Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

Rusia synon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë

By: e xh
24 December 2025 at 19:30

Rusia planifikon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë në dekadën e ardhshme për të furnizuar programin e saj hapësinor hënor dhe një stacion të përbashkët kërkimor ruso-kinez, teksa fuqitë e mëdha po nxitojnë të eksplorojnë satelitin e vetëm natyror të Tokës.

Që nga koha kur kozmonauti sovjetik, Yuri Gagarin, u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë më 1961, Rusia e ka paraqitur veten si një fuqi udhëheqëse në eksplorimin e hapësirës, por në dekadat e fundit ka mbetur prapa Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim, dhe gjithnjë më prapa edhe Kinës.

Ambiciet e Rusisë pësuan një goditje të madhe në gusht të vitit 2023, kur misioni i saj pa ekuipazh Luna-25 u përplas me sipërfaqen e Hënës gjatë përpjekjes për t’u ulur, teksa miliarderi Elon Musk ka revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore, gjë që dikur ishte një specialitet rus.

Korporata shtetërore ruse e hapësirës, Roscosmos, njoftoi se planifikon të ndërtojë një central energjetik në Hënë deri në vitin 2036, duke shtuar se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e industrisë hapësinore, Lavochkin Association për ta realizuar këtë projekt.

Roscosmos tha se qëllimi i centralit është që të furnizojë me energji programin hënor të Rusisë, përfshirë automjetet robotike, një observator dhe infrastrukturën e Stacionit e Përbashkët Ndërkombëtar Kërkimor Ruso-Kinez.

“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni të përhershëm hënor dhe kalimin nga misionet që zhvillohen vetëm një herë në një program afatgjatë të eksplorimit të Hënës”, tha Roscosmos.

Roscosmos nuk tregoi në mënyrë eksplicite nëse centrali do të ishte bërthamor, por njoftoi se ndër pjesëmarrësit në projekt janë korporata shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom dhe Instituti Kurchatov, që është instituti kryesor i Rusisë për kërkime bërthamore.

Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, tha në muajin qershor se një nga synimet e korporatës është të ndërtojë një central bërthamor në Hënë dhe të eksplorojë Venerën, që njihet si “planeti motër” i Tokës.

Hëna, e cila ndodhet 384.400 kilometra larg nga Toka, ndikon në stabilizimin e lëkundjes së Tokës rreth boshtit të saj, duke siguruar një klimë më të qëndrueshme. Ajo po ashtu shkakton baticat dhe zbaticat në oqeanet e botës./ REL

Papa Leoni kërkon 24 orë paqe në Ukrainë për Krishtlindje

By: e xh
24 December 2025 at 18:40

Papa Leoni XIV u bëri thirrje të gjithë njerëzve që të paktën në ditën e Krishtlindjes, të respektohet një ditë paqeje në botë. Apeli u bë të martën, më 23 dhjetor, nga Castel Gandolfo, përpara festës së Krishtlindjes.

Ai u shpreh se një nga gjërat që e shqetësojnë më shumë këto ditë është fakti se Rusia duket se ka refuzuar kërkesën për një armëpushim për Krishtlindje.

“I bëj edhe një herë thirrje të gjithë njerëzve me vullnet të mirë: të respektohet, të paktën në ditën e lindjes së Shpëtimtarit, një ditë paqeje. Le të ketë një ditë paqeje në mbarë botën”, tha Papa.

Siç është bërë zakon, Papa ndaloi për të folur me një grup gazetarësh nga media të ndryshme dhe u përgjigj pyetjeve të tyre.

Mes çështjeve të trajtuara ishin Lindja e Mesme dhe Ukraina. Duke folur për Ukrainën, ku sulmet e shumta ruse kanë goditur disa rajone në orët e fundit, Papa Leoni tha: “Ndër gjërat që më trishtojnë shumë këto ditë është fakti se Rusia duket se ka refuzuar kërkesën për një armëpushim për Krishtlindje”.

Ai e ripërsëriti thirrjen e tij për një pushim të luftës gjatë Krishtlindjes.

“Ndoshta do të na dëgjojnë, dhe të kemi 24 orë – një ditë të plotë paqeje në mbarë botën”, tha ai.

Ai më pas ftoi të gjithë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të Krishtlindjes, të reflektojnë mbi natyrën e jetës njerëzore dhe mbi vlerën e jetës së njeriut.

“Zoti u bë njeri si ne për të na treguar se çfarë do të thotë të jetosh vërtet jetën njerëzore”, tha ai.

