Kapiteni i Sunderlandit Granit Xhaka është përqafuar me trajnerin Mikel Arteta pas fitores së Arsenalit 3-0 në “Emirates”.
Xhaka shkoi për ta mbështetur Sunderlandin te skuadra londineze, pavarësisht që nuk luante si pasojë e lëndimit.
Arsenali e dominoi bindshëm tërë përballjen për të fituar me rezultat 3-0, si dhe mbajtur pozitën e parë në Ligën Premier.
Megjithatë, ajo që ra në sy pas ndeshjes ishte takimi i ngrohtë mes Xhakës dhe Artetas, të cilët kanë lidhje fantastike që prej kohës kur ylli shqiptar ishte te “Topçinjtë”.
Faktikisht, Xhaka qëndroi te Arsenali vetëm shkaku i Artetas, i cili e bindi se do ta ndryshonte situatën me tifozët, gjë që ndodhi – me lojtarin që tashmë shihet si legjendë e klubit londinez.
Përndryshe, Arsenali aktualisht është plot nëntë pikë para Man Cityt, me këta të fundit që i pret një sfidë e vështirë në udhëtim te Liverpooli të dielën./Telegrafi
Granit Xhaka vazhdon të vlerësohet si një prej transferimeve më të mira të këtij edicioni në Ligën Premier. Në Angli, shumë njohës të futbollit e shohin edhe si transferimin më të mirë, duke marrë parasysh ndikimin e madh që po ka te Sunderlandi.
Sunderlandi po udhëhiqet në fushë nga Xhaka, i cili është edhe kapiteni i skuadrës. Ekipi është i vetmi në Ligën Premier pa humbje në shtëpi dhe po synon të sigurojë një vend në Evropë. Kthimi i Sunderlandit në elitë erdhi pas një kohe të gjatë, ndërsa me Xhakën si lider i mesfushës, skuadra po tregon nivel të lartë.
Megjithatë, për momentin Xhaka është i lënduar dhe do të mungojë në ndeshjen ndaj Arsenalit, që zhvillohet të shtunën nga ora 16:00.
Xhaka ka luajtur më parë me sukses të madh te Arsenal, përpara se të kalonte dy sezone te Bayer Leverkusen. Pas kësaj, ai vendosi të kthehej sërish në Angli, këtë herë te Sunderlandi.
Por vendimi i tij nuk u kuptua nga të gjithë. Madje, pati edhe njerëz që qeshën me zgjedhjen e tij, çka Xhaka e ka pranuar në një intervistë për BBC.
“Njerëzit kanë qeshur me mua, të jem i sinqertë. Edhe një pjesë e shokëve më të mirë më kanë thënë ‘pse po kthehesh?’”.
“Më kanë thënë ‘në rregull që po kthehesh, por pse në Sunderland?’. Sepse i dua sfidat. Kam pasur ndjenjë se më duhet një sfidë e re pas dy vjetësh në Gjermani”.
“Në vitin e parë i fituam thuajse të gjitha atje. E fituam Bundesligën pa humbje, e fituam Kupën e Gjermanisë. E humbëm finalen në Ligën e Evropës dhe kjo ishte shumë e dhimbshme”, ka thënë Xhaka.
Derisa ishte i shëndoshë, Xhaka ishte i pazëvendësueshëm në formacionin startues të Sunderlandit, por ai ka munguar në dy ndeshjet e kaluara për shkak të lëndimit. Në këtë sezon, ai ka regjistruar një gol dhe pesë asistime në 22 paraqitje në Ligën Premier.
Xhaka ka treguar se Sunderlandi ishte zgjedhja e duhur për të dhe familjen e tij.
“E kam pasur ndjenjën se është klubi i duhur për mua. Këtë ndjenjë e kam pasur kur kam folur me pronarin e Sunderlandit, kur kam folur me klubin, trajnerin. Njerëzit janë shumë modest këtu”.
“Është qytet i vogël dhe e kam parë saktësisht veten se si jam rritur. Dhe kam dashur të kthehem në realitet. Kam besuar se është drejtimi i duhur për mua dhe për familjen time”.
“Jam shumë i lumtur që çdo gjë ka shkuar shumë mirë, ashtu si kam shpresuar”, përfundoi 33-vjeçari./Telegrafi/
Legjenda e Manchester Unitedit, Wayne Rooney, ka zgjedhur dy transferimet më të mira në Ligën Premier këtë edicion, duke vlerësuar performancat e tyre që nga fillimi i sezonit.
