Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
E para e shtetit theksoi se Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve.
“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtësore me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot. Përgjatë viteve, kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e çmuara të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani: Kosova është e bekuar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe telegrafi.com
Presidentja e vendit tha tutje se ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm.
“Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje. Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve”, tha ajo. /Telegrafi/
PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me gra lidere, me kryetaren e e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum.
“Një pasdite në shoqërinë e grave lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve. Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, është takuar me gra lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve.
Në një postim, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e këtij takimi dhe potencialin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Një pasdite në shoqërinë e grave lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve", ka shkruar Osmani.
Ajo ka vënë në pah se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe shkojnë përtej miqësisë tradicionale. “Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion”, ka theksuar Presidentja.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, veçanërisht në fushat e kulturës, artit dhe inovacionit, me fokus të veçantë në rolin e grave lidere në këto procese. /Telegrafi/
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, ka takuar presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikun Mohammed bin Zayed Al-Nahyan.
Nga Presidenca thonë se gjatë takimit, Siljanovska-Davkova shprehu falënderim për mikpritjen dhe mundësinë për të marrë pjesë në samit, duke e vlerësuar atë si një platformë jashtëzakonisht të rëndësishme për përballimin e sfidave globale dhe rajonale dhe për zhvillimin e një dialogu të rëndësishëm me udhëheqës dhe partnerë të shquar nga e gjithë bota. Në fokus të bisedës, siç njoftoi Kabineti i Siljanovska-Davkovës, ishin perspektivat për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe u theksua nevoja për përmirësimin e kornizës ligjore.
“Presidentja përshëndeti vendosjen e regjimit pa viza mes dy vendeve, duke e vlerësuar këtë si një mundësi të shkëlqyer për lehtësimin e komunikimit të përgjithshëm midis dy shoqërive. Ajo shprehu bindjen se takimi, i cili realizohet para 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, do të japë një impuls të fortë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet tyre. Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi çështjet globale aktuale dhe rëndësinë e përpjekjeve për zgjidhjen e konflikteve ekzistuese. Në këtë kontekst, presidentja përshëndeti rolin konstruktiv dhe të përgjegjshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili bazohet në parimet e paqes dhe tolerancës”, thonë nga Presidenca.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova po i qaset inteligjencës artificiale me vizion të qartë dhe vendosmëri, duke theksuar se shteti është i gatshëm ta përqafojë plotësisht këtë teknologji përmes investimeve në aftësi, modernizimit të arsimit dhe krijimit të një mjedisi rregullator që inkurajon inovacionin, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor.
Në fjalimin e saj, në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani theksoi se teknologjia pa vlera përfaqëson fuqi pa përgjegjësi dhe se inteligjenca artificiale, nëse nuk udhëhiqet siç duhet, mund t’i thellojë ndarjet shoqërore. Sipas saj, qeverisja e mençur e kësaj teknologjie mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të rrisë potencialin njerëzor.
“Kosova nuk i qaset inteligjencës artificiale me frikë, hezitim apo masa gjysmake. Ne i qasemi asaj me qartësi dhe bindje. Jemi të gatshëm ta përqafojmë plotësisht, të investojmë në aftësi, të modernizojmë arsimin, t’i hapim institucionet tona ndaj inovacionit dhe të krijojmë një mjedis rregullator të lirë që inkurajon përparimin, duke mbrojtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor. Sepse teknologjia pa vlera është fuqi pa përgjegjësi. Dhe inteligjenca artificiale, nëse lihet pa udhëzim, mund t’i thellojë ndarjet. Por, nëse qeveriset me mençuri, ajo mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të ngrejë potencialin njerëzor”, tha ajo.
Presidentja Osmani foli edhe për ndërtimin e institucioneve të pavarura, profesionale dhe të qëndrueshme, duke theksuar se Kosova është e vendosur t’i ruajë dhe t’i forcojë ato. Ajo shtoi se përparimi i vendit në këto fusha po njihet gjithnjë e më shumë në nivel ndërkombëtar.
Presidentja Osmani theksoi gjithashtu se Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë, përmes zgjerimit të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe tregje të tjera.
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani po merr pjesë në “World Governments Summit”, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, gjersa ka folur për vizionin e Kosovës drejt së ardhmes.
E para e shtetit theksoi se ekonomia globale po kalon një nga transformimet më të thella ndër breza, ndërsa para rikujtoi se shteti i Kosovës doli nga një luftë gjenociale me vuajtje të mëdha dhe se çdo diskutim mbi rritjen e gjeneratës së ardhshme duhet të nisë me një kuptim të së kaluarës sonë.
“Për Kosovën, çdo diskutim mbi rritjen e gjeneratës së ardhshme duhet të nisë me një kuptim të së kaluarës sonë dhe të qëndrueshmërisë së jashtëzakonshme të popullit tonë. Sepse vetëm 26 vite më parë, kur ne ishim fëmijë, Kosova doli nga një luftë gjenocidale me vuajtje të mëdha, infrastrukturë të shkatërruar dhe një ekonomi që duhej rindërtuar nga hiçi.
80% e popullsisë sonë u zhvendos dhe u bë refugjate, shtëpitë tona u rrafshuan me tokën, dhe njerëzit tanë vajtuan humbjen e të dashurve në një luftë që la pas aq shumë dhimbje. Megjithatë, Kosova u ringrit nga hiri. Ne të gjithë u kthyem në atdhe, edhe pse shtëpitë tona ishin shkatërruar plotësisht.
Ne rindërtuam gjithçka. Rindërtuam shtëpitë tona, por rindërtuam edhe shpirtin tonë me një qëndrueshmëri të palëkundur. Dhe brenda një brezi të vetëm, Kosova është shndërruar në ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajonin tonë, një rezultat i njohur vazhdimisht nga Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare”, tha ajo.
