Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 January 2026Main stream

Shtyhet më 22 janar seanca për dosjen ‘Meta’, ish-presidenti dhe Kryemadhi në sallë

12 January 2026 at 15:25

Gazeta Si – Pas rreth 30 minutash seancë, GJKKO vendosi të shtyjë më 22 janar seancën paraprake të dosjes në ngarkim të ish-presidentit të vendit, Ilir Meta dhe të pandehurve të tjerë, ku pritej të vendosej nëse çështja do të kalonte ose jo për gjykim.

Meta ndodhej i pranishëm në sallë i shoqëruar nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, ndërsa në GJKKO u paraqit edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila u pa duke u futur në institucionin e drejtësisë e buzëqeshur para mediave, por nuk u prononcua.

Mësohet se SPAK ka kërkuar që çështja të kalojë për gjykim duke pretenduar se ka prova të forta. Meta kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë, ndërsa mbrojtja e tij ligjore argumenton se ka përfunduar afati i paraburgimit.

SPAK më 28 korrik mbylli hetimet për Metën, Kryemadhin dhe 3 të pandehurit e tjerë, ku dosja ndaj tyre përmban tre hetime, një në aferën “CEZ-DIA”, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Për Metën dhe Kryemadhin akuzat janë të njëjtat: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është nën masën e “detyrimit për paraqitje”.

Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut. Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.

The post Shtyhet më 22 janar seanca për dosjen ‘Meta’, ish-presidenti dhe Kryemadhi në sallë appeared first on Gazeta Si.

‘Partizani’, mbrojtja e Berishës kërkon dëshminë e Ramës: SPAK, nën ndikim politik

12 January 2026 at 12:59

Gazeta Si – Avokatët e kreut të PD, Sali Berisha, kanë kundërshtuar gjatë seancës së kësaj të hëne në GJKKO pretendimet e SPAK, për akuzën e korrupsionit të ngritur ndaj ish-kryeministrit për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Një prej avvokatëve të kryedemokratit, Genc Gjokutaj, ka kërkuar që Gjykata e Posaçme të thërrasë si dëshmitar edhe kryeministrin Edi Rama, i cili gjatë kohës kur pretendohet se është kryer vepra penale e Berishës, ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Sipas avokatëve, SPAK nuk ka dhënë asnjë sqarim se në cilin fragment të dosjes ka ndonjë shkelje të Berishës. Në argumentet e tyre, mbrojta e Berishës u bazua në 3 shtylla.

Së pari, mbrojtja thotë se SPAK është në tejkalim kompetencash, ku nuk mund të vlerësojë bazën ligjore, VKM apo politikat që ndjek një qeveri. “Këtë e bën vetëm Gjykata Kushtetuese”.

Së dyti, ka mungesë të faktit penal. “SPAK nuk ka arritur të identifikojë në kërkesën për gjykim veprimet konkrete te Berishës përmes të cilave ka shkelur ligjin. Sot SPAK e akuzon Berishën për një veprimtari të tërë administrative, kur do të duhet të ndante veprime konkrete. Të tregonte para gjykatës pasojën që kanë sjellë këto veprime. Aktet që përmend Prokuroria nuk kanë karakter individual, por të përgjithshëm”.

Sipas mbrojtjes, “në kërkesën e vet, SPAK ka gjetur fajtorin dhe më pas fajin që është kryer. SPAK nuk ka sjellë asnjë provë që Berisha ka rënë me një marrëveshje paraprake për privatizimin dhe më pas e ka kryer përmes akteve ligjore dhe nënligjore që në përfundim të merrte ryshfetin përmes dhëndrit të tij. Asnjë dëshmitar nuk e thotë këtë dhe asnjë provë tjetër. SPAK e provon këtë marrëveshje me deduksion”.

Së treti, mbrojtja pretendon se ndjekja penale ka qenë e ndikuar politikisht. Argumentet mbështeten në deklarata të kryeministrit Edi Rama, ish-ambasadores Yuri Kim dhe një ish-zyrtari amerikan.

Avokatët theksojnë se Rama i ka bërë thirrje SPAK të hetonte çështjen dhe ka dhënë udhëzime se si të kryhej hetimi, ndërsa shumica parlamentare ka bërë një kallëzim që është vlerësuar jashtë afateve ligjore dhe nuk është hetuar.

Avokati Genc Gjokutaj ka lexuar kërkesën për provat shkresore, duke theksuar se provat materiale të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme nuk implikojnë Berishën.

Mbrojtja kërkon të merren si dëshmitarë të gjithë të pyeturit nga prokuroria, përfshirë kryeministrin Edi Rama për vendimet ligjore mbi ndryshimin e destinacionit të pronës, si dhe një ish-oficer që sipas mbrojtjes është aktivist i Partisë Socialiste.

