Me ndryshimin e fundit të politikave të administratës Trump në Bosnje dhe Hercegovinë dhe me publikimin e Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare më herët këtë muaj, paqartësia mbi politikën amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor ka marrë fund. Çështja është nëse Bashkimi Evropian – qendra de facto e gravitetit e botës demokratike të mbetur […]
TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se gjatë samitit BE-Ballkani perëndimor ka kërkuar që Komisioni Europian dhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të pranishëm në Këshillin Europian të respektojnë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027.
Në nisje të podkastit “Flasim- Episodi 11, Sezoni 5”, Rama u shpreh se, samiti i BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Bruksel ishte një tjetër pikëtakimi e Shqipërisë me Europën në nivelin më të lartë.
Rama theksoi se në këtë samit “u bë bilanci i progresit tonë si rajon drejt BE-së dhe ku Shqipëria u gjend në kushtet më të mira në sytë e Europës, si rezultat i punës së madhe dhe arritjeve positive, këtu në shtëpinë tonë”.
Rama u ndal tek disa pika që ai vuri në dukje gjatë samitit në Bruksel.
“Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave për ne përbën një inkurajim shumë të madh, por përsërita domosdoshmërinë që Komisioni Europian dhe patjetër edhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të pranishëm në Këshillin Europian të respektojnë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027, duke nënvizuar se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit duhet të përshpejtohet politikisht”, u shpreh Kryeministri Rama.
Rama nënvizoi se Shqipëria padiskutim do t’i vazhdojë reformat modernizuese dhe do t’i vazhdojë pa u lëkundur përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, jo për Brukselin, por për interesin tonë strategjik kombëtar.
Qeveria e Britanisë së Madhe ka vendosur të ulë ndihmën e saj të jashtme, duke shkaktuar një reduktim prej 40 për qind të fondeve të destinuara për të kundërshtuar agresionin rus dhe dezinformatat në Ballkanin Perëndimor, një rajon që konsiderohet strategjikisht thelbësor për sigurinë britanike dhe evropiane.
Fonde të ndara për këtë qëllim përmes Fondit të Sigurisë së Integruar (ISF) për vitet 2025–26 janë ulur nga 40 milionë funte (rreth 45.7 milionë euro) në 24 milionë funte (rreth 27.4 milionë euro), raporton theguardian.
Kryeministri britanik, Keir Starmer e ka përshkruar së fundmi Ballkanin Perëndimor si “vendin ku po vihet në provë siguria e Evropës”, transmeton Telegrafi.
Shkurtimi vjen si pjesë e politikës së qeverisë për të ulur shpenzimet e ndihmës zyrtare për zhvillim (ODA), nga 31.91 milionë funte (36.45 milionë euro) në 17 milionë funte (19.42 milionë euro) për të njëjtën periudhë.
Kritikët, përfshirë ish-sekretaren e Jashtme, Emily Thornberry dhe organizata jofitimprurëse, argumentojnë se ulja e fondeve vjen në një kohë kur ndikimi rus në rajon është duke u forcuar, duke kërcënuar themelet demokratike dhe paqen, dhe se ky vendim dëmton rolin e Britanisë si një udhëheqëse e besueshme në mbështetjen e institucioneve demokratike, mediave të pavarura dhe parandalimit të konfliktit.
Megjithatë, qeveria mbrojti reduktimin duke thënë se ISF fokusohet në prioritete të reja të sigurisë kombëtare dhe projekte afatshkurtra dhe se ky vendim lë hapësirë për investime të tjera të Mbretërisë së Bashkuar në rajon që nuk pasqyrohen në këto shifra. /Telegrafi/
Një deklaratë e përbashkët me 19 pika të dakordësuara mes udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor ishte rezultati i samitit më të fundit që u mbajt në Bruksel mbrëmjen e së mërkurës (17.12). Ashtu siç pritej, pas përgëzimit ndaj vendeve kandidate për reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të anëtarësimit, BE-ja iu rikujtoi […]
Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh në rrjetin social “Facebook”, ku përmes një videokartoline nga dita e djeshme e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ka përcjellë urimet e tij për një ditë të paqtë për qytetarët.
“Me këtë videokartolinë të ditës së djeshme të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të paqtë sot”, shkruan Rama.
TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Samitin BE- Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel.
Rama ndau një video nga foto familjare e këtij Samiti në Europa Building me udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në vijim të agjendës së tij në Bruksel, Rama u prit nga Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, António Costa.
Kryeministri Rama mori pjesë në seancën plenare “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual, përfshirë “Roam like at home”, si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.” të drejtuar nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, me pjesëmarrjen e Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë Kaja Kallas, si dhe Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola.
Kryeministri zhvilloi edhe një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e jashtme, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian Kaja Kallas.
Në përfundim të samitit udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të shteteve anëtare të tij, në konsultim me partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë dalë në një deklaratë të përbashkët, ku rikonfirmohet angazhimi i plotë dhe i qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Samiti theksoi rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se Tirana ka arritur të hapë të gjithë grup-kapitujt e negociatave në një kohë shumë të shkurtër, me hapjen e fundit në muajin nëntor.
Sipas tij, viti i ardhshëm do të jetë momenti i së vërtetës për Shqipërinë për të përshpejtuar reformat dhe për të dhënë rezultate konkrete në procesin e anëtarësimit.
“Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë grup-kapitujt e negociatave në një kohë shumë të shkurtër, të fundit vetëm në nëntor. Viti i ardhshëm do të jetë momenti i tyre i së vërtetës për të përshpejtuar reformat”, tha Costa.
Deklarata u bë pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku Costa riafirmoi mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian për të ardhmen evropiane të rajonit.
Ai theksoi se zgjerimi mbetet qendror për objektivat e përbashkëta të BE-së, duke e cilësuar atë si zgjedhjen e duhur nga pikëpamja gjeopolitike, ekonomike dhe politike.
“Zgjerimi tani po ecën më shpejt se sa ka ecur në 15 vitet e fundit dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi,” u shpreh Costa, duke nënvizuar se procesi bazohet në meritë dhe se vendet që ecin më shpejt duhet të shërbejnë si shembull për të tjerët.
Në vlerësimin e tij për vendet e rajonit, Costa përmendi edhe përparimin e Malit të Zi, ku vetëm këtë javë u mbyllën me sukses pesë kapituj negociues, si dhe miratoi hapat e ndërmarrë nga Bosnja dhe Hercegovina me miratimin e Axhendës së Reformave.