Afati kalimtar dimëror përfundoi të hënën mbrëma dhe disa lojtarë iu bashkuan klubeve të reja, por sipas Rooneyt, dy prej tyre kanë bërë diferencën më të madhe që në nisje të sezonit.
Në emisionin e tij “The Wayne Rooney Show”, Rooney insistoi se Hugo Ekitike dhe Granit Xhaka janë dy transferimet më të mira në Ligën Premier këtë edicion.
Ekitike iu bashkua Liverpoolit nga Eintracht Frankfurt në verën e vitit të kaluar, kurse Xhaka iu bashkua Sunderlandit nga Bayer Leverkuseni.
“Ekitike dhe Granit Xhaka te Sunderlandi kanë qenë ndoshta dy transferimet më të mira në Ligën Premier”, ka deklaruar Rooney.
Si Ekitike ashtu edhe Xhaka kanë lënë përshtypje të mira për klubet e tyre deri më tani këtë edicion, duke kontribuar në mënyrë të rëndësishme në renditjen dhe lojën e skuadrave të tyre.
Xhaka, i cili është kapiten i Sunderlandit, ka shfaqur një nivel të lartë konsistence, ndërsa Ekitike ka qenë një shtyllë e rëndësishme në sulmin e Liverpoolit që nga ardhja e tij.
Ky vlerësim i Rooneyt vjen në një moment kur shumë nga transferimet e mëdha të verës dhe dimrit po analizohen për ndikimin e tyre në skuadrat respektive, por sipas legjendës së United, Ekitike dhe Xhaka janë dy emrat që kanë dalë më së shumti në pah këtë sezon./Telegrafi/
Mund të kishte qenë një duel interesant, edhe pse në distancë. Një Armando Broja përballë Granit Xhakës nuk është diçka që ndodh përditë, veçse sfida mes shqiptarëve mund të presë për një herë tjetër.
Sandërlendi pret Bërnlin sonte në orën 21:00 në Premier Ligën angleze, dhe sulmuesi I Shqipërisë besohet se mund të jetë sërish titullar, ose ndoshta e nis nga stoli, por gjithsesi është pjesë e ekipit.
Broja ka shënuar vetëm një gol këtë sezon në kampionat, por moralin e ka më të lartë pasi kishte dy vjet pa ia dalë mbanë, ndërsa dëmtimet më në fund nuk e kanë shqetësuar.
Vendasit nuk do ta kenë kapitenin e tyre, Granit Xhaka.
Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare, që është edhe kapiteni I Zvicrës, ka pësuar dëmtim dhe do të mungojë të paktën edhe 3 javë të tjera.
Ai ka qenë tepër I rëndësishëm për Sandërlendin, me një gol e tre asiste, që do të thotë pjesëmarrje në 25 për qind të rrjetave, por sidomos është dalluar me rolin udhëheqës në fushë.
Pasi mungoi ndaj Uest Hemit, në humbjen 1-3, nuk luan ndaj Bërnlit, e po ashtu humbet vizitën e Sandërlendit në fushën e Arsenalit, pra rastin për të luajtur ndaj ish-ekipit të tij, ku gjithashtu për disa kohë ishte kapiten.
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, do të vazhdojë të mungojë në fushë edhe për disa javë të tjera, duke i dhënë një goditje të ndjeshme ambicieve të skuadrës në këtë fazë të sezonit.
Trajneri Regis Le Bris ka konfirmuar se mesfushori shqiptar nuk është ende gati për t’u rikthyer, për shkak të lëndimit në nyjën e këmbës.
33-vjeçari, i cili është një nga figurat kyçe të Sunderlandit këtë edicion, mungoi edhe në humbjen 3-1 ndaj West Ham United fundjavën e kaluar.
Para përballjes të së hënës ndaj Burnleyt, tekniku francez sqaroi se gjendja e Xhakës po përmirësohet, por rikthimi i tij nuk do të jetë i menjëhershëm.
“Graniti është duke punuar mirë. Do ta vlerësojmë gjendjen e tij në javën e ardhshme, por me shumë gjasë do të mungojë edhe tri javë”, ka deklaruar Le Bris.
Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni dhe menjëherë u shndërrua në lider të ekipit.