Avokatët kërkojnë gjithashtu paraqitjen e DVD-së së fjalimit të Ramës në Asamblenë e PS-së, për të vërtetuar ndikimin politik në këtë çështje.

Dosja për aferën “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.

The post ‘Partizani’, mbrojtja e Berishës kërkon dëshminë e Ramës: SPAK, nën ndikim politik appeared first on Gazeta Si.

Gjyqi ndaj Dervishajt për atentatin ndaj Ndojës, Ramazan Rraja: Nuk i kam borxh askujt

12 January 2026 at 12:37

Gazeta Si – Mes personave që dhanë pretendimet e tyre për atentatin në nëntor 2019 në Shkozet të Durrësit, ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i vdekur shoferi i këtij të fundit, Andi Maloku, ishte edhe Ramazan Rraja, i dënuar me 6 vjet burg për sigurimin e kushteve në këtë atentat.

Në GJKKO, ai pranoi njohjen me Plarent Dervishajn, i cili akuzohet si porositës i atentatit, por shtoi se nuk i ka pasur ndonjë borxh.

“Në burg ndodhem se më keni fut ju, nuk kam ardh me dëshirë të madhe. I nderuar zoti prokuror, me gjithë respektin dhe për drejtësinë dhe ju, unë s’e kam idenë për çfarë kam siguru kushte, për akënd dhe asgjë. Nuk kam komunikuar me askënd, nuk i ka ndodh asgjë Genci Malokut, s’e di pse më akuzoni”, – u shpreh Rraja.

Ndërkohë, që tha se ditën e atentatit kishte qenë jashtë vendit, Rraja mohoi njohjen me Ervin Matën apo “Rrumin e Shijakut”, i cili ndodhej në makinë me ish-prokurorin Arjan Ndoj.

Ai shtoi se kishte dëgjuar se po përgatitej vrasja e familjarëve të tij, pas dyshimeve se kishte marrë pjesë në atentatin në Durrës. Por Ramazan Rraja shtoi se nuk shqetësoheshin fare as për këtë gjë dhe se gjumin e bënin shumë rehat.

“Kam jetuar edhe jashtë edhe në Shqipëri. Nuk kam pasur konflikte me askënd përpara se të arrestohesha. Plaurent Dervishaj e njoh, Redjan Rrajën e kam kushëri, Julian Meçaj e njoh, ndërsa të pandehurit e tjerë i kam njohur në burg. Arjan Ndoj, Vullnet Muça, Aleksandër Laho, etj, nuk i njoh, i kam parë vetëm në televizor. As Ervin apo Luan Matën. Nuk kam pasur aplikacion të enkriptuar. Jam dënuar për ‘sigurim kushtesh’, por nuk di të kem siguruar kushte për ndonjë ngjarje, – deklaroi në GJKKO, Ramazan Rraja. – Nuk kam siguruar kushte as për Arjan Ndojën, as për Genci Malokun. Nuk kam pasur asnjë automjet në përdorim në momentin që jam arrestuar. Kam dijeni që kanë dashur të vrasin familjarët e mi, mesa kam parë në media. Edhe për këtë nuk shqetësohem, gjumin e bëjmë rehat, edhe në rrugë të madhe. Nuk kam dijeni nëse familjarët e mi janë takuar me familjen e Genci Malokut (babai i Andi Malokut që mbeti i vrarë në atentat). Me Plaurent Dervishaj jam takuar vetëm një herë për kafe, detyrim financiar nuk i kam qoftë atij, as ndonjërit. Në 1 nëntor kam qenë jashtë territorit të Shqipërisë përpara dhe pas asaj ngjarje”.

Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, është dënuar me 6 vite heqje lirie. Genti Ndërjaku është dënuar me 5.4 vite, Bashkim Haxhia me 4.8 vite, Endrit Sinani me 4.8 vite dhe Julian Pjetri me 4.4 vite.

SPAK kishte kërkuar dënimin me 43 vite në total për 5 anëtarët e grupit kriminal që siguruan kushte e mjete për të kryer atentatin, por që dënimi konvertohej me zbritjen e 1/3 së tij për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, këta persona, nga gushti i vitit 2019 kanë nisur ndjekjen, e Ndojt dhe Lahos dhe kanë siguruar armët dhe mjetet për të kryer vrasjen.

Gjithashtu grupi kriminal, pas dështimit të objektivit, kanë siguruar kushte për të kryer vrasje edhe pas atentatit të 1 nëntorit të 2019.

