Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Hakan Sukur “befason” me vlerësimin për Kosovën: Mund të ishte edhe e para në grup, Turqia nuk do ta ketë të lehtë

21 November 2025 at 15:21


Legjenda turke, Hakan Sukur ka lavdëruar fuqishëm Kombëtaren e Kosovës në podcastin e tij, duke thënë se arritja në ‘play-off’ është e jashtëzakonshme duke parë grupin tepër të vështirë. Sukur theksoi se Kosova nuk duhet nënvlerësuar nga askush dhe paralajmëroi Sllovakinë për “kurthin” e Dardanëve. Ai vlerësoi lart disa lojtarë të Kosovës dhe disiplinën e ekipit, duke shtuar se edhe Turqia do ta ketë shumë vështirë ndaj fituesit të kësaj përballjeje.

Hakan Sukur, një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit turk, ka folur me superlativa për Kosovën në podcastin e tij.

Ai theksoi prejardhjen e tij nga Prishtina dhe u ndal te rrugëtimi i Dardanëve, duke theksuar se arritja në një grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë nuk duhet nënvlerësuar.

Sipas tij, Kosova kishte potencial të përfundonte edhe e para në grup, falë disiplinës dhe planit të qartë të lojës që tregoi përgjatë gjithë kualifikimeve.

“Kosova është atdheu i babait tim. Babai im ka lindur në Prishtinë. Kosova kur ta shikoni grupin ku ishte Zvicra, Sllovenia e Suedia, nuk duhet të nënvlerësohet arritja e tyre. Kosova ka dal prej ish-Jugosllavisë, vende që janë minierë për sportistë. Kosova përfaqëson pjesën e fortë. E vërtetë që Kosova ka humbur nga Rumania 3-0 (kundërshtari i Turqisë), por shikoni Kosova ka arritur të sigurojë një vend në ‘play-off’ në këtë grup të vështirë. Kur t’i shikoni rezultatet e Kosovës, ka mundur që të përfundojë edhe e para në këtë grup”, ka thënë fillimisht Sukur.

Sukur paralajmëroi se edhe pse shpesh konsiderohet “hallka më e dobët”, Kosova është shumë e fortë dhe e rrezikshme, sidomos për Sllovakinë. Ai u ndal te cilësitë individuale të lojtarëve si Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, duke theksuar se Dardanët luajnë futboll sulmues dhe fizik.

“Edhe nëse shihet si hallka më e dobët në këtë fazë, Sllovakia nuk do ta ketë lehtë. Nuk dihet nëse Sllovakia do të luajë si kundër Gjermanisë dhe nëse luan një lojë ofensive, atëherë mund të bie në kurthin e Kosovës”.

- YouTube youtu.be

“Kosova si e dyta, është shumë më e mirë se Rumania. Shikoni grupin e Kosovës, të gjitha ekipet kanë pasur gjasa ta mundin njëra-tjetrën, por duket se Kosova me një plan dhe disiplinë, ka arritur këtë sukses”.

“Kosova ka lojtar të mirë, si Milot Rashica dhe Vedat Muriqi. Kosova është një ekip i mirë, një ekip sulmues. Muriqi është një sulmues që luan në Spanjë. Ai nuk është i shpejt, por në ajër është shumë i mirë dhe di ta shfrytëzojë shumë fizikun që e ka”.

Sipas Sukur, përballja Kosovë–Sllovaki do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, dhe pavarësisht kush kalon, edhe Turqia do të përballet me sfidë serioze në ndeshjet e ‘play-off’-it.

“Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë do të jetë shumë e vështirë. Cila do që kalon tutje, unë e di se Turqia do ta ketë shumë vështirë sepse këto ndeshja janë për kualifikimet në botëror. Janë dy ndeshje dhe çdo gjë varet edhe prej kushteve të tjera”, përfundoi legjenda turke. /Telegrafi/

Këto janë të gjitha çiftet e ‘play-off’-it për kualifikimin në Kampionatin Botëror

20 November 2025 at 14:22


Sot (e enjte), 20 nëntor 2025 është hedhur shorti i ndeshjeve të “play-off”-it evropian dhe ndërkontinental për gjashtë vendet e mbetura për Kupën e Botës 2026, ku të gjitha ekipet kombëtare kanë mësuar kundërshtarët.

Ka përfunduar me sukses dhe pa shumë bujë shorti i hedhur në Cyrih të Zvicrës për t’i mësuar çiftet gjysmëfinale dhe finale të mundshme për ndeshjet eliminatore ndërkontinentale dhe evropiane.

Fillimisht u hodh shorti për çiftet ndërkontinentale, ku gjashtë kombëtare luajnë për dy vende.

Kaledonia e Re do të luajë ndaj Xhamajkës, ndërsa fituesi i tyre do të ndeshet me Republikën Demokratike të Kongës për një vend në Kupën e Botës, teksa në ndeshjen tjetër, fituesi i takimit Bolivi-Suriname luajnë ndaj Irakut.

Nga Evropa janë 16 kombëtare që luajnë për katër vende në Kupën e Botës, ku Kosova do të luajë në gjysmëfinale me Sllovakinë, ndërsa në finale me fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani.

Në anën tjetër, Shqipëria në gjysmëfinale do të ndeshet me Poloninë dhe në finale me fituesin e takimit Ukrainë-Suedi.

The European Play-Offs for the #FIFAWorldCup 🌍

Which four are headed to #WeAre26? 🙌 pic.twitter.com/ssnMXLRgYB
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) November 20, 2025

Çiftet e play-off-eve evropiane:

Itali - Irlanda e Veriut

Ukrainë - Suedi

Turqi - Rumani

Danimarka - Maqedonia e Veriut

Uells - Bosnjë dhe Hercegovinë

Poloni - Shqipëri

Sllovakia - Kosova

Republika Çeke - Republika e Irlandës


Play-off-i ndërkontinental

Kaledonia e Re - Xhamajka (fituesi në finale shkon te Republika Demokratike e Kongos).

Bolivi - Surinami (fituesi në finale luan në udhëtim te Iraku)


Detajet e finaleve

Fituesi i ndeshjes midis Ukrainës dhe Suedisë do të presë ndeshjen midis Polonisë dhe Shqipërisë.