Osmani potencoi para të pranishmeve se Kosova nuk është më një histori rreziku, por një vend me potencial të jashtëzakonshëm.
“Kosova sot nuk është më një histori rreziku... Nuk është më një vend i brishtë apo i prekur nga konflikti, por një vend me potencial të jashtëzakonshëm. Kosova, pa shumë zhurmë ka kaluar një prag historik. Themelet janë të forta, trajektorja është e qartë dhe mundësia është reale.
Ky transformim nuk ndodhi rastësisht. Ai ndodhi si rezultat i zgjedhjeve që bëmë. Ne zgjodhëm hapjen, zgjodhëm partneritetet dhe zgjodhëm ta ankorojmë të ardhmen tonë në një botë bashkëpunimi dhe aleancash të qëndrueshme. Por, mbi të gjitha, ky transformim ndodhi falë qëndrueshmërisë së popullit tonë. Sepse, në fund të fundit, suksesi ekonomik i çdo vendi varet në masë të madhe nga kapitali i tij njerëzor, nga njerëzit e tij”, tha ajo.
Osmani tregoi më tej se Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë dhe kjo është një avantazh strategjik.
“Nga themelues që kanë ndërtuar platforma teknologjike rajonale dhe ndërkombëtare, te inxhinierë të rinj softuerësh dhe dizajnerë produktesh që punojnë për tregje globale nga qytetet e Kosovës, talenti ynë në fushën e TIK-ut tashmë po konkurron në nivel ndërkombëtar. Ata na frymëzojnë vazhdimisht. Janë të guximshëm, kureshtarë dhe të lidhur globalisht.
Po aq të rëndësishme janë gratë që po udhëheqin ndryshimin në teknologji dhe inovacion. Nismat e themeluara për të fuqizuar vajzat dhe gratë e reja në programim dhe aftësi digjitale kanë ndihmuar në hapjen e dyerve për një brez të ri zhvilluese, inxhiniere dhe lidere teknologjie, të cilat sot janë pjesë e forcës në rritje të sektorit të TIK-ut.
Ne po investojmë në një brez që është i sigurt në vetvete, i aftë dhe i pajisur me shkathtësi; një brez që mendon në mënyrë kritike, përshtatet shpejt dhe i shndërron idetë në ndikim real. Qëllimi ynë është të sigurojmë që të rinjtë në Kosovë të mos përgatiten vetëm për vendet e punës së sotme, por të fuqizohen për të formësuar mundësitë e së nesërmes”, tha ajo.
“Përgjegjësia jonë, veçanërisht si ekonomi të gjeneratës së ardhshme, nuk është vetëm të përshtatemi apo të adoptojmë inteligjencën artificiale, por ta bëjmë atë të funksionojë për njerëzit, jo në vend të tyre. Të sigurohemi që ajo ta forcojë gjykimin njerëzor, jo ta zëvendësojë atë. Të sigurohemi që ajo t’i shërbejë shoqërisë, jo ta kontrollojë atë.
Kështu do të formësohet e ardhmja: jo nga ata që shpikin makinat më të shpejta, por nga ata që mendojnë edhe për përafrimin e inteligjencës, qoftë artificiale apo njerëzore, me qëllimin, me etikën dhe me të mirën e përbashkët”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës më tej tha se Kosova po pozicionohet si një vend i besueshëm për të investuar.,
“Prandaj po mbështesim krijimin e një mjedisi ku bizneset tona janë të sigurta në vetvete, të orientuara drejt tregjeve të jashtme dhe të gatshme të konkurrojnë dhe të bashkëpunojnë me botën”, tha ajo.
E para e shtetit tha se asnjë ekonomi në zhvillim nuk e ndërton e vetme këtë të ardhme dhe se partneritetet strategjike janë thelbësore për rritjen e gjeneratës së ardhshme.
“Për Kosovën, partneritetet nënkuptojnë përafrim me partnerët globalë, integrim në tregjet globale dhe bashkëpunim të thellë me aleatët në të gjitha sektorët. Ato nënkuptojnë ndërtimin e urave mes sipërmarrësve tanë dhe botës. Ato nënkuptojnë rritje të përbashkët.
Sepse, në fund të fundit, ekonomitë e gjeneratës së ardhshme nuk përcaktohen nga vendi ku nisin, por nga drejtimi që zgjedhin të ndjekin. Dhe Kosova ka vendosur. Ne zgjedhim reformën. Ne zgjedhim inovacionin. Ne zgjedhim partneritetin. Dhe ne zgjedhim të ardhmen. Dhe presim me padurim ta ndërtojmë këtë të ardhme së bashku me ju. Dhe jemi gati ta ndërtojmë atë tani”, u shpreh e para e shtetit. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku gjatë qëndrimit atje është takuar me Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio.
Në këtë takim, Osmani dhe Presidenti Bio diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me fokus në përfitimet për qytetarët dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.
Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve të forta dhe të qëndrueshme me vende në mbarë botën, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fusha me interes të përbashkët. /Telegrafi/
Lindja e Mesme nuk ka nevojë për një tjetër përballje midis SHBA-së dhe Iranit, dhe Teherani duhet të arrijë një marrëveshje bërthamore me Uashingtonin.
Kjo ka qenë thirrja e Anwar Gargash, këshilltari diplomatik i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në një panel të Samitit të Qeverive Botërore në Dubai të martën.
"Mendoj se rajoni ka kaluar nëpër disa përballje katastrofike. Nuk mendoj se kemi nevojë për një tjetër, por do të doja të shihja negociata të drejtpërdrejta iraniano-amerikane që çojnë në një mirëkuptim...", tha ai.
