Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Maqedonia renditet e treta në Evropë për numrin e vrasjeve të grave nga partnerët e tyre

22 December 2025 at 10:37


Maqedonia e ka gjetur veten lart në listën e zezë evropiane kur bëhet fjalë për femicidin, vrasjen e grave nga partnerët e tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas të dhënave të vitit 2023 nga Eurostat, shërbimi statistikor i Komisionit Evropian, vendi renditet i treti në Evropë për sa i përket shkallës së vrasjeve të tilla, pas Letonisë dhe Lituanisë.

Shkalla më e lartë u regjistrua në Letoni, ku 17 gra për milion banorë u vranë në vitin 2023.

Në Lituani, shifra ishte 10 gra për milion banorë. Në Maqedoni, gjatë së njëjtës periudhë, u raportuan gjashtë vrasje për një milion banorë.

Pas Maqedonisë pason Bosnja dhe Hercegovina me pesë vrasje për një milion banorë, ndjekur nga Austria, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina me nga katër secila.

Në anën tjetër të listës është Malta, ku nuk u regjistrua asnjë rast femicide në vitin 2023, ndërsa Greqia dhe Mali i Zi kanë nga një rast për një milion banorë secila.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se brenda Bashkimit Evropian, mesatarisht, katër gra për një milion banorë vriten nga partnerët e tyre, ndërsa shkalla për burrat është dukshëm më e ulët, 2.2 burra për një milion banorë./Telegrafi/

Të rinjtë kanë ikur; 70% e emigrantëve shqiptarë në Europë, nën 45 vjeç

22 December 2025 at 00:03

Mosha e 2,2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është mjaft e re sipas të dhënave nga Ces Hub i Bashkimit Europian.

Lexo edhe: Rritja e frikshme e emigracionit, 2,2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit

Shumica e vendeve të BE zhvilloi censet e popullsisë më 2021, nga të cilat u evidentua popullata e emigrantëve sipas vendeve të origjinës dhe mosha e saj.

Në total 70% e shqiptarëve që jetojnë në BE janë deri në 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç), me grup-moshën 30–49 vjeç që dominon fort, me 40.7% të totalit.

Kjo peshë është pothuajse identike si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni nuk është më një fenomen i kufizuar kryesisht te meshkujt, por ka marrë një karakter familjar dhe më të balancuar gjinor.

Sakaq, struktura e popullsisë rezidente në Shqipëri është dukshëm më e plakur. Brenda vendit, pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa grup-moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur.

Përkundrazi në emigracion, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa moshat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme (0.3%), çka tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht një emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.

Edhe grup-mosha nën 15 vjeç ka një peshë të konsiderueshme në diasporë me 19%, çka tregon praninë e familjeve emigrante dhe një proces më të qëndrueshëm vendosjeje jashtë vendit. Ndërsa në Shqipëri rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.

Në terma ekonomikë dhe demografikë, grafiku konfirmon se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të vjetër.

Ndërsa jashtë vendit shqiptarët janë kryesisht në moshat që kontribuojnë në rritje ekonomike, brenda vendit barra mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financave publike është në rritje.

Sipas të dhënave të fundit nga Cens Hub emigrimi në dekadën e fundit shënonte 56 % meshkuj në Gjermani, 53 % në Greqi dhe 51 % meshkuj në Itali. Shtetas shqiptarë që jetojnë në Evropë figurojnë të jenë të një moshe të re, edhe në raport me strukturën e popullssisë së vendeve pritëse.

Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ai është i dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, me largimin e një mase të madhe banorësh nga trevat shqiptare.

Akoma vazhdon të mbetet veprues dhe të japë impaktet e tij domethënëse, si në aspektet demografike, po ashtu edhe në ato sociale dhe ekonomike të vendit. / B.Hoxha

 

 

The post Të rinjtë kanë ikur; 70% e emigrantëve shqiptarë në Europë, nën 45 vjeç appeared first on Revista Monitor.

Before yesterdayMain stream

Rritja e frikshme e emigracionit, 2,2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit

19 December 2025 at 13:33

Diaspora shqiptare vijon të zgjerohet dhe të mbetet një nga fenomenet më të rëndësishme demografike dhe ekonomike të vendit.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2025 numri i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë llogaritet në rreth 2.25 milionë persona, ose afro 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej jetojnë jashtë sipas Botimit Diaspora në Shifra.

INSTAT thekson se, për shkak të mungesës së regjistrimeve të rregullta administrative për largimet nga vendi, diaspora nuk mund të përllogaritet me saktësi absolute. Për këtë arsye përdoren metoda të tërthorta, duke krahasuar të dhënat e regjistrit civil me popullsinë banuese në vend.

Ky vlerësim tregon se diaspora shqiptare ka një profil relativisht të ri dhe ekonomikisht aktiv, me rreth 77% të saj në grup-moshën 15–64 vjeç, ndërsa vetëm rreth 5% janë mbi 65 vjeç, çka e bën atë një burim të rëndësishëm potencial për tregjet e punës në vendet pritëse.

Historikisht, migrimi i shqiptarëve ka qenë i vazhdueshëm dhe i larmishëm, duke nisur që nga shekujt XV–XVI e deri te valët masive pas viteve ’90. Botimi dallon mes “diasporës së vjetër”, të formuar kryesisht para vitit 1944 dhe gjatë periudhës 1945–1990, dhe “diasporës së re”, e cila lidhet me migrimin masiv pas rënies së komunizmit. Në këtë fazë të fundit, destinacionet kryesore kanë qenë Greqia, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca.

Të dhënat nga censet ndërkombëtare tregojnë se rreth 1.1 milion persona të lindur në Shqipëri jetojnë sot në 31 vende të Evropës, ndërsa rreth 939 mijë shtetas shqiptarë figurojnë si rezidentë në këto vende. Italia dhe Greqia mbeten dy destinacionet kryesore historike dhe aktuale, të ndjekura nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Paralelisht, në vitet e fundit është rritur edhe numri i shqiptarëve që fitojnë shtetësinë e vendeve pritëse, veçanërisht në Itali, Greqi, Gjermani dhe Suedi, duke reflektuar një integrim më të qëndrueshëm afatgjatë.

