Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 February 2026Main stream

Antikorrupsioni i një opozite me Berishën në krye, Ahmetajn aleat dhe deputetë të flakurit nga drejtësia

10 February 2026 at 15:27

Nga Ardit Rada

Ka një hipokrizi të trashë që po shitet orët e fundit si shqetësim demokratik. Sa herë shumica parlamentare guxon të bëjë atë për të cilën është votuar, të bëj dhe zhbëjë ligje, opozita në vend shpërthen në ulërima sikur vendi po rrëshqet në diktaturë. Në realitet, kjo është thjesht demokracia. Partia Socialiste është shumicë legjitime dhe, si në çdo vend shumica nuk pyet opozitën për të qeverisur, por mban përgjegjësi për mënyrën si e bën. Ata që sot bërtasin nuk janë të shqetësuar për ligjin, por për humbjen e kontrollit mbi lojën që prej kohësh nuk dinë më ta luajnë.

Partia Demokratike ka vite që sillet sikur parlamenti është dekor dhe rruga është alternativë e tij. Në vend që të prodhojë nisma ligjore, amendamente, ide konkrete për shtetin që thotë se e do kaq shumë, ajo preferon organizime “party-sh” politike me molotovë, tym dhe poza heroike për kamera. Është si të thuash, një opozitë Instagrami ku ka shumë filtra dhe pak përmbajtje.

Ironia është se PD flet për ligje vetëm për t’i delegjitimuar ato, jo për t’i përmirësuar. Sepse përmirësimi kërkon punë, dije dhe durim; ndërsa kaosi është rruga më e thjeshtë sepse kërkon vetëm një çakmak.

Lufta e shpallur ndaj Belinda Ballukut, po paraqitet si betejë kundër vjedhjes, edhe pse ndaj ministres nuk ka asnjë akuzë për korrupsion. Fatkeqësisht, leximi real është shumë më banal: Një kalkulim elektoral kundër njeriut që e degjeneroi opozitën në qarkun e Fierit, pikërisht në momentin kur kjo opozitë mendonte se ishte më e fortë se kurrë. Dhe sot, lufta politike e PD lidhet me teorinë se nëse hiqet Balluku, dobësohet Edi Rama në zgjedhje. Pra, jo shtet, jo standarde, jo drejtësi; thjesht matematikë votash. Antikorrupsioni si slogan, por qëllimi I vërtetë mbetet pushteti.

Sepse po ta kishin realisht luftën kundër korrupsionit, PD nuk do të sillej sikur ka humbur kujtesën. Nuk do të mbante në krye Sali Berishën, të shpallur zyrtarisht të korruptuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do t’i jepte Ilir Metës katër mandate të sigurta si shpërblim politik. Dhe sigurisht, nuk do të bënte aleancë me Arben Ahmetajn, nuk do të mbronte të arratisurin Adriatik Llalla, nuk do t’u jepte mandate deputeti të përjashtuarve nga Vettingu e kështu me radhë.

Kështu pra bie edhe maska morale. Nuk mund të predikosh pastërti politike me një listë liderësh e aleatësh të zhytyr kokë e këmbë në korrupsion. Nuk mund të shesësh moral kur biografia politike jote është një serial me shumë sezone dhe pak pendesë.

Shumica qeverisëse ka të drejtën dhe përgjegjësinë të qeverisë. Opozita ka detyrimin të kontrollojë, të propozojë dhe të sfidojë me ide të kopsitura në letra dhe jo deklarata para kamerave. Por mesa duket. kush nuk di të humbasë zgjedhje, nuk di as të bëjë opozitë. Dhe kush e përdor antikorrupsionin si parullë për të fshehur aleanca të kalbura, ka thjesht nostalgji pushteti të maskuara si moral politik.

Shqipëria bie më poshtë në indeksin e korrupsionit

10 February 2026 at 14:19

Lufta ndaj korrupsionit ishte ndër zotimet kryesore të qeverisë ndaj partnerëve ndërkombëtar gjatë marrjes së mandatit të katërt, por situata duket se ka përshkallëzuar në një drejtim tjetër.

Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe prirja po shkon gjithmonë e më për keq. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2025 i “Transparency International” e vlerëson Shqipërinë me 39 pikë nga 100, nën mesataren globale prej 42 pikësh dhe larg standardeve të Bashkimit Europian.

Rënia është me 3 pikë dhe 11 vende në klasifikim krahasuar me vlerësimin e vitit 2024 (42, vendi 80), i cili ishte vlerësimi më i lartë i fiksuar ndonjëherë nga raportimet e “Transparency International” (më i ulëti 31, 2013).

Publikimi i raportit vjen në një moment të tensionuar politik: Qeveria socialiste e Kryeministrit Edi Rama ndodhet nën hetime të vazhdueshme nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), ndërsa përplasja mes ekzekutivit dhe drejtësisë u thellua në fund të vitit 2025 pas çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Balluku u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe masa nuk ndryshoi as pasi qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se po cenohej ndarja e pushteteve dhe e drejta e mandatuar nga vullneti i qytetarëve për të udhëhequr vendin.

Në këtë kontekst, raporti nuk duket më një statistikë teknike, apo thjesht perceptim, pasi përputhet me një realitet institucional që tashmë është bërë konflikt i hapur politik dhe i përditshëm.

Çfarë tregon raporti?

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) rendit 182 shtete sipas korrupsionit në sektorin publik në një shkallë 0-100. Sa më i ulët rezultati, aq më i dobët konsiderohet integriteti institucional.

CPI nuk është sondazh qytetarësh, por bazohet në vlerësimet e ekspertëve ekonomikë, investitorëve dhe institucioneve ndërkombëtare. Ai mat besimin tek institucionet shtetërore.