 

Rama: shërbimi shëndetësor do modernizohet, do të futet inteligjenca artificiale në trajtimin e pacientëve

By: Uesli
24 December 2025 at 18:16

Rama: shërbimi shëndetësor do modernizohet, do të futet inteligjenca artificiale në trajtimin e pacientëve   Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala, zhvilloi një vizitë në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, ku u takua me mjekë, infermierë dhe pacientë.     Gjatë vizitës, kryeministri theksoi se […]

The post Rama: shërbimi shëndetësor do modernizohet, do të futet inteligjenca artificiale në trajtimin e pacientëve appeared first on Saranda Web.

FOTO-EMRI/ U arrestua në shtëpi bari, nis ekstradimi për fierakun. E kërkonte “Interpol Tirana”

By: Fax Web
24 December 2025 at 19:40

Akuza për përdorim të një pasaporte të falsifikuar ka çuar në pranga një të ri shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej Interpol Tiranës.

Sipas Gjykatës së Ekstradimeve në Londër, i arrestuari për qëllim ekstradimi është shtetasi Igli Hazizaj, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi më 9/12/2022.
I lindur në Fier, ai kishte hyrë ilegalisht në Angli dhe u zbulua se ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi u arrestua për përfshirjen në ngritjen e tre shtëpive ku rritej kanabis.

 

Sipas gazetës “News & Star Camberland The Thumberland News”, Igli Hazizaj bashkë me Jugert Hazizaj dhe Jurgen Balla nëse do t’ja arrin të korrnin kanabisin e mbjellë në vazo, do të arrin një fitim prej 2 milion stërlina.

Në shkurt të këtij viti, prokurori çështjes i  tha gjykatës se: “Ai vepronte si ‘menaxher ’ i kompleksit Carlisle në tre adresa dhe për këtë arsye luajti një rol të rëndësishëm.”

Dy të pandehurit e tjerë u paguan për t’u kujdesur për bimët, duke u siguruar që ato të ishin në gjendje të lulëzonin dhe të qëndronin të shëndetshme.

Është e qartë se kjo ishte pjesë e një grupi më të gjerë të krimit të organizuar”, tha gjykatësi Nicholas Barker.

“Është provë e qartë për fitimin e pritur që do të nxirrej nga prodhimi i kanabisit. Me vlerat e tregut, këto tre prona ishin të afta të prodhonin shumë më tepër se 2 milionë paund kanabis në vit”, tha gjykatësi Barker kur lexoi vendimin e dënimit.

Gjyqtari e dënoi me tre vjet burg Igli Hazizajn, 16 muaj Eugert Hazizajn dhe një vit burg Jurgen Ballën.

Pas përfundimit të dënimit Igli Hazizaj do të vijojë së qëndruari në burg në pritje të vendimit për tu ekstraduar si person i kërkuar nga drejtësia shqiptare.

FOTO/ Kujdes çfarë konsumoni! AKU bllokon 5 ton djathë dhe 944 kg fileto pule

By: Fax Web
24 December 2025 at 19:01

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se gjatë kontrolleve të ushtruara së fundmi nga Drejtoria Rajonale Tiranë, janë konstatuar shkelje ligjore në një subjekt ushqimor.

Inspektorët kanë bllokuar 5 ton djathë “Gouda” dhe 944 kg fileto pule për mungesë të kundraetiketës në gjuhën shqipe.

Subjekti mori gjobë dhe produktet mbeten të bllokuara deri në rregullimin e dokumentacionit dhe etiketimit.

“AKU garanton opinionin publik se do të vijojë kontrollet rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar zbatimin e ligjit dhe informimin e saktë të konsumatorëve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të tyre”, thuhet në faqen zyrtare.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është kritikuar shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Fatjon Pasholli dha dorëheqjen pas vetëm 4 muajsh në postin e drejtuesit të AKU. Vendin e tij e zuri Alketa Hoxha.

Viti 2025 numëron problematika në këtë fushë që në nisje, që me mandarinat me pesticide, tonelatat e mishit me salmonelë nga Brazili, luleshtrydhet greke apo specat dhe qumështin.

VIDEO/ Elbasani dhe Tirana ndajnë pikët mes polemikave dhe protestave

By: Fax Web
24 December 2025 at 18:56

Elbasani dhe Tirana barazuan 1-1 mes tyre, në duelin e javës së 18-të në Superiore.

Një barazim, me tension dhe shumë polemika, për shkak të ngjarjeve të ndodhura në pjesën e dytë.

Fraksioni i parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën ndryshoi gjithçka.

Tirana kaloi në avantazh në minutën e 66-të, falë golit të Tabekou.

10 minuta më vonë, arbitri Laver Alla akordoi një penallti për vendasit, për të cilën miqtë nuk ishin dakord.

