Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

"Nëse e duan Shqipërinë, pse nuk luajtën për ta” - mesfushori serb me 'kunja' ndaj Shaqirit dhe Xhakës

29 December 2025 at 20:02


Futbollisti Nemanja Matic iu bashkua këtë verë ekipit të Sassuolos, ku menjëherë fitoi vend në formacionin titullar, ndërsa mbron ngjyrat e klubit italian me Aro Muricin.

Gjatë një interviste për portalin “Four Four Two”, Matić u pyet për festimet e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës kundër Serbisë në Kupën e Botës, në vitet 2018 dhe 2022, ku të dy përdorën shqiponjën dykrenare – simbolin e flamurit shqiptar.

Matic e kritikoi këtë veprim, duke e konsideruar si një fitore politike, jo sportive.

“Unë i respektoj ata si futbollistë, kam luajtur kundër tyre disa herë në Ligën Premier. Por me këto gjëra të vogla ata fitojnë pikë të lira politike. Ata janë rritur në Zvicër. Me një veprim të tillë, nuk tregon respekt për vendin për të cilin luan. Nëse e do kaq shumë Shqipërinë, atëherë pse nuk luan për Shqipërinë? Kjo është pyetja ime”, deklaroi Matic.

Ai shtoi se dashuria për vendet të ndryshme nuk është problem, por sinqeriteti është thelbësor.

“Mund të duash disa vende, kjo nuk është problem. Unë e dua Serbinë, është vendi im. Gjithashtu e dua Anglinë, kam kaluar shumë kohë atje. Por kurrë nuk do të them se e dua Anglinë më shumë se Serbinë. Duhet të jesh i sinqertë”.

“Kam luajtur kundër Xhakës shumë herë dhe kurrë nuk kam pasur problem. Gjithmonë shtrëngonim duart, ai është një lojtar i mirë – ashtu si edhe Shaqiri. Por unë kurrë nuk do ta bëja për të provokuar dikë. I respektoj të gjithë”, ka thënë mesfushori. /Telegrafi/

Rusia e dëshpëruar, po synon të organizojë një Kupë Bote të veten - ja kush mund të luajë në të

21 November 2025 at 11:07


Pas përjashtimit nga të gjitha garat e FIFA-s dhe UEFA-s, ekipi kombëtar rus i futbollit është gjendur në izolim të plotë, i paaftë të marrë pjesë në kualifikueset dhe turnetë e mëdha evropian dhe botëror.

Ndërsa negociatat politike vazhdojnë dhe numërimi mbrapsht për Kupën e Botës 2026 po nxehet, nga Moska po vijnë lajme për një plan të habitshëm dhe disi të çuditshëm - organizimin e një Kupe Bote paralele, sipas disa mediave të huaja.

Pothuajse tre vjet në izolim

Rusia është përjashtuar nga të gjitha garat nën juridiksionin e FIFA-s dhe UEFA-s që nga shkurti i vitit 2022, pas pushtimit ushtarak të Ukrainës. Si rezultat, ekipi kombëtar, i udhëhequr nga trajneri Valery Karpin, është kufizuar në ndeshje miqësore kundër ekipeve jashtë Evropës për gati tre vjet.

Gjatë asaj periudhe, skuadra luajti 21 ndeshje pa humbje, por cilësia e kundërshtarëve të tyre ndryshoi në mënyrë drastike - nga fitoret kundër Iranit dhe Bolivisë te triumfet bindëse ndaj Kubës (8-0) dhe Bruneit (11-0).

Paraqitja e tyre e fundit në një garë të FIFA-s ishte si organizatorë të Kupës së Botës 2018, pas së cilës u eliminuan nga turneu i vitit 2022 dhe u penguan të merrnin pjesë në kualifikueset e vitit 2026.

Një Kupë Bote Alternative si përgjigje ndaj sanksioneve

Mes pasigurisë, Bashkimi Rus i Futbollit (RFU) thuhet se ka dalë me një koncept provokues: një turne ndërkombëtar paralel që do të mbahet në Rusi gjatë Kupës së Botës 2026. Ai do të përfshijë vetëm ekipet kombëtare që nuk arritën të kualifikohen për Kupën e Botës FIFA.

Sipas raportimeve, do të ishte një turne i shkurtër me tetë deri në dymbëdhjetë ekipe kombëtare, dhe ndeshjet do të luheshin në katër stadiumet e përdorura për Kupën e Botës 2018.

