Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Tifozët e Mariborit i reagojnë federatës sllovene pasi stadiumi u mbush me tifozët e Kosovës: Boshnjakët në Celje, shqiptarët në Lubjanë

24 November 2025 at 12:30


Tifozët e Mariborit shpalosën një banderolë proteste gjatë derbit të përjetshëm kundër Olimpija Ljubljanës, duke kritikuar Federatën e Futbollit të Sllovenisë (NZS) për faktin se kombëtarja nuk ka zhvilluar ndeshje në stadiumin Ljudski Vrt për një kohë të gjatë.

Derbi, i cili përfundoi 1:1, ishte ndeshja e parë e madhe në Maribor pas përfundimit të ciklit kualifikues, duke i dhënë tifozëve një mundësi për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Sipas tyre, vendimet për të luajtur ndeshjet miqësore në qytete të tjera kanë favorizuar tifozët e komuniteteve të ndryshme: ndeshja miqësore kundër Bosnjës dhe Hercegovinës u zhvillua në Celje, ndërsa ajo e kualifikueseve kundër Kosovës në Lubjanë.

Në sfidën e fundit të zhvilluar në Lubjanë, më shumë se gjysma e stadiumit ishin me tifozë shqiptarë në përkrahje të Kombëtares së Kosovës.

Në të dy rastet, tifozët vendas ndihen të zhgënjyer nga dominimi i tifozëve mysafirë.

.Banderola e tifozëve të Mariborit shprehte këtë pakënaqësi:

“Boshnjakët në Celje, shqiptarët në Lubjanë, kur do të vijnë sllovenët në tribuna në Maribor?"


Tifozët gjithashtu brohoritën slogane kundër NZS-së dhe presidentit të saj, Radenko Mijatovic, duke kërkuar më shumë respekt dhe vëmendje për tifozët dhe qytetin e Maribor.

Historia e fundit e ndeshjeve të kombëtares në Maribor: stadiumi Ljudski Vrt priti ndeshjen e fundit të ekipit kombëtar në tetor 2021, kundër Rusisë, ndërsa para asaj kishte kaluar gjashtë vjet që nga një tjetër ndeshje në këtë stadium. /Telegrafi/

Gazetari i Telegrafit, Bardh Maxhuni rrëfen prapaskenat nga ndeshja Slloveni – Kosovë

22 November 2025 at 20:50


Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve” vjen analiza nga gazetarët e Telegrafit për rezultatet e Kosovës dhe Shqipërisë në ciklin kualifikues të Botërorit 2026. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.

Telegrafi ndeshjen historike të Kosvës ndaj Sllovenisë e ka përcjellur nga vendi i ngjarjes, me dy gazetarët Bardh Maxhuni dhe Romak Zeqiri që kanë raportuar në kohë reale nga terreni.

Maxhuni tani në "Arena e Yjeve" ka sjellë për shikuesit disa prapaskena interesante nga ajo ndeshje.

“Në Slloveni për mua ka qenë hera e parë që kam shkuar edhe nëse folim drejt, prej hotelit, domethënë prej stafit të hotelit deri tek taksisti që na dërgoi në stadium, çdokund kemi hasur në shqiptarë dhe kjo më ka befasuar shumë”.

“Edhe gjatë bisedave me tifozë atje thanë që këtu ka shqiptarë shumë edhe janë shumë të zotë atje, por ka pasur edhe që kanë udhëtuar nga vende tjera, zakonisht prej Kroacisë, Austrisë që kanë ardhur”.

“Atmosfera në stadium ka qenë sikur të ishim duke luajtur në ‘Fadil Vokrri’, bile aty afër e kam pasur edhe një gazetar slloven i cili mbeti i çuditur kur pa se në katër anët e stadiumit ka shqiptarë”.

“Me përcjellë ndeshjen nga stadiumi, sidomos kombëtaren me një ndeshje kaq të rëndësishme, ishte një kënaqësi që nuk përshkruhet”.

“Edhe disa detaje që ndoshta në televizor nuk i vërejmë, aty e ke mundësinë me i pa disa prapaskena, disa lëvizje më ndryshe”, ka rrëfyer Maxhuni mes tjerash.

Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni edhe në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/

Hakan Sukur “befason” me vlerësimin për Kosovën: Mund të ishte edhe e para në grup, Turqia nuk do ta ketë të lehtë

21 November 2025 at 15:21


Legjenda turke, Hakan Sukur ka lavdëruar fuqishëm Kombëtaren e Kosovës në podcastin e tij, duke thënë se arritja në ‘play-off’ është e jashtëzakonshme duke parë grupin tepër të vështirë. Sukur theksoi se Kosova nuk duhet nënvlerësuar nga askush dhe paralajmëroi Sllovakinë për “kurthin” e Dardanëve. Ai vlerësoi lart disa lojtarë të Kosovës dhe disiplinën e ekipit, duke shtuar se edhe Turqia do ta ketë shumë vështirë ndaj fituesit të kësaj përballjeje.

Hakan Sukur, një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit turk, ka folur me superlativa për Kosovën në podcastin e tij.

