Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për ‘Shpresa-AL’ pasi rriti çmimet e biletës në urbanet e Kamzës dhe Paskuqanit

23 December 2025 at 14:59

Nga Gazeta ‘SI’-  Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë një hetim paraprak ndaj ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK, për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve në transportin urban të Bashkisë Kamëz.

Ky vendim vjen pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit dhe pas shqetësimeve të shprehura në media nga qytetarë dhe përdorues të transportit. Hetimi do të analizojë kushtet e konkurrencës së lirë dhe efektive, veçanërisht për linjat: Kamëz – Tiranë – Kamëz dhe Paskuqan – Babrru – Tiranë.

Sipas dokumentacionit zyrtar, SHPRESA – AL SHPK është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në treg, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Nga vlerësimi paraprak i Autoritetit, rezulton se nuk ka prova të mjaftueshme ekonomike apo financiare që justifikojnë rritjen e çmimeve mbi baza objektive. Hetimi do të përfshijë periudhën 1 janar – 12 dhjetor 2025, për të vlerësuar nëse veprimet e ndërmarrjes mund të përbëjnë kufizim, shtrembërim ose pengim të konkurrencës, sipas Ligjit nr. 9121/2003.

The post Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për ‘Shpresa-AL’ pasi rriti çmimet e biletës në urbanet e Kamzës dhe Paskuqanit appeared first on Gazeta Si.

Mos konkurroni me inteligjencën artificiale, bashkëpunoni me të

By: Megi Dumi
23 December 2025 at 11:01

Shumica e ekipeve sot e përdorin inteligjencën artificiale (IA) njësoj si motorët e kërkimit: bëjnë një pyetje të shpejtë, lexojnë përgjigjen e parë dhe vazhdojnë përpara.

Ky mentalitet po pengon shfrytëzimin real të potencialit të IA. Sfidat kryesore nuk lidhen më me adoptimin e teknologjisë, por me ndryshimin e mënyrës së të menduarit.

Një studim i fundit i McKinsey tregon se më shumë se dy të tretat e organizatave përdorin IA në disa funksione biznesi, ndërsa gjysma e tyre në tre ose më shumë.

Kjo tregon se IA po integrohet në rrjedhat e punës, por shumë drejtues ende e shohin atë si mjet teknik dhe jo si partner bashkëpunues.

Vlera reale e IA gjeneruese nuk qëndron te gjetja e komandës perfekte apo te platformat e reja, por te aftësia për ta trajtuar atë si një koleg të zgjuar: të shpjegosh qëllimin, të korrigjosh gabimet dhe të ndërtosh zgjidhje përmes dialogut.

Ashtu si një analist i ri, IA është e shpejtë dhe e aftë, por ka nevojë për udhëzim dhe verifikim.

Puna me IA nuk është një veprim i vetëm, por një bisedë e vazhdueshme: riformulim, iterim dhe kontroll. Në detyra komplekse apo me rrezik të lartë, verifikimi njerëzor mbetet thelbësor.

Kur trajtohet si bashkëpunëtor, IA përmirëson gjenerimin e ideve, përshpejton analizën dhe rrit cilësinë e përmbajtjes.

Për të ndërtuar besim dhe aftësi, organizatat duhet të fillojnë me përdorime të thjeshta dhe me rrezik të ulët, si përmbledhja e dokumenteve, përmirësimi i shënimeve nga takimet apo draftet fillestare të raporteve.

Udhëheqësit duhet të japin shembullin, duke ndarë përvojat e tyre dhe duke vendosur rregulla të qarta për sigurinë e të dhënave.

Në fund, avantazhin nuk do ta kenë ekipet me mjetet më të sofistikuara, por ato që ndërtojnë “intuitë për IA”, një ndjenjë praktike se kur, si dhe pse të bashkëpunojnë me të.

IA nuk është një zgjidhje e menjëhershme, por një aftësi që forcohet me praktikë. Ata që nisin herët dhe eksperimentojnë vazhdimisht, do të jenë më të përgatitur për të udhëhequr ndryshimin. / Entrepreneur

The post Mos konkurroni me inteligjencën artificiale, bashkëpunoni me të appeared first on Revista Monitor.

PAYT, tarifa e re për mbetjet: Shqiptarët do të paguajnë sipas sasisë që hedhin

23 December 2025 at 10:08

Nga Gazeta ‘SI’- Pavarësisht nismave të ndërmarra ndër vite, menaxhimi i mbetjeve të prodhuara nga familjet dhe bizneset vazhdon të jetë një “dhimbje koke” për institucionet përgjegjëse.

Së fundmi, Ministria e Mjedisit ka hartuar një projekt të ri, i cili synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve përmes aplikimit të tarifës për trajtimin e tyre, bazuar në parimin “Paguaj sipas hedhjes” (PAYT). Sipas projektaktit, përpara zbatimit të këtij parimi, parashikohet vendosja e një tarife fikse të dedikuar për trajtimin e mbetjeve, e diferencuar për qytetarët, bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.

Vendosja e tarifës synon të rrisë ndërgjegjësimin se trajtimi i mbetjeve ka një kosto reale dhe se kjo kosto lidhet drejtpërdrejt me sasinë e mbetjeve të prodhuara. Tarifat mund të mblidhen përmes mekanizmave të ndryshëm, përfshirë përfshirjen e tyre në faturat e ujit ose të energjisë elektrike, ndërsa mënyra konkrete e mbledhjes mbetet në diskrecion të bashkive.

Një fokus i veçantë i programit të ri i kushtohet parandalimit të shpërdorimit të ushqimit dhe reduktimit të mbetjeve bio, proces që sipas qeverisë është më efektiv dhe ekonomik sesa vetë trajtimi i mbetjeve. Masat përfshijnë parandalimin e mbetjeve përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, nxitjen e dhurimit të ushqimit përmes stimujve ligjorë dhe fiskalë, si dhe promovimin e kompostimit në banesë si një zgjidhje praktike për reduktimin e mbetjeve organike.

Në tërësi, masat e propozuara janë në përputhje me politikat kombëtare ekzistuese dhe synojnë përforcimin e kuadrit rregullator për parandalimin e mbetjeve, krijimin e një mjedisi të favorshëm për bizneset në zbatimin e praktikave të ekonomisë qarkulluese, si dhe promovimin e konsumit dhe prodhimit të qëndrueshëm përmes ripërdorimit dhe riparimit.

The post PAYT, tarifa e re për mbetjet: Shqiptarët do të paguajnë sipas sasisë që hedhin appeared first on Gazeta Si.

Lançohet portali ‘EuroAgro Albania’ për fermerët, Rama: 100 mln€ mbështetje për bujqësinë

22 December 2025 at 11:25

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar çeljen e një kapitulli të ri të negociatave me BE-në që do të thotë nisja e reformimit të bujqësisë.

Në një aktivitet me fermerët, Rama prezantoi mekanzimat e reja në funksion të bujqve duke theksuar rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë deri në 100 milionë euro dhe krijimin e platformës “Euro Agro Albania”, si një instrument të ri koordinimi dhe informacioni për fermerët.

“Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë që duam ta çojmë deri në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit dhe të Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një kredi inovative dhe patjetër me mbështetje e AZHBR-së dhe të BE, do të kemi mundësinë që t’i vëmë në dispozicion fermës shqiptare një fakt që për askënd nuk do të jetë çështje lekësh dhe fondesh, për gjithkënd do të jetë një çështje të projekteve të duhura. Euro Agro Albania nuk është një faqe e re interneti, por një instrument të cilin të gjithë ju që janë në fermë dhe duan të rrisin eksportet, prodhimin, cilësinë, kapacitetet, fondet në dispozicion të projekteve të tyre duhet ta marrin, ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një instrument të punës së përditshme. Është udhërrëfyes për të gjithë ju në çdo hap të procesit të negociatave, është burim informacioni për standarde, afate e detyrime konkrete”, tha kryeministri.

Ndër të tjera, ai tregoi edhe hapat konkretë që do të ndiqen për modernizimin e bujqësisë.

“Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administratave të kontrollit. Do të finalizojmë regjistrin kombëtar të fermave, parcelave dhe kafshëve. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE-ja. Sot kemi një nivel komplet tjetër të cilësisë së analizave, por na duhet të përfundojmë projektin dhe do të shtyjmë fort për sistemin e shërbimeve këshillimore në terren, ku do të mbështetemi tek Universiteti Bujqësor i Tiranës.”

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dha më shumë detaje nga platforma në shërbim të fermerëve.

“Sot ne lancojmë “EuroAgro Albania 2025-2030”, si një mekanizëm praktik që t’ju ndihmojë të përgatiteni hap pas hapi.

  • Platforma konkretisht do të sjellë:
  • Një linjë të dedikuar asistence e quajtur “Numri Blu”
  • Platformë digjitale informative dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit
  • Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime.

Në të njëjtën kohë, platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstensionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave profesionale, që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë. Në mbyllje, ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, të kërkoni orientim, të përdorni mjetet që po vendosim në dispozicion dhe të nisim përgatitjen që sot. Nga ana jonë, ne do të sigurojmë kushtet dhe mbështetjen e nevojshme për pjesëmarrje. Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, Bujqësia 2030 do të kthehet në një standard pune dhe treg i ri mundësish”, përfundoi ministri.

The post Lançohet portali ‘EuroAgro Albania’ për fermerët, Rama: 100 mln€ mbështetje për bujqësinë appeared first on Gazeta Si.

Sipërmarrësja që nuk shkëputet kurrë nga puna, por kërkon ekuilibër për stafin

By: Megi Dumi
21 December 2025 at 11:40

Nikole Bernard Dawes thotë se sipërmarrja është zgjedhje personale, jo detyrim për punonjësit

Nicole Bernard Dawes, themeluese e markës së ujit të gazuar Nixie dhe e markës së njohur të ushqimeve Late July (me vlerë 100 milionë dollarë), pranon se ekuilibri punë–jetë për të është një “situatë e vetëkrijuar”, por thekson se për punonjësit e saj kjo nuk duhet të jetë e pranueshme.

Sipërmarrësit shpesh e kanë të vështirë të largohen nga puna, kur mbi supet e tyre qëndron fati i kompanisë.

Debati mbi ekuilibrin punë–jetë është i fortë në botën e biznesit: a është e mundur të rritësh një kompani shumëmilionëshe dhe njëkohësisht të gjesh kohë për veten?

Dawes është mbështetëse e fortë e shkëputjes nga puna, por vetëm për ekipin e saj.

“Jam pak hipokrite, sepse unë nuk shkëputem kurrë. Asnjëherë,” thotë ajo për Fortune. “Por nga ana tjetër, nuk dua të jem personi që pengon një anëtar të ekipit.”

Dawes i inkurajon punonjësit të mbyllin gjithçka sapo mbaron orari, ndërsa vetë e ka pranuar prej dekadash se duhet të jetë gjithmonë “online”.

Ajo themeloi Late July në vitin 2003; kompania u ble fillimisht pjesërisht nga Campbell’s në 2014 dhe plotësisht në 2017.

Në vitin 2018, ajo hyri në një tjetër treg me Nixie, që sot shet ujëra dhe pije pa sheqer në mbi 11,000 dyqane dhe ka siguruar 27 milionë dollarë financim këtë vit.

“Unë e pranova këtë. Jam sipërmarrëse dhe e kam zgjedhur vetë këtë jetë. Punonjësit e mi nuk kanë firmosur për të qenë sipërmarrës,” thotë ajo.

E rritur në një familje biznesi, mes dyqanit bio të së ëmës dhe perandorisë së ushqimeve Cape Cod Chips të të atit, Dawes e ka parë nga afër çmimin e sipërmarrjes.

Kjo e ka bërë të ndërgjegjshme për sakrificat, por edhe për rëndësinë e pasionit.

Edhe pse pranon se nuk shkëputet kurrë plotësisht, ajo ruan disa prioritete: darka familjare pothuajse çdo mbrëmje, shëtitje ditore, aktivitet fizik.

I pëlqen plazhi, leximi, gatimi, dhe madje blerjet në supermarket, që i quan “hobi”, duke vëzhguar çfarë zgjedhin konsumatorët.

“Ka mëngjese kur zgjohem dhe them: ‘Nuk e besoj sa me fat jam që bëj këtë punë’,” thotë Dawes.

“Kur e ndjen kështu, nuk të duket si punë, por si diçka argëtuese gjatë gjithë kohës.” / Fortune, Shqip.al

The post Sipërmarrësja që nuk shkëputet kurrë nga puna, por kërkon ekuilibër për stafin appeared first on Revista Monitor.

Qeveria si ‘Big Brother’, Rama prezanton projektin: 5.000 kamera nëpër rrugë! Shkelësit identifikohen direkt

19 December 2025 at 13:02

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin e ri “Smart city Albania”, sistemin e ri të teknologjisë që do të implementohet në vend, me fokus mbikëqyrjen e qyteteve dhe uljen e kriminalitetit.

Kreu i qeverisë tha se ky projekt do të jetë “syri magjik” i Policisë së shtetit, që mund të shohë në kohë reale të gjithë territorin dhe çdo ngjarje që ndodh.

“Ky nuk është projekt kamerash, as projekt mbikëqyrjeje me kamera dhe mbikëqyrjeje e trupave të policisë përmes leximit të kamerës, kur del nevoja. Ky është projekt, që në sekondën kur vihet në jetë, rrit kapacitetin policor në kohë reale. Projekti i jep Policisë së Shtetit një sy magjik, për të parë në kohë reale gjithë territorin e interesit. Është projekt që ndihmon për të pasur një kryeinspektor të territorit, që i ka sytë gjithandej. Shkelësi do të identifikohet në kohë reale”, tha Rama gjatë takimit.

Sipas kryeministrit, nuk ka më nevojë të filmojë njeri as policinë dhe as ngjarjet që ndodhin, sepse këtë e bëjnë kamerat e trupit të vetë efektivët.

