Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Pse ligatinat janë jetike për biodiversitetin dhe klimën në Shqipëri?

2 February 2026 at 17:39

Me rastin e Ditës Botërore të Ligatinave, që shënohet çdo 2 shkurt, Citizens.al publikon këtë opinion shkencor të profesor Aleko Mihos, pedagog dhe studiues i ekosistemeve pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Në këtë analizë, Prof. Miho ndalet te roli jetik i ligatinave për biodiversitetin, klimën dhe zhvillimin njerëzor, duke ofruar një pasqyrë historike dhe shkencore mbi gjendjen e tyre në Shqipëri.

Ai sjell të dhëna mbi tkurrjen e këtyre ekosistemeve, shërbimet ekologjike që ofrojnë dhe presionet gjithnjë në rritje nga aktiviteti njerëzor.

Artikulli vjen si një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në një kontekst ku mbrojtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ligatinave mbetet një nga sfidat kryesore mjedisore në vend.

Autor: Prof. Aleko Miho | Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Çfarё janё ekosistemet ligatinore dhe sa tё pёrfaqёsuara janё ato nё vendin tonё?

Dy shkurti është Dita Botërore e Ligatinave (Wetlands), e cila përkon me datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 1971, ose Konventës RAMSAR, si njihet ajo sot rëndom, për faktin se miratimi u bë në qytetin iranian Ramsar në brigjet e Detit Kaspik.

Në kuptimin e ngushtë të fjalës, ligatinat, tokat e lagëta, ose si njihen ato shpesh, kënetat, janë hapësira që përmbyten rregullisht nga uji, qoftë dhe përkohësisht. Përmbytja bën që fundi i këtyre ekosistemeve të dallohet për mungesën e oksigjenit, dhe për proceset anaerobe.

Lexo: Një vështrim i shkurtër i arsimit të lartë në Shqipëri

Në këto kushte bimësia është e veçantë, e përshtatur në sasinë e madhe të ujit, por në kushtet e mungesës së oksigjenit. Por në kuptimin e gjerë, me termin ligatina nënkuptohen edhe gjithë hapësirat ujore që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin, ushqimin dhe mbajtjen gjallë të zonave kënetore, si hapësirat lumore, liqenore, burimet dhe ujëmbledhësit.

Kuptimi i dytë është ai që lidhet shumë sot me rëndësinë e këtyre ekosistemeve në mbarë botën, por dhe me masat e ruajtjes, ripërtëritjes, dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të tyre.

Para viteve ’60, ligatinat mbulonin më shumë se 2,300 km2, e barabartë me rreth 8% të territorit shqiptar, kjo falë pasurive të shumta ujore, reshjeve, klimës, relievit të sheshtë etj.

Vlen të kujtojmë këtu hapësirat kënetore të Maliqit (Korçë), përgjatë gjithë Ultësirës Bregdetare deri në Vurg (Sarandë) etj. Mbi gjysma e kësaj hapësire kënetore u thá në vitet 1960-1970 dhe u kthye në tokë bujqësore.

U sistemuan gjithashtu gjithë rrjedhjet e lumenjve që ushqenin këto hapësira; një rrjet i gjerë kanalesh kulluese, dhe shumë stacione pompimi (hidrovorë) mbajnë edhe sot këto toka në gjendje të tharë dhe i mbrojnë ato nga përmbytja.

Megjithatë, hapësirat e lagëta në Shqipëri mbulojnë rreth 970 km2, ose rreth 3% të gjithë territorit të vendit (400 km2 në zonën bregdetare). Pjesën më të madhe të tyre e zënë liqenet, lagunat bregdetare dhe ujëmbledhësit.

Bëhet fjalë për mbi 1300 zona kënetore të shpërndara në të gjithë vendin, ku bëjnë pjesë komplekset lagunore bregdetare dhe deltat lumore; shumë zona kënetore gjenden gjithashtu përgjatë brigjeve lumore, liqenore, ujëmbledhësve, burimeve etj.

Shёrbimet ekologjike që ofrojnё ligatinat dhe rёndёsia pёr ruajtjen e larmisë biologjike

Kushdo që i njeh nga afër këto lloj mjedisesh, vëren menjëherë se në to jeta gëlon.

Prodhimtaria bimore neto e këtyre ekosistemeve është ndër më të lartat në planet, duke u renditur pas pyllit tropikal të shiut.

Lexo: Ku jemi me botimin e teksteve mësimore universitare?

Prodhimtaria në zonat kënetore shkon deri në 2 kg/m2/vit (200 kv/ha/vit); kujtoj se prodhmtaria në tokat bujqësore të kujdesura mirë nga njeriu është mesatarisht më pak se 3 herë (rreth 650 g/m2/vit ose 65 kv/ha/vit).

Përveç përvetimit të bollshëm të dyoksidit të karbonit, ato ndihmojnë edhe në qarkullimin e lëndëve të tjera ushqyese (sidomos në reduktimin e azotit); për rrjedhojë këta ekosisteme ndihmojnë dukshëm edhe në zbutjen e klimës dhe të ngrohjes globale.

Pamje ajrore të Deltës së Vjosës Prill 2024 (©Joshua D. Lim) (https://fshn.edu.al/Info/delta-vjose).

Ato strehojnë habitate të pasura dhe të mbrojtura për biodiversitetin, duke ruajtur brenda një hapësire shumë të kufizuar lloje të shumta të ujërave të ëmbla, por dhe të ujërave detare dhe të njelmëta.

Si hapësira shumë prodhuese, mundësojnë ushqim të bollshëm dhe mbrojtje për popullata të dendura shpendësh, me shumë rëndësi gjatë rrugëve migratore. Ligatinat janë vendet ku shumohen shumë lloje peshqish dhe molusqesh – të rëndësishme për peshkimin dhe akuakulturën.

Ekosistemet kënetore janë të rëndësishme për funksionin normal të biosferës dhe kontrollin e erozionit bregdetar dhe zbutjen nga përmbytjet; janë veçanërisht të dobishme për parandalimin e humbjeve të jetës dhe pronës duke zbutur përmbytjet dhe duke mbrojtur tokën nga stuhitë.

Lexo: IUCN kërkon që Shqipëria të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura

Ligatinat janë gjithmonë zona tranzitore mes rrjedhës ujore të një lumi dhe brigjeve të tij, apo ndërmjet pasqyrës ujore të një liqeni apo deti dhe brigjeve të tyre, me një lidhje të ndërsjelltë mes tyre; si të tilla ndihmojnë në formimin, ruajtjen dhe shëndoshjen e vijës bregore të këtyre ekosistemeve; ato ndihmojnë në mbajtjen e ujit, dhe zbutjen hovit nga përmbytjet.

Ligatinat janë të vetmet mjedise ku lëndët e azotuara reduktohen në azot molekular, i cili rikthehet përsëri në atmosferë, duke ndihmuar kështu në ruajtjen e përbërjes atmosferike gjatë 400-500 milion viteve të fundit.

Ligatinat gjithashtu formojnë ujëmbledhës natyrorë dhe ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë së dëshirueshme të ujit. Këto mjedise ndihmojnë në filtrimin e prurjeve me ujëra të ëmbla, duke mbrojtur mjedisin bregdetar dhe jetën detare.

Ndihmojnë shumë edhe në pastrimin e ujit nga lëndët ndotëse, metale të rëndë, lëndë organike etj. Kjo dukuri e njohur si fitopastrim, përdoret sot në botën e zhvilluar në pastrimin e ujërave nëpërmjet ndërtimit të kënetave artificiale.

Qytetërimi është zhvilluar shpesh në afërsi të këtyre mjediseve ujore. Për bollëkun që ato ofrojnë, njeriu gjithmonë ka ndërtuar vendbanimet e veta pranë këtyre zonave, kujtojmë këtu qytetet antike të Butrintit, Orikut, Apollonisë, Lezhës, Shkodrës, etj.

Këto zona mbeten gjithmonë si vende të tërheqëse dhe çlodhëse për shumë vizitorë vendas dhe të huaj, mjedise me rëndësi për turizmin natyror, por edhe për turizmin kulturor, në kërkim të gjurmëve të hershme të zhvillimit njerëzor.

Ndikimi i njeriut në ekosistemet ligationre

Nga ana tjetër, ekosistemet ligatinore janë sot nën ndikimin e turizmit, peshkimit dhe akuakulturës, përftimit të kripës, industrisë, veprimtarisë portuale dhe transportit detar, urbanizimit dhe bujqësisë.

Jo rrallë këto shkaktojnë ndryshime në mjedisin fizik, përfshirë dhe në gjeomorfologji ose kripësi, në vlerat e oksigjenit të tretur, etj.; sëbashku, këto mund të shkaktojnë varfërimin e biodiversitetit dhe të shërbimeve të të ekosistemit, nga  shqetësime në vijën bregdetare e deri te pakësimi i prodhimeve të detit.

Lexo: “Jo fluturime në Nartë”, rikthehen protestat kundër Aeroportit të Vlorës

Kjo është arsyea që zonat kënetore kanë qënë dhe mbeten ekosisteme shumë dobishme për botën e gjallë në përgjithësi, por edhe për vetë mbijetesën e njeriut. Si të tilla ato janë vende ushqimi, riprodhimi dhe strehë për një botë të pasur shtazore, veçanërisht për peshqit dhe shpendët ujorë dimërues ose migrues, disa prej tyre të rrezikuar globalisht.

Edhe shumë organizma të tjerë shtazorë që shpesh jemi mësuar t’i shohim në steré, pra larg ujit, në një mënyrë ose tjetër janë të detyruar të shkojnë pranë këtyre zonave për të përmbushur ndonjërën ose disa prej këtyre kërkesave.

Kuptimi i shkaqeve dhe pasojave të këtyre presioneve antropogjene ndihmon në përcaktimin e strategjive efektive të menaxhimit që minimizojnë pasojat negative dhe promovojnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të vlefshme.

Për këtë njohja, dhe më tej shfrytëzimi si duhet, ruajtja dhe mbrojtja e tyre shihet me përparësi nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe Direktivën Kuadër Ujit (WFD, 60/2000), Konventën Ramsar, Konventën e Bernës, Konventën e Barcelonës, IUCN, WWF etj.

Qasja ligjore pёr mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm tё ligatinave nё vendin tonё?

Ligatinat dallohen për larmi habitatesh me vlera natyrore dhe biologjike; por ato janë ekosisteme mjaft të ndërlikuara dhe njëkohësisht të brishta ndaj ndikimit të njeriut.

Kjo është arsyeja që ato janë në vëmendje të veçantë në Direktivën Kuadër të Ujërave (WFD, 60/2000).

Një pjesë e mirë e tyre në Shqipëri kanë sot një status mbrojtje, si Park Kombëtar (Butrinti, Divjakë-Karavasta, Prespa, Lura, Vjosa, Dajti, Thethi etj.), si Rezervate Natyrore (Kune-Vaini, Patok-Fushëkuqe,  etj.), si Peizazh i Ujor/Tokësor (Pogradeci, Rrushkulli, Pishë-Poro, Shkodra-Buna-Velipoja, Orikumi, etj.).

Lexo: Projektligji për mbetjet, mes transparencës së kufizuar dhe rrezikut për interesa private

Shqipëria ka sot 4 zona të mëdha që bëjnë pjesë në listën e Konventës Ramsar: Butrinti-Çuka-Stillo (Sarandë), Karavasta-Divjaka (Lushnjë) dhe Liqeni i Shkodrës-Lumi Buna-Velipoja (Shkodër) dhe Prespa.

Në tërësi, njohja e gjithë përbërësve biologjikë të ekosistemeve ujorë ndihmon më mirë pushtetin vendor dhe qendror në vend në shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive ujore, në ruajtjen e ekosistemeve me habitate të pasura në lloje, me lloje të rralla dhe endemike, me habitate të brishta etj.

Kjo mund të ndihmojë për të shmangur shfrytëzimin e skajshëm, pa kriter, drejt një shfrytëzimi të qëndrueshëm, në sektorë të tillë si peshkimi dhe akuakultura, gjuetia, në urbanizimin e skajshëm, në vjeljen e bimëve aromatiko-mjekësore dhe produkteve të tjera, në ndërtimin e HEC-eve në lumenj etj.

Por dhe në masa mbrojtëse për të shmangur ndotjen nga urbanizimi dhe turizmi i pakontrolluar, nga përdorimi i keq i tokës dhe shpyllëzimet, nga bujqësia dhe blegtoria e pa kontrolluar, nga industria, nga trafiku dhe portet, etj.

Gjithë këto kërkesa burojnë që nga vetë Kushtetuta jonë, legjislacioni mjedisor vendas, por dhe nga shumë detyrime ndaj konventave ndërkombëtare, si dhe kërkesave të BE të miratuara nga Shqipëria.

The post Pse ligatinat janë jetike për biodiversitetin dhe klimën në Shqipëri? appeared first on Citizens.al.