Për Maqedoninë e Veriut, ai shprehu pritshmëri për përparim real në vitin 2026, ndërsa për Kosovën theksoi rëndësinë e ndërtimit të besimit mes komuniteteve dhe rolin vendimtar të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Duke iu referuar sfidave të mbetura, Costa nënvizoi se vetëm duke kapërcyer të kaluarën, Ballkani Perëndimor mund të marrë plotësisht rolin e tij si anëtar i ardhshëm i BE-së dhe të kontribuojë në një Evropë të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar.
“BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto vende janë pjesë e familjes evropiane dhe Bashkimi Evropian është vendi i tyre”, përfundoi ai, duke shprehur pritshmëritë për Samitin e radhës BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Mal të Zi në qershor 2026.
TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Në Bruksel u mbajt sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor për të riafirmuar partneriteti strategjik dhe për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e ardhshme të bashkëpunimit.
Në përfundim të samitit udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të shteteve anëtare të tij, në konsultim me partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë dalë në një deklaratë të përbashkët, ku rikonfirmohet angazhimi i plotë dhe i qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor
Deklarata e Brukselit, 17 dhjetor 2025
Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të shteteve anëtare të tij, në konsultim me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, arritëm sot në konkluzionin e mëposhtëm:
Samiti i sotëm shërben si dëshmi e themeleve të forta të marrëdhënies sonë dhe përfitimeve që ajo sjell për qytetarët tanë. Agresioni rus kundër Ukrainës dhe sfidat gjeopolitike në intensifikim nxjerrin në pah nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti është rasti më i rëndësishëm gjatë vitit për të rikonfirmuar partneritetin strategjik midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi realiste, të cilën duhet ta shfrytëzojmë.
Mirëpresim energjitë e reja dhe progresin e bërë që prej samitit të fundit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët.
Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet, siç thuhet në Deklaratën e Granadës. Urgjencat e kohës sonë kërkojnë një vrull të qëndrueshëm. Anëtarët aspirantë duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për reforma. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian duhet të intensifikojë punën në terren dhe reformat e tij të brendshme.
BE-ja mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në mbështetjen e vlerave dhe parimeve evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke u dhënë prioritet parimeve të demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe shtetit të së drejtës, si dhe pret që ata ta demonstrojnë këtë si me fjalë ashtu edhe me veprime duke marrë përsipër dhe duke zbatuar reformat e nevojshme, veçanërisht në fushat kryesore. Liria e shprehjes, media e pavarur dhe pluraliste, barazia gjinore dhe roli i fuqishëm i shoqërisë civile janë vendimtarë për të garantuar funksionimin e demokracisë. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.
Bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët dhe për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë e Bashkëpunimin me Bullgarinë. Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin në rajon, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dhe problematikat rajonale dhe dypalëshe të partnerëve të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, ku përfshihen Marrëveshja për Çështjet e Trashëgimisë, rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës.
Ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen tonë të palëkundur dhe solidaritetin me Ukrainën, pasi ajo mbron sovranitetin dhe integritetin e saj territorial kundër luftës së paprovokuar dhe të paligjshme të agresionit të Rusisë. Ne përsërisim mbështetjen tonë për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Ne do të vazhdojmë të investojmë në qasjen shumëpalëshe dhe të bashkëpunojë me partnerët për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.
Harmonizimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të BE-së, duke përfshirë futjen në fuqi dhe zbatimin e masave kufizuese të BE-së dhe parandalimin e anashkalimit të tyre, mbetet një shprehje e fortë e zgjedhjes strategjike të një partneri. Ne përgëzojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që kanë arritur tashmë harmonizimin e plotë dhe u bëjmë thirrje atyre që nuk e kanë bërë ende këtë që të ecin në të njëjtat hapa.
BE-ja mirëpret kontributet e partnerëve në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së. BE-ja vazhdon të mbështesë Ballkanin Perëndimor në trajtimin e kërcënimeve kibernetike dhe kërcënimeve të tjera hibride, manipulimit dhe ndërhyrjeve të huaja në informacion, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për të zhvilluar qëndrueshmëri, duke përfshirë Qendrën e Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor dhe Mburojën Evropiane të Demokracisë.
Ne mirëpresim partneritetet e para të sigurisë dhe mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor dhe nisjen e dialogëve të sigurisë dhe mbrojtjes. Ne mbetemi të përkushtuar për mbështetje të vazhdueshme në kuadër të Instrumentit Evropian të Paqes.
BE-ja vazhdon të jetë e përkushtuar në afrimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me BEnë që në fazën e procesit të zgjerimit. Integrimi gradual, i realizuar në mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në merita, është në proces e sipër në disa fusha të politikave, duke sjellë përfitime paraprake konkrete për qytetarët dhe duke përgatitur terrenin për anëtarësim. Duhet të merren parasysh propozime të mëtejshme për integrimin gradual, në përputhje me harmonizimin përkatëse me legjislacionin (acquis) e BE-së. Përparimet në drejtim të integrimit ekonomik duhet të ruajnë plotësisht integritetin e tregut të vetëm të BE-së dhe kushtet e barabarta.
Ne mirëpresim progresin në integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së, duke përfshirë në: – vënien në zbatim të nismave të Rrugës së Shpejtë të Tregut të Vetëm, zgjerimin e korsive të gjelbra midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe financimin e modernizimit dhe harmonizimit të kalimeve kufitare; – aderimin e suksesshëm të disa partnerëve në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) me të tjerë në rrugën e duhur për t’u bashkuar, duke ulur ndjeshëm kostot e transaksioneve bankare; – – bashkimin në nismat dixhitale ose kopjimin e tyre, të tilla si Qendrat e Inovacionit Dixhital, ËiFi4ËB dhe Portofoli i Identitetit Dixhital të BE-së; reduktimin e kostove të roaming-ut për internetin midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor që nga 1 tetori 2023, duke konfirmuar angazhimin dhe procesin e shtrirjes së zonës së BE-së “Roam like at Home” në Ballkanin Perëndimor, duke u lejuar qytetarëve të telefonojnë, dërgojnë mesazhe dhe përdorin internetin celular kudo në BE dhe rajon pa kosto shtesë.
