt, botimi i vitit 2025 i Raportit Global të Sigurisë paraqet vetëm një komb evropian në 10 vendet e para me ndjenjën më të lartë të sigurisë: Norvegjia (91%).
Danimarka dhe Kosova, të dyja me 89%, janë vendet e dyta evropiane me renditjen më të lartë, përkatësisht të 11-tat dhe të 12-tat në mbarë botën, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, italianët ndihen më pak të sigurt në Evropë, Franca e 56-ta në mbarë botën.
Siç theksohet më tej, me 60%, perceptimi i sigurisë midis italianëve është më i ulëti në Evropë dhe i 95-ti në botë, pas Ukrainës së shkatërruar nga lufta (62%), Nikaraguasë (63%), Mauritanisë (64%) dhe Nigerit (67%).
Franca, e renditur në vendin e 56-të me 73%, pati një rezultat më të lartë se Italia, por u rendit pas ekonomive të ngjashme evropiane si Spanja (81%), Gjermania (78%) dhe Mbretëria e Bashkuar (76%), si dhe vendeve jo-evropiane si Egjipti (82%), Bangladeshi (74%) dhe Belize (74%).
Siç bëhet e ditur, raporti i Gallup anketoi 145,170 të rritur të moshës 15 vjeç e lart në 144 vende dhe territore.
Si krahasohet Evropa me pjesën tjetër të botës?
Në nivel global, 73% e të rriturve në mbarë botën thanë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në qytetin ose zonën ku jetojnë.
Dhe ky është niveli më i lartë në të dhënat e Gallup (i cili filloi në vitin 2006) dhe një rritje prej 13% gjatë dekadës së fundit.
"Paradoksi është i habitshëm", thanë studiuesit në raport. "Po jetojmë nëpër më shumë konflikte të armatosura sesa në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore. E megjithatë, Gallup zbulon se më shumë njerëz se kurrë thonë se ndihen të sigurt në komunitetet e tyre".
Perceptimi i sigurisë
Me një kërcim prej 34 pikësh gjatë dy dekadave të fundit, ish-blloku sovjetik ka përjetuar rritjen më të madhe në perceptimet e sigurisë në të gjitha makrorajonet, duke arritur në 71%.
Nëse trendi vazhdon, vendet e ish-BRSS - përjashtuar Rusinë - mund të tejkalojnë Amerikën e Veriut, e cila tani qëndron në 72%.
Së bashku me Afrikën Sub-Sahariane, Amerika e Veriut ka qenë i vetmi rajon botëror që ka parë një rënie në perceptimin e sigurisë që nga viti 2006 (-4%), citon Euronews raportin.
Në përgjithësi, rajoni ku njerëzit ndihen më pak të sigurt në nivel global është Amerika Latine dhe Karaibet (50%).
Hendeku gjinor: Shumë më tepër gra ndihen të pasigurta sesa burrat
Raporti i Gallup gjithashtu thekson një hendek të madh gjinor: 32% e grave, në nivel global, pretendojnë se nuk ndihen të sigurta krahasuar me 21% të burrave.
Pesë nga 10 vendet e botës me hendekun më të lartë gjinor në këtë kuptim janë shtete anëtare të BE-së.
Përsëri, performanca e Italisë këtu është më e keqja në Evropë, me një hendek prej 32 pikësh midis perceptimit të sigurisë së burrave italianë kundrejt atij të grave italiane - 76% e burrave ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën kundrejt 44% të grave.
Raporti thotë se "56% e vrasjeve të qëllimshme ku viktima është një grua ose vajzë kryhen nga një partner intim ose anëtar i familjes, krahasuar me 11% kur viktima është mashkull".
"Ndërsa burrat kanë më shumë gjasa të jenë viktima të dhunës vdekjeprurëse në publik, normat e dhunës jo-vdekjeprurëse të raportuara janë shumë më të afërta midis gjinive", shton ai.
Perceptimi kundrejt realitetit: Cilat vende e shohin veten më mirë - ose më keq - sesa janë në të vërtetë?
Një ndjenjë e ulët sigurie nuk do të thotë gjithmonë se një vend është në të vërtetë i pasigurt dhe anasjelltas.
