Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 February 2026Main stream

Rusia urdhëron bllokimin e aplikacionit WhatsApp

By: e xh
12 February 2026 at 19:55

Rusia ka vendosur ta nxjerrë jashtë loje aplikacionin WhatsApp, ndërsa po shtrëngon rrethin ndaj aplikacioneve të huaja të komunikimit. Urdhri për bllokim vjen nga autoritetet rregullatore, në një kohë kur Kremlini po shton presionin për përdorimin e platformave vendase.

WhatsApp, në pronësi të Meta, tha se masa synon të shtyjë më shumë se 100 milionë përdorues në Rusi drejt një “aplikacioni shtetëror për mbikëqyrje”. Kompania deklaroi se po bën gjithçka për t’i mbajtur njerëzit të lidhur dhe paralajmëroi se izolimi i përdoruesve nga komunikimi privat dhe i sigurt është një hap pas që mund të çojë në më pak siguri për qytetarët rusë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha BBC-së se vendimi u mor për shkak të “mosgatishmërisë së Meta për të respektuar normat dhe germën e ligjit rus”. Sipas tij, kompania mund të rifillojë operacionet nëse respekton ligjin dhe hyn në dialog me autoritetet.

I pyetur nëse autoritetet po përpiqen të detyrojnë qytetarët të përdorin aplikacionin shtetëror Max, Peskov u përgjigj se “mesazheri kombëtar është një alternativë e disponueshme”.

Rregullatori rus i internetit, Roskomnadzor, bëri të ditur këtë javë se po kufizon më tej edhe Telegramin, duke përmendur mungesë sigurie. Telegram është shumë i përdorur në Rusi dhe thuhet se përdoret gjerësisht edhe nga forcat ruse në Ukrainë. Disa blogerë pro luftës janë ankuar se kufizimet po vështirësojnë komunikimin në terren.

Moska argumenton se si WhatsApp ashtu edhe Telegram kanë refuzuar të ruajnë të dhënat e përdoruesve rusë brenda territorit të vendit, siç kërkon ligji. Autoritetet pretendojnë gjithashtu se WhatsApp është një nga shërbimet kryesore që përdoret për mashtrime dhe zhvatje ndaj qytetarëve rusë, duke e përdorur këtë si arsye për të nxitur kalimin drejt Max.

Agjencia shtetërore e lajmeve Tass raportoi më herët këtë vit se WhatsApp pritet të bllokohet përfundimisht në vitin 2026. Një zyrtar rus, Andrei Svintsov, është cituar të ketë thënë se “masa të tilla të ashpra” janë “plotësisht të justifikuara”, pasi Rusia e ka shpallur Meta një organizatë ekstremiste.

WhatsApp ishte më parë aplikacioni më i përdorur për mesazhe në Rusi. Por që nga viti 2022, kur Meta u etiketua si organizatë ekstremiste, aplikacione si Instagram dhe Facebook janë bllokuar dhe aksesohen vetëm përmes VPN-ve. Qytetarët rusë nuk ndalohen t’i përdorin, por duhet të përdorin mjete anashkaluese.

Projekti për të drejtat digjitale “Na Svyazi” ka raportuar se Rusia po heq gjithnjë e më shumë faqe nga sistemi shtetëror i adresave të internetit, që kontrollohet nga Roskomnadzor. Sipas tij, 13 platforma të njohura, përfshirë YouTube, Facebook, WhatsApp Web, Instagram, BBC dhe Deutsche Welle, mungojnë tashmë në sistemin kombëtar të emrave të domenit. Kur një faqe hiqet nga ky regjistër, ajo nuk hapet pa VPN.

Paralelisht, Moska po shtyn fort aplikacionin shtetëror Max. Kritikët thonë se ai nuk ofron enkriptim nga fundi në fund dhe mund të depërtohet nga autoritetet, ndërsa mediat shtetërore i hedhin poshtë këto pretendime. Max po promovohet gjerësisht me reklama në televizion dhe nëpër qytete, si dhe nga zyrtarë lokalë.