Plani i Rritjes do të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, me kusht që partnerët të zbatojnë reformat e lidhura me BEnë. Plani i Rritjes ka potencialin të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme duke siguruar deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime. Kjo vlerë i shtohet 29 miliardë eurove që po shpërndahen përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. BE-ja bën thirrje që të shfrytëzohen maksimalisht mundësitë e jashtëzakonshme që ofron Plani i Rritjes përmes zbatimit në kohë të reformave.
BE-ja thekson se Tregu i Përbashkët Rajonal shërben si një katalizator për integrim më të thellë dhe një hap drejt Tregut të Vetëm të BE-së. BE-ja u bën thirrje partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të angazhohen plotësisht në bashkëpunimin konstruktiv për ta bërë atë realitet dhe për të zbatuar marrëveshjet e lidhura.
BE-ja mirëpret dhe do të vazhdojë të mbështesë forcimin e lidhjeve, duke përfshirë në fushën e energjisë, transportit dhe atë dixhitale, brenda rajonit dhe me BE-në. BE-ja vazhdon të mbështesë përpjekjet e vazhdueshme për të diversifikuar burimet dhe rrugët e furnizimit me energji. Kjo do të rrisë sigurinë tonë energjetike dhe do të reduktojë varësitë. BE-ja do të vazhdojë të kontribuojë në tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor.
Menaxhimi i emigracionit mbetet një sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët kryesore. Ndërsa është bërë përparim, nevojitet veprim i mëtejshëm nga partnerët e Ballkanit Perëndimor për të përafruar plotësisht politikën e tyre të vizave me BE-në, për të luftuar kontrabandimin e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për të forcuar më tej sistemet e menaxhimit të kufijve, azilit dhe pritjes dhe kthimet në vendet e origjinës.
Përpjekjet e përbashkëta duhet të vazhdojnë gjithashtu në luftën kundër korrupsionit, trafikimit të drogës dhe të gjitha formave të krimit të rëndë dhe të organizuar, si dhe në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në përputhje me Planin e ri të Përbashkët të Veprimit të nënshkruar së fundi, dhe në kuadër të lançimit të Koalicionit Evropian kundër Drogës (ECAD) për të trajtuar sfidat e lidhura me drogën.
Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të vihen në zbatim, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
Theksojmë rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërsjella në komunikimin strategjik, duke përfshirë përfitimet nga zgjerimi dhe integrimi gradual, si dhe nevojën për ndërtimin e besimit, mirëkuptimit dhe konsensusit ndërshoqëror. Ne presim që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të informojnë publikun e tyre se BE-ja mbetet partneri më i afërt i rajonit, si dhe donatori, investitori dhe partneri tregtar kryesor, si dhe të demonstrojnë angazhimin e tyre ndaj vlerave të BE-së dhe reformave përmes fjalëve dhe veprimeve.
Mbetemi në pritje të samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi në qershor 2026.
Përshëndesim pajtimin e partnerëve1 të Ballkanit Perëndimor me këtë deklaratë.
Përparimi drejt procesit të zgjerimit do të jetë tema kryesore në takimin (17.12.2025) në Bruksel, mes drejtuesve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Pas luftërave të viteve ’90, që e shkatërruan Ballkanin, Bashkimi Europian u zotua në vitin 2003 të anëtarësonte në bllok shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriutdhe Serbinë.
Kroacia iu bashkua BE-së 10 vite më vonë. Përveç Kosovës, e cila aplikoi për anëtarësim në vitin 2022, pesë vendet e tjera janë tashmë zyrtarisht shtete kandidate të Bashkimit Europian.
Më shumë se një dekadë pasi Kroacia iu bashkua BE-së, zgjerimi në Bruksel duket më afër se kurrë. Brukseli e ka bërë të qartë angazhimin për zgjerim përmes sinjaleve të qarta dhe tani pyetja nuk është më nëse do të ketë anëtarësime të reja, por cilat vende të Ballkanit Perëndimor janë gati për të ecur përpara dhe cilat do të mbeten pas.
Mali i Zi, shteti më i vogël nga të pestat vende kandidate të rajonit, konsiderohet gjerësisht si kryesuesi i procesit të anëtarësimit, me Shqipërinë që e ndjek ngushtësisht nga pas.
Sipas Komisioneres për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, Mali i Zi mundet që teknikisht të përmbushë negociatat deri në fundin e vitit 2026, ndërsa Shqipëria një vit më pas.
“Pastaj na nevojiten 1-1.5 vite për të kaluar nëpër procesin e ratifikimit. Pra, jam vërtet optimiste se edhe gjatë mandatit tim, i cili përfundon në fund të vitit 2029, Bashkimi Europian mund të ketë të paktën dy anëtarë të rinj” – tha së fundi Kos në një intervistë për DË.
Në Serbi, e cila është ekonomikisht kandidatja më e fortë në rajon, vrulli për reforma është zbehur dukshëm. Si kundërpërgjigje, presidenti Aleksandar Vuçiqsugjeroi javën e kaluar, përpara se të udhëtonte për në Bruksel për një takim mbi progresin e Serbisë në BE, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së njëkohësisht.
Por a është ky një skenar i zbatueshëm dhe a do të ishte i pranueshëm për fqinjët e Serbisë dhe BE-në?
Mali i Zi udhëheq listën
Procesi i zgjerimit të BE-së për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë i ngadaltë për disa arsye.
Nga njëra anë, Ballkani Perëndimor përballet ende me çështje dypalëshe të pazgjidhura, mangësi në sundimin e ligjit dhe nivele të larta korrupsioni. Nga ana tjetër, ka pasur ngurrim dhe “lodhje nga zgjerimi” nga ana e shteteve anëtare të BE-së.
Pas shumë vitesh me “kapërcime pengesash”, Mali i Zi përmirësoi reformat kyçe dy vite më parë dhe krijoi një konsensus të gjerë politik mbi anëtarësimin në BE. Si Podgorica, ashtu edhe Brukseli, tani synojnë ta përfundojnë procesin e anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur.
Së fundi, Mali i Zi shënjoi një moment domethënës, duke mbyllur pesë kapituj pranimi, të cilët janë parakusht për t’u bashkuar me BE-në. Megjithatë, vendit i duhet ende të përmbushë kriteret për dhënien e dënimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, emërimin e zyrtarëve gjyqësorë në nivele të qenësishme dhe plotësimin e pozicioneve të lira drejtuese në institucionet më të rëndësishme.