Indeksi Global i Paqes — i cili merr në konsideratë perceptimin e sigurisë të Gallup së bashku me të dhëna të tjera më pragmatike, si shkalla e vrasjeve, krimi i dhunshëm, qasja në armë zjarri, terrorizmi dhe paqëndrueshmëria politike — shpesh pikturon një pamje më të nuancuar.
Në këtë drejtim, thekson shkrimi i Euronews, përcjell Telegrafi, në të gjithë Evropën, shumë kombe rezultojnë të jenë më të sigurta nga sa mendojnë.
Gjermania, për shembull, renditet e 20-ta në mbarë botën në Indeksin Global të Paqes, por vetëm e 34-ta kur bëhet fjalë për perceptimin e qytetarëve të tyre.
Italianët dhe britanikët gjithashtu duket se i nënvlerësojnë nivelet e tyre të sigurisë, me një hendek prej 62 dhe 15 pozicionesh, përkatësisht, midis perceptimit dhe realitetit të vlerësuar.
Franca, nga ana tjetër, tenton ta perceptojë veten si më të sigurt nga sa mund të jetë — duke u renditur e 56-ta sipas perceptimit të saj, por e 74-ta në Indeksin Global të Paqes.
Megjithatë, ajo mbetet më e sigurt se disa kombe jo-evropiane, duke përfshirë Ruandën e lartpërmendur (e 91-ta) dhe Bangladeshin (e 123-ta).
Spanja duket se ka një perceptim më të bazuar të realitetit. Vendi u rendit i 25-ti në Indeksin Global të Paqes dhe i 29-ti në tabelën e perceptimit të sigurisë të Gallup. /Telegrafi/
TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot se ngjarjet e vazhdueshme kriminale janë bërë refren në qytetin e Sarandës.
Në një deklaratë nga qyteti bregdetar, Zhupa tha se që nga sezoni turistik, por dhe në muajt e parë të vjeshtës, vazhdojnë rrëmbimet, plagosjet, vrasjet, shpërthimet, të cilat rrezikojnë jetën e banorëve të qytetit të Sarandës.
“Si deputete e Sarandës kam ndarë shpesh shqetësimin publik për këtë gjendje, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme nëpërmjet strukturave të Policisë së Shtetit të reagojë. Të vendosë nën kontroll dhe të monitorojë terrenin në qytetin e Sarandës”, tha Zhupa.
Deputetja e PD-së, nënvizoi se Policia e Shtetit duhet të reagojë për të parandaluar ngjarjet, për të qenë ajo pararendëse e asaj që do të ndodhë në Sarandë dhe jo për të numëruar viktimat mbasi ngjarja ka ndodhur.
Në një deklaratë për mediat nga qyteti i Sarandës, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, u shpreh se ngjarjet kriminale që po ndodhin në qytet, përfshirë rrëmbime, plagosje, vrasje dhe shpërthime, po rrezikojnë jetën e banorëve dhe po krijojnë një gjendje pasigurie për komunitetin.
Zhupa theksoi se është e nevojshme që Policia e Shtetit të ndërhyjë menjëherë, të monitorojë terrenin dhe të marrë masa proaktive për të parandaluar krimet, duke qenë pararendëse e ngjarjeve dhe jo vetëm për të reaguar pas tyre.
Deputetja gjithashtu kërkoi që autoritetet të intensifikojnë praninë në terren dhe të zbatojnë kontrolle të rregullta për të siguruar paqen dhe sigurinë në Sarandë.
DEKLARATA E DEPUTETES SË PD, INA ZHUPA NGA SARANDA:
Ngjarjet e vazhdueshme kriminale janë bërë refren në qytetin e Sarandës, ku që nga sezoni turistik por dhe tani në muajt e parë të vjeshtës vazhdojnë më rrëmbime, plagosje, vrasje, shpërthime, të cilat rrezikojnë jeten e banorëve të qytetit të Sarandës.
Si deputete e Sarandës kam ndarë shpesh shqetësimin publik për këtë gjëndje, duke i kërkuar Ministrisë së Brëndshme nëpërmjet strukturave të policisë së shtetit të reagojë.
Të vër në kontroll dhe të monitoroj terrenin në qytetin e Sarandës.
Duhet që Policia e Shtetit të reagoj për të parandaluar ngjarjet, për të qenë ajo pararendëse e asaj që do të ndodhi në Sarandë dhe jo për të numëruar viktimat mbasi ngjarja ka ndodhur.