Që nga viti 2025, autoritetet kanë vendosur që Max të jetë i para-instaluar në çdo pajisje të re që shitet në Rusi. Ka raportime se punonjës të sektorit publik, mësues dhe studentë po kërkohet gjithnjë e më shumë ta përdorin platformën.

Drejtori ekzekutiv i Telegram, Pavel Durov, tha se shteti po kufizon aksesin në shërbimin e tij për të detyruar qytetarët të përdorin aplikacionin e vet për mbikëqyrje dhe censurë politike. Ai shtoi se Irani ka tentuar një strategji të ngjashme për të ndaluar Telegramin, por qytetarët kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar. “Kufizimi i lirisë së qytetarëve nuk është kurrë përgjigjja e duhur”, tha Durov.

Kim Jong Un ka zgjedhur vajzën e tij adoleshente si trashëgimtare të fronit?

By: e xh
12 February 2026 at 18:53

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka zgjedhur vajzën e tij si trashëgimtare, u tha agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut ligjvënësve të enjten.

Kim Ju Ae, e cila besohet të jetë 13 vjeçe, është fotografuar muajt e fundit pranë babait të saj në evente të profilit të lartë si një vizitë në Pekin në shtator, udhëtimi i saj i parë jashtë vendit.

Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) tha se në vlerësimin e bërë mori në konsideratë një “gamë rrethanash”, përfshirë praninë e saj gjithnjë e më të spikatur publike në ngjarjet zyrtare.

NIS tha gjithashtu se do ta mbajë nën vëzhgim nëse ajo do të marrë pjesë në kongresin e partisë së Veriut përgjatë këtij muaji, eventi më i madh politik në vend mbahet një herë në pesë vjet.

Ju Ae është fëmija i vetëm i njohur i Kim Jong Un dhe gruas së tij, Ri Sol Ju. NIS beson se Kim Jong Un ka një djalë më të madh, por ky djalë nuk është njohur kurrë dhe as nuk është shfaqur në mediat e Koresë së Veriut.

Londër, ish-Dukesha i kërkonte këshilla Epstein edhe kur ai ishte në burg

By: e xh
12 February 2026 at 18:08

Nuk kanë fund skandalet që dalin në dritë pas publikimit të miliona dokumenteve në lidhje me Jeffrey Epstein, sidomos për Britaninë e Madhe.

Dy nga njerëzit që kishin miqësi të ngushtë me pedofilin dhe trafikuesin seksual ishin pikërisht brenda pallatit mbretëror, ish princi Andrew dhe ish bashkëshortja e tij Sarah Ferguson.

Ish dukesha i ruajti raportet me Epstein edhe gjatë kohës kur ai ishte në burg, madje i kërkoi këshilla  për t’u marrë me borxhin e saj prej 6 milionë paundësh.

Ferguson ishte ende Dukesha e Jorkut në vitin 2009, por u divorcua nga Andreë Mountbatten-Ëindsor.

Emailet nxjerrin në pah se në çfarë pozite të dëshpëruar financiare ndodhej ajo në atë kohë dhe se si ishte e gatshme për ndihmë nga kushdo, e veçanërisht  Epstein.

Ish financieri diskutoi situatën e Ferguson në një korrespondencë të gjatë me David Stern, një biznesmen gjerman me bazë në Londër me lidhje të gjera në Kinë. Stern kishte lidhje të ngushta me Familjen Mbretërore, por duket se e quan Epstein “shef” në email-e. Ai e paralajmëroi Epstein se Ferguson ishte në Lindjen e Mesme ku ka shumë mundësi që ajo të jetë me njerëz që e shfrytëzojnë përsëri.

Së bashku, Epstein, Stern dhe Ferguson duket se po bënin përgatitje të hollësishme për një falimentim personal. Në fund, Ferguson nuk shpalli falimentimin dhe nuk është e qartë nëse të gjitha borxhet e saj u paguan plotësisht.