Deri tani, ai ka zhvilluar 23 ndeshje në të gjitha garat, duke qenë titullar në 22 prej tyre në Ligën Premier. Kontributi i tij është reflektuar edhe në statistika, me një gol dhe pesë asistime.
Për shkak të këtij lëndimi, mesfushori pritet të mungojë në dy ndeshje shumë të rëndësishme, përballjen ndaj ish-skuadrës së tij, Arsenalit, më 7 shkurt, si dhe sfidën në shtëpi ndaj Liverpoolit më 11 shkurt.
Rikthimi i tij pritet të jetë vendimtar për Sunderlandin në vazhdimësinë e sezonit, teksa klubi shpreson që kapiteni të kthehet sa më shpejt në formën e tij optimale./Telegrafi/
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, do të mungojë të paktën dy javë për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës, i cili do të kërkojë ekzaminime të mëtejshme, ka konfirmuar trajneri Regis Le Bris.
Xhaka, i cili iu bashkua Sunderlandit gjatë verës nga Bayer Leverkusen në një marrëveshje që mund të arrijë vlerën deri në 20 milionë euro, kishte luajtur çdo minutë në këtë edicion të Ligës Premier, por mungoi në humbjen 3-1 ndaj West Ham United të shtunën.
Pas ndeshjes, Le Bris konfirmoi gjendjen e mesfushorit shqiptar, duke sqaruar se periudha e rikuperimit do të zgjasë të paktën dy javë, përpara se të bëhet një vlerësim i ri mjekësor.
“Ai ka një lëndim në kyçin e këmbës, i duhen të paktën dy javë për t’u rikuperuar dhe më pas do të bëjmë një vlerësim tjetër”, deklaroi trajneri francez.
Xhaka ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës këtë sezon, duke u paraqitur në të gjitha 23 ndeshjet në të gjitha garat, ku ka shënuar një gol dhe ka dhënë pesë asistime.
Gjatë ndeshjes ndaj West Hamit, reprezentuesi i Zvicrës u pa duke shkëmbyer fjalë me disa tifozë vendas, teksa ishte ulur pas stolit së Sunderlandit, çka bëri që loja të ndërpritej për pak çaste.
Një situatë e ngjashme u raportua edhe pas përfundimit të takimit. Megjithatë, si Le Bris ashtu edhe Nuno Espirito Santo deklaruan se nuk e kishin vërejtur incidentin.
“Pankina është shumë larg vijës anësore, nuk e pashë çfarë ndodhi”.
“Nuk duam të mendojmë për ambientin, po mendojmë vetëm për veten tonë”, u shpreh Le Bris./Telegrafi
Mesfushori i Sunderlandit, Granit Xhaka, ka treguar edhe një herë se sa vendimtar është për skuadrën, madje edhe kur nuk është në fushë.
Humbja 3-1 ndaj West Ham United në Londër e ka nxjerrë qartë në pah mungesën e kapitenit zviceran, i cili ishte i detyruar të mungonte për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës.
Këto ishin minutat e para që Xhaka ka munguar këtë sezon dhe pasojat u ndjenë menjëherë.
Pak para fundit të takimit, Granit Xhaka u bë protagonist i një momenti tensioni, pavarësisht se ishte i dëmtuar dhe në stol. Pas një provokimi të dyshuar nga një tifoz i West Hamit pas pankinës, 33-vjeçari u përfshi në një debat të ashpër verbal me të, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të ndeshjes.
“Çfarë do?”, dëgjohej duke bërtitur vazhdimisht Xhaka drejt tifozit të vendasve.
Pas këtij episodi, ndeshja vazhdoi dhe disfata e Sunderlandit u vulos. Me këtë rezultat, epërsia e skuadrës së sapongjitur në elitë ndaj West Hamit, që aktualisht mban vendin e 18-të, është reduktuar në 13 pikë./Telegrafi
Klubi anglez, Sunderland ka konfirmuar se mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, është i lënduar dhe do të mungojë në ndeshjen e tyre ndaj West Ham United.
Sunderland është mysafir i West Hamit në ndeshjen e sotme (e shtunë), e vlefshme për javën e 23-të në Ligën Premier.
Megjithatë, “Macet e Zeza” do ta kenë një mungesë të madhe për këtë takim.
Bëhet fjalë për kapitenin e tyre, yllin shqiptar, Granit Xhaka, i cili është duke u rikuperuar nga një dëmtim i pësuar së fundmi.