Reagimi i tij pasi Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të rifillojnë bisedimet bërthamore të premten në Turqi, thanë zyrtarë iranianë dhe amerikanë të hënën.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi, thuhet se do të takohen në Stamboll në një përpjekje për të ringjallur diplomacinë mbi një mosmarrëveshje të gjatë rreth programit bërthamor të Iranit dhe për të shpërndarë frikën e një lufte të re rajonale, ndërsa një diplomat rajonal tha se përfaqësues nga vende si Arabia Saudite dhe Egjipti do të merrnin pjesë gjithashtu.
Bisedimet e planifikuara po zhvillohen pasi Trump tha javën e kaluar se një "armadë" masive po shkonte drejt Iranit, ndërsa i kërkoi Teheranit të hynte menjëherë në negociata.
Më vonë ai theksoi se Irani po “bisedonte seriozisht” me SHBA-në.
Presidenti amerikan ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Iranit mes tensioneve në rritje pas protestave antiqeveritare në Iran që filluan në fund të dhjetorit pas rënies së rialit, rritjes së inflacionit dhe përkeqësimit të kushteve të jetesës.
Dhe zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se çdo sulm i SHBA-së do të shkaktonte një përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”. /Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.
Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.
Gjatë vizitës, presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore.
Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike.
Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. /Telegrafi/
Nga: Ali Shihabi / Newsweek Përkthimi: Telegrafi.com
Në një pjesë të medias amerikane, kohët e fundit është përhapur një narrativë që sugjeron se Arabia Saudite po bëhet aleat më pak i vlefshëm për Shtetet e Bashkuara. Ky argument mbështetet në dy faktorë: së pari, se Riadi ka vonuar normalizimin me Izraelin pas luftës në Gazë; së dyti, se ka dallime të thella politike - lidhur me Jemenin - me të preferuarin e ri të Izraelit në rajon, Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga këto premisa, kritikët nxjerrin një përfundim të përgjithshëm, por thellësisht të gabuar: se Arabia Saudite po largohet nga ShBA-ja dhe madje po rikthehet te zakonet e vjetra të eksportimit të islamit radikal apo të aleancës me “islamistë” si strategji rajonale.
Kjo narrativë është e gabuar - si në fakte, ashtu edhe në strategji.
Dallimet e Arabisë Saudite me Emiratet dhe Izraelin nuk burojnë nga ndonjë rikthim ideologjik apo armiqësi ndaj Perëndimit. Ato burojnë nga një mosmarrëveshje themelore për mënyrën se si duhet vepruar me disa nga shtetet më të brishta në botë. Qëndrimi i Riadit është i qartë: shtetet e dobëta mund të stabilizohen dhe të reformohen; shtetet e dështuara bëhen terren pjellor për terrorizëm, krim dhe konflikte të pafundme. Prandaj, prioriteti i Mbretërisë ka qenë mbështetja për qeveritë e njohura ndërkombëtarisht në Jemen, Sudan, Somali dhe Libi, dhe parandalimi i fragmentimit të këtyre vendeve në mini-shtete të drejtuara prej milicive dhe komandantëve të luftës.
Për dallim, Emiratet, shpeshherë me mbështetjen e heshtur të qeverisë aktuale izraelite, kanë ndjekur një qasje tjetër: mbështetjen për forcat separatiste dhe udhëheqës lokalë në përpjekje për të fituar ndikim afatshkurtër apo suksese të menjëhershme diplomatike. Në disa raste, këto fraksione të armatosura e paraqesin veten haptazi si nënshkruese të ardhshme të Marrëveshjeve të Abrahamit, nëse marrin pushtet mbi një pjesë territori. Ato kërkojnë njohje nga ShBA-ja në këmbim të këtyre premtimeve - me Somalilandin si shembullin më të fundit. Kjo taktikë mund të prodhojë tituj gazetash apo ceremoni nënshkrimi, por nuk do të sjellë stabilitet.
Kjo është çështja themelore që injorohet në shumicën e komenteve aktuale. Në parim, Arabia Saudite nuk e kundërshton normalizimin me Izraelin. Ajo e kundërshton një model normalizimi që anashkalon çështjen palestineze, shpërblen fragmentimin e shteteve, legjitimon milicitë dhe përshpejton shpërbërjen e shtetit. Ky qëndrim nuk është antiamerikan; ai përputhet me interesat afatgjata të ShBA-së.
ShBA-ja është një fuqi që mbështet status quo-në. Ajo përfiton nga kufijtë e parashikueshëm, qeveritë funksionale, tregjet e sigurta të energjisë dhe rrugët e hapura detare. Ajo nuk përfiton nga një Lindje e Mesme e ndarë në mini-shtete rivale të drejtuara nga grupe të armatosura që mbështeten në armë, kontrabandë dhe patronazh të huaj. Historia është e qartë për këtë çështje. Terrorizmi lulëzon jo në shtete të forta, por në ato të dështuara. Krimi transnacional, trafiku i drogës dhe kontrabanda e qenieve njerëzore përhapen atje ku bie në kolaps autoriteti qendror.
Amerikanëve nuk u duhet të kujtohen gjatë për ta kuptuar këtë. Sulmet e 11 shtatorit nuk dolën nga një shtet i fortë dhe autoritar. Ato erdhën nga Afganistani, një vend aq i dobët dhe i fragmentuar saqë nuk mundi të ndalonte al-Kaidën të vepronte lirshëm në territorin e tij. Kostoja e atij dështimi nuk u pagua vetëm nga fqinjët e Afganistanit, por edhe nga vetë ShBA-ja.
Megjithatë, sot, disa zëra në Uashington duken çuditërisht të qetë për politikat që shtyjnë Jemenin, Sudanin, Somalinë dhe Libinë drejt të njëjtës rrugë. Fragmentimi shihet si i menaxhueshëm. Milicitë trajtohen si partnerë të mundshëm. Shkëputja paraqitet si “vetëvendosje”. Këto janë fjalë ngushëllimi, por realitetet që fshehin janë të vrazhda. Sapo vendet fillojnë të copëtohen, dhuna bëhet normale, ekonomitë e luftës marrin hov dhe grupet ekstremiste gjejnë hapësirë për të vepruar. Ta ndalosh këtë proces është shumë më e lehtë sesa ta kthesh pas.