Ideja është pjesërisht sportive dhe pjesërisht simbolike. Turneu do t'i shërbente gjithashtu Rusisë për të ruajtur dukshmërinë e saj në skenën globale dhe për të demonstruar kapacitetet e saj organizative.

🚨 Russia is reportedly planning a bold, unconventional football project: a “parallel” World Cup in 2026 for teams that didn’t qualify. Here’s everything you need to know.

2/ The idea comes from the Russian Football Union (RFU) and aims to restore Russia’s presence on the… pic.twitter.com/V42n6Nurz4
— HOBE AUSTRALIA (@hobe_250) November 19, 2025

Kush janë pjesëmarrësit potencialë?

Edhe pse plani është ende jozyrtar, tashmë ka spekulime në mediat ndërkombëtare rreth pjesëmarrësve të mundshëm. Propozimi është të ftohen ekipet që nuk arritën të kualifikohen për Kupën e Botës të zgjeruar me 48 ekipe.

Ndër emrat e përmendur, përveç vendit pritës, Rusisë, janë: Serbia, Greqia, Kili, Peruja, Venezuela, Nigeria, Kameruni, Kina dhe Armenia.

Pavarësisht mbulimit mediatik, zbatimi i kësaj ideje përballet me sfida të mëdha. Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Bashkimi Rus i Futbollit dhe nuk ka garanci se vendet e ftuara do të bien dakord të marrin pjesë.

Ekzistojnë gjithashtu pyetje në lidhje me legjitimitetin e turneut në sytë e FIFA-s dhe konfliktet e pashmangshme me orarin e Kupës së Botës të vërtetë. /Telegrafi/

Anglia vazhdon marshimin perfekt – sërish fitore ndaj Serbisë

13 November 2025 at 22:46


Anglia ka regjistruar një tjetër fitore të sigurt në fazën kualifikuese për Kampionatin Botëror, duke triumfuar ndaj Serbisë (2-0) edhe pse kualifikimin e kishte siguruar që në xhiron e kaluar.

Skuadra e Thomas Tuchel vazhdon formën mbresëlënëse, duke arritur pesë fitore nga po aq ndeshje.

Anglia e nisi ndeshjen fuqishëm dhe kaloi në epërsi që në minutën e 28-të, kur Bukayo Saka reagoi më së miri në zonë pas një topi të kthyer, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm dhe duke e bërë rezultatin 1-0.

Të dy trajnerët nisën menjëherë me zëvendësime në pjesën e dytë, ndërsa Anglia rriti ritmin edhe më shumë. Në minutën e 64-t, Marcus Rashford u zëvendësua nga Eberechi Eze — një lëvizje që do të rezultonte vendimtare.

Fillimisht, Eze shpërdoroi një rast të artë në minutën e 87-të, kur goditja e tij nga afërsia u përplas në traversë. Por vetëm pak sekonda më vonë, ylli i Crystal Palace u shpagua.

Ai depërtoi në zonë dhe me qetësi e dërgoi topin në rrjetë, duke dyfishuar rezultatin dhe vulosur triumfin 2-0.

Me këtë fitore, Anglia konfirmon formën dominuese në grup, me 21 pikë, ndërsa Shqipëria e ka siguruar vendin e dytë me 14 pikë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

FIFA dënon Serbinë për sjellje antisportive në ndeshjen ndaj Shqipërisë

6 November 2025 at 10:46


Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka marrë një vendim në lidhje me ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës 2026 midis ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Shqipërisë, të fituar 0-1 nga kuqezinjtë në takimin e luajtur më 11 tetor 2025.

Federata e Futbollit e Serbisë (FSS) ka njoftuar me anë të një komunikate është gjobitur me 87,500 franga zvicerane për sjellje të papërshtatshme nga tifozët gjatë këndimit të himneve kombëtare dhe sjellje diskriminuese nga një pjesë e publikut gjatë ndeshjes.

FIFA gjithashtu ka marrë masën e mbylljes së pjesshme të të paktën 25% të kapacitetit të tribunave (kryesisht pas portave) në ndeshjen e ardhshme të Serbisë në kuadër të kualifikuesve, kundër Letonisë në Leskovac.