Protestat nga Tirana ishin të mëdha, me lojtarët që kërkuan rishikimin në VAR, por gjyqtari ishte i vendosur në vendimin e tij.

Tsague shënoi nga pika e bardhë dhe barazoi shifrat.

Menjëherë pas kësaj, lojtarët e Tiranës braktisën ndeshjen në shenjë proteste.

Pas 10 minutave në dhomat e zhveshjes, ata u rikthyen në fushë, për të vazhduar ndeshjen, por rezultati nuk ndryshoi më.

Me këtë barazim, Elbasani mban vendin e dytë me 33 pikë, ndërsa Tirana renditet e fundit me 10 pikë të grumbulluara.

EMRAT/ Operacioni anti-drogë me 22 të arrestuar, mes të prangosurve edhe dy drejtorë të “One Albania”

By: Fax Web
24 December 2025 at 18:44

Një operacion i gjerë antidrogë i Policisë së Tiranës çoi në pranga 22 persona, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike.

Mes të arrestuarve bien në sy edhe emra të lidhur me kompaninë “ONE Albania”, fakt që e bën këtë operacion me ndikim të fortë publik dhe institucional.

Sipas burimeve zyrtare, në pranga kanë rënë edhe: Erald Sina, me detyrë Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë në “ONE Albania” dhe Artan Pullazi, Team Leader në “ONE Albania”.

Kujtojmë që Erald Sina, një vit më parë, është marrë nën hetim për fshehjen e një sulmi të ndodhur në kompaninë telefonike “ONE”.

Nën hetim u vunë tetë persona, shtatë prej të cilëve janë punonjës të kompanisë që kujdesej për sigurinë e kompanisë, “Nazeri 2000” dhe punonjës sigurie të brendshme të kompanisë “ONE”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, ku dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e pikës ‘ONE’ në zonën e Laprakës, duke dëmtuar drynin e derës së pasme. Incidenti është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, Gentian Koçi i cili, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Punonjësi në fjalë nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë.

Edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.

22 personat e arrestuar sot:

Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.

Operacioni i Policisë:

Dy praktika që nuk kanë lidhje me proçesin e rregullt ligjor

By: Fax Web
24 December 2025 at 18:33

Nga Ylli Manjani

1. Kushtetuta në nenet 27 e 31 të saj, garanton shtetasit e këtij shteti se, cilido që gjendet nën akuzë ka të drejtë themelore të njihet HOLLËSISHT me akuzën dhe të ketë mundësi të MBROHET efektivisht. Ata kanë të drejtë të komunikojnë LIRSHËM dhe më KONFIDENCË me mbrojtësin ligjor.

Çfarë ndodh realisht në gjykatën post-reformë:

a. Shtetasit arrestohen, pra humbin lirinë, pa akuzë fare.

b. Shtetasit nën akuzë duhet ta blejnë me para tekstin e akuzës dhe materialet që e shoqërojnë atë.

c. Shtetasit nën akuzë, në paraburgim dhe pa para thjesht nuk kanë mundësi të njihen fare me asgjë nga dosja kundër tyre.

c. Shtetasit nën akuzë dhe në paraburgim, megjithëse kanë para nuk i lejon siguria e burgjeve të njihen me dosjen.

d. Shtetasit nën akuzë dhe të paraburgosur kur sillen në gjyq kyçen në kafaz të blinduar, ku nuk komunikojnë dot me avokatin.

Këto i ndodhin të gjithëve sot, jo vetëm VIP-ave. Këto të fundit duhet të bëjmë “shyqyr” që gjenden në këto kushte për të kuptuar se ç’u bëjnë të tjerëve, të zakonshmëve…

2. Neni 42 i Kushtetutës, ndër të tjera garanton shtetasit e këtij shteti se kanë të drejtë të gjykohen nga një gjykatë E PAANSHME.

Nuk po risjell në vemendje këtu ligjet që e vendosin realisht prokurorinë mbi gjykatën, as praktikat intimiduese të SPAK ndaj saj. Por po ndalem në një aspekt të frikshëm ligjor antikushtetutë e antidrejtësi:

Gjykata sot ka të drejtë me ligjin proçedural që të akuzojë shtetas, jo me akuzën e ngritur nga prokurori si palë në gjykim, por me një akuzë tjetër që do gjykata.

Pra me pak fjalë gjykata, që duhet të jetë e paanshme nga palët bëhet njëra palë, në këtë rast bëhet edhe akuzuese. I pandehuri është pala tjetër, i cili nuk ka më përballë prokurorin por gjykatën?!

Tani, a mund të jetë e paanshme një gjykatë që edhe akuzon edhe gjykon akuzën që ngre vetë?!

