Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Asllani protagonist me gol, Avdullahu me paraqitje solide: Hoffenheim e ‘shpartallon’ Hamburgun

13 December 2025 at 17:37


Hoffenheim ka shënuar fitore të thellë ndaj Hamburgut (4-1), në kuadër të Bundesligas.

Tre yjet e Kosovës Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani ishin sërish protagonist, ku secili kishte vlerësim të lartë në paraqitje.

Hajdari përndryshe këtë herë u provua në një pozitë tjetër, pra si mbrojtës i krahut të majtë.

Asllani hyri vetëm si zëvendësues, megjithatë pesë minuta pas inkuadrimit shënoi një gol të bukur për ta vulosur fitoren.

Ndërkohë, Avdullahu si zakonisht zhvilloi tjetër paraqitje solide, ku nga “SofaScore” u vlerësua me notën 7.3.

Të tre yjet kësisoj po e ndihmojnë Hoffenheim të luftojë për një vend që të dërgon në Ligën e Kampionëve, pasi zënë pozitën e katërt me 26 pikë./Telegrafi/

Historike: Për herë të parë katër lojtarë të Kosovës luajtën titullarë në Bundesliga

30 November 2025 at 18:12


Klubi gjerman Hoffenheim ka shkruar se për herë të parë në histori katër lojtarë nga Kosova luajtën në një ndeshje në Gjermani.

Treshja e Hoffenheim Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, së bashku me Elvis Rexhbecajn e Ausgburgut ishin titullarë në fundjavë në Bundesliga.

Edhe vetë skuadra gjermane ka uruar FFK-në për këtë arritje të jashtëzakonshme.

“KosoWOW. Me Fisnik Aslllanin, Leon Avdullahun, Albian Hajdarin dhe Elvis Rexhbecaj i Augsburgut, katër lojtarë kosovarë luajtën në një ndeshje për herë të parë në histori të Bundesligas”, shkroi klubi gjerman.

Hoffenheim përndryshe e fitoi përballjen me rezultat bindës 3-0, ku Hajdari e Avdullahu bënë paraqitje të shkëlqyer./Telegrafi/

Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu shkëlqejnë në fitoren e Hoffenheimit ndaj Ausgburgut

29 November 2025 at 18:10


Tre yjet e Kosovës Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani sërish kanë zhvilluar paraqitje pozitive për Hoffenheim që mposhti Augsburgun me rezultat 3-0.

Të tre lojtarët ishin titullarë, me Asllanin që u shfrytëzua në një pozitë tjetër, pra si një numër 10, prapa dy qendërsulmuesve prandaj edhe nuk ishte në formën më të mirë.

Asllani u zëvendësua pas 59 minutave lojë, derisa dyshja Hajdari e Avdullahu ishin të pathyeshëm – për të regjistruar një tjetër paraqitje të shkëlqyer në kampionatin gjerman.

“SofaScore” e vlerësoi Hajdarin me notën 7.9 derisa Avdullahun me 7.7.

Hoffenheim falë këtyre paraqitje pozitive ka zënë pozitën e katërt me 23 pikë në Bundesliga pas 12 xhirove./Telegrafi/

“Provuam gjithçka”, presidenti i Federatës Zvicerane flet për ikjen e Avdullahut e Hajdarit – frikësohet për të ardhmen

27 November 2025 at 16:23


Presidenti i Federatës Zvicerane Peter Knabel thotë se provuan gjithçka për ta bindur mesfushorin Leon Avdullahu të mos i bashkohet Kosovës, por nuk ia dolën.

Kosova u përforcua dukshëm këta muajt e fundit, duke bindur top talentët e Hoffenheimit si Leon Avdullahu e Albian Hajdari, ndërsa falë paraqitjeve të shkëlqyeshme edhe e siguruan për herë të parë play-offin e Botërorit 2026.

Së fundmi lidhur me largimin e lojtarëve nga Zvicra reagoi edhe Knabel, i cili përmendi çështjen e Avdullahut si shembull që “Helvetikët” nuk mund të bëjnë gjithçka për t’i bindur lojtarët.

Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari

“Provuam gjithçka, edhe e vizitova Leon Avdullahun në Hoffenheim së bashku me Murat Yakin, por vendimi i tij ishte kryer”.

Knabel gjithashtu konfirmoi se problemi kyç është të talentët e rinj sepse edhe konkurrenca mes Federatave është rritur në përgjithësi.

“Kemi një problem me kalimin e lojtarëve të rinj në ligën më të lartë sepse konkurrenca midis Federatave për talente është bërë shumë më e madhe”, deklaroi ai për “SRF”.

Ndërkohë, Kosova është duke provuar të marrë edhe disa talentë tjerë të Zvicrës, si Demir Xhemalija e Adrien Llukes./Telegrafi/

Ardhjet e reja që i dhuruan Kosovës kualitet dhe e ndihmuan drejt kualifikimit në “play-off”

19 November 2025 at 18:37


Në një cikël kualifikues për Botërorin e vitit 2026 të mbushur me sfida dhe rivalitet të fortë, Kombëtarja e Kosovës ka arritur të shkëlqejë dhe të sigurojë "play-off"-in falë disa prurjeve të reja që kanë sjellë energji, kualitet dhe perspektivë.

Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha kanë ardhur në skuadër me ambicie të mëdha dhe shpejt janë shndërruar në lojtarë kyç që po ndihmojnë ‘Dardanët’ drejt aspiratave të tyre për kualifikim në Botëror.

Hajdari bëri debutimin e tij me Kosovën më 10 tetor 2025, në ndeshjen kundër Sllovenisë, gjatë fazës kualifikuese për Botërorin.