Qeveria aktuale izraelite, e dominuar nga e djathta ekstreme, duket veçanërisht e verbër ndaj këtyre pasojave afatgjata. Fitoret taktike, si bindja e ndonjë komandanti lokal apo mini-shteti të supozuar për të përqafuar Marrëveshjet e Abrahamit, paraqiten si triumfe strategjike edhe kur ato rrisin destabilitetin në të gjithë rajonin. Kjo është një llogaritje e shkurtër. Siguria afatgjate e Izraelit, si edhe e Amerikës, do të përfitonte jo nga një mozaik fqinjësh të dobët, por nga një rajon i qeverisur nga shtete legjitime, funksionale dhe i ankoruar në një zgjidhje të besueshme të çështjes palestineze.
Arabia Saudite e kupton këtë. Ajo ka kaluar vite të tëra duke u përpjekur, shpesh në mënyrë të heshtur dhe jo të përsosur, për të forcuar institucionet shtetërore, për të mbajtur kufijtë të paprekur dhe për të parandaluar kolapsin total në disa nga mjediset më të vështira të botës. Kjo punë nuk është as e lavdishme dhe as menjëherë shpërblyese, por është thelbësore. Është gjithashtu pikërisht lloji i ndarjes së barrës që Uashingtoni duhet ta kërkojë nga një aleat serioz.
Në veçanti është absurd pretendimi se Arabia Saudite po eksporton sërish islam radikal apo se për strategji po bashkëpunon me lëvizje islamiste. Mbretëria ka kaluar dekadën e fundit duke shpërbërë ato rrjete brenda vendit, duke reformuar institucionet fetare dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ShBA-në në fushën e antiterrorizmit. Mbështetja për qeveritë e njohura kundër milicive nuk e bën Riadin aleat të islamistëve. E bën atë mbrojtës të rendit bazik shtetëror.
Amerikës nuk i duhen aleatë që ndjekin kaosin për hir të kaosit. I duhen aleatë që kuptojnë se stabiliteti, sado i papërsosur, është më i mirë se kaosi, dhe se reformat janë të mundshme vetëm aty ku ekziston ende shteti. Arabia Saudite është aleat i tillë.
Mosmarrëveshjet taktike me disa nga aleatët e tjerë të Amerikës në rajon nuk duhet të keqinterpretohen si një largim strategjik nga vetë ShBA-ja. Një supozim i tillë rrezikon të minojë vetë partnerët që po përpiqen të parandalojnë gjeneratën tjetër të shteteve të dështuara dhe kërcënimeve të reja. Kjo nuk do t’u shërbente interesave amerikane. Do t’i tradhtonte ato. /Telegrafi/
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk do të lejojnë që hapësira e tyre ajrore, territori ose ujërat territoriale të përdoren për ndonjë veprim ushtarak armiqësor kundër Iranit, tha të hënën ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke riafirmuar angazhimin e saj për neutralitet dhe stabilitet rajonal.
Pasiguria mbi mundësinë e veprimeve ushtarake në Iran ka mbetur pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha javën e kaluar se një "armatë" po shkonte drejt vendit, por se shpresonte se nuk do të duhej ta përdorte atë.
Paralajmërimet e Trump ndaj Teheranit ishin kundër vrasjes së protestuesve ose rinisjes së programit të tij bërthamor, transmeton Telegrafi.
Irani është përfshirë në protesta të cilat, sipas grupeve të të drejtave të njeriut, lanë mijëra njerëz të vrarë, përfshirë kalimtarë.
Grupet e të drejtave të njeriut i përshkruajnë trazirat si shtypjen më të madhe që kur klerikët myslimanë shiitë morën pushtetin në revolucionin e vitit 1979. /Telegrafi/
Përvetësimi i inteligjencës artificiale ka qenë në rritje në nivel global, por të dhënat e reja tregojnë se disa vende e tejkalojnë ndjeshëm të tjerat, ndërsa hendeku midis vendeve të përparuara dhe atyre në zhvillim po zgjerohet.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singapori dallohen dukshëm, me mbi 60 për qind të popullsisë që përdor ndonjë mjet të inteligjencës artificiale gjeneruese gjatë vitit të kaluar, sipas një raporti të kohëve të fundit nga Microsoft, i cili vlerëson përhapjen e inteligjencës artificiale në të gjithë botën.
Të dy vendet po ashtu po rrisin numrin e qendrave të të dhënave, pavarësisht temperaturave të larta që e bëjnë funksionimin e tyre më sfidues, raporton theeconomist.
Në kontrast, në Amerikën Jugore dhe Qendrore, 14 nga 24 vendet kanë norma adoptimi nën 20 për qind, përfshirë Meksikën, Venezuelën dhe Brazilin.
Sipas raportit, pjesa më e madhe e përdorimit të inteligjencës artificiale në rajon vjen nga agjencitë qeveritare, ndërsa kompanitë private mbeten pas për shkak të kostove të larta dhe mungesës së aftësive teknike.
Ndërsa Koreja e Jugut renditet e 18-ta për përdorimin e inteligjencës artificiale, ajo regjistroi rritjen më të madhe vitin e kaluar, kryesisht falë përdorimit në rritje në vendin e punës.
Shkalla e përhapjes në vend u rrit nga gati 26 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025 në 30 për qind deri në fund të vitit. I inkurajuar nga ky ritëm i shpejtë, OpenAI hapi një zyrë në Seul në shtator.
Deri në fund të vitit 2025, ChatGPT u bë aplikacioni më i popullarizuar për telefonat inteligjentë në vend.
Vende të tjera në rajon, si India, Filipinet dhe Malajzia, panë rritje të lehta në përdorimin e inteligjencës artificiale, me mjete si ChatGPT dhe Gemini ndër më të përdorurat.