Mbikalimet dhe nënkalimet në Prishtinë, të ndërtuara për të garantuar kalimin e sigurt të qytetarëve, prej vitesh po përballen me mungesë mirëmbajtjeje.
Shumë prej tyre janë bërë të papërdorshme për shkak të aromave të pakëndshme, mungesës së ndriçimit dhe problemeve të sigurisë.
Një prej shqetësimeve kryesore mbetet qasja e vështirë për nënat me karroca, të cilat nuk kanë mundësi të ngjiten në mbikalime për shkak të mungesës së infrastrukturës së objektit.
Një tjetër problem që përsëritet janë mbeturinat e shumta që kanë pushtuar këto hapësira, duke krijuar ndotje dhe kundërmime të forta.
Pas ankesave të shumta të qytetarëve, ekipi i Telegrafit vizitoi mbikalimin pranë Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, zonë kjo e njohur ndryshe si “rrethi me Flamur”.
Pamjet nga terreni tregojnë se ky mbikalim është në gjendje të rënduar – me shkallë të dëmtuara, dysheme të çara, mbeturina të shpërndara dhe persona të pastrehë që qëndrojnë aty gjatë natës.
Përveç mungesës së higjienës, edhe aspekti i sigurisë mbetet shqetësues, pasi hapësirat e dëmtuara mund të paraqesin rrezik për fëmijët dhe kalimtarët.
Telegrafi ka kontaktuar me komunën e Prishtinës në lidhje me mirëmbajtjen e këtij mbikalimi, ndonëse të njoftuar me situatën – nuk kemi marrë përgjigje deri në kohën e publikimit të lajmit.
Për çdo problematikë që përballeni në baza ditor, mund të na shkruani në lokale@telegrafi.com./Telegrafi/
Prindërit e nxënësve të shkollës “Asim Vokshi” në Prishtinë kanë mbajtur sot një protestë para shkollës “Zenel Hajdini”, duke kërkuar kthimin e fëmijëve të tyre në objektin e mëparshëm.
Protesta u zhvillua në orët e mëngjesit, ku prindërit shprehën shqetësimet për distancën e madhe që duhet të përshkojnë fëmijët çdo ditë, si dhe për rrezikun që paraqet rruga që kalon përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë.
Protesta e prindërve para shkollës 'Zenel Hajdini' në Prishtinë telegrafi.com
Florim Zejnullahu, një nga prindërit pjesëmarrës në protestë, tha për Telegrafin se fëmijët detyrohen të kalojnë nëpër një rrugë shumë të ngarkuar me komunikacion për të arritur në shkollë - gjersa theksoi se para disa ditësh një fëmijë është përfshirë në një aksident, gjë që ka shtuar pasigurinë tek komuniteti.
“Shqetësimi ynë kryesor është distanca e madhe dhe siguria, pasi që rruga që përshkojnë fëmijët është e ndarë përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë, që është rruga më e ngarkuar në Prishtinë” u shpreh ai.
“Është shqetësim shumë i madh për neve, andaj nëse nuk zgjidhet ky problem që të kthehen fëmijët tanë në shkollë ‘Asim Vokshi’, do të vazhdojnë shqetësimet tona, pasi para disa ditësh, një veturë ka shkelur një fëmijë duke ardhur në këtë shkollë”.
Protesta e prindërve para shkollës 'Zenel Hajdini' në Prishtinë telegrafi.com
“E gjithë shkolla ‘Asim Vokshi’ është bartë këtu, diku mbi 200 nxënës janë bartë këtu. Shkolla ‘Asim Vokshi’ është ndërtuar që ta lehtësojë procesin mësimor të shkollës ‘Zenel Hajdini’”.
“Ne duam urgjentisht që DKA-ja të na kthejë fëmijët në ‘Asim Vokshi’. Largimi nga shkolla është bërë për shkak që të fillojë mësimi tërëditor. Ne kemi bërë ankesë edhe në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, jemi takuar – por nuk kemi marrë përgjigje adekuate”, ka shtuar Zejnullahu.
Një tjetër prind, Arta Isufi, ngriti shqetësimin për distancën dhe vështirësitë që kanë prindërit që punojnë.