SPAK zbuloi nga komunikimet në rrjetin “Sky” se Ramazan Rraja, Genti Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Endrit Sinani dhe Jualian Pjetri kishin bashkëpunuar me Palurent Dervishajn, ky i fundit në cilësinë e organizatorit dhe financuesit për të kryer atentate ndaj Arjan Ndojës, Aleksandër Lahos, Vullnet Muçës, Genci Malokut dhe Arben Mërkurit (Maneci).

Për këtë ngjarje, është dënuar me burg përjetë, Redjan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja, dhe me 35 vite burg Ariol Halili.

The post Gjyqi ndaj Dervishajt për atentatin ndaj Ndojës, Ramazan Rraja: Nuk i kam borxh askujt appeared first on Gazeta Si.

Cilësia e drejtësisë, kreu i GJL, Sadushi: Një vendim pa kuptim, krijon konflikt

12 January 2026 at 10:45

Gazeta Si – Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i pranishëm në konferencën Kombëtare “Cilësia e drejtësisë”, ka folur në lidhje me sistemin e drejtësisë, duke theksuar se një vendim gjyqësor i pa kuptuar, është një konflikt i hapur nesër.

“Një vendim i pakuptueshëm është një konflikt i shtyrë për nesër”, nënvizoi ai. Sadushi u shpreh se shpejtësia pa koherencë dhe pa arsyetim të qëndrueshëm përbën rrezik për sigurinë juridike dhe besimin e publikut.

“Cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e ngarkesës së çështjeve, por mbi të gjitha me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe me parashikueshmërinë e vendimmarrjes. Shpejtësia është e rëndësishme, por shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike. Ngarkesa dhe prapambetja janë realitete që nuk i shmangim lehtë. Megjithatë, drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra. Treguesit statistikorë janë të dobishëm, por prova kryesore mbetet vendimi i arsyetuar, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm”, theksoi ai.

Gjatë konferencës, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se Shqipërisë i duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, si dhe asistentë ligjorë për ta.

Gonzato tha gjithashtu se gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri po përballen me sfida të vështira këto kohë, pasi sipas tij, ata janë të detyruar që të punojnë nën presion dhe me një numër të madh dosjesh.

“I kuptoj sfidat që kanë gjyqatarët. E di që nuk është e lehtë që të punosh nën trysni e presion, në një stok të madh dosjesh. Këto sfida kërojnë zgjidhje. Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë të mbështetur nga një numër këshilltarësh dhe asistentësh ligjorë. Si hap fillestar të gjitha vendet e lira duhet të plotësohen”.

The post Cilësia e drejtësisë, kreu i GJL, Sadushi: Një vendim pa kuptim, krijon konflikt appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 11 January 2026Main stream

“Drejtësia nuk është e paanshme”, Rama si një mashtrues faqezi i rëndomtë

By: armand
11 January 2026 at 16:18

Nga Boldnews.al Për kryeministrin Edi Rama, Reforma në Drejtësi në Shqipëri, guri i kurorës së lidershipit të Partisë Socialiste, “krijoi një sistem gjyqësor të pavarur, por jo të paanshëm dhe cilësor”. Prej vitit 2015, Rama dhe pasuesit e tij i kanë mëshuar fort idesë se Reforma në Drejtësi në Shqipëri është ndërtuar vetëm nga Partia […]

The post “Drejtësia nuk është e paanshme”, Rama si një mashtrues faqezi i rëndomtë appeared first on BoldNews.al.

Berisha: Rama sulmoi drejtësinë për interesat e veta

11 January 2026 at 14:40

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim” lidhur me nevojën për reflektim serioz ndaj politikës penale në vend.

Berisha tha se Kryeministri Rama sulmoi drejtësinë për të mbrojtur interesat e veta dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Kjo dëshmon se ai nuk pranon dhe nuk do të pranojë vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, meqë sipas tij ata nuk janë të paanshëm dhe janë injorantë, jo cilësorë”, tha Berisha, ndërsa theksoi se me këtë qëndrim, Rama sërish pranon fajësinë e tij.

“Ky qëndrim është një apel për çdo shqiptar të ngrihet për largimin e tij nga pushteti, një ditë e më pare”, vijoi Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te situata në vend për shkak të motit të keq të ditëve të fundit, ku u shpreh se “Rama sot nuk foli për hallin e dhjetëra mijëra qytetarëve që nga Gjirokastra në Shkodër që kanë banesat të përmbytura”.

“Me këtë, ai mirë bëri, sepse përveç motit, shkak tjetër madhor i gjendjes së tyre të vështirë është vetë ai dhe ministrat e tij që, të pangopur, kanë vjedhur fondet e investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama i cili ka bllokuar nëpërmjet 83 mandateve heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, përsëri sulmoi drejtësinë si të paanshme dhe jo cilësore.