Kritikët vendas argumentojnë se reformat janë të nxituara dhe pa përmbajtje.
“Askush nuk mund të pretendojë seriozisht se sistemi mund të ndryshohet nga themelet brenda pak vitesh” – tha ministrja malazeze për Integrimin Europian, Maida Gorcevic.
“Kritika është legjitime nëse përshpejton reformat, por është e rëndësishme të theksohet se progresi sot matet me tregues të qartë europianë, jo me përshtypje politike, dhe progresi i Malit të Zi konfirmohet objektivisht nga institucionet e BE-së” – tha ajo për DË.
Përparimi i Shqipërisë
Ndërkohë, Shqipëria ka përshpejtuar gjithashtu ritmin e reformave. Ndërsa Komisioni Europian vë në dukje përparimet në reformën gjyqësore, ai ka theksuar nevojën për përpjekje të mëtejshme për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit.
Por, siç thekson analisti politik Florian Bieber, rezultati nuk është aspak i sigurt dhe duhen ende reforma të qëndrueshme.
“Shqipëria po bën shumë reforma, të paktën formale, por në kontekstin kur ke një udhëheqës shumë të fortë si Edi Rama, sigurisht që ka mangësi demokratike shumë serioze. Pra, ka disa rezerva, dhe është e paqartë nëse Shqipëria do të jetë në gjendje ta mbyllë atë boshllëk dhe të jetë vërtet gati në të njëjtën kohë me Malin e Zi” – i tha ai DË.
Pse dëshiron të zgjerohet BE-ja?
Për Bashkimin Europian, zgjerimi është çështje gjeostrategjike dhe besueshmërie.
Sipas një raporti të Qendrës Europiane të Politikave, “integrimi i Malit të Zi do të ishte një mënyrë me rrezik të ulët dhe ndikim të lartë, për të treguar se BE-ja mund t’i përmbushë premtimet, duke përforcuar besimin tek udhëheqja e tij në kohëra pasigurie gjeopolitike”.
“Po paguajmë çmimin e mosanëtarësimit të këtyre vendeve, kur ato donin të bashkoheshin për herë të parë, duke pasur një rajon të paqëndrueshëm” – i tha DË-së Komisionerja Kos.
Por zgjerimi i BE-së shihet gjithashtu si një investim gjeostrategjik në sigurinë dhe përparimin e Europës, thotë Tinatin Akhvlediani, studiese në Njësinë e Politikës së Jashtme të BE-së, pranë Qendrës për Studime të Politikave Europiane.
“Nëse Unioni nuk i pranon këto shtete, atëherë fuqi të tjera mund të ndërhyjnë dhe ta shfrytëzojnë rajonin, duke e përdorur atë si levë kundër Bashkimit Europian, përfshirë Rusinë dhe Kinën” – tha Akhvlediani për DË.
Çfarë mendohet rreth propozimit serb?
Pra, nëse ritmi i progresit drejt anëtarësimit në BE është kaq i ndryshëm në të gjithë rajonin, ku e pozicionin kjo Aleksandar Vuçiqin dhe propozimin e tij, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen Bllokut njëkohësisht?
Shumë analistë e interpretojnë propozimin si përpjekje për të ngadalësuar të gjithë procesin e integrimit.
Brenda Komisionit Europian, duket se ka “pak oreks” për këtë ide.
“Anëtarësimi është proces i bazuar në meritokraci. Çdo kandidat duhet të anëtarësohet kur të jetë gati dhe të përmbushë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Traktatet e BE-së, duke përfshirë kriteret e Kopenhagës. Nuk ka afate kohore të paracaktuara. Procesi drejtohet nga kryerja e reformave dhe të vërtetojë rezultate të qëndrueshme” – i tha DË-së një zëdhënës i Komisionit Europian.
Secili shtet harton linjën e tij
Si Tinatin Akhvlediani, ashtu edhe Florian Bieber, theksojnë se procesi i zgjerimit ka ndjekur gjithmonë “parimin e Regattës”, që do të thotë se shtetet që kërkojnë të anëtarësohen, hartojnë linjën e tyre dhe integrimi varet nga meritat, reformat dhe përmbushja e kritereve teknike të tyre.
Megjithatë, Bieber vëren se ideja e pranimit në të njëjtën kohë ka disa përparësi.
“Do të shmangte krijimin e kufijve të jashtëm të BE-së midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të parandalonte importimin e çështjeve dypalëshe në Bashkimin Europian”- thotë ai.
“Megjithatë,” shton Bieber, “ka mangësi serioze, sepse ritmi i anëtarit më të ngadaltë – ose kandidatit, më saktë – do të diktonte shpejtësinë për të gjithë. Pra, nëse Mali i Zi është gati të bashkohet me Bashkimin Europian në vitet e ardhshme, kjo mund të vonohet nga vende si Bosnjë-Hercegovina ose Kosova, gjë që mund të zgjasë edhe 10 vjet.”
Mali i Zi nuk është i gatshëm të presë
Zyra e kryeministrit shqiptar nuk kishte asnjë koment mbi propozimin e Vuçiqit, deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.
Megjithatë, Mali i Zi reagoi menjëherë, duke e bërë të qartë se dëshiron të ecë përpara.
“Mali i Zi nuk dëshiron të presë askënd, as nuk pret që dikush të na presë ne” – tha ministrja Gorçeviç. “Ne jemi liderë në këtë proces dhe duam të anëtarësohemi në Bashkimin Europian kur rezultatet tona të tregojnë se jemi gati dhe e meritojmë anëtarësimin”.
Në orët e vona të së martës (16.12.2025), u njoftua se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin e së mërkurës në Bruksel.
Vuçiç e njoftoi vetë vendimin, duke thënë se po vepron për të mbrojtur interesat e Serbisë dhe duke shtuar se e mori vendimin “në mënyrë që askush tjetër të mos fajësohej dhe qeveria të mos i nënshtrohej asnjë presioni”./DW
TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Në vijim të agjendës së tij në Bruksel, në kuadër të Samitit BE- Ballkani Perëndimor, Kryeministri Edi Rama mbërriti në Europa Building, ku u prit sot nga Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Europian dhe António Costa President i Këshillit Europian
Kryeministri Rama ndodhet në Bruksel, për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve më të lartë të BE.