Indeksi i korrupsionit sipas Transparency International/Citizens.al

Në rastin e Shqipërisë, besimi te institucionet mbetet i ulët, një prirje e cila duket se po haset në gjithë rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Sipas Transparency International korrupsioni lidhet drejtpërdrejt me dobësimin e institucioneve demokratike dhe kontrollit mbi pushtetin.

Ballkani Perëndimor ka performancë të dobët me mesataren 39 pikë dhe me problemet kryesore si: Ndërhyrjet politike në drejtësi, vendimmarrja jo transparente dhe përqendrimi i pushtetit.

Vendet renditen si në vijim: Mali i Zi (46); Kosova (43); Maqedonia e Veriut (40); Shqipëria (39); Bosnje Hercegovina (34); Serbia (33);

Raporti përmend edhe rastet kur projekte të mëdha zhvillimore miratohen pa transparencë, duke rritur rrezikun e korrupsionit dhe dëmeve mjedisore. Kjo përfshin pikërisht fusha ku Shqipëria është kritikuar shpesh: investimet strategjike, koncesionet dhe projektet urbane duke u përmendur specifikisht rasti i projektit zhvillimor të Sazanit.

Publikimi i Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 rikthen një realitet që politika shqiptare e diskuton rrallë faktin që korrupsioni nuk matet vetëm me arrestime, por me besimin që institucionet krijojnë te shoqëria.

Raporti flet për një lidhje të zhdrejtë mes korrupsionit dhe llogaridhënies. Sa më e ulët llogaridhënia, aq më i lartë korrupsioni. Ngjashëm kjo reflektohet edhe nga perceptimi nën trysni i institucioneve të drejtësisë, që sipas indeksit kur drejtësia perceptohet nën presion politik institucionet dobësohen dhe besimi publik bie.

Kjo shpjegon edhe paradoksin shqiptar. Në dekadën e fundit janë miratuar shumë ligje anti-korrupsion, është reformuar drejtësia dhe janë kryer hetime të nivelit të lartë. Megjithatë perceptimi nuk përmirësohet, sepse indeksi nuk mat vetëm arrestimet, por mat stabilitetin dhe qasjen institucionale.

Lexoni gjithashtu:

The post Shqipëria bie më poshtë në indeksin e korrupsionit appeared first on Citizens.al.

Radio policie dhe 250 mijë €, atentati i dështuar ndaj Lulzim Mashës u nis për të birin!

10 February 2026 at 12:51

Gazeta Si – Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, zbërtheu edhe një herë këtë të martë skemën për organizimin e atentatit të dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë në janar të vitit 2022.

Sipas të pandehurit, i cili gjatë hetimeve iu hoq nga SPAK statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, shënjestra e vërtetë kishte qenë djali i Mashës.

Por, sipas tij, meqë nuk e gjenin dot, vendosën t’i vrasin të atin, që ai të shfaqej në ceremoninë mortore e më pas ta ekzekutonin.

Hoxhaj deklaroi se Nuredin Dumani i kishte ofruar 100 mijë euro për vrasjen e Lulzim Mashës dhe 150 mijë euro për vrasjen e të birit. Porosia ishte për vrasjen e djalit, por nuk e gjetën.

I pandehuri theksoi se kishte radio policie me vete dhe dëgjonte në kohë reale komunikimet e efektivëve, të cilët po përshkruanin autorin sipas tipareve të bashkëpunëtorit të tij.

Ai përsëriti se atentati ishte porositur nga i shumëkërkuari i drejtësisë që dyshohet se fshihet në Dubai, Eldi Dizdari, i cili i cili njihet si një nga trafikantët e mëdhenj të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë.

“Për Lulzim Mashën, porosinë për këtë rast, Nuredini ma ka dhënë në Kosovë, në Gjilan atje rrinte. Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashës, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre”, tha ai.

Në seancë, Hoxhaj theksoi se armën për të vrarë Lulzim Mashën, ia dha “sakati”. Ai shtoi se vrasja dështoi, pasi arma e zjarrit iu bllokua Skerdi Tases, në momentin që do qëllonte Lulzim Mashën.

Hoxhaj deklaroi se përdori një person në një lokal në Tiranë për të marrë informacion mbi lëvizjet e Mashës

Ai shtoi se mbikëqyrja e objektivit zgjati rreth 1 vit dhe se për atentatin u përdor një automjet “Golf 4”, për të mos rënë në sy.

“Armën për ngjarjen na e dha ‘sakati’, Nuredini na lidhi me të, kjo armë u përdor, por i ngeci për dreq Skerdit atë ditë, unë kisha bërë dhe prova, 2 ditë para kisha qëlluar. Nuk po gjenim të birin dhe menduam të godisnim të atin që të vinte ky nga jashtë, kështu i bënim ne këto punë. Kur bëmë ngjarjen ndaj Lulzim Mashës, unë dëgjoja çdo gjë në radio, se kisha radio policie. Skerdi doli huq dhe i ngeci arma, në radio jepeshin përshkrimet e tij, me këtë bluzë kaq i gjatë etj”, rrëfeu Hoxhaj gjatë seancës gjyqësore.

Atentati ndodhi më 18 janar 2022, te Liqeni i Thatë, teksa Masha po lëvizte me makinë.

The post Radio policie dhe 250 mijë €, atentati i dështuar ndaj Lulzim Mashës u nis për të birin! appeared first on Gazeta Si.

SPAK çon në gjyq ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, për abuzim me tenderët

10 February 2026 at 10:36

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi dhe ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kalimin e çështjes për gjykim.

Rroshi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkelja e barazisë në tenderë”.

Hetimet janë nisur me bazë kallëzimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditi në Bashki në vitet 2013-2014, si i dyshuar për abuzim me një tender prej 33 milionë lekësh.