“Duke marrë parasysh përvojat e kaluara dhe milionat e gjobave të paguara jo vetëm kur ndeshjet luhen në fushën e tyre, por edhe për shkak të incidenteve në ndeshjet jashtë fushe, Federata e Futbollit e Serbisë nuk do të marrë përsipër shitjen e organizuar të biletave për sektorin jashtë fushe në stadiumin Ëembley, as nuk do të jetë përgjegjëse për sjelljen e tifozëve në ndeshjen e ardhshme me ekipin kombëtar të Anglisë”, thuhet në njoftimin e Federatës Serbe.

Federata e Futbollit e Serbisë u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë rregulloret dhe parimet e lojës së ndershme, si dhe të ndihmojnë ekipin kombëtar me mbështetjen e tyre në një frymë sportive dhe pa incidente. /Telegrafi/

Serbia është mësuar tashmë të pranojë eurogola - Andorra shënon një nga më të bukurit e këtyre eliminatoreve

14 October 2025 at 21:51


Serbia po luan si mysafir ndaj Andorrës në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, ku u shënua një nga golat më të bukur të eliminatoreve.

Aktualisht rezultati është 1-1, ku Andorra shënoi një gol në minutën e 17-të në një mënyrë spektakolare.

Pas një gabimi të Aleksandar Stankovic, Serbia pësoi një gol nga pothuajse gjysma e fushës. Shënuesi ishte Guillaume Silvan Lopez, i cili priti pasimin e Stankovic dhe më pas gjuajti në mënyrë fenomenale dhe përplasi portën e Djordje Petrovic.

GOLAÇO DO ANDORRA

🇦🇩 Andorra 1x0 Sérvia 🇷🇸

⚽ Guillaume Lopez

🏆 Eliminatórias UEFA | Grupo K - Rodada 8

📺 @DisneyPlusBR
pic.twitter.com/r9GZaz2nxe
— Futeboleiros (@Futteboleiroos) October 14, 2025


Goli i barazimit ishte autogol me Mark Garcia që shënoi në minutën e 19-të në portën e tij.

Serbia është mësuar siç duket të pranojë eurogola, pasi ditë më parë pranoi një super gola nga Rey Manaj në fitoren e Shqipërisë me rezultat 1-0. /Telegrafi/

Fitorja e Kosovës në Suedi i jep një tjetër goditje Serbisë në luftën për kualifikim në Kupën e Botës

14 October 2025 at 08:38


Kombëtarja e Serbisë shpresonte të kishte një shans për të fituar një vend në Kupën e Botës përmes “play-off”-eve, por Kombëtarja e Kosovës ua prishi planin mbrëmë (e hënë).

Konkretisht, 16 ekipe kombëtare do të marrin pjesë në fazën eliminatore, të ndara në katër mini-grupe me nga katër ekipe secili, dhe fituesit e secilit grup do të kualifikohen për Kampionatin Botëror.

12 ekipet e dyta nga grupet kualifikuese dhe katër ekipet kombëtare më të mira nga Liga e Kombeve që nuk u renditën të parat ose të dytat në kualifikuese do të vendosen në play-off.

Serbia kishte shpresa për të siguruar një vend nga Liga e Kombeve dhe për këtë, ndër të tjera, asaj i duhej që Suedia të përfundonte midis dy ekipeve të para në grupin e saj.

Megjithatë, mbrëmë Kosova festoi në mënyrë sensacionale në udhëtim te Suedia me një gol të Fisnik Asllanit, kështu që tani Serbia ka gjasa vetëm teorike.

Suedezët do të duhej t’i fitonin të dyja ndeshjet deri në fund, Kosova do të duhej t’i humbiste të dyja dhe Suedia do të duhej të kompensonte diferencën e golave në krahasim me kosovarët (-4).

Nga ana tjetër, Serbia ka pak shanse për vendin e dytë në grupin e saj dhe duhet të surprizojë Anglinë në Ëembley ose Shqipëria të dështojë në Andorra. /Telegraf/

Shqipëria i fut në sherr serbët, futbollisti shpërthen ndaj trajnerit: Ti je tradhtar

12 October 2025 at 12:48


Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë fitore të madhe 1-0 ndaj Serbisë dhe kjo fitore e kuqezinjve ka bërë që të plas sherri te serbët.

Anësori i Crvena Zvezdës, Nemanja Radonjic, ka reaguar fuqishëm pas humbjes së Serbisë ndaj Shqipërisë. Mediat serbe raportojnë se 29-vjeçari i është drejtuar trajnerit Dragan Stojkovic - Piksi përmes një mesazhi muzikor të shpërndarë në rrjetet sociale.