/e.i/j.p/

The post Berisha: Rama sulmoi drejtësinë për interesat e veta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Reflektim mbi politikën penale në Shqipëri”/ Rama: Falë popullit dhe PS kemi drejtësi të pavarur, por jo të paanshme

By: Rovena
11 January 2026 at 10:00

Kryeministri Edi Rama, në podcastin e tij “Flasim”, theksoi nevojën për një reflektim të thellë dhe të përgjegjshëm mbi politikën penale në vend. Ai nënvizoi rëndësinë e adresimit të problematikave të mprehta, ndërkohë që theksoi mbrojtjen e pavarësisë së sistemit drejtësor, promovimin e paanësisë dhe përmirësimin e cilësisë së drejtësisë. Rama shtoi se, megjithëse Shqipëria ka arritur të krijojë një drejtësi të pavarur falë lidershipit të Partisë Socialiste dhe mbështetjes bipartizane të qytetarëve, ende nuk ekziston një drejtësi plotësisht e paanshme dhe cilësore. Ai theksoi se përkushtimi i tij ndaj politikës nuk ka të bëjë me lehtësinë, por me sfidat dhe përgjegjësitë e saj.

“Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, tha Rama.

Before yesterdayMain stream

Abuzim me tenderët, SPAK çon në gjyq dosjen ndaj Benet Becit dhe 6 zyrtarëve të tjerë

9 January 2026 at 16:11

Gazeta Si – SPAK ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci dhe 6 të pandehurve të tjerë, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni.

Sipas njoftimit zyrtar, ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Beci, akuzohet nga SPAK se kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare se ka shkelur ligjin në tenderin për “Zhvillimin strategjik të sektorit energjetik” në vitin 2019.

“Objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit 69 milionë e 500 mijë lekë. Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH)”, njoftoi SPAK.

Nga hetimet ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Këto veprime, thekson SPAK, kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave, njoftoi prokuroria.

Hetimet nisën pas zbërthimit të telefonit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, ku u zbuluan biseda kompromentuese për abuzimin me këtë tender.

“Konkretisht, sipas SPAK, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se: Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k”, njoftoi SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin “Për prokurimin publik”, si dhe VKM-në “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

The post Abuzim me tenderët, SPAK çon në gjyq dosjen ndaj Benet Becit dhe 6 zyrtarëve të tjerë appeared first on Gazeta Si.

Trafik kokaine nga Amerika Latine në Itali, SPAK çon në gjyq dy persona

9 January 2026 at 15:37

Gazeta Si – SPAK ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Maksim Ndocit dhe Juljan Kollçakut, të akuzuar për trafikim të narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, nga Amerika Latine në Itali.

Dy të pandehurit akuzohen për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Sipas SPAK, për Ndocin, provohet përfshirja në rikuperimin e mbi 140 kg kokainë neto, të sekuestruar më 2.3.2022 në portin e Livornos, si dhe roli i tij i rëndësishëm në rekuperimin e një sasie prej rreth 120 kg kokainë bruto, të ardhur nga Ekuadori më 11.1.2022.

Ndërsa për të pandehurin Kollçaku, provohet përfshirja në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, të ardhur në portin e Livornos më 14.3.2022, e sekuestruar më 5.4.2022 në Frattamaggiore (Napoli), si dhe në importimin e një sasie prej 32 kg kokainë, nga e cila u sekuestruan mbi 4 kg neto më 30.6.2022 në Ostia.

Hetimi nisi mbështetur në kërkesën e autoriteteve gjyqësore italiane. Sipas kërkesës, kjo prokurori po hetonte për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, aktivitet që drejtohej nga një grup kriminal, ku bënin pjesë edhe shtetas shqiptarë, të cilët vepronin në Shqipëri (Durrës, Tiranë), Amerikën Latine (Ekuador dhe Panama), Itali (provinca e Pizës, Piemontes dhe Trevizos).

Hetimi në Itali nisi pas një kontrolli të kryer nga Guardia di Finanza i Livornos, në periudhën 7-9 mars 2021, gjatë të cilës u identifikuan shtetas me origjinë shqiptarë, të kapur në flagrancë gjatë operacioneve për nxjerrjen e një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine, në portin e afërt të Labronikos (Livorno).

Përmes veprimeve të fshehta me mjete teknike (përgjimeve telefonike dhe ambientale dhe gjurmimit gjeografik GPS), si dhe hetimeve tradicionale (vëzhgimeve, kontrolleve, ndjekjes, regjistrimeve video, monitorimit të mjeteve të transportit dhe shkëmbimeve të informacioneve) – u bë e mundur identifikimi i veprimtarisë kriminale të grupit dhe personave të përfshirë.