Protesta e prindërve para shkollës 'Zenel Hajdini' në Prishtinë telegrafi.com
“Duhet të dal nga puna ose duhet ndonjë familjar që ta marrë fëmijën nga shkolla. Unë e kam nënën pensionere dhe duhet t’i kalojë disa rrugë për të ardh këtu. Në shkollën ‘Asim Vokshi’ e kemi afër dhe nuk e di përse duhet t’i sjellim fëmijët këtu. Atje ka mundur fëmija im të shkojë vetë, por këtu është shumë rrezik”, potencoi ajo.
Ndërsa Njomza Berisha, një tjetër prind, kërkoi që kjo çështje të mos politizohet dhe të trajtohet vetëm si problem i sigurisë së fëmijëve.
“Kjo çështje nuk duhet të politizohet, pasi fëmijët tanë janë mbi politikën. Nuk jemi dalë që të dëmtojmë askënd, andaj ju lutemi shumë që kjo çështje mos të politizohet, pasi është për sigurinë e fëmijëve", deklaroi ajo.
Prindërit paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta nëse kërkesa e tyre për kthimin e fëmijëve në shkollën “Asim Vokshi” nuk merret parasysh nga autoritetet komunale. /Telegrafi/
Protesta e prindërve para shkollës 'Zenel Hajdini' në Prishtinë telegrafi.com
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një plan masash për rritjen e sigurisë në të gjitha gjykatat e vendit, një javë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Në mbledhjen e datës 10 tetor, KLGJ bëri të ditur se do të ndërmerren hapa konkretë në disa drejtime, duke nisur me analizimin e […]
TIRANË– Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, tha se nga e hëna do të ndalohet qarkullimi i përkohshëm i monopatinave në rrugë.
Ajo theksoi se ky është një shqetësim i ngritur nga qytetarët, i cili do të marrë zgjidhjen përfundimtare pasi po punohet për hartimin e rregullave strikte për përdorimin e tyre.
Pas hartimit të rregullores së re, ministrja e Brendshme theksoi se përdorimi i monopatinave elektrike do të bëhet vetëm për nevoja personale dhe jo për qëllime biznesi.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu dua të informoj të gjithë atë që e shohin monopatinën elektrike si një mënyrë biznes për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet.
Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Në do hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë, do qartësojmë njëherë dhe përgjithmonë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kriteret për moshën, masat mbrojtëse si kaska, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar. Shqipëria nuk është i vetmi vend është përballur me këtë situatë. Franca, Italia, Gjermania, në rajon Maqedonia e Veriut, e shumë vende të tjera kanë marrë masa drastike, me bllokim të përhershëm apo të pjesshëm.Dua të sqaroj opinionin publik se ne do të studiojmë të gjithë këto shembuj dhe praktikat më të mira në nivel europian, për të balancuar interesin e të gjitha palëve të përfshira.”, tha ajo.
Kreu i Policisë së Shtetit Ilir Proda, tha se nga e hëna do të ketë kontrolle për ndalimin e monopatinave dhe për këtë arsye kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve.
““Ne kemi bërë një analizë të hollësishme në lidhje me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin që përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike.
Mjafton të përmendim faktin se vetëm gjatë vitit 2024 janë raportuar 991 raste të raportuara nga urgjencat për aksidentet me këto mjete. Midis këtyre rasteve ka pasur edhe fatalitete apo dëmtime shumë të rënda.
Për ta adresuar këtë problem dhe këtë rrezik që i vjen rendit e sigurisë publike dhe përdoruesve të rrugës nga përdorimi i këtyre mjeteve, ne kemi përcaktuar dhe një procedurë standarde, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, për ta adresuar këtë problem duke ndëshkuar drejtuesit e këtyre mjeteve dhe përdorimin e këtyre mjeteve në rrugë urbane, duke përfshirë edhe trotuaret dhe duke arritur deri në bllokimin administrativ të këtyre mjeteve.
Duke filluar nga dita e hënë, Policia e Shtetit do të përfshihet në një operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve, dhe për këtë arsye kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces”.”, tha ai./abcnews.al
Ka një përjashtim shumë domethënës që e thekson këtë sjellje: në rastet kur siguracioni është i detyrueshëm nga ambasadat, ai bëhet. Studentët që aplikojnë për viza studimi apo ata që kërkojnë bashkim familjar në një vend të BE-së janë të detyruar të paraqesin siguracion shëndetësor të vlefshëm për të paktën 1 vit. Dhe në këto […]
TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu reagoi pas seancës së Kuvendit në të cilën pas debateve të opozitës, u kalua në votim pa diskutime për rendin e ditës.