Në nisje të agjendës, Kryeministri Edi Rama u prit në një takim nga Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa.
Kryeministri zhvilloi edhe një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e jashtme, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian Kaja Kallas.
Kryeministri Rama do të marrë pjesë në seancën plenare “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual, përfshirë “Roam like at home”, si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.” – të drejtuar nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, me pjesëmarrjen e Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë Kaja Kallas, si dhe Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola.
Samiti synon të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Përparimi drejt procesit të zgjerimit do të jetë tema kryesore në takimin (17.12.2025) në Bruksel, mes drejtuesve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Pas luftërave të viteve ’90, që e shkatërruan Ballkanin, Bashkimi Europian u zotua në vitin 2003 të anëtarësonte në bllok shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e […]
PRISHTINË, 17 dhjetor/ATSH/ Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 18 dhe 19 dhjetor me një detyrë të vetme: sigurimi i fondeve për Ukrainën për dy vjetët e ardhshëm.
Me më shumë shtete, përfshirë Bullgarinë, Maltën dhe Italinë, që po rreshtohen me Brukselin për vënien në pikëpyetje për realizueshmërinë e një kredie për Kievin për reparacione si metodë e preferuar, shumica e përpjekjeve diplomatike këtë javë do të përqendrohen në tentimin për të zgjidhur këtë çështje.
Por, një ditë para takimit, më 17 dhjetor, kryeqendra e BE-së është mikpritëse e një samiti tjetër që krejtësisht është lënë në hije nga zhvillimet që lidhen me Ukrainën: udhëheqësit e gjashtë vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) takohen me homologët e tyre të BE-së në Bruksel.
Kosova, në këtë samit, përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Samiti vjetor BE-Ballkani Perëndimor është bërë një lloj formaliteti viteve të fundit, me pak ose aspak rezultate konkrete, dhe ky takim nuk përbën përjashtim.
Draft-deklarata e samitit, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, dokument që do të miratohet nga udhëheqësit e BE-së, pohon se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bllokun tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”.
Në realitet, shumica e gjashtë shteteve janë të bllokuar në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, dhe vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në bllok. Por, përgatitjet për samitin dhe lëvizjet politike ofrojnë një shembull të qartë se edhe ky përparim është i brishtë.
Gjatë vjeshtës, ideja ishte që Mali i Zi do të mbyllte pesë kapituj politikë – një hap i madh për Podgoricën. Kjo ndodhi më 16 dhjetor dhe shteti tani ka mbyllur 12 nga 33 kapituj gjithsej.
Draft-konkluzat, të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë, thonë se deri javën e kaluar Parisi ka kërkuar që të mbylleshin vetëm tre kapituj. Më pas, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kishte biseduar përmes telefonit me homologun francez, Emmanuel Macron, për këtë çështje dhe arriti ta binte që të pajtohej për mbylljen e pesë kapitujve.
Problemi që kishte Franca nuk kishte të bënte me të vërtetë me Malin e Zi, por më shumë me Serbinë, një aleate e ngushtë politike e Francës, e cila nuk do të hapë asnjë kapitull të anëtarësimit. Beogradi ka ngecur në rrugën evropiane që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 2022, me disa shtete të tjera anëtare të BE-së që nuk janë të kënaqura që shteti nuk po rreshtohet me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe se ka bërë përparim të pamjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit.
Duke qenë se hapja dhe mbyllja e kapitujve kërkon konsensus të 27 shteteve anëtare, Franca po e përdor një taktikë që është e zakonshme në Bruksel, atë të lidhjes së përparimit të shtetit kandidat (ose mungesës së përparimit) me të një shteti kandidat tjetër.
Përderisa Franca u tërhoq nga Mali i Zi, ajo mori atë që donte sa i përket Kosovës. BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës më 2023, përfshirë ngrirja e qindra milionave eurove, pasi Kosova njohu rezultatet e zgjedhjeve lokale në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.
Përderisa ekziston një pajtim i gjerë se Kosova ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për të shtensionuar situatën dhe masat duhet të hiqen gradualisht, Franca ka udhëhequr përpjekjet për të ngadalësuar këtë proces.
Nga Presidenca e Kosovës thanë se gjatë samitit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime me udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe liderët pjesëmarrës dhe tema kyç do të jenë masat.
“Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, tha Presidenca e Kosovës.
I mbështetur nga Hungaria, Italia, Spanja dhe Sllovakia, Parisi është siguruar që asnjë masë të mos hiqet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 28 dhjetor. Këto shtete kanë qenë po ashtu instrumentale që Serbia të shmangë sanksionet e BE-së dy vjet më parë, pasi militantët serbë, që dyshohet se janë mbështetur nga Beogradi, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic.
Në draft-deklaratën, të cilën e ka parë REL-i, përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Brukseli. Aty thuhet se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.
“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, veçmas Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj. Mbështetja nën Reformën për Ballkanin Perëndimor dhe Rritjen është e kushtëzuar me angazhimin konstruktiv të partnerëve dhe përparimin e matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e raporteve të tyre”, thuhet në dokument.
Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel. Marrëveshja që përmendet në draft-deklaratë është arritur më 2023, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë. BE-ja e vlerëson se marrëveshja është e detyrueshme për Beogradin dhe Prishtinën dhe vazhdimisht kërkon zbatimin e saj dhe të aneksit.
Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Në draft-deklaratë përmendet edhe Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në këmbim të zbatimit të reformave që lidhen me bllokun. Ky plan, sipas BE-së, ka potencial që të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon në dekadën e ardhme, pasi vendet do të marrin këtë shumë parash për reforma dhe investime.
“Kjo shumë është shtesë e 29 miliardë eurove që po zbatohen përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. BE-ja bën thirrje për shfrytëzim maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes përmes zbatimit me kohë të reformave”, thuhet në draft-deklaratë.
Përtej çështjes së zgjerimit, nuk ka shumë pika të tjera ku BE-ja mund t’i shtyjë përpara në Ballkanin Perëndimor vitin e ardhshëm, përveç integrimit gradual në tregun e BE-së në disa fusha.
Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia gjatë këtij viti iu bashkuan Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që thjeshton dhe redukton transferet bankare në euro. Ideja është që edhe dy shtetet e tjera, Kosova dhe Bosnja, të bashkohen së shpejti.