Epstein ishte afër fundit të dënimit të tij në burgun Palm Beach kur Ferguson duket se i shkruan më 13 korrik 2009. Ajo e cilëson pedofilin një mik të vërtetë dhe dhe kërkon këshillën e tij mbi një ofertë të jashtëzakonshme prej 10 milionë paund nga një biznesmen.

Ndërkohë në mesazhe të publikuara më herët ish dukesha e York duket se ka një raport të ngushtë me Epstein, të cilit i referohet si një vëlla, e madje e uron për lindjen e një djali, duke aluduar kështu se Epstein ishte babai i një fëmije.

Rama zbulon “llumin” e Vetingut: 92 vendime gjykate në favor të të shkarkuarve, 12 milionë euro nga shteti

12 February 2026 at 19:22

Rreth 12 milionë euro nga buxheti i shtetit kanë shkuar në xhepat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vettingu.

Shifra u bë publike nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruajti në rrjetin social X, se deri më tani janë dhënë 92 vendime gjykatash për të shpërblyer si viktima ato që I cilëson pastrime të reformës në drejtësi.  Shqetësim të cilin, Rama, e shprehu dhe gjatë prezantimit të kampusit të ri të drejtësisë.

“Sikur për shembull shteti të mos paguante gjykatësit që kanë ikur nga vettingu akoma, ne mund t’ua japim juve ato para dhe ju mund të merrnit me qira hapësira shumë të mira për këto funksionet tuaja, por i marrin ata akoma edhe sot që flasim. Dhe ka akoma gjyqe, janë akoma në gjyqe që pretendojnë të marrin para për të vazhduar të paguajnë për shkak se janë larguar nga vendi i punës. Këto janë gjëra që të gjitha bashkë shkojnë në një tërësi parash që pastaj i rëndon”, tha Rama.

Qeveria do të riorganizojë godinat e sistemit të drejtësisë në një kampus të ri, në përputhje me standardet europiane, i cili parashikohet të kapë shifrën e 100 milionë eurove, financimi më I lartë për sistemin e drejtësisë.

“Kemi përshtypjen që do të arrijmë ta mbulojmë me financim nga buxheti i shtetit dhe ne nuk kemi bërë akoma një llogari të saktë, por një llogari e përgjithshme, duke pasur parasysh shpronësimet që në atë zonë, nuk janë aq të lehta nga pikëpamja financiare dhe investimin, këtu flasim për një shifër afër 100 milionë euro, kështu që është një operacion që nuk është bërë asnjëherë në Shqipëri, por duhet patjetër, sepse nuk mund ta shtyjmë në pafundësi këtë gjë, aq më tepër qe nuk i kemi pasur mundësitë, tani i kemi, kemi mundësinë të sforcohemi më saktë dhe do ta bëjmë patjetër”, shtoi ai.

Për togat e zeza, kreu i qeverisë, nuk i kurseu as ironitë.

“Është shumë i madh si financim për ta bërë atë vend ku çdo prokuror e gjykatës kur të hyjë të ndihet njeriu më i nderuar i kësaj republike, qoftë edhe kur sheh muret. Për ne është një përpjekje që nuk ndalet dhe nuk kthehet mbrapa, pavarësisht surprizave që na bëni herë pas here, por janë pjesë e jetës, rritjes së një sistemi të ri që kërkon kohën e vet. Ky është rasti ideal që të gjithë ne së bashku, duke qenë se edhe ju jeni përfshirë tani, të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre”, tha Rama.

Ramush Haradinaj nuk do të kandidojë më për postin e kryetarit të AAK-së

12 February 2026 at 19:09

Ramush Haradinaj nuk do të kandidojë më për kryetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njoftoi vetë ai pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Haradinaj tha se vendimi lidhet me tre arsye kryesore: kohën e gjatë në udhëheqje, rezultatet zgjedhore dhe besimin e tij tek kuadri i partisë.

“Procesi zgjedhor fillon më 20 shkurt, dhe unë nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës në këto zgjedhje të brendshme”, theksoi ai.

Si pasojë e këtij vendimi, Ardian Gjini ka shpallur tashmë kandidaturën për kryetar të AAK-së.