Ai theksoi prejardhjen e tij nga Prishtina dhe u ndal te rrugëtimi i Dardanëve, duke theksuar se arritja në një grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë nuk duhet nënvlerësuar.

Sipas tij, Kosova kishte potencial të përfundonte edhe e para në grup, falë disiplinës dhe planit të qartë të lojës që tregoi përgjatë gjithë kualifikimeve.

“Kosova është atdheu i babait tim. Babai im ka lindur në Prishtinë. Kosova kur ta shikoni grupin ku ishte Zvicra, Sllovenia e Suedia, nuk duhet të nënvlerësohet arritja e tyre. Kosova ka dal prej ish-Jugosllavisë, vende që janë minierë për sportistë. Kosova përfaqëson pjesën e fortë. E vërtetë që Kosova ka humbur nga Rumania 3-0 (kundërshtari i Turqisë), por shikoni Kosova ka arritur të sigurojë një vend në ‘play-off’ në këtë grup të vështirë. Kur t’i shikoni rezultatet e Kosovës, ka mundur që të përfundojë edhe e para në këtë grup”, ka thënë fillimisht Sukur.

Sukur paralajmëroi se edhe pse shpesh konsiderohet “hallka më e dobët”, Kosova është shumë e fortë dhe e rrezikshme, sidomos për Sllovakinë. Ai u ndal te cilësitë individuale të lojtarëve si Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, duke theksuar se Dardanët luajnë futboll sulmues dhe fizik.

“Edhe nëse shihet si hallka më e dobët në këtë fazë, Sllovakia nuk do ta ketë lehtë. Nuk dihet nëse Sllovakia do të luajë si kundër Gjermanisë dhe nëse luan një lojë ofensive, atëherë mund të bie në kurthin e Kosovës”.

- YouTube youtu.be

“Kosova si e dyta, është shumë më e mirë se Rumania. Shikoni grupin e Kosovës, të gjitha ekipet kanë pasur gjasa ta mundin njëra-tjetrën, por duket se Kosova me një plan dhe disiplinë, ka arritur këtë sukses”.

“Kosova ka lojtar të mirë, si Milot Rashica dhe Vedat Muriqi. Kosova është një ekip i mirë, një ekip sulmues. Muriqi është një sulmues që luan në Spanjë. Ai nuk është i shpejt, por në ajër është shumë i mirë dhe di ta shfrytëzojë shumë fizikun që e ka”.

Sipas Sukur, përballja Kosovë–Sllovaki do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, dhe pavarësisht kush kalon, edhe Turqia do të përballet me sfidë serioze në ndeshjet e ‘play-off’-it.

“Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë do të jetë shumë e vështirë. Cila do që kalon tutje, unë e di se Turqia do ta ketë shumë vështirë sepse këto ndeshja janë për kualifikimet në botëror. Janë dy ndeshje dhe çdo gjë varet edhe prej kushteve të tjera”, përfundoi legjenda turke. /Telegrafi/

“Besoj se shkojmë në Botëror, nuk ka rëndësi kundërshtari në play-off”, Veldin Hoxha i sigurt në suksesin e "Dardanëve"

19 November 2025 at 13:44


Mesfushori Veldin Hoxha ka komentuar dy përballjet ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, si dhe është i sigurt se do të kualifikohemi në Kupën e Botës 2026.

Hoxha ishte zëvendësues në fitoren 0-2 kundër sllovenëve, ndërsa luajti nga minuta e parë në barazimin 1-1 kundër Zvicrës, të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”.

Ai në një intervistë për Telegrafin tha se është i lumtur me paraqitjet në këto dy përballje.

“Do të thosha se ishte një fitore e madhe ndaj Sllovenisë dhe një lojë e mirë kundër Zvicrës”, deklaroi fillimisht 23-vjeçari.

Veldin Hoxha

Hoxha ndër të tjera komentoi edhe atmosferën e jashtëzakonshme te “Dardanët”, ku theksoi se të gjithë lojtarët po e ndihmojnë me përkthim, pasi ende nuk e di gjuhën shqipe.

“Kemi një atmosferë të mirë në skuadër, të gjithë njerëzit janë shumë të mirë përfshirë lojtarët. Ende nuk di si të flasë në gjuhën shqipe, por të gjithë po më ndihmojnë me përkthimin dhe gjëja e mirë që trajnerët flasin anglisht, prandaj është më e lehtë”.

“Po adaptohem shumë shpejtë sepse po më flasin shumë, më shpjegojnë gjithçka në detaje dhe kuptohet me skuadrën që kemi, është e lehtë të adaptohesh dhe të luash”.

Ai ndër të tjera ishte afër të shënonte edhe golin e parë me Kosovën ndaj Sllovenisë, mirëpo Jan Oblak me një super pritje ia mohoi golin.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe do të bëj gjithçka për ta ndihmuar skuadrën. Kisha një mundësi të mirë shënimi, por nuk arrita ta realizoja (ndaj Jan Oblakut), mirëpo shpresoj që së shpejti ta gjej golin. Sllovenia dhe Zvicra ishin skuadra të mira, por dëshmuam se mund të luajmë ndaj gjithkujt”.