“Ndërkohë që punonjësi mund të jet duke parë trafikun, po në atë ekran i shfaqet shkelësi i rregullave të qarkullimit. Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale dhe policia më pas ndërhyn për të zbatuar ligjin bazuar në këto informacione. Nuk ka nevojë që dikush të filmojë me kamera një punonjës policie që nuk përmbush standardet e komunikimit të një nxënësi të klasës së parë, sepse në kohë reale kamera e trupit e efektivit që është duke debatuar me një qytetar e sjell debatin në sallën operative. Është e pamundur t’i fikësh dhe t’i ndezësh. Një kamerë e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër”, tha Rama.

Nga ana tjetër, ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, theksoi se Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon që do të ketë një sistem të integruar sigurie dhe menaxhimi urban në 20 qytetet më të mëdha.

Në kuadër të projektit, parashikohet instalimi i mbi 5 mijë kamerave inteligjente nga Tirana në Sarandë, nga Shkodra në Gjirokastër, si dhe 3 mijë kamera trupi që do të vendosen në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit.

“Do vendosim mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë, nga Tirana në Sarandë, nga Shkodra në Gjirokastër. Këto janë sisteme të Inteligjencës artificiale që sinjalizojnë në mënyrë autonome, janë 3 mijë kamera të trupit që do instalohen në uniformat e efektivëve të policisë së shtetit. Do instalohen kamera, radarë inteligjentë e sensorë për matjen e zhurmës në arteriet kryesore të vendit. Të kemi 30% më shumë të zbulueshmërisë të ngjarjeve kriminale, deri në 45% reduktim të fataliteteve të aksidenteve rrugore, 30% më pak kohë të shpenzuar në publik, 30% më pak ngarkesë administrative për policinë e shtetit“, deklaroi Koçiu.

The post Qeveria si ‘Big Brother’, Rama prezanton projektin: 5.000 kamera nëpër rrugë! Shkelësit identifikohen direkt appeared first on Gazeta Si.

Si heqja dorë nga perfeksionizmi përshpejton inovacionin

By: Megi Dumi
19 December 2025 at 11:55

Inovacioni rrallë vjen i paketuar bukur. Më shpesh, ai lind në mesin e rrëmujshëm, kur idetë janë ende në formim, supozimet po lëkunden dhe krijuesit pyesin veten nëse kanë “mbërritur”.

Pikërisht aty vepron Jason F. McLennan. Arkitekti, autori dhe pionieri i Living Building Challenge argumenton prej kohësh se obsesioni me perfeksionin është një nga pengesat më të mëdha të përparimit.

Në librin e tij të ri The Magic of Imperfection: The ¾ Baked Secret to Unlocking Innovation and Getting More Done, McLennan përshkruan një filozofi që e sheh ekselencën si produkt të bashkëpunimit dhe pranimit strategjik të ‘paplotësisë’.

Ai i fton drejtuejsit të rishikojnë mënyrën si ndërtojnë, krijojnë dhe matin suksesin.

Si arkitekt, thotë McLennan, duhet të marrësh mijëra vendime të ndërlikuara, nën afate të rrepta dhe buxhete të kufizuara.

Kjo të mëson shpejt se kur duhet të ndalosh përsosjen e detajeve dhe të ecësh përpara.

Një ide qendrore është metafora e “trim tab”-it, timoni i vogël që ndihmon timonin e madh të kthejë një anije gjigante.

Çelësi i ndikimit, thotë ai, është të dish ku të vendosësh levën. Kjo mësohet vetëm duke provuar dhe duke dështuar.

McLennan shqetësohet se kultura moderne e ndëshkon aq fort dështimin, sa vret inovacionin që në nisje.

Inovacioni kërkon rreziqe të llogaritura dhe pranimin e mundësisë për të gabuar. Zgjidhja? Të shkëputësh egon nga puna, të jesh objektiv dhe t’i shohësh dështimet si mjetet më të fuqishme të të mësuarit.

Qasja “¾ e pjekur” kërkon feedback në momentin e duhur, as shumë herët, as shumë vonë. Zhurma e rrjeteve sociale nuk është feedback real; vlera vjen nga kritika e informuar e kolegëve, mentorëve dhe klientëve.

Frika nga dështimi i bën kompanitë gjithnjë e më burokratike dhe të ngurta. “Shumë e mëdha për të dështuar” shpesh do të thotë të fryra dhe jo elastike dhe në mënyrë paradoksale, më të rrezikuara.

Çdo shpikje e madhe nisi e papërsosur. Po të prisnin perfeksionin, shumë prej tyre s’do të ekzistonin.

Papërsosmëria nuk është armiku i madhështisë, është porta hyrëse e saj. / Forbes, Shqip.al

The post Si heqja dorë nga perfeksionizmi përshpejton inovacionin appeared first on Revista Monitor.

Agjencia e pasurive të konfiskuara do të veprojë e pavarur: Autoritet e tjera kanë sjellë probleme!

19 December 2025 at 11:46

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka bërë disa ndryshime në ligjin për administrimin e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, AAPSK, duke i dhënë asaj pavarësi të plotë funksionimi.

Sipas draftit AAPSK-së do të menaxhojë e vetme objektet e konfsikuara dhe sekuestruara, fondin për ndërtimet pa leje, porcedurat e shitjes etj. Në relacion thuhet se ndërveprimi i AAPSK-së me autoritete të tjera dhe Këshillin e Ministrave ka krijuar vonesa, mungesë efikasiteti dhe shumë objekte janë amortizuar. Si rezultat, priten procedura më të shpejta dhe më transparente, rritje e të ardhurave për shtetin, shmangie e konflikteve ndërinstitucionale dhe përdorim më efikas i objekteve për interes publik dhe social.

Projektligji, argumenton qeveria, vjen si rezultat i reformës për përdorimin më efikas të ndërtimeve pa leje të konfiskuara dhe administrimin e tyre në mënyrë të mirë, duke i shërbyer nevojave të institucioneve shtetërore dhe nevojave sociale. Kjo qasje kontribuon gjithashtu në rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe në mbrojtjen e interesit publik.

Për vitin 2025, të paktën deri në muajin shtator, kjo agjenci ka fituar 162 mln lekë, me rritje rreth 50% nga një vit më parë.

The post Agjencia e pasurive të konfiskuara do të veprojë e pavarur: Autoritet e tjera kanë sjellë probleme! appeared first on Gazeta Si.

Dobësia e drejtuesve për të cilën askush nuk flet dhe pse trajnimi nuk e zgjidh

By: Megi Dumi
17 December 2025 at 20:05

Zhvillimi i aftësive drejtuese mbështetet shpesh te një ide e vetme: identifiko dobësitë e tua dhe puno pa u lodhur për t’i përmirësuar.

Liderët nxiten të bëhen sa më “të plotë”, të zhvillojnë çdo kompetencë dhe të lëmojnë çdo cep të ashpër.

Por nga puna me mijëra drejtues dhe analiza e mijëra ekipeve del vazhdimisht një realitet tjetër: shumica e dobësive të lidershipit nuk janë mangësi personale për t’u korrigjuar, por boshllëqe rolesh në ekipin përreth.

Me fjalë të tjera, çdo lider ka një dobësi, por zgjidhja nuk është gjithmonë vetë-përmirësimi. Zgjidhja është roli që mungon në rrethin e tij më të afërt.