Një kapitull i veçantë i botimit i kushtohet diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetojnë mbi 206 mijë persona me origjinë shqiptare, të ndarë mes gjeneratës së parë të emigrantëve dhe gjeneratës së dytë të lindur në SHBA. Ky komunitet paraqitet me norma të larta punësimi dhe me një strukturë arsimore të diversifikuar, duke përforcuar rolin e diasporës si faktor ekonomik dhe social me peshë.

INSTAT thekson se publikimi synon të shërbejë si instrument informues për politikëbërësit dhe institucionet, në funksion të hartimit të politikave më të mira për diasporën dhe forcimit të lidhjeve të saj me vendin e origjinës, në një kontekst ku migrimi mbetet një nga sfidat strukturore më të mëdha për Shqipërinë.

 

 

The post Rritja e frikshme e emigracionit, 2,2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit appeared first on Revista Monitor.

Shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh i huaj në Itali, me 557 mijë persona

19 December 2025 at 00:02

Shqiptarët renditen të dytët pas rumunëve për numrin më të lartë të komuniteteve të huaja që jetojnë në shtetin fqinj, Itali.

Janë 557 mijë persona të lindur fizikisht në Shqipëri, pavarësisht se çfarë shtetësie kanë, që janë të regjistruar në Itali, për vitin 2024. Në krahasim me një vit më parë, numri i shtetasve të lindur në Shqipëri që jetojnë në Itali është rritur me rreth 20 mijë persona.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Eurostat në publikimin për emigracionin. Të lindur në Shqipëri përbëjnë 8.3% të komunitetit të huaj në Itali.

Në vend të parë janë të lindurit në Rumani, që janë rreth 900 mijë persona, ose 13.5% e totalit.

Një pjesë e shtetasve shqiptarë të lindur në Shqipëri janë bërë tashmë shtetas italianë. E dhëna tjetër e Eurostat për personat me shtetësi shqiptare është 419 mijë, që tregon, persona të lindur në Shqipëri që nuk e kanë ndryshuar shtetësinë, Persona të lindur jashtë Shqipërisë, por me shtetësi shqiptare, Emigrantë që jetojnë jashtë dhe nuk janë natyralizuar në vendin pritës. Diferenca mes tyre është rreth 141 mijë.

Italia është shteti i vetëm që sipas Eurostat rezulton që ka shtetas shqiptarë në tabelën e Eurostat ku jepen 5 shtetet kryesore sipas shtetësisë dhe vendit të lindjes së popullsisë së huaj / të lindur jashtë vendit. Ndërkohë mungojnë të dhënat për Greqinë, ku gjithashtu ka një komunitet të lartë të shqiptarëve. Nuk ka të dhëna as për Gjermaninë, Francën e Spanjën.

Nga shtetet e tjera ku ka të dhëna, në Belgjikë ka 15.6 mijë shtetas të lindur në Shqipëri, në Suedi rreth 10.4 mijë, në Austri rreth 7 mijë, në Holandë rreth 4 mijë, në Turqi rreth 3.5 mijë.

Në Slloveni, Kosova rezulton komuniteti i katërt më i madh i të huajve, me rreth 30 mijë shtetas që kanë lindur në Kosovë.

Emigrantët në Europë

Sipas Eurostat, më 1 janar 2024, 44.7 milionë persona të lindur jashtë Bashkimit Europian jetonin në një nga vendet e BE-së, duke përfaqësuar 9.9% të popullsisë së BE-së. Ky numër është 2.3 milionë më i lartë krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, 17.9 milionë persona që jetonin në një nga vendet e BE-së ishin të lindur në një vend tjetër të Bashkimit Europian, shifër që përfaqëson një rritje prej 0.2 milionë personash krahasuar me vitin e kaluar.

Në terma absolutë, numri më i lartë i individëve të lindur jashtë vendit u regjistrua në Gjermani (16.9 milionë), Francë (9.3 milionë), Spanjë (8.8 milionë) dhe Itali (6.7 milionë). Së bashku, këto katër vende përqendronin 66.6% të të gjithë popullsisë së lindur jashtë vendit që jeton në BE, ndërkohë që ato përbëjnë 57.8% të popullsisë totale të Bashkimit Europian.

Pesha relative më e lartë e popullsisë së lindur jashtë vendit ndaj popullsisë totale u regjistrua në Luksemburg, ku ajo përbënte 51.0% të popullsisë rezidente, e ndjekur nga Malta (30.8%), Qipro (26.9%), Irlanda (22.6%), Austria (22.1%), Suedia (20.6%) dhe Gjermania (20.2%).

Në të kundërt, më pak se 5% e popullsisë ishte e lindur jashtë vendit në Poloni (2.6%), Rumani (3.1%), Bullgari (3.3%) dhe Sllovaki (3.9%).

The post Shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh i huaj në Itali, me 557 mijë persona appeared first on Revista Monitor.

11.2% e popullsisë ka aftësi në programim, por jemi të fundit në Rajon

16 December 2025 at 11:00

Anketa e fundit e INSTAT që kishte qëllim matjen e aftësive teknologjike në popullatë, gjeti se vetëm 11,2% e popullsisë zotëron aftësinë për të shkruar kode në një gjuhë programimi në vitin 2025, nga 8,7% që ishte në 2024-ën.

Në një vit popullsia me aftësi të avancuara në teknologji është rritur ndjeshëm, por  niveli mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë në Europën Qendrore dhe Lindore.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të Eurostat dhe vlerësimeve të projekteve rajonale të TIK, pjesëmarrja në programim zakonisht luhatet midis 15–20% për Serbinë dhe Malin e Zi, me Serbinë që njihet për ekosistemin më të zhvilluar të TIK në rajon. Maqedonia e Veriut renditet me rreth 14–16%, ndërsa Bosnja dhe Kosova me 12 dhe 14% të popullsisë me aftësi programimi, por sërish mbi Shqipërinë. Edhe në këtë fushë Shqipëria mbetet pas rajonit për aftësitë e programimit në nivel popullsie.

Aftësitë e avancuara të TIK në Shqipëri në një pjesë të vogël të popullsisë kufizojnë potencialin për të ushqyer sektorin e teknologjisë dhe ekonominë digjitale. Rritja me afro 30 pikë % brenda një viti (nga 8,7% në 11,2%) tregon se ka një dinamikë pozitive, por nuk është e mjaftueshme për të kapur ritmin e rajonit.