Fituesi i duelit Çeki - Irlandë do të presë në finale Danimarkën ose Maqedoninë e Veriut.

Fituesi i duelit midis Sllovakisë dhe Kosovës do të jetë nikoqir në finalen midis Turqisë dhe Rumanisë.

Fituesi i duelit Uells - Bosnjë dhe Hercegovinë do të jetë vendi pritës kundër fituesit të duelit midis Italisë dhe Irlandës së Veriut.

Datat e gjysmëfinaleve dhe finaleve

Ndeshjet e para gjysmëfinale janë paraparë të zhvillohen me datë 26 mars, teksa ato finale më 31 mars 2026.

/Telegrafi/

Shqipëria mëson kundërshtarin e gjysmëfinales dhe finales së mundshme të ‘play-off’-it për Kupën e Botës

20 November 2025 at 13:38


Kombëtarja e Shqipërisë ka mësuar tashmë kundërshtarin në gjysmëfinale dhe kundërshtarin e mundshëm në finalen e madhe të ‘play-off’-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Nga ora 13:00 është hedhur shorti në Cyrih të Zvicrës, ku 16 kombëtaret evropiane që marrin pjesë në ‘play-off’ kanë mësuar kundërshtarët e tyre.

Njëra nga ekipet pjesëmarrëse është edhe kombëtarja e Shqipërisë, e cila do të ndeshet në gjysmëfinale me kombëtaren e Polonisë.

Përveç kësaj, është mësuar edhe kundërshtari i mundshëm i finales së madhe, ku do të luajnë me fituesin e ndeshjes Ukrainë-Suedi.

Vlen të theksohet gjithashtu se Kombëtarja e Kosovës do të ndeshet në gjysmëfinale me Sllovakinë, ndërsa në finale me fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani.

Ndeshjet e ‘play-off’-it do të zhvillohen në muajin mars të vitit 2026. /Telegrafi/


Kanë mbetur edhe gjashtë vende për Kupën e Botës, këto janë të gjitha përfaqësueset që luajnë në fazën eliminatore

19 November 2025 at 16:00


Pas ndeshjeve të mbrëmshme, dihen 42 pjesëmarrësit e Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, dhe gjashtë vendet tjera do të sigurohen përmes ndeshjeve të ‘play-off’-it.

Gjashtë vendet e mbetura do të sigurohen përmes ndeshjeve të ‘play-off’-it - katër nga Evropa dhe dy përmes ‘play-off’-it ndërkontinental.

Sa i përket ‘play-off’-it evropian, 16 ekipe do të ndahen në katër vazo në të cilat do të luhen gjysmëfinalet dhe finalja. Do të luhet nga një ndeshje, dhe fituesit pastaj do të luajnë mes vete.

Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina janë në vazon e parë, Republika Çeke, Sllovakia, Polonia dhe Uellsi në të dytën, Bosnje dhe Hercegovina, Irlanda, Kosova dhe Shqipëria në të treten dhe Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut në të katërtën.

Në barazhin ndërkontinental, gjashtë ekipe do të luftojnë për dy vende, dhe sistemi i garave do të jetë i ndryshëm nga ai në Evropë.

Bolivia, Xhamajka, Kaledonia e Re dhe Surinamet do të kualifikohen në gjysmëfinale, ndërsa fituesit do të kalojnë në finale ku do të luajnë kundër Irakut dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Shorti për të dyja eliminatoret do të mbahet nesër në orën 13:00, ndërsa ndeshjet do të luhen në mars të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/

Zvicra bindëse, Suedia dorëzohet – helvetikët fitojnë dhe vulosin kualifikimin në Kampionatin Botëror

15 November 2025 at 22:49


Zvicra ka regjistruar një fitore të thellë 4-1 ndaj Suedisë në xhiron e pestë të fazës kualifikuese për Kupën e Botës 2026, një rezultat që jo vetëm e konfirmon formën e shkëlqyer të ekipit të Murat Yakin, por edhe vulos matematikisht pjesëmarrjen e tyre në Botërorin e ardhshëm.

Helvetikët e nisën fuqishëm ndeshjen dhe kaluan në epërsi që në minutën e 12-të, kur Breel Embolo gjeti rrjetën pas asistimit të Dan Ndoye.

Suedia arriti të barazojë në minutën e 33-të me Benjamin Nygren, i cili shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës.

Pjesa e dytë ishte totalisht në kontroll të Zvicrës. Fillimisht, Granit Xhaka shënoi nga pika e bardhë në minutën e 60-të, pas një vendimi të konfirmuar nga VAR.

Dan Ndoye e çoi rezultatin në 3-1 në minutën e 75-të, duke mbyllur praktikisht ndeshjen.

Kur u mendua se gjithçka kishte marrë fund, Johan Manzambi realizoi golin e katërt në minutën e 90+4, pas një aksioni të bukur me Miro Muheim.

Grupi kryesohet nga Zvicra me 13 pikë. Sllovenia mbetet në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Suedia mbyll renditjen me vetëm 1 pikë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Sot Kosova nis hapat drejt historisë: Dy ndeshje, dy skenarë për ëndrrën e madhe të quajtur Kupa e Botës

15 November 2025 at 16:49


Kombëtarja e Kosovës sot hyn në fazën më vendimtare dhe emocionuese të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

“Dardanët” i presin dy finalet e fundit të Grupit B – dy përballje që mund të vendosin fatin e një ëndrre që prej vitesh pritet: pjesëmarrjen historike në “Play-Off”, madje edhe kualifikimin e drejtpërdrejtë në Kupën e Botës.

Lajmi më i mirë është se Kosova për këto dy sfida i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, me grupin në formë të shkëlqyer dhe me moral të lartë pas paraqitjeve të fundit.

E shtunën (sot), Kosova luan në Slloveni, një duel të rëndësishëm ndaj vendasve. Tre ditë më pas, më 18 nëntor, në “Fadil Vokrri”, Dardanët do të përballen me Zvicrën në një ndeshje që potencialisht mund të vendosë gjithçka.