Krahasimi i nivelit të ujit në Statujën e Lirisë nuk rrëzon ngrohjen globale

27 January 2026 at 10:45

Pretendimi: Ky imazh i Statujës së Lirisë provon se ngrohja globale dhe rritja e nivelit të oqeaneve janë mashtrime

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————–

Dy foto të Statujës së Lirisë në Nju Jork, të cilat pretendohet se janë bërë me më shumë se 100 vjet diferencë, po qarkullojnë në rrjete sociale me pretendimin se ato janë prova të mjaftueshme për të vërtetuar se nuk ka patur ndonjë rritje të ndjeshme të nivelit të detit, një pasojë e njohur e ngrohjes globale.

Megjithatë, ekspertët e oqeanografisë dhe ndryshimeve klimatike paralajmërojnë se krahasimi fotografik nuk mund të përdoret si provë e sjelljes së nivelit të detit. 

Problemi me imazhin e mësipërm qëndron pikërisht në mungesën e kontekstit. Pa e ditur nëse fotot janë bërë në baticë të lartë apo të ulët, nuk ka asnjë mënyrë për t’i krahasuar ato. 

Metodat shkencore të matjes mund të përshkruajnë ndryshimet në nivelin e detit me shumë saktësi dhe ato tregojnë se ai është rritur ndjeshëm në Gjirin e Nju Jorkut gjatë njëqind viteve të fundit.

Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane thekson se mënyra e saktë për të matur ndryshimet afatgjata është me anë të nivelit mesatar të detit, i llogaritur nga seritë historike që eliminojnë efektet momentale të baticave dhe kushteve të motit. 

Sipas Shërbimit Kombëtar të Oqeaneve të qeverisë amerikane, niveli i detit mund të rritet me dy mekanizma të ndryshëm si pasojë e ndryshimeve klimatike. Së pari, ndërsa oqeanet ngrohen për shkak të një temperature globale në rritje, uji i detit bymehet, duke zënë më shumë hapësirë ​​në pellgun e oqeanit dhe duke shkaktuar një rritje të nivelit të ujit. Mekanizmi i dytë është shkrirja e akullit mbi tokë, e cila më pas shton ujë në oqean.

“Batica në Nju Jork ndryshon me rreth 1.5 metra. Në varësi të kohës së ditës kur është bërë fotografia, ndryshimi i dukshëm mund të jetë i madh ose praktikisht i papërfillshëm”, shpjegoi për Metsul Jacqueline Austermann, një profesore në universitetin Columbia e cila hulumton ndryshimet në nivelet e oqeanit. 

Më tej, që nga viti 1856, NOAA ka mbajtur matje të vazhdueshme në Battery Park, të vendosur në majën jugore të Manhattanit, vetëm pak kilometra nga Statuja e Lirisë. Këto të dhëna konsiderohen si një pikë referimi për monitorimin e nivelit të detit në rajon.

Sipas NOAA, niveli relativ i detit në zonë është rritur rreth 30 centimetra në 100 vitet e fundit, me një shpejtësi mesatare prej afërsisht 3 milimetrash në vit. Në dekadat e fundit, kjo shpejtësi është përshpejtuar, duke arritur në rreth 4.5 milimetra në vit në Nju Jork. 

Në shkallë globale, NOAA dhe NASA vlerësojnë se nivelet e oqeaneve janë rritur midis 20 dhe 25 centimetrave që nga viti 1880. Vetëm që nga viti 1993, rritja mesatare globale ka qenë pothuajse 10 centimetra, duke demonstruar intensifikimin të fenomenit kohët e fundit.

Rritja e nivelit të detit nuk është një fenomen teorik. Ndikimet e tij po ndihen. 

Një studim i botuar pas Uraganit Sandy në vitin 2012 arriti në përfundimin se rritja e nivelit të oqeaneve shtoi afërsisht 8 miliardë dollarë dëme shtesë në rajonin e Nju Jorkut. Për më tepër, parashikimet nga Paneli i Ndryshimeve Klimatike të qytetit tregojnë se, deri në vitin 2050, nivelet e detit mund të rriten me 28 deri në 53 centimetra shtesë. Kjo do të rrisë frekuencën e të ashtuquajturave “përmbytje të ditëve me diell”, kur baticat jashtëzakonisht të larta shkaktojnë përmbytje edhe pa shi ose stuhi. 

Sipas Kenneth G. Miller, profesor i Shkencave të Tokës dhe Planetare në universitetin Rutgers, mohimi i rritjes së nivelit të detit bazuar në imazhe të izoluara injoron dekada hulumtimi. “Rritja globale prej 3.3 mm në vit dhe rritja lokale në Nju Jork prej 4.5 mm në vit është një fakt i dokumentuar nga satelitët dhe matësit e baticës,” tha ai.

The post Krahasimi i nivelit të ujit në Statujën e Lirisë nuk rrëzon ngrohjen globale appeared first on Faktoje.al.

Përmbytjet nxjerrin në pah keqmenaxhimin e territorit dhe infrastrukturës

17 January 2026 at 08:40

Përmbytjet prekën disa qarqe të Shqipërisë në jabën e dytë të Janarit, duke shkaktuar bllokime rrugësh, dëme materiale dhe ndërprerje të përkohshme të aktiviteteve në zona urbane dhe rurale, si pasojë e reshjeve të dendura dhe vërshimeve të ujërave. Sipas autoriteteve, moti i keq ka shkaktuar një të vdekur, përmbytjen e gati 1600 banesave dhe […]

The post Përmbytjet nxjerrin në pah keqmenaxhimin e territorit dhe infrastrukturës appeared first on Reporter.al.

Kur vjeshta lulëzon dhe pranvera ngrin, ndryshimet klimatike që po e shkundin bujqësinë

13 January 2026 at 07:45


Shkruan: Uran Haxha

Mëngjesi i 9 prillit të vitit 2025 ishte tragjik për Habib Dinën nga Rahoveci. Në një hektar vresht në kodrat lindore të qytetit nuk kishte mbetur asnjë syth i padëmtuar.

Ngrica e orëve të para të mëngjesit, që zbriti nën -5 gradë, shkatërroi gjithçka.

“Kur kam dalë në vnesht, e kam pas krejt shkrumb… m’u ka dok si me i pas ra një mortajë”, thotë ai.

Ky fenomen goditi pjesën më të madhe të vreshtave të Rahovecit e Suharekës. Dëmi ishte i madh për të gjithë, pasi hardhitë e rrushit kishin filluar të lulëzojnë, pasi në mars temperaturat ishin mbi 20 gradë Celsius.

Përkundër përvojës familjare me breza, Habibi thotë se kishin të pamundur të parashikojnë një mot të tillë. Metodat tradicionale nuk pinë më ujë: kur bie shi, bie pafund duke shkaktuar vërshime, e kur fillon vapa, ajo zgjatë me javë pa asnjë rigë shiu.

Shkenca prapa "çmendurisë" së motit

Këto çrregullime janë derivat i drejtpërdrejt i ngrohjes globale, që e shkaktojmë vet ne njerëzit. Aktivitetet njerëzore, si djegia e lëndëve fosile, shpyllëzimi dhe bujqësia intensive kanë rritur emetimet e gazeve serrë si dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit.

Ironikisht, vetë bujqësia është edhe viktimë, edhe shkaktare në një masë. Çdo lëvrim toke liron gazra në atmosferë, ndërsa përdorimi i plehrave kimike dhe blegtoria rrisin praninë e oksidit të azotit dhe metanit.

Këto gazra krijojnë një shtresë në atmosferë që bllokon nxehtësinë e diellit, duke rritur temperaturën mesatare të planetit.

Krejt këto ç’rregullime kanë burimin tek ndryshimet klimatike, që dukeshin të largëta për njerëzit në Kosovë para disa viteve.

Megjithatë, një raport i vitit 2024 nga NATO për Ndikimin e Klimës në Siguri ngriti alarmin në Kosovë. Vendi ynë ishte në pikën e kuqe të rajonit, ku pritet të përballemi me rritje më të shpejtë të temperaturave sesa mesatarja botërore, duke përjetuar valë të nxehta të gjata, përmbytje të përsëritura dhe zjarre pyjore gjithnjë e më të rrezikshme.

Kjo situatë, e kombinuar me rritjen e popullsisë dhe me menaxhimin e dobët të burimeve ujore, rrezikon të çojë vendin drejt mungesës serioze të ujit në dekadat e ardhshme.

Sipas raportit, “parashikimet e temperaturave më të larta dhe rritja e rrezikut nga zjarret, ulja e reshjeve dhe shtimi i popullsisë tregojnë se deri në vitin 2050, katër nga pesë pellgjet ujore të Kosovës mund të përballen me stres ose mungesë uji, gjë që mund të ndikojë në furnizimin me ujë si për popullsinë lokale, ashtu edhe për trupat e KFOR-it”.

Raporti i NATO-s i vitit 2024 thekson se në Kosovë, numri i ditëve me temperatura mbi 35°C mund të rritet nga 4.4 ditë në vit në periudhën 2020–2039 në mbi 39 ditë deri në fund të shekullit, në skenarin më të keq.

Viti 2024 ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në histori me rreth 1.55 gradë celsius mbi nivelin paraindustrial. Por, ky rekord po ‘thyhet’ vit pas viti nga 2015-ta, sipas Organizatës Meteorologjike Botërore.

Këto ç’rregullime vijnë si pasojë e ndryshimeve afatgjata në temperaturat dhe modelet e motit në shkallë globale, që shkaktohen nga vet njerëzit.

Ato ndodhin për shkak të rritjes së emetimeve të gazeve serrë si dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit, të cilat çlirohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile, shpyllëzimi, bujqësia intensive dhe industria.

Këto gazra grumbullohen në atmosferë dhe bllokojnë nxehtësinë e diellit brenda hapësirës tokësore, duke shkaktuar ngrohje globale. Si pasojë, ndryshojnë modelet e reshjeve, rritet frekuenca e thatësirave, përmbytjeve dhe valëve të nxehtësisë, gjë që ndikon drejtpërdrejt tek ne. E kështu vijnë ndryshimet klimatike, që një prej caqeve e kanë bujqësinë.

“Bujqësia s’është më si dikur”

Ecnim mes rreshtave të vreshtave në Rahovec bashkë me Habib Dinën. Ai ka një jetë në vreshta. Familjarisht gjithmonë kanë punuar. Duket që më lehtë ec mes hardhive se sa në asfalt.

telegrafi.com

Dëshira për ta avancuar jehonën e rrushit të qytetit të tij nuk e ka lënë edhe pa aktivitet shoqëror, duke e themeluar dhe udhëhequr Shoqatën e vreshtarëve.

Ai së bashku me vreshtarët e tjerë kërkuan ndihmë edhe për dëmin e shkaktuar nga ngricat e fillimit të vitit 2025.


Me ta u morën fillimisht Ministria e Bujqësisë e tutje Komuna e Rahovecit, por nuk u kompensua për dëmet e ngricave. Vizita në terren, raporte dhe aty përfundoi gjithçka. Në llogaritë e tyre nuk u derdh asnjë cent.

Habib Dina frikësohet se të tilla “sulme” nga natyra mund të jenë më të shpeshta, marrë parasysh trendin e 15 viteve të fundit.

“Nga viti 2010 e tutje ka filluar ndryshimi. Ka ra breshër shumë, gati çdo vit e shkatërronte një territor të vreshtave”, thotë ai, teksa kujton se si, në verat e fundit, reshjet e breshrit janë shndërruar në kërcënim të përvitshëm, shpesh duke rënë edhe natën.

“Para katër viteve ka ra breshër në ora 22:00. Natën nuk ka ra kurrë bre breshër, rrallë e rrallë herë. Kjo tregon se moti është ç’rregullu”, shton ai, duke tundur kokën.

Megjithatë, ai tregon për parashikimin tradicional që ju ka ndihmuar dikur, “nëse dita ka qenë e nxehtë e nata e çelne, gjasat për brymë janë 100%. Aty mundesh me e mbrojt hardhinë me tym, ose me ujë. Në shtetet e zhvilluara përdorin sisteme që lagin vreshtin gjatë natës. Kështu e heqin të ftohtin. Ne kemi ndezë kashtë edhe goma nëpër vresht dhe e kemi mujtë të ftohtit”, kujton ai, që në -6 gradë këto masa parandaluese nuk kryejnë punë.

Por, breshëri e ngrica janë vetëm fillimi i tregimit të tij. “Këto katër vitet e fundit ka nisë mos me pas borë gjatë dimrit”, shpjegon Habibi. “E bora ndikon në resurset nëntokësore që nuk ngihet toka me ujë. E kur nuk ngihet toka, nuk ka as pusetë që me nxjerr ujë për me ujit. Sistemet e ujitjes nuk janë të shpërndara më pas”.

Mungesa e ujit është ndër pikat më të brishta të bujqësisë në Kosovë.

Inxhinieri i bujqësisë, shumë vjet udhëheqës i programit të USAID-it për bujqësi, Fatmir Selimi shpjegon se nga 280 mijë hektarë me potencial për ujitje, vetëm rreth 20 mijë janë realisht nën ujitje.

“Sistemi i ujitjes përdoret vetëm në 10–15% të kapaciteteve ekzistuese”, thotë Selimi, duke theksuar se mungesa e dijes tek bujqit në shumë raste dhe mungesa e planifikimit për përdorimin e ujit e rëndon problemin.