Në tekstin e këngës, Radonjic këndohet: “Ti nuk ishe kurrë hero, të fal për këtë sepse tradhtarët e duan vetëm veten”.

Ai nuk ftohet nga kombëtarja serbe që nga viti 2023 dhe më parë është shprehur kritik ndaj Stojkovic.

Pas ndeshjes me Shqipërinë, përzgjedhësi Stojkovic paraqiti dorëheqjen, ndërsa Radonjiç e ka cilësuar atë si “tradhtar”, duke theksuar tensionet që ekzistojnë rreth vendimeve të tij dhe kritikat për zgjedhjet e ekipit kombëtar. /Telegrafi/

Kapiteni i Serbisë vajton humbjen nga Shqipëria: Momenti më i vështirë në karrierë

12 October 2025 at 09:09


Humbja e Serbisë nga Shqipëria ka shkaktuar tronditje të madhe në kampin serb.

Në ndeshjen e zhvilluar në Leskovc, ku Shqipëria triumfoi me rezultatin 1:0, ekipi i drejtuar nga Dragan Stojkovic pësoi një goditje të rëndë në rrugën drejt Kupës së Botës 2026.

Atmosfera në stadium ishte e tensionuar, ndërsa kombëtarja shqiptare arriti një fitore historike falë golit në sekondën e fundit të pjesës së parë nga Rey Manaj, i cili ndezi entuziazmin e tifozëve kuqezi dhe la në heshtje gjithë publikun vendas.

Për Serbinë, kjo humbje përbën një nga momentet më të errëta të viteve të fundit, duke rrezikuar seriozisht shpresat për kualifikim.

Pas ndeshjes, kapiteni serb Aleksandar Mitrovic foli i zhgënjyer për mediat, duke pranuar se ky ishte momenti më i rëndë në karrierën e tij.

"Ky është momenti më i vështirë në karrierën e ekipit kombëtar. Një moment i vështirë, ditë të vështira për futbollin serb".

"Ndeshja ishte e egër, e vështirë, aspak e këndshme për t’u parë, e vështirë për t’u luajtur, pa asnjë shans. Pësuam një gol nga koha shtesë. Një humbje e rëndë, dhemb shumë. Periudha më e vështirë në 13 vitet e mia në ekipin kombëtar".

"I kërkojmë ndjesë kombit, popullit, që nuk arritëm të arrinim një rezultat të mirë. Bëmë më të mirën tonë, ajo ishte dita, topi nuk donte të shkonte në portë".

"Nuk mundëm të krijonim raste, një atmosferë e tensionuar. Si ekip, nuk luajtëm ndeshjen më të mirë. Duhet ta kujtojmë këtë ndjenjë, pas dy ose tre ditësh, nuk varet nga ne", tha Mitrovic. /Telegrafi/

“Duheshin bindur lojtarët që mund të fitonim këtu” — Sylvinho tregon sekretin e fitores ndaj Serbisë

12 October 2025 at 00:41


Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur pas fitores historike 1-0 ndaj Serbisë në Leskovac, duke zbuluar prapaskenat e përgatitjeve dhe frymën që e udhëhoqi ekipin drejt këtij suksesi të madh.

Braziliani theksoi se triumfi ishte fryt i punës së përqendruar dhe bindjes që skuadra duhej të kishte për ta besuar fitoren që nga dita e parë.

“Është një ditë e rëndësishme, një ndeshje e paharrueshme. Jam shumë krenar për të gjithë lojtarët, edhe për ata që nuk luajtën. Ishte një ndeshje e bukur, një hap i madh përpara, por jo fundi. Na presin edhe dy takime shumë të rëndësishme dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Grupi është i fortë dhe çdo pikë do të jetë vendimtare deri në fund”, deklaroi Sylvinho për TV Klan.

Tekniku brazilian tregoi se përgatitjet për këtë ndeshje ishin të detajuara dhe të fokusuara në çdo aspekt, nga videot analitike e deri te ndërtimi psikologjik i grupit.

“Skuadra punoi vetëm 6 ditë, por gjithçka ishte shumë e shpejtë dhe precize. Ishte një ndeshje që duhej përgatitur për të fituar, por edhe për të mos e humbur. Serbia ka lojtarë të mirë, situata e parë me Vlahovic mund të ishte e rrezikshme, por e menaxhuam mirë presionin dhe e mbajtëm ndeshjen nën kontroll”, shtoi ai.