Edhe kjo praktikë gjendet sot në raste të ndryshme, e cila mbështetet në ligjin proçedural, por nuk ka asnjë lidhje me gjykimin e rregullt sipas Kushtetutës.

Konkluzionin nxirreni vetë…

Shpërthim dramatik i vullkanit Kīlauea Hawaii, lava ngrihet qindra metra në ajër

By: Rovena
24 December 2025 at 19:55

“Shatërvanë spektakolarë” lave të ndezur shpërthyen nga vullkani Kīlauea në Hawaii të martën, më 23 dhjetor.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), lava nga gryka jugore u ngrit deri në 420 metra në ajër, ndërsa nga gryka veriore arriti rreth 280 metra.

Ngjarja u klasifikua si Episodi 39 i aktivitetit vullkanik. Shpërthimi përfundoi papritur më 24 dhjetor, pas gati gjashtë orësh aktivitet të pandërprerë.

Gjatë kësaj kohe, vlerësohet se u hodhën rreth 10 milionë metra kub lavë.

Kīlauea është një nga vullkanet më aktivë në botë dhe po përjeton një periudhë shpërthimesh që ka rreth një vit që vazhdon.

VIDEO/ Përfshihet nga flakët një banesë në Vlorë

By: Rovena
24 December 2025 at 19:06

Një banesë është përfshirë nga flakët në zonën e Plazhit të Vjetër. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në banesat përreth.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet një verifikim i mëtejshëm nga autoritetet përkatëse.

“PD nuk motivon më”/ Artur Nura: Berisha si “aktor i serialeve turq”, vazhdon me moralin e vjetër

By: Rovena
24 December 2025 at 18:38

Analisti pranë ABC News, Artur Nura, ka komentuar zhvillimet në Partinë Demokratike gjatë emisionit “Tirana Live”, duke e krahasuar qasjen politike të Sali Berishës me një “serial turk” me motive të përsëritura dhe pa risi.

Sipas Nurës, Berisha nuk po arrin të sjellë figura të reja apo të motivojë elektoratin, ndërsa protestat e organizuara prej tij i cilëson modeste dhe pa ndikim.

Ai theksoi se interesat personale dhe përplasjet e brendshme po ndikojnë në strategjinë e opozitës, duke shtuar se raporti i Berishës me PD-në dhe qëndrimi i tij ndaj drejtësisë lidhen më shumë me ruajtjen e kontrollit mbi partinë sesa me synimin për të marrë pushtetin.

“Berishën e shikoj gjatë gjithë kohës me një film serial turk, në një kohë të caktuar me të njëjtat gjëra. Serial turk, me motive të vjetra dhe që nuk sjell asgjë. Me një protestë modeste të organizuar. Berisha nuk sjell më personazhe të rinj, nuk motivon më. Është vetëm një kafshë politike e PD. Berisha nuk ka mungesë koherence, por fërkim interesash, i intereson që të jetë në krye të PD.

Në mënyrë racionale flet për korrupsionin, organizon protesta. Ka një mungesë morali. PD-në e ka si një pronë të tij, sepse duke shkuar në proceset penale si lider i opozitës, kjo intereson atij, duke mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj drejtësisë, kjo i intereson Berishës jo që të marrë pushtetin. Salianji është pasqyra që i tregon Berishës ku ka qenë, kjo e shqetëson Berishën sepse i prish strategjinë e mbajtjes së opozitës, të PD-së. Salianji di të përballet me militantët dhe të mbledhë njerëz njësoj si Berisha”, tha Nura.

Kimioterapia në spitale rajonale/ Rama takon paciente në Onkologjik: Nuk do vijnë të gjithë në QSUT

By: Rovena
24 December 2025 at 18:18

Pacientët me kancer nuk do e marrin shërbimin e Kimioterapisë vetëm tek Onkologjiku por edhe në spitalet rajonale.

Gjatë një takimi në prag të festave me pacientë, mjekë dhe infermierë, kreu i qeverisë, nënvizoi rritjen e buxhetit me 50 milionë euro më shumë për shëndetësinë, ku një fond i posaçëm shkon për barnat onkologjike.

Kreu i qeverisë premtoi rritje të pagave për bluzat e bardha si dhe përfshirjen e inteligjencës artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve.

Më herët, Rama inspektoi dhe kantieret e hapura në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Spitali i Kardiologjisë do të hapet në muajin mars ndërsa së shpejti do të nisë puna ndërtimin nga e para të pediatrisë infektive.

Kurse parkingu i ri prej 1400 vendesh, që përfshin platformë për uljen e helikopterëve të emergjencës apo ashensor për ambulancat do të hapet në shtator të vitit të ardhshëm.