Ngjashëm, qëllimi i Brukselit për vitin 2026 është që të përfshijë të gjithë rajonin në regjimin e tij të telefonisë mobile, që do t’iu mundësojë qytetarëve nga gjashtë republikat të thërrasin, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin duke përdorur tarifat e brendshme të telefonisë të BE-së.
Ky do të ishte një hap drejt uljes së tarifave të roamingut mes BE-së dhe shteteve kandidate në Ballkanin Perëndimor, që hynë në fuqi më 2023. Ky hap do të pasonte Moldavinë dhe Ukrainën, të cilat do t’i bashkohen zonës së roamingut të BE-së më 1 janar. /rel/
BRUKSEL, 17 dhjetor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen sot në mbrëmje me homologët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndërsa mblidhen në Bruksel për një samit që do të përfshijë bisedime të rëndësishme mbi financimin për Ukrainën.
Udhëheqësit nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të jenë në Bruksel për bisedime.
BE synon të krijojë lidhje më të ngushta me të gjashtë vendet dhe t’i nxisë ato të ndërmarrin reforma të mëtejshme, duke çuar përfundimisht në pranimin e tyre në BE.
Kandidati kryesor për t’u bashkuar me bllokun është Mali i Zi, i cili, sipas një analize të kohëve të fundit nga Komisioni Evropian, është më i përparuari në procesin e anëtarësimit dhe pritet të përfundojë negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2026 nëse ruan ritmin aktual të reformave.
“Shqipëria mund të jetë gati të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027”, tha komisioni.
Duke iu referuar çështjeve të brendshme, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë nëse asetet e bankës qendrore ruse të ngrira në bllok – mund t’i vihen në dispozicion Ukrainës si kredi dëmshpërblimi.
Negociatat për kredinë mund të vazhdojnë deri të premten, pasi Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e aseteve prej rreth 210 miliardë eurosh (247,4 miliardë dollarë), e ka kundërshtuar planin.
Gjatë samitit, vendet e BE-së mund të arrijnë gjithashtu një pakt për të nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me katër vendet e “Mercosur” të Amerikës Latine: Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain. //a.i/
TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë sot në samitin BE-Ballkani Perëndimor, cili do të zhvillohet në Bruksel në datat 16-17 dhjetor, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve më të lartë të BE.
Kryeministri Rama u prit në Europa Building së bashku me kryesuesit e tjerë të delegacioneve për të marrë pjesë ditën e sotme në seancën plenare: “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual, përfshirë “Roam like at home”, si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” – të drejtuar nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
Në këtë takim marrin pjesë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Kaja Kallas, si dhe Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
Samiti synon të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa, Bashkimi Europian do të riafirmojë angazhimin e plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor, si dhe përparimin e arritur në procesin e zgjerimit, të reflektuar në raportin më të fundit të Komisionit.
Në fund të samitit do të publikohet deklarata e samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 18 dhe 19 dhjetor me një detyrë të vetme: sigurimi i fondeve për Ukrainën për dy vjetët e ardhshëm. Me më shumë shtete, përfshirë Bullgarinë, Maltën dhe Italinë, që po rreshtohen me Brukselin për vënien në pikëpyetje për realizueshmërinë e një kredie për Kievin për reparacione si […]
Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian miraton të martën konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit të bllokut evropian, ndërsa në pjesën për Kosovën, vendit i bëhet thirrje që ta përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave.
Ndër kërkesat tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Evropa e Lirë.
Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.
Në raportin me draft-konkluza që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, përmendet se nevoja për reforma vërehet më së shumti në forcim të administratës publike dhe sundim të ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirive themelore, sidomos lirinë e shprehjes, sektor në të cilin nuk është shënuar përparim.
Përparim thuhet të ketë pasur në luftën kundër krimit të organizuar.
Kosova lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit dhe më pas ato lokale më vonë gjatë vitit, marrë parasysh pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në to.
Lidhur me këtë, në draftin e konkluzave përmendet që marrë parasysh transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Këshilli përsërit dhe pret heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që kanë mbetur.
Bashkimi Evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Blloku evropian ka nisur heqjen graduale të tyre, por zyrtarët në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë, meqë të gjitha kërkesat për heqjen e tyre tashmë janë plotësuar.
Në mesin e tyre situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.
Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, ka marrë vesh nga burimet e tij se për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel javën e kaluar dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.
Por, duket se përparim në këtë drejtim nuk do të ketë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.
Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara - GAP, masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.
Në raport, BE-ja përmend se procesi i zgjerimit ka rëndësi gjeostrategjike dhe është proces që kontribuon në paqen evropiane, sigurinë dhe stabilitetin e shekullit 21.
Këshilli u bën thirrje të gjithë partnerëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe këtë momentum për t’i marrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar përparimin në rrugën drejt BE-së.
Përveç përgatitjeve të nevojshme nga ana e vendeve kandidate, në raport përmendet edhe nevoja e përgatitjeve të vetë bllokut për të akomoduar anëtarë të rinj.
Sa u përket vendeve të Ballkanit, përmendet rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal.
“Këshilli inkurajon fuqishëm partnerët që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet bilaterale dhe çështjet që datojnë prej së kaluarës, në linjë me ligjin ndërkombëtar”, përmendet mes tjerash në raport.
Pritjet për dialogun Kosovë – Serbi
Në raportin me draft-konkluza, Këshilli përmend mbështetjen e plotë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Aty përmendet që të dyja palët mund të humbin mundësi të mëdha në mungesë të përparimit në normalizim.
Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel prej vitit 2011, i kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
“Përparimi në rrugët e tyre respektive evropiane varet nga përpjekjet për t'i zbatuar plotësisht të gjitha zotimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim e vitit 2023 dhe të gjitha marrëveshjet tjera, pa vonesa dhe parakushte”.
Mes tjerash përmendet edhe nevoja që Kosova të zbatojë marrëveshjen për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe të veprojë në përputhje me zotimet për “një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë" në përputhje me Nenin 7, siç e parasheh Marrëveshja për normalizim dhe aneksi i saj.
Pritje ka që edhe çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia, përfshirë ato të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe edukimit, të zgjidhen në përputhje me zotimet e dialogut dhe të punohet në riintegrim të serbëve të Kosovës, nisur prej pjesëmarrjes së tyre në të gjitha nivelet institucionale.