Sylvinho theksoi se një nga çelësat e suksesit ishte besimi që u injektua te lojtarët.

“Duheshin bindur lojtarët që mund të fitonim këtu, dhe kjo ishte gjëja e parë që u thashë. Në momentin që besuan, gjithçka tjetër u bë më e lehtë”, deklaroi ai.

I pyetur për zgjedhjen e Myrto Uzunit në formacionin titullar, përzgjedhësi shpjegoi se vendimi ishte i menduar mirë.

“Broja përfitoi në ndeshjen e parë, Bajrami ishte shumë i mirë kundër Letonisë, Hoxha po ashtu në duelet një kundër një. Por i vetmi që sulmon hapësirat në mënyrë të vazhdueshme është Uzuni. E pamë këtë në analizë dhe vendosëm për të. Ai bëri shumë mirë në të dy pjesët e lojës”, shtoi Sylvinho.

- YouTube www.youtube.com

Në fund, ai vlerësoi shpirtin e skuadrës dhe bashkëpunimin e stafit teknik.

“Të gjithë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Çdo detaj u përgatit me kujdes. Kjo është një fitore që na jep besim, por jo vetëkënaqësi. Ne do të luftojmë deri në fund për ëndrrën tonë – kualifikimin në Kupën e Botës,” përfundoi Sylvinho. /Telegrafi/

Serbia s’e pranon assesi humbjen nga Shqipëria, shkarkon menjëherë përzgjedhësin Pixi

11 October 2025 at 23:48


Humbja e Serbisë ndaj Shqipërisë duket se ka qenë plotësisht e papranueshme për Federatën Serbe.

Nga ajo që raporton mediumi serb “Telegraf.rs”, Serbia menjëherë e ka shkarkuar përzgjedhësin Dragan Stojkovic Pixi.

“Pas ndeshjes kundër Shqipërisë në kualifikueset e Kupës së Botës në stadiumin "Dubocica" në Leskovac dhe humbjes 0:1, Dragan Stojkovic Pixi nuk është më trajner i ekipit kombëtar serb”, thuhet ndër të tjera në raportin e tyre.

Raporti shton se ka qenë kërkesë e të gjithë tifozëve largimi i Stojkovic, ndërsa Federata Serbe ua ka plotësuar dëshirën.

Stojkovic ishte përzgjedhës i Serbisë që nga viti 2021, ndërsa tashmë iu ka thënë lamtumirë tifozëve dhe i ka informuar të gjithë për vendimin e fundit.

Përndryshe, Shqipëria po e shijon këtë fitore historike ndaj Serbisë dhe me një fitore ndaj Andorrës do ta arrijnë kualifikimin në play-offin e Kupës së Botës./Telegrafi/

Flet heroi i shqiptarëve, Rey Manaj: I rrahëm në shtëpinë e tyre

11 October 2025 at 23:39


Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore të madhe në udhëtim ndaj Serbisë në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Golin e vetëm që i dha fitoren ‘Kuqezinjve’ e shënoi Rey Manaj në pjesën e parë të ndeshjes, një epërsi të cilën Shqipëria ia doli ta menaxhojë për mrekulli deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.

Pas përfundimit të ndeshjes Manaj tha se kjo ishte një ndër ditët më të bukura të jetës së tij, teksa shtoi se për e rëndësishme është që Shqipëria dhe Kosova janë krenarë me lojtarët e kombëtares.

Një nga ditët më të bukura të jetës sime. Pas ndeshjes së parë me Serbinë disa komente nuk i meritoja. Kemi familje, prindër, motra. Por i kam harruar ato”.

“E rëndësishme që e gjithë Shqipëria, e gjithë Kosova janë krenarë me qunat. Tani kemi edhe dy ndeshje dhe duhet të shohim para”.

“Në pjesën e parë mora një goditje në gju. Edhe Daku e meritonte të luante nga fillimi, si të gjithë të tjerët”.

“Nuk ka rëndësi kush luajti, por që Shqipëria i fitoi tri pikët. U them të gjithëve që të shijojnë këtë moment”.

“Para 11 viteve kemi luajtur me Serbinë, sonte i rrahëm në shtëpinë e tyre. Duhet të kënaqemi dhe të festojmë të gjithë”.