Sipas SPAK, anëtarë të grupit janë shtetasit shqiptarë dhe italianë: A. T., R. T., A. V., K. V., M. N., L. K., A. Zh., I. P., E. D., V. D. C., M. S., F. C.

Ata kishin organizuar një strukturë kriminale duke marrë ngarkesa të konsiderueshme kokaine në portin e Livornos, të cilat vinin nga porti i Guayaquilit në Ekuador.

Ndërsa sasia blihej në Kolumbi dhe ishte destinuar për anëtarë të grupeve të shumta kriminale, me anëtarë, kryesisht shqiptarë, rumunë dhe italianë.

Episodet e sekuestrimit të lëndës narkotike

19.7.2021, në magazinën Interpair në Guasticce (LI), – rreth 28 kg kokainë neto (pesha bruto 33.8 kg);

24.8.2021, në portin e Livornos (LI), – mbi 70 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 84 kg);

22.11.2021, në kufirin tokësor të Gaggiolo (VA) – rreth 11.7 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 12 kg). Këtu u krye edhe arrestimi i korrierit të drogës Alberto Brandi, (i cili u ndoq penalisht veçmas);

2.3.2022, mbi 140 kg kokainë (pesha bruto mbi 158.5kg) në magazinën Reefer në portin e Livornos (LI).

5.4.2022, në Frattamaggiore (NA) – mbi 400 kg kokainë (pesha bruto mbi 489kg).

16.4.2022, në Guidonia (Romë) – mbi 84.5 kg kokainë neto (me një peshë bruto prej 1,110.5 kg);

30.6.2022, në Ostia – mbi 4 kg kokainë neto, pjesë e një dërgese prej 32 kg.

9.3.2022, në Guabo, një qytet pranë portit të Guayaquilit në Ekuador – 150 kg kokainë neto (mbi 169 kg bruto).

The post Trafik kokaine nga Amerika Latine në Itali, SPAK çon në gjyq dy persona appeared first on Gazeta Si.

Klodian Braho mbledh për herë të parë prokurorët e SPAK, zbardhen porositë

8 January 2026 at 10:28

Gazeta Si – Që prej zgjedhjes rreth 1 muaj më parë, kreu i ri i SPAK, Klodjan Braho ka mbledhur për herë të parë të gjithë prokurorët e posaçëm të institucionit, ku diskutuan mbarvajtjen e dosjeve hetimore dhe respektimin e afateve ligjore.

Në një mbledhje që zgjati rreth një orë, sipas informacioneve paraprake, Braho u kërkoi prokurorëve të angazhohen në dhënien e mendimeve mbi Kodin e ri Penal dhe mbi marrëdhëniet që SPAK ka me Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.

Mësohet se Braho u ka kërkuar prokurorëve hetime efikase dhe dhënie zgjidhje të çështjeve të vjetra që janë në duart e tyre.

Gjatë mbledhjes, drejtuesi caktoi edhe disa përgjegjës të rinj: Vladimir Mara për hetimin e krimit të organizuar, Dorina Bejko për hetimin e korrupsionit dhe Altin Dumani, si shef i sektorit për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë.

Braho e mori zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025.

Prokurori Braho, 43 vjeç, pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007, ka qenë ndërkohë një nga figurat kryesore të SPAK-ut.

The post Klodian Braho mbledh për herë të parë prokurorët e SPAK, zbardhen porositë appeared first on Gazeta Si.

I arrestuar në Gjermani për drogë, prokuroria kërkon konfiskimin e pasurive të një personi

8 January 2026 at 09:57

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të paluajtshme të Ilber Domit i arrestuar në Gjermani nën dyshimin e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Për shkak të dyshimeve se i ka përfituar nga aktivitete kriminale, prokuroria kërkoi që të konfiskohen një tokë e llojiat “arë”, me sipërfaqe 850 m2 në Zall Herr, një apartament dhe dy poste parkimi në Kamëz.

Sipas organit të akuzës, hetimet e nisura në vitin 2025 zbuluan se ky person ishte shpallur më parë në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për trafik droge e armëmbajtje pa leje.

Të dhënat treguan se kjo veprimtari ishte kryer gjatë periudhës 2019-2020, detaj që ka sjellë dyshimet se pasuria e krijuar më vonë në kohë mund të jetë rezultat i fitimeve nga veprimtaria e paligjshme e kryer prej tij.

Vlera totale e të ardhurave që Domi dhe familjarët e tij deklarojnë është më e ulët sesa investimet dhe shpenzimet e kryera.