Haradinaj gjithashtu mohoi çdo spekulim lidhur me një kandidaturë të mundshme për president të Kosovës. “Nuk jam kandidat për president të vendit. Nëse deputetët do të kërkonin ndonjë qëndrim nga unë, mund ta shqyrtoja, por për momentin nuk kemi një vendim të qartë”, deklaroi ai.

Ramush Haradinaj ka udhëhequr Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që nga themelimi i saj.

Kuvendi, rezolutë kundër Hagës/ Çupi: Berisha s’ka votuar asnjë rezolutë për Kosovën, përndoqi aktivistët e UÇK me porosi të Beogradit

12 February 2026 at 18:57

TIRANË- Zhvillimet e seancës së kësaj të enjteje i komentoi analisti Frrok Çupi, i cili tha se Sali Berisha është personi, i cili nuk ka votuar asnjë rezolutë në mbështetje të Kosovës.

Ai pohoi se Berisha ka shkuar më tej, duke lobuar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas Çupit, Berisha ka përndjekur aktivistët e UÇK-së në Shqipëri, me porosi e urdhër të Beogradit.

Më tej, ai theksoi se shërbimi sekret duhet të veprojë pasi siç u shpreh Çupi, Sali Berisha po përdoret kundër interesit kombëtar.

“Nuk ka votuar asnjë rezolutë pro Kosovë, që nga Konferenca e Rambujesë, që përfundimisht u vendos që Kosova të çlirohet nga forcat e  NATO, Këtë rezolutë nuk e ka pranuar dhe votuar. Nuk e ka pranuar që Kosova të fitojë pavarësisë.

Ka luajtur madje të gjitha gurët deri në Shtëpi të Bardhë, që Kosova të pranojë autonomi. Ka burgosur Hashim Thaçin, Adem Jasharin, aktivistët të tjerë të UÇK dhe i ka ndjekur me porsi nga Beogradi aktivistët e Kosovës që ishin në Shqipëri.

Në Shqipëri ishte qendra që stërviteshin dhe bëheshin gati për luftë. Shërbimet sekrete të veprojnë, Berisha i përdorur. Berisha përdor flamurin kombëtar për të lajmëruar luftë.”, tha ai./abcnews.al

“Drejtësia të veprojë”, Çupi: Kur Berisha proteston, ka për qëllim të vrasë

12 February 2026 at 18:44

TIRANË- Pasi lëshoi molotovë dhe dogji Tiranën, Sali Berisha ka lëshuar sot gojën ndaj zëvendëskryeministres me fyerje seksiste. Por, ndërsa burrat socialistë kanë heshtur, deputetet zonja e kanë vënë përpara kreun e PD-së.

Ministrja e Brendshme Koçiu e ka quajtur gënjeshtar dhe gjakatar, ndërsa Sara Mila i kujtoi atij sa herë ka djegur Shqipërinë, siç tha ajo, për të ndenjurat e tij dhe të familjes së tij.

Analisti Frrok Çupi theksoi se deputetët e mazhorancës treguan në seancë disa vë vërteta, për të cilat vuan Shqipëria dhe për këtë ka një fajtor: Sali Berishën.

Ai theksoi në “Tirana Live” se Sali Berisha kur planifikon mbajtjen e protestave, ai synon edhe të vrasë për të fituar pushtet.

“Deputetët e mazhorancën guxuan dhe treguan disa të vërteta të thjeshta, të vërteta për të cilat sot vuan Shqipëria dhe ka një fajtor. Treguan çfarë ndodh. Duke parë këtë seancë dhe atmosferën  e ditëve të fundit, e tëra mund të titullohet si “vrasje e paralajmëruar”. Ditën kur Berisha mbledh një protestë, ajo ka për qëllim vrasjen e dikujt”, tha ai.

Analisti u shpreh se drejtësia duhet të veprojë mbi dhunën e ushtruar nga Partia Demokratike, në protestën e saj kombëtare.

