Arbër Hoxha barazon në minutën e 102-të në derbin kroat
TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Sulmuesi kuqezi Arbër Hoxha ishte njeriu i ndeshjes dje në klasiken e futbollit kroat, ajo mes Dinamos së Zagrebit dhe Hajdukut të Splitit.
Hoxha ka vendosur baraspeshën e takimit në minutën e 102-të.
Të dy golat e ndeshjes së vlefshme për javën e 16-të u shënuan në pjesën e dytë. Rezultati 1-1 favorizon Dinamon e Zagrebit, që mbetet në krye të renditjes në kampionatin kroat.
Gjyqtarët e ndeshjes akorduan 13 minuta shtesë në fundin e kohës së rregullt, ku Hoxha shënoi në minutën e 102-të, pasi u pozicionua në vendin dhe kohën e duhur për të shënuar golin më të rëndësishëm.
Sulmuesi kuqezi është lojtari i momentit te Dinamo Zagreb. Sulmuesi i Kombëtares po e udhëheq në garën për titull, ndërsa deri tani numëron gjashtë gola dhe dy asiste.
Sulmuesi i Kombëtares është ylli i kampionatit kroat për këtë edicion. Hoxha është edhe “Lojtari i muajit” te Dinamo Zagreb që prej shtatorit.
Dje ai ka postuar një mesazh pas barazimit që u kishte vlerën e fitores.
“Faleminderit për të gjithë suportin tuaj në derbin e sotëm”, ishte mesazhi i sulmuesit të Kombëtares.
Forma fantastike dhe golat e rëndësishëm kanë ndikuar, që të ketë rol të rëndësishëm. Anësori po kalon edicionin më të mirë në Kroaci dhe Dinamo Zagreb kryeson renditjen.
The post Arbër Hoxha barazon në minutën e 102-të në derbin kroat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