Prokuroria arriti në përfundimin se Ilber Domi dhe familjarët e tij janë në pamundësi financiare për blerjen e pasurive të paluajtshme si më poshtë:

Pasuria e paluajtshme lloji “arë”, me sip 850 m2 ndodhur në Zall Herr Tiranë;

Pasuria “njësi”, me sipërfaqe bruto 98.8m2; si dhe

2 “poste parkimi”, ndërtuar sipas lejes së ndërtimit për objektin 1-2-9 kate+1kat nën tokë, në rrugën ‘Bulevardi Blu-Kamëz’

The post I arrestuar në Gjermani për drogë, prokuroria kërkon konfiskimin e pasurive të një personi appeared first on Gazeta Si.

Lirohet nga burgu CEO kinez i ‘Bankers Petrolium’

7 January 2026 at 14:00

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia me masën “arrest shtëpie”, CEO-n kinez të kompanisë “Bankers Petroleum”, Hongping Xiao.

Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO zgjati afatet hetimore me 3 muaj për dosjen “Bankers”.

Sipas organit të akuzës, kërkesa bazohet në kryerjen e veprimeve të tjera hetimore shtesë për shkak të kompleksitetit të çështjes.

I vetmi që ndodhej në masën “arrest në burg” për këtë çështje, ishte CEO kinez i kompanisë, Hongping Xiao, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë, janë në masa më të buta si “arresti shtëpiak”.

Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare nga 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.

Sipas Prokurorisë, “Bankers” ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e “Bankers Petroleum” për shkak të gjobës 120 milionë euro ende të pashlyer, të vendosur në 2019, pasi kompania naftënxjerrëse nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin.

The post Lirohet nga burgu CEO kinez i ‘Bankers Petrolium’ appeared first on Gazeta Si.

Dënohet me 25 vjet burg 64-vjeçari që vrau fqinjin e tij në Shëngjergj

7 January 2026 at 13:43

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka dënuar me 25 vite burg, 64-vjeçarin Isuf Hasa, i cili më 13 janar 2025, vrau fqinjin e tij, Xhemal Meta në fshatin Shëngjin i Vogël, në Shëngjergj të Tiranës.

Në vendimin e Gjykatës, thuhet se Hasa shpallet fajtor për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”.

Vuajtja e këtij dënimi të fillojë nga dita e ndalimit të tij më 15 janar 2025 dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur 64-vjeçari goditi me çekiç fqinjin e tij Xhemal Meta, në oborrin e shtëpisë së viktimës. Pas ngjarjes, ai i mori edhe rreth 200 mijë lekë që Meta i mbante me vete.

Ai kishte akumuluar mllef ndaj Metës prej kohësh pasi viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë, pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi dhe nuk e dinte çfarë bëhej me gruan e tij.

The post Dënohet me 25 vjet burg 64-vjeçari që vrau fqinjin e tij në Shëngjergj appeared first on Gazeta Si.

Berat/ Favorizonin shoferët që kryenin shkelje, AMP pezullon nga detyra 4 efektivë policie

7 January 2026 at 10:20

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka pezulluar nga puna 4 punonjës policie në Berat, për të cilët gjykata kishte vendosur ‘pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik’.

Efektivët e pezulluar nga detyra janë A. S., M. D., A. Q. dhe K. G.. Përmes një njoftimi, AMP thotë se 4 punonjësit e policisë dyshohen për kryerjen e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’.

Efektivët ishin pjesë e Policisë rrugore dhe sipas AMP, ata dyshohet që me veprimet apo mos-veprimet e tyre në shkelje të ligjit, kanë penalizuar / favorizuar drejtues të mjeteve të konstatuar në shkelje ose jo të Kodit Rrugor.

The post Berat/ Favorizonin shoferët që kryenin shkelje, AMP pezullon nga detyra 4 efektivë policie appeared first on Gazeta Si.

GJKKO rrëzon kërkesën, Ilir Meta mbetet në burg

5 January 2026 at 13:54

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për lirimin nga qelia, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie bashkë me disa persona të tjerë.

Vetë Meta nuk mori pjesë në seancë, por u pëfaqësua nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili tha se SPAK dhe gjykata po zvarritin procesin gjyqësor.

“Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata. Besoj te gjykata, menduam që do nisej viti mbarë, duke dhënë një të drejtë ligjore të vijonte gjykimi në gjendje të lirë. Meta nuk i beson këto zëvëndësimet. Nuk kishte asnjë bazë ligjore se përse duhej rrëzuar kërkesa. Kemi bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të burgjeve. Jemi në betejë dhe këtë betejë do e fitojmë”, – tha Cakrani.

Në fillim të muajit dhjetor, një inspektim i Avokatit të Popullit mbi kushtet e paraburgimit të Ilir Metës, pas ankesës së tij, evidentoi një sërë problematikash që lidhen me trajtimin e ish-presidentit në qeli. Sipas raportit zyrtar, Meta nuk po trajtohet në përputhje me standardet e parashikuara nga ligji.

Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.

Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.

The post GJKKO rrëzon kërkesën, Ilir Meta mbetet në burg appeared first on Gazeta Si.

Vrasja me tritol në Shkodër, një prej 4 të arrestuarve: Mendoja se do e trembnim!

5 January 2026 at 12:49

Gazeta Si – Katër të arrestuarit të dyshuar për vrasjen e Hysni Ymerit me tritol më 29 dhjetor, janë lënë në burg nga Gjykata e Shkodrës.

Njëri prej të arrestuarve, Gert Bushati ka pranuar se ka qenë ai që ka vendosur sasinë e tritolit më datë 27 dhjetor në panelin e matësve elektrikë në hyrjen e pallatit ku banonte 69-vjeçari.

Në deklaratën e tij, Bushati ka thënë se tre të arrestuarit e tjerë Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi janë personat që e kanë kontaktuar për të vendosur sasinë e tritolit.

Këta të fundit e mohuan të jenë të përfshirë në këtë ngjarje, duke rrëzuar pretendimet që të kenë porositur Bushatin për vendosjen e tritolit.

Autori i dyshuar që vendosi tritolin, Gert Bushati, ka deklaruar se nuk ka patur dijeni se sasinë e eksplozivit do ta vendoste për të vrarë ndonjë person. Ai pretendoi se i është thënë nga porositësit se do të jetë vetëm për të trembur dikë dhe jo për të vrarë.

“Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor, por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje”- mësohet të ketë thënë Bushati në gjykatë, i cili shtoi se nuk i kishin treguar arsyen përse po e vendosnin lëndën plasëse.

Fillimisht është zhvilluar seanca për tre të dyshuarit e tjera, ndërkohë për 27-vjeçarin që ka pranuar autorësinë e vendosjes së eksplozivit, masa e sigurisë u zhvillua veçmas.

Për sa kohë tre të dyshuarit nuk e kanë pranuar dhe nuk kanë dhënë asnjë detaj, ende mbetet e paqartë cila është arsyeja e vrasjes së Hysni Ymerit.

Më herët, policia ka sekuestruar telefona dhe ka përgjime ambientale, si dhe një sërë provash të tjera që mund të përfshijnë këta tre persona.

Vëllai i viktimës vite më parë, në 1995-ën është dyshuar vrasjen e shtetasit Shefqet Çekorja. Ndërkohë në 2017-ën një kushëri i tij është i dyshuar si autor i vrasjes së mjekut Ilir Aliaj, por u arratis jashtë Shqipërisë pas ngjarjes.

Policia dhe prokuroria janë duke hetuar këto dy pista, por edhe çdo pistë tjetër të mundshme, sepse është ende e paqartë nëse vrasja e Hysni Ymerit lidhet me dy ngjarjet e sipërmendura apo me ndonjë konflikt tjetër.

Ndaj katër të arrestuarve të dyshuar, rëndojnë akuzat “vrasje me paramendime  e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “mbajta pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu ndaj tyre rëndojnë akuzat për “prodhim dhe shitje e narkotikëve në bashkëpunim” si dhe “prishje e qetësisë publike”.

The post Vrasja me tritol në Shkodër, një prej 4 të arrestuarve: Mendoja se do e trembnim! appeared first on Gazeta Si.

SPAK i ngre akuzë të re, Berisha: Argita ka përfituar një apartament 77 m2

5 January 2026 at 12:29

Gazeta Si – Nga SPAK, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën “Partizani”, Sali Berisha pohoi se prokurorët i kishin shtuar një tjetër akuzë që lidhej me investimet e fëmijëve të tij në pasuritë e paluajtshme.

Kryedemokrati argumentoi para mediave se bëhet fjalë për apartamentin 3 plus 1 në pronësinë e tij, për të cilin përfitonin 1/3 e pronësisë dhe fëmijët e tij, pasi ishin mbi 18 vjeç.

Sipas tij fëmijët e tij kishin përfituar nga ligji për privatizimin njëjtë si 1 milionë shqiptarë të tjerë.

“Vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë, sepse ishte mbi 18 vjeçe dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë. Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike. Edhe njëherë, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike”, tha Berisha.

Kreu i PD lexoi para mediave edhe pasuritë që zotëron, referuar, sipas tij, deklaratave të dorëzuara në ILDKP.

“Konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metër katrorë në rrugën ‘Myzeqari’, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit”.

Sipas Berishës, kjo është “akuza e re e Altin Troplinit (Dumani) dhe ish-xhelatit të Sigurimit të Shtetit”, duke iu referuar ish-kreut të parë të SPAK, Arben Kraja.