Të dhënat e tjera nga anketa tregojnë se aftësitë më bazike, si instalimi i programeve, përdorimi i Word, prezantimet apo transferimi i materialeve janë me të popullarizuara në mesin e popullsisë, duke treguar se rritja e aftësive digjitale po ndodh, por më ngadalë në nivelet që kërkojnë njohuri teknike më të thelluara.

Kjo situatë është reflektuar shpesh edhe në raportet europiane për konkurrues mërinë digjitale, ku Shqipëria renditet mirë në përdorim të përgjithshëm të teknologjisë, por dobët në përgatitjen e fuqisë punëtore për profesione të specializuara në sektorin TIK.

Në krahasim me vendet lindore të BE-së si Polonia, Hungaria apo Rumania,– hendeku është edhe më i thellë. Për shembull, pjesa e individëve që dinë programim në këto vende shkon nga 18% deri në 25%, të nxitur nga një treg pune më i zhvilluar, paga më konkurruese dhe një traditë më e gjatë në arsimin teknik.

Shqipëria ka bërë progres, por mbetet në pozicionin e fundit në rajon për sa i përket zotërimit të aftësive të programimit. Ekspertët e arsimit sugjerojnë ndërmarrjen e politikave më të forta për nxitjen e arsimit profesional, programeve të posaçme teknologjikë dhe zhvillimit të talenteve të reja, përndryshe tregu i punës do të vazhdojë të vuajë mungesën e profesionistëve të TIK-ut, ndërkohë që vendet e tjera të Ballkanit avancojnë më shpejt./ B.Hoxha

The post 11.2% e popullsisë ka aftësi në programim, por jemi të fundit në Rajon appeared first on Revista Monitor.

Emigrantët dhe ata që punojnë përkohësisht jashtë dërguan 2.1 miliardë euro në Shqipëri në 2024-n

15 December 2025 at 12:50

Rreth 2.1 miliardë euro janë dërguar në Shqipëri gjatë vitit 2024 nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Nga kjo shumë, rreth 1.4 miliardë euro kanë ardhur nga vendet e Bashkimit Europian, ndërsa afërsisht 670 milionë euro nga vende jashtë BE-së.

Në krahasim me 2023-n, shuma totale e dërguar në Shqipëri është rritur ndjeshëm me 12%, ose 224 milionë euro më shumë, ndërsa në raport me 2022-n janë rreth 430 milionë euro më shumë.

Sipas Eurostat, këto flukse përfshijnë kryesisht dërgesat e emigrantëve drejt familjeve të tyre, (Transfertat personale janë kryesisht paratë që emigrantët dërgojnë te familjet e tyre, zakonisht pa kundërshpërblim) si dhe të ardhurat e punonjësve shqiptarë që punojnë përkohësisht jashtë vendit (Kompensimi i punonjësve përfshin paga dhe të ardhura që rezidentë të një vendi fitojnë duke punuar përkohësisht jashtë shtetit, p.sh. punë sezonale, përpara se të zbriten taksat dhe kontributet).

Në raport me madhësinë e ekonomisë, Shqipëria renditet e treta në Europë për peshën e këtyre transfertave ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rreth 5.1% të PBB-së, pas Bosnjë-Hercegovinës me 7.6% dhe Serbisë me 5.4%.

Të dhënat tregojnë se rritja e transfertave lidhet me valën e re të emigracionit të viteve të fundit. Sipas statistikave të Bashkimit Europian, vetëm gjatë viteve 2023–2024, shtetet e BE-së kanë dhënë rreth 150 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, ose mbi 70 mijë në vit, duke reflektuar një rritje të numrit të emigrantëve aktivë në tregun europian të punës dhe, rrjedhimisht, të dërgesave financiare drejt Shqipërisë. Vetëm për punë, gjatë 2022-2024 janë dhënë rreth 20 mijë leje qëndrimi në vit, nga vetëm 3-4 mijë lejë që jepeshin një dekadë më parë.

Rreth 20 mijë shqiptarë në vit morën leje pune në BE; Në tre vjet ikën 13% e të punësuarve në vend

OECD llogarit që mbi 40% e popullsisë shqiptare tashmë jeton jashtë vendit, duke qenë një burim i madh të ardhurash për të afërmit e tyre në Shqipëri.

Europa

Sipas njoftimit më të fundit të Eurostat, vendet e Bashkimit Europian kanë regjistruar edhe në vitin 2024 flukse të larta të transfertave personale dhe kompensimit të punonjësve, duke reflektuar lëvizjet e fuqisë punëtore brenda dhe jashtë BE-së. Në nivel të BE-së, totali i këtyre hyrjeve arriti rreth 155.6 miliardë euro, nga të cilat 87 miliardë euro erdhën nga vende brenda Unionit dhe 68.6 miliardë euro nga vende jashtë BE-së.

Të dhënat tregojnë se ekonomitë e mëdha mbeten përfitueset kryesore në vlerë absolute. Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja kryesojnë listën për nga shumat totale të transfertave dhe të ardhurave nga punonjësit, duke reflektuar rolin e tyre si destinacione kryesore për emigrantët dhe punëtorët ndërkufitarë.

Eurostat sqaron se treguesi përfshin kryesisht dërgesat e emigrantëve drejt familjeve të tyre, si dhe pagat e punonjësve që punojnë përkohësisht jashtë vendit të rezidencës, duke e bërë këtë statistikë një pasqyrë të rëndësishme të lëvizjes së punës dhe të lidhjeve ekonomike mes vendeve europiane dhe pjesës tjetër të botës.

 

The post Emigrantët dhe ata që punojnë përkohësisht jashtë dërguan 2.1 miliardë euro në Shqipëri në 2024-n appeared first on Revista Monitor.