Macron dënon kufizimet e vizave të SHBA: Janë akte frikësimi dhe shtrëngimi

By: e xh
24 December 2025 at 17:41

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dënuar masat e kufizimit të vizave të vendosura nga SHBA-ja ndaj ish-komisionerit të BE-së, Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane, duke i quajtur ato akte “frikësimi dhe shtrëngimi”.

“Franca dënon masat e kufizimit të vizave nga SHBA-ja kundër Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane. Këto masa përbëjnë frikësim dhe shtrëngim që synojnë minimin e sovranitetit digjital evropian,” tha Macron në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Macron theksoi se rregullat digjitale të BE-së u miratuan përmes një “procesi demokratik dhe sovran” nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian dhe ato zbatohen brenda Evropës për të siguruar konkurrencë të drejtë midis platformave digjitale.

Ai tha se rregulloret nuk shënjestrojnë asnjë vend të tretë dhe janë hartuar për të garantuar që ajo që është e paligjshme jashtë internetit është e paligjshme edhe në internet.

“Rregullat që qeverisin hapësirën digjitale të BE-së nuk kanë për qëllim të përcaktohen jashtë Evropës”, tha Macron.

Presidenti francez tha se vendi i tij do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Komisionit Evropian dhe partnerëve evropianë për të mbrojtur sovranitetin digjital dhe autonominë rregullatore të bllokut.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja vendosi kufizime vizash për pesë individë të akuzuar për udhëheqjen e përpjekjeve të organizuara për të detyruar platformat të censurojnë “pikëpamjet amerikane”.

PD kërkon mbledhje urgjente për Ballukun, i drejtohet Kryetarit të Kuvendit

By: e xh
24 December 2025 at 16:29

Pesë anëtarët demokratë të Këshillit të Mandateve Gamzent Bardhi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Saimir Korreshi i janë drejtuar me shkresë kryetarit të Kvuendit Niko Peleshi ku kërkojnë mbledhjen ditën e nesërme të Këshillit të Imunitetit për shqyrtimin e krëkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kjo është kërkesa e dytë që i drejtohet kryetarit të Kuvendit nga deputetët e PD-së ku referuar të drejtës ligjore, Këshilli mblidhet me kërkesën e 1/2 të anëtarëve. Në kërkesë thuhet se 1 javë është periudhë kohore e mjaftueshme për të gjithë anëtarët për tu njohur me provat e vëna në dispozicio nga SPAK, ku flasim për një dosje me 10 mijë faqe.

Të martën 5 deputetët demokratë shkruan në Mbledhje referuar kërkesës së parë të depozituar ku kishin kërkuar që të vijonin me shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Prokuroria e Posaçme kërkon t’i hapet rruga për marrjen e veprimeve të tjera ligjore për Ballukun, e cila është marrë e pandehur e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë me vlerë 190 mln euro.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama bëri të qartë disa ditë më parë se Këshilli nuk do të mblidhet deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht më datë 22 janar për pezullimin e Ballukut nga detyrat qeveritare.

Mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, ( 5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Diskutimet u përqëndruan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete. Anëtarët e PD kërkuan që mbledhja të mbahej brenda 5 ditëve të javës së ardhshme, ndërsa pas 20 minutave pushim, drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi nuk dha një datë për thirrjen e seancës së radhës.

Kryepeshkop Joani uron besimtarët: Krishtlindja, rreze shprese

By: e xh
24 December 2025 at 16:15

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët me rastin e Festës së Krishtlindjes.

Kryepeshkopi thotë se festa e Krishtlindjes nuk ka të bëjë vetëm me “lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”, por vjen si rreze shprese, ngushëllimi e paqeje për këdo.

“Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë.”

Këto fjalë e përmbledhin dhe e shprehin kuptimin festës së Krishtlindjes në mënyrën më të thellë dhe më të përsosur. Nëse do të përqendrohemi për të kuptuar rëndësinë e këtij misteri të madh, në të cilin Biri dhe Fjala e Atit u mishërua dhe u bë njeri, atëherë do të mund të marrim pjesë në festimin dhe gëzimin shpirtëror dhe do të ndiejmë brenda nesh fuqinë transformuese të përjetimit të kësaj ngjarjeje. Mishërimi nuk është thjesht një mrekulli apo një mister i denjë për t’u admiruar; është dhurata më e madhe që mund t’i jepej njerëzimit. Biri dhe Fjala e Perëndisë mishërohet dhe ulet pranë vuajtjes njerëzore, prek shtrembërimin e natyrës sonë për ta drejtuar, duke na zbuluar thellësinë e dhembshurisë dhe të përulësisë së thellë, që lind nga dashuria e Tij e pafund për të gjithë botën. Shën Athanasi i Madh e  shpreh këtë të vërtetë tronditëse në mënyrë lakonike: Biri i Perëndisë u bë njeri, që ne të bëhemi perëndi.

Ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi. Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore (2 Petr. 1:4), për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë.

Krishtlindja na fton të marrim pjesë në thirrjen e engjëjve, për ta lavdëruar edhe ne bashkë me ta: Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe në njerëzit mirëdashje (Llk. 2:14). Por, lajmërimi i Lindjes së Krishtit, nuk u bë në të njëjtën mënyrë për të gjithë: te barinjtë e përulur erdhi një engjëll, sepse zemra e tyre ishte e përulur dhe e hapur. Dijetarëve të Lindjes, që kishin etje për kërkim, iu dha një yll dhe përsëri një engjëll për t’i udhëhequr. Kurse sundimtarëve krenarë dhe dinakë, lajmi nuk u solli gëzim, por frikë, errësirë dhe refuzim, dhe deshën të vrasin foshnjën e porsalindur. Ngjarja u ofrohet të gjithëve, por jep fryt vetëm tek  ata që kanë dëshirë, përulësi dhe qëllim të mirë. Erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan; por të gjithëve atyre që e pranuan… u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë – shkruan Shën Joani (Jn. 1:11-12).

Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje. Në një predikim të tij, Shën Joan Gojarti thotë: Atëherë, çfarë mund të jetë e barabartë me këto lajme të mira? Zoti në tokë, njeriu në Qiell; dhe të gjithë u bashkuan… dhe u bë pajtim midis Zotit dhe natyrës sonë… vdekja u shkatërrua, parajsa u hap, mallkimi u fshi, mëkati u hoq nga rruga, gabimi u dëbua, e vërteta u kthye, fjala e perëndishmërisë u mboll kudo dhe lulëzoi në rritjen e saj, shoqëria e Qiellit u transferua në tokë, ose më saktë, gjërat në tokë u lidhën me ato në Qiell (Predikim për Krishtlindjen).

Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Një dëshmitar i vërtetë shpëton jetë – thotë Solomoni i ditur (Fj. Urt. 16:6). Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë.

Për të festuar shpirtërisht Lindjen Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore. Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi. Zoti e identifikon Veten e Tij me njerëzit në nevojë, duke na thënë: Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda; i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë…. Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua (Mt. 25:35-40). Vetëm duke bërë këto, Krishtlindja do të ketë kuptim të vërtetë dhe gjithçka te ne do të ndriçohet nga Fjala e bërë mish.

+ Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit

dhe i Gjithë Shqipërisë

INTERVISTA/ Flet mjekja e njohur: Ja si ndikoi COVID-19 tek rritja e sëmundjeve të zemrës

By: Fax Web
24 December 2025 at 17:48

Edhe COVID-19 ka lënë pasoja sa i përket shëndetit të zemrës.

Kështu tha në një intervistë për Fax News mjekja e njohur kardiologe, Engjëllushe Hasani.

Sipas mjekes, përdorimi i shumtë i korizonikëve, ka çuar edhe në shtim të të sëmurëve me diabet.

“Absolutisht që, edhe sëmundjet virale kanë ndikimin e tyre në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Dhe një nga këto ishte COVID-19. Sepse një nga karakteristikat e kësaj viroze ishte që vetë COVID-i shkaktonte aritmi. Por edhe medikamentet që u përdorën mund të shkaktonin efekte anësore. 

Gjithashtu dihet që është përdorur shumë kortizonikë dhe kjo ka ndikuar edhe në shfaqjen e diabetit“, tha për Fax News mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani.

LEXO EDHE: Flet kardiologia: Si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular, ja shenjat e para

INTERVISTA E PLOTË:

Tragjedi në Mesdhe! Mbytet anija me emigrantë, “Alarm Phone”: 116 të vdekur, vetëm një i mbijetuar

By: Fax Web
24 December 2025 at 17:22

Një tjetër tragjedi e rëndë ka ndodhur në Mesdhe. Të paktën 116 emigrantë kanë humbur jetën pas mbytjes së një mjetit të tyre  lundrues përgjatë itinerarit të Mesdheut qendror.

Lajmi është bërë i ditur nga organizata humanitare “Sea Watch”.

Sipas të dhënave, nga ngjarja ka vetëm një të mbijetuar, i cili është shpëtuar nga një anije peshkimi tuniziane. Mjeti lundrues ishte nisur të enjten nga brigjet e Libisë, por pak kohë pas nisjes ishte lëshuar një sinjal SOS.