Në mars të vitit të kaluar, pasi SPAK kishte vendosur pushimin e hetimeve, Gjykata e Posaçme u kërkoi prokurorëve që të hetonin për kallëzimin penal të bërë nga KLSH 10 vite më parë.

Nga një auditim që KLSH kishte bërë kur Bashkia e Kavajës drejtohej nga Elvis Roshi, u konstatuan një sërë parregullsish në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën e 33 milionë lekëve. Kështu Roshi po hetohet për shpërdorim detyre.

Roshi u zgjodh kryebashkiak i Kavajës dy herë në zgjedhjet e vitit 2011 dhe ato të vitit 2015. Në vitin 2018, Roshi u dënua me 60 orë punë në komunitet, duke u bërë zyrtari i parë që prekej nga lihji i dekriminalizimit. Shkak për dënimin e tij u bë falsifikimi i formularit të dekriminalizimit në vitin 2016.

The post SPAK çon në gjyq ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, për abuzim me tenderët appeared first on Gazeta Si.

Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 mijë euro ndaj dy të dënuarve për trafik droge

10 February 2026 at 10:10

Gazeta Si – Një vlerë rreth 200.000 mijë euro në pronësi të dy personave janë sekuesteruar nga policia dhe Prokuroria e Tiranës.

Në kuadër të operacionit të koduar “Burimi”, u sekuestrua 1 apartament dhe 1 garazh në Selitë dhe Selitë të Vogël, me vlerë rreth 200 000 euro, në pronësi të dy personave të dënuar për trafikim narkotikësh.

Bëhet fjalë për P.B., 63 vjeç, i dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike dhe Gj.Ll. alias Sh. Ll., 44 vjeç i dënuar në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Hetimet për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera të lidhura me aktivitetet kriminale vijojnë.

The post Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 mijë euro ndaj dy të dënuarve për trafik droge appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Kur drejtësia kthehet në rrezik se nuk vjedh dot i qetë

By: armand
9 February 2026 at 19:28

Nga Armand Shkullaku Edi Rama është treguar shpeshherë një mjeshtër i vërtetë për t’i magjepsur shqiptarët të gëlltisin ato që ai vetë i ka pështyrë një herë më parë. Që nga akte të rëndisshme si koalicioni ‘historik’ me Ilir Metën në vitin 2013 e deri tek vendimmarrje qesharake si fjala vjen emërimi i gjelave të […]

The post Kur drejtësia kthehet në rrezik se nuk vjedh dot i qetë appeared first on BoldNews.al.

Mashtrim fiskal me 150 mln lekë shitje fiktive, arrestohet biznesmeni në Tiranë

9 February 2026 at 16:34

Gazeta Si – Një biznesmen në Tiranë, Gjergji Fela është arrestuar, pasi dyshohet se ka ndërtuar një skemë mashtrimi me fatura fiktive, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej rreth 62 milionë lekësh.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, 50-vjeçari, akuzohet për veprat penale “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Policinë e Shtetit, 50-vjeçari ka përdorur subjektin tregtar “Dorina Fela”, në emër të bashkëshortes së tij, për të kryer shitje fiktive në vlerën rreth 150 milionë lekë. Si pasojë, dëmi i përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit kap shifrën 62,670,861 lekë.

Sipas organit të akuzës, veprimet janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skeme mashtruese fiskale për përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për tatimin mbi fitimin, duke cenuar interesat financiare të shtetit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Fela u arrestua pasi dyshohet se ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

The post Mashtrim fiskal me 150 mln lekë shitje fiktive, arrestohet biznesmeni në Tiranë appeared first on Gazeta Si.

Gjyqi për ‘Partizanin’, Malltezi debaton me GJKKO për ‘prokurorët politikë’

9 February 2026 at 16:17

Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme, ka nisur këtë të hënë gjyqi në themel për dosjen “Partizani”, ku një nga të pandehurit, Jamarbër Malltezi ka nisur të lexojë 200 faqe me prova për të kundërshtuar akuzat.

Menjëherë në sallë kanë nisur debate mbi mënyrën sesi ai i cilësonte prokurorët të cilët i quan “prokurorë politikë”.

Gjykata ndërhyri duke i kërkuar Malltezit që t’u drejtohej vetëm si “prokurorë”. Por dhëndri i ish-kryeministri Berisha, e zëvëndësoi më pas fjalën me, “prokurorët pika pika”.

Malltezi e cilësoi procesin si një “përndjekje politike” dhe jo si ndjekje penale, duke pretenduar shkelje të konventave ndërkombëtare.

Ai ngriti akuza ndaj prokurores Enkeleda Millonai, duke theksuar se ajo është emëruar nga Taulant Balla, i cili, po sipas Malltezit, ka kallëzuar çështjen në emër të Partisë Socialiste.

Në sallën e gjyqit, ka përmendur po ashtu prokurorin Arben Kraja, duke deklaruar se ka qenë hetues i Sigurimit të Shtetit, dhe sipas tij, për këtë arsye nuk mund të jetë objektiv në këtë proces.

Në kuadër të hetimeve të aferës “Partizani”, më 16 janar, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurimit “sekuestro preventive” për pasuritë e Argita dhe Jamarbër Malltezit, i akuzuar nga SPAK për korrupsion pasiv.

The post Gjyqi për ‘Partizanin’, Malltezi debaton me GJKKO për ‘prokurorët politikë’ appeared first on Gazeta Si.

Edison Memolla vetëdorëzohet në polici pas dënimit me 1 vit burg, Rrogozhina pa kryetar

9 February 2026 at 22:47

Gazeta Si – Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është vetëdorëzuar në Policinë e Kavajës disa orë pas dënimit me 1 vit burg nga Apeli i GJKKO-së për veprën penale të “korrupsionit në zgjedhje”. Në polici, janë vetëdorëzuar gjithashtu edhe Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa.