Njoftimi ka ardhur nga vetë faqja zyrtare e Sunderlandit.
“Granit Xhaka nuk do të jetë pjesë e ndeshjes së sotme kundër West Ham United”.
“Mesfushori pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës në fitoren e fundjavës së kaluar ndaj Crystal Palace dhe tani po kalon një periudhë rehabilitimi në Academy of Light”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Kapiteni i Sunderland, Granit Xhaka, po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm me fanellën e Sunderland, teksa ndikimi i tij brenda skuadrës kanë tërhequr vëmendjen e ish-lojtarëve dhe analistëve sportivë në Angli. Mesfushori shqiptar ka qenë titullar në të gjitha 22 ndeshjet e Premier League këtë sezon, duke regjistruar pesë asistime dhe duke ofruar kontroll, autoritet dhe vazhdimësi në lojë.
Futbollisti i Sunderlandit, Luke O’Nien, ka folur hapur për përvojën e tij duke punuar krah për krah me Granit Xhakën te Sunderland, duke pranuar se kjo eksperiencë ka pasur një ndikim të thellë tek ai, si lojtar ashtu edhe si lider.
Duke folur pas fitores së Sunderlandit ndaj Evertonit në FA Cup, O’Nien u ndal te përgjegjësia që ka mbajtur këtë sezon dhe te ndikimi që Xhaka ka pasur prapa skenave, veçanërisht pas momenteve si përballja e fundit në Ligën Premier ndaj Newcastle United, ku O’Nien iu drejtua skuadrës para ndeshjes, ndërsa Xhaka qëllimisht u tërhoq një hap mbrapa.
“Të jem i sinqertë, kjo do të thoshte gjithçka për mua”, tha O’Nien kur u pyet për gjestin e Xhakës para ndeshjes kundër Newcastle United në ‘Stadium of Light’, të cilën Sunderlandi e fitoi 1-0 falë një autogoli spektakolar të Nick Woltemade.
“Ai është një nga, në mos lideri më i mirë në futboll dhe ai ma dha mua këtë nder. Sinqerisht, nuk do të mund ta përshkruaj me fjalë se sa shumë do të thotë kjo për mua”.
“Ai është një lojtar i veçantë. Ndonjëherë e gjej veten duke mos besuar që është ende këtu dhe që po e çon klubin përpara në kaq shumë mënyra”.
“Bisedat që bën, mënyra se si sillet, edhe para ndeshjes së sotme, më tregonte çfarë është e rëndësishme, çfarë të kërkoj dhe çfarë të bëj”.
“Është një person shumë i lehtë për t’u komunikuar, qoftë për futbollin, familjen, të kaluarën apo të ardhmen. Ai është thjesht një njeri shumë i mirë”.
Mesfushori i Sunderlandit theksoi se ambienti i krijuar nga figurat me përvojë si Granit Xhaka po rrit standardet brenda skuadrës, pavarësisht minutave individuale të secilit lojtar në fushë./Telegrafi/
Legjenda e Ligës Premier dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, Alan Shearer, ka publikuar formacionin e tij të gjysmësezonit për sezonin 2025/26, duke përfshirë Granit Xhakën si një nga yjet kryesorë.
Shearer ka vlerësuar lartë mesfushorin shqiptar të Sunderland, për lidershipin, por edhe për lëvzijet e tij me topin në fushë.
“U befasova pak kur ai la Bundesligën për të ardhur në Wearside, por ka qenë një lëvizje e shkëlqyer! Aftësia e tij me topin ka qenë e jashtëzakonshme, ashtu si edhe cilësitë e tij udhëheqëse, brenda dhe jashtë fushës”, shkroi Shearer ne pjesën për Xhakën.
Xhaka është pjesë e një formacioni që kombinon të rinj dhe përvojë, ku shtatë nga 11 lojtarët janë 25 vjeç ose më të rinj. Shearer ka përfshirë edhe lojtarë të tjerë që kanë spikatur në këto 21 javë të para.
Në mbrojtje janë përfshirë Robin Roefs (Sunderland), Jurrien Timber dhe Gabriel (Arsenal), Marc Guehi (Crystal Palace) dhe Marc Cucurella (Chelsea), të cilët kanë ndihmuar ekipet e tyre të ruajnë një mbrojtje të fortë dhe të shënojnë gola vendimtarë.