Në njërën pikë të draft-konkluzave, në pjesën për Kosovën, vendi duartrokitet që është në linjë me politikën e Jashtme të BE-së, duke dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ballkani Perëndimor vijon të mbetet në pozicion kritik, pavarësisht reformave dhe progresit që po ndërmerren në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Instituti gjerman, “Aspen”, i cili në qendër të punës së tij ka edhe mbështetjen ndaj vendeve të rajonit ballkanik në rrugën drejt BE-së, theksoi një sërë sfidash në raportin më të fundit: “Ndryshimi strukturor në Ballkanin…
Ballkani Perëndimor vijon të mbetet në pozicion kritik, pavarësisht reformave dhe progresit që po ndërmerren në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Instituti gjerman, “Aspen”, i cili në qendër të punës së tij ka edhe mbështetjen ndaj vendeve të rajonit ballkanik në rrugën drejt BE-së, theksoi një sërë sfidash në raportin më të […]
Dikur pjesë e vizionit strategjik të SHBA-së, sot Kosova gati se nuk figuron në Strategjinë e saj Kombëtare. Prioritetet e Uashingtonit kanë ndryshuar, dhe Kosova nuk e ka kapitalizuar periudhën e qetësisë, duke mbetur e cenueshme.
Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë e presidentit Donald Trump publikoi Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare - një dokument që çdo administratë amerikane nxjerr për të shpjeguar prioritetet e saj në politikën e jashtme.
Strategjia, që mban firmën e presidentit, thekson se “ditët kur Shtetet e Bashkuara mbështesnin tërë rendin botëror si Atlasi, kanë mbaruar”, se “çështjet e vendeve të tjera janë shqetësim i SHBA-së vetëm nëse aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane” dhe se “Shtetet e Bashkuara do të riafirmojnë dhe zbatojnë Doktrinën Monroe për të rikthyer primatin amerikan në Hemisferën Perëndimore”.
Dokumenti prej 33 faqesh, po ashtu, bën thirrje për “kultivimin e rezistencës” në Evropë, duke paralajmëruar se kontinenti po nënvlerëson demokracinë, po bllokon paqen në Ukrainë dhe po përballet me “shuarje të civilizimit”, për shkak të migracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.
Ai fajëson edhe zyrtarët evropianë për pengimin e përpjekjeve të SHBA-së për të ndalur luftën në Ukrainë dhe akuzon qeveritë se injorojnë një “shumicë të madhe evropiane” që dëshiron paqe.
Kosova përmendet vetëm në kapitullin e “parimeve”, si një nga sukseset e presidentit Trump në arritjen e paqes mes saj dhe Serbisë.
Evropianët e pritën me shqetësim këtë strategji - “themelet e partneritetit kërkojnë respekt të ndërsjellë, veçanërisht në momentet e divergjencës politike”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Në vlerësimin e Olivia Enos, nga Instituti Hudson, strategjia pranon hapur se Amerika nuk mund të merret me gjithçka, lë jashtë disa rajone dhe probleme, dhe rendit qartë prioritetet, duke filluar me Hemisferën Perëndimore, pastaj Azinë, Evropën dhe në fund Lindjen e Mesme.
Kjo zgjedhje, sipas saj, është e diskutueshme për ata që duan një politikë të jashtme më të qëndrueshme, por është e qëllimshme.
“Unë e kam lexuar si renditje të prioriteteve. Të tjerët mund të mos pajtohen, por për mua mesazhi është i qartë: kjo është hemisfera jonë, prandaj kjo ka rëndësinë më të madhe për ne. Ne do të sigurohemi që kufiri ynë të jetë i sigurt. Ky është prioriteti kryesor”, thotë Enos për Radion Evropa e Lirë.
Për kritikët, strategjia është e ngarkuar ideologjikisht.
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se ajo ndan vlerat nga interesat, bie ndesh me politikat tjera amerikane dhe favorizon të djathtën radikale në Evropë, në kundërshtim me vetë qëllimet strategjike të SHBA-së.
Mospërfshirja e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi në strategji, sipas Friedit, reflekton si uljen e urgjencës së krizës atje, ashtu edhe pritshmërinë që Evropa të marrë rolin kryesor.
Ai shton se, me tonin ideologjik të strategjisë së re, ndoshta është edhe “më mirë” për Kosovën që të mos përmendet fare.
“Strategjia mund ta kishte shpërfillur lehtësisht Ballkanin si çështje të Evropës dhe jo të SHBA-së. E, madje, mund ta kishte kritikuar edhe fokusin tonë të mëparshëm në Ballkan... se pse jemi përfshirë për shtetndërtimin e Kosovës apo për çështjet e të drejtave të njeriut, që na kanë çuar në konflikt ushtarak”, thotë Fried për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Megjithatë, sipas tij, konfuzioni është i dukshëm edhe në vetë kryeqytetin e vendimmarrjes botërore - në Uashington.
Kongresi atje po shtyn përpara Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili bie ndesh me Strategjinë Kombëtare.
Ai synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë dhe të rrisë vëmendjen ndaj bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.
Ligji garanton 76.000 trupa amerikane në Evropë, ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve dhe vazhdon mbështetjen për vendet baltike, për të frenuar Rusinë.
Në pjesën për Ballkanin Perëndimor thuhet, mes tjerash, se “është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të këtij rajoni që ato të kenë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.
Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e vlerëson si “hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve” dhe thekson se ato duhet të përpiqen të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e saj.
“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë bazuar në njohjen reciproke”, thuhet, po ashtu, në atë dokument.
Fried thotë se gjuha në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare është “krejtësisht e kundërta” me atë të strategjisë.
“Ajo vendos kufij mbi aftësinë e administratës për të tërhequr trupat nga Evropa. Ky është edhe një dokument republikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e ka mbështetur atë”, thotë Fried.
Për shkak të këtyre kontradiktave, siç i quan, Fried sheh edhe “një shpresë relative” - se SHBA-ja nuk është aq e vendosur të tërhiqet nga Evropa sa mund të sugjerojë strategjia.
Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimime presidetin Trump në shtator, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.
Gjatë këtij viti, Trump e ka përmendur disa herë Kosovën, kryesisht për të theksuar rolin e tij si ndërmjetës që ka ndalur konfliktin mes saj dhe Serbisë.