Veldin Hoxha

I pyetur se kë e preferon në play-off, ku shorti do të tërhiqet nesër, Hoxha ishte i qartë: Nuk ka rëndësi me kë luan Kosova pasi secili do të jap gjithçka.

“Nuk ka rëndësi më kë luajmë, duhet të japim gjithçka dhe ta tregojmë kualitetin. E dimë sa të rëndësishme janë këto ndeshje”.

Në fund, mesfushori mbrojtës nënvizoi se Kosova do të shkojë në Kupën e Botës 2026.

“Besoj se mund të shkojmë në Kupën e Botës”, përfundoi ai për Telegrafin.

Me paraqitjet fantastike, Hoxha ka filluar t’ua fitojë zemrat edhe tifozëve dardanë, derisa shihet si zgjedhja kryesore e Franco Fodas në rast që mungojnë dyshja e Bundesligës, Leon Avdullahu e Elvis Rexhbecaj.

Kujtojmë, Kosova të enjten e mëson kundërshtarët për gjysmëfinalen dhe finalen e play-offit të Kupës së Botës 2026, ndërsa ndeshjet i zhvillon në muajin mars të vitit të ardhshëm./Telegrafi

Shqiptarët dominuan çdo gjë në Lubjanë - ylli i ekipit ankohet të tifozët sllovenë

16 November 2025 at 12:04


Qendërmbrojtësi i Leeds Unitedit Jaka Bijol, ka kritikuar tifozët shqiptarë që jetojnë në Slloveni shkaku që sipas tij e kanë fishkëllyer himnin.

Kosova regjistroi fitore historike në udhëtim te Sllovenia me rezultat 0-2, ndërsa për herë të parë arritën të kualifikohen në play-offin e Kupës së Botës 2026.

Bijol ka mbetur i zhgënjyer se si u dëgjuan disa fishkëllima në momentin kur himni i Sllovenisë ishte lëshuar, duke kritikuar tifozët shqiptarë.

“Urime për tifozët e tyre që erdhën në këtë numër kaq të madh, por mërzitësh kur dëgjon fishkëllima gjatë himnit”.

“Ka pasur shumë nga ata (shqiptarët) që jetojnë në Slloveni. Sllovenia iu dha shumë, së paku në atë moment të shfaqnin më shumë respekt. Sidoqoftë, ata po e mbështesnin kombëtaren e tyre”, deklaroi Bijon.

Pas golit të Fisnik Asllanit, nisi festa e çmendur në “Stozice”, ku sipas mediumeve sllovene kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë më herët.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë gazetarë mysafirë, kurrë në Stozice nuk është dëgjuar aq shumë zëri i tifozëve mysafirë, çdo kund, edhe në tribuna”, raporton gazeta “Ekipa”.

Përndryshe, Kosova e zhvillon edhe një përballje të martën ndaj Zvicrës, derisa Sllovenia i shkon Suedisë./Telegrafi/

“Po e humbim identitetin dhe krenarinë, kosovarët na mposhtën edhe në tribuna”, ish futbollisti shpërthen pas humbjes së Sllovenisë

16 November 2025 at 10:02


Ish futbollisti i Sllovenisë Marinko Galic thotë se kombëtarja e tij po e humb identitetin dhe krenarinë me paraqitje zhgënjyese.

Ai e ka parë si të papranueshme humbjen nga Kosova, ku “Dardanët” shkëlqyen si në fushë, ashtu edhe në tribuna, ku vetëm tifozët tanë dëgjoheshin.

Galic, që ka qenë pjesë e gjeneratës së artë të Sllovenisë shkroi se është shumë skeptik për të ardhmën e futbollit slloven.

“Është shumë e dhimbshme të shohësh kosovarët që na mposhtën në mesin e Lubjanës. Edhe në fushë, edhe në tribuna. Është shumë e qartë se po e humbim identitetin e kombëtares dhe krenarinë”.

Marinko Galic

“Duhet ta zgjasim dorën dhe ta pranojmë. Nëse, duke pasur parasysh se jemi edhe në një gropë të thellë në U21, mund ta bëjmë fare. Duke pasur parasysh se edhe në futbollin e fëmijëve, trajnerët kërkojnë vetëm lojtarë fizikë dhe po e bëjnë futbollin fantastiko-shkencor, jam shumë skeptik për të ardhmen më të ndritur të futbollit tonë”, shkroi ai ndër të tjera.

Të tërë në Slloveni e kanë uruar Kosovën për paraqitjen e dhënë, ku edhe përzgjedhësi Matjez Kek deklaroi se “na mposhtën dhe na rrahën në aspektin sportiv”.

Kosova tani është fokusuar në përballjen ndaj Zvicrës të martën në Prishtinë, që zhvillohet me fillim prej orës 20:45./Telegrafi/

Përzgjedhësi i Sllovenisë uron Kosovën: Edhe na rrahën edhe na mposhtën, plotësisht e merituar

15 November 2025 at 23:28


Përzgjedhësi i Sllovenisë Matjaz Kek e ka uruar Kosovën për fitoren dhe kualifikimin në play-offin e Kampionatit Botëror 2026.