Statistika / Të rinjtë, demografia

By: Mira Leka
15 December 2025 at 12:15

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 në të gjithë vendin kishte vetëm 405 mijë të rinj të moshës 15–29 vjeç, ose 45% më pak se në censin e vitit 2011.
Rënia e popullsisë së re në moshë më shumë sesa me lindjet më pak lidhet me emigracionin e lartë, që ka marrë përmasat e pandemisë në këtë grup-moshë. Numri i të rinjve ndërmjet dy censeve 2011–2023 ka rënë tre herë më shumë se popullsia e p...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Statistika / Të rinjtë, demografia appeared first on Revista Monitor.

Eurostat: Maqedonia ka ushqimin më të lirë në Evropë

15 December 2025 at 10:12


Ndërsa zviceranët paguajnë deri në 60 përqind më shumë se mesatarja evropiane për të njëjtën shportë ushqimore, çmimet në Maqedoni janë më të ulëtat në kontinent. Dallimet në çmimet e ushqimeve në të gjithë Evropën janë të mëdha, dhe të dhënat e fundit të Eurostat zbulojnë se ku blerjet janë më të përballueshme dhe ku do të ushtrojnë më shumë presion mbi buxhetet e familjeve, shkruan "Euronews".

Ushqimi përfaqëson një nga shpenzimet më të mëdha për familjet evropiane, me një mesatare prej 11.9% të konsumit total në Bashkimin Evropian, ndërsa në vende si Rumania kjo pjesë rritet në 20%. Krahasimi i çmimeve bazohet në indeksin e Eurostat, ku çmimi mesatar i shportës së ushqimit në BE është 100. Një vlerë mbi 100 tregon çmime më të larta se mesatarja, ndërsa një vlerë nën 100 tregon çmime më të përballueshme.

Sipas të dhënave të vitit 2024, Zvicra është deri tani vendi më i shtrenjtë me një indeks prej 161.1, që do të thotë se çmimet e ushqimeve janë 61.1% më të larta se mesatarja e BE-së.

Pas saj vijnë Islanda (146.3) dhe Norvegjia (130.6), vende që gjithashtu nuk janë anëtare të BE-së.

Brenda BE-së, banorët e Luksemburgut paguajnë me çmime deri 25.7% më të larta se mesatarja. Çmime të larta regjistrohen edhe në Danimarkë, Irlandë, Francë, Austri dhe Maltë.

Nga ana tjetër, ushqimi më i lirë në Evropë është në Maqedoni, me çmime 27% më të ulëta se mesatarja e BE-së.

Brenda BE-së, Rumania është në situatën më të favorshme, ku e njëjta shportë ushqimore është për 25.4% më e lirë. Çmimet e ulëta të ushqimeve janë karakteristikë e Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, kështu që Turqia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Bullgaria janë gjithashtu dukshëm nën mesataren./Telegrafi/

Shqipëria, me më shumë autobusë për frymë se BE-ja, por me flotë të vjetruar

12 December 2025 at 13:30

Shqipëria renditet mes vendeve me numrin më të lartë të autobusëve për frymë në Europë, por kjo nuk është shenjë e një transporti publik të zhvilluar.

Raporti i autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas arrin 3.8 mjete për 1 000 banorë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 1.6. Ky nivel i lartë lidhet kryesisht me mungesën e alternativave të tjera të transportit publik, pasi vendi nuk ka një rrjet funksional hekurudhor për pasagjerë dhe lëvizja ndërqytetase mbështetet pothuajse tërësisht te autobusi.

Megjithatë, kjo varësi e lartë nga transporti rrugor nuk përkthehet domosdoshmërisht në cilësi më të mirë shërbimi, pasi një pjesë e konsiderueshme e flotës është e vjetëruar dhe me standarde të ulëta mjedisore. Kur vjen puna te rinovimi i flotës, Shqipëria mbetet nën mesataren e Bashkimit Europian, duke e bërë modernizimin e autobusëve një nevojë të domosdoshme.

Sipas Eurostat nga 8 886 autobusë urbanë, autobusë ndërqytetas dhe elektrikë gjithsej në vitin 2024, vetëm 432 janë mjete të reja, që përfaqësojnë rreth 4.9% të flotës, nën mesataren e BE-së prej 5.1%.

Bashkimi Europian

Në vitin 2024, në Bashkimin Europian kishte 737 142 autobusë urbanë dhe autobusë ndërqytetas (përfshirë autobusët elektrikë, minibusë dhe autobusë të vegjël), ose 1.6 mjete për 1 000 banorë. Kjo shkallë motorizimi ka mbetur e qëndrueshme gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa numri i automjeteve për pasagjerë për 1 000 banorë është rritur ndjeshëm në të njëjtën periudhë, nga 506 në vitin 2014 në 578 në vitin 2024.

Numri më i lartë i autobusëve urbanë dhe ndërqytetas për 1 000 banorë u regjistrua në Maltë (4.6), e ndjekur nga Luksemburgu (4.0) dhe Estonia (3.7). Normat më të ulëta u shënuan në Holandë (0.5), Gjermani (1.0) dhe Austri (1.2).

Mesatarisht, 5.1% e flotës së autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas në BE u rinovua në vitin 2024. Norma e rinovimit përfaqëson raportin e mjeteve të regjistruara për herë të parë ndaj totalit të flotës, duke përjashtuar automjetet e përdorura.

Në Luksemburg, u rinovua 11.6% e flotës, 9.6% në Holandë dhe 9.5% në Austri. Në të kundërt, vetëm 0.7% e flotës u rinovua në Bullgari, 2.4% në Poloni dhe 2.5% në Hungari.

Përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së ajrit, veçanërisht në zonat urbane, kanë rritur peshën e autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas me emetime zero në regjistrimet e reja. Në nivel të Bashkimit Europian, në vitin 2024, kjo peshë ishte më e lartë se ajo e automjeteve të reja për pasagjerë (17.8% kundrejt 13.5%), duke përfaqësuar 6 746 autobusë me emetime zero të regjistruar për herë të parë.

The post Shqipëria, me më shumë autobusë për frymë se BE-ja, por me flotë të vjetruar appeared first on Revista Monitor.

Gjysma e qarqeve kanë të ardhura për frymë më pak se 50% e Tiranës

11 December 2025 at 00:01

Përqendrimi i aktivitetit ekonomik dhe i popullsisë në Tiranë po thellon pabarazinë ekonomike ndërmjet 11 qarqeve të tjera dhe kryeqytetit.