“Pasi shënova gol nuk e pash fare që mora karton. Unë festova me shqiponjë”, përfundoi Manaj./Telegrafi/

“11 vjet për ta fituar këtë ndeshje”, Hysaj flet pas triumfit në Serbi, komenton edhe rekordin që ia theu Lorik Canës

11 October 2025 at 23:31


Mbrojtësi Elseid Hysaj është i lumtur që pas plot 11 viteve fituan ndaj Serbisë, mirëpo iu kujtoi lojtarëve se ende rrugëtimi nuk ka përfunduar.

Shqipëria shënoi fitore historike në Serbi falë golit të Rey Manajt, i cili realizoi me një super vollej.

Pas ndeshjes, për media dha deklaratë Hysaj, që u shpreh më i lumtur se kurrë për këtë fitore të madhe.

“Ndeshja më në fund u fitua, 11 vjet për të fituar këtë ndeshje. Kemi gabuar dy ndeshje, për të cilat mund të ishim duke festuar edhe më shumë. Mos harrojmë që kemi edhe dy ndeshje të rëndësishme përpara. Gjithë festimi tregon që jemi një grup fantastik. Kemi pasur vështirësi në fillim, por ja që po ia dalim, shpresoj të vazhdojmë kështu. Sulmuesit tanë po shënojnë gola të rëndësishëm”.

Ai tregoi edhe një prapaskenë interesante, ku tha se për herë të parë doli në fushë dhe i bindi lojtarët se nuk do të jetë asgjë e veçantë, prandaj të mendojnë se po luajnë në Shqipëri.

“Unë nuk dal kurrë për të parë fushën, sot dola, iu thashë lojtarëve, që sot është qetë, duket sikur luajmë në Shqipëri, tifozët do të ndizën më vonë dhe kështu u bë”.

Përndryshe, Hysaj e barazoi rekordin e legjendës Lorik Cana për më së shumti paraqitje në fanellën e Shqipërisë. Për këtë rekord, ylli i Lazios rikujtoi deklaratën e Cristiano Ronaldos që thoshte “rekordet janë për t’u thyer”.

“Loriku e di që rekordet janë bërë për t’u thyer, është krenari për mua, për familjen, kur të rriten fëmijët, do t’iu them që babi juaj është i shkruar në librat e historisë. Mesazhi i parë ishte i gruas, së bashku me 3 fëmijët”, u shpreh Hysaj.

Shqipëria me një fitore ndaj Andorrës edhe matematikisht e siguron një vend në play-offin e Kampionatit Botëror./Telegrafi/

Myrto Uzuni pas fitores historike: Për Shqipërinë jam i gatshëm të vdes në fushë

11 October 2025 at 23:21


Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore të madhe në udhëtim ndaj Serbisë në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Golin e vetëm që i dha fitoren ‘Kuqezinjve’ e shënoi Rey Manaj në pjesën e parë të ndeshjes, një epërsi të cilën Shqipëria ia doli ta menaxhojë për mrekulli deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.

Pas përfundimit të ndeshjes shkurtimisht për mediat u prononcua Rey Manaj, i cili emocionoi me deklaratën e tij, duke thënë se është i gatshëm të vdes në fushë për Shqipërinë.

“Për këtë fanellë jam i gatshëm të jap çdo gjë dhe të vdes në fushë madje. Dua të sakrifikoj për ekipin kombëtar”.

“Nuk më intereson edhe në luaj mbrojtës i majtë. Sot kisha një kundërshtar të vështirë. Është fitore e madhe. Të gjithë kemi bërë punë shumë të madhe dhe jemi të lumtur që kemi hyrë në histori”.

"Unë pres momentin tim. E rëndësishme është që kemi fituar sonte. Është ndjesia më e mirë për futbollistin që të luajë për kombin e vet, të prezantojë familjen e vet”.

“Të paraqitem në Kupën e Botës në SHBA do të ishte gjëja më e bukur dhe dhurata më e bukur për mua”, ka thënë Uzuni./Telegrafi/

Publikohen pamjet, festë e çmendur e Shqipërisë në dhomat e zhveshjes pas fitores historike ndaj Serbisë

11 October 2025 at 23:11


Festë e madhe po zhvillohet në dhomën e zhveshjes, pasi Shqipëria regjistroi fitore të madhe në udhëtim te Serbia.