Memolla nuk ishte në seancë kur Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, ndërsa për të pritej të firmosej së shpejti një urdhër-arrest nga autoritetet për të kryer vuajtjen e dënimit 1-vjeçar në një burg të sigurisë së zakonshme.

Përpos 1 viti heqje lirie, Memollës i ndalohet për 5 vite ushtrimi i funksioneve publike, që do të thotë se Rrogozhina mbetet pa kryetar dhe që brenda pak kohësh pritet të zjvillohen zgjedhje për përfaqësuesin e ri.

Sipas burimeve, GJKKO ka refuzuar kërkesën e Memollës për konvertim të masës së sigurisë, ku pretendonte një zbutje të saj.

Po ashtu, janë shpallur fajtorë edhe dy bashkëpunëtorë të kryebashkiakut, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku. Ata janë dënuar përkatësisht me nga 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.

Pjesë e kësaj dosje është edhe Ndriçim Tafxhafa, dënuar me 1 vit burg po për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi, ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për Kryetar Bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

Kryebashkiaku u dërgua në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me tre të pandehur të tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani të akuzuar “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe Isuf Tosku, i akuzuar për falsifikim të dokumentave, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK-ut Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.

The post Edison Memolla vetëdorëzohet në polici pas dënimit me 1 vit burg, Rrogozhina pa kryetar appeared first on Gazeta Si.

ILD miraton 9 inspektime për vitin 2026, propozimet vetëm nga 3 institucione

9 February 2026 at 13:10

Gazeta Si – Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve, më 30 janar 2026, planin e inspektimeve në prokurori e gjykata për vitin 2026.

Sipas njoftimit, thuhet e inspektimet tematike dhe institucionale do jenë edhe gjatë vitit 2026, instrumenti me të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë mat eficencën e drejtësisë në vend, ndërsa këtë vit, në mënyrë të dedikuar, do të monitorojë edhe zbatimin e rekomandimeve të lëna nga inspektime të mëparshme.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve, u paraqit analiza e të dhënave mbi llojin e pretendimeve të ankuesve, qytetarë apo institucione deri në dhjetor 2025, si dhe pretendimet e ankesave të trajtuara me vendimmarrje gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave, pjesën më të madhe e zënë pretendimet për vendimmarrje të padrejta, pretendimet për zvarritje gjykimi, zvarritje të veprimtarisë hetimore dhe vonesa në dorëzimin e vendimeve gjyqësore.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u evidentua se gjatë vitit 2025, sipas traditës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar kërkesa për tematika inspektimesh për planin e inspektimeve për vitin 2026, institucioneve të drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Në mbledhje u vlerësua angazhimi i tri institucioneve, që kanë përcjellë propozime për inspektimet tematike ose institucionale, konkretisht Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar 2 tematika inspektimesh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 4 tematika inspektimesh dhe Ministri i Drejtësisë 5 tematika inspektimesh.

Pas diskutimeve mbi të dhënat e ankesave të përcjella, të propozimeve të ardhura nga tri institucionet e drejtësisë, si dhe të prioriteteve të punës së ILD-së, edhe për shtrirje gjithëpërfshirëse gjeografike të inspektimit në gjykata e prokurori, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve miratoi gjithsej 9 inspektime për t’u realizuar gjatë vitit 2026, 8 inspektime tematike dhe 1 inspektim institucional.

E veçanta këtë vit është miratimi i 2 inspektimeve tematike mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme.

Nga trajtimi i ankesave të qytetarëve dhe institucioneve, kohëzgjatja e proceseve civile gjyqësore, shpallja dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, respektimi i afateve të paraburgimit, trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësit të policisë së shtetit dhe atij të burgjeve për keqtrajtim, kalendari i inspektimeve për vitin 2026 përmban.

The post ILD miraton 9 inspektime për vitin 2026, propozimet vetëm nga 3 institucione appeared first on Gazeta Si.

GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj 1 vit pas arrestimit

9 February 2026 at 12:39

Gazeta Si – Një vit pas arrestimit në zyrën e tij nga BKH, Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj, i akuzuar nga SPAK për disa vepra penale.

Pjesë e të njëjtës dosje, janë edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si edhe 28 persona të tjerë, përfaqësues të shoqërive, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë, por kishte dërguar vetëm avokaten e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku.

Avokatët e të pandehurve të tjerë, mësohet se kanë bojkotuar seancën e sotme, pasi pretendojnë për shkelje të rënda të procesit ligjor gjatë seancave paraprake.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij, SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.

Më herët, mbrojtja ka pretenduar se janë 60 mijë faqe që duhen analizuar. Nuk kanë munguar përplasjet mes palëve në sallën e gjyqit, aq sa kryebashkiaku depozitoi një kërkesë zyrtare pranë GJKKO-së për përjashtimin e gjyqtares Deda nga çështja penale ndaj tij. Mirëpo, kërkesa e tij u rrëzua me argumentin se “nuk ka shkak të ligjshëm”.

Po ashtu, Veliaj ka pretenduar se i ishte mohuar e drejta për një mbrojtje efektive, në kundërshtim me parimet themelore të procesit të rregullt ligjor.

Sipas mbrojtjes së tij, edhe vetë avokatja e caktuar nga gjykata, nuk ka pasur mundësi reale për t’u njohur me materialet hetimore, as për të komunikuar me klientin e saj në mënyrë të plotë.

Vetë Veliaj, ka bërë kërkesë vazhdimisht që të njihet me provat dhe faktet përmes një laptopi në ambientet e paraburgimit në Durrës, për pesë veprat penale që i atribuohen.

Në 1 shkurt të këtij viti, GJKKO rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e dy prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Olsi Dado, se masa duhet të vazhdojë pasi provat mund të manipulohen.