Avioni Seabird, i angazhuar në monitorimin e zonës ku kalojnë zakonisht emigrantët, nuk arriti ta lokalizonte anijen, duke ngritur që në fillim dyshimet se kishte ndodhur një mbytje.

Organizata “Alarm Phone” ka rindërtuar ngjarjen duke bërë të ditur se mbytja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së 19 dhjetorit.

Në orën 14:00, “Alarm Phone” u njoftua për një anije të nisur nga qyteti libian Zuwara me 117 persona në bord. Edhe pse nuk kishte një pozicion GPS, organizata njoftoi rojen bregdetare dhe organizatat joqeveritare përkatëse, ndërsa gjatë gjithë ditës u tentua kontaktimi i anijes përmes telefonit satelitor, pa sukses.

Dy ditë më vonë, mbrëmjen e 21 dhjetorit, “Alarm Phone” mori informacion se disa peshkatarë tunizianë kishin gjetur një të mbijetuar të vetëm në një varkë druri. Burri kishte deklaruar se ishte nisur nga Zuwara dy ditë më parë dhe se ishte i vetmi që kishte mbijetuar.

Sipas dëshmisë së tij, vetëm pak orë pas nisjes kushtet e motit u përkeqësuan ndjeshëm, me erëra që arritën deri në 40 km/orë.

Flet kardiologia: Si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular, ja shenjat e para

By: Fax Web
24 December 2025 at 17:14

E ftuar në Fax News, mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani ka folur lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shndërruar në një problem serioz për shëndetin publik, jo vetëm në botë por edhe në vendin tonë.

Specialistja i konsideroi sëmundjet e zemrës si “vrasës të heshtur”, ndërsa shtoi se ato janë rritur edhe tek moshat e reja.

Gjatë intervistës me gazetaren Eliana Hoxha, kardiologia shpjegoi me detaje se si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular dhe cilat janë shenjat, të cilat duhet të na shqetësojnë.

Si dallohet një shqetësim real kardiovaskular? Kur duhet të shqetësohemi?

Mjekja: Dhimbjet e zemrës janë dhimbje që nuk zgjasin shumë. Është një nga ato elementët që kur ne pyesim individin se si ankohet, sa zgjatën dhimbjet, çfarë intensiteti ka, në ç’pozicion shfaqet, në çfarë pozicioni shfaqet,  a shfaqet kur ai bën një aktivitet? Nëse dhimbjet janë të zgjatura dhe kanë lidhje me pozicionin, atëherë na orientojnë që këto dhimbje nuk janë kardiake.

Po shenjat e para, cilat janë?

Mjekja: Zakonisht nuk është një shenjë e vetme. Mund të kemi dhimbje të gjoksit, të cilat mund të përhapen në shpatullën e majtë. Mund të kemi mpirje të krahut… Këto elementë mund të shoqërohen me një rritje të tensionit. Mund të shoqërohen edhe me lëvizje të ritmit. Mund të shoqërohen me të vjella. Mjafton që individi ta vlerësojë ankesën që ka dhe ti drejtohet një mjeku. Qoftë edhe mjekut të familjes, i cili mund ta drejtojë tek një specialist kardiolog.

Ndiqni intervistën e plotë:

“Një problem gjithmonë e më i madh”, Rama nga Onkologjiku: Do ngrihet Instituti Kombëtar i Tumoreve

By: Fax Web
24 December 2025 at 16:56

Kryeministri Edi Rama vijoi këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, vizitën e tij në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u ndal në Shërbimin Onkologjik për të takuar fëmijët që po kalojnë festat e fundvitit nën kujdes mjekësor.

“Ne e bëjmë këtë çdo vit, kështu që kemi ardhur të sjellim dhuratat për ju që ta kaloni gëzuar Vitin e Ri bashkë me mamat dhe me babat, edhe që të shëroheni sa më shpejt që të ktheheni në shtëpi dhe në shkollë”, uroi kryeministri vogëlushët që shoqëroheshin nga prindërit në mjediset spitalore.

50 milionë euro më shumë për Shëndetësinë në 2026-ën

Sa i përket vitit të ardhshëm, Rama bëri të ditur se buxheti për shëndetësinë do të rritet me rreth 50 milionë euro krahasuar me këtë vit. Ai theksoi se vetëm për barnat onkologjike janë shtuar 15 milionë euro, ndërsa një fond i njëjtë pritet t’i shtohet rimbursimit të barnave në mesin e vitit të ardhshëm.