Goli i Rey Manajt ia fitoi pikët e plota “Kuq e Zinjve” në Leskovc, ndërsa iu afrohen shumë kualifikimit në play-offin e Kampionatit Botëror.

Pas ndeshjes, menjëherë ka nisur festa e çmendur e lojtarëve shqiptarë, ku të pranishëm ishin edhe përzgjedhësi Sylvinho e presidenti Armand Duka.

Në një video të publikuar nga “Top-Channel”, dëgjohet edhe tekniku brazilian “Do t’iu lë vetëm, por...”, mirëpo lojtarët shqiptarë nuk e lejuan pasi s’i ndalën festimet.



Kjo fitore do të mbahet mend në histori, meqenëse ishte e para për Shqipërinë kundër Serbisë.

Shqipëria kësisoj ka nevojë vetëm për një fitore ndaj Andorrës në mënyrë që të sigurojë play-offin e Botërorit 2026./Telegrafi/

"Shqipëria e tronditi Serbinë", si e përjetuan mediat serbe fitoren historike në Leskovc

11 October 2025 at 23:09


Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore të madhe në udhëtim ndaj Serbisë në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Golin e vetëm që i dha fitoren ‘Kuqezinjve’ e shënoi Rey Manaj në pjesën e parë të ndeshjes, një epërsi të cilën Shqipëria ia doli ta menaxhojë për mrekulli deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.

Kjo fitore historike e Shqipërisë nuk u prit aspak mirë nga mediat serbe, të cilat tashmë nuk kanë vonuar për të drejtuar gishtin tek përgjegjësit e kësaj humbje.

Kurir: “Serbia përjetoi një nga disfatat më të rënda në histori: Pixi, është koha! Shqipëria fitoi në Leskovac dhe eliminoi Serbinë nga Kupa e Botës”.

Telegrafi.rs: “Humbja e madhe e Serbisë dhe humbja nga Shqipëria në Leskovc: Kupa e Botës është larg, është koha që Pixi të largohet më në fund".

Mondo.rs: “Shqipëria tronditi Serbinë, Pixi po largohet u përsërit në Leskovc: Agonia vazhdon, Kupa e Botës vazhdon".

B92: “Debakli i Serbisë në Leskovc – një mesazh i qartë nga tribunat për Pixin”.

RTS: “Humbja e dhimbshme e Serbisë në Leskovc, Shqipëria më afër eliminatoreve të Kupës së Botës”.

Kjo fitore i dhemb shumë kundërshtarëve, por tani Shqipëria tashmë numëron 11 pikë dhe është e dyta në tabelë me gjasa reale që të kualifikohet në play-off./Telegrafi/

Notat e lojtarëve, Serbi 0-1 Shqipëri: Kuqezinjtë “pushtojnë” Leskovcin

11 October 2025 at 22:50


Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore të madhe në udhëtim ndaj Serbisë në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Golin e vetëm që i dha fitoren ‘Kuqezinjve’ e shënoi Rey Manaj në pjesën e parë të ndeshjes, një epërsi të cilën Shqipëria ia doli ta menaxhojë për mrekulli deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.

Lojtari më i mirë në fushë sipas Sofascore ishte portieri Thomas Strakosha i cili për gjashtë pritjet që bëri në këtë ndeshje, u vlerësua me notën 8.4

Me nota pozitive u vlerësuan gjithashtu edhe Rey Manaj (7.9), Berat Gjimshiti (7.5) dhe Mario Mitaj (7.3).

Dështimi i ndeshjes doli të jetë sulmuesi serb Dusan Vlahovic (6.2) i cili për 93 minuta qëndroi në “xhepin” e mbrojtjes kuqezi.

Notat e lojtarëve tjerë të të dyja ekipeve:

Rey Manaj hero, Shqipëria triumfon ndaj Serbisë dhe bën hapin gjigant drejt Botërorit

11 October 2025 at 22:41


Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore historike dhe tepër të rëndësishme në udhëtim te Serbia.

“Kuq e Zinjtë” fituan me rezultat minimal 0-1, falë supergolit të Rey Manajt.

Shqipëria e nisi mirë, për të rrezikuar fillimisht me Manaj që tentoi të shënonte me kokë.

Pas kësaj, Serbia krijoi disa raste të rrezikshme përmes Dusan Vlahovic, megjithatë mbrojtja “Kuq e Zi” ishte e pathyeshme pranë Thomas Strakoshës, që bëri super pritje gjithashtu.