Ai thotë se sistemet moderne të ujitjes, si ato pikë–pikë dhe digjitalizimi i tyre, po hyjnë ngadalë në përdorim, por pa një strategji të qëndrueshme për menaxhimin e ujit, çdo verë e nxehtë e kthen mungesën e ujit në krizë.

Ky ç’ekuilibër nuk përfundon më kaq. Vreshtaria është një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Rrushi kërkon ekuilibër midis diellit dhe shiut, nxehtësisë dhe lagështisë.

“Thatësia ndikon në rendiment, në pjekje, në kohën kur del rrushi”, shpjegon Habibi, “nëse rrushi ka pas kushte normale me dalë me datën 1 shtator, nga thatësia ai s’mundet edhe mbetet i imët, nuk ka kualitet.”

Vera e vitit 2024, kujton ai, ishte ndër më të nxehtat ndonjëherë, “temperaturat kanë arrit deri në 44 gradë. Edhe nata ka qenë e nxehtë, e këtë vit veç pak më e flladitshme”.

Në kushte të tilla, prodhimi bie, cilësia ulet, dhe tregu humbet.

“Kur del rrushi pa kualitet, importi të mund. Tregtarët largohen, e humb klientin”, tregon ai.

Në mungesë të sistemit të ujitjes dhe pajisjeve mbrojtëse, fermerët përballen të pambrojtur.

“Nuk jemi të përgatitur, as nuk ka kushte. Qeveria nuk është interesu. Ne veç çka është prej Zotit”, thotë Habibi me një ton dorëheqjeje.

Për të, vreshtaria nuk është vetëm punë, por pasuri kombëtare që duhet ruajtur. “Vreshtaria e Kosovës është pasuri. Duhet me pas ligj për me e mbrojt”, thotë me bindje.

Këtë hall ai thotë se nuk e kishin menduar, pasi dikur ka qenë disi e projektuar të funksionojë si duhet.

“Atëherë ka qenë në vijë, si e programume, pritshe me ra shi qat javë, edhe bike. Borë ka pas. Ka pas stinë. E tash s’ke as pranverë, as vjeshtë”, thotë teksa buzëqesh lehtë, si të kujtonte një rend natyror që s’kthehet më.

“Pranvera po bëhet e ftohtë, po kthehet kah dimri, e vjeshta po merr nxehtë. Në vitin 2024 pemët kanë lulëzu në vjeshtë. Ajo ia ka prish ciklin. Çdo ndryshim që ndodh, patjetër që e ka efektin e vet”.

Sipas ekspertit të bujqësisë Fatmir Selimi, bujqësia e Kosovës nuk është përgatitur për një klimë që ka ndryshuar kaq shpejt.

“Bujqësia e Kosovës ka qenë e mësuar me kushtet përafërsisht të njëjta gjatë viteve dhe pasi ka filluar ndryshimi në këto 10 deri 15 vitet e fundit, bujqit po ndryshojnë dhe po tentojnë me ju përshtatë kushteve të reja”, thotë ai, duke treguar se përshtatja nuk po ndodhë e plotë.

Raportet e ministrisë

Tregimi i Habibit nuk është i vetëm. Ato që ai i ka bartë në shpinën e tij, e tregojnë edhe raportet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë. Pasojat e ndryshimeve klimatike lexohen qartë në Raportet e Gjelbra të viteve të fundit.

Raportin e Gjelbër të vitit 2023, sektori i pemëve paraqitet si një nga më të prekurit nga ndryshimet klimatike. Aty thuhet se rendimentet e mollëve, dardhave dhe kumbullave kanë rënë dukshëm për shkak të ngricave të prillit që dëmtuan frutat e hershme, ndërsa temperaturat ekstreme dhe mungesa e reshjeve në verë çuan në tkurrje të prodhimit në kulturat që kërkojnë lagështi të vazhdueshme, si rrushi dhe pjeshka.

Në të njëjtin raport, përmendet se rendimentet e grurit dhe misrit në rajonet e Dukagjinit e Anadrinit ishin më të ulëta për shkak të thatësisë gjatë fazës së pjekjes, çka solli kokrra më të vogla dhe cilësi më të dobët.

E njëjta gjendje pasqyrohet edhe në Raportin e Gjelbër të vitit 2022, ku Ministria konstaton se periudhat e zgjatura të thatësirës dhe temperaturat e larta gjatë verës kishin shkaktuar ulje të rendimenteve të drithërave dhe dëmtime të kulturave në perime. Po aty theksohet se breshëri dhe reshjet e forta në muajt maj–qershor kishin shkatërruar pjesërisht prodhimin në Rahovec e Suharekë, duke e lënë një pjesë të fermerëve pa të ardhura. Në raport, për herë të parë, përmendet se “ndryshimet klimatike po krijojnë pasiguri të madhe në planifikimin bujqësor”.

Raportin e Gjelbër 2021, kjo pasiguri shihet në mungesën të borës gjatë dimrit dhe në mungesën e reshjeve të pranverës që kanë ndikuar në uljen e rendimenteve. Ministria konstaton se rendimenti i grurit dhe misrit ishte më i ulët se në vitin 2020, ndërsa në sektorin e pemëve vërehet se “lulëzimi i vonuar dhe temperaturat e larta gjatë verës kanë ndikuar në cilësinë e frutave”. Raporti paralajmëron për “ndryshime të papritura të temperaturave” që shkaktojnë stres në bimë, një dukuri që bujqit tashmë e përjetojnë çdo sezon.

Nëse kthehemi edhe më herët, Raporti i Gjelbër i vitit 2019 kishte qenë një ndër të parët që kishte paralajmëruar drejtimin që do të merrte klima. Në të dokumentohet se temperaturat mesatare vjetore për periudhën 2002–2018 kishin shënuar rritje të ndjeshme, ndërsa sasia e reshjeve kishte rënë në mënyrë të vazhdueshme.

Ky raport lidh drejtpërdrejt këto ndryshime me rënien e rendimenteve në disa kultura bazë, si gruri dhe patatja, të cilat u përballën me mungesë uji dhe reshje të pakontrolluara gjatë sezonit të mbjelljeve. Ministria kishte paralajmëruar që “kushtet klimatike të paqëndrueshme po ndikojnë në ciklet prodhuese dhe në koston e prodhimit bujqësor”, një vërejtje që sot tingëllon si parashikim i përmbushur.

Sipas inxhinierit të bujqësisë Fatmir Selimi, shumë bujq kanë filluar të kuptojnë se ndryshimi është i pashmangshëm, dhe po e përballojnë atë me dije. Ai thotë se bujqit po modernizohen, po bëjnë analiza të tokës dhe ujit, po marrin këshilla teknike dhe po i përshtatin kulturat dhe teknologjitë me kërkesat e tregut dhe me klimën e re.

“Efikasiteti në prodhimtari është rritur pasi që bujqit kanë rritur njohuritë, këshillohen me ekspertë privat, marrin këshilla nga barnatoret bujqësore dhe përdorin inpute dhe teknologji të reja që të rrisin prodhimtarinë dhe kualitetin dhe të zvogëlojnë koston e prodhimit”, thotë ai.

Kjo përshtatje e bujqve sipas tij shihet tek gruri ku përdorimi i variteteve të reja ka sjellë rritje të rendimentit, teksa zhvendosja e prodhimtarisë në masë të madhe në sera edhe të digjitalizuara, farave hibride e plehrave cilësorë, po i mban bujqit në lojë.

Sidoqoftë, Selimi kujton se ndikimi i klimës i prek pothuaj të gjitha kulturat, por goditje më të fortë jep te pemët dhe perimet. Efekti është jo vetëm një sezonal, por që humbja e investimit nga dëmi që mund t’i bëj ngrica, breshëri apo thatësia, një bujk e demoralizon për të vazhduar tutje dhe ju shton frikë bujqve të rinj.

Ai tregon se “në vitet e fundit kemi pas reshje të tepërta në muajin maj dhe qershor që ka ndikuar në mospunim të tokës dhe zvogëlim të rendimentit”, duke shtuar se reshjet e tepërta çojnë në situatën kur kulturat bujqësore sulmohen nga sëmundje që shkatërrojnë gjithë rendimentin.

Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, hidrolog që përcjell ndryshimet klimatike, në analizat e tij ka treguar se nëse krahasojmë vitet 1991-2015 me vitet 2016-2024 rënia në sasinë mesatare të reshjeve është afër 14 milimetra. Gjithashtu, një krahasim në sasinë mesatare të reshjeve në nivel vendi nga 2015-2024 ka një rënie 4.4%. Megjithatë, nëpër vite edhe sikur sasia e reshjeve mos të ketë ndryshuar shumë, problemi që sjell ndryshimi klimatik është tek shpërndarja e reshjeve nëpër muaj.

“Pranvera po karakterizohet gjithnjë e më shumë me reshje intensive dhe të përqendruara në periudha të shkurtra. Këto shira të rrëmbyeshëm nuk arrijnë të përthithen nga toka, duke shkaktuar erozion, largim të lëndëve ushqyese dhe vështirësi në mbjelljet e hershme. Ndërkohë, numri i ditëve me reshje të moderuara po zvogëlohet, çka e bën furnizimin natyror të tokës me ujë shumë të paqëndrueshëm”, tregon Kastrati.

Rritja e reshjeve me intensitet të lartë dhe përmbytja si rezultat shpeshherë i këtyre reshjeve shihet si një prej efekteve të qarta të ndryshimeve klimatike, sipas një raporti të trupës së Kombeve të Bashkuara, Intergovernmental Panel on Climate Change (IPCC), vjen si pasojë e përshpejtimit të ciklit të ujit nën ngrohjen globale.

Duke u kthyer në Kosovë, Kastrati tregon që kur shihen modelet dhe diagramet e reshjeve, vërehet qartazi se vera është e thatë, e temperatura mbi 35 gradë me ditë të tëra.

“Të dhënat e paraqitura tregojnë se muajt verorë po shënojnë një rënie të rëndësishme të reshjeve, e cila në disa skenarë mund të arrijë deri në –50%. Ky deficit shoqërohet me temperatura më të larta, avullim më të madh dhe mungesë të ditëve me shi të njëpasnjëshme, duke krijuar kushte për thatësira agrometeorologjike”, tregon ai.

Regional Rural Development Standing Working Group kanë bërë një analizë për Ballkanin Perëndimor ku trajtojnë rrezikun e ndryshimeve klimatike. Ajo që parashikohet deri në vitin 2050 duke u bazuar në Shërbimin për Indikatorët e Ujit në Adaptimin ndaj Ndryshimeve Klimatike (SWICCA) për të ardhmen në aspektin e reshjeve është shqetësuese.

“Sipas kësaj parashikimi, shihet se gjatë periudhës qershor–tetor do të ketë më pak reshje, duke filluar nga 4.8% në qershor deri në 11.9% në korrik, ndërsa temperaturat do të rriten nga 1.5 në 3°C në të njëjtën periudhë. Në pjesën tjetër të vitit, nëntor–maj, reshjet do të rriten nga 7.6% në dhjetor deri në 17.6% në shkurt, gjë që mund të shkaktojë përmbytje”, thuhet aty. Ashtu sikur edhe nisi në 18 dhe 19 nëntor të viti 2025, kur brenda dy ditëve pati reshje dhe përmbytje në disa zona të Kosovës.

Këtë rrezik e konfirmon edhe Ministria e Bujqësisë, duke thënë se nëse trendet klimatike vazhdojnë, do të ketë rrezik serioz në ulje të rendimenteve, stres ujor e erozion, bujqësia do të përballet me rreziqe serioze (ulje të rendimenteve, ulje në të ardhura, stres ujor e erozion.

‘Bujqit presin shtetin që s’po u vjen’

Fakti i konfirmuar nëpër raportet e Gjelbra të ministrisë nuk përcillet me veprime që vërehen. Përveç subvencionimit dhe granteve, bujqit kanë nevojë për dorën e shtetit edhe në rastet kur kulturat e tyre bujqësore dëmtohen nga kushtet ekstreme natyrore.

Ngrica e prillit në vreshta bëri dëme shumë të mëdha. Në dokumentin e vlerësimit të dëmeve në terren nga komisioni i ministrisë, kemi parë që është mbi 7 milionë euro, duke prekur prej 20 deri 70% të varieteteve të vreshtave.

Duke ditur që bujqësia është një prej sektorëve kryesorë në Kosovë, për Fatmir Selimin fatkeqësisht deri tash ka pasur improvizime dhe jo një strategji serioze.

“Kosova ka nevojë urgjente për Strategjinë e përballimit me ndryshime klimatike në bujqësi, për diversifikim të kulturave bujqësore dhe një politikë të qartë për përdorimin e ujit, tokës dhe pyjeve si burime natyrore”, thotë ai që për shumë vjet ka ndihmuar në këto aspekte përmes organizatave ndërkombëtare.

Këto politika, sipas Selimit, nuk mund të mbesin vetëm në letër, dhe jo vetëm në nivel qendror, por edhe në atë lokal.