“Sa i përket vitit që vjen ne kemi disa gjëra pozitive për shëndetësinë e cila ka marrë 50 milionë euro më shumë se sa këtë vit. Nuk janë pak për buxhetin tonë. Ka marrë 15 milionë lekë ekstra vetëm për barnat onkologjike dhe do i shtohet edhe një 15 milionsh tjetër në mesin e vitit të ardhshëm, për rimbursmin e barnave.”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, këto investime synojnë edhe shpërndarjen e ngarkesës së madhe që përballon Onkologjiku i Tiranës, përmes rrjetëzimit të shërbimeve në spitalet rajonale.

Do ngrihet Instituti Kombëtar i Tumoreve

Rama paralajmëroi gjithashtu ambicien për ngritjen e një Instituti Kombëtar të Tumoreve dhe krijimin e një rrjeti kombëtar për trajtimin e sëmundjes, duke theksuar se kanceri mbetet një problem gjithnjë e më i madh, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në rang global.

“Më tutje, patjetër që do të vazhdojmë me transformimin e QSUNT-së për të mbyllur edhe çfarë ka mbetur pa u mbyllur, ndërkohë që ambicia është për të për të ngritur Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe për të pasur një rrjet kombëtar për të adresuar këtë problem që bëhet gjithmonë e më i madh, jo në Shqipëri, por kudo ku kanceri po prek gjithmonë e më shumë njerëz.”, tha Rama.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit tërhiqet nga premtimi për të ndërtuar vendbanime në Gaza

By: Rovena
24 December 2025 at 17:47

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u tërhoq nga një premtim të martën se Izraeli do të krijonte vendbanime në Gaza, pas kritikave se deklarata shkon kundër planit të paqes të udhëhequr nga SHBA-të për Rripin e Gazës.

Duke folur në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor, Katz tha se “me ndihmën e Zotit”, Izraeli do të krijojë grupe pionierësh në Gazën veriore “në vend të vendbanimeve që u evakuuan”.

“Ne do ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur, në kohën e duhur”, shtoi ai.

Videoja u përhap në mediat sociale dhe u kritikua gjerësisht. Orë më vonë, zyra e Katz lëshoi një deklaratë duke sqaruar se komenti i tij ishte bërë në një “kontekst sigurie”, duke përsëritur se Izraeli “nuk ka ndërmend të krijojë vendbanime në Rripin e Gazës”.

Deklarata e Katz bie ndesh me planin 20-pikësh të armëpushimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe komentet e mëparshme nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka përjashtuar vazhdimisht pushtimin e Gazës. Ndërkohë, plani i armëpushimit i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, kërkon tërheqjen pothuajse totale të forcave izraelite dhe nuk përmend vendbanimet izraelite në enklavë.

Një zyrtar amerikan që foli në kushte anonimiteti dënoi deklaratën e Katz: “Sa më shumë provokon Izraeli, aq më pak vendet arabe do të duan të punojnë me ta”. Uashingtoni pret që “të gjitha palët t’i përmbahen angazhimeve që kanë bërë” sipas planit të armëpushimit, shtuan ata.

Katz po i referohej njësive ushtarake Nahal që në të kaluarën u lejonin të rinjve të kombinonin aktivitetet pioniere me shërbimin ushtarak. Shumë nga postet e themeluara nga njësia vazhduan të evoluonin në vendbanime të plota.

Izraeli evakuoi vendbanimet e tij në Gaza dhe tërhoqi të gjitha trupat e tij sipas Çlirimit të vitit 2005.

Disa zyrtarë në koalicionin e ekstremit të djathtë të Netanyahut i kanë bërë më parë thirrje Izraelit të rindërtojë vendbanimet në Gaza, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor dhe luftës pasuese Izrael-Hamas.

Natën e së martës, kolonët izraelitë sulmuan një shtëpi palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha një zyrtar palestinez. Kolonët thyen një derë dhe një dritare dhe qëlluan gaz lotsjellës brenda një shtëpie në qytetin As Samu’.

Tre fëmijë palestinezë u desh të dërgoheshin me urgjencë në spital. Sulmuesit mbytën gjithashtu tre dele dhe plagosën katër të tjerë në stallë, sipas zyrtarëve. Një zyrë që dokumenton sulmet brenda një organi qeveritar palestinez, Komisionit të Rezistencës ndaj Murit dhe Vendbanimeve, publikoi pamje nga kamerat e sigurisë në të cilat shihen pesë kolonë të veshur me maska dhe rroba të errëta, disa të pajisur me shkopinj gome.

Policia thotë se po heton incidentin dhe shtoi se arrestoi pesë kolonë me dyshimin për hyrje pa leje në tokën palestineze, dëmtim të pronës dhe shpërndarje të sprejit me piper, në vend të gazit lotsjellës.

❌
❌