“Ai synon të përdorë vrasjet për të fituar pushtet. Sali Berisha e ka dollapin plot me kafka. Pse është i pandëshkueshëm Sali Berisha, edhe pse është në një situatë ku ndodhet në polin e krimit? Institucionet e drejtësisë të reagojnë për ngjarjet në protestë.”, tha ai./abcnews.al

Bruksel, policia bastis zyrat e KE/ Hetime për shitjen e 34 ndërtesave të Komisionit Europian në 2024

12 February 2026 at 18:07

Policia Belge bastisi këtë të enjte zyrat e Komisionit Europian në Bruksel, lidhur me një hetim sa I përket shitjeve të një pjese të këtyre zyrave në vitin 2024 ndaj shtetit Belg.

Lajmi u raportua fillimisht nga Financial Times ndërsa një zyrtar i Bashkimit Europian deklaroi se ata ishin në dijeni të këtij hetimi sa i përket shitjes së 23 ndërtesave të Komisionit Europian.

Bashkimi Europian i shiti për 900 milionë Euro një pjesë të zyrave të Komisionit Europian shtetit Belg, duke zvogëluar hapësirën e zyrave të tyre me një të 4-tën nën arsyetimin se përgjatë pandemisë së Covid 19, shumica e stafit punonte nga shtëpia.

Prokuroria dhe policia Belge nuk kanë pranuar të komentojë më tej për mediat ndërkombëtare.
Financial Times shkruan se dyshimet paraprake janë për një afere të madhe korrupsioni, ndonëse transaksioni është paraqitur si një akt i ligjshëm.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se kërkimet u fokusuan kryesisht në zyrën e buxhetit të Komisionit Europian.

Fondi Sovran i Pasurive të paluajtshme të Shteti Belg i bleu zyrat e Komisionit Europian me synimin për ti rinovuar ato dhe më pas synonte ti shiste si banesa apo ti kthente në ambiente tregtare të cilat mund ti jepte me qera.

Klodian Braho në Hagë, kreu i SPAK takohet me presidentin e Eurojust

By: e xh
12 February 2026 at 16:05

Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në selinë e Eurojust në Hagë, ku është takuar me presidentin e këtij institucioni, Michael Schmid.

Takimi u realizua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes SPAK dhe Eurojust, me fokus luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkufitar. Lajmi është bërë publik përmes njoftimeve zyrtare në rrjetet sociale të të dy institucioneve.

Ky takim vjen disa muaj pasi presidenti i Eurojust, Michael Schmid, gjatë një vizite në Tiranë, theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit me autoritetet shqiptare.

Kuvendi voton deklaratën, kërkon shpalljen të pafajshëm të drejtuesve të UÇK-së

By: e xh
12 February 2026 at 16:00

Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë të enjten në të cilën shprehet mbështetja për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljen e tyre të pafajshëm. Deklarata u propozua nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe u hartua nga dy deputetët, Igli Hasani nga PS dhe Tritan Shehu nga PD.

Deklarata e plotë

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në ushtrimin e kompetencave të veta kushtetuese dhe në përmbushje të rolit të vet si përfaqësues i vullnetit të popullit shqiptar, shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Shqipërisë, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, i cili kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Për këtë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë deklaron:

  1. Mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte luftë e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut.
  2. Kërkesën drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cënon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin.
  3. Kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte genocidiale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit.
  4. Vlerësimin e lartë për dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes, si Ëesley Clark e James Rubin, të cilët konfirmuan të drejtën e popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të tyre për liri.
  5. Solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës dhe me familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.
  6. Angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forume ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës të mos cenohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u bën thirrje institucioneve të shtetit Shqiptar, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe diasporës shqiptare që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe për drejtuesit e luftës së tyre çlirimtare, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u rekomandon qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë dhe koordinojnë për denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe.

Kjo deklaratë pasqyron vullnetin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i transmetohet Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe të gjitha qeverive mike dhe partnere.