Kosova e dominoi Slloveninë për të shënuar fitore 0-2, sfidë që ishin më të mirë nga fillimi i ndeshjes.

Plotësisht me rezultatin është pajtuar edhe Kek, që vlerësoi lartë Kosovën për paraqitjen e bërë.

“Së pari, ta urojmë kundërshtarin tonë Kosovën, e merituan plotësisht fitoren. Bëmë disa gabime, karton të kuq e pastaj autogol, por ata ishin më të shpejtë, fituan topat e dytë dhe nuk po futeshim në lojë”.

“E ndryshuam formacionin, pastaj kur ke papërgjegjësi, luan jo mirë në këtë nivel duhet ta paguash. Me vetëm 10 lojtarë luajtëm me guxim, por duhet ndoshta të bënim kështu nga fillimi”.

“Nëse e dominuam këtë ndeshje në Prishtinë para një muaji, atëherë sot na dominuan. Të gjithë topat ishin nga ata. Fituan edhe na rrahën, në aspektin sportiv. Absolutisht na dominuan edhe në tribuna të stadiumit”, deklaroi ai.

Kujtojmë, Kosova rikthehet në “aksion” të martën e ardhshme përballë Zvicrës në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/

Slloveni 0-2 Kosovë: Shkëlqen Asllani, notat e lojtarëve

15 November 2025 at 22:44


Kombëtarja e Kosovës për herë të parë në histori siguroi play-offin e Kampionatit Botëror 2026, me fitore në udhëtim te Sllovenia.

“Dardanët” zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer për të triumfuar me rezultat 0-2.

Fisnik Asllani golashënuesi i golit të parë u vlerësua më së larti nga “SofaScore” me notën 7.5, aq sa e kishte edhe Florent Muslija, të cilit i mungoi vetëm goli.

Të gjithë yjet kishin paraqitje pozitive, derisa te Sllovenia dëshpëroi vetëm Brekalo, që u vlerësua me notën 6.4. Pa përmendur Petar Stojanovic, i cili u vlerësua me 3.2 shkaku i dy kartonëve të verdhë.



Kujtojmë, Kosova do ta zhvillojë edhe përballjen me Zvicrën të martën në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/


Kosova shkruan historinë me fitore ndaj Sllovenisë - jemi në play-off, një hap afër Kampionatit Botëror

15 November 2025 at 22:35


Kosova ka shënuar një fitore të madhe dhe plotësisht të merituar në Lubjanë, duke mundur Slloveninë me rezultat 0-2 në ndeshjen e xhiros së pestë të fazës së grupeve në eliminatoret për Kampionatin Botëror.

Me këtë triumf, Dardanët arrijnë në kuotën e 10 pikëve, duke siguruar matematikisht play-offin, ndërsa grupi kryesohet nga Zvicra me 13 pikë. Sllovenia mbetet në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Suedia mbyll renditjen me vetëm 1 pikë.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Kosovën. Vetëm në minutën e 6-të, një pasim fantastik në thellësi nga Mërgim Vojvoda që i shpëtoi plotësisht mbrojtjen sllovene, gjeti të lirë Fisnik Asllanin, i cili me qetësi e dërgoi topin në cepin e poshtëm të portës për rezultatin 0-1.

Festa e Fisnik Asllanit FOTO': Sefer Aliçkaj telegrafi.com

Kosova vazhdoi të qëndrojë kompakte, duke menaxhuar lojën dhe duke e detyruar Slloveninë të tentojë kryesisht nga distanca.

Rasti më i rrezikshëm i vendasve erdhi në minutën e 30-të, kur Tomi Horvat gjuajti fort, por Amir Shaipi reagoi në mënyrë fantastike.

Pjesa e parë u mbyll 0-1, me një paraqitje shumë të pjekur të Dardanëve, që përveç golit, kërcënuan edhe me disa gjysmëraste.

Me fillimin e fraksionit të dytë, Sllovenia bëri dy ndryshime, por planet e tyre u shkatërruan shpejt.

Në minutën e 47-të, Petar Stojanovic u ndëshkua me karton të verdhë, dhe vetëm disa minuta më vonë (53’) ai mori edhe të dytin pas një ndërhyrjeje të ashpër, duke lënë sllovenët me 10 lojtarë.

Kosova e shfrytëzoi menjëherë epërsinë numerike. Në minutën e 63-të, pas një kombinimi të bukur dhe një gjuajtjeje të Muslijës, që u ndal nga Oblak, Dardanët fituan edhe një goditje këndi.

Vetëm një minutë më vonë, erdhi momenti vendimtar. Në minutën e 64-t, gjatë një aksioni të shpejtë, Muslija harkoi topin drejt zonës së vogël në kërkim të Vojvodës. Mbrojtësi Zan Karnicnik devijoi topin në mënyrë të gabuar dhe e dërgoi në rrjetën e vet – një autogol që çoi rezultatin në 0-2.