Ndërkohë, në grup zhvillohen edhe dy duele të tjera vendimtare: Zvicra përballet me Suedinë këtë fundjavë, ndërsa më pas Suedia do të luajë ndaj Sllovenisë.

Renditja aktuale i jep Kosovës mundësinë që historia të shkruhet me një pikë në Slloveni. Një barazim do ta siguronte matematikisht Play-Off-in, duke e futur Kombëtaren e Kosovës për herë të parë mes elitës së ekipeve që luftojnë për një vend në Botëror.

Por ekziston edhe një skenar akoma më i bukur – kualifikimi i drejtpërdrejtë në Kupën e Botës 2026. Për këtë, Kosova duhet të fitojë në Slloveni dhe të shpresojë që Zvicra të mos marrë tri pikë kundër Suedisë.

Një epilog i tillë do ta kthente ndeshjen e 18 nëntorit në Prishtinë në një finale historike për futbollin kosovar.

Në konferencën përzgjedhësi Franco Foda u shpreh optimist, por me këmbë në tokë, duke treguar se një pikë është synimi primar.

“Që në fillim kam thënë se çdo gjë do të mbetet e hapur deri në fund. Çdo rezultat është i mundur. Fokusi ynë është tek ndeshja me Slloveninë – synojmë të marrim të paktën një pikë për ta siguruar Play-Off-in, e më pas të shohim tutje”, deklaroi ai.

Nën drejtimin e Fodës, Kosova ka treguar rritje të dukshme në lojë, disiplinë dhe mentalitet fitues. Fitorja ndaj Suedisë dhe barazimi me Slloveninë kanë rikthyer besimin se kjo gjeneratë mund të shkojë më larg se çdo herë më parë.

Nëse Dardanët arrijnë Play-Off-in – ose edhe më shumë – futbolli kosovar do të shkruajë një tjetër kapitull të artë. Ky moment do të jetë dëshmi e punës së palodhur të viteve të fundit dhe e shpirtit luftarak që kjo skuadër ka treguar në çdo ndeshje. /Telegrafi/


Standings provided by Sofascore

Adrian Bajramit i kthehet ‘boomerang’, Zvicra e lë në tribunë për përballjen me Suedinë

15 November 2025 at 16:26


Përzgjedhësi i Zvicrës Murat Yakin e ka lënë qendërmbrojtësin Adrian Bajrami në tribuna për përballjen ndaj Suedisë.

Zvicra me një fitore në shtëpi ndaj Suedisë mund ta sigurojë kualifikimin për në Kupën e Botës, ndërsa në rast që lëshojnë pikë dhe njëkohësisht Kosova fiton ndaj Sllovenisë, atëherë gjithçka do të vendoset në Prishtinë.

Sidoqoftë, shkaku që ka ftuar 25 lojtarë, Yakin është detyruar të lërë në tribunë dy prej tyre, e një nga të “sakrifikuarit” është Bajrami, i cili la Shqipërinë për ta përfaqësuar Zvicrën muajin e kaluar.

Adrian Bajrami

Përpos Bajramit, në tribunë ka mbetur Luca Jaquez.

Kujtojmë, përballja mes Zvicrës dhe Suedisë do të fillojë me fillim nga ora 20:45./Telegrafi/

Graham Potter po ndryshon Suedinë: Formacionin 4-4-2, unitet dhe një shans që mund të ndihmojë edhe Kosovën

12 November 2025 at 19:25


Suedia ndodhet në një periudhë delikate të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, me vetëm një pikë në katër ndeshje, ndërsa çdo ndeshje e radhës ka peshë vendimtare.

Në krye të skuadrës është trajneri anglez Graham Potter, i cili po tenton t’i japë ekipit një identitet të ri, të balancuar taktikisht dhe më të bashkuar si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, shkruan fotbollskanalen.

Përballja e së shtunës ndaj Zvicrës në Gjenevë shihet si testi i parë i madh për Suedinë e re, dhe në mënyrë të tërthortë mund të ndikojë edhe në fatet e Kosovës – pasi një rezultat pozitiv i suedezëve do ta mbante të hapur garën për vendin e parë në grup, nëse Dardanët arrijnë fitore në Lubjanë ndaj Sllovenisë.

Ndryshimi taktik – mbrojtje më kompakte dhe organizim më i qartë

Pas pak javësh pune, Potter ka nisur të ndryshojë strukturën taktike të skuadrës. Stërvitjet e fundit janë fokusuar në organizimin mbrojtës dhe lojën pozicionale, duke kaluar nga markimi individual drejt një mbrojtjeje zonale, më të qëndrueshme dhe të disiplinuar.

Suedezët po i afrohen më shumë sistemit 4-4-2, me theks të veçantë te bashkëpunimi dhe komunikimi mes reparteve. Për trajnerin anglez, rëndësi nuk kanë vetëm numrat në formacion, por mënyra si ekipi lëviz dhe ruan ekuilibrin gjatë lojës.

Unitet dhe besim në grup

Përveç ndryshimeve në fushë, Potter ka sjellë edhe një qasje të re brenda grupit. Ai ka kërkuar nga lojtarët që të ndajnë përvojat personale dhe frymëzimet e tyre, duke krijuar ndjesinë e përgjegjësisë dhe krenarisë kombëtare. Qëllimi i tij është të rikthejë frymën e unitetit, diçka që Suedia e ka humbur në periudhat e fundit.

Gjithashtu, trajneri po përpiqet të ndërtojë transparencë dhe komunikim më të mirë me median dhe publikun, duke synuar që të gjithë të ndihen pjesë e së njëjtës rrugë drejt suksesit.


Pika ndaj Zvicrës – më shumë se rezultat

Ndeshja e së shtunës në Gjenevë pritet të jetë një sfidë kyçe për Suedinë, që kërkon të rikthehet në garë përmes një rezultati pozitiv. Një barazim apo fitore do të ishte sinjali i parë se skuadra po reagon ndaj metodave të reja të Potterit.

