Spahia: SPAK të hetojë shkeljet e konstatuara nga KLSH në shëndetësi
TIRANË, 7 janar /ATSH/ Kryetari i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia u shpreh sot se raporti i fundit i KLSH-së ka konstatuar shkelje të rënda në sistemin shëndetësor në vend.
Në një deklaratë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, Spahia tha se “raportet e KLSH-së, auditimet e brendshme dhe raportet ndërkombëtare prej vitesh faktojnë se sistemi shëndetësor është ndër sektorët ku vidhet më shumë nga kjo mazhorancë e korruptuar”.
“Raporti i fundit mbi Fondin e Sigurimeve Shëndetësore nxjerr në pah shkelje flagrante financiare, manipulime kontrolli dhe mungesë të listës së barnave, rimbursime të pajustifikuara, mungesë barnash jetike për pacientët dhe moszbatim kontratash që kanë prodhuar miliona lekë dëm ekonomik”, tha Spahia.
Sipas Spahisë, bëhet fjalë për diferenca të pajustifikuara financiare, për barna të skaduara që kanë qarkulluar, për farmaci pa barna alternative apo cilësore për tejkalim buxheti, për miliona lekë penalitet që duhet të ishin aplikuar po nuk janë aplikuar kurrë.
“Të gjitha këto janë të dokumentuara nuk janë thashetheme, akuza politike, por janë fakte zyrtare. Raporti ngre alarmin se në depot farmaceutike të spitaleve si QSUT, Elbasan, Durrës, Shkodër e Korçë nga auditimi për një numër barnash mungon dokumentimi i datës së skadencës. Vetëm në QSUT për 26 barna vetëm për 14 prej tyre janë alternativë e vetme dhe 12 prej tyre alternativë e parë. Situatë e ngjashme edhe në spitalet rajonale, ku mbi 31 barna të marra së bashku si alternativë e vetme nuk ka pasur disponibilitet”, vijoi Spahia.
Spahia nënvizoi se “ky është korrupsion, klientelizëm dhe kapje e shtetit. Kjo është arsyeja pse shqiptarët sot përballen me spitale të rrënuara, mungesë mjekësh dhe barna të skaduara dhe me shpenzime të papërballueshme për kurimin e tyre”.
“Shqiptarët paguajnë mbi 60% para nga xhepi për kurimin e tyre. Realiteti nuk mund të sfumohet me propagandë. Kjo qeveri prej 13 vitesh nuk ka pasur qëllim reformimin e sistemit shëndetësor, por vetëm vjedhje. Ne kërkojmë, nisjen e menjëhershme nga SPAK të hetimeve si dhe nga prokuroria për të gjitha shkeljet, falsifikimet dhe dëmet e konstatuara në këtë raport. Këto janë vepra penale! Ne kërkojmë shkarkimin dhe ndjekjen penale të FSDKSH dhe atyre që kanë mbyllur sytë përpara skadencave dhe inventarëve”, tha Spahia.
/e.i/r.e/a.f/
The post Spahia: SPAK të hetojë shkeljet e konstatuara nga KLSH në shëndetësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.