Në nivel kombëtar ai sheh nevojën për ligje, rregullore dhe kritere të qarta që adresojnë ndryshimet klimatike, ndërsa niveli lokal duhet t’i zbresë këto në praktikë, përmes kushteve konkrete dhe këshillimit të bujqve.

Në anën tjetër ministria thotë se ata parashikojnë të gjitha këto në strategji dhe në planin e veprimit të tyre, në të cilin janë paraparë investime prej planeve të menaxhimit e deri te sigurimi e kompensimi.

Por, në këtë peizazh bujqësor, ngecjet më të mëdha ai i sheh pikërisht aty ku duhej të ishin zgjidhjet. Sipas tij, sektori bujqësor ka bërë përpjekje të modernizohet dhe të përdorë teknologji të reja për të zvogëluar dëmet nga klima, por institucionet kanë mbetur prapa.

“Ngecjet më të mëdha janë në zhvillimin e politikave përkrahëse që mund të zbatohen në praktikë dhe zhvillimi i informative të sakta dhe dijenisë se si duhet të ballafaqohet me këto ndryshime dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Kosovë”, thotë Selimi.

Një prej boshllëqeve më të mëdha është mungesa e një sistemi funksional të sigurimeve bujqësore, pikërisht në një kohë kur dëmet nga thatësirat, përmbytjet, breshëri dhe ngricat po rriten nga viti në vit.

Selimi kujton se “procesi i zhvillimit të sigurimeve bujqësore ka filluar nga viti 2014 nëpërmjet një studimi që ka zhvilluar programi për bujqësi i USAID-it NOA (New Opportunities for Agriculture) me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë”. Më pas, me mbështetjen e IFC/Bankës Botërore, është ndërtuar një model sigurimesh që është testuar dhe ka funksionuar deri në vitin 2023.

Por, ndryshimet ligjore e kanë lënë këtë sistem në ajër.

“Ministria e Bujqësisë ka vendosë me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të zhvendosë sigurimet bujqësore nga përkrahja direkte/subvencionet në përkrahje me grante dhe deri më tani nuk ka arrit ta zbatojë këtë sistem të ri”, shpjegon ai.

Ministria nuk e zë në gojë këtë zhvillim, por ata qasen duke treguar rreth kompanive private të sigurimeve që prej 2023 e tutje nuk kanë ofruar më polica të sigurimit.

“Disa kompani të sigurimeve kanë ofruar polica të sigurimit bujqësor deri në vitin 2023. Megjithëse ekziston Masa për Sigurime Bujqësore, gjatë vitit 2024 këto kompani nuk kanë ofruar polica të sigurimit bujqësor”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Për Selimin, sigurimet janë një prej mjeteve të pakta që mund ta bëjnë bujqësinë më pak të rrezikshme në kohë krize klimatike. “Sigurimet bujqësore duhet të përkrahin bujqit që të zvogëlojnë rrezikun nga dëmet që nuk i kemi planifikuar dhe të mbulojë shpenzimet të cilat bujku nuk ka mundësi të i rekuperojë”, thotë ai.

Efekti ekonomik

Ndryshimet klimatike në një ambient sikur ky i Kosovës ku parandalimi dhe përballja me të është në nivel të ulët, aq sa Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë vlerësim të detajuar, të nivelit të humbjeve të fermerëve të shpërndara sipas thatësirës apo përmbytjeve, ngricave apo faktorë të tjerë, bëhen edhe më të dukshme.

E pasojat në ekonomi nga ndryshimet klimatike janë të shumta.

Së pari, nëse një kulturë bujqësore nuk ka rendiment në Kosovë, menjëherë hapet rruga nga tregtarët për ta importuar atë. Importi i një kulture bujqësore do të thotë rritje e çmimit për atë dhe ndikim negativ në rritjen ekonomike.

Raportet e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e paraqesin këtë gjendje qartazi.

Tremujori i dytë i vitit 2025 tregon një rritje të çmimeve të prodhimeve bujqësore për 8% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Njëjtë edhe në tremujorin e tretë i vitit 2025, që e tregon se rritja vazhdon të jetë në nivel të njëjtë me vitin paraprak, duke shënuar 8.2% rritje.

Nëse analizojmë pemët dhe perimet si baza e shportës së konsumatorit, rritja në tremujorin e tretë, si muaj që mbushin tregun me pemë dhe perime, shihet qartazi rritja e cila është eksponenciale prej vitit 2020.

Vetëm importin e rrushit të tryezës për vitin 2025 në Kosovë për periudhën janar-nëntor, del se kemi importuar diku pak më shumë se 3 tonë rrush, me vlerë të mallit 3.34 milionë euro, që me taksë të doganës dhe TVSH, shkon në total diku 4 milionë euro.

Rasti me ngrica në prill na e nxjerr qartë efektin. Në vitin 2025 kemi importuar më shumë rrush se sa vitin 2024. Afër 1 ton rrush i freskët i tryezës është importuar më shumë se sa në vitin 2024.

Kurse për 2025 në periudhën janar-nëntor, vetëm speca të freskët, sipas Doganës së Kosovës, janë importuar afër 11.5 tonë speca të freskët, në vlerë të mallit afër 10.3 milionë euro, që i shtohen afër 130,000 euro taksë doganore, 1.8 milion euro TVSH dhe një pjesa tjetër e kostove të transportit.

Kështu ndikon mungesa e produktit vendor, duke u zëvendësuar me produkt të importit.

Sipas Fatmir Selimit, ndikimi ekonomik i ndryshimeve klimatike në bujqësinë e Kosovës është tashmë i dukshëm dhe po reflektohet drejtpërdrejt në të ardhurat e fermerëve dhe në stabilitetin e tregut ushqimor. Ai vlerëson se humbjet nga thatësirat, përmbytjet dhe valët ekstreme të nxehtësisë po rrisin koston e prodhimit, duke e bërë bujqësinë gjithnjë e më pak të parashikueshme financiarisht. Rendimentet e paqëndrueshme, sipas tij, po ndikojnë edhe në çmimet e produkteve bujqësore, duke rritur varësinë nga importi dhe duke dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë.

Në shumë raste, dëmet klimatike nuk kompensohen, çka i shtyn fermerët drejt borxheve ose heqjes dorë nga prodhimi.

Bujqve kosovarë nuk u janë ulur të hyrat vetëm nga dështimi i zhvillimit të kulturave për shkak të ndodhive natyrore që shkaktohen nga ndryshimet klimatike. Atyre u janë shtrenjtuar edhe inputet që i përdorin për të punuar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin e tyre për Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi 2020–2024, konstaton se ka një rritje të ndjeshme të kostove për inputet bujqësore, veçanërisht krahasuar me vitin bazë 2020. Sipas të dhënave, indeksi i përgjithshëm i inputeve bujqësore në vitin 2024 është rritur me 39.6% krahasuar me vitin 2020. Inputet që lidhen me investimet bujqësore, si makineritë, pajisjet dhe ndërtesat e fermave, kanë shënuar rritjen më të madhe. Indeksi i këtij grupi është rritur me 55.8% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2020.

Për bujqit tashmë është e nevojshme një linjë e qartë për investime vetëm në përballje me ndryshime klimatike, sikur janë sistemet e mbrojtjes nga breshëri, drenazhimet për t’i shpëtuar përmbytjeve, kanalet e ujitjes për luftë kundër thatësisë e forma të shpërndarjes së ujit apo ngrohësve për t’i shpëtuar ngricave.

Me shpresë të vogël, herë më mirë e herë më keq, bujqit vazhdojnë luftën e tyre ndaj ndryshimeve klimatike dhe luftën e mbijetesës me këtë veprimtari.


La Nina po largohet, El Nino afrohet - çfarë do të thotë kjo për motin në Evropë?

10 January 2026 at 07:52


Fenomeni La Niña po humbet fuqinë, sinjal për ndryshime të mëdha klimatike në 2026.

Fenomeni La Niña, që ka ndikuar dukshëm në kushtet klimatike globale gjatë muajve të fundit, po dobësohet shpejt mbi pjesën tropikale të Oqeanit Paqësor.

Të dhënat më të fundit nga oqeani dhe atmosfera tregojnë se anomalitë e ftohta në Paqësor po zbehen, sidomos në pjesën perëndimore, çka tregon se gjatë vitit 2026 mund të ndodhin ndryshime të rëndësishme në sistemin global të motit, shkruan Severe Weather.

Edhe pse ndikimi i La Niñës mbi atmosferën do të vazhdojë gjatë pjesës së parë të dimrit dhe në fillim të pranverës, modelet afatgjata tregojnë gjithnjë e më qartë një kalim drejt fenomenit El Niño, i cili mund të fillojë që gjatë verës dhe të konsolidohet plotësisht deri në vjeshtë.

Ky ndryshim ka pasoja të rëndësishme për Evropën, përfshirë edhe Kroacinë, veçanërisht në kontekstin e dimrit 2026/2027.

Çfarë janë La Nina dhe El Nino?


La Niña dhe El Niño janë pjesë e sistemit klimatik të njohur si ENSO, i cili përshkruan alternimin e fazave të ftohta dhe të ngrohta në Paqësorin ekuatorial.

Edhe pse këto procese ndodhin larg Evropës, ato ndikojnë fuqishëm në shpërndarjen e zonave me presion të lartë dhe të ulët në atmosferë, si dhe në drejtimet e rrjedhave të mëdha ajrore që formojnë motin në hemisferën veriore.

Gjatë La Niñës, forcohen erërat e përhershme lindore pranë ekuatorit, të cilat shtyjnë ujin e ngrohtë sipërfaqësor drejt perëndimit të Paqësorit, ndërsa uji më i ftohtë nga thellësia del në sipërfaqe. Por javët e fundit, ky model ka filluar të ndryshojë.

Në pjesën perëndimore dhe qendrore të Paqësorit po zhvillohet një erë e fortë perëndimore, që nxit ngrohjen e sipërfaqes së oqeanit dhe shkatërron shtresën e ftohtë të ujit tipike për La Niñan.

Shenjat e ndryshimit

Analizat e temperaturës së detit tregojnë se anomalitë e ftohta po zhvendosen nga perëndimi drejt lindjes, dhe kjo po ndodh më herët se zakonisht për ngjarje të tilla.

Në të njëjtën kohë, nën sipërfaqen e oqeanit, në thellësi rreth 100–250 metra, po përhapet një “pishinë” e madhe uji të ngrohtë. Ky ngrohje nëntokësore është një nga shenjat e para dhe më të besueshme të ardhjes së fenomenit El Niño.

Megjithatë, efektet atmosferike të La Niñës nuk zhduken menjëherë.

Atmosfera reagon më ngadalë se oqeani, prandaj ndikimi i saj mund të ndihet edhe disa muaj pas ngrohjes së sipërfaqes së detit. Për këtë arsye, pritet që La Niña të ndikojë të paktën gjatë pjesës së hershme të pranverës 2026.

Ndikimi mbi Evropën dhe Ballkanin

Gjatë kësaj periudhe, sipas mesatareve afatgjata, në Evropë vërehet një trend më i ngrohtë në pjesët perëndimore dhe perëndim-qendrore të kontinentit.

Ky fenomen lidhet me presionin më të ulët mbi Atlantikun e Veriut, i cili forcon rrjedhjen perëndimore drejt Evropës.

Një qarkullim i tillë zakonisht sjell ajër më të butë, temperatura të moderuara dhe më pak depërtim të ajrit të ftohtë kontinentale nga lindja, duke ndikuar kështu edhe në dimrin e ardhshëm në Ballkan.

Çfarë sjell gjysma e dytë e vitit 2026?

Ndryshimi kryesor pritet në gjysmën e dytë të vitit. Të gjitha modelet sezonale relevante bien dakord se La Niña do të përfundojë relativisht shpejt, dhe se fenomeni El Niño mund të fillojë që gjatë verës 2026.

Deri në fillim të vjeshtës, pritet që të formohet plotësisht faza e ngrohtë e ENSO-s, e cila mund të arrijë kulmin gjatë dimrit 2026/2027, me mundësi që ndikimi i saj të zgjasë edhe më gjatë.

Për Evropën, El Niño zakonisht sjell ndryshime më të theksuara në qarkullimin mbi Atlantikun e Veriut. Të dhënat historike tregojnë se dimrat e tillë shpesh karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme të motit, ciklone më të forta dhe kontraste më të mëdha temperaturash.

Një element veçanërisht i rëndësishëm është se gjatë dimrit me El Niño shpesh formohet një “korridor i ajrit të ftohtë”, që mund të shtrihet nga pjesa jugore e Mbretërisë së Bashkuar, përmes Evropës Qendrore, deri në juglindje të kontinentit.

Përgjatë këtij korridori të ajrit të ftohtë, rritet potenciali për reshje bore, duke përfshirë edhe pjesët qendrore të Evropës. Ky model mund të prekë herë pas here edhe Evropën Juglindore, duke rritur mundësinë për borë dhe depërtime të theksuara të ajrit të ftohtë drejt Ballkanit.