Mesfusha përfshin përveç Xhakës edhe Declan Rice (Arsenal) dhe Moises Caicedo (Chelsea), të cilët kanë spikatur me energjinë, kontrollin e topit dhe ndikimin e tyre në lojë.
Në sulm janë zgjedhur Morgan Rogers (Aston Villa), Erling Haaland dhe Phil Foden (Manchester City), yje që kanë shënuar gola vendimtarë dhe kanë treguar një nivel të lartë performancash.
Trajneri i përzgjedhur nga Shearer është Unai Emery i Aston Villa, i cili ka rikuperuar ekipin pas një fillimi të dobët dhe ka udhëhequr skuadrën drejt 11 fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet. /Telegrafi/
Sunderland ka shënuar fitore në penallti për ta eliminuar Evertonin nga FA Cup.
Edhe pse koha e rregullt përfundoi me rezultat 1-1, Sunderland shënoi fitore me rezultat 3-0 përmes penalltive, duke e siguruar “biletën” për në fazën tjetër.
Mesfushori shqiptar Granit Xhaka dhuroi një tjetër paraqitje të shkëlqyer, ku nga “SofaScore” u vlerësua me notën 8.4, e dyta më e larta pas portierit Roefs.
Përndryshe, Xhaka edhe shënoi golin e dytë të Sunerlandit nga pika e bardhë, ku vendasit dështuan të shënojnë qoftë një, përmes Beto, Barry dhe Garner.
Kësisoj, Sunderland kualifikohet në 1/16 e finales ndërsa së shpejti do ta mësojë edhe kundërshtarin. Kujtojmë, fituesi i FA Cup njëkohësisht e siguron një vend që të dërgon në Ligën e Evropës për edicionin tjetër./Telegrafi/
Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të bashkë ndjerë vuajtjen me qytetarët e Kosovës pas vërshimeve të mëdha që kanë ndodhur në disa prej qyteteve të vendit tonë.
Ditët e fundit të kësaj jave kanë qenë jo të mira për popullin e Kosovës, pasi shumë nga qytetet kanë pësuar vërshimeve, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Iniciativa të ndryshme qytetare kanë reaguar duke ofruar mbështetje të ndryshme për të prekurit, ndërsa duarkryq nuk kanë qëndruar as figura të njohura që kanë reaguar pas vërshimeve.
I tillë është edhe kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, i cili ka shfrytëzuar profilin e tij në Instagram për të postuar një fotografi të vërshimeve në Kosovë.
Postimi i Xhakës në Instagram
“Lutuni për Kosovën”, ka shkruar Xhaka në përshkrimin e fotografisë së postuar në ‘story’ të profilit të tij.
Ndryshe, qytetet më të prekura nga vërshimet ishin Gjakova, Mitrovica, Malisheva, Klina, Skenderaj dhe Drenasi. /Telegrafi/
Futbollistja e talentuar e Zvicrës Riola Xhemaili thotë se kurrë nuk ka pasur ftesë nga Kosova, ndërsa njoftoi se është përgëzuar nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri kur shënoi ndaj Finlandës.
Xhemaili është futbollistja kryesore në ekipin e Zvicrës, ndërsa ka treguar se shpesh hasë në probleme shkaku i prejardhjes.
Ajo ndër të tjera për “NZZ” zbuloi se kurrë nuk ka marrë ftesë nga Kombëtarja e Kosovës, shkaku që futbolli i femrave nuk ka qenë shumë i avancuar atë kohë (pra, kur u ftua nga Zvicra).
“Kur do që shkojmë në Kosovë, njerëzit thonë: “Këta janë të jashtit”, ata nuk e dinë si jetojmë këtu. Në Zvicër njerëzit mendojnë se je i mirë nëse bën diçka të mirë. Por, nëse bën diçka të keqe të thonë “Sigurisht, janë me prejardhje nga Kosova”. Nuk mund t’i kënaqësh të gjithë, prandaj vendimet i marrë që janë të mira për familjen dhe mua”.
“Përpos kësaj, asnjëherë nuk kam marrë ndonjë ofertë që të luaj për Kosovën. Futbolli i femrave në Kosovë nuk ka qenë aq i avancuar atë kohë”.
Xhemaili pastaj tregoi se është përgëzuar nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri kur shënoi gol për Zvicrën ndaj Finlandës.