Në vend që të synoni të bëheni “lideri i plotësuar”, suksesi vjen duke ndërtuar role plotësuese që neutralizojnë pikat e verbra.

Jo të jesh i mirë në gjithçka, por të ndërtosh ekipe që, së bashku, mbajnë të gjitha forcat që një drejtues i vetëm nuk mund t’i ketë.

Ekipet më të suksesshme kanë një ekuilibër prej pesë rolesh: Drejtuesit marrin vendime dhe përcaktojnë drejtimin; Arritësit ekzekutojnë dhe dorëzojnë rezultate; Stabilizuesit krijojnë strukturë dhe disiplinë; Harmonizuesit ruajnë marrëdhëniet dhe klimën emocionale; Inovatorët sfidojnë status quo-në dhe sjellin ide të reja.

Këto nuk janë tituj pune, por mënyra natyrore kontributi. Mungesa e qoftë njërit krijon mosfunksionim të parashikueshëm.

Një studim tregon se 97% e ekipeve më efektive i kishin të pesë rolet e përfaqësuara, kundrejt vetëm 21% të ekipeve më pak efektive.

Dështimet nuk vijnë nga paaftësia individuale, por nga mungesa e perspektivave kyçe.

Kjo e bën të qartë një të vërtetë të pakëndshme: drejtuesit nuk dështojnë për shkak të të metave personale, por sepse u mungon kundërpesha që i kompenson ato.

Trajnimi shpesh supozon se problemi është mungesë aftësish. Në fakt, është mungesë roli.

Askush nuk shndërrohet rrënjësisht në një tip tjetër kontribues vetëm me kurse.

Nëse keni vështirësi me planifikimin, ju duhet një Stabilizues; nëse shmangni konfliktin, një Drejtues; nëse mërziteni nga ekzekutimi, një Arritës; nëse mendoni shumë konservator, një Inovator; nëse nuk kapni nënrrymat emocionale, një Harmonizues.

Mesazhi i ri është i qartë: ndaloni së “rregulluari” veten dhe filloni të rekrutoni të kundërtën tuaj.

Lidershipi i vërtetë nuk është të bëhesh një ekosistem i vetëm, por të ndërtosh ekosistemin e duhur të roleve.

Liderët më të mirë nuk janë pa dobësi; ata janë të zgjuar mjaftueshëm për t’i çiftuar ato. / Forbes, Shqip.al

The post Dobësia e drejtuesve për të cilën askush nuk flet dhe pse trajnimi nuk e zgjidh appeared first on Revista Monitor.

Propozimi i PD-së: Pasuritë e konfiskuara t’u vihen në dispozicion çifteve të reja dhe punonjësve të rendit

17 December 2025 at 10:27

Nga Gazeta ‘SI’ – Partia Demokratike ka dërguar një projektligj në Kuvend, ku propozon që pasuritë kriminale të konfiskuara, të përdoren në ndihmë të çifteve të reja dhe punonjësve të rendit.

Në draftin që mban emrin e deputetit Klevis Balliu, thuhet që një lëvizje e tillë adreson problematikën  strehimit si për çiftet e reja që synojnë të krijojnë familje dhe për punonjësit e policisë që meritojnë mbështetje sociale dhe motivim.  

Kjo do të sjellë dhe më shumë transparencë se ku shkojnë asetet e konfiskuara, sipas draftit.

Projektligji sugjeron krijimin e një llogarie të posaçme për programet e strehimit të punonjësve të rendit dhe çifteve të reja dhe vendosja e tyre si përparsi në përdorimin e aseteve.

“Ky projektligj mund të ketë efekte financiar për buxhetin e shtetit, por gjykojmë se efektet financiare mundshme për buxhetin e shtetit janë pozitive ose neutrale. Sipas praktikave të viteve të fundit. Shteti Shqiptar ka realizuar: Mesatarisht 3.5 deri në 5 milion Euro në vit të ardhura nga tjetërsimi i aseteve të konfiskuara. Vlera e pasurisë së sekuestruar në proces arrin 40-60 milion Euro në vit, dhe një pjesë e saj përfundon e konfiskuar. Duke marrë për bazë sikur 20% e këtyre të ardhurave mund të shkojnë në llogarinë e posaçme objekt i kësaj nisme të opozitës, përllogariten rreth 700.000 gjer në 1.000.000 Euro/vit kapacitete financiare që mund të përdoren”, llogarit deputeti i PD-së.

Pak ditë më parë, kolegia e Balliut, Jorida Tabaku dërgoi në Kuvend një tjetër draft, ku propozonte njohjen zyrtarisht si punë të papaguar angazhimin e nënave që kujdesen me kohë të plotë për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, sindromën Doën apo aftësi të tjera të kufizuara që u pamundësojnë pavarësinë.

The post Propozimi i PD-së: Pasuritë e konfiskuara t’u vihen në dispozicion çifteve të reja dhe punonjësve të rendit appeared first on Gazeta Si.

Lista e ‘habitshme’ e kandidatëve për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë

By: Gazeta Si
15 December 2025 at 15:09

Nga Gazeta ‘SI’ – Lista e kandidatëve konkurrues për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 sjell një ndryshim të dukshëm krahasuar me garat e mëparshme. Në të shihen për herë të parë figura që nuk janë vetëm nga administrata publike apo politika, por edhe nga sektori privat, akademia dhe drejtësia, duke krijuar një mozaik profesional që mund të pasuroi vendimmarrjen e këtij institucioni.

Tre anëtarët aktualë, Artan Hoxha, Luljeta Minxhozi dhe Violeta Staka, kandidojnë për një mandat të dytë. Njohuria e tyre e brendshme dhe përvoja e mandateve të mëparshme sigurojnë vazhdimësinë dhe stabilitetin, ndërsa profesionistët e rinj sjellin perspektiva të reja. Elton Korbi, me një karrierë të gjatë në menaxhimin e fondeve të pensionit dhe investimeve, dhe Erjona Bejleri, ish-zëvendësministre e Financave me eksperiencë në sektorin bankar privat, ofrojnë një kombinim të praktikës dhe politikave financiare. Eni Xheko, menaxhere e një hoteli privat, mund të sjell njohuri të menaxhimit dhe praktikës së biznesit, duke shtuar një dimension të veçantë pragmatizmi në vendimmarrje.

Akademikët si Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, dhe Matilda Shehu, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, sjellin analizë të thelluar dhe perspektiva strategjike, që nuk ishin përfaqësuar fuqishëm në listat e mëparshme. Për herë të parë, vendimmarrja e Këshillit duket se do të pasqyrojë një kombinim të balancuar mes teorisë, praktikës dhe ligjit, duke krijuar një institucion më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm.

Një tjetër ndryshim i dukshëm është prezenca e profesionistëve nga drejtësia dhe strukturat anti-korrupsion. Holta Zaçaj, ish-anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dhe Liljana Mamadhaj nga SPAK kanë ekspertizë ligjore dhe njohuri mbi etikën institucionale. Për publikun, kjo mund të duket pak e pazakontë – kundrejt një tabuje të dikurshme kur kandidatët ishin kryeoisht akademikë dhe nga bota e financave. Tani që SPAK dhe Gjykata janë bërë kryefjala e publikut një ish-gjyqtare apo përfaqësuese të SPAK-ut apo dhe një pronare hoteli tingëllojnë pak çuditshëm duke krijuar ndjesi se disa kandidatë mund të kenë garanci të fshehta, edhe pse ligjërisht procesi është i hapur dhe meritokraci. Tabuja që shoqëron figurat e drejtësisë dhe menaxherët privat por dhe vetë historikun e Këshillit Mbikqyrës shton këtë ndjesi dyshimi.