Por, një rezultat i tillë do të kishte ndikim edhe për Kosovën, e cila përballet në të njëjtën ditë me Slloveninë. Nëse Suedia ndal Zvicrën dhe Kosova fiton në Lubjanë, situata në grup do të hapet plotësisht, duke e futur Dardaninë në luftë të drejtpërdrejtë për vendin e parë.

Kështu, ndërsa suedezët kërkojnë pikët e ringjalljes në Gjenevë, sytë e Kosovës do të jenë gjithashtu aty – me shpresën se ndryshimi që po ndodh në Stokholm mund të ndikojë pozitivisht edhe në fatin e Dardanëve. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Suedezi nuk mundi të luante futboll për muaj të tërë për shkak të një sëmundjeje "misterioze"

11 November 2025 at 12:49


Lojtari i ekipit kombëtar suedez të futbollit, Carl Starfelt, është goditur nga një pengesë e pazakontë javët e fundit, pasi, besoni ose jo, ai qëndroi jashtë fushave për dy muaj për shkak të mykut në shtëpinë e tij.

Mjekët e tij nuk mundën të përcaktonin shkakun e sëmundjes së tij për dy muaj, klubi më pas nisi një hetim më të detajuar dhe në fund u zbulua një shkak krejtësisht i papritur i gjendjes së dobët shëndetësore të qendërmbrojtësit të Celta Vigos.

Konkretisht, në muret e shtëpisë së tij u vu re myk i fortë dhe mjekët arritën në përfundimin se ky ishte shkaku i gjendjes së keqe të suedezit.

🚨 𝗗𝗜𝗗 𝗬𝗢𝗨 𝗞𝗡𝗢𝗪: Celta Vigo player Carl Starfelt was sidelined for about 2 months due to persistent sickness that doctors struggled to pinpoint.

The club launched investigations into his condition, looking for an answer.

Severe mold was discovered in his house. The… pic.twitter.com/ziK9cqd7pK
— The Touchline | 𝐓 (@TouchlineX) November 9, 2025

Starfelt u largua nga ajo shtëpi menjëherë pas kësaj, dhe shpejt u shërua dhe filloi të luante për Celtan.

Suedezi është anëtar i Celta Vigos që nga viti 2023, kur mbërriti në një transferim me vlerë pesë milionë euro nga Celticu, dhe sot është një nga zëvendës kapitenët e ekipit spanjoll.

Më parë, ai luajti edhe për Rubin Kazanin dhe ekipet suedeze Goteborg dhe Brommapojkarna, ku edhe u rrit. /Telegrafi/

Graham Potter publikon listën e Suedisë për ndeshjet e nëntorit, rikthehet Besfort Zeneli

5 November 2025 at 13:09


Përzgjedhësi i Suedisë, Graham Potter ka përzgjedhur skuadrën që do të luajë në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Zvicrës dhe Sllovenisë në mujin nëntor.

Dy javë më parë, Potter u prezantua si përzgjedhës i ri i ekipit kombëtar të meshkujve pas shkarkimit të Jon Dahl Tomasson.

Koha deri në prezantimin e sotëm të skuadrës ka qenë e shkurtër, por Graham Potter dhe stafi i tij kanë punuar intensivisht për të zgjedhur 25 futbollistë.

Në listën e Potter nuk mungojnë yjet e mëdha të kombëtares si Aleksander Isak, Viktor Lindelof, Anthony Elanga dhe Isak Hien.

Graham Potters första trupp ✅

VM-kval borta mot Schweiz och hemma mot Slovenien väntar.

Biljetter mot Slovenien 18 november
🎟️ https://t.co/OIhklUHRC9 pic.twitter.com/uhJEjRCwsT
— Svensk Fotboll (@svenskfotboll) November 5, 2025

Rikthimi i madh është ai i Besfort Zenelit, ndërsa mungesat e madhe për këto dy ndeshje janë Viktor Gyokeres, Niclas Eliasson dhe Dejan Kulusevski, të tre për shkak të lëndimeve.

Përveç kësaj ka edhe dy emra të rinj që ftohet për herë të parë si Taha Ali nga Malmo FF dhe Gustav Lundgren nga Gais.

Ndryshe, ndeshja e parë e Suedisë ndaj Zvicrës do të luhet në udhëtim të shtunën, më 15 nëntor, ndërsa ajo ndaj Sllovenisë më 18 nëntor në shtëpi. /Telegrafi/

“Të kualifikohemi direkt nga vendi i parë”, Lindon Emërllahu beson se Kosova do të shkojë në Botëror

20 October 2025 at 13:10


Kombëtarja e Kosovës ka kualitetin dhe potencialin për t’u kualifikuar direkt nga vendi i parë në Kampionatin Botëror, kështu ka deklaruar mesfushori Lindon Emërllahu në një intervistë për Telegrafin.

Emërllahu ishte i suspenduar në barazimin 0-0 ndaj Sllovenisë, megjithatë luajti si inkuadrues në fitoren e madhe të Kosovës në udhëtim te Suedia (0-1).

Ylli i Clujit në një intervistë për Telegrafin deklaroi se “Dardanët” morën tre pikë të arta në Suedi, ndërsa duhet të jenë të bashkuar që ta realizojnë ëndrrën.

“Ndeshja me Suedinë ishte një fitore shumë e madhe për ne duke marrë parasysh renditjen në tabelë, kemi marrë tre pikë të arta dhe të vazhdojmë kështu të bashkuar drejt ëndrrës së madhe”.

Lindon Emërllahu ndaj Suedisë

Kosova vazhdimisht ndër vite problemin kyç e ka pasur te mesfusha. Megjithatë, me ardhjen e yjeve si Elvis Rexhbecaj, Leon Avdullahu e Veldin Hoxha mesfusha është bërë pika më e fortë e jona.

I lumtur me këtë kualitet të mesfushës po ndahet edhe Emërllahu, i cili e pranoi se po e ka të lehtë të kuptohet me “bashkëlojtarët e rinj”.

“Mesfusha tani ka shumë kualitet. Secili lojtar e luan rolin e vetë dhe në fushë besoj që kuptohemi shumë mes vete, nuk është aspak e vështirë të luash aty ku është kualiteti”.