Të dhënat mbi ekonominë e Rajoneve të publikuara së fundmi nga INSTAT që i referohen vitit 2023, tregojnë se, gjysma e qarqeve rreth 5 prej tyre e kishin PBB-në për frymë më pak se gjysma e kryeqytetit.

Qarku me të ardhurat më të ulëta është Kukësi, me vetëm 40.2% të Tiranës, çka vë në dukje pabarazitë e mëdha territoriale në vend. Pas tij vijnë Dibra dhe Berati, me rreth 43–44% të nivelit të Tiranës, ndërsa Elbasani dhe Korça shfaqin një situatë pak më të mirë, por sërish nën 50% te të ardhurave për frymë të Tiranës.

Lezha dhe Shkodra gjithashtu kanë të ardhura për frymë që variojnë nga 50.7% deri në 56.4% të Tiranës, Gjirokastra ngjitet në 62.5%, duke hyrë në grupin e qarqeve me të ardhura më afër mesatares kombëtare.

Në vijim, Vlora, Fieri dhe Durrësi paraqiten si qarqet më të zhvilluara jashtë Tiranës, me nivel të të ardhurave që shkon nga 71% në mbi 79% të vlerës së kryeqytetit, për shkak të peshës së lartë të sektorëve të turizmit, industrisë dhe transportit në këto rajone.

Në vitin 2023, në rajonin e Veriut, ku bëjnë pjesë qarqet e Shkodrës, Durrësi, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës PBB për frymë është 819 mijë Lekë ose 16,80 % nën mesataren e vendit.

Në rajonin Qendër, ku bëjnë pjesë Tirana dhe Elbasani, PBB për frymë rezultoi 1,9 milionë lekë në 2023 ose 21,8 % mbi mesataren e vendit.

Në rajonin e Jugut të vendit, ku përfshihen qarku i Beratit, Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Korçës PBB për frymë ishte 845 mijë lekë në 2023 ose 14,12 % nën mesataren e vendit.

Niveli më i lartë i PBB-së për frymë në vitin 2023, u regjistrua në Qarkun Tiranë, me 1.3 milionë lekë, duke u vlerësuar 38,9 % mbi mesataren e vendit. Pas tij renditet Qarku Durrës me PBB për frymë 1.086 mijë Lekë, duke u vlerësuar 10,31 % mbi mesataren e vendit dhe Qarku Fier me 1.042 mijë Lekë, 5,82 % mbi mesataren e vendit.

Niveli më i ulët i PBB-së për frymë u vlerësua në Qarkun Kukës me rreth 549 mijë Lekë dhe PBB për frymë, e ndjekur nga qarku Dibër me rreth 595 mijë Lekë dhe PBB për frymë e këtij qarku dhe qarku Berat me 599 mije Lekë.

Në vitet në vijim hendeku i ekonomik me rajonet e tjera pritet të thellohet më tej, për shkak se PBB-ja e kryeqytetit po rritet me ritme më të shpejta./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

The post Gjysma e qarqeve kanë të ardhura për frymë më pak se 50% e Tiranës appeared first on Revista Monitor.

Të huajt shpenzuan 4.4 miliardë euro në Shqipëri, shqiptarët jashtë 2.1 miliardë euro

10 December 2025 at 17:13

Si shpenzimet e të huajve që vijnë për udhëtime në Shqipëri, ashtu dhe paratë që shqiptarët nxjerrin nga xhepi kur dalin jashtë vendit janë rritur ndjeshëm përgjatë 9 muajve të këtij viti.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se për periudhën janar-shtator, shpenzimet e të huajve në Shqipëri kanë arritur rekordin e 4.4 miliardë eurove, duke u rritur me 14.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Niveli më i lartë i shpenzimeve ishte në tremujorin e tretë të vitit, që përkon me kulmin e sezonit turistik. Për muajt e verës, të huajt që vijnë në Shqipëri për turizëm, apo qëllime të tjera shpenzuan një rekord prej 2.3 miliardë eurosh, me një rritje prej 21.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat e rritjes së ndjeshme të publikuara nga banka e Shqipërisë nuk janë në linjë me deklarimet e operatorëve turistikë, që thonë se turistët që vijnë në Shqipëri po shpenzojnë gjithnjë e më pak, apo me kompanitë e mëdha shpërndarëse dhe prodhuese që thanë se u mbeti malli stok për shkak se prodhuan shumë në pritje të konsumit të lartë nga turizmi, por u zhgënjyen.

Turistë koprracë, vijnë më shumë, por shpenzojnë më pak

Turizmi “zhgënjen” në konsum, kompanive u mbeten produktet stok

Edhe të dhënat e tjera të INSTAT treguan se për janar- shtator, në vend hynë 10.2 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 5.7%. Për periudhën korrik-shtator hynë 5.4 milionë shtetas të huaj, ose 6.2% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas të dhënave të kombinuara rezulton se shpenzimi mesatar për turist është rritur në 431 euro për 9 mujorin, nga 398 euro në janar-shtator 2024.

Edhe shqiptarët nuk kursehen jashtë, përmirësohet bilanci

Edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë kanë arritur një nvel rekord, në 2.1 miliardë euro, me një rritje prej gati 20% në krahasim me janar-shtator 2024.

Rritja e fortë e të hyrave nga të huajt ka bërë që bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe të shqiptarëee jashtë të përmirësohet, duke arritur në 2.1 miliardë euro për 9 mujorin 2025, që është praktikisht shuma neto që i mbetet vendit.

Burimi: Instat

Burimi: Instat

The post Të huajt shpenzuan 4.4 miliardë euro në Shqipëri, shqiptarët jashtë 2.1 miliardë euro appeared first on Revista Monitor.

Avokati i Popullit: 1614 ankesa për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë vitit 2024

10 December 2025 at 17:32

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Institucionet e pavarura vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.

INSTAT në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, publikoi të dhënat zyrtare të Avokatit të Popullit për vitin 2024, që tregojnë një rritje të ndërgjegjësimit dhe të raportimeve për shkelje të të drejtave, duke reflektuar sfidat me të cilat përballen qytetarët.