Kosova kishte dy mundësi të mira për të shtuar epërsinë, por Veldin Hoxha u ndal nga Oblak, ndërsa Muslija gjuajti bukur, por topi shkoi ngjitur me shtyllën.

Me këtë triumf, Kosova jo vetëm që e fiton ndeshjen me dominim, por edhe arrin objektivin kryesor të fazës së grupeve: kualifikimin në play-off. Një tjetër hap i madh drejt ëndrrës së Botërorit. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Gjithçka po shkon në favorin tonë – Karnicnik shënon në portën e vet, Kosova dyfishon epërsinë

15 November 2025 at 22:12


Kosova ka rritur epërsinë në 2-0 ndaj Sllovenisë, falë një autogoli të mbrojtësit slloven.

Pas një rasti shumë të mirë të Florent Muslijës, i cili u gjend i vetëm përballë Jan Oblak, por portieri slloven arriti ta ndalojë gjuajtjen, nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i dytë.

Në minutën e 64-të, një pasim i gjatë i Muslijës në drejtim të Mërgim Vojvodës u devijua gabimisht nga Zan Karnicnik, i cili e dërgoi topin drejt portës së vet.

🚨 WORLD CUP QUALIFIERS! 🌍

AN INSANE OWN GOAL FROM KARNIČNIK! 🤯

🇸🇮 Slovenia 0-2 Kosovo 🇽🇰

🎥 @GoalsXtra pic.twitter.com/4U4KLIjWYS
— Polymarket FC (@PolymarketFC) November 15, 2025


Pavarësisht tentimit të Oblak për ta ndalur, topi përfundoi në rrjetë, duke çuar rezultatin në 2-0 për Kosovën.

Kosova tashmë është shumë afër fitores së tretë në grup. /Telegrafi/

Kosova në epërsi ndaj Sllovenisë pas pjesës së parë, Fisnik Asllani shënoi gol të bukur

15 November 2025 at 21:33


Kosova e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi ndaj Sllovenisë (1-0), në një ndeshje që Dardanët po e luajnë shumë mirë.

Kosova ka nisur ndeshjen ndaj Sllovenisë me një ritëm të lartë, duke ushtruar presion që nga minuta e parë. Jo shumë vonë, në minutën e 6-të, Fisnik Asllani shënoi golin e parë për Dardanët.

Pas një pasimi të saktë nga Mërgim Vojvoda, Asllani u fut në zonë dhe gjuajti drejt këndit të poshtëm të portës së Jan Oblak, duke zhbllokuar sfidën (0-1).

Goli i hershëm i Kosovës dha një avantazh psikologjik dhe i dha ekipit vetëbesim për të kontrolluar lojën.

Foto: Sefer Aliçkaj

Pjesa e parë vazhdoi me disa raste të tjera të rrezikshme nga të dyja palët, me Slloveninë që tentoi, por portieri Amir Saipi qëndroi i qetë dhe nuk lejoi gol, pas gjuajtjes së Tomi Horvat.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për Kosovën, një ndeshje e mirë e Dardanëve, që kontrolluan lojën dhe rrezikuan disa herë portën kundërshtare.

Kosova kërkon të ruajë këtë avantazh dhe të sigurojë të paktën një pikë për Play-Off-in në pjesën e dytë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Fisnik Asllani zhbllokon ndeshjen që në start - driblim magjik dhe goditje fatale për portën e Jan Oblak

15 November 2025 at 21:05


Kosova ka kaluar në epërsi ndaj Sllovenisë (1-0) që në start pas një aksioni të bukur.

Kosova ka nisur furishëm ndeshjen ndaj Sllovenisë, duke sulmuar që nga minuta e parë mbrojtjen kundërshtare. Jo shumë vonë, në minutën e 6-të, Fisnik Asllani ka shënuar golin e parë për Kosovën.

Pas një pasimi të saktë nga Mërgim Vojvoda, Asllani ka pranuar topin, ka kaluar një mbrojtës dhe ka gjuajtur fuqishëm drejt portës së Jan Oblak, duke zhbllokuar sfidën në favor të Dardanëve (1-0).

FISNIK ASLLANI WHAT A FINISH TO PUT #KOSOVO AHEAD! 😍
pic.twitter.com/drUNszeWrk
— Kosovo Football 🇽🇰 (@kosovarfootball) November 15, 2025


Ky gol i hershëm ka dhuruar një nisje fantastike për Kombëtaren e Kosovës, e cila tani kërkon vetëm një pikë për të siguruar pjesëmarrjen në Play-Off-in e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Skenari më optimist për Kosovën është ky: nëse fiton ndaj Sllovenisë dhe Zvicra barazon ose humbet në përballjen e saj, gjithçka për vendin e parë në Grupin B do të vendoset në ndeshjen vendimtare në Prishtinë. /Telegrafi/

Lojtarët dalin në fushë, gjithçka gati për Slloveni – Kosovë

15 November 2025 at 20:09


Lojtarët e Kombëtares së Kosovës kanë dalë në stadium për të bërë përgatitjet para lojës.