Ish futbollisti i Ballkanit gjithashtu beson se Kosova mund të kualifikohet direkt nga vendi i parë, ndërsa konfirmoi se me bashkëlojtarët vazhdimisht po e diskutojnë mundësinë që të jenë të kualifikuar në Botëror.

“Në nëntor kemi ndeshje me rëndësi, do të shkojmë ndeshje pas ndeshje dhe të paraqitemi sa më mirë që është e mundur edhe pse jo të kualifikohemi direkt nga vendi i parë. Shpresoj shumë që do të arrijmë këtë gjë”.

“Normal është diskutim pasi që kur ke mundësinë edhe bisedimet ndodhin mes lojtarëve. Është ëndërr që të shkojmë në Botëror, kemi kualitetin dhe potencialin”.

Emërllahu ndër të tjera foli edhe për periudhën që këtë edicion po kalon te CFR Cluj, skuadër që nuk e nisi mirë sezonin por këto xhirot e fundit kanë filluar të këndellen.

Ai nënvizoi se synimi i vetëm i Clujit është dalja në Evropë, kurse personalisht ka për qëllim që të përmirësohet edhe më shumë

“Edicioni nuk ka filluar shumë mirë për ne, patëm vështirësi në disa ndeshje por tani kemi nisur ta marrim vetën si ekip. Synimi këtë sezon është dalja në Evropë dhe besoj që do ta arrijmë në fund të sezonit”.

“Forma ime dita ditës po shkon duke u rritur dhe synoj të vazhdoj me këtë ritëm. Gjithashtu dua të shënoj dhe asistoj sa më shumë që të mundem”, përfundoi ai për Telegrafin.

Emërllahu vazhdon të jetë një ndër lojtarët që preferohet shumë nga Foda, me teknikun gjerman që po i jep zakonisht minuta pavarësisht që nuk po e nis nga fillimi shkaku se përballë ka dyshen që po luajnë në Bundesliga, pra Elvis Rexhbecajn e Leon Avdullahun.

Kujtojmë, Kosova në nëntor udhëton për në Slloveni e pastaj e pret Zvicrën në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/

Humbja nga Kosova i la me pasoja, Suedia zyrtarisht emëron përzgjedhësin e ri​

20 October 2025 at 09:55


Graham Potter është zyrtarisht përzgjedhësi i ri i ekipit kombëtar të Suedisë. Objektivi i tij kryesor është të rikthejë ekipin në Kupën e Botës që do të zhvillohet në verën e vitit 2026.

Emërimi i tij vjen pas fillimit zhgënjyes në kualifikueset e Botërorit, ku Suedia mori vetëm një pikë në katër ndeshje.

Si pasojë, federata vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin e mëparshëm, Jon Dahl Tomasson pas humbjes së dytë nga Kosova 0-1.

Potter do të marrë drejtimin e skuadrës nga e hëna, më 20 tetor. Marrëveshja e tij mbulon fazën aktuale kualifikuese dhe do të zgjatet automatikisht nëse Suedia arrin të kualifikohet në Kupën e Botës.



“Jam shumë i nderuar dhe i motivuar për këtë detyrë. Suedia ka lojtarë të shkëlqyer që luajnë në nivelet më të larta. Synimi im është të krijoj kushtet që ekipi të japë maksimumin për të arritur Botërorin", tha Poter.

Suedia nuk ka gjasa që nga Grupi B të kualifikohet, por do të tentojë ta bëjë këtë nga Play-Off ku do të jetë aty falë ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

50-vjeçari anglez njihet mirë me futbollin suedez, pasi gjatë viteve 2011–2018 drejtoi me sukses Östersunds FK, duke e çuar deri në garat evropiane.

Pas periudhës në Suedi, ai ka drejtuar klube si Swansea City, Brighton & Hove Albion, Chelsea dhe West Ham në Ligën Premier. /Telegrafi/

Thuajse e kryer, Suedia afër marrëveshjes me ish trajnerin e disa klubeve të Ligës Premier

17 October 2025 at 18:38


Federata e Suedisë është afër ta mbyllë marrëveshjen me trajnerin Graham Potter.

Pas humbjes nga Kosova, Suedia për herë të parë në histori vendosi të shkarkojë përzgjedhësin, kurse vetëm disa ditë më vonë Potter iu vetëofrua.

Marrëveshja mes dy palëve tani duket se po mbyllet, me ish trajnerin e Chelseas që do të nënshkruajë fillimisht një kontratë afatshkurtër, deri në marsin e vitit 2026.

Gazetari Fabrizio Romano konfirmon se negociatat mes palëve janë në fazën finale, me teknikun anglez që dëshiron ta ndihmojë shtetin që ia dha mundësinë të bëhet trajner në fillimin e karrierës.

“Federata Suedeze është afër ta punësojë Graham Potterin si përzgjedhësi i ri”.

“Marrëveshja e shkurtër deri në mars pasi fokusi është të kualifikohen për Kupën e Botës 2026”.

“Potter dëshiron ta ndihmojë shtetin që ia dha mundësinë për të hyrë në futboll. Bisedimet në fazën finale”, shkroi ai ndër të tjera.


🚨🇸🇪 Swedish Federation closing in on appointing Graham Potter as new head coach.

Initial short term deal until March to focus on getting to the World Cup 2026.

Potter wants to help the country that gave him his break in football. Talks at final stages. pic.twitter.com/S0UZfbE0Yq
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) October 17, 2025


Në rast që gjithçka shkon sipas planit, testi i parë i Potter do të jetë Zvicra – ku në rast të ndonjë fitore befasuese atëherë do t’i konvenonte më së shumti Kosovës.

Kujtojmë, nëse Zvicra lëshon pikë ndaj Suedisë dhe njëkohësisht Kosova e mposht Slloveninë atëherë fituesi i grupit, ose thënë më mirë kombëtarja që shkon në Kupën e Botës 2026 do të vendoset në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/

E shkarkuan përzgjedhësin pas humbjes nga Kosova, Suedisë i ofrohet trajneri i njohur anglez

16 October 2025 at 15:33


Ish-trajneri i Chelseat, Graham Potter, ka pranuar publikisht se është i gatshëm të marrë drejtimin e Kombëtares së Suedisë, teksa aktualisht ndodhet në vendin skandinav dhe po shqyrton të ardhmen e tij pas aventurës në Ligën Premier.