Megjithatë, përvetësimi i përgjithshëm i inteligjencës artificiale në vendet aziatike dhe afrikane mbetet ende pas homologëve të tyre në Perëndim.
Pavarësisht dominimit të ChatGPT, DeepSeek ka arritur të përfitojë nga tregjet ku mjetet e bazuara në SHBA mund të jenë të kufizuara.
Ai ka siguruar një pjesë të konsiderueshme të tregut në vende të ndryshme, përfshirë tregun e saj vendas në Kinë (89 për qind), si dhe Bjellorusinë (56 për qind), Rusinë (43 për qind), Kubën (49 për qind) dhe disa vende afrikane, ku përvetësimi i përgjithshëm i inteligjencës artificiale mbetet ende i ulët. /Telegrafi/
TIRANË, 15 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Presidenti Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, në kuadër të “Javës së Qëndrueshmërisë 2026”.
Në rrjetet sociale, Rama publikoi foto nga kjo vizitë e cila nisi me pritjen në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit ku u nderua me medaljen “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara.
Ky nderim i jashtëzakonshëm vjen si shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe e vlerësimit për rolin dhe angazhimin e Kryeministrit Rama në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.
Rama e cilësoi këtë vizitë si “një mikpritje e paharrueshme në Emiratet e Bashkuara” duke theksuar se vendosën piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës.
Në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Qëndrueshmërisë 2026, Kreu i Ekzekutivit ishte pjesë e panelit “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”.
Gjatë diskutimit, Rama vuri theksin tek investimet e mëdha të dekadës së fundit në energjinë diellore dhe të erës, me synimin që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik dhe të mos ketë më nevojë për importe.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, duke e cilësuar këtë partneritet si një model vizionar që synon, jo vetëm sigurinë energjetike të rajonit, por edhe eksportin e energjisë së gjelbër drejt Bashkimit Europian përmes projekteve të mëdha ndërlidhëse. A
i vlerësoi rolin dhe vizionin e lidershipit të Emirateve, si dhe kontributin e Dr. Sultan Al Jaber në nxitjen e projekteve ambicioze të tranzicionit energjetik. “Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të kemi një bashkëpunim trepalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Doktor Sulltani, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër” u shpreh Kryeministri Rama.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë foli edhe për përdorimin e teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale në Shqipëri, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike ofrohen tashmë online.
Kryeministri konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për tranzicionin e gjelbër, inovacionin teknologjik dhe forcimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian. /a.g/
Irani ka paralajmëruar vendet fqinje se do të synojë bazat amerikane në shenjë hakmarrjeje për çdo sulm nga Uashingtoni.
Agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar të lartë që ka thënë se “Teherani u ka bërë të ditur vendeve të rajonit, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri te Turqia, se bazat amerikane në këto vende do të sulmohen nëse SHBA sulmon Iranin… duke u kërkuar këtyre vendeve të parandalojnë Uashingtonin që të sulmojë Iranin”.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka inkurajuar protestuesit iranian që të vazhdojnë protestat dhe të marrin nën kontroll institucionet e vendit, duke thënë se “ndihma është në rrugë” dhe se ata duhet të “ruajnë emrat e vrasësve dhe abuzuesve, sepse do të paguajnë një çmim të madh”.
Ai ka paralajmëruar se SHBA-ja do të merrte “veprime shumë të forta” nëse autoritetet iraniane vendosin të ekzekutojnë protestues, përfshirë kërcënimin me masa të paparashikuara nëse varja e tyre realizohet, raporton skynews.
Gjithashtu lideri amerikan ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarë iranianë deri sa të ndalet vrasja e protestuesve, duke nënkuptuar ndëshkim për Teheranin nëse dhuna ndaj civilëve vazhdon.
Ndryshe, iranianët po protestojnë tash e disa javë shkaku i problemeve ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/
TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili organizohet nën kujdesin e veçantë të presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Kreu i qeverisë ndau pamjet në rrjetet sociale nga pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed”, të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.
Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ndërkaq, kryeministrit Edi Rama iu akordua medalja “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan. Rama theksoi se ky është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar.
Kreu i Ekzekutivit ishte i pranishëm në këtë event me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.
TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu Dhabi Sustainability Week 2026” (ADSW).
“Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë është shoqëruar edhe nga disa ministra e kryetarë bashkish.
Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.
Nga: Daniel R. DePetris / Newsweek Përkthimi: Telegrafi.com
Lindja e Mesme ka mjaft probleme edhe ashtu siç është.
Lufta në Gazë mund të jetë pezulluar përkohësisht, por përpjekja e administratës Trump për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar për çarmatosjen e Hamasit, do të thotë se plani i paqes me 20 pika i presidentit Trump është, në rastin më të mirë, i brishtë. Programet bërthamore dhe të raketave të Iranit pësuan goditje pas luftës 12-ditore në qershor, megjithatë, përpjekjet e Teheranit për të rindërtuar kapacitetin e tij ushtarak kanë shtyrë Trumpin të kërcënojë me një tjetër sulm. Ndërkohë, Siria mbetet në një periudhë të vështirë tranzicioni, në të cilën qeveria e re e udhëhequr nga ish-komandanti i Al-Kaedës, Ahmed al-Sharaa, po përpiqet të konsolidojë autoritetin e vet.
Tashmë mund t’ia shtojmë kësaj përzierje edhe një krizë në Gjirin Persik, një krizë që mund të komplikojë më tej agjendën më të gjerë diplomatike të administratës Trump në rajon. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dy nga partnerët më të afërt të Uashingtonit në Lindjen e Mesme, janë tashmë në përplasje të hapur mes tyre në Jemen, një vend vazhdimisht i trazuar i cili në dekadën e fundit ka qenë në gjendje të luftës civile.