Ministrja theksoi se për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme dhe klimës së tensionuar që u krijua nga opozita në seancën plenare, nuk mundi që të mbajë fjalën e plotë në Kuvend, të cilën e ndau me qytetarët përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në fjalën e saj, Koçiu dënoi vrasjen e gjyqtarit të gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, i cili u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, teksa po kryente detyrën.
“Vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit është pa dyshim një ngjarje shumë e rëndë, e cila nuk duhej të ndodhte!”, u shpreh Koçiu.
Koçiu nënvizoi “se autori do të përballet me forcën e plotë të ligjit!”.
“Kjo ngjarje duhet të na shtyjë të gjithëve ne, brenda e jashtë kësaj salle, të reflektojmë dhe të veprojmë më shpejt për të forcuar mbrojtjen e sistemit gjyqësor, në ato pika ku konstatohen dobësi”, tha Koçiu.
Ministrja nënvizoi se së bashku me Ministrinë e Drejtësisë dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, do të rishikojmë masat e sigurisë në gjykata, e jo vetëm.
Në përfundim, shtoi Koçiu “do të hartojmë një paketë të plotë duke përfshirë rishikimin e protokolleve të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe institucioneve të drejtësisë; Forcimin e sigurisë fizike brenda dhe përreth ambienteve të gjykatave; si dhe një sistem të integruar monitorimi inteligjent për të parandaluar e neutralizuar çdo akt dhune”.
Ministrja gjithashtu sqaroi opinioni publik se “në përputhje me detyrimet ligjore, Garda e Republikës ruan dhe mbron gjyqtarët e prokurorët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
“Gjithashtu, magjistratëve u sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, kur gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, u rrezikohet jeta, shëndeti, familja ose prona”, tha Koçiu.
Ministrja u shpreh se janë të angazhuar që të rishikojnë kornizën e mbrojtjes vetjake të ofruar deri tani për t’a fuqizuar edhe më tej paprekshmërinë dhe sigurinë në detyrë të magjistratëve.
“Në këtë rrugë, do të ecim përpara me të njëjtën vendosmëri dhe bindje të palëkundur që na ka shoqëruar edhe në rrugën e vështirë dhe të gjatë të bërjes realitet të reformës më të thellë dhe më transformuese në historinë e shtetit shqiptar. Reforma në drejtësi është ajo reformë që i ka dhënë fund kohës së të paprekshmëve nga ligji. I ka dhënë fund dy standardeve në aksesin ndaj drejtësisë”, tha Koçiu.
Koçiu nënvizoi se në realizimin e reformës në drejtësi, kjo qeveri ka treguar një vullnet të hekurt dhe të panegociueshëm.
“Do të tregojmë përsëri të njëjtin vullnet, për përsosjen e mëtejshme të sistemit dhe rritjen e standarteve të sigurisë”, tha Koçiu.
Duke ju drejtuar opozitës, Koçiu theksoi se “distancohem plotësisht nga e gjithë tentativa e shëmtuar për të instrumentalizuar dhe politizuar vrasjen”.
“Jeta e çdo njeriu, aq më tepër e një shërbëtori të drejtësisë të rënë në krye të detyrës nuk mund të përdoret për kapital apo interesa të ngushta politike. Sot nuk është koha për të drejtuar gishtin apo për të kërkuar fajtorë politikë”, tha Koçiu.
Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit Edi Rama, ka njoftuar se në shkollat publike janë vendosur oficerë sigurie, të cilët do të garantojnë mbrojtjen e nxënësve nga çdo fenomen negativ i lidhur me dhunën apo rreziqet online.
Rama shprehet se falë edhe bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Arsimit, janë zhvilluar trajnime specifike për oficerët e sigurisë për të garantuar sigurinë e nxënësve në shkollat publike.
Po ashtu, suport do të jetë edhe Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake të cilët bëjnë monitorimin e tyre në hapësirat brenda perimetrit të shkollave, duke bërë jo vetëm monitorim por dhe parandalimin e incidenteve të ndryshme.