VIDEO/ Stalla përfshihet nga flakët në Vlorë, digjen 22 lopë e viça

12 February 2026 at 17:42

Një stallë me gjedhë është përfshirë nga flakët në fshatin Armenë të Selenicë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Stalla ishte në pronësi të Bardhosh Haxhirajt, ndërsa nga zjarri janë djegur 22 lopë dhe viça, duke i shkaktuar fermerit një humbje të rëndë ekonomike.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike, e cila ka përfshirë fillimisht ambientin e brendshëm të stallës dhe më pas është përhapur me shpejtësi.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes./abcnews.al

“Kurti u imponoi zgjedhjen partive opozitare”/ Analisti për betejën e UÇK në Hagë: Gjykata Speciale është antishqiptare

12 February 2026 at 17:27

Analisti Azdren Shala është shprehur kritik ndaj qëndrimi të Albin Kurtit lidhur me çështjen e ish-krerëve të UÇK në Hagë. Sipas analistit Shala, “Kurti nuk duhet marrë seriozisht kur flet për Hagën”.

Më tej foli edhe për situatën politike në Kosovë, duke u shprehur se Kurti u imponoi zgjedhjen partive opozitave.

“Kurti u imponoi zgjedhjen partive opozitare. Dhe duhet thënë se Kurti ka përdorur enturazhin opozitar, gjykatën kushtetuese. Opozita është treguar e dobët dhe Kurti po vazhdon lojën e njëjtë. Këta janë të nënshtruar dhe nuk e kuptojnë që çdonjeri që e kandidon Kurtin nuk ka kredibilitet. Duhet thënë se këto parti praktikisht janë të dhënë me qera te Albin Kurti”, tha ai.

Më tej nënvizoi se Haga nuk ka themel drejtësinë dhe se Gjykata Speciale është antishqiptare.

“Kjo gjykatë është konstrukt antishqiptar. Krimin më të madh e ka bërë Serbia. Ka një absurd të paparë juridik. Këtu po dënohet një proces historik, nuk po dënohen vetëm katër persona. Pavarësia e Kosovës është legjitime. Unë gjykatën e shoh si mjet për të arritur një qëllim tjetër…Këta burra që kemi në Hagë kanë qenë aleatë të NATO-s në ’99. Ky është një proces për të minuar shtetin e Kosovës”, tha ai.

Kurti kujtohet për buxhetin/ Qeveria e re, gati projektligji për paratë e 2026

12 February 2026 at 17:05

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Vlera e buxhetit është 4 miliardë euro.

“Sot po e riprocedojmë në Kuvend edhe projektligjin për buxhetin e viti 2026 të cilin e patëm miratuar në mbledhjen e 31 tetorit të vitit të kaluar. Është buxhet në vlerë prej 4 miliardë eurosh, ku për komunat e Kosovës parashihen 867 milionë euro”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se ky buxhet e përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti dhe e cila sipas tij, do të paguhet sapo të hyjë në fuqi buxheti.

Kurti ka thënë se buxheti përmban edhe vlerën që mundëson rritjen e shtesës për 15 vjetët e para të përvojës së punës.

Ndërkohë ministri i financave Hekuran Murati ka thënë se në vlerën prej 4 miliardë euoshe, të hyra buxhetore janë 3.64 miliardë euro. Pjesa tjetër ka thënë se financohet nga huamarrjet dhe metodat e tjera të deficitit.

Murati ka thënë se për shkak të ndryshimit të dikastereve do të nevojitet një rishikim, por se për shkak të urgjencës ai to të procedohet në Kuvend dhe pastaj do të rishikohet.

Qeveria ka miratuar po ashtu kërkesën për zgjatjet buxhetore edhe për muajin mars.

 

Bruksel, Komisioni Evropian nën hetim për shitje të pasurive të paluajtshme me vlerë 900 milionë euro

12 February 2026 at 16:51

Prokurorët e Bashkimit Evropian po hetojnë Komisionin Evropian lidhur me shitjen e disa ndërtesave qeverisë belge, bëri të ditur sot Komisioni.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) konfirmoi se po mbledh prova në kuadër të një hetimi në zhvillim.

Një burim i afërt me çështjen konfirmoi se janë kryer kontrolle në ambientet e Komisionit.