“Dardanët” i pret një sfidë e vështirë në udhëtim te Sllovenia, por me një barazim automatikisht e siguron play-offin e Kampionatit Botëror.

Lojtarët e Kosovës tashmë kanë dalë në fushë ku janë duke bërë disa përgatitje të lehta, para se të nis përballja.

Kujtojmë, ndeshja do të nisë me fillim nga ora 20:45.

Kosova ka mbështetje të madhe sot ndaj Sllovenisë, pasi që në stadium është i mbushur me tifozë Dardanë. /Telegrafi/

Formacionet zyrtare, Slloveni - Kosovë: Foda me ndryshime nga ndeshja e fundit

15 November 2025 at 19:20


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka konfirmuar formacionin e ekipit për ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Sllovenisë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Kosova do të luajë si mysafire në stadiumin “Stozice” të Lubjanës, me fillim nga ora 20:45, në ndeshjen e parafundit të Grupit B. Një barazim do të sigurojë për Kosovën vendin e dytë në grup dhe pjesëmarrjen në ‘play-off’.

Siç paralajmëruam, trajneri gjerman ka vendosur që ekipi të luajë me skemën 3-5-2, që në mbrojtje transformohet në 5-3-2, me disa ndryshime të rëndësishme.

Porta I besohet Amir Shaipit, i cili zëvendëson Arijanet Muricin, që mungon për shkak të kartonëve.

Mbrojtja vjen me kapitenin Amir Rrahmani, I cili rikthehet pas lëndimit dhe do të jetë pjesë e treshes së mbrojtjes së qendrës, së bashku me Albian Hajdarin dhe Lumbardh Dellovën. Krahët do t’i mbulojnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.

Mesfusha I besohet treshes Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija.

Në sulm janë dyshja Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani nga minuta e parë, ndërsa Milot Rashica dhe Edon Zhegrova pritet të hyjnë gjatë pjesës së dytë.

telegrafi.com

Në nanë tjetër Sllovenia në portë starton me Jan Oblak, ndërsa po ashtu startojën edhe emra të njohur si tElsnik, Sproar dhe Vipotnik.

Gjyqtari francez, Clement Turpin, do ta drejtojë takimin, që është shumë i rëndësishëm për të dyja ekipet.

Slloveni: Oblak, Karnicnik, Berkalo, Bijol, Drkusic, Janza, Stankovic, Horvat, Elsnik, Sproar, Vipotnik.

Kosovë: Shaipi, Rrahmani, Hajdari, Dellova, Vojvoda, Gallopeni, Rexhbeçaj, Avdullahu, Muslija, Muriqi, Asllani.


/Telegrafi/

Sot Kosova nis hapat drejt historisë: Dy ndeshje, dy skenarë për ëndrrën e madhe të quajtur Kupa e Botës

15 November 2025 at 16:49


Kombëtarja e Kosovës sot hyn në fazën më vendimtare dhe emocionuese të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

“Dardanët” i presin dy finalet e fundit të Grupit B – dy përballje që mund të vendosin fatin e një ëndrre që prej vitesh pritet: pjesëmarrjen historike në “Play-Off”, madje edhe kualifikimin e drejtpërdrejtë në Kupën e Botës.

Lajmi më i mirë është se Kosova për këto dy sfida i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, me grupin në formë të shkëlqyer dhe me moral të lartë pas paraqitjeve të fundit.

E shtunën (sot), Kosova luan në Slloveni, një duel të rëndësishëm ndaj vendasve. Tre ditë më pas, më 18 nëntor, në “Fadil Vokrri”, Dardanët do të përballen me Zvicrën në një ndeshje që potencialisht mund të vendosë gjithçka.

Ndërkohë, në grup zhvillohen edhe dy duele të tjera vendimtare: Zvicra përballet me Suedinë këtë fundjavë, ndërsa më pas Suedia do të luajë ndaj Sllovenisë.

Renditja aktuale i jep Kosovës mundësinë që historia të shkruhet me një pikë në Slloveni. Një barazim do ta siguronte matematikisht Play-Off-in, duke e futur Kombëtaren e Kosovës për herë të parë mes elitës së ekipeve që luftojnë për një vend në Botëror.

Por ekziston edhe një skenar akoma më i bukur – kualifikimi i drejtpërdrejtë në Kupën e Botës 2026. Për këtë, Kosova duhet të fitojë në Slloveni dhe të shpresojë që Zvicra të mos marrë tri pikë kundër Suedisë.

Një epilog i tillë do ta kthente ndeshjen e 18 nëntorit në Prishtinë në një finale historike për futbollin kosovar.

Në konferencën përzgjedhësi Franco Foda u shpreh optimist, por me këmbë në tokë, duke treguar se një pikë është synimi primar.

“Që në fillim kam thënë se çdo gjë do të mbetet e hapur deri në fund. Çdo rezultat është i mundur. Fokusi ynë është tek ndeshja me Slloveninë – synojmë të marrim të paktën një pikë për ta siguruar Play-Off-in, e më pas të shohim tutje”, deklaroi ai.