Arabia Saudite dhe Emiratet zakonisht përshkruhen si partnerë strategjikë, në mos aleatë.
Kjo nuk është krejtësisht e pasaktë; dy fuqitë e Gjirit bashkëpunojnë në një sërë çështjesh të sigurisë. Të dyja vendet duan që qeveria e re e Sirisë të ketë sukses dhe ishin të shpejta në ofrimin e mbështetjes politike dhe ekonomike për Sharaan - pasi forcat e tij përmbysën regjimin e Assadit. Të dyja janë historikisht dyshuese ndaj qëllimeve të Iranit. Si sauditët ashtu edhe emiratasit janë të lumtura që trupat amerikane ndodhen në tokat e tyre. Dhe, të dyja do të donin të shihnin shkatërrimin e Hezbollahut në Liban.
Megjithatë, interesat e dy vendeve nuk janë identike. Teksa ekonomitë dhe ndikimi i tyre gjeopolitik janë rritur, princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman [MBS], dhe presidenti i Emirateve, Mohammed Bin Zayed [MBZ], janë përpjekur ta shndërrojnë këtë kapital në fuqi. Për MBS-në, kjo lidhet me sigurimin e stabilitetit politik në rajon në mënyrë që mbretëria të ketë kohë të modernizojë ekonominë e saj. MBZ-ja, nga ana tjetër, duket se ka një perceptim tjetër për mënyrën si duhet ushtruar fuqia. Në Sudan, për shembull, Emiratet janë mbështetësi kryesor i huaj i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, një milici që ka ndihmuar në zhytjen e këtij vendi të madh afrikan në një nga luftërat më të këqija civile në botë. Sauditët, për dallim, janë në anën tjetër të këtij konflikti dhe janë përfshirë më shumë në zgjidhje diplomatike.
Megjithatë, Jemeni është vendi ku interesat saudite dhe emiratase përplasen më dhunshëm. Dikur, Riadi dhe Abu Dabi ishin organizatorët kryesorë të një koalicioni ushtarak që kishte për qëllim rrëzimin me forcë të Lëvizjes Huti të mbështetur nga Irani. Por, me kalimin e kohës dhe me ngërçin që u krijua në luftë, Emiratet vendosën të tërhiqeshin, hoqën shumicën e forcave të tyre nga vendi në vitin 2019 dhe që atëherë janë përqendruar në krijimin e përfaqësuesve të besueshëm në pjesën jugore të vendit. Sauditët gjithashtu janë tërhequr ushtarakisht, por ende e shohin stabilitetin e Jemenit si të pandashëm nga interesi i tyre.
Problemi është se qeveria e Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht, kalon po aq kohë duke luftuar veten sa edhe hutët. Këshilli Presidencial i Udhëheqjes, që supozohej të bashkonte elementët anti-Huti në një administratë të unifikuar, në realitet është një përzierje interesash konkurruese; sauditët kanë të preferuarit e tyre dhe emiratasit të vetët. Rastësisht, i preferuari i Emirateve, Këshilli Tranzitor Jugor (STC), është forca më e fuqishme në terren dhe ka humbur durimin me procesin normal. STC-ja, që ka për synim afatgjatë krijimin e një shteti të pavarur në Jugun e Jemenit, ka kaluar javën e fundit duke marrë territore, përfshirë zona pranë kufirit jugor të Arabisë Saudite.
Sauditët reaguan me shpejtësi. Të martën, më 30 dhjetor, Riadi ndërmori sulme ajrore kundër një autokolone që sipas tyre po furnizonte STC-në me armë nga Emiratet. Ministria e Jashtme Saudite gjithashtu publikoi një deklaratë ku praktikisht fajësonte Emiratet për destabilizimin e Jemenit. Më 2 janar, sulme të tjera ajrore saudite goditën pozicionet e STC-së dhe forcat jemenase, të mbështetura nga sauditët, nisën një operacion për rimarrjen e territorit. Emiratet janë përpjekur të ruajnë ekuilibrin mes shprehjes së kundërshtimeve, mbrojtjes së interesave të tyre dhe shpalljes së tërheqjes së të gjitha forcave të tyre. Nëse MBS-ja do t’i shohë këto shpallje si një mundësi për shpërshkallëzim, kjo mbetet për t’u parë.
Si do të ndikojë kjo përçarje në Gjirin Persik, në iniciativat e Trumpit në rajon? Në planin afatshkurtër, ndoshta nuk do të ketë ndonjë ndikim. Përplasja Saudite-Emiratase është e kufizuar kryesisht në Jemen, një vend të cilin administrata Trump e sheh me interes vetëm për aq kohë sa Lëvizja Huti vazhdojnë të sulmojnë cisternat civile në Detin e Kuq. Sulmet e hutëve janë zbehur kohët e fundit. Shtëpia e Bardhë ka gjasa të mos shpenzojë shumë kapital politik për Jemenin, pavarësisht luftimeve të fundit.
Megjithatë, nëse Riadi dhe Abu Dabi nuk arrijnë një kompromis për mënyrën se si duhet qeverisur Jemeni, si duhet strukturuar milicitë anti-Huti dhe çfarë marrëveshjesh sigurie duhet të zbatohen përgjatë kufirit të përshkueshëm të Jemenit, rivaliteti mund të përhapet edhe në fusha të tjera të politikës. Rindërtimi i Gazës mund të bëhet edhe më i ndërlikuar nëse sauditët dhe emiratasit fillojnë të punojnë në kahe të kundërta. E njëjta vlen për Sirinë, ku forcimi i shtetit të ri mund të bëhet i pamundur nëse MBS-ja dhe MBZ-ja fillojnë ta shohin Levantin si një arenë rivaliteti dhe jo bashkëpunimi.