Kur askush s’e priste, në skenë doli Rey Manaj që me një vollej të fuqishme e shtangu Serbinë për ta kaluar Shqipërinë në epërsi.

E më e bukura ishte festa me shqiponjë që qetësoi tifozët serbë, të cilët që nga fillimi i ndeshjes këndonin “Kosova është Serbi” ose “vdekje shqiptarëve”.

Pjesa e dytë pastaj ishte më e qetë, Shqipëria ishte më e sigurt dhe e ruajti më së miri rezultatin. Pavarësisht dominimit në posedim, nikoqirët nuk është që krijuan ndonjë rast që vlen të ceket.

Shqipëria gjithashtu kishte rastin e artë për ta vulosur fitoren, mirëpo në minutën e fundit të kohës shtesë Nedim Bajrami dështoi të shënonte përballë portierit serb.

Kësisoj, Shqipëria është vetëm një fitore larg sigurimit të play-offit për Kampionatin Botëror, për të mbledhur 11 pikë në grupin K, katër më pak se Anglia derisa Serbia renditet e treta me shtatë sosh./Telegrafi/

Skandaloze: Nisin thirrjet “Kosova është Serbi” në Leskovc

11 October 2025 at 21:11


Ashtu siç pritej, tifozët serbë pas vetëm 15 minutave lojë treguan fytyrën e vërtetë, duke bërtitur “Kosova është Serbi”.

Në përballjen që po zhvillohet në Leskovc mes Serbisë dhe Shqipërisë, tifozët nikoqir bën sërish gjestin e shëmtuar.

“Kosova është Serbi” u këndua nga tifozët përreth një minutë, megjithatë nuk kishte ndonjë reagim nga gjyqtari për ta ndalur ndeshjen.


Kosovo - Srbija!

Poslušajte atmosferu u Leskovcu nakon 15ak minuta igre...

[https://t.co/wAcii8sr4E]#kosovo #kosova #srbija #serbia #albania #albanija #orlovi pic.twitter.com/xL21uNPBlC
— Sport Klub (@sportklub) October 11, 2025


Mbetet të shihet nëse do të vazhdojë e njëjta në minutat e mbetur, me Shqipërinë që deri më tani ka pasur rastin e vetëm në ndeshje, përmes Rey Manaj.

Serbia aktualisht po mban posedimin por nuk ka krijuar as edhe një rast të rrezikshëm./Telegrafi/

Pamje nga zhveshtorja e Shqipërisë, lojtarët bëhen gati me këngë të Ilir Shaqirit

11 October 2025 at 20:13


Ka mbetur më pak se një orë para se të fillojë dueli mes kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë.

‘Kuqezinjtë’ do të përballen me Serbinë në Leskovc në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Para fillimit të kësaj ndeshje tashmë po qarkullon një video nga zhveshtorja e Shqipërisë.

Aty shihen lojtarët teksa po bëjnë përgatitjet e fundit para ndeshjes dhe këtë e bënin nën ritmin e këngëve të Ilir Shaqirit.

Lojtarët e Shqipërisë dëgjojnë këngët e Ilir Shaqirit para ndeshjes

Kjo ndeshje para se gjithash do të jetë shumë e rëndësishme për lojtarët jo vetëm në aspektin profesional por edhe në atë emocional.

Kujtojmë se në takimin e fundit mes këtyre dy kombëtareve të zhvilluar në Tiranë, ndeshja kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0-0./Telegrafi/

Veç një lojtar nga Kosova titullar, formacionet zyrtare Serbi – Shqipëri

11 October 2025 at 18:59


Kombëtarja e Shqipërisë është mysafir i Serbisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.

“Kuq e Zinjtë” do ta zhvillojnë sfidën jetike ndaj serbëve në Leskovc, kurse përzgjedhësi Sylvinho ka vendosur një formacion diplomatik për 11-shen bazë.

Vetëm Arlind Ajeti nga Kosova do të jetë në formacionin titullar të Shqipërisë, me teknikun brazilian që ka vendosur t'ia besoj sulmin treshes Armando Broja, Rey Manaj e Mryto Uzuni.

Formacionet zyrtare:

Serbi: Pas pak...

Shqipëri: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Laçi, Shehu; Broja, Manaj, Uzuni.



Përballja përndryshe do të nis me fillim nga ora 20:45./Telegrafi/

❌
❌