Sipas INSTAT, gjatë vitit të kaluar, pranë Avokatit të Popullit janë paraqitur 1.614 ankesa, nga të cilat: 1.005 ankesa nga burra (62,3%) 485 ankesa nga gra (30%) dhe 124 ankesa që përfshijnë shkelje për grupe të ndryshme interesi, nga të cilat përfitojnë të dyja gjinitë (7,7%).

Grupi me numrin më të lartë të ankesave lidhet me të drejtat e fëmijëve, me 444 ankesa, që përbëjnë 27.5% të totalit.

Më pas renditen e drejta e pronës, me 243 ankesa (15.1%) e drejta për një proces të rregullt ligjor, me 178 ankesa (11%).

Këto statistika nxjerrin në pah rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës së të drejtave të njeriut dhe forcimin e institucioneve që mbrojnë liritë dhe dinjitetin e qytetarëve.

Avokati i Popullit mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për identifikimin e shkeljeve dhe për përmirësimin e praktikave institucionale në funksion të respektimit të të drejtave themelore. e.xh/j.p/

The post Avokati i Popullit: 1614 ankesa për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë vitit 2024 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Statistika / Largimet nga puna, dëmshpërblimet

By: Mira Leka
8 December 2025 at 22:49

Viti 2025 llogaritet të mbyllet me shpenzime për dhënie dëmshpërblimesh për largime apo pushime të padrejta nga puna, me vlerë 284 milionë lekë.
Për tre vitet e ardhshme, periudhën 2026–2028, parashikohet të shpenzohen edhe 870 mln lekë apo rreth 9 mln euro të tjera për ekzekutimin e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë për të larguarit nga puna.
Kjo e çon totalin e fat...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Statistika / Largimet nga puna, dëmshpërblimet appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria në vendnumëro, punësimi dhe pagat reale pritet të bien deri në vitin 2030

5 December 2025 at 10:00

Punësimi dhe të ardhurat nga puna në vendin tonë do të jenë nën presion dhe me tendencë rënëse në vitet në vijim për shkak të zhvillimeve strukturore në ekonomi dhe popullsi, analizon Banka Botërore në një studim të fundit global mbi “Ndikimin e Klimës në Punësim”.

Sipas të dhënave në grafikun e mëposhtëm, punësimi në Shqipëri do të qëndrojë vendnumëro deri në vitin 2030 dhe të ardhurat nga puna do të bien me -0.1%.

Analiza tregon se ekonomia jonë nuk arrin të krijojë vende të reja pune mjaftueshëm për të përballuar presionet strukturore, si plakja e popullsisë, rritja e emigracionit dhe ngadalësimi i produktivitetit.

Projeksioni i Bankës tregon se edhe në mungesë të krizave të mëdha, tregu i punës në vendin tonë mbetet i brishtë dhe i ekspozuar ndaj reformave të papërfunduara, sidomos në arsim dhe në teknologji.

Ndikimi në të ardhurat nga puna është më i theksuar. Shqipëria regjistron rënie rreth -0.1% deri në vitin 2030, çka sinjalizon se pagat reale dhe të ardhurat nga puna pritet të mbeten të nënshtruara ndaj presioneve të produktivitetit të ulët dhe kërkesës së ngadalësuar për fuqi punëtore.

Ekonomitë si Shqipëria varen shumë nga sektorët me vlerë të shtuar të ulët dhe ku informaliteti është i lartë. Projeksionet e Bankës tregojnë se të ardhurat e familjeve mund të rriten më ngadalë sesa pritshmëritë ose edhe të pësojnë rënie, duke forcuar më tej presionet sociale dhe më pas të rrisin emigracionin.

Në krahasim me vendet e tjera me të njëjtat kushte zhvillimi, Shqipëria pozicionohet në segmentin e atyre që pritet të përjetojnë luhatje të lehta. Ndërsa në disa vende, si Armenia dhe Ekuadori, luhatjet janë shumë më të forta, Shqipëria mbetet më afër mesatares së grupit. Megjithatë, fakti që as punësimi dhe as të ardhurat nuk projektohen të rriten, sinjalizon se ekonomia nuk arrin të përfitojë nga reforma transformuese që mund të gjeneronin fitime të reja të produktivitetit.

Analiza e Bankës Botërore tregon se ekonomia e vendit tonë do të ecë me një ritëm të ngadaltë deri në vitin 2030, pa rënie dramatike, por pa dinamizmin e nevojshëm për të përmirësuar standardet e jetesës.

Si një vend me nivele të larta të emigracionit, Banka Botërore sugjeron reforma që të mund të rrisin produktivitetin e punës dhe kështu një shpërndarje më të drejtë të vlerës së shtuar në ekonomi. Të gjitha reformat, sipas Bankës, duhet të kenë kapitalin njerëzor në fokus./ B.Hoxha

The post Shqipëria në vendnumëro, punësimi dhe pagat reale pritet të bien deri në vitin 2030 appeared first on Revista Monitor.

Shqiptarët online, por jo për blerje: Të fundit në Europë për e-commerce dhe banking dixhital

2 December 2025 at 14:00

Pavarësisht se 83% e shqiptarëve janë përdorues të internetit çdo ditë, kur vjen puna për blerje apo kryerje të transaksioneve bankare, parapëlqejnë rrugët tradicionale.

Gjatë vitit 2024, sipas Eurostat, vetëm 16.3% e shqiptarëve (grupmosha 16-74 vjeçarë)  kanë porositur mallra ose shërbime në internet, të fundit në Europë. Ndërsa në Holandë, në rajonin qendror të Utrecht, regjistrohet përqindja më e lartë në BE, ku 91.5% e njerëzve porosisnin online produkte apo shërbime gjatë 2024.

Shqipëria renditet e fundit edhe sa i përket përdorimit të bankingut online, me vetëm 15.1% të popullsisë që përdori internetin për shërbime bankare në 2024, kundrejt mesatares së BE-së prej 67.2%.

Përdorues ditorë të internetit

Përdoruesit e internetit përkufizohen si persona të moshës 16 deri në 74 vjeç që përdorin internetin në shtëpi, në punë ose gjetkë, për qëllime private apo profesionale, pavarësisht pajisjes apo llojit të lidhjes që përdorin.

Në vitin 2024, pothuajse 9 nga çdo 10 persona të moshës 16–74 vjeç në BE përdorën internetin çdo ditë.