Sipas një njoftimi për shtyp të vitit 2024, 23 ndërtesa që më parë ishin në pronësi të Komisionit u shitën shtetit belg për shumën prej 900 milionë eurosh (1,07 miliardë dollarë).

Një zëdhënës i Komisionit deklaroi se institucioni do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet, duke ofruar çdo informacion dhe ndihmë të nevojshme për të garantuar një hetim të plotë dhe të pavarur mbi këtë çështje.

”Sa i përket Komisionit Evropian, shitja e ndërtesave është kryer sipas procedurave dhe protokolleve të përcaktuara dhe ne jemi të bindur se procesi është zhvilluar në përputhje me rregullat”, shtoi ai.

Shoqëria Federale e Pjesëmarrjeve dhe Investimeve e Belgjikës (SFPIM), me të cilën Komisioni arriti marrëveshjen e shitjes në vitin 2024, konfirmoi se ambientet e saj janë kontrolluar në kuadër të hetimit.

“Kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetet përkatëse dhe po u ofron atyre informacionin e kërkuar, në përputhje të plotë me ligjin”, thuhet në deklaratën e SFPIM-së

Mbetjet e “Kurum”, arrestohet inspektori i Portit/ 12 të tjerë, mes të cilëve drejtuesit turq, vijojnë ende në kërkim

12 February 2026 at 16:42

Një prej 13 të shpallurve në kërkim për mbetjet e rrezikshme të “Kurum” është vënë në prangat e policisë së Durrësit.

37-vjeçari Xhulio Golgota, inspektor i autoritetit Portual të Durrësit u arrestua këtë të enjte pasi akuzohet për shpërdorim detyre.

Gjykata e Durrësit i kishte caktuar Xhulio Golgotas masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Prokuroria e qytetit bregdetar lëshoi 33 urdhër arreste, por nuk u ekzekutuan plotësisht, pasi drejtuesit turq të Kurum, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për masakrën mjedisore, u arratisën pak para operacionit.

Sulmuan me armë policët në Morinë/ GJKKO jep vendimin, dënohen me burg shtatë të huaj

12 February 2026 at 16:25

TIRANË- Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 168 vjet burg 7 shtetas të huaj për trafik klandestinësh dhe sulm ndaj policisë.

Bëhet fjalë për pesë shtetas sirianë dhe dy algjerianëve të akuzuar për organizim të trafikut të emigrantëve nga Greqia drejt vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe për tentativën e vrasjes së pesë punonjësve të policisë, ndaj të cilëve hapën zjarr kur ishin në aksion, ngjarje e ndodhur më 25 maj të vitit 2023, në piken kufitare ‘Morinë’, Kukës.

Dënimet e dhëna nga Gjykata e Posaçme:

Sultan Grimash alias Sadaak Guremache alias Junes Alma- dënohet me 35 vjet burgim

Ayoub Bahhoo,-dënohet me 35 vjet burgim.

Muhammed Radën alias Muhamed Radouë alias Radvan Radvan,-dënohet me 35 vjet burgim

Rabi Lqadi alias Rabi El-Kadi,-dënohet me 8 vjet burgim.

Muhammed Shehab alias Mohamed Al Uthman Shaab alias Mohamed Outman,- dënohet me 35 vjet burgim

Muhammed Nasir alias Nouh Graie-dënohet me 12 vjet burgim.

Nagid Alabdalah alias Abu Gira-dënohet me 8 vjet burgim/abcnews.al

“Pafajësi për udhëheqësit e UÇK”/ Kuvendi miratoi me 92 vota pro deklaratën e përbashkët, Ministria e Jashtme: Do ndërmerret çdo hap diplomatik për të mbrojtur të vërtetën

12 February 2026 at 16:20

Është votuar në seancën plenare të kësaj të enjteje, në Kuvendin e Shqipërisë me 92 vota pro “Pafajësia për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndeti këtë deklaratë dhe nënvizon se angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive. Në këtë moment të vështirë për drejtuesit e asaj lufte dhe për familjet e tyre, Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besimin se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me të vërtetën historike. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare. Sepse liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

/abcnews.al/

❌
❌