Suedia është në kërkim të një përzgjedhësi të ri, pasi shkarkuan Jon Dahl Tomasson pas humbjes nga Kosova, si pasojë e rezultateve negative në këto kualifikuese, meqenëse renditen në pozitën e fundit të tabelës me vetëm një pikë.

“Jam aktualisht në Suedi, në shtëpinë time këtu. Jam mes dy punëve, sapo kam lënë Ligën Premier. Jam i hapur për çdo mundësi ku mendoj se mund të ndihmoj. Detyra e trajnerit të kombëtares suedeze është fantastike”, deklaroi Potter për Fotbollskanalen.

Anglezi 50-vjeçar është i njohur në Suedi për periudhën e tij të suksesshme me Ostersund, klub që e udhëhoqi nga kategoria e dytë deri në elitë, duke fituar Kupën e Suedisë dhe siguruar pjesëmarrjen historike në Ligën e Evropës, përpara se të transferohej në Angli.

Graham Potter

Pas aventurave me Swansea, Brighton, Chelsea dhe West Ham, Potter thekson se financat nuk janë më një faktor vendimtar në vendimmarrjet e tij.

“Kam qenë me fat që kam pasur një karrierë të tillë. Kjo më ka vendosur në një pozitë shumë të mirë financiarisht. Tani kam arritur në një pikë ku nuk më duhet të mendoj për aspektin financiar për të pranuar apo refuzuar një punë”.

Suedia mund t’i bëj një nder Kosovës muajin e ardhshëm pasi nëse arrin ta ndalë Zvicrën dhe njëkohësisht “Dardanët” e mposhtin Slloveninë, atëherë kombëtarja që do të shkojë në Kupën e Botës 2026 do të vendoset në Prishtinë./Telegrafi/

“Kosova është gati për ëndrrën e madhe”, flet Kreshnik Hajrizi, lojtari që la në hije yjet e Suedisë

14 October 2025 at 20:19


Besimi, disiplina dhe uniteti – janë këto fjalët që përshkruajnë më së miri atmosferën aktuale në Kombëtaren e Kosovës, e cila pas katër ndeshjeve në kualifikimet për Botërorin 2026, vazhdon të mbajë gjallë shpresat për një sukses historik.

Një nga figurat kyçe në këto paraqitje mbresëlënëse është mbrojtësi Kreshnik Hajrizi, i cili në një intervistë për Telegrafin flet për ecurinë e deritanishme të Kosovës, çelësin e fitores ndaj Suedisë dhe ëndrrën për të parë “Dardanët” në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Pas katër ndeshjeve, Kosova numëron shtatë pikë në Grupin B dhe renditet e dyta me shpresa reale që të kualifikohet në fazën e “play-off-it”. Hajrizi thotë se ky është një fillim mjaft i mirë, i cili u arrit falë karakterit që shfaqi ekipi.

“Mendoj se kemi bërë një fillim solid, jemi në rrugë të mirë. Kemi treguar karakter, sidomos në ndeshjet e fundit, dhe kjo duhet të na japë besim për vazhdimin e kualifikimeve”, ka deklaruar fillimisht Hajrizi.

Kreshnik Hajrizi

Ta mposhtësh një kombëtare si Suedia jo një por dy herë, nuk është rastësi. Mbrojtësi kosovar thotë se kjo u bë e mundshme pas bashkëpunimit dhe angazhimit të grupit të lojtarëve.

“Besoj që ishte bashkëpunimi dhe angazhimi i gjithë grupit. E dinim që përballë kishim një kundërshtar me shumë cilësi, ndaj na duhej disiplinë dhe përqendrim maksimal. E kemi zbatuar në mënyrë perfekte planin e trajnerit dhe luftuam për çdo top si një ekip i vetëm”.

Hajrizi refuzon ta përjashtojë mundësinë që Kosova të arrijë ta sigurojë kualifikimin direkt në Botëror, teksa shtoi se ishte mjaft i kënaqur me paraqitjen e tij dhe të bashkëlojtarëve.

Kreshnik Hajrizi dhe bashkëlojtarët e tij gjatë intonimit të himnit

“Në futboll, asgjë nuk është e pamundur. Ne do të luftojmë deri në fund. Nëse vazhdojmë me këtë mentalitet dhe me këtë besim, gjithçka mund të ndodhë”.

“Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar si për paraqitjen personale, ashtu edhe për atë të ekipit. Për mua është gjithmonë një nder dhe krenari të vesh fanellën e Kombëtares”, u shpreh 26-vjeçari.

Hajrizi së bashku me Albian Hajdarin formuan një partneritet në qendër të mbrojtjes që ishte i pathyeshëm edhe për yjet suedezë që vlejnë miliona si Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak.

Kreshnik Hajrizi

“Kemi një raport shumë të mirë me Albianin që nga koha kur ishim te Lugano dhe kjo na ndihmoi shumë në fushë. E dimë se si lëvizim, si reagojmë në situata të ndryshme dhe kjo e bën komunikimin shumë më të lehtë”.

Për fund, Hajrizi pati një mesazh për tifozët “Dardanët” të cilëve i premtoi maksimumin për ta bërë realitet ëndrrën e kualifikimit në Botëror.

“Dua t’i falënderoj nga zemra tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme. Ata janë forca jonë shtesë në çdo ndeshje. Shpresoj që t’i bëjmë krenar dhe ta vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku drejt një ëndrre të madhe: Botërorit”, përfundoi ai./Telegrafi/

Muri i ri i Kosovës: Albian Hajdari, mbrojtësi që ndaj yjet milionëshe  dhe po udhëheq ëndrrën drejt Kampionatit Botëror

14 October 2025 at 19:22


Me 29 shtator, qendërmbrojtësi Albian Hajdari zyrtarisht vendosi ta përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës, duke sjellë një gëzim të madh për gjithë popullin dardan.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, po atë ditë kur konfirmoi vendimin, ylli i Hoffenheimit tregoi se zgjedhja nuk ka qenë e lehtë, por në fund vendosi me zemër.