Dimër dinamik 2026/2027

Për Ballkanin, një zhvillim i tillë do të nënkuptonte një dimër më dinamik, me mundësi më të mëdha për borë në brendësi të vendit, ndryshime më të shpeshta midis periudhave më të ngrohta dhe më të ftohta, si dhe situata ciklonale më të shprehura mbi detin Adriatik. Në vend të stabilitetit të gjatë, ka më shumë gjasa për ndryshime të papritura të motit.

Edhe pse është ende herët për parashikime të detajuara, drejtimi i zhvillimit është i qartë: La Niña po dobësohet më shpejt se pritej, oqeani po ngrohet, dhe atmosfera do të ndjekë gradualisht këtë sinjal gjatë vitit 2026.

Pranvera do të ruajë ende shenjat e La Niñës, por vera dhe vjeshta hapin rrugën për El Ninon, i cili mund të ndikojë fort në dimrin 2026/2027 në Evropë, përfshirë edhe Ballkanin. /Telegrafi/

Stabilizohen nivelet e liqeneve të Batllavës dhe Badocit pas reshjeve të shiut

14 December 2025 at 23:39


Pas reshjeve të fundit të shiut, nivelet e dy liqeneve atij të Batllavës dhe Badocit, janë stabilizuar dhe aktualisht gjendja po paraqitet e mirë. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’.

Megjithëse gjendja është stabile, Ujësjellësi ‘Prishtina’ u bën thirrje qytetarëve që të përdorin ujin me kujdes, në mënyrë që të mos ketë mungesa të furnizimit me ujë të pijshëm.

Sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, niveli në këtë liqen gjatë kësaj javës ka arritur në -4 metra nën nivelin maksimal të mbushjes, ndërsa në Liqenin e Badocit niveli është -6.45 metra.

Zyrtarët e kompanisë theksuan se gjendja aktualisht në të dy liqenet është stabile. Por pavarësisht këtyre niveleve, kërkohet që qytetarët ta kursejnë ujin.

Sipas tyre, një nga hapat më të rëndësishëm për ruajtjen e ujit është që të mos shpenzohet pa nevojë sikurse keqpërdorimi i tij për larje veturash, trotuaresh apo punime të panevojshme. Por theksohet përdorimi ujit vetëm për nevojat bazike, si për pije, higjienë dhe përgatitje.

Edhe njohës të mjedisit theksojnë rëndësinë e ruajtjes së ujit, edhe atëherë kur nivelet e liqeneve paraqiten stabile, pasi sipas tyre, tashmë edhe reshjet janë më të pakta.

“Burimet e ujit në Kosovë nuk mjaftojnë për t’i shërbyer ekonomisë që po zhvillohet dhe të gjitha kërkesave të tjera, qoftë të industrisë apo të shërbimeve publike, pasi reshjet kanë devijuar dhe nuk janë më në renditjen e mëhershme, që do të thotë se ka edhe reshje më të pakta”, tha Ilir Morina, njohës i mjedisit.

Një nga faktorët sipas tij, janë ndryshimet klimatike që po ndodhin tashmë në gjithë botën. Prandaj ai thekson nevojën e ndërmarrjes së masave të duhura nga institucionet e Kosovës./RTK

UBT shënon arritje historike: Renditet përsëri ndër institucionet më të mira në botë dhe i pari në rajon, sipas GreenMetric

12 December 2025 at 22:34


UBT është renditur ndër institucionet më të mira në botë nga UI GreenMetric World University Ranking, një ndër vlerësimet globale më prestigjioze për qëndrueshmërinë universitare dhe kampuset e gjelbra. UBT është institucioni i parë në rajon që pozicionohet me sukses në këtë renditje të rëndësishme ndërkombëtare.

Nga mbi 1,800 institucione pjesëmarrëse nga e gjithë bota, UBT është renditur në 50% e institucioneve më të mira, duke konfirmuar angazhimin e tij për krijimin e kampuseve të gjelbra, të qëndrueshme dhe inovative.

Në veçanti, në kategorinë e kampuseve inovative, në mesin e mbi 500 institucione të përfshira globalisht, UBT u rendit në vendin e 169, duke treguar përkushtimin e vazhdueshëm të institucionit ndaj standardeve ndërkombëtare dhe inovacionit në mjedis.

UI GreenMetric përdor një metodologji që vlerëson 39 indikatorë në gjashtë fusha kyçe: mjedisin dhe infrastrukturën, energjinë dhe ndryshimet klimatike, menaxhimin e mbetjeve, ujin, transportin, si dhe edukimin dhe kërkimin.

Rezultatet e këtij viti e pozicionojnë UBT-në si një nga institucionet më të përparuara në rajon për qëndrueshmërinë e kampusit dhe politikat inovative të menaxhimit. Kjo arritje e vendos UBT-në në një pozitë të veçantë në hartën akademike ndërkombëtare dhe përfaqëson një sukses të jashtëzakonshëm për institucionin dhe arsimin e lartë në Kosovë.

Ajo dëshmon se institucionet në Kosovë mund të konkurrojnë me sukses në skenën globale, duke tejkaluar standardet ndërkombëtare në qëndrueshmëri, inovacion dhe zhvillim të përgjegjshëm. UBT ka qenë pjesë e kësaj renditjeje prestigjioze edhe në vitet 2023 dhe 2024, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për qëndrueshmërinë mjedisore dhe ndryshimet klimatike.

Jaupaj: Shqipëria drejt epokës së ekonomisë qarkulluese, ndotësi paguan

4 December 2025 at 19:41

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Në Kuvend u prezantua sot nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”.

Jaupaj tha se ky projektligj vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian pas hapjes së negociatave të grup-kapitullit 4, pjesë e të cilit është edhe Kapitulli 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.

“Miratimi dhe zbatimi i këtij ligji do të thotë se Shqipëria nuk po përmbush vetëm formalisht kërkesat e BE-së, por po ndërton një model të qëndrueshëm që sjell përfitime konkrete për shëndetin publik, mjedisin dhe ekonominë”, tha ai.

Ministri i Mjedisit, u shpreh se Qeveria shqiptare ka marrë përsipër angazhime të qarta lidhur me ekonominë qarkulluese dhe plani kombëtar për menaxhimin e mbetjeve e identifikon përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit si një shtyllë kryesore për arritjen e objektivave kombëtare.

“Pa zbatimin e këtij sistemi, objektivat për ripërdorim dhe riciklim të mbetjeve mbeten thjesht në letër. Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Parisit dhe ka marrë angazhime në forume ndërkombëtare për zvogëlimin e emetimeve të gazeve serrë. Menaxhimi i integruar i mbetjeve kontribuon drejtpërdrejtë duke ulur emetimet e gazeve nga landfillet duke promovuar riciklimin”, tha Jaupaj.

Sipas Jaupajt, ligji është në përputhje me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

“Përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit është një qasje mjedisore e cila parashikon se prodhuesi dhe importuesi duhet të mbajnë përgjegjësi financuare dhe organizative për menaxhimin e mbetjeve që gjenerohen nga produktet e tyre nga mbledhja, riciklimi dhe trajtimi fundor i tyre. Subjektet prodhuese që vendosin produkte në tregun shqiptar do të jenë financiarisht përgjegjëse për trajtimin e mbetjeve që krijohen nga këto produkte”, pohoi ai.

Jaupaj theksoi se projektligji do të zbatohet për të paktën pesë rryma të mbetjeve, si ambalazhet, bateritë, automjetet në fund të jetës, mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike dhe vajrat e përdorur.

Ministri Jaupaj pohoi se ky projektligj fuqizon parimin “ndotësi paguan”, si një element kyç në menaxhimin e mbetjeve dhe përfaqëson një reformë, e cila transferon barrën e transferimit të mbetjeve nga tatimpaguesi te prodhuesit dhe ndotësit.

Sipas Jaupajt, projektligji plotëson një kërkesë të BE-së, ndërsa krijon mekanizma financiarë për ekonominë qarkulluese, si edhe rrit përgjegjësinë e biznesit ndaj mjedisit dhe shoqërisë.

“Për dekada të tëra, ekonomia ka ndjekur modelin linear prodho-konsumo-hidh. Ky model tejkalon kapacitetin tonë për t’i menaxhuar mbetjet, ndërsa mjedisi po dëmtohet. Ky ligj përfaqëson hyrjen e Shqipërisë në epokën e ekonomisë qarkulluese ku burimet ruhen, produktet ripërdoren dhe mbetjet transferohen në mundësi”, tha ai.

“Me miratimin e këtij ligji, ne po vendosim themelet e një transformimi të domosdoshëm. Ky ligj është një provë konkrete se Shqipëria po ecën me vendosmëri drejt standardeve evropiane, nga bindja se ky është modeli i zhvillimit që meriton vendi ynë, një ekonomi moderne që e pozicionon Shqipërinë si një vend që mbron interesin publik, orienton bizneset drejt përgjegjësisë dhe inovacionit dhe që zgjedh të ndërtojë një ekonomi të gjelbër për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, përfundoi Jaupaj.

/e.i/a.f/r.e/

The post Jaupaj: Shqipëria drejt epokës së ekonomisë qarkulluese, ndotësi paguan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sekreti i verës po shuhet nga klima - çfarë po bën Franca?

29 November 2025 at 23:50


Franca thotë se është “e vendosur” të shpëtojë industrinë e verës nga një krizë, por a mund të kthehet ky plan kundër saj?

Franca është drejtuar për ndihmë tek Bashkimi Evropian, pas ndarjes së fondeve shtesë për të shpëtuar industrinë e verës, e cila po përkeqësohet, raporton euronews.

Fillimisht këtë javë, Ministria franceze e Bujqësisë konfirmoi se ka alokuar 130 milionë euro për të financuar një plan të ri, të përhershëm për prerjen e hardhieve të rrushit, me qëllim “rialokimin e ofertës” dhe “rikthimin e qëndrueshmërisë” së fermave që po përballen me vështirësi në rajonet më të cenueshme.

Ky proces përfshin prishjen dhe nxjerrjen e rrushit me rrënjë nga toka, zakonisht duke përdorur pajisje të specializuara - si pllugët e thellë dhe mund të kushtojë rreth 1000 euro për hektar, transmeton Telegrafi.

Ministrja Annie Genevard gjithashtu i ka kërkuar Komisionerit Evropian për Bujqësi dhe Ushqim, Christophe Hansen, të financojë distilimin e stokut të tepërt që nuk mund të shitet. Ky është procesi ku furnizimi i tepërt shndërrohet në alkool për qëllime industriale, në vend se për konsum.

Çfarë fshihet pas krizës së vreshtave në Francë?

Genevard thotë se vendi, i cili është një nga prodhuesit më të mëdhenj të verës në botë dhe ka 11 për qind të vreshtave globale, ka përballuar “vazhdimisht” një krizë për disa vite. Në një deklaratë të 24 nëntorit, ajo fajësoi një treshe problemesh, përfshirë edhe “tensionet e mëdha gjeopolitike”.

Kjo vjen pas kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump për të vendosur një tarifë prej 200 për qind mbi pijet alkoolike evropiane më herët këtë vit, një masë që u tërhoq shpejt. Megjithatë, disa muaj më vonë u njoftua një tarifë prej 15 për qind për eksportet drejt SHBA-së, një treg kyç për industrinë franceze të verës.

Rënia e vazhdueshme e konsumit të verës, veçanërisht e verave të kuqe, ka kontribuar gjithashtu në krizën e vreshtave në Francë.

Vitin e kaluar, konsumimi global i verës ra në nivelin më të ulët në më shumë se 60 vjet, ndërsa disa anketime treguan se gjenerata Z (ata që kanë lindur midis 1997 dhe 2021) po e shmang krejtësisht alkoolin.

Për më tepër, Genevard argumentoi se vuajtjet e sektorit janë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, të cilat “kanë ndikuar përsëritësisht në të korrat” për disa vite.

“Kjo përpjekje e re financiare e konsiderueshme, përkundër një konteksti buxhetor veçanërisht të vështirë dhe në pritje të miratimit të ligjit të financave, tregon vendosmërinë e qeverisë për të shpëtuar industrinë tonë të verës në afat të gjatë dhe për ta lejuar atë të rimëkëmbet”, thotë ministrja.

“Ky nuk është një tjetër plan emergjence për të korrigjuar një pabarazi strukturore, është një investim në sektorin tonë të verës dhe tek fermerët në këto zona prodhimi”, shtoi ajo.

Ekspertët frikësohen se tarifat, së bashku me kursin e këmbimit të valutave, mund të reduktojnë të ardhurat vjetore nga shitjet e verës dhe pijeve alkoolike franceze me rreth 1 miliard euro.

Çka është prerja e rrushit me rrënjë?

Ideja e heqjes së vreshtave nuk është e re. Mendohet se ka origjinën në shekullin e I-rë, kur Perandori Roman, Domitian, urdhëroi prerjen e 50 për qind të rrushit në Gal (një rajon i lashtë i Evropës Perëndimore që përkon përafërsisht me Francën e sotme) nga frika se ato përbënin konkurrencë për verërat romake. Që atëherë, subvencione për prerjen e vreshtave janë futur disa herë dhe tani kjo konsiderohet një masë më ekonomike krahasuar me distilimin ose ruajtjen e tepricës.