Çështja e masës së sigurisë ndaj Veliajt është duke u shqyrtuar ndërkohë edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila më 3 nëntor vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrë, pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.

The post GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj 1 vit pas arrestimit appeared first on Gazeta Si.

20 mijë euro për ekstradimin e të dënuarit nga Turqia, SPAK çon në gjyq 3 persona

7 February 2026 at 11:06

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të tre personave të cilët akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në procedurën e transferimit të një të dënuari.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për ish-gardistin Zef Mali, bashkëpunëtorin e tij, Kreshnik Domi dhe Jemine Çokun.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Zef Mali, në bashkëpunim me Domin, i kanë marrë të pandehurës tjetër 20 mijë euro me premtimin se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave të ekstradimit të vëllait të saj Kujtim Çeliku nga Turqia drejt Shqipërisë.

Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim, mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.

Po ashtu, u zbulua se procedurat ligjore për Çelikun kishin nisur, por një ekstradim i tillë ende nuk është kryer.

Ata i kanë premtuar dhe siguruar Çokut se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

“Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit. Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt”, njoftoi SPAK.

The post 20 mijë euro për ekstradimin e të dënuarit nga Turqia, SPAK çon në gjyq 3 persona appeared first on Gazeta Si.

Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut

6 February 2026 at 22:02

Nga Gazeta ‘SI’- Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin në lidhje me kërkesën e kryeministrit Edi Rama kundër masës së sigurisë “pezullim nga detyra” të vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.

8 gjyqtarët janë ndarë në barazim 4-4 duke bërë që të rrëzohet kerkesa e kryeministrit Edi Rama pasi kërkesa e tij nuk ka mundur dot të shumicën e votave. Kjo do të thotë se mbetet në fuqi pezullimi i Ballukut nga detyra, vendim i marrë nga GJKKO pas kërkesës së SPAK. 

Në vendimin e shpallur nga kryetarja e gjykatës Fiona Papajorgji rezulton se kërkesa nuk ka marrë korumin e votave, duke u ndarë 4 në favor të kryeministrit dhe 4 në favor të SPAK. Duhet të ishte arritur korumi me 5 veta. Kështu, për Ballukun është rikthyer masa e pezullimit nga funksionet publike.

Por si u ndanë gjyqtarët? Katër gjyqtarët që kanë vendosur kundër kërkesës së Ramës janë: Ilir Toska, Asim Vokshi, Marsida Xhaferrllari dhe Gent Ibrahimi.

Ndërsa gjyqtarët që kanë votuar pro kërkesës së tij janë: Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Marjana Semini.

Vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut u mor me kërkesë të SPAK, pasi ajo u mor zyrtarisht e pandehur për dyshime mbi shkelje ligjore në procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar atë si një tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.

Pikërisht mbi këtë argument, kreu i qeverisë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar zgjidhjen e konfliktit institucional të krijuar mes Kryeministrisë dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar.

Seanca dëgjimore ku morën pjesë të gjitha palët u zhvillua më 22 janar 2026. Ndërkohë, SPAK ka ndërmarrë një tjetër hap procedural, duke i dërguar Kuvendit (më 16 dhjetor 2025) një kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut. Prokuroria e Posaçme synon të marrë autorizimin e nevojshëm për vendosjen e një mase sigurie më të rëndë ndaj saj.

Pavarësisht se fillimisht u caktua data 19 dhjetor e vitit të shkuar për mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, mazhoranca socialiste vendosi ta shtyjë duke argumentuar se duhet pritur fillimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, opozita e ka kundërshtuar vazhdimisht këtë qëndrim, duke theksuar se kërkesa e SPAK për masë sigurie nuk lidhet me pezullimin nga detyra dhe se vonesa e mazhorancës nuk ka bazë ligjore.

Tanimë, radhën e ka pikërisht ky Këshill, ndërsa duhet theksuar se më 16 mars skadon afati për Kuvendin. Nëse deri atë ditë nuk ka një vendim nga salla e Parlamentit për çështjen, rrëzohet automatikisht kërkesa e SPAK.

Belinda Balluku është e pandehur për shkelje të dyshuara në tenderin me vlerë 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë, ndërsa paralelisht po hetohet edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe.

Sipas SPAK, qëndrimi i saj në detyrë përbën rrezik për hetimin, pasi mund të ndikojë në prishjen e provave ose në ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve.

The post Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut appeared first on Gazeta Si.

Nëse po e lexon këtë, kjo do të thotë se kam vdekur: Ja çfarë dua të të them për jetën

6 February 2026 at 14:19


Ky artikull është një version i redaktuar nga gazeta The Guardian, i një kolumne të shkruar nga gazetari dhe shkrimtari spanjoll Carlos Hernández de Miguel, botuar pas vdekjes së tij, fillimisht në elDiario.es. Hernándezi, i cili ishte 56 vjeç kur vdiq më 3 shkurt 2026, mbuloi konfliktet në Kosovë, Palestinë, Afganistan dhe Irak. Së fundmi, kaloi disa vite duke hulumtuar aspektet e diktaturës së Frankos dhe duke kontribuar për elDiario.es.

Nga: Carlos Hernández de Miguel / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

I dashur lexues, për herë të parë, qëkur u bëra gazetar, më duhet të të them se do të doja të mos ishe duke lexuar këtë që kam shkruar. Sepse, nëse po e lexon këtë, kjo do të thotë se nuk jam më në këtë botë - apo në ndonjë tjetër. Kam vdekur. Dreqi e marrtë, është e vështirë ta shkruash këtë, por kështu është puna. Kam vdekur dhe nuk dua të largohem pa thënë lamtumirë dhe pa i dhënë disa mendime të fundit.