Për ish-diplomatin austriak, Wolfgang Petritsch, epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së - ajo që u ndërtua pas vitit 1945 - ka marrë fund.
Në Ballkan, thotë ai, roli i SHBA-së po tkurret si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik. Rajoni shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane dhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht Kosova, e cila nuk është as anëtare e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtaten me këtë realitet.
“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie - pasigurie të plotë - e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova, paraqet sfidë edhe më të madhe sesa për ato që tashmë janë në Bashkimin Evropian dhe që mund të përpiqen të veprojnë bashkë brenda BE-së”, thotë Petritsch për Exposenë.
Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor vetëm se SHBA-ja mund të ulë nivelin e angazhimit të saj. Ai thekson se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në pragun e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.
Kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element kyç i sigurisë, por pesha e tij në të ardhmen, thotë Petritsch, do të varet ndjeshëm nga marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Fried, në anën tjetër, është më paralajmërues: sipas tij, rajoni do të bëhej më i cenueshëm nëse Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë praninë dhe angazhimin e tyre.
Ai vlerëson se Rusia dhe Kina do ta shfrytëzonin një boshllëk të tillë amerikan në mënyra të ndryshme, por plotësuese.
“Kina do të përpiqet të blejë infrastrukturën dhe nyjet kyçe, për të fituar kontroll mbi më shumë sektorë të ekonomisë. Rusia do të përpiqet t’i përdorë disa vende si agjentë, për të shfrytëzuar dobësitë e tyre dhe për të krijuar kaos sa herë të mundet. Në secilin rast, të dyja vendet do ta shohin Ballkanin si një fushë për realizimin e ambicieve të tyre më të gjera”, thotë Fried.
Një anketë e kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan gjatë periudhës maj-korrik të këtij viti tregon se udhëheqësit e dy fuqive të mëdha gëzojnë mbështetje të konsiderueshme në disa vende të Ballkanit.
Në Serbi, për shembull, 50 për qind e të anketuarve kanë një opinion “shumë të favorshëm” për Vladimir Putinin e Rusisë, ndërsa 38 për qind e kanë të njëjtin opinion për Xi Jinpingun e Kinës.
Në Kosovë, vetëm 7 për qind e të anketuarve shprehin opinion “shumë të favorshëm” për Putinin dhe 6 për qind për Xinë. E, për Trumpin kjo përqindje arrin në 52.
Fried thotë se Evropa, veçanërisht BE-ja, duhet ta marrë udhëheqjen në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, sepse e ardhmja më e qëndrueshme e rajonit është brenda BE-së.
Ai nënvizon se BE-ja duhet ta ketë fuqinë për të frenuar elementet agresive në Beograd, që veprojnë për nxitjen e konflikteve të reja në Kosovë ose për ta mbajtur Bosnjën të ndarë përgjithmonë.
Sipas tij, kur Evropa ta marrë plotësisht këtë përgjegjësi, hapësira për Rusinë dhe aktorët e tjerë destabilizues për të luajtur lojëra në Ballkan, do të zvogëlohet ndjeshëm.
“Evropa duhet ta marrë udhëheqjen tani. Kur ka dështuar, SHBA-ja është detyruar të ndërhyjë. E kuptoj këtë, por problemi real i takon Evropës, sepse e ardhmja më e mirë e këtyre vendeve është brenda Evropës - nëse duan të arrijnë potencialin që meritojnë”, thotë Fried.
Bashkimi Evropian konfirmon vazhdimisht angazhimin e tij për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel. Prej vendeve të rajonit, vetëm Kosova nuk është ende kandidate për anëtarësim.
Petritsch thotë se Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për marrëdhënie profesionale dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por ajo duhet t’i përshtasë pritjet dhe të shmangë supozimin se SHBA-ja do t’i “rregullojë” problemet rajonale si në fund të viteve 1990.
Sipas tij, siguria dhe progresi i Kosovës do të varen shumë më tepër nga integrimi evropian, stabiliteti politik i brendshëm dhe arritja e kompromisit të vërtetë me pakicat.
“Kompromisi është thelbi i demokracisë. Mendoj se ideja për të gjetur një kompromis pozitiv, nuk është ende e fortë në Kosovë. Por, tani kohët po ndryshojnë. Evropa është partneri më i rëndësishëm dhe më relevant për ndërtimin e shtetit dhe për zhvillimin ekonomik dhe politik. Ajo duhet të bëhet tani një fokus i ri dhe serioz për Prishtinën”, thotë Petritsch.
Fried thekson rëndësinë që Kosova të jetë një shtet demokratik dhe jo një projekt nacionalist, që pasqyron pjesën më të keqe të së kaluarës së Serbisë.
“Unë kam qenë pjesë e vendimit të SHBA-së për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, dhe ky ishte vendim i duhur. Flamuri i Kosovës është i shkëlqyer: nuk përfaqëson një komb të vetëm, por të gjithë banorët e vendit, dhe është i modeluar sipas flamurit të BE-së. Ai simbolizon qartë të ardhmen e Kosovës në Evropë për të gjithë qytetarët e saj. Marrëveshja jonë me Kosovën ishte: ne do të mbështesim pavarësinë, por ju duhet të punoni për një Kosovë demokratike, jo nacionaliste. Ne nuk duam një version të vogël të Serbisë së Millosheviqit”, përfundon Fried.
Kjo lë të kuptohet se në një rajon ku koha e pritjes së garancive të jashtme po mbaron, testi i vërtetë për Kosovën është gatishmëria për të zbatuar të drejtat e premtuara për qytetarët serbë dhe për të treguar se kompromisi demokratik, jo përplasja e vazhdueshme, është rruga drejt sigurisë dhe mbështetjes më të madhe evropiane. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të mbetet peng i vetes, duke u dhënë të drejtë skeptikëve. /REL/
Nga Ilir Kalemaj Javën që shkoi, një nga çështjet kryesore që u bë lajm mbarëbotëror krahas zhvillimeve në teatrin e luftës Rusi-Ukrainë, apo zhvillimeve të fundit të Marinës amerikane që duken se kanë rrethuar strategjikisht Maduron dhe regjimin e tij, ishte strategjia e re amerikane e sigurisë. Interesante ishte përpos ridimensionimit të raporteve SHBA-BE dhe […]