Në vitin 2024, 88.3% e njerëzve të moshës 16–74 vjeç në BE raportuan se përdornin internetin çdo ditë gjatë 3 muajve që paraprinë anketën e ICT*-së. Ky nivel ishte 2.4 pikë përqindjeje më i lartë se në vitin 2023 dhe 11.4 pikë më i lartë se në vitin 2019.

Porositja e mallrave ose shërbimeve në internet

Në vitin 2024, 60.2% e njerëzve të moshës 16 deri në 74 vjeç në BE raportuan se kishin porositur mallra ose shërbime në internet gjatë 3 muajve para anketës së ICT-së.

Përqindjet më të larta u regjistruan në rajone të Çekisë, Danimarkës, Irlandës, Francës (përjashtuar rajonet e largëta), Holandës, Sllovakisë, Finlandës dhe Suedisë.
Rajoni qendror  holandez i Utrecht kryeson me 91.5% përdorues që blenë online.

Në anën tjetër, blerjet online ishin nën mesataren e BE-së në të gjitha rajonet e Bullgarisë, Italisë, Lituanisë, Portugalisë, Rumanisë, Sllovenisë, si dhe në Kroaci dhe Letoni.

Shqipëria, me 16.3%, pozicionohet dukshëm poshtë edhe vendeve më të dobëta të BE-së.

 

Internet banking

Në vitet e fundit, sektori bankar i BE-së ka parë një rritje të ndjeshme të shërbimeve online. Konsumatorët tani vizitojnë degët lokale më rrallë ose fare, numri i degëve është tkurrur dhe transfertat online apo pagesat elektronike janë bërë normë. Bankingu në internet ul nevojën për degë fizike dhe kostot e lidhura me to. Për më tepër, ai shpesh ofron lehtësi më të madhe, duke mundësuar që transaksionet bankare dhe aktivitetet e tjera të kryhen në çdo kohë të ditës dhe nga pothuajse çdo vend.

Në vitin 2024, 67.2% e popullsisë së BE-së të moshës 16 deri në 74 vjeç përdori internetin për banking gjatë 3 muajve që paraprinë anketën e ICT-së.

Mbi 90.0% e njerëzve në çdo rajon të Danimarkës, Holandës dhe Finlandës përdorën bankingun online. Në Belgjikë, Çeki, Irlandë, Suedi dhe vendet baltike, shumica e rajoneve regjistruan gjithashtu përqindje relativisht të larta (të paktën 80.0%); e njëjta situatë u vërejt edhe në Qipro.

Në vitin 2024, përqindjet më të ulëta të njerëzve që përdornin bankingun online u regjistruan në Bullgari, Rumani dhe Italinë jugore.

Në këto zona ndikojnë disa faktorë: prania e lartë e zonave rurale, niveli i kufizuar i aftësive digjitale dhe një strukturë demografike më e moshuar që preferon pagesat me para në dorë.

Shqipëria, me vetëm 15.1%, renditet edhe më poshtë se këto rajone./ Eurostat

* ICT survey” është anketa mbi përdorimin e internetit, pajisjeve dixhitale dhe shërbimeve online te popullsia 16–74 vjeç

The post Shqiptarët online, por jo për blerje: Të fundit në Europë për e-commerce dhe banking dixhital appeared first on Revista Monitor.

Gjysma e emigrantëve të kthyer duan të ikin sërish

2 December 2025 at 00:03

Emigracioni dhe plakja e popullsisë janë nga plagët më të mëdha që po kalon shoqëria jonë dhe që kërkojnë një angazhim serioz për ta zbutur këtë fenomen.

Por anketat tregojnë se edhe ata që provojnë të kthehen nuk e gjejnë veten dhe duan të ikin sërish, pasi vështirësitë janë edhe më të mëdha se para largimit të parë.

Anketa e Bankës Qendrore të Austrisë në fund të vitit 2024 vuri në dukje se gjysma e atyre që ishin rikthyer në Shqipëri donin të largoheshin sërish. 30 për qind e tyre që morën pjesë në anketë kishin jetuar jashtë vendit më parë, por gjysma e tyre rreth 50% duan të largohen sërish, pasi po përjetojnë zhgënjim.

Shqipëria prej vitesh përballet me nivele të larta të emigrimit, por të rikthyerit lajmërojnë përkeqësim të fenomenit. Shumë prej tyre, pasi provojnë mundësinë për të rindërtuar jetën në vend, ndeshen me të njëjtat barriera që i detyruan të largohen radhën e parë.

Pagat e ulëta në njërën anë dhe në tjetrën rritja e kostove të jetesës, pasiguria institucionale dhe klima e dobët ekonomike për aftësitë që ata kanë fituar jashtë po ndikon në vendimet për riemigrim. Për shumë prej tyre, pritshmëritë e krijuara gjatë emigrimit nuk përputhen me realitetin e tregut vendas.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, mbi 40 për qind e popullsisë së vendit është në emigracion, një nga nivelet më të larta globalisht.

BERZH: Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë nga emigracioni, do ulë ekonominë me 0.4 pikë % në vit

Madje studimet vlerësojnë se një pjesë e emigrantëve të rikthyer kontribuojnë në bilancin e largimeve dyfish, pasi jo vetëm ikin vetë, por motivojnë anëtarë të familjes të largohen bashkë me ta.

Ri-largimet e larta faktojnë se politikat e ri-integrimit kanë dështuar. Ndërkohë që remitancat vazhdojnë të injektojnë para në ekonomi, ato nuk po strukturohen në mënyrë që të sjellin zhvillim afatgjatë apo investime të qëndrueshme.

Në mungesë të një klime biznesi të besueshme dhe mbështetjes reale për punësim cilësor, ata që kthehen shihen si “turistë të përkohshëm” në vendin e tyre, të gatshëm të ikin sapo kuptojnë se realiteti nuk premton stabilitet.

Në Ballkan, Bullgaria është një shembull pozitiv. Në vitet 2010 emigronin gati të gjithë studentët e një gjenerate të mjekësisë, ndërsa sot vendi po grumbullon studentë nga vendet e tjera që studiojnë mjekësi në programet e gjuhës angleze, të cilët më pas zgjedhin të qëndrojnë në Bullgari.