Nën drejtimin e Fodës, Kosova ka treguar rritje të dukshme në lojë, disiplinë dhe mentalitet fitues. Fitorja ndaj Suedisë dhe barazimi me Slloveninë kanë rikthyer besimin se kjo gjeneratë mund të shkojë më larg se çdo herë më parë.

Nëse Dardanët arrijnë Play-Off-in – ose edhe më shumë – futbolli kosovar do të shkruajë një tjetër kapitull të artë. Ky moment do të jetë dëshmi e punës së palodhur të viteve të fundit dhe e shpirtit luftarak që kjo skuadër ka treguar në çdo ndeshje. /Telegrafi/


Standings provided by Sofascore

Katër lojtarët që mbetën jashtë listës përfundimtare prej 23 futbollistëve për ndeshjen ndaj Sllovenisë

15 November 2025 at 13:27


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka përditësuar sot (e shtunë) në mëngjes listën e futbollistëve të ftuar duke dorëzuar 23 emrat që do të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjen e sotme ndaj Sllovenisë.

Dardanët janë mysafir të sllovenëve në ndeshjen e parafundit të Grupit B, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Lubjanës me fillim nga ora 20:45.

Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, por sidomos për Kosovën, e cila me një barazim siguron pozitën e dytë apo ‘play-off’-in për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Ekipi i përzgjedhësit Franco Foda është i kompletuar për këtë ndeshje, përveç portierit Arijanet Muric, i cili mungon shkaku i kartonëve, dhe kështu imperativ i vetëm është rezultati pozitiv.

Megjithatë, Foda është detyruar t’i largojë edhe katër lojtarë tjerë nga lista preliminare pasi për ditën e ndeshjes nevojiten vetëm 23 futbollistë.

Kështu, në listën e dorëzuar te UEFA, vërehet se Leard Sadriu, Lindon Emërllahu, Meriton Korenica dhe Baton Zabërgja janë lënë jashtë. /Telegrafi/



Federata e Futbollit të Sllovenisë vjen me një informacion të rëndësishëm për tifozët vendas dhe ata të Kosovës

15 November 2025 at 12:47


Kombëtarja e Kosovës do të luajë sot (e shtunë) ndaj Sllovenisë në stadiumin “Stozice” nga ora 20:45 dhe tashmë kanë ardhur paralajmërimet nga Federata e Futbollit të Sllovenisë, për tifozëritë e të dyja kombëtareve.

Federata e Futbollit të Sllovenisë ka përgatitur udhëzime të posaçme për tifozët e Kosovës që do ta bëjnë më të lehtë për të arritur në vendin e ndeshjes dhe të përmirësojnë përvojën e tifozëve.

Sipas tyre, dyert e stadiumit “Stozice” do të hapen në orën 18:45, ose dy orë para fillimit zyrtar të ndeshjes. Për të shmangur turmat, të gjithë tifozët janë të ftuar në një zonë të veçantë tifozësh në platformën përpara tribunës C midis orës 18:00 dhe 20:00, ku do të zhvillohet një program shoqërues.

Ata kanë kërkuar nga të gjithë vizitorëve të mbërrijnë në vendngjarje në kohë (të jenë në hyrjen e shënuar në biletë jo më vonë se ora 19:00) dhe të përdorin një nga vendet e parkimit të rekomanduara.

Megjithatë, përveç kësaj, Federata Sllovene ka bërë një paralajmërim edhe për tifozët vendas, të cilët janë paraparë të zënë të gjitha pjesët tjera të stadiumit.

“Duke pasur parasysh që stadiumi Stozice do të jetë i rezervuar plotësisht për ndeshjen midis Sllovenisë dhe Kosovës, u bëjmë thirrje të gjithë tifozëve të ekipit kombëtar slloven të futbollit të pajisen me fanella (të bardha), shalle dhe flamuj (pa shkopinj, sigurisht), dhe kështu të tregojnë mbështetjen tuaj për djemtë në fushë. Nëse ende nuk i keni "pajisjet e detyrueshme të tifozëve", ju rekomandojmë të vizitoni dyqanin zyrtar 11TS në Lubjanë ose zonën e tifozëve para ndeshjes”, thuhet fillimisht në njoftim.

“Federata e Futbollit të Sllovenisë u bën thirrje të gjithë vizitorëve të respektojnë rregullat e sjelljes dhe të promovojnë sportivitetin në tribuna. Për arsye sigurie dhe në përputhje me udhëzimet e autoriteteve kompetente, hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm me simbolet e Sllovenisë dhe të ekipit kombëtar slloven, përveç në sektorin e caktuar posaçërisht për mysafirë D”.

“Tifozëve që vijnë në stadium me simbole tifozësh të vendeve të tjera do t'u mohohet hyrja në sektorët A, B dhe C. Në këtë rast, ata do të jenë në gjendje të dorëzojnë sendet e tyre të tifozëve në një depo të rregulluar posaçërisht në hyrje të stadiumit dhe të fillojnë përsëri procesin e hyrjes”.