Kam qenë person fatlum. Kam pasur fatin të lind në një vend evropian që, megjithëse ende nën zgjedhën e regjimit të Frankos, shumë shpejt më pas nisi të përparonte ekonomikisht, shoqërisht dhe politikisht. Fati, dhe vetëm fati, e bëri fatin tim pafundësisht më të lehtë se atë të qindra milionë fëmijëve që lindin në rajone të botës që janë të shkatërruara nga uria, varfëria dhe lufta.

Edhe në këtë moment të vështirë që po kaloj, nuk mendoj se kam të drejtë të ankohem apo të vajtoj për gjendjen time. Si mund të luaj rolin e viktimës duke i ditur këto pabarazi dhe padrejtësi historike? Si mund të ankohem për fatin tim kur shohim çfarë po ndodh edhe tani, në Afrikë, Afganistan, Ukrainë, Jemen, Iran apo në Palestinë? Nuk mund ta them me siguri, por paramendoj se mendimi im i fundit - imazhi i fundit që do të më kalojë në mendje përpara se të fikem - do të jetë ai i fëmijëve të masakruar në Gazë dhe i palestinezëve të mbijetuar që përballen me një të ardhme të tmerrshme. Ajo që di me siguri është se do ta lë këtë botë pa e kuptuar pse komuniteti ndërkombëtar zgjodhi të qëndronte i pandjeshëm, ndërsa Izraeli kryente një gjenocid para syve të tij, të transmetuar drejtpërdrejt, minutë pas minute, masakër pas masakre.

Vendosa të bëhem gazetar sepse besoja sinqerisht se, duke raportuar me rigorozitet dhe ndershmëri, mund ta përmirësonim këtë botë. Ende e besoj këtë. E di që gjatë karrierës sime profesionale kam bërë gabime, kam duruar gjërat (shpresoj vetëm disa) që duhej t’i kisha refuzuar, dhe nuk kam qenë aspak gazetar i përkryer. Pavarësisht kësaj, mund të kthehem pas dhe ajo që shoh nuk më shqetëson. Mund të them se kurrë, kurrë nuk kam gënjyer, nuk kam manipuluar dhe nuk kam fshehur informacion. Në të gjitha raportimet e mia, qofshin nga Madridi, Bilbao, Sevilja, Kabuli, Jerusalemi apo Bagdadi, jam përpjekur t’i mbaj përgjegjës ata që janë në pushtet, jam përpjekur të tregoj çfarë po ndodhte dhe t’u jap zë atyre që nuk kishin zë. Zë për viktimat; kritikë për autorët. Pa neutralitet. Pa paqartësi. Dhe, për këtë arsye jam veçanërisht krenar që nuk kam arritur aq lart sa mund të kisha arritur. Madje, jam pushuar nga puna sepse u përpoqa të mbetesha besnik ndaj parimeve të mia.

Nga kolegët me përvojë mësova ato që vlerësoj se janë dy parimet e gazetarisë. I pari është ai se objektiviteti nuk është e njëjta gjë me neutralitetin. Nëse ka një agresor dhe një viktimë, një gënjeshtar dhe një njeri të ndershëm, një të korruptuar dhe një të ndershëm, atëherë detyra jote është ta përshkruash këtë qartë dhe fuqishëm. Jam lodhur nga ata që besojnë se të jesh gazetar do të thotë të raportosh versionet e të dyja palëve, pa filtra, pa vënë në dyshim vërtetësinë e tyre, sidomos - dhe kjo është më e keqja dhe tepër e zakonshme - kur ti e di që njëra palë nuk po e thotë të vërtetën.

Parimi i dytë është se, për të qenë gazetar i mirë, është jetike të jesh njeri i mirë.

Unë gjithmonë shtoj edhe një të tretë. Gazetaria nuk është thjesht një profesion tjetër. E drejta e shoqërisë për të qenë e informuar mirë mbështetet në punën tonë. Liria, barazia dhe demokracia varen nga puna jonë - megjithëse jo vetëm prej saj. Prandaj, nuk ka justifikim për të gënjyer apo për të fshehur informacionin. Nëse e bëjmë këtë, duhet të mbajmë përgjegjësi profesionale, madje edhe penale.

Kam pasur fatin ta përjetoj politikën si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Nëse ka diçka që kam mësuar, është se jo, jo të gjithë politikanët janë njësoj. Ka burra dhe gra që besojnë vërtet se misioni i tyre është të përmirësojnë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse ata qytetarë kanë votuar për ta ose jo.

Natyrisht, ka edhe politikanë të tjerë - shumë më tepër sesa duhet - të shtyrë nga korrupsioni dhe etja e pangopur për pushtet. Duhet të luftojmë kundër tyre, të ndryshojmë gjërat e panumërta dhe ta përmirësojmë të gjithë sistemin, por duhet ta bëjmë këtë përbrenda vetë politikës. Duhet ta bëjmë këtë, sepse gjithçka në jetë është politikë ose ndikohet nga politika. Prandaj, le të bëhemi të kujdesshëm ndaj atyre që sulmojnë politikën, partitë politike, sindikatat dhe demokracinë. Alternativa ndaj demokracisë është diktatura, pavarësisht çfarë eufemizmi tërheqës përdorin disa. Alternativa ndaj partive politike dhe sindikatave është sistemi njëpartiak dhe një sindikatë e kontrolluar nga shteti. Ka shumë - tepër shumë - hapësirë për përmirësim, por rruga nuk është ajo që na tregon e djathta ekstreme globale.