Krahasuar me listat e vitit 2022 dhe 2023, ndryshimi më i dukshëm është diversiteti i profileve. Lista e vitit 2022 përbëhej kryesisht nga profesionistë me përvojë në administratë publike dhe politikë, si Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli, të cilët u zgjodhën për të mbajtur vendet vakante. Përveç tyre, kandidatë si Emis Çerava, Diana Dervishi dhe Altin Hoti vinin nga administrata publike, ekonomia dhe financat, ndërsa një pjesë e vogël ishte me eksperiencë akademike. Përqendrimi kryesor ishte te përvoja në qeverisje dhe njohuritë financiare.Ndërsa më parë dominonin figurat e administratës dhe politikës, tani kemi një kombinim ku secila përvojë ka rëndësi: privatët sjellin praktikë dhe menaxhim të riskut, drejtësia siguron etikë dhe pëpruthje më të plotë me ligjin , akademikët ofrojnë analizë dhe strategji, ndërsa anëtarët aktualë garantojnë vazhdimësinë dhe njohuritë e brendshme të Këshillit.

Megjithë dyshimet e mundshme apo tabutë e disa figurave, larmia dhe eksperiencat që sjellin këta kandidatë është një vlerë për Bankën e Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës nuk drejton përditshmërinë e bankave, por vendos politika strategjike dhe kontrollon riskun; për këtë arsye, kombinimi i profileve praktike, ligjore dhe akademike mund të përforcojë stabilitetin dhe besueshmërinë e vendimeve. Në fund, kjo listë duket se ka bërë një hap të rëndësishëm drejt profesionalizmit, diversitetit dhe vendimmarrjes të balancuar, duke rritur kapacitetin e Këshillit për të mbikëqyrur me efikasitet sistemin bankar shqiptar. Mirë do të ishtë kështu për tu parë si model edhe në grehina të tjera të shtetit shqiptar… por koha do ta tregojë. 

The post Lista e ‘habitshme’ e kandidatëve për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë appeared first on Gazeta Si.

Këshilla që ekspertët e produktivitetit ndjekin kur mbeten pas me punën

By: Megi Dumi
15 December 2025 at 11:19

Ja si rikthehen në produktivitet ekspertët e menaxhimit të kohës kur mbingarkohen nga detyrat.

Kur puna akumulohet, është e lehtë të mbetesh pas me projektet dhe afatet. E kombinuar me stresin e përhershëm të jetës së përditshme, kjo ngarkesë mund të duket e pakapërcyeshme.

Nuk jeni të vetëm: edhe trajnerët e produktivitetit mbeten pas herë pas here.

Ja këshillat më të mira që ata ndajnë për të mos u ndier të mbingarkuar:

1. Kërkoni ndihmë

Ndaloni, qartësoni mendjen dhe organizoni detyrat sipas përparësisë, rëndësisë dhe mundësisë për delegim. Delegimi përfshin edhe negocimin e afateve ose heqjen e detyrave nga axhenda.

Mos kini frikë të kërkoni ndihmë, shpesh menaxherët e vlerësojnë këtë.

2. Nxirrni gjithçka nga mendja në letër

Ndani një fletë në katër pjesë: “Duhet”, “Do të ishte mirë”, “Mund”, “Dua”. Kjo ndihmon të dalloni urgjencën dhe të renditni prioritetet.

3. Zvogëloni ngarkesën e projekteve

Listoni projektet, hiqni ose delegoni ato më pak të rëndësishme dhe rinegocioni afatet kur është e nevojshme.

Shpesh, ngarkesa reale mund të ulet ndjeshëm.

4. Pranoni: “Jam i mbingarkuar dhe kam nevojë për ndihmë.”

Përcaktoni urgjencën, kufizoni shpërqendrimet dhe punoni i përqendruar për intervale të caktuara.

5. Komunikoni shpejt kur përfshihen të tjerë

Bëni një pauzë, qartësoni situatën dhe njoftoni menjëherë palët për afatet e reja. Transparenca ul stresin.

6. Bëni një pyetje sqaruese

Cila është ajo një gjë që, nëse zgjidhet, do t’i bëjë të tjerat më të lehta ose të parëndësishme?

7. Qetësoni mendjen

Filloni me frymëmarrje ose ndërgjegjësim, shkruani detyrat dhe caktoni prioritetet me Matricën e Eisenhower-it: urgjente/rëndësishme, planifikim, delegim, eliminim.

Shpesh rezulton se ngarkesa është e menaxhueshme me fokus. Nëse jo, negocioni afatet, njerëzit zakonisht tregohen mirëkuptues kur u shpjegoni situatën. / HuffPost, Shqip.al

The post Këshilla që ekspertët e produktivitetit ndjekin kur mbeten pas me punën appeared first on Revista Monitor.

Ja çfarë i ndodh trurit kur jeni në mbledhje të njëpasnjëshme

By: Megi Dumi
13 December 2025 at 10:53

Nëse ndonjëherë keni ndjerë se një ditë e mbushur me mbledhje pa pushim ju shteron energjinë, nuk jeni të vetëm.

Një studim i Microsoft tregon se mbledhjet e njëpasnjëshme, pa pushime, rrisin realisht nivelet e stresit në tru.

Në vitin 2021, studiuesit e Laboratorit të Faktorëve Njerëzorë të Microsoft monitoruan aktivitetin e trurit të 14 personave gjatë thirrjeve me video, përmes elektroencefalogramit.

Një grup zhvilloi katër takime nga 30 minuta pa pushime, ndërsa grupi tjetër kishte pushime 10-minutëshe mes tyre. Javën pasuese, grupet ndërruan rolet.

Rezultatet treguan se tek pjesëmarrësit pa pushime, aktiviteti i valëve beta, i lidhur me stresin, rritej me çdo takim pasues.

Madje, edhe pritja e takimit të radhës shkaktonte rritje të stresit. Ndërkohë, tek ata që kishin pushime, aktiviteti beta mbeti i qëndrueshëm.

Studiuesit analizuan gjithashtu asimetrinë ballore alfa, një tregues i angazhimit mendor.

Pjesëmarrësit me pushime shfaqën nivele më të larta përqendrimi dhe angazhimi, ndërsa ata pa pushime rezultuan më pak të angazhuar mendërisht.

Edhe pse kampioni ishte i vogël, studimi përputhet me kërkime të tjera që tregojnë se mbingarkesa me mbledhje ul produktivitetin dhe rrit pakënaqësinë.

Në një sondazh me 76 kompani, reduktimi i mbledhjeve me 40% çoi në më shumë se dyfishim të produktivitetit dhe rritje të kënaqësisë së punonjësve me 52%.