“Ka qenë një proces i gjatë dhe shumë i menduar. Kam rrënjë të thella si në Zvicër, ashtu edhe në Kosovë, dhe jam mirënjohës për gjithçka që federata zvicerane ka bërë për mua që nga fëmijëria. Në të njëjtën kohë, historia e familjes sime dhe identiteti im janë të lidhura fort me Kosovën. Pas shumë bisedave me familjen, këshilltarët dhe të dy federatat, ndjeva se përfaqësimi i Kosovës është rruga që pasqyron më së miri zemrën dhe trashëgiminë time,” deklaroi ai.

Albian Hajdari, stërvitja e parë me Kosovën

Pas këtij vendimi, Hajdari mori menjëherë ftesën e parë nga përzgjedhësi Franco Foda dhe u paraqit në stadiumin “Fadil Vokrri” për përgatitjet e ndeshjeve ndaj Sllovenisë dhe Suedisë. Mungesa e kapitenit Amir Rrahmani dhe dëmtimi i Lumbardh Dellovës bënë që Hajdari të shihej si alternativë kryesore për formacionin titullar.

Në fitoren 2-0 ndaj Suedisë në shtator, Foda aplikoi mbrojtjen me tre prapavijë, duke i dhënë mundësinë Hajdarit të startonte. Një detyrë aspak e lehtë, pasi përballë kishte emra si Benjamin Sesko, sulmuesi slloven që sot vlerësohet me 70 milionë euro, dhe Viktor Gyökeres, që vlen 75 milionë euro.

Albian Hajdari, debutimi me Kosovën ndaj Sllovenisë

Në ndeshjen e parë ndaj Sllovenisë, Hajdari bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke neutralizuar plotësisht Seskon.

Ai u vlerësua si një nga më të mirët në fushë nga SofaScore, me notën 7.7. Statistikat e tij ishin mbresëlënëse: 10 spastrime, 4 rikuperime topi, 3 gjuajtje të bllokuara dhe 88% saktësi në pasime. Në atë takim, ai luajti në qendër të treshes mbrojtëse dhe udhëhoqi linjën me qetësi e siguri.

Ndërsa ndaj Suedisë, Hajdari u vendos në qendër të majtë të mbrojtjes dhe sërish shkëlqeu. Me notën 7.2 në vlerësimet statistikore, ai regjistroi 10 spastrime, 5 rikuperime topi dhe 1 bllokim gjuajtjeje, me 81% saktësi në pasime.

Përballë tij ishin dyshja e frikshme Alexander Isak dhe Viktor Gyökeres, por Kosova arriti ta mbajë portën e paprekur dhe të marrë një fitore historike si mysafire ndaj Suedisë.


Me Hajdarin në mbrojtje, Kosova ka gjetur stabilitet dhe forcë. Kombëtarja ka grumbulluar 4 pikë në dy ndeshjet e fundit, duke shkuar në 7 pikë gjithsej, dhe ëndrra për Kampionatin Botëror është më e gjallë se kurrë.

Vetëm 22 vjeç, Albian Hajdari ka fituar tashmë zemrat e tifozëve dardanë dhe shihet si shtylla e mbrojtjes së së ardhmes për Kosovën. /Telegrafi/

Viktor Gyokeres reagon për herë të parë për paraqitjet e tij dhe humbjen ndaj Kosovës

14 October 2025 at 18:18


Viktor Gyokeres ka folur për mungesën e tij të golave për Suedinë pas humbjes zhgënjyese në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Kosovës të hënën.

Kjo humbje çoi në shkarkimin e përzgjedhësit Jon Dahl Tomasson, pasi suedezët janë pothuajse jashtë garës për t'u kualifikuar në turneun që do të mbahet në Amerikën e Veriut verën e ardhshme.

Kjo ishte humbja e dytë radhazi në shtëpi për Suedinë gjatë afatit ndërkombëtar të tetorit. Suedia e nisi ndeshjen me Gyokeres dhe Alexander Isak në sulm.

Përforcimet e Arsenalit dhe Liverpoolit, respektivisht, ishin ndër transferimet më të përfolura në Ligën Premier, pasi u blenë për një shumë totale prej 185 milionë eurosh.

Viktor Gyokeres

Megjithatë, dyshja dështoi në mënyrë spektakolare pikërisht kur kishte më shumë rëndësi për kombëtaren, pasi nuk arritën të shënonin në dy humbjet radhazi të Suedisë në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Zvicrës dhe Kosovës.

“Nuk duam ta fitojmë ndeshjen aq shumë, mendoj se kjo ishte e qartë; shihej nga gjuha jonë e trupit që nuk e dëshironim aq shumë fitoren”.

“Kështu që, është e vështirë ndaj çdo kundërshtari. Nuk po japim më të mirën, nuk jemi plotësisht të fokusuar në mbrojtje dhe pasime. Kjo ka të bëjë me qëndrimin”.

“Kemi qenë të pafat ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, por në këto dy ndeshje ndaj Kosovës, nuk e meritonim asgjë. Sigurisht që është një fiasko”, ka deklaruar Gyokeres./Telegrafi/

Anthony Elanga u përfshi në një incident të furishëm në tunel pas ndeshjes ndaj Kosovës

14 October 2025 at 16:55


Anthony Elanga ishte i përfshirë në një moment të tensionuar në tunel pas humbjes së Suedisë ndaj Kosovës.

Të hënën në mbrëmje, Suedia pësoi një humbje 1-0 nga Kosova në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, që u zhvillua në stadiumin "Ullevi" në Goteborg, në shtëpinë e tyre.

Ky rezultat shënon humbjen e tretë radhazi për kombëtaren suedeze dhe bën të pamundur sigurimin e kualifikimit direkt për Kupën e Botës 2026, ndërkohë që vendi në fazën e play-off-it nuk është aspak i sigurt.

Aktualisht, Suedia ndodhet në fund të grupit me vetëm një pikë nga katër ndeshje, ndërsa kryesuesit e grupit, Zvicra, kanë dhjetë pikë, Kosova shtatë dhe Sllovenia tre.