“U kërkojmë të gjithë tifozëve të kuptojnë dhe respektojnë udhëzimet e rojeve të stadiumit dhe organizatorit, pasi duam të sigurojmë një atmosferë sportive të sigurt dhe të këndshme për të gjithë pjesëmarrësit”, mbyllet njoftimi. /Telegrafi/

Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Sllovenisë – Foda me disa ndryshime

15 November 2025 at 10:17


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka ndarë tashmë mendjen për formacionin që do ta vendos për ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Sllovenisë, në kuadër të kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Kosova do të luajë si mysafir i Sllovenisë në ndeshjen e parafundit të Grupit B, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Lubjanës me fillim nga ora 20:45.

Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, por sidomos për Kosovën, e cila me një barazim siguron pozitën e dytë apo ‘play-off’-in për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Kështu, trajneri gjerman, Foda, ka vendosur tashmë për formacionin që pritet të luajë në ndeshjen jetike ndaj Sllovenisë.

Sipas burimeve të Telegrafit, Foda do të vazhdojë t’i besojë rreshtimit 3-5-2, i cili në mbrojtje transformohet në 5-3-2, ku pjesë e tij do të jenë disa ndryshime të domosdoshme.

Ndryshimi i parë do të jetë në portë, ku Amir Saipi do ta marrë vendin e Arijanet Muric, i cili mungon shkaku i kartonëve.

Kapiteni Amir Rrahmani pritet të kthehet në ekip pas lëndimit dhe do të marr vendin e tij nga minuta e parë.

Përveç Rrahmanit, në treshen e mbrojtjes pritet të luajnë edhe Albian Hajdari dhe Lumbardh Dellova, i cili shihet si i favorizuar ndaj Fidan Alitit, ndërsa krahët do t’i mbulojnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.

Mesfusha do të përbëhet nga Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija, teksa në sulm dyshja Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani.

Milot Rashica dhe Edon Zhegrova pritet të marrin minutat e tyre gjatë pjesës së dytë. /Telegrafi/

Dita e ndeshjes: Kosova kërkon rezultat pozitiv në Slloveni

15 November 2025 at 08:28


Sot (e shtunë) është në program për t’u zhvilluar ndeshjes e Kombëtares së Kosovës në udhëtim te Sllovenia, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Dardanët janë mysafir të sllovenëve në ndeshjen e parafundit të Grupit B, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Lubjanës me fillim nga ora 20:45.

Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtares, por sidomos për Kosovën, e cila me një barazim siguron pozitën e dytë apo ‘play-off’-in për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Ekipi i përzgjedhësit Franco Foda është i kompletuar për këtë ndeshje, përveç portierit Arijanet Muric, i cili mungon shkaku i kartonëve, dhe kështu imperativ i vetëm është rezultati pozitiv.

Për këtë përballje, UEFA ka caktuar treshen e njohur të gjyqtarëve francezë: Clement Turpin si kryesor dhe Nicolas Danos dhe Benjamin Pages si anësorë. /Telegrafi/

Çfarë duhet të dini për “Stozice Stadium” – Arena ku nesër luan Kosova ndaj Sllovenisë

14 November 2025 at 19:35


Kosova rikthehet nesër në fushë për ndeshjen e pestë të fazës së grupeve në eliminatoret për Kupën e Botës 2026, ku si mysafire sfidon Slloveninë në Stadiumin “Stozice” në Lubjana.

“Stozice Stadium”, i vendosur në veri të kryeqytetit slloven, është impianti më i madh futbollistik në vend dhe shtëpia e Kombëtares së Sllovenisë. I hapur në vitin 2010, stadiumi është pjesë e kompleksit të madh sportiv Stozice Sports Park, që përfshin edhe një arenë të brendshme për sporte të tjera dhe evente kulturore.

Stadiumi ka një kapacitet prej mbi 16 mijë ulësesh, me kushte moderne për tifozë dhe media, ndërsa fusha e lojës konsiderohet ndër më të mirat në rajon. Arena njihet për atmosferën e ngrohtë dhe akustikën e fortë, që shpesh e shndërron në një terren të vështirë për skuadrat mysafire.

Për nga vendndodhja, “Stožice” gjendet vetëm disa minuta larg qendrës së qytetit, është lehtësisht i aksesueshëm me transport publik dhe përmban një numër të madh vendesh parkimi. Stadiumi përdoret rregullisht edhe për koncerte dhe ngjarje ndërkombëtare, duke qenë një prej pikave referuese të Lubjanës moderne.

Kosova ka udhëtuar në Slloveni me synimin për të marrë një rezultat pozitiv, në një impiant ku vendasit rrallë humbin. Dueli pritet me interes të madh, me faktorin e stadiumit dhe mbështetjen e tifozëve që do të luajnë rol të rëndësishëm.

Telegrafi gjendet me ekipin në Lubjanë, ku dyshja Romak Zeqiri dhe Bardh Maxhuni do të ju mbajë të informuar për çdo gjë rreth Kosovës. Udhëtimi i ekipi tonë është mundësuar nga ELBAU.


Ndeshja Slloveni – Kosovë do të nisë nesër në ora 20:45. /Telegrafi/

❌
❌