Ekspertët rekomandojnë që pushimet mes mbledhjeve të mos shpenzohen në email apo rrjete sociale, por në aktivitete që ndihmojnë çlodhjen, si ecja ose ushtrimet e frymëmarrjes.

Edhe disa minuta pushim mund të bëjnë një ndryshim të ndjeshëm në stres dhe përqendrim.

Mesazhi është i qartë: një frymëmarrje e shkurtër është më efektive sesa “të durosh” një maratonë mbledhjesh pa pushim. / HuffPost, Shqip.al

The post Ja çfarë i ndodh trurit kur jeni në mbledhje të njëpasnjëshme appeared first on Revista Monitor.

Ligji i ri koncesioneve, Tabaku dhe Braçe të shqetësuar për transparencën: Hapni garën!

11 December 2025 at 18:55

Nga Gazeta ‘SI’ – Në seancën maratonë të parlamentit, po diskutohet edhe projektligji i ri për koncesionet, ku hiqet mundësia e koncesioneve me ofertë të pakërkuar, hiqet praktikat e tarifës “1 euro” dhe vigjilencë të shtuar për studimet e fizibilitet dhe monitorim 3-mujor.

Drafti ka risjellë në Kuvend debatet e komisioneve, ku deputeti socialist Erion Braçe shprehu shqetësimin për mungesën e kontrollit të kontratave koncesionare dhe garantimin e zbatimit të tyre.

Po ashtu, i shqetësuar për ndërhyrjet e huaja, Braçe tha se qeveria duhet të kufizojë industrië ku futen privatët me koncesion, sidomos ato që lidhen me sigurinë kombëtare si energjia për shembull.

“Kam vërejte, e para fushë e gjerë për operimin me këto instrumente. Ligji duhet të kishte sjellë në vëmendje që me këto dy instrumente nuk operohet në fusha për rendin dhe sigurinë publike. Kemi bërë hap përpara që për prodhimin e pasaportave apo ID, e kemi në domen shtetëror dhe jo në kompani private. Së dyti gara e hapur si element kyç për definimin me kontratat koncesioneve duhet të shtrihet edhe në kontratat e PPP. Kemi patur përvoja shumë të hidhura lidhur me transferimin e kontratave. Aeroporti i Rinasit devijoi në një konsorcium kinez. Transferimi i kontratave ka sjellë që nuk marrin maksimumin e mundshëm të përfitimeve. Edhe në shëndetësi kemi një përqendrim shumë të madh në një dy pronarë por nuk kemi marrë ndonjë përfitim që të lë pa mend. Dy definicione, vlera për paratë, risku operativ.  Mendoj se transparenca nuk është e plotë, qoftë para dhënies së kontratave koncesionare qoftë pas. Nuk kemi kontroll sinjifikativ të zbatimit të këtyre kontratave. Detyrim për pronarit përfitues të identifikueshëm. Shpesh shfaqen të fshehur dhe vijnë nga vende offshore”, tha ndër të tjera Braçe.

Edhe demokratja Jorida Tabaku shprehu rezervat e saj, ku përmendi mungesën e transparencës, si problemin më të madh.

Tabaku theksoi se pjesa më e madhe e kontratave aktuale janë në shkelje të standardeve të BE-së dhe kërkoi vendosjen e barrierave të reja ligjore për të kufizuar operatorët, sidomos ata që sipas saj kanë kryer abuzime. 

“Ligji që vjen ka disa probleme. Në 2023 unë bëra disa propozime ligjore. Transparenca është problem sa i përket prokurimeve publike dhe koncesioneve. Cilat janë informacionet që do të ketë publike me qytetarët, qeveria ka vendosur që jo gjithmonë të japë informacion. Asnjë kontratë e koncesionarit nuk është publikuar. Sot kontratat e koncensioneve po përdoren për pastrim parash. Duhet që të gjendet se ku shkojnë paratë publike dhe për të kufizuar numrin e koncesioneve që merr një kompani. Nëse një kompani nuk kryen punime dhe merr 80 për qind të fondeve dhe merr tenderin tjetër të radhës, kjo s’duhet që të ndodh. Nëse vendosen disa kritere për ta hapur garën pjesëmarrja e kompanive do të jetë më e lartë. Sot pjesa më e madhe e kontratave janë në shkelje të këtyre standardeve. Ne duhet që të vendosim disa barriera në ligj që lidhen me kufizimin e operatorëve. Kompanitë që kanë bërë abuzime duhet që të largohen nga tregu”, tha ajo.

The post Ligji i ri koncesioneve, Tabaku dhe Braçe të shqetësuar për transparencën: Hapni garën! appeared first on Gazeta Si.

Një në pesë lidhje jashtëmartesore në punë përfshin një punonjës të BNJ

By: Megi Dumi
11 December 2025 at 13:47

Çfarë po ndodh brenda departamentit që duhet të ruajë etikën?

Një studim i fundit ka zbuluar një statistikë të pazakontë dhe shqetësuese: 1 në 5 lidhje jashtëmartesore që lindin në vendin e punës përfshin një person nga departamenti i Burimeve Njerëzore (BNJ), pikërisht struktura që ka për detyrë të mbrojë etikën, të sigurojë mirëqenien e stafit dhe të garantojë një kulturë të shëndetshme pune.

Ky zbulim ka ngritur alarme mbi balancat e pushtetit brenda BNJ, si dhe mbi rreziqet e përzierjes së roleve profesionale me ato personale.

Ekspertët theksojnë se pozita e veçantë e punonjësve të departamentit tëBNJ, qasja në të dhëna të ndjeshme, ndërveprimet e shpeshta me punonjësit dhe besimi që organizata u jep, krijon një terren ku kufijtë etikë mund të mjegullohen lehtësisht.

Sipas psikologes organizative Dr. Elaine Morris, këto të dhëna duhen parë si një “sinjal zgjimi” për kompanitë.

Ajo argumenton se në shumë raste, vetë departamenti i BNJ funksionon pa monitorim të brendshëm, duke e bërë më të lehtë tejkalimin e kufijve profesionalë pa pasoja të menjëhershme.

“Kur një departament ka akses në gjithçka, por mbi të ka pak mbikëqyrje, atëherë rreziku për abuzim me besimin rritet ndjeshëm,” thotë ajo.

Studimi ngre gjithashtu pyetje të rëndësishme për kulturën organizative:

Sa të forta janë protokollet e etikës?

A trajtohen të gjithë punonjësit njësoj përpara rregullave disiplinore?

Dhe, më e rëndësishmja, kush i mban nën kontroll ata që supozohet të jenë kontrolluesit?

Organizatat, sugjerojnë ekspertët, duhet të rivlerësojnë trajnimet e etikës, të forcojnë protokollet e raportimit dhe të krijojnë mekanizma të pavarur mbikëqyrjeje për BNJ.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi lidhjet e tilla jo vetëm cenojnë besimin, por krijojnë rreziqe serioze për konflikt interesi, favorizim dhe shkelje të konfidencialitetit.

Në fund të ditës, ky zbulim nuk është vetëm një statistikë e çuditshme: është një pasqyrë e një problemi më të thellë mbi mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet e fuqisë brenda ndërmarrjeve.