Duke folur për Gjykatën Kushtetuese, Berisha hodhi akuza ndaj anëtarëve të saj, teksa tha se sillen si organizatë e Partisë Socialiste.

Kryedemokrati shtoi se tij anëtarët e GJK, “u mblodhën në seancë plenare për masën time, por nuk shpallën vendimin”.

The post SPAK i ngre akuzë të re, Berisha: Argita ka përfituar një apartament 77 m2 appeared first on Gazeta Si.

Berisha në SPAK: Ramën do ta rrëzojë populli, nuk pres ta arrestojnë Forcat Delta

5 January 2026 at 10:40

Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zbatoi këtë të hënë në SPAK masën e sigurisë “detyrim parqitje” ndaj tij për dosjen “Partizani”.

Pasi doli nga godina, Berisha tha se ka lënë një letër, ku në fokus kishte Altin Dumanin, edhe pse ai nuk është më kreu i SPAK.

“Këtu në Skap lashë këtë shënim: Altin Troplinit, Pojës së Skapit (i mbeti atij, nuk ia vura unë, që kur e fali atë Elvis Doçin, ai mbeti Poja i Skapit), armikut të pluralizmit politik dhe avokatit të McGonigalit, me garanci se krimet e tij nuk do mbeten pa ndëshkimin e merituar ligjor. Sali Berisha“, tha kryedemokrati.

Duke marrë shkas nga arrestimi i presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat speciale amerikane për akuzat e narkoterrorizimit, Berisha tha se ndryshe nga rasti i tij, Edi Ramën do ta rrëzojë populli shqiptar.

“Edi Rama zhvillon farsë elektorale, njësoj si Maduro. Një nga shkaqet që u arrestua ishte edhe fakti që nuk zhvillon zgjedhje. Edi Rama zhvillon farsë elektorale. Këshilli i Europës, gardiani i zgjedhjeve të lira, thotë që duhet të ndahet partia nga shteti”, tha Berisha pas daljes nga SPAK.

Berisha theksoi se zgjedhje me Edi Ramën nuk ka. “Është populli shqiptar, opozita shqiptare, që do t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar. Unë e kam përshëndetur arrestimin e Maduros dhe ndëshkimin e tij, si një fitore për njerëzit e lirë, por nuk kam deklaruar ndonjëherë se Forcat Delta do të vijnë ta arrestojnë. Po, kam deklaruar, se në aferën McGonigal, Edi Rama është po aq kriminel sa McGonigal”, shtoi ai.

The post Berisha në SPAK: Ramën do ta rrëzojë populli, nuk pres ta arrestojnë Forcat Delta appeared first on Gazeta Si.

Shtyhet seanca paraprake ndaj Veliajt, ‘Burgjet’: Refuzoi të dilte nga qelia për në gjyq

5 January 2026 at 13:23

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme shtyu për më 19 janar seancën e radhës të shqyrtimit paraprak ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve.

Mbrojtja e Veliajt, pretendoi se që prej orës 07:00 të kësaj të hëne, kryebashkiaku ishte në pritje të furgonit të policisë për shoqërimin në Tiranë, por mbërriti në orën 09:00, në të njëjtën kohë që mbahej dhe seanca.

Sipas tyre, kjo ishte një nga arsyet e shtyrjes së seancës paraprake nga ana e GJKKO-së. Nisur nga ky pretendim, Drejtoria e Burgjeve ka reaguar, teksa rrëzon pretendimet e të paraburgosurit për “korrupsion, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, pastrim parash”, për orarin e transferimit të tij në GJKKO.

Në një njoftim zyrtar, IEVP Durrës, thotë se “mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V., ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar”.

Më herët, GJKKO, i refuzoi Veliajt kërkesën që të revoktonte një vendim të mëparshëm të gjykatës për ta lejuar që të dilte nga kafazi i qelqtë për t’i vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe një formë që të njihej me to.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes.

Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.

Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.

The post Shtyhet seanca paraprake ndaj Veliajt, ‘Burgjet’: Refuzoi të dilte nga qelia për në gjyq appeared first on Gazeta Si.

Mbante në banesë armë e municion luftarak, arrestohet 29-vjeçari në Laç

1 January 2026 at 10:35

Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia në qytetin e Laçit i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

I riu me iniciale S. K., u kap në flagrancë teksa gjatë kontrolleve policore iu gjet në banesë dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri automatik me krehër dhe fishekë dhe 1 palë doreza.

29-vjeçari me iniciale S. K., akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

The post Mbante në banesë armë e municion luftarak, arrestohet 29-vjeçari në Laç appeared first on Gazeta Si.

❌
❌