“Kur shënova ndaj Finlandës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri më uruan. Isha më i afërt me Shaqirin. E njoh edhe Leon Avdullahum i cili tani luan për Kosovën. Ishim në klasën e njëjtë dhe luajtëm për të njëjtin klub”.
“Secili prej nesh ka historinë tonë dhe kjo na lidhë. Ndonjëherë pyes vetën pse pyetja e besnikërisë shtrohet vetëm tek ne kosovarët. Ka lojtarë të tjerë në kombëtare që prindërit nuk i kanë nga Zvicra”.
E pyet për golin e famshëm që shënoi kur e kualifikoi Zvicrën në çerekfinale të Kampionatit Evropian, ajo e vlerësoi si momenti më i mirë i jetës.
“Ndoshta momenti më i mirë për futbollin e femrave në Zvicër. Kampionati Evropian në shtëpi ishte si një film i bukur, me kualifikimin në çerekfinale në minutën e fundit dhe e shënova edhe golin. Për mua, ishte momenti më i mirë i jetës”./Telegrafi
Kapiteni i kombëtares zvicerane, Granit Xhaka, po aktivizohet në Ligën Premier që nga vera. Ai u transferua te Sunderland rreth gjashtë muaj më parë dhe me skuadrën e sapongjitur në elitë po bën jehonë të madhe në futbollin britanik.
Në një intervistë për “Suddeutsche Zeitung”, 33-vjeçari ka folur për transferimin, futbollin dhe jetën e tij.
“Kam ndjesinë se unë dhe njerëzit këtu jemi rritur në mënyrë të ngjashme: shumë tokë-këmbë, punëtorë dhe me një vullnet të fortë për të arritur diçka”.
“Prindërit e mi dikur erdhën në Basel me prejardhje shqiptare – pa gjuhë, pa miq, pa të afërm”.
Xhaka ka rrëfyer edhe për ambientin ku është rritur.
“Lagjja jonë kishte arkitektë dhe këshilltarë tatimorë, por edhe alkoolistë dhe përdorues droge. Gjithçka mund të kishte shkuar në çdo drejtim për mua. Kam përfituar nga edukimi i prindërve të mi – dhe nga vëllai im i madh, Taulanti”.
Sa i përket transferimit te Sunderland, mesfushori ka qenë shumë i hapur.
“Disa vendime kërkojnë kohë, por këtë e mora menjëherë".
Xhaka ka zbuluar se pronari e telefonoi diku në muajin qershor, rreth orës 23:00.
“Në Shqipëri thonë se një telefonatë në atë orë do të thotë ose diçka e keqe – ose diçka shumë e madhe. Në fillim mendova se ishte shaka dhe nuk besoja se ishte pronari”.
“Çelësi ishte se pronari nuk më kishte kontaktuar personalisht në asnjë nga transferimet e mia të mëparshme. Kjo më bëri shumë përshtypje”.
Kyril Louis-Dreyfus, në moshën 28-vjeçare kryetari më i ri i ligës, ishte i vendosur ta sillte Xhakën në Sunderland.
“Unë jam një lojtar që ka nevojë për vlerësim dhe ai ma dha këtë ndjenjë”.
Që nga ardhja te Sunderland, Granit Xhaka ka qenë një sukses i madh. Ai konsiderohet ndër lojtarët më të mirë të ligës, është boshti i skuadrës dhe një nga arsyet kryesore për sezonin fantastik që po zhvillon ekipi deri më tani.
“Para së gjithash, duam të sigurojmë qëndrimin në ligë; gjithçka tjetër është bonus. Deri tani nuk e kemi diskutuar asnjëherë renditjen në dhomat e zhveshjes. E di nga përvoja se gjysma e dytë e sezonit mund të jetë e vështirë. Kemi potencial dhe duhet të vazhdojmë të besojmë te vetja – atëherë mund të kemi një sezon të suksesshëm”.
“Për sa kohë jam i shëndetshëm, në formë dhe i uritur. Shumë trajnerë më kanë këshilluar: luaj sa më gjatë të jetë e mundur. Gjithçka tjetër mund të bëhet më vonë”.
Sa i përket së ardhmes pas futbollit, gjithçka mbetet e hapur, por Xhaka ka zbuluar se po investon seriozisht edhe në një karrierë të mundshme si trajner.