Por në Shqipëri arsimi është lënë në hije dhe pa lidhje me tregun e punës dhe në vend që të bëhet shkak për zhvillimin është bërë shkak për largimin nga vendi./ B.Hoxha

The post Gjysma e emigrantëve të kthyer duan të ikin sërish appeared first on Revista Monitor.

Martesat dhe divorcet, 2024

By: Mira Leka
1 December 2025 at 09:43

Familjet shqiptare po kalojnë një periudhë të fortë tranzitore nga fenomenet e migracionit, varfërisë, kostove të larta të jetesës që po ndikojnë në uljen e martesave dhe nga ana tjetër divorcet kanë tendencë rritëse.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se vitin e kaluar kishte 16,120 martesa me rënie -7.7% në krahasim me 2023, ndërsa divorcet ishin 4,100 ose  65 më pak se në 2023.
Edhe pse numri...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Martesat dhe divorcet, 2024 appeared first on Revista Monitor.

Vetëm 10% e fëmijëve nën moshën 3 vjeç janë në çerdhe publike, 18 bashki nuk kanë fare shërbim

28 November 2025 at 13:00

Shqipëria ka nevojë urgjente për forcimin e Edukimit dhe Kujdesit në Fëmijërinë e Hershme si një formë e mbështetjes së zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe pjesëmarrjes në tregun e punës.

Në dokumentin e fundit të rishikimit të financave publike në Shqipëri, i Bankës Botërore nënvizohet se pavarësisht rritjes së shpenzimeve publike për këtë zë, ato mbeten ende të ulëta në raport me standardet ndërkombëtare. Raporti vëren se Shqipëria po pëson rritje të kërkesës për këto shërbime pavarësisht tkurrjes demografike.

“Përshpejtimi i përpjekjeve për përmirësimin e financimit të qeverisjes vendore mund të përmirësojë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve të EKFH. Aksesi në shërbimet EKFH është i kufizuar dhe i pabarabartë: vetëm 10 për qind e fëmijëve nën moshën tre vjeç janë të regjistruar në çerdhe publike, ndërsa 18 bashki nuk ofrojnë fare shërbime të tilla. Variacionet në tarifat prindërore dhe mungesa e një kuadri të qartë rregullator për ofrimin privat të shërbimeve përkeqësojnë më tej pabarazitë në akses” thuhet në raport.

Sipas Bankës Botërore sfidat në bashkërendimin institucional midis ministrive dhe njësive të qeverisjes vendore fragmentizojnë ofrimin e shërbimeve, ndërsa boshllëqet në të dhëna pengojnë planifikimin dhe shënjestrimin efektiv.

Raporti vëren se megjithëse reformat për përmirësimin e formulave të transfertave dhe aplikimin e granteve të bazuara në performancë janë në proces, përshpejtimi i përpjekjeve për forcimin e menaxhimit financiar, praktikave të buxhetimit dhe mbikqyrjes së ofrimit të shërbimeve në nivel vendor është thelbësor për të arritur një efikasitet më të lartë fiskal.

Një tjetër element që sjell në vëmendje ky dokument është ai i rritjes së efikasitetit të financimit dhe përfshirja në një rol më të gjerë e partneritetit me privatët në këtë fushë.

“Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë si rritje të investimeve publike ashtu edhe një qasje më strategjike në alokimin e tyre. Rritja e efikasitetit të financimit – përmes granteve të mirë shënjestruara, sistemeve të përforcuara të menaxhimit financiar vendor dhe kornizave të qarta rregullatore – është thelbësore për maksimizimin e ndikimit të burimeve të kufizuara. Zgjerimi i partneriteteve me ofrues privatë, nxitja e kujdesit ndaj fëmijëve të mbështetur nga punëdhënësit dhe mobilizimi i fondeve ndërkombëtare mund të ndihmojnë gjithashtu në mbylljen e hendeqeve infrastrukturore” thuhet në dokument./ N.Maho

The post Vetëm 10% e fëmijëve nën moshën 3 vjeç janë në çerdhe publike, 18 bashki nuk kanë fare shërbim appeared first on Revista Monitor.

Aksidentet u ulën me 16.5 për qind në janar-tetor, grupmosha problematike 25-34 vjeç

27 November 2025 at 12:25

Aksidentet rrugore u ulën me 18.3 për qind gjatë muajit tetor ndërkohë që si 10 mujor kjo ulja ishte në nivelin 16.5 për qind.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave që janë ende paraprake tregojnë se vetëm në tetor 2025 janë regjistruar 116 aksidente rrugore, nga të cilët 164 persona janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur).

“Gjatë periudhës Janar – Tetor 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 16,5%, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në njoftimin e INSTAT.

Në shumicën e rasteve shkak për aksidentin duket se është sjellja që drejtuesit e mjeteve kanë në timon ndërkohë që jo në pak raste duket se shkak janë bërë edhe këmbësorët. Grupmosha që mban peshën më të madhe të aksidenteve të shkaktuara është ajo mes 24-35 vjeç.

“Në muajin Tetor 2025, aksidentet rrugore, në 81,0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është shkaktuar nga grup-mosha 25-34 vjeç, e cila përbën 25,9% të numrit total të aksidenteve

Në muajin Tetor 2025, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Premte me 19,8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Martë me 8,6%.

Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, në muajin Tetor 2025, ka ndodhur përgjatë harkut kohor 08:00 – 12:00, duke zënë 25,0% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej”, nënvizon INSTAT.

The post Aksidentet u ulën me 16.5 për qind në janar-tetor, grupmosha problematike 25-34 vjeç appeared first on Revista Monitor.

Punësim – Vendet e lira

By: Mira Leka
24 November 2025 at 12:23

Vitin e kaluar gati 80% e vendeve të lira të punës që u shpallën nga Agjencia Kombëtare të Punësimit (ent publik ndërmjetësimi) ishin për punë me arsim elementar.
Sipas të dhënave zyrtare gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 u shpallën 61,624 vende të lira pune ose 1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më pare, por pjesa dërrmuese e tyre janë për profesione që nuk kërkojnë arsim të kualifikuar...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Punësim – Vendet e lira appeared first on Revista Monitor.

❌
❌