Duket se kjo periudhë e errët e rezultateve ka ndikuar shumë edhe te Anthony Elanga, i cili raportohet se është dëgjuar duke bërtitur nga nervoizmi në tunelin e stadiumit pas humbjes së Kosovës.

Anthony Elanga

Më pak se 24 orë pas humbjes nga Kosova, Federata Suedeze e Futbollit konfirmoi shkarkimin e përzgjedhësit Jon Dahl Tomasson.

Por nuk është vetëm Tomasson që është i zhgënjyer nga ky rezultat, pasi një raport i radios suedeze, Radiosporten, zbuloi se Elanga është dëgjuar duke bërtitur ndaj shokëve të tij të skuadrës në tunelin e stadiumit pas humbjes së së martës.

Gazetari Jonas Enarson pretendon se ka dëgjuar yllin e Newcastle United duke thënë: "Sistemi i mallkuar duhet të largohet”, ndër të tjera, gjatë qëndrimit në tunel.

Pavarësisht se ka pasur një fillim të shkëlqyer me Neëcastle United, Elanga ishte vendosur në stol për ndeshjen ndaj Kosovës, një vendim që ai vetë e pranoi më vonë se e kishte të vështirë ta pranonte.

"Është frustruese. Si futbollist, gjithmonë do të luash. Unë isha plotësisht i shëndetshëm”, kishte thënë ish-ylli i Manchester United./Telegrafi/

Kosova i lë me pasoja: Për herë të parë në histori Suedia shkarkon përzgjedhësin

14 October 2025 at 14:54


Kosova vazhdon të shkaktojë tronditje në arenën evropiane, këtë herë duke sjellë ndryshime të mëdha në Kombëtaren e Suedisë.

Pas humbjes 1-0 në Goteborg ndaj “Dardanëve”, Federata Suedeze e Futbollit ka vendosur të shkarkojë trajnerin Jon Dahl Tomasson, duke e bërë atë trajnerin e parë në historinë e Suedisë që humb postin në këtë mënyrë.

49-vjeçari danez largohet pas pak më shumë se një viti e gjysmë në detyrë, periudhë gjatë së cilës arriti disa suksese, përfshirë fitimin e grupit të Ligës së Kombeve (Divizioni C) në vjeshtën e vitit 2024.

Megjithatë, rezultatet zhgënjyese në kualifikueset e Kupës së Botës kanë qenë vendimtare për fatin e tij.

Pas dy humbjeve radhazi ndaj Kosovës dhe vetëm një pikë nga katër ndeshje në grup, bordi i Federatës mbajti një mbledhje urgjente, ku u vendos për shkarkimin e Tomassonit.

telegrafi.com

Lajmi u konfirmua nga “Aftonbladet”, ndërsa sipas raportimeve, drejtori i futbollit Kim Källström ua ka komunikuar vendimin lojtarëve të kombëtares përmes telefonit.

Pas ndeshjes me Kosovën, ku Fisnik Asllani shënoi golin e vetëm në fund të pjesës së parë, Tomasson kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen, duke theksuar se ishte ende në mes të kualifikimeve. P

or presioni i madh dhe rezultatet zhgënjyese e bënë të pamundur qëndrimin e tij.

Tashmë Suedia do të përballet me një situatë të ndërlikuar: dy ndeshje të mbetura ndaj Zvicrës dhe Sllovenisë në nëntor, dhe një shans minimal për kualifikim direkt, ndërsa play-off-i në pranverë mbetet si mundësi e fundit.

Fitorja e Kosovës në Göteborg nuk ishte vetëm një sukses historik për “Dardanët”, por edhe një fitore që solli pasoja të mëdha për rivalët nordikë, duke i kushtuar Suedisë trajnerin e saj kryesor. /Telegrafi/

Paraqitje zhgënjyese e Viktor Gyokeres ndaj Kosovës – një hije mbi yllin e Suedisë

14 October 2025 at 10:44


Sulmuesi i njohur i Arsenalit, Viktor Gyokeres, zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta të karrierës së tij me fanellën e Suedisë, në humbjen 0-1 ndaj Kosovës të hënën mbrëma.

Sulmuesi që pritej të ishte lideri i ofensivës, dështoi në çdo aspekt të lojës ndaj Dardanëve, duke mos arritur të krijojë asnjë rrezik serioz për mbrojtjen dardane.

Statistikat flasin vetë: 0 gola, 0 asistime, 0 pasime kyçe, 0 driblime të suksesshme dhe 0 duele të fituara në ajër. Për më tepër, Gyökeres humbi plot 12 herë pozicionin, duke reflektuar mungesën e përqendrimit dhe ndikimit në lojën e skuadrës.

Një performancë e tillë ka shkaktuar reagime të shumta në mediat suedeze, të cilat e kanë cilësuar paraqitjen e tij si “skandaloze” dhe “krejtësisht nën nivelin e një sulmuesi të formës së lartë”.

Viktor Gyokeres vs Kosovo:

0 Goals/Assists
0 Key Passes
0 Dribbles
0 Aerial Duels
12 Possessions Lost

NO NEED FOR A MASK, WE CANT SEE YOU 🙏🙏🙏 pic.twitter.com/UcNfb3chgp
— Hater Central (@TheHateCentral) October 13, 2025

Kosova, me disiplinë dhe organizim mbresëlënës në mbrojtje, e neutralizoi plotësisht Gyokeresin, duke mos e lejuar asnjëherë të shfaqë fuqinë e tij fizike apo depërtimet karakteristike.

Kjo ndeshje mund të shërbejë si një paralajmërim serioz për sulmuesin suedez, i cili do të duhet të reagojë fuqishëm në ndeshjet e ardhshme për të rikthyer besimin e tifozëve dhe të trajnerit.

Dështimi i tij nuk ishte vetëm personal, por ndikoi drejtpërdrejt në impotencën ofensive të gjithë skuadrës suedeze - një mbrëmje për t’u harruar për Viktor Gyokeresin dhe Alexander Isak dhe për t’u mbajtur mend nga Kosova, që i dha një leksion disipline dhe vendosmërie. /Telegrafi/

❌
❌