“Katër ose pesë vjet më parë, kur isha te Arsenali, fillova të punoja për licencën e trajnerit. Tani e kam licencën A. Kjo më ndihmon – bashkë me moshën dhe përvojën – ta shoh futbollin nga një këndvështrim tjetër. Tani dua t’i bëj lojtarët e tjerë më të mirë: përmes paraqitjeve, motivimit dhe lidershipit”./Telegrafi
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, ka vlerësuar energjinë pozitive të skuadrës pas barazimit 0-0 me Man Cityn në Ligën Premier.
Sunderland u përball me shumë presion nga ekipi i Pep Guardiolas, por arriti të siguronte një pikë të rëndësishme në ‘Stadium of Light’.
Xhaka, i cili ka qenë një nga arsyet kryesore pse Sunderland po performon kaq mirë këtë sezon, ishte përsëri i shkëlqyer.
Duke folur për Sky Sports pas ndeshjes, ish-mesfushori i Arsenalit lavdëroi “energjinë e mirë” të skuadrës së tij.
“Në fund, sigurisht që dëshiron të fitosh ndeshjet, por duhet të shohim realitetin gjithashtu. Sapo u ngjitëm në Ligën Premier pas kaq shumë vitesh dhe kemi pasur disa ndryshime në ekip”.
“Afro 15-16 lojtarë të rinj dhe nuk është gjithmonë e lehtë të përshtatesh kaq shpejt me njëri-tjetrin”.
“Është thjesht energjia, dhoma jonë e zhveshjes është kaq pozitive. Kemi një energji të madhe me stafin dhe me lojtarët”.
“Në fund, rezultatet flasin vetë sepse po japim shumë përpjekje ditë pas dite, javë pas jave”.
“Mendoj se për momentin mund të jemi shumë të kënaqur pas kësaj pjese të parë të sezonit”, ka deklaruar Xhaka./Telegrafi/
Ndërsa shumë nga ligat kryesore evropiane kanë bërë pushim për dimër, është koha të bëjmë një bilanc dhe të reflektojmë mbi katër muajt e parë të mbushur me emocion dhe veprim në fushë.
Ky është gjithashtu momenti i duhur për të vlerësuar lojtarët që përfunduan transferimet gjatë verës nëpër kontinent, tani që kanë një numër të konsiderueshëm ndeshjesh pas tyre.
10. Malick Thiaw (Newcastle – 35 milionë euro)
Gjermani ka hyrë në Ligën Premier me një lehtësi të jashtëzakonshme, duke u bërë shpejt një titullar i në mbrojtjen e fortë të Newcastle, bashkë me Fabian Schar, Sven Botman dhe Dan Burn, dhe madje është lavdëruar si një nga qendërmbrojtësit më të mirë në kampionat.
Thiaw ka dominuar në ajër, ka treguar aftësitë e tij me topin dhe madje ka shënuar një dygolësh kundër Everton në fund të nëntorit.
9. Marcus Rashford (Barcelona – huazim)
Huazimi i Marcus Rashford te Barcelona ishte një lëvizje surprizuese verën e kaluar. 27-vjeçari, i cili duket se po afrohej në fundin e karrierës së tij në nivele të larta, ka shfrytëzuar mundësinë me të dyja duart.
Rashford ka shfrytëzuar një dëmtim të hershëm të Leëandoëskit për t’u bërë një figurë kyçe në një repart sulmues që përfshin gjithashtu Raphinha dhe Lamine Yamal.
8. Joan Garcia (Barcelona – 25 milionë euro)
Barcelona është shpërblyer për vendimin e diskutueshëm për të degraduar Marc-Andre ter Stegen dhe për të besuar te Joan Garcia.
24-vjeçari ka shkëlqyer, duke bërë pritje të jashtëzakonshme që kanë ndihmuar blaugranët të ngjiten në krye të La Ligës, përfshirë një paraqitje vendimtare kundër Rayo Vallecano dhe një tjetër të jashtëzakonshme ndaj Villarreal.
Ai ka një përqindje pritjesh prej 79 përqind dhe 6 ndeshje pa pësuar gola në 12 takime në kampionat.
7. Martin Zubimendi (Arsenal – 60 milionë euro)
Sezona e tij e parë në Arsenal nuk do të mbahet mend për statistika individuale, por 26-vjeçari ka transformuar mesfushën e ‘Topçinjve’, duke ndihmuar veçanërisht Declan Rice të lulëzojë në një rol më të lirë, duke kombinuar aftësi me topin dhe forcë në duelin fizik.