Kam pasur fatin t’ia kushtoj fazën e fundit të jetës sime profesionale hulumtimit dhe përhapjes së historisë së afërt të Spanjës. Takimi me të mbijetuarit e kampeve naziste dhe frankiste të përqendrimit, si dhe me familjet e tyre, ka qenë një nga dhuratat më të mëdha që më ka dhënë jeta. Viktimat e nazizmit dhe diktaturave të tjera nuk reshtën kurrë së përsërituri, sepse fashizmi nuk kishte vdekur, se ai ende fshihej, duke pritur momentin për t’u rishfaqur. Prandaj, ka qenë, është dhe do të jetë kaq e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për historinë. Të shohësh pas është mënyra më e mirë për t’u përballur me të tashmen, për të shmangur përsëritjen e gabimeve dhe për t’u përgatitur për kërcënimet e ardhshme. Të shohësh pas të tregon se liria, jeta dhe demokracia nuk janë kurrë të garantuara dhe se duhet të luftojmë çdo ditë për t’i ruajtur.

Tani do ta mbyll. Një e re dhe shumë e dashur, e cila ishte e vetëdijshme se fundi i saj mund të vinte në çdo moment, më tha: “Jeta është një privilegj”. Në atë kohë nuk i vlerësova fjalët e saj. Por, i dashur lexues: shijoje jetën, ji i lumtur, vlerëso atë që ka vërtet rëndësi, largohu nga toksiciteti dhe trego empati ... shumë empati.

Do të doja ta mbyllja këtë artikull duke thënë se do të ribashkohem me të gjithë miqtë dhe të afërmit që kam humbur ndër vite. Do të doja ta thosha, por nuk besoj në asnjë zot. Teksa shkruaj këta rreshta të fundit, jam i vetëdijshëm se gjithçka që kam përpara është një zbehje drejt së zezës. Një zbehje drejt së zezës që, në mënyrë paradoksale, është ajo që i jep kuptim ekzistencës sonë.

Ju uroj të gjitha të mirat dhe shpresoj të kënaqeni, sepse, po, jeta është një privilegj i madh. /Telegrafi/

Amnistia Penale e vitit 2024, ILD gjen problematika në zbatimin e ligjit

6 February 2026 at 13:21

Gazeta Si – Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka gjetur disa problematika në zbatimin e ligjit, pasi ka përmbyllur verifikimin për Amnistinë Penale të vitit 2024.

Dokumentacioni është marrë nga Drejtoria e Burgjeve për problematikat e hasura gjatë zbatimit të amnistisë në 2024-n, me të burgosur dhe të paraburgosur, që edhe pse të amnistuar nga Kuvendi, sorollaten nga prokuroritë dhe gjykatat, duke iu mohuar liria.

Në një njoftim për mediat, ILD thotë se ka pasur konfuzion në interpretimin e ligjit që lidhen me fillimin e ekzekutimit nga ana e prokurorit, si dhe mosveprim të menjëhershëm pas administrimit të vendimit të shkurtuar, për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit.

Sipas ILD-së, ka psur mënyra të ndryshme të të kuptuarit dhe të zbatuarit të dispozitave procedurale penale mbi shpalljen e vendimit të përmbledhur nga gjykatat.

Po ashtu, ILD konstatuar diferencë kohore midis datës së vendimit të formës së prerë dhe përcjelljes së tij, si dhe mospërputhje e datës së hyrjes së vendimit në sekretarinë e prokurorisë me datën e marrjes në dorëzim nga prokurori, përfshirë dhe datën e shkresës përcjellëse të këtij urdhri.

Verifikimi i ILD ka vërejtur dhe mos pasqyrim në librat e brendshëm të dorëzimit, të datës së marrjes në administrim nga prokurori i ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore të formës së prerë të përcjella dhe të protokolluara.

Iniciativa e ILD-së ka ardhur për zbatim të drejtë dhe efektiv të qëllimit që kanë nismat penale për dhënie amnistie, në respektim të parimit të humanizmit të drejtësisë penale, si dhe rehabilitimit dhe ri integrimit në shoqëri të të dënuarve bazuar edhe në standardet e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

The post Amnistia Penale e vitit 2024, ILD gjen problematika në zbatimin e ligjit appeared first on Gazeta Si.

Vdekja e 3-vjeçarit në klinikën dentare, në dosjen ndaj 7 personave, 3 akuzohen për vrasje nga pakujdesia

6 February 2026 at 11:23

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit, Brian Spahiu, pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë në kryeqytet dhe ka dërguar në gjyq 7 persona, tre prej të cilëve me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Sipas njoftimit, mjeku Roland Xhaxho dhe Marta Gina do të shkojnë në gjyq për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim” e kryer në bashkëpunim.

Ndërkaq, Ina Xhaxho do të gjykohet për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” e kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm”.

Për shpërdodim detyre, do të gjykohen: E.S., dhe E.A., ndërsa mjekët D.A., e V.H., për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

Sipas prokurorisë, mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.

“Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G”, njoftoi prokuroria.

Nën akuzë kanë përfunduar edhe dy ekspertë të ekspertizës mjekoligjore, E.S., dhe E.A., që sipas prokurorisë kanë shkelur rëndë protokollet mjekësore në kryerjen e autopsisë.

I mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare më 28 shtator 2023 në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent” të drejtuar nga Roland e Ina Xhaxho.

Pas ndërhyrjes, 3-vjeçari u kthye në shtëpi dhe brenda pak orësh u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Disa ditë më vonë ai ndërroi jetë aty.

Për të dalë në këto përfundime prokurorisë u desh riekspertim mjekoligjor dhe ekspertim mjekoligjor shtesë nga ekspertë të huaj italianë.