“Çështjet e sotme janë prodhimi i tepërt i verës dhe një rënie e madhe e konsumit, veçanërisht e verave të kuqe, kryesisht në sektorin fillestar”, thotë Pierre Metz, partner në vreshtin Domaine Alain Chabanon në Terrasse du Larzac, në jug të Francës, për Euronews Green.

“Konsumatorët e rinj zakonisht pinë më pak verë, gjë që shtyn shitësit të ulin çmimet, gjë që më pas ul çmimet edhe në nivelin e prodhuesve”, shtoi ai.

Metz shpjegon se prodhuesit tani do të marrin vetëm rreth 0.80 euro për një litër verë “gjenerike” Bordeaux.

“Zgjidhja që propozojnë grupet e lobit të prodhuesve është ulja e prodhimit. Një vresht jo produktiv gjithsesi kushton para për t’u mirëmbajtur dhe për të shmangur përhapjen e sëmundjeve, pasi në fakt ka gjoba për t’u paguar nëse nuk e mirëmban vreshtin tënd”, deklaroi ai.

Ka dy mënyra të ndryshme për të hequr rrushin: përkohësisht ose përgjithmonë. Mënyra e përkohshme ka përfitimin që lejon pronarët e vreshtave të riprodhojnë varietete të rezistueshme ndaj nxehtësisë, duke u përshtatur me rritjen e temperaturave, por kjo ende redukton prodhimin për disa vite.

Rreziku i zjarreve të egra

Prerja e përhershme e vreshtave ka rreziqet e veta, përfshirë shqetësimin e jetës së egër dhe pengimin e parandalimit të zjarreve.

Evropa përballet me më shumë zjarre se kurrë, pasi thatësirat dhe temperaturat në rritje të nxitura nga ndryshimet klimatike e bëjnë shumë rajone të kontinentit më të ndjeshme. Sipas Komisionit Evropian, zonat e rrezikuara nga zjarret vetëm në Francë pritet të rritet me 17 për qind deri në vitin 2040.

Megjithatë, vreshtat e mirëmbajtura mund të jenë pjesë e zgjidhjes, pasi kërkimet tregojnë se parcelat e rrushit mund të veprojnë si “pengesa ndaj zjarrit” duke krijuar hapësira në karburant dhe duke ngadalësuar përhapjen e flakëve.

“Studimet në zonat e rrezikuara nga zjarret tregojnë se, shpesh, zjarret e egra ndalen në skaj të vreshtave të mirëmbajtura — për sa kohë që hapësira midis rreshtave nuk mbulohet nga bimësi e ndezshme”, shton Departamenti i BE-së për Bujqësi dhe Zhvillim.


Metz shpjegon se rreziku i zjarreve mund të zvogëlohet duke mbjellë gjemba, duke kullotur bimësinë e egër dhe duke kryer mirëmbajtje të përgjithshme. Megjithatë, kjo do të kishte kosto të larta, të cilat vreshtat që zgjedhin të prerë rrushin mund të mos i përballojnë.

Vrreshtat e prerë gjithashtu mund të zëvendësohen nga kultivimi i perimeve dhe drithërave, por shumica zgjedhin ta lënë tokën të zbrazët, pasi kjo gjithashtu kërkon shpenzime paraprake.

Si po ndikon ndryshimi i klimës në industrinë e verës?

“Ndryshimi i klimës është një temë ditore për pronarët e vreshtave”, thotë Metz, duke treguar për “shumëfishimin” e periudhave të nxehta që po nxiten nga ngrohja globale.

Këtë verë, shumë pjesë të Francës u vendosën në alarm të lartë për nxehtësi, pasi temperaturat arritën deri në 43 gradë Celsius në disa zona të Charente dhe Aude. Temperaturat e larta u identifikuan si një nga shkaqet kryesore të një zjarri të madh që shkrumboi 160 kilometra/katrorë në Aude.

“Kjo seri e valëve të nxehtësisë krijon gjithashtu një problem me ujin, pasi bie më pak shi dhe rezervat e ujit nëntokësor janë më të ulëta çdo vit. Disa nga zonat e mëdha të prodhimit mund të mbijetojnë vetëm me ujitje, e cila bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë për shkak të mungesës së ujit”, shtoi ai.

Në muajin qershor, Agjencia Evropiane e Thatësirës klasifikoi një të tretën e Europës si të prekura nga thatësira, ndërsa 10 për qind e Europës ishte në një gjendje krize. Në Francë, më shumë se 30 mijë banorë të komunave patën ndërprerje në furnizimin me ujë.

Ndryshe nga prodhuesit masivë, Metz zgjedh të mos ujisë vreshtat dhe të mos përdorë pleh, gjë që, sipas tij, e detyron bimën të “aktivizojë instinktin e mbijetesës” dhe “të shtyjë rrënjët thellë në tokë për të kërkuar ujë”.


Ai argumenton se vreshëtarët e mirë nuk kanë nevojë për mbrojtje dhe duhet të jenë të aftë të përshtaten me mjedisin që ndryshon.

“Ndihma e vërtetë do të ishte të inkurajohej një rritje e cilësisë duke ulur rendimentin për hektar,” shton Hetz, duke argumentuar se prerja e vreshtave do të jetë si “një pikë uji mbi një gur të nxehtë për shumicën e prodhuesve”. /Telegrafi/

Evakuohen pjesëmarrësit në COP30, për shkak të një zjarri që shpërtheu brenda vendit të ngjarjes në Belém të Brazilit

20 November 2025 at 21:27


Pjesëmarrësit në bisedimet e OKB-së për klimën, COP30, janë evakuuar për shkak të një zjarri që shpërtheu brenda vendit të ngjarjes në Belém të Brazilit.

Sipas BBC-së, gazetarët e këtij mediumi panë flakë dhe tym në zonën e pavijonit përpara se të nxirreshin me nxitim jashtë.

Ndërkohë qeveria braziliane thotë se zjarri tani është nën kontroll dhe se askush nuk është lënduar.

BREAKING: The venue where the COP30 climate summit is being held in Brazil has been evacuated after a fire broke out.

Sky's @BarbaraGSerra reports ⬇️

Latest 🔗 https://t.co/tttVg2R9wn

📺 Sky 501, Virgin 602, Freeview 233 and YouTube pic.twitter.com/G2XXQAueCR
— Sky News (@SkyNews) November 20, 2025

Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi flakën por një dëshmitar okular i tha BBC-së se beson që një zjarr elektrik ishte shkaku.

Një grua u mor me karrocë me rrota, por nuk është e qartë nëse kjo ishte e lidhur me zjarrin.

Ndryshe, mijëra njerëz po marrin pjesë në bisedimet e OKB-së për klimën, përfshirë anëtarë të delegacioneve nga e gjithë bota.

We’ve just been evacuated from the COP30 Climate negotiations at Belem. We are currently in a safe zone and all accounted for.

Hoping everyone is safe.#COP30 pic.twitter.com/GC0hGc3ele
— Kumi Naidoo (@kuminaidoo) November 20, 2025

Aty, gati 200 vende po përpiqen të bien dakord se si të bëjnë përparim në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

Një anëtar i delegacionit të Mbretërisë së Bashkuar tha se po ktheheshin në banesën e tyre dhe se zjarri kishte ndërprerë negociatat. /Telegrafi/

UNHCR: Ndryshimet klimatike detyruan miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre

11 November 2025 at 08:22

Pasojat e ndryshimeve klimatike kanë detyruar tashmë miliona njerëz në mbarë botën të braktisin shtëpitë e tyre, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), në prag të Konferencës së 30-të vjetore të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që nisi dje në Brazil.

“Sipas të dhënave të dekadës së fundit, fatkeqësitë e lidhura me motin kanë shkaktuar rreth 250 milionë zhvendosje të brendshme që do të thotë mbi 67 mijë zhvendosje çdo ditë”, thuhet në raportin e UNHCR-së të publikuar sot.

Organizata flet për një “rreth vicioz” midis konflikteve dhe krizave klimatike. Tre të katërtat e njerëzve të zhvendosur për shkak të konflikteve jetojnë në vende veçanërisht të cenueshme nga pasojat e ndryshimeve klimatike.

Në raport përmenden, ndër të tjera, përmbytjet në Sudanin e Jugut dhe Brazil, valët rekord të të nxehtit në Kenia dhe Pakistan, si dhe mungesa e ujit në Çad dhe Etiopi.

“Ndryshimet klimatike po përkeqësojnë dhe shumëfishojnë sfidat me të cilat përballen njerëzit tashmë të zhvendosur dhe komunitetet pritëse, veçanërisht në zonat e brishta dhe të prekura nga konfliktet”, thekson raporti.

Sipas UNHCR-së, vetëm një e katërta e fondeve të destinuara për përshtatjen ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike arrijnë në vendet e rrezikuara nga konfliktet,  vende që shpesh strehojnë edhe numër të madh refugjatësh.

Samiti vjetor i klimës së OKB-së, i njohur si “COP30”, shërben shpesh si platformë për vendet e varfra që të kërkojnë më shumë fonde nga vendet e pasura për t’u përshtatur me kushtet klimatike gjithnjë e më të ashpra.

“Nëse duam stabilitet, duhet të investojmë aty ku njerëzit janë më të rrezikuar”, deklaroi shefi i UNHCR-së, Filippo Grandi.

Përse bëhet fjalë në samitin e klimës në Brazil?

10 November 2025 at 13:20


Për të frenuar ndryshimet klimatike, njerëzimi duhet të veprojë me më shumë vendosmëri. Aktualisht tendenca lëviz në drejtimin e kundërt. A do të ketë bashkëpunim në konferencën për klimën që fillon sot në Belém?

Dhjetë vjet pas Marrëveshjes historike të Parisit për Klimën, bashkësia ndërkombëtare takohet në Belém të Brazilit për të bërë një vlerësim të situatës në Konferencën Botërore të Klimës, COP30.

Në Francë, në vitin 2015, kombet u zotuan ta mbanin ngrohjen globale shumë poshtë dy gradëve Celsius deri në fund të shekullit, dhe idealisht në 1.5 gradë.

Për ta arritur këtë, ato paraqitën plane veprimi për klimën çdo pesë vjet, të cilat ndryshonin vazhdimisht.

Premtimet e bëra që para konferencës së Belémit do të ulnin emetimet e gazrave serrë me rreth një të dhjetën deri në vitin 2035, njoftoi Sekretariati i OKB-së për Klimën në fund të tetorit.

Konkluzioni i OKB: Kemi marrë drejtimin e duhur, por nevojitet shumë më tepër shpejtësi. Përndryshe kërcënon rritje dramatike e ngrohjes globale. Pa masa të mëtejshme mbrojtëse, objektivi prej 1.5 gradësh ka të ngjarë të tejkalohet së shpejti, njoftoi së fundmi Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP), me seli në Nairobi.

Sfida dhe një rreze shprese

Vendimet e Parisit vërtet e kanë ngadalësuar rritjen e emetimeve, por jo në masën e nevojshme.

Sipas Kombeve të Bashkuara, pa bashkëpunim ndërkombëtar mbi politikën klimatike, bota do të shkonte drejt njëngrohjeje globale prej pesë gradësh Celsius. Aktualisht, pritet një ngrohje prej rreth tre gradësh Celsius.

Objektivat klimatikë të vendeve në veçanti ende nuk janë ambicioze sa duhet për të luftuar në mënyrë adekuate ngrohjen globale. Ato duhet të eliminojnë më shpejt e hap pas hapi përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe të zgjerojnë energjitë e rinovueshme.

Sipas OKB-së ka edhe një rreze shprese: të dhënat e fundit tregojnë se energjia diellore, e erës dhe hidroenergjia kanë tejkaluar qymyrin si burimi më i madh i energjisë në botë.

Në Belém, vendet e të ashtuquajturit Jugut Global presin angazhime konkrete nga vendet e industrializuara për të siguruar ndjeshëm më shumë fonde për masat përkatëse duke filluar nga viti i ardhshëm.

Por progresi pengohet nga ndryshimi gjeopolitik në botë që nga koha e Marrëveshjes së Parisit.

Pandemia e Coronavirusit dhe lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës e kanë lënë në plan të dytë çështjen e mbrojtjes së klimës.

Bashkëpunimi midis dy ndotësve më të mëdhenj të klimës, SHBA-së dhe Kinës, të cilët e bënë të mundur Marrëveshjen e Parisit në fillim, tani është vështirë të imagjinohet.

Në vend të kësaj, SHBA-të, nën Presidentin Donald Trump tërhiqen sërish nga kjo marrëveshje.

Takimi në Belém synon të sigurojë që vendet e tjera të vazhdojnë kursin.

BE hezituese

Bashkimi Evropian që dëshiron ta portretizojë veten si një pionier i politikave klimatike, nuk po udhëheq më si dikur.

BE duhet ta kishte paraqitur premtimin e tij të përditësuar në OKB që në shkurt.

Kontributi evropian për mbrojtjen ndërkombëtare të klimës deri në vitin 2035 rrjedh nga objektivi i brendshëm i BE-së për vitin 2040. Franca dhe Polonia, ndër të tjera, bllokuan një marrëveshje për këtë.