6. Jonathan Tah (Bayern Munich – falas)
Tah u bashkua me Bayern Munchen në qershor pas skadimit të kontratës me Bayer Leverkusen dhe ka sjellë stabilitet të ri në mbrojtjen bavareze, duke formuar një partneritet të fortë me Dayot Upamecano.
Reprezentuesi gjerman ka dominuar në ajër dhe ka kontribuar edhe me disa gola.
5. Granit Xhaka (Sunderland – 17 milionë euro)
Mesfushori shqiptar ka qenë një lider i vërtetë për Sunderland, duke mbajtur shiritin e kapitenit dhe duke udhëhequr skuadrën në asiste, mundësi të krijuara, pasime të suksesshme dhe fitore dueli.
Një ndikim kyç për suksesin e hershëm të klubit nën drejtimin e Regis Le Bris.
4. Luka Modric (AC Milan – falas)
Modric, 40 vjeç, ka treguar përsëri klas dhe energji të jashtëzakonshme për të udhëhequr mesfushën e Milanit, duke luajtur çdo ndeshje të Serie A dhe duke ndihmuar klubin të luftojë për Scudetto pas një sezoni të dobët të mëparshëm.
3. Florian Thauvin (Lens – 8 milionë euro)
Në moshën 32-vjeçare, Thauvin është bërë një nga transferimet më të spikatura në Ligue 1, duke ndihmuar Lens të qëndrojë në krye të kampionatit para Krishtlindjeve.
Ai ka kontribuar në 7 gola në 16 ndeshje dhe është rikthyer në Kombëtaren e Francës pas gjashtë vjetësh.
2. Yan Diomande (RB Leipzig – 20 milionë euro)
19-vjeçari i Bregut të Fildishtë ka qenë sensacion për Leipzig këtë sezon. Pas zhvendosjes nga krahu i majtë në të djathtin në tetor, ai ka arritur të kontribuojë në 10 gola në 9 ndeshjet e fundit përpara Kupës së Afrikës.
1. Luis Diaz (Bayern Munich – 75 milionë euro)
Luis Diaz ka filluar me ritëm të jashtëzakonshëm në Bayern Munich, duke dhuruar 14 kontribuime në gola në po aq ndeshje ligash, duke përfshirë 5 gola në 3 ndeshje për të nisur karrierën e tij në Gjermani.
Ai ka shfrytëzuar hapësirat e mbrojtjeve kundërshtare në Bundesliga për të shkëlqyer si sulmues i shpejtë dhe direkt./Telegrafi/
Futbollisti Nemanja Matic iu bashkua këtë verë ekipit të Sassuolos, ku menjëherë fitoi vend në formacionin titullar, ndërsa mbron ngjyrat e klubit italian me Aro Muricin.
Gjatë një interviste për portalin “Four Four Two”, Matić u pyet për festimet e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës kundër Serbisë në Kupën e Botës, në vitet 2018 dhe 2022, ku të dy përdorën shqiponjën dykrenare – simbolin e flamurit shqiptar.
Matic e kritikoi këtë veprim, duke e konsideruar si një fitore politike, jo sportive.
“Unë i respektoj ata si futbollistë, kam luajtur kundër tyre disa herë në Ligën Premier. Por me këto gjëra të vogla ata fitojnë pikë të lira politike. Ata janë rritur në Zvicër. Me një veprim të tillë, nuk tregon respekt për vendin për të cilin luan. Nëse e do kaq shumë Shqipërinë, atëherë pse nuk luan për Shqipërinë? Kjo është pyetja ime”, deklaroi Matic.
Ai shtoi se dashuria për vendet të ndryshme nuk është problem, por sinqeriteti është thelbësor.
“Mund të duash disa vende, kjo nuk është problem. Unë e dua Serbinë, është vendi im. Gjithashtu e dua Anglinë, kam kaluar shumë kohë atje. Por kurrë nuk do të them se e dua Anglinë më shumë se Serbinë. Duhet të jesh i sinqertë”.
“Kam luajtur kundër Xhakës shumë herë dhe kurrë nuk kam pasur problem. Gjithmonë shtrëngonim duart, ai është një lojtar i mirë – ashtu si edhe Shaqiri. Por unë kurrë nuk do ta bëja për të provokuar dikë. I respektoj të gjithë”, ka thënë mesfushori. /Telegrafi/