Për Trumpin, asnjë nga këto nuk do të ishte në veçanti e dobishme. /Telegrafi/
Lëvizja separatiste e jugut të Jemenit ka njoftuar një kushtetutë dhe synon të mbajë një referendum për pavarësi nga veriu.
Nuk është menjëherë e qartë nëse masa e Këshillit Kalimtar Jugor (STC), e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), mund të zbatohet apo ishte kryesisht simbolike.
Por ky është një përshkallëzim i një konfrontimi që i ka vënë përballë njëra-tjetrës Arabinë Saudite , e cila mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit , dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se po tërhiqnin trupat e tyre nga Jemeni menjëherë pas deklaratës së separatistëve.
Muajin e kaluar, luftëtarë të lidhur me STC-në morën kontrollin e dy provincave jugore nga forcat e mbështetura nga Arabia Saudite dhe morën pallatin presidencial në qytetin kryesor të jugut, Aden, duke e detyruar qeverinë atje të ikte në kryeqytetin saudit, Riad.
Të premten, aeroplanët luftarakë sauditë bombarduan kampet dhe pozicionet ushtarake të mbajtura nga STC në provincën Hadramout, ndërsa luftëtarët e mbështetur nga Arabia Saudite u përpoqën të pushtonin objektet.
Ishte ndërhyrja e fundit nga Arabia Saudite, e cila në javët e fundit ka bombarduar forcat e STC-së dhe ka goditur atë që e quajti një dërgesë me armë emirate të destinuara për separatistët.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe aleatët e tyre në Jemen kanë qenë të gjithë pjesë e një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani që kontrollojnë veriun.
Lufta civile dhjetëvjeçare ka shkatërruar vendin më të varfër të botës arabe.
Qëllimi i koalicionit është të rivendosë qeverinë e njohur ndërkombëtarisht, e cila u dëbua nga veriu nga rebelët Houthi.
Por tensionet midis fraksioneve dhe dy vendeve të Gjirit duket se po e shpërbëjnë koalicionin.
Kreu i STC-së, Aidarous al Zoubeidi, lëshoi një deklaratë video duke thënë se kushtetuta do të jetë në fuqi për dy vjet, pas së cilës do të mbahet një referendum mbi "ushtrimin e të drejtës së vetëvendosjes për popullin e Jugut".
Gjatë këtyre dy viteve, tha ai, "palët përkatëse" në Jemenin verior dhe jugor duhet të zhvillojnë një dialog mbi "një rrugë dhe mekanizma që garantojnë të drejtën e popullit të Jugut".
Kushtetuta me 30 nene përshkruan krijimin e "Shtetit të Arabisë Jugore", që mbulon të njëjtin territor si ish-Republika Demokratike Popullore e Jemenit, shteti i pavarur jugor që ekzistonte nga viti 1967 deri në vitin 1990.
Nuk ishte e qartë se çfarë ndikimi praktik do të kishte.
Por deklarata mund të pengojë përpjekjet për të shmangur një konflikt të hapur midis separatistëve dhe pjesës tjetër të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha në një deklaratë se vendi po e trajtonte situatën "me përmbajtje, koordinim dhe një angazhim të qëllimshëm për uljen e tensioneve, të udhëhequr nga një politikë e jashtme që vazhdimisht i jep përparësi stabilitetit rajonal mbi veprimin impulsiv". /Telegrafi/
Arabia Saudite ka kërkuar që Emiratet të tërheqin trupat e tyre nga Jemeni dhe të ndalojnë mbështetjen ndaj separatistëve jugorë.
Forcat separatiste të lidhura me EBA morën shpejt nën kontroll zona të mëdha në jug të Jemenit në muajin dhjetor, përfshirë rajonin e pasur me naftë Hadhramaut.
Hadhramaut është jashtëzakonisht i ndjeshëm për Arabinë Saudite: kufizohet me mbretërinë dhe humbja e ndikimit aty dobëson kontrollin saudit.
Rijadi i sheh veprimet e EBA-së si kërcënim për sigurinë e saj dhe tashmë ka bombarduar pajisje ushtarake që raportohet se Abu Dabi i ka furnizuar separatistëve.
Emiratet duan të rivendosin një shtet të pavarur në jug - Jemeni Jugor - gjë që kërkon kontroll mbi naftën dhe portet kyçe tregtare.
Arabia Saudite, nga ana tjetër, synon të mbajë Jemenin të bashkuar.
Nëse tensionet nuk ulen, luftimet mund të shpërthejnë së shpejti jo vetëm midis fraksioneve lokale, por edhe midis fuqive rajonale që i mbështesin ato - Arabia Saudite dhe EBA.
Kjo do të ringjallë luftën në Lindjen e Mesme me forcë të re. /Telegrafi/
Kryeministria britanike [Downing Street] është tërësisht e preokupuar me stuhinë e brendshme të krijuar nga mikpritja e një nxitësi trazirash nga Lindja e Mesme [Alaa Abd el-Fattah], prandaj nuk ka asgjë për të thënë - e aq më pak për të kontribuar në qetësimin e krizës - teksa dy partnerët kryesorë të Britanisë në Gjirin Persik janë papritur në përplasje të hapur mes vete.
Vendimi i Arabisë Saudite për të bombarduar atë që ajo pretendoi se ishte një ngarkesë armësh për kryengritësit jemenas, dërguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nxori në pah tensionin e rrezikshëm mes shteteve kryesore sunite të pasura me naftë në Lindjen e Mesme.
Vetëm kohët e fundit, princat e kurorës që qeverisin Arabinë Saudite dhe Emiratet - Mohammed bin Salman [MBS] në Riad dhe Mohammed bin Zayed [MBZ] në Abu Dabi - dukeshin si vëllezër gjaku në aleancën kundër Lëvizjes Huti të mbështetur nga Irani në Jemen. Por, në fakt, ndërhyrja e tyre e përbashkët dhe e dështuar kundër hutëve në Jemen - e braktisur nga Emiratet në vitin 2019 - helmoj marrëdhëniet e tyre.