Dhe për kompanitë që duan të ndërtojnë kultura të shëndetshme pune, etikës duhet t’i jepet po aq rëndësi sa performancës. / Historical Insights, Shqip.al

The post Një në pesë lidhje jashtëmartesore në punë përfshin një punonjës të BNJ appeared first on Revista Monitor.

Shqiptarët e përdorin internetin për të porositur ushqim dhe rroba

11 December 2025 at 13:32

Nga Gazeta ‘SI’ – Më shumë se 45% e shqiptarëve kanë bërë të paktën një berje online 12 muajt e fundit, me rritje 3 pikë përqindje. Rrobat dhe dërgesa e ushqimit janë shërbimet që kryesojnë blerjet online të shqiptarëve, me 97% dhe 61%.

Aktivitetet që kryhen nëpërmjet internetit me rritjen me të madhe janë kërkimi i informacioneve dhe shërbimeve, 10.7 p.p, e-banking me 7.7 p.p. dhe rrjetet sociale 5.7 p.p.

Ka një rritje modeste të shërbimeve të e-qeverisjes, që janë në fakt shërbime të detyrueshme dhe nuk tregojnë ndonjë trend, ku 99.5% e popullsisë kanë një llogari.

INSTAT raporton se të gjithë aftësitë teknologjike apo kompjuterike kanë shënuar rritje, ku rritja më e lartë është shënuar në aftësitë lidhur me “Përdorimin e programeve për të edituar foto, video apo fileve audio” me rreth 9,2 pikë përqindje, ndjekur nga aftësitë lidhur me “Përdorimin e programit të procesimit në ëord” me rreth 8,4 pikë përqindje.

99,9 % e individëve në Shqipëri përdorin aparat celularë/telefona inteligjent (smart) për të hyrë në internet, ndjekur nga: pajisje të tjera (Smart TV, lexues librash, ora smart, etj.) (59,0 %) laptop (41,2 %), dhe nëpërmjet kompjuter/desktop (20,9 %).

The post Shqiptarët e përdorin internetin për të porositur ushqim dhe rroba appeared first on Gazeta Si.

7 këshilla për të ruajtur ekuilibrin punë-jetë gjatë festave

By: Megi Dumi
9 December 2025 at 12:12

Gjetja e një ekuilibri të shëndetshëm mes punës dhe jetës personale është thelbësore gjatë gjithë vitit, por bëhet veçanërisht sfiduese gjatë sezonit të festave.

Ngarkesa profesionale shpesh rritet ndërsa planet familjare dhe sociale shtohen, duke krijuar presion për të përmbushur gjithçka në të njëjtën kohë. Megjithatë, specialistët e mirëqenies theksojnë se edhe në këtë periudhë është plotësisht e mundur të ruash qetësinë dhe të shijosh momentet e fundvitit, nëse vepron me organizim dhe vetëdije.

Balancimi i punës dhe jetës nuk do të thotë të kontrollosh çdo detaj apo të përpiqesh të jesh kudo njëkohësisht. Përkundrazi, do të thotë planifikim i kujdesshëm, vendosje e kufijve dhe njohja e asaj çfarë është me të vërtetë prioritet.

Festat sjellin emocione të forta, por edhe angazhime shtesë, ndaj menaxhimi i tyre kërkon një qasje të matur.

Sipas ekspertëve, krijimi i një orari të qartë është hapi i parë drejt një sezoni të suksesshëm. Kjo nënkupton që detyrat profesionale të planifikohen më herët dhe të mbyllen brenda afateve të arsyeshme, në mënyrë që ditët festive të mos dominohen nga puna e mbetur pezull.

Vendosja e kufijve është po aq e rëndësishme. Shpesh, gjatë dhjetorit, pritet të jemi më të disponueshëm, si në punë, ashtu edhe në familje.

Megjithatë, të dish të thuash “jo” ndaj angazhimeve që tejkalojnë kapacitetin tënd është pjesë e një ekuilibri të qëndrueshëm.

Punëdhënësit dhe kolegët zakonisht e mirëkuptojnë nevojën për të mbajtur ritëm normal, sidomos në një periudhë të ngarkuar si kjo.

Po ashtu, familjarët dhe miqtë mund të kuptojnë nëse u komunikohet qartë se cila ditë apo orë është më e përshtatshme për takime apo aktivitete.

Një tjetër element i rëndësishëm është kujdesi për veten. Festat shpesh shoqërohen me ritme të shpejta, udhëtime, gatime, blerje dhe takime të shumta.

Në këtë vrull, shumë njerëz harrojnë të pushojnë. Ekspertët sugjerojnë që çdo person të gjejë momente të shkurtra qetësie gjatë ditës, qoftë një shëtitje, leximi i diçkaje të këndshme apo heqja dorë për pak orë nga pajisjet elektronike.

Këto mikro-pushime ndihmojnë në uljen e stresit dhe rrisin produktivitetin në punë.

Delegimi i detyrave mund të jetë po ashtu një shpëtim i madh. Në punë, kjo mund të nënkuptojë ndarjen e përgjegjësive me kolegët ose kërkimin e ndihmës kur projektet bëhen shumë të ngarkuara.

Në jetën personale, përfshirja e familjes në detyrat e shtëpisë apo planifikimin e festave mund të ulë ndjeshëm lodhjen. Nuk ka arsye që gjithçka të bjerë mbi një person të vetëm, sidomos gjatë një periudhe që duhet të jetë e gëzueshme.

Planifikimi financiar është gjithashtu pjesë e ekuilibrit. Shpenzimet e festave mund të kthehen në burim stresi nëse nuk kontrollohen.

Hartimi i një buxheti realist dhe ndjekja e tij shmang surprizat e pakëndshme dhe ndihmon që pushimet të jenë më të qeta. Po ashtu, planifikimi i kohës për pushime apo ditë të lira përpara festave mund të krijojë një tranzicion të butë nga rutina e përditshme drejt atmosferës festive.

Në fund, është e rëndësishme të kujtojmë që ekuilibri nuk arrihet me përpikmëri çdo ditë. Ka momente kur puna do të kërkojë më shumë vëmendje dhe të tjera kur jeta personale do të ketë prioritet.

Ajo çfarë ka rëndësi është ruajtja e një ritmi të qëndrueshëm në afatgjatë dhe aftësia për t’u përshtatur me situatat, pa humbur qëllimin kryesor: të jetosh një sezon festash të mbushur me qetësi, gëzim dhe lidhje të sinqerta me njerëzit e dashur. / Crosswalk, Shqip.al

The post 7 këshilla për të ruajtur ekuilibrin punë-jetë gjatë festave appeared first on Revista Monitor.

Lidhje me politikë ose grupe kriminale, qeveria ‘sitë’ për investimet e huaja në media e sektorë kritikë

8 December 2025 at 14:20

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar një draftligj të ri për investimet e huaja, me qëllim identifikimin e financimeve në sektorët kritikë të vendit, nga energjia, infrastruktura, shëndetësia, mbrojtja dhe media.

Shqetësim i veçantë për qeverinë shqiptare është financimi i medias dhe ndikimi në lirinë e saj. Investitorët do të hetohen për lidhje me qeverinë dhe lidhje me aktivitete të paligjshme e kriminale.