Në samitin e BE-së në fund të tetorit, iu la ministrave përgjegjës të shteteve anëtare të arrinin një vendim përfundimtar në fazën e fundit para Belémit. Gjatë një sesioni të vonë në Bruksel, ata e dobësuan propozimin fillestar të kompromisit dhe ranë dakord për një kontribut për Belémin vetëm në minutën e fundit. Kjo hedh dyshime mbi vendosmërinë e Evropës.

Në një kohë që SHBA tërhiqet merr shumë rëndësi roli i BE-së në Belém, por i Kinës, ndotësja më e madh e klimës në botë.

Ndryshe nga BE-ja hezituese, Pekini paraqiti një objektiv klimatik në fund të shtatorit, duke demonstruar kështu pretendimin e tij për lidership, edhe pse ekspertët janë kritikë ndaj përmbajtjes së premtimit kinez.

BE-ja dhe qeveria gjermane i kanë propozuar partneres së tyre të vështirë, Kinës, që të bashkëpunojnë dhe "të ecin përpara me ambiciozitet” për të arritur një rezultat të suksesshëm në Belém.

Dhjetë vjet më parë u demonstrua në Paris, se çfarë është e mundur në mbrojtjen e klimës kur bashkësia globale bashkohet. /DW/

Viti 2025 vlerësohet të jetë një ndër më të nxehtit në histori

8 November 2025 at 07:55


Organizata Meteorologjike Botërore (WMO) ka njoftuar se viti 2025 pritet të jetë viti i dytë ose i treti më i nxehtë në historikun e regjistrimeve.

Ky paralajmërim thekson vazhdimin e tendencave jashtëzakonisht të larta të ngrohjes globale, duke shënuar një tjetër vit me temperatura rekord.

Sipas raportit të WMO-së, periudha 2015–2025 përfshin secilin prej 11 viteve më të nxehta që nga fillimi i regjistrimeve mbi 176 vjet më parë.

Temperatura mesatare globale pranë sipërfaqes për periudhën janar - gusht 2025 ishte 1.42 gradë Celsius ± 0.12 gradë celsius mbi nivelin para-industrial, transmeton Telegrafi.

Ekspertët e WMO-së shpjegojnë se kjo ngrohje rekord shkaktohet kryesisht nga përqendrimet rekord të gazeve serrë dhe nga akumulimi i ngrohjes në oqeane.

- YouTube youtube.com

Akulli në dete dhe akullnajat po shkrihen me shpejtësi alarmante, ndërsa ngjarjet ekstreme të motit po shkaktojnë tronditje të thella shoqërore dhe ekonomike

Për të përballuar këto sfida, WMO thekson rëndësinë e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për rreziqe natyrore.

Që nga viti 2015, zgjerimi i sistemit global për paralajmërim për shumë rreziqe (MHEWS) është mbi dyfishuar, por rreth 40 për qind e vendeve ende nuk kanë një sistem të tillë.

Raporti i fundit i WMO-së synon të informojë konferencën COP30 dhe të mbështesë vendet në përpjekjet e tyre për të përforcuar rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike.

Sipas organizatës, shërbimet klimatike janë vendimtare për të ruajtur jetë dhe për të mbrojtur ekonomitë nga efektet e rritjes së temperaturave globale.

WMO paralajmëron se pa masa efektive për të ulur emetimet e gazeve serrë dhe për të përforcuar rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike, tendenca e ngrohjes ekstreme globale mund të vazhdojë, duke bërë vitet e ardhshme edhe më të nxehta. /Telegrafi/

Bill Gates befasoi me deklaratat mbi ndryshimet klimatike

30 October 2025 at 07:20


Në një largim të papritur dhe të rëndësishëm nga komuniteti i aktivistëve të klimës që paralajmërojnë për “fundin e botës”, Bill Gates, një nga mbështetësit kryesorë të reduktimit të emetimeve të karbonit, publikoi një ese në të cilin pretendon se fondet duhet të ridrejtohen nga lufta kundër ndryshimeve klimatike.

Në vend të kësaj, sipas Gates, filantropët globalë duhet të rrisin investimet në përpjekje të tjera të fokusuar në parandalimin e sëmundjeve dhe urisë.

Ndryshimet klimatike nuk do të shkatërrojnë njerëzimin, shkroi ai, dhe përpjekjet e deritanishme për të arritur zero-emetime kanë sjellë përparim të prekshëm. Por, Gates mendon se shumë nga investimet e deritanishme në luftën kundër ndryshimeve klimatike kanë qenë të gabuar dhe se është harxhuar shumë para në projekte të shtrenjta dhe të diskutueshme.

“Përmirësimi i jetës është më i rëndësishëm se emetimet e karbonit dhe ndryshimi i temperaturës”, tha ai.

Megjithëse theksoi se investimet në luftën kundër ndryshimeve klimatike duhet të vazhdojnë, ai paralajmëroi se prerjet në financimin e USAID nga presidenti amerikan, Donald Trump krijojnë probleme të reja dhe kërcënojnë me dëm të qëndrueshëm global në luftën kundër urisë dhe sëmundjeve të parandalueshme.

“Ndryshimet klimatike, sëmundjet dhe varfëria janë të gjitha probleme të mëdha. Duhet t’i trajtojmë ato proporcionalisht me vuajtjet që shkaktojnë”, shkroi Gates. Sipas mendimit të tij, prerjet e financimit nga administrata Trump kërkojnë ridrejtim urgjent të investimeve dhe burimeve për të mbështetur këto fusha të neglizhuara, transmeton Telegrafi.

“Edhe pse ndryshimet klimatike do të kenë pasoja serioze, veçanërisht për njerëzit në vendet më të varfra, ato nuk do të çojnë në zhdukjen e njerëzimit. Kjo është një mundësi për t’u rikthyer në fokus tek një tregues që duhet të jetë më i rëndësishëm se emetimet dhe ndryshimi i temperaturës: përmirësimi i jetës”, shtoi ai.

“Qëllimi ynë kryesor duhet të jetë parandalimi i vuajtjeve, veçanërisht atyre të njerëzve që jetojnë në kushtet më të rënda në vendet më të varfra të botës”, është i bindur miliarderi amerikan. Eseja e Gates, që shumë e panë si befasuese, u publikua para COP30, samitit global të dedikuar luftës kundër ndryshimeve klimatike që do të mbahet muajin e ardhshëm.

Administrata Trump ka shfuqizuar USAID, organizatën ndërkombëtare të ndihmës që çdo vit ofronte rreth 8 miliardë dollarë ndihmë në ushqim dhe ilaçe për vendet ku banorët nuk kanë qaje në këto nevoja bazë.

Gates hodhi poshtë pretendimet se qëndrimi i tij i ri përfaqëson një ndryshim mendimi në krahasim me vitet e mëparshme. Në ese ai theksoi se bota duhet të vazhdojë të mbështesë përpjekjet drejt arritjes së zero-emetimeve të karbonit.

Megjithatë, në një intervistë të njëjtën ditë për Andrew Ross Sorkin në CNBC, Gates pranoi se tërheqja e investimeve nga lufta kundër ndryshimeve klimatike është një hap i nevojshëm. Ky ndryshim përfaqëson një largim të qartë nga fokusimet dhe aktivitetet e tij të mëparshme filantropike, të cilat përfshinin investime në kompani të energjisë së pastër dhe iniciativa lobuese.

Për shembull, në një ese të publikuar në 2023 në faqen e Breakthrough Energy, e cila më pas u hoq, Gates shkroi se shumica e njerëzve në botë po luftojnë me pasojat e ndryshimeve klimatike, një ndjesi që mund të jetë “shkatërruese” dhe kërkon një përgjigje “pa precedent” në shkallë dhe shpejtësi. /Telegrafi/

Njerëzimi ka dështuar në arritjen e objektivit të klimës prej 1.5 gradë Celsius, thotë kreu i OKB-së

28 October 2025 at 09:41


Njerëzimi nuk ka arritur ta kufizojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius dhe duhet ta ndryshojë kursin menjëherë, ka paralajmëruar sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

Në një intervistë para samitit të klimës Cop30 muajin e ardhshëm, António Guterres pranoi se tani është “e pashmangshme” që njerëzimi ta tejkalojë objektivin në marrëveshjen e klimës së Parisit, me “pasoja shkatërruese” për botën.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve që do të mblidhen në qytetin brazilian të pyllit tropikal Belém të kuptojnë se sa më gjatë të vonojnë uljen e emetimeve, aq më i madh është rreziku i kalimit të “pikave katastrofike” në Amazonë, Arktik dhe oqeane.

“Le ta pranojmë dështimin tonë”, i tha ai Guardian dhe organizatës së lajmeve Sumaúma me bazë në Amazon, përcjell Telegrafi.

“E vërteta është se nuk kemi arritur të shmangim një tejkalim mbi 1.5°C në vitet e ardhshme. Dhe ky kalim mbi 1.5°C ka pasoja shkatërruese. Disa nga këto pasoja shkatërruese janë pika kthese, qoftë në Amazonë, qoftë në Grenlandë, apo në Antarktidën perëndimore apo në shkëmbinjtë koralorë”.

Sipas tij, “është absolutisht e domosdoshme të ndryshohet kursi në mënyrë që të sigurohemi që tejkalimi të jetë sa më i shkurtër dhe me intensitet sa më të ulët të jetë e mundur për të shmangur pikat kthese si Amazona. Ne nuk duam ta shohim Amazonën si një savanë. Por ky është një rrezik real nëse nuk ndryshojmë kursin dhe nëse nuk bëjmë një ulje dramatike të emetimeve sa më shpejt të jetë e mundur”.

Siç kujtojnë mediat, dhjetë vitet e fundit të planetit kanë qenë më të nxehtat në historinë e regjistruar.

Dhe pavarësisht alarmit shkencor në rritje për shpejtësinë e rritjes së temperaturës globale të shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile - naftës, qymyrit dhe gazit - sekretari i përgjithshëm tha se angazhimet e qeverisë nuk janë përmbushur.

Më pak se një e treta e kombeve të botës (62 nga 197) kanë dërguar planet e tyre të veprimit për klimën, të njohura si kontribute të përcaktuara në nivel kombëtar (NDC) sipas marrëveshjes së Parisit. SHBA-të nën Donald Trump e kanë braktisur procesin. Evropa ka premtuar, por deri më tani nuk ka arritur ta përmbushë. Kina, emetuesi më i madh në botë, është akuzuar për mosangazhim.

Guterres tha se mungesa e ambicies së NDC do të thotë që qëllimi i Parisit prej 1.5C do të shkelet, të paktën përkohësisht. /Telegrafi/

Imazhet para dhe pas që tregojnë se si akullnajat po zhduken para syve tanë

5 October 2025 at 23:51


Kur Matthias Huss vizitoi për herë të parë akullnajën Rhône në Zvicër 35 vjet më parë, akulli ishte vetëm një shëtitje e shkurtër nga vendi ku prindërit e tij do të parkonin makinën.

"Kur shkela për herë të parë mbi akull... kishte një ndjesi të veçantë përjetësie", thotë Matthias.

Sot, akulli është gjysmë ore larg nga i njëjti vend parkimi dhe pamja është shumë e ndryshme.

"Sa herë që kthehem, kujtoj se si ishte dikur", kujton Matthias, tani drejtor i Monitorimit të Akullnajave në Zvicër (GLAMOS), "si dukej akullnaja kur isha fëmijë".

Por ka histori të ngjashme për shumë akullnaja në të gjithë planetin, sepse këta lumenj të ngrirë akulli po tërhiqen - me shpejtësi, thuhet në një shkrim të BBC, përcjell Telegrafi.

Në vitin 2024, akullnajat jashtë shtresave gjigante të akullit të Grenlandës dhe Antarktidës humbën 450 miliardë ton akull, sipas një raporti të kohëve të fundit të Organizatës Botërore Meteorologjike.

Kjo është ekuivalente me një bllok akulli 7 km (4.3 milje) të lartë, 7 km të gjerë dhe 7 km të thellë - ujë i mjaftueshëm për të mbushur 180 milionë pishina olimpike.

"Akullnajat po shkrihen kudo në botë", thotë Prof. Ben Marzeion i Institutit të Gjeografisë në Universitetin e Bremenit. "Ato ndodhen në një klimë që është shumë armiqësore ndaj tyre tani për shkak të ngrohjes globale".

Akullnajat e Zvicrës janë goditur veçanërisht keq, duke humbur një të katërtën e akullit të tyre në 10 vitet e fundit, zbuluan matjet nga GLAMOS këtë javë.

"Është vërtet e vështirë të kuptohet shkalla e kësaj shkrirjeje", shpjegon Dr. Huss.

Dhe fotot - nga hapësira dhe toka - tregojnë historinë e tyre.

Imazhet satelitore tregojnë se si ka ndryshuar Akullnaja e Rhône që nga viti 1990, kur Dr. Huss e vizitoi për herë të parë. Në pjesën e përparme të akullnajës është një liqen ku dikur kishte akull.

Deri vonë, glaciologët në Alpe e konsideronin humbjen e 2% të akullit në një vit të vetëm si "ekstreme".