Emiratet nuk u tërhoqën plotësisht nga Jemeni, por konsoliduan praninë e tyre në jugun e vendit të përçarë nga fraksionet - aty ku ndodhet nafta. Dominimi i Jugut të pasur me energji dhe vijës bregdetare që ndjek rrugën drejt Kanalit të Suezit dhe një kufi të gjatë me Arabinë Saudite, ia japin Emirateve mundësinë për kërcënim të mundshëm të drejtpërdrejtë të territorit saudit nga Jugu.
Dikur gjithçka ishte ndryshe, kur MBS-ja dukej sikur donte ta kthente Arabinë Saudite në një version gjigant të Emirateve. Sauditët ishin gati të ndiqnin modelin e tyre për të inkurajuar të huajt nga vendet jomyslimane, si Britania, që të sillnin aftësitë e tyre të biznesit dhe paratë për të investuar në Dubai, ndërkohë që linin pas politikën e tyre demokratike perëndimore. Tani, qendra multi-miliardë dollarëshe turistike e planifikuar nga MBS-ja në Neom, në Detin e Kuq, mund të jetë objektiv në një luftë të armatosur. Hutët ngacmues kanë pretenduar se Emiratet u ofruan atyre miliona dollarë që të ndalnin sulmet e tyre me dronë mbi anijet në Detin e Kuq, që shkojnë drejt Kanalit të Suezit dhe portit izraelit në Eilat, dhe në vend të tyre të godisnin punimet ndërtimore në Neom!
Emiratet janë të vogla krahasuar me Arabinë Saudite, por pasuria e tyre për frymë është shumë më e madhe. Emiratet kanë një popullsi të bindur, të mbajtur nën kontroll nga suksesi ekonomik dhe nga një polici vigjilente. Ushtria e tyre, e përbërë nga shumë mercenarë, ka performuar më mirë në ndërhyrjet rajonale sesa forcat e Mbretërisë.
Popullsia shumë më e madhe e Arabisë Saudite ka përjetuar rënie të standardeve të jetesës, pasi çmimet e energjisë nuk kanë ndjekur ritmin e rritjes demografike. Ndërsa MBZ-ja ka para për të financuar aventurat e tij gjeopolitike në një brez territori që shkon nga Jugu i Jemenit përtej Detit të Kuq e thellë në shtete të shkatërruara nga lufta, si Sudani dhe Libia, Arabia Saudite e MBS-së ka deficit buxhetor dhe po përpiqet të tërheqë investime në bregdetin e saj të Detit të Kuq. Sauditët kanë nevojë për qetësi te fqinjët si Sudani, që të mos trembin turistët dhe investitorët e mundshëm.
Kaosi nga Sudani në Libi dhe Mali ka lënë vakume të mbushura me ar dhe gurë të çmuar të eksportuar nën sytë vigjilentë të mercenarëve emiratas për të furnizuar bursat e Dubait. E njëjta rrëmujë e ndjek MBS-në dhe planet e tij për një Arabi të re Saudite.
Shkaqet klasike të konflikteve në Lindjen e Mesme, si qëndrimet ndaj Izraelit, janë aspekt i vogël i kësaj krize të re. Po, Emiratet kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe sauditët kanë marrë nën mbrojtje çështjen e shtetësisë palestineze, por antagonizmi mes princave të kurorës bazohet në pretendimet e klaneve rivale për epërsi në Arabinë.
Por, një konflikt lokal midis dy shteteve që qëndrojnë në zemër të furnizimit botëror me energji dhe shtrihen mbi rrugë kryesore tregtare, nuk do të mbetet lokal për shumë kohë.
Për fat të keq, roli historik i Britanisë në rajon tani ndodhet në duart e princit të kurorës të vet Laburistëve të Ri - ministrit të Jashtëm për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer, djali i Charlie Falconerit, këshilltarit veteran të Tony Blairit dhe ish-Lord Kancelarit - kështu që kush beson se Sir Keir Starmer do t’i kushtojë kësaj krize vëmendjen që e shpërdoroi për një delinkuent egjiptian [Alaa Abd el-Fattah]? Të paktën brezat e mëparshëm të arabistëve të përçmuar të Qeverisë [Whitehall] do të kishin ditur se ku qëndronin prioritetet e vërteta të Britanisë.
Amerika ka ende rëndësi, por Donald Trumpit është joshur nga të gjithë despotët e Gjirit dhe mund ta ketë të vështirë të ndërmjetësojë pa armiqësuar njërin ose të gjithë.
Irani do të gëzohet duke parë fqinjët e tij sunitë që përplasen mes vete. Nëse ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë marrin anë - duke supozuar se marrin të njëjtën anë (që nuk është e garantuar për Francën e Macronit) - edhe Rusia do të jetë e lumtur të mbështesë cilëndo monarki të Gjirit që përjashtohet nga Uashingtoni dhe të tjerët.
Kina është e shqetësuar për paqen në rajon, ku ka interesa të mëdha tregtare dhe i nevojitet për rrugë të sigurta tregtare drejt Evropës për eksportet e saj dhe për të kthyer energjinë në Kinë. Pekini ka arsyet e veta për të hedhur “vaj mbi ujërat e trazuara” në Gjirin Persik. Por, siç paralajmëroi dikur ministri i Jashtëm veteran i Mao Zedongut, Zhou Enlai, “Ujërat e largëta nuk shuajnë zjarret lokale”.
Viti 2025 ka qenë një vit krizash dramatike të politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Fatkeqësisht, viti 2026 duket se do të nisë me ngatërrimin më të keq deri tani. Një konflikt saudo-emirat që përhapet në rajon dhe thellohet në Afrikë do të godasë rëndë ekonominë botërore - pa marrë parasysh se kush do të triumfojë. /Telegrafi/