Po ashtu parashikohet krijimi i një organi kolegjial, Komiteti Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte për arsye sigurie ose rendi publik (KNKIHD), i cili kryen shqyrtimin e investimeve të huaja direkte. Kështu, ministria e Ekonomisë, përgjegjëse për këtë fushë, në rast të një rasti të eskpozuar do të mund të nisë hetime, të pezullojë, refuzojë po anulojë procese investimi, sipas gjetjeve.

Investitorët janë të detyruar t’i ofrojnë asaj çdo informacion që i kërkon, përndryshe do të përballen me gjoba të majme, nga 5 mijë euro deri në dyfishin e vlerës së investuar.

The post Lidhje me politikë ose grupe kriminale, qeveria ‘sitë’ për investimet e huaja në media e sektorë kritikë appeared first on Gazeta Si.

5 gjërat që ekspertët e produktivitetit nuk i bëjnë kurrë në mëngjes

By: Megi Dumi
7 December 2025 at 10:47

Sipas ekspertëve të produktivitetit, mënyra se si nis mëngjesi ka ndikim të drejtpërdrejtë te fokusi, energjia dhe ritmi i gjithë ditës.

Ndaj ata shmangin disa zakone të zakonshme, të cilat, sipas tyre, prishin jo vetëm orët e para, por edhe produktivitetin e mëvonshëm.

Rachel Wilkerson Miller, autore dhe specialiste e organizimit personal, thotë se kurrë nuk nis ditën duke shfletuar pa qëllim në lajme apo rrjete sociale.

Ajo e kufizon ekspozimin ndaj përmbajtjes së lodhshme menjëherë pas zgjimit, pasi, sipas saj, shfletimi herët e shpërqendron dhe e zhyt në përtaci.

Në vend të kësaj, ajo lexon një buletin të shkurtër me titujt kryesorë, ndërsa kafen e mëngjesit e shoqëron me një podcast, video ose një lojë të qetë.

Alan Henry, redaktor dhe autor librash mbi eficiencën në punë, zgjedh të mos e nisë ditën ngadalë. Ai preferon një “shkundje energjie”, si dush i shpejtë dhe kafe, për të hyrë menjëherë në ritëm.

Për të, mëngjesi nuk është koha për ushtrime fizike apo vakte të rënda, sepse e bëjnë të përgjumur.

Ai ruan energjinë e parë të ditës për t’u fokusuar në punë, pasi kreativiteti i tij arrin kulmin në orët e pasdites.

Ekspertja e organizimit Rashelle Isip thotë se shmang rreptësisht detyrat e ndërlikuara të shtëpisë në mëngjes, si plotësimi i dokumenteve financiare apo leximi i politikave të rëndësishme.

Këto kërkojnë përqendrim dhe kohë të plotë, gjë që mëngjesi nuk e ofron. Nëse i fillon herët, ajo rrezikon të gabojë, të nxitohë ose të ndjejë stres të panevojshëm, ndërkohë që mendja i është ndarë mes punës, detyrave të ditës dhe përgatitjes personale.

Trajnerja e produktivitetit Grace Marshall nuk zgjohet herët.

Ajo nuk është pjesë e “klubit të orës 5 të mëngjesit”, duke theksuar se gjumi cilësor është çelësi për performancë të mirë, sidomos para eventeve, udhëtimeve apo fjalimeve publike.

Marshall planifikon udhëtimet në mënyrë që të shmangë trenat dhe avionët shumë herët, pasi lodhja e mëngjesit të prish gjithë ditën.

Ndërsa ekspertja e menaxhimit të kohës Laura Vanderkam thotë se nuk e nis ditën pa qartësuar më parë qëllimin e saj kryesor.

Ajo përgatit një listë shumë të shkurtër detyrash të domosdoshme, të cilën e konsideron si një marrëveshje me veten.

Kjo i jep drejtim ditës dhe e ndihmon të ruajë fokusin, pavarësisht ndërprerjeve apo angazhimeve të papritura.

Tipari i përbashkët?

Mëngjeset nuk janë koha për shpërqendrime, ngarkesa të panevojshme apo vendime të vështira.

Ekspertët këshillojnë që orët e para të ditës të jenë të qeta, të qëllimshme dhe të orientuara drejt energjisë dhe qartësisë, për një ditë më produktive dhe më të qëndrueshme. / HuffPost, Shqip.al

The post 5 gjërat që ekspertët e produktivitetit nuk i bëjnë kurrë në mëngjes appeared first on Revista Monitor.

Aftësitë drejtuese që mëson duke rritur fëmijët

By: Megi Dumi
5 December 2025 at 11:14

Gjashtë mësime që vlejnë si në familje, ashtu edhe në punë

Ka një kontrast të fortë mes një bisede me një drejtues të lartë që po menaxhonte një ristrukturim kompleks dhe, pak minuta më pas, një situate tipike familjare me një fëmijë të mërzitur për një set Lego.

Kjo tregon se, edhe pse prindërimi dhe drejtimi duken shumë ndryshe, por tr dy kërkojnë të njëjtën “arkitekturë të brendshme”: ndikim pa forcë, qetësi emocionale, vendimmarrje të qëllimshme dhe aftësinë për të sjellë qartësi në situata të pasigurta.

Nga puna me drejtues dhe përvoja si prind, autorja nxjerr gjashtë mësime kryesore:

1. Qëndrueshmëria emocionale është aftësi drejtuese
Qetësia nuk është thjesht vetëpërmbajtje, por aftësia për të toleruar emocionet pa reaguar me impulsivitet. Në shtëpi do të thotë të mos humbësh durimin; në punë të jesh spiranca kur ka pasiguri.

2. Qartësia është më e fuqishme se kompleksiteti
Fëmijët dhe të rriturit funksionojnë më mirë me pritshmëri të qarta. Udhëheqësit shpesh e ndrrlikojnë komunikimin, por thjeshtësia rrit përgjegjshmërinë dhe efektivitetin.

3. Kufijtë janë kujdes, jo kontroll
Si në familje ashtu edhe në punë, kufijtë krijojnë ritëm, parandalojnë burnout dhe mbrojnë kapacitetin. Marrja përsipër e gjithçkaje dëmton ekipin dhe veten.

4. Riparimi është më i rëndësishëm se perfeksioni
Në prindërim gabimet janë të pashmangshme; rëndësi ka t’i kthehesh situatës dhe të rregullosh marrëdhënien. E njëjta gjë rrit besimin dhe sigurinë psikologjike në punë.

5. Autonomia krijon guxim
Si fëmijët që mësojnë biçikletën, njerëzit rriten kur u jepet hapësirë të provojnë. Mikromenaxhimi ushqen frikë; besimi zhvillon kompetencën.

6. Qëllimi qëndron në të përditshmen
Si prindër dhe si drejtues, ndikimi ndërtohet përmes momenteve të vogla: si dëgjojmë, si reagojmë dhe si tregojmë konsistencë. Kultura formohet nga sjelljet e përditshme, jo nga fjalimet e mëdha. / Fast Company, Shqip.al

The post Aftësitë drejtuese që mëson duke rritur fëmijët appeared first on Revista Monitor.

❌
❌