Pastaj viti 2022 e hodhi poshtë këtë ide, me gati 6% të akullit të mbetur të Zvicrës të humbur në një vit të vetëm.

Kjo është pasuar nga humbje të konsiderueshme në 2023, 2024 dhe tani edhe në 2025.

Regine Hock, profesoreshë në Universitetin e Oslos, ka vizituar Alpet që nga vitet 1970.

Ndryshimet gjatë jetës së saj janë "vërtet mahnitëse", thotë ajo, por "ajo që shohim tani janë ndryshime vërtet masive brenda pak vitesh".

Akullnaja Clariden, në Zvicrën verilindore, ishte afërsisht në ekuilibër deri në fund të shekullit të 20-të - duke fituar afërsisht aq akull përmes reshjeve të borës sa humbi nga shkrirja.

Por këtë shekull, është shkrirë me shpejtësi.

Për shumë akullnaja më të vogla, si Akullnaja Pizol në Alpet Zvicerane verilindore, kjo ka qenë shumë.

"Kjo është një nga akullnajat që kam vëzhguar dhe tani është zhdukur plotësisht", thotë Dr. Huss. "Më trishton shumë".

Dhe fotografitë na lejojnë të shohim edhe më tej në kohë.

Akullnaja Gries, në Zvicrën jugore pranë kufirit italian, është tërhequr me rreth 2.2 km (1.4 milje) gjatë shekullit të kaluar. Aty ku dikur ndodhej fundi i akullnajës, tani është një liqen i madh akullnajor.

Në Zvicrën juglindore, Akullnaja Pers dikur “ushqente” akullnajën më të madhe Morteratsch, e cila rrjedh poshtë drejt luginës. Tani të dyja nuk takohen më.

Dhe akullnaja më e madhe në Alpe, Aletsch i Madh, është tërhequr me rreth 2.3 km (1.4 milje) gjatë 75 viteve të fundit. Atje ku kishte akull, tani ka pemë.

Akullnajat janë rritur dhe janë tkurrur natyrshëm për miliona vjet, sigurisht.

Në valët e ftohta të shekujve 17, 18 dhe 19 - pjesë e Epokës së Vogël të Akullnajave - akullnajat përparonin rregullisht.

Gjatë kësaj kohe, shumë prej tyre konsideroheshin të mallkuara nga djalli në folklorin alpin dhe përparimet e tyre lidheshin me forca shpirtërore pasi kërcënonin fshatra dhe toka bujqësore.

Madje ka edhe rrëfime për fshatarë që u bënin thirrje priftërinjve të flisnin me shpirtrat e akullnajave dhe t'i bënin ata të ngjiteshin në mal.

Akullnajat filluan tërheqjen e tyre të gjerë nëpër Alpe rreth vitit 1850, megjithëse koha ndryshonte nga një vend në tjetrin.

Kjo përkoi me industrializimin në rritje, kur djegia e lëndëve djegëse fosile, veçanërisht qymyrit, filloi të ngrohte atmosferën tonë, por është e vështirë të dallohen shkaqet natyrore dhe njerëzore kaq larg në kohë.

Aty ku nuk ka dyshim të vërtetë është se humbjet veçanërisht të shpejta të 40 viteve të fundit nuk janë të natyrshme.

Pa njerëzit që ngrohin planetin - duke djegur lëndë djegëse fosile dhe duke lëshuar sasi të mëdha dioksidi karboni (CO2) - akullnajat do të pritej të ishin afërsisht të qëndrueshme.

"Mund ta shpjegojmë vetëm nëse marrim parasysh emetimet e CO2", konfirmon Prof. Marzeion.

Ajo që është edhe më shqetësuese është se këtyre trupave të mëdhenj akulli që rrjedhin mund t'u duhen dekada për t'u përshtatur plotësisht me klimën që po ngrohet me shpejtësi. Kjo do të thotë që, edhe nëse temperaturat globale stabilizohen nesër, akullnajat do të vazhdojnë të tërhiqen.

"Një pjesë e madhe e shkrirjes së ardhshme të akullnajave është tashmë e bllokuar", shpjegon Prof. Marzeion. "Ato po vonojnë ndryshimin e klimës".

Por jo gjithçka është humbur.

Gjysma e akullit të mbetur në akullnajat malore të botës mund të ruhet nëse ngrohja globale kufizohet në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet "para-industriale" të fundit të viteve 1800, sipas një studimi të botuar këtë vit në revistën Science.

Trajektorja jonë aktuale po na çon drejt ngrohjes prej rreth 2.7 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale deri në fund të këtij shekulli - gjë që do të shihte humbjen e tre të katërtave të akullit përfundimisht.

Ky ujë shtesë që shkon në lumenj dhe përfundimisht në oqeane do të thotë nivele më të larta të detit për popullatat bregdetare në të gjithë botën.

Por humbja e akullit do të ndihet veçanërisht ashpër nga komunitetet malore që varen nga akullnajat për ujë të freskët.

Akullnajat janë pak si rezervuarë gjigantë. Ato mbledhin ujë në formën e reshjeve të borës - të cilat shndërrohen në akull - gjatë periudhave të ftohta dhe të lagështa, dhe e lëshojnë atë si ujë të shkrirë gjatë periudhave të ngrohta.

Ky ujë i shkrirë ndihmon në stabilizimin e rrjedhave të lumenjve gjatë verave të nxehta dhe të thata - derisa akullnaja të zhduket.

Humbja e atij burimi ujor ka efekte anësore për të gjithë ata që mbështeten në akullnaja - për ujitje, pirje, energji hidroelektrike dhe madje edhe trafik detar.

Siç theksohet në pjesën e fundit të shkrimit, përcjell Telegrafi, Zvicra nuk është imune ndaj këtyre sfidave, por implikimet janë shumë më të thella për malet e larta të Azisë, të referuara nga disa si Poli i Tretë për shkak të vëllimit të akullit.

Rreth 800 milionë njerëz mbështeten të paktën pjesërisht në shkrirjen e akullnajave atje, veçanërisht për bujqësinë.

Kjo përfshin pellgun e sipërm të lumit Indus, i cili u shërben pjesëve të Kinës, Indisë, Pakistanit dhe Afganistanit.

Në rajonet me verë më të thata, shkrirja e akullit dhe borës mund të jetë burimi i vetëm i rëndësishëm i ujit për muaj të tërë.

"Këtu shohim cenueshmërinë më të madhe", thotë Prof. Hock.

Pra, si ndihen shkencëtarët kur përballen me perspektivat e ardhshme të akullnajave në një botë që po ngrohet?

"Është e trishtueshme", thotë Prof. Hock. "Por në të njëjtën kohë, është edhe fuqizuese. Nëse dekarbonizoni dhe zvogëloni gjurmën [e karbonit], mund t'i ruani akullnajat”.

"Ëështë në duart tona”, thekson ai. /Telegrafi/

“Ec Ma Ndryshe”: Drini i Bardhë nën kërcënim, kërkohet veprim urgjent për shpëtimin e tij

26 September 2025 at 14:33


Organizata “Ec Ma Ndryshe” ka ngritur shqetësimin për gjendjen alarmante të Drinit të Bardhë, një nga pasuritë ujore më të rëndësishme të Kosovës, duke paralajmëruar se ndotja, shfrytëzimi i pakontrolluar dhe ndryshimet klimatike po e vënë në rrezik të ardhmen e tij.

Në një reagim publik, organizata thekson se Drini i Bardhë furnizon me ujë të pijshëm pjesën më të madhe të vendit, siguron vaditje për bujqësinë, është burim energjie dhe habitat i larmishëm për florën e faunën. Përveç vlerave natyrore, lumi ka rëndësi të veçantë kulturore e historike për komunitetet përgjatë rrjedhës së tij, përcjell Telegrafi.



Megjithatë, sipas “Ec Ma Ndryshe”, ky burim jetik përballet me një sërë sfidash serioze. Mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza ka bërë që shumica e vendbanimeve t’i shkarkojnë mbetjet drejtpërdrejt në lum, ndërsa industrisë i mungojnë filtrat dhe mekanizmat kontrollues. Po ashtu, shfrytëzimi i pakontrolluar i ujit nga bujqësia, industria dhe ujësjellësit rrezikon balancën ekologjike dhe shkakton konflikte mes komuniteteve.

Në listën e sfidave renditen edhe prerjet ilegale të pyjeve, nxjerrja e zhavorrit nga shtrati i lumit dhe ndërtimet pa leje, të cilat po e ndryshojnë strukturën natyrore të pellgut dhe po rrisin rrezikun e përmbytjeve. Ndryshimet klimatike, përmes rritjes së temperaturave dhe ndryshimit të ciklit të reshjeve, e përkeqësojnë edhe më shumë situatën.

Banorët përgjatë Drinit të Bardhë janë të parët që ndiejnë pasojat – nga ndotja e ujit të pijshëm, mungesa e ujit për vaditje, dëmet nga përmbytjet, e deri te ndikimet në shëndetin publik, bujqësi dhe turizëm.

“Ec Ma Ndryshe” thekson se Plani i Menaxhimit të Pellgut Lumor të Drinit të Bardhë parashikon një sërë masash që duhen zbatuar urgjentisht. Ndër to përfshihet ndërtimi i impianteve moderne të trajtimit të ujërave të zeza, forcimi i monitorimit të licencave për shfrytëzimin e ujit, pyllëzimi i zonave të degraduara, ndalimi i prerjeve ilegale dhe vendosja e sistemeve të hershme paralajmëruese për përmbytjet.

Organizata nënvizon se, për shkak se Drini i Bardhë kalon përmes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, menaxhimi i tij kërkon bashkëpunim rajonal dhe një qasje të integruar afatgjatë.

“Drini i Bardhë është pasuri kombëtare dhe rajonale, dhe mbrojtja e tij është domosdoshmëri për të siguruar ujë të pastër, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një të ardhme të shëndetshme për gjeneratat që vijnë”, thuhet në reagimin e “Ec Ma Ndryshe”. /Telegrafi/

Anomalitë klimatike në rritje - temperaturat deri në 40 gradë Celsius në Spanjë dhe Portugali

19 September 2025 at 15:19


Spanjën dhe Portugalinë dje i përfshiu një valë e re e të nxehtit me temperatura që arritën deri në 40 gradë Celsius, gjë që është e pazakontë për fundin e verës, njoftoi Severe Weather Europe, duke iu referuar matjeve të Meteociel.

Sipas një studimi të publikuar në fillim të shtatorit nga theguardian, ndryshimet klimatike e kanë bërë këtë lloj ekstremeje deri në 40 herë më të mundshme sesa në të kaluarën.

Shkencëtarët theksojnë se bëhet fjalë për një tregues të qartë të anomalive gjithnjë e më të shpeshta dhe më të forta të motit të shkaktuara nga ngrohja globale.

37 to 40 °C in parts of Spain and Portugal yesterday, Sept 18th. Image via @meteociel pic.twitter.com/qafh7yx7do
— severe-weather.EU (@severeweatherEU) September 19, 2025

Vali i të nxehtit vjen pas një vere kur në Spanjë dhe Portugali janë regjistruar zjarre më intensive sesa në vitet e kaluara.

Sipas të njëjtit studim, intensiteti i tyre është rritur rreth 30 për qind, dhe ekspertët paralajmërojnë se ngrohja globale po kontribuon gjithnjë e më shumë në përhapjen e zjarreve, duke rrëzuar argumentet se ato janë vetëm pasojë e braktisjes së zonave rurale.

Ndërkohë, një studim i Universitetit të Mannheim-it, i transmetuar nga Luxembourg Times, vlerëson se Bashkimi Evropian deri në fund të vitit 2025 do të pësojë humbje ekonomike deri në 43 miliardë euro për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit. /Telegrafi/

Manual për gazetarinë mjedisore dhe verifikimin e fakteve

By: FAKTOJE
15 September 2025 at 17:42

Ky manual është ndërtuar për të ndihmuar studentët e gazetarisë që dëshirojnë të thellojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre për të raportuar mbi çështjet mjedisore me saktësi, etikë dhe ndikim publik. Në një kohë ku krizat klimatike, humbja e biodiversitetit, ndotja dhe keqinformimi janë përditshmëri, roli i gazetarit bëhet më i rëndësishëm se kurrë.

Manuali-per-Gazetarine-Mjedisore_V3_ON-eb-1-1-1

The post Manual për gazetarinë mjedisore dhe verifikimin e fakteve appeared first on Faktoje.al.

Ndryshimet klimatike do ulin deri në 20% rendimentin e ullirit e rrushit, pasoja dhe në blegtori

2 September 2025 at 11:29

Ndryshimet klimatikë do të japin efekte të shumta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë duke nisur nga infrastruktura tek energjia apo turizmi. Por disa sektorë të tjerë mund të goditen edhe më shumë me pasoja që do të prekin sektorë ku një pjesë e mirë e popullatës është e angazhuar. Raporti i Agjencisë Kombëtare të […]

The post Ndryshimet klimatike do ulin deri në 20% rendimentin e ullirit e rrushit, pasoja dhe në blegtori appeared first on BoldNews.al.

❌
❌