Ata zbuluan se shkaku kryesor i vdekjes së pacientit ishte shoku septik i rëndë. Sipas tyre, anestezisti dhe stomatologët që trajtuan të miturin kanë shkelur rëndë protokollet mjekësore të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

Këto shkelje kanë konsistuar në:

– moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;

– ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

– nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Por ajo që rezultoi po ashtu e provuar nga hetimet është se stomatologët I. Xh. dhe M.G kanë mashtruar prindërit e 3-vjeçarit. Ata i kanë marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve ndërkohë që nga autopsia rezulton se gjashtë prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur. Po ashtu, Xhaxho vazhdonte aktivitetin në mënyrë të paligjshme pas ngjarjes.

“Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për nenin 143/2 të K.Penal. Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut”, njoftoi prokuroria.

The post Vdekja e 3-vjeçarit në klinikën dentare, në dosjen ndaj 7 personave, 3 akuzohen për vrasje nga pakujdesia appeared first on Gazeta Si.

Pagat, si përplasja Rama-gjyqtarë po kthehet në “luftë” propagandistike

By: armand
5 February 2026 at 16:55

Nga Sebi Alla Në një monolog të gjatë, ku ngrinte pyetje dhe përgjigjej po vetë, kryeministri Edi Rama shfrytëzoi kohën e udhëtimit në makinë dhe më pas në zyrë, për të quajtur si “çmenduri” kërkesën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë për rritje të pagës. Çështja është në Gjykatën Kushtetuese dhe magjistratët […]

The post Pagat, si përplasja Rama-gjyqtarë po kthehet në “luftë” propagandistike appeared first on BoldNews.al.

SPAK kërkon që dosja ‘Meta’ të kalojë për gjykim. Kryemadhi: Na shtuan listën e provave!

5 February 2026 at 16:10

Gazeta Si – SPAK ka mbyllur parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të tjerëve, ku prokurori i çështjes ka kërkuar dërgimin në gjyq të 5 të akuzuarve, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

“Me thënë të drejtën kishte përsëritjet të të njëjtave gjëra disa herë. I vetmi qëllim ka qenë të shtonin volumin e faqeve. Sot na u dorëzua edhe lista e provës rreth 40 e ca faqe, ku pjesë e tyre janë intervista, shkrime, gazeta që për herë të parë edhe në kohën e diktaturës nuk quheshin prova”, tha Kryemadhi në dalje nga ambientet e GJKKO-së.

Pasi edhe mbrojtja të parashtrojë argumentet e veta, do të jetë Gjykata e Posaçme ajo që vendos nëse çështja do të kalojë për gjykim apo jo. Seanca e radhës është shtyrë për të enjten tjetër, 12 shkurt.

Ish-presidenti Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, është nën masën e “detyrimit për paraqitje”.

Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut. Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.

The post SPAK kërkon që dosja ‘Meta’ të kalojë për gjykim. Kryemadhi: Na shtuan listën e provave! appeared first on Gazeta Si.

‘AKSHI’, lihen në fuqi masat e sigurisë për 2 zyrtaret dhe të dyshuarit e tjerë

5 February 2026 at 15:50

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masat e sigurimit për dosjen “AKSHI”, ku drejtoresha Mirlinda Karçanaj (e pezulluar nga detyra) dhe zv/drejtoresha, Hava Delibashi do të vijojnë në “arrest shtëpie”.

Ata kërkuan ndryshimin e masave të sigurimit dhe zbutje të tyre, por gjatë seancës së kësaj të enjteje, SPAK ka vënë në dispozicion akte dhe prova të reja, duke bërë që gjyqtari Florjan Kalaja të lërë në fuqi masat.

Ndërkohë, për zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, mbeti në fuqi masa e pezullimit nga detyra dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit, si edhe për 3 biznesmenët, Gëzim Hoxha, Andis Papa dhe Rogers Rryta.

Për këta të fundit, SPAK thotë se “kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione ndaj kompanive që s’ishin pjesë e procesit të tenderimit”. Të tre akuzohen për pastrim të parave dhe grup i strukturuar kriminal.

Për këtë çështje, janë ende në kërkim dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. Karçanaj, Agasi, Beqiri dhe zyrtarët e tjerë akuzohen për “shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash”.

The post ‘AKSHI’, lihen në fuqi masat e sigurisë për 2 zyrtaret dhe të dyshuarit e tjerë appeared first on Gazeta Si.

Henrik Hoxhaj rrëfen ‘humbjen e 200 mijë €’ për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit!

5 February 2026 at 15:13

Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme, Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, rrëfeu detaje për një porosi të pakryer për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndri i ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Ai tregoi se gjatë përgatitjeve për vrasjen e vëllezërve Haxhia, kishte diskutuar me Nuredin Dumanin për një tjetër “punë”, ku i ishte ofruar një shumë prej 200 mijë eurosh për të goditur Sanxhaktarin.

Hoxhaj tha se nuk ishte i interesuar dhe se nuk e dinte kush ishte investitori, vetëm se, sipas Dumanit, kishte të bënte me dhëndrin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Ai nuk mbajti mend të ishte përmendur emri Suel Çela dhe nuk mori pjesë në ngjarje.

“Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin”.

Prokurori Behar Dibra e pyeti: “Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: ‘Na humbën 200 mijë euro'”. Hoxhaj u përgjigj: “Po, se nuk u mbarua puna, pra”.

Gjatë dëshmisë, i pandehuri Hoxhaj rrëfeu edhe konfliktin me Ismet Boriçin, që kishte pasur si zanafillë një përplasje të një miku të tij me vëllezërit Boriçi në 1999-2000.

“Arsyeja ka filluar në vitin 2004, kur unë duke ikur për në shtëpi jam plagosur me 3 plumba. Ismet Boriçi i ka plagosur vëllain Viron Kallanxhiut, shokut tim të fëmijërisë, që tani është në burg”, – u shpreh Hoxhaj.

The post Henrik Hoxhaj rrëfen ‘humbjen e 200 mijë €’ për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit! appeared first on Gazeta Si.

❌
❌