Për Kosovën, prania e Hajdarit në qendër të mbrojtjes ofron stabilitet dhe siguri, një dimension shumë i domosdoshëm për ekipin.

Një tjetër atribut shumë i rëndësishëm që Hajdari ka sjellë me vete te Kosova është aftësia e tij për të luajtur me topin, gjë që i ka ndihmuar shumë skuadrës në ndërtimin e aksioneve nga mbrojtja.

Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu

Një tjetër prurje e re te Kosova ishte mesfushori Leon Avdullahu. Ai u përfshi në skuadër për ndeshjet kualifikuese që nisën më 5 dhe 8 shtator 2025, kundër Zvicrës dhe Suedisë.

Në debutimin e tij kundër Zvicrës, Avdullahu u vendos me besim nga Foda në mesfushë, duke sjellë vizion loje, kontroll topi dhe kreativitet, elemente këto që i nevojiten secilës kombëtare në rrugën drejt suksesit.

Veldin Hoxha, nga ana tjetër, debutoi më 8 shtator 2025 ndaj Suedisë, duke hyrë në lojë nga banka rezervë.

Edhe pse minutat e tij në fushë ishin të kufizuara, prania e tij i jep Fodës një opsion të vlefshëm për të bërë rotacione në mesin e fushës.

Veldin Hoxha në stërvitje

Aftësitë e Hoxhës për të mbajtur topin dhe për të shkatërruar aksionet e kundërshtarit e kanë bërë atë një lojtar të çmuar për kombëtaren.

Ky fleksibilitet është i domosdoshëm për Kosovën, sidomos në ndeshjet që kërkojnë strategji të ndryshme ndaj kundërshtarëve të fortë si Zvicra dhe Suedia.

Me përzgjedhësin Franco Foda në krye, ardhjet e reja dhe tifozët në tribunë, Kosova duket më e përgatitur dhe më konkurruese se kurrë në histori për të arritur objektivin e saj: të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin e 2026-ës./Telegrafi/

“Ne jemi një”, Albian Hajdari i del në mbrojtje Xhakës pas vërshëllimave të tifozëve

19 November 2025 at 10:42


Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari i ka dhënë përkrahje Granit Xhakës, pas pritjes jo edhe aq të mirë në ndeshjen e mbrëmshme.

Kosova mbylli kualifikueset me një barazim 1-1 në Prishtinë ndaj Zvicrës në ndeshjen e luajtur nën shiun e rreptë të martën mbrëma.

Këto kualifikuese ishin historike për Kosovën, pasi arritën ta mbyllin në vendin e dytë duke siguruar një vend në ‘play-off’.

Megjithatë, ylli shqiptar i cili mban fanellën e Zvicrës, Xhaka, nuk u prit edhe aq ngrohtë nga një grup i tifozëve në stadium, të cilët vendosen ta vërshëllejnë pas çdo prekje të topit.

E gjithë kjo vjen pas disa deklaratave të mesfushorit të Sunderland kundrejt Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahut, të cilët lanë fanellën e Zvicrës për të përfaqësuar Kosovën.

Por, ishte pikërisht Hajdari, i cili i doli në mbrojtje pas ndeshjes, duke postuar një fotografi së bashku me Xhakën dhe Avdullahun, me një mbishkrim: “Ne jemi një”.

Kjo fotografi u shpërnda edhe nga Avdullahu, duke treguar që edhe mesfushori e përkrah dhe nuk iu ka mbetur aspak hatëri nga deklaratat e bëra.

Fotografia u rishpërnda edhe nga vetë Xhaka. /Telegrafi/




Tri fitore, dy barazime dhe një humbje - kush shkëlqeu dhe kush i shënoi golat e Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës

19 November 2025 at 09:06


Kombëtarja e Kosovës ka pasur një paraqitje mbresëlënëse në fazën e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 me një epilog prej tri fitoresh, dy barazimesh dhe një humbje, duke siguruar vendin e dytë në Grupin B dhe një vend në ‘play-off’.

Në këto ndeshje, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda demonstroi konsistencë dhe karakter, sidomos në sfidat me Suedinë dhe Slloveninë.

Dy nga momentet kyçe ishin fitorja 1-0 në udhëtim te Suedia falë golit të Fisnik Asllanit dhe 2-0 si mysafire ndaj Sllovenisë, në të cilën Fisnik Asllani shënoi në minutën e 6-të, ndërsa goli i dytë erdhi nga një autogol i mbrojtësit slloven, Zan Karnicnik, në minutën e 64-të.

Po ashtu, Kosova mposhti Suedinë me rezultat 2-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku golat u shënuan nga Elvis Rexhbeçaj (26’) dhe Vedat Muriqi (42’), ky i fundit në një kundërsulm perfekt të ndërtuar së bashku me Albion Rrahmanin.

Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme, pasi vendosi Kosovën në rrugën drejt ‘play-off’-it.

Nga ana tjetër, humbja e vetme erdhi në përballjen me Zvicrën - një kundërshtar i fortë në grup - duke treguar se Kosova ka ende punë për t’u afruar me nivelet e ekipeve kryesuese. Megjithatë, diferenca e golave nuk e pengoi atë të arrijë vendin e dytë dhe të sigurojë fazën ‘play-off’.

Përfundimisht, Fisnik Asllani ishte ‘ndriçuesi’ në sulm, me golin e tij vendimtar në Suedi, por edhe njërin gol në Slloveni, ndërsa Vedat Muriqi vazhdon të jetë figura kryesore dhe motori në fazën ofensive.

Një tjetër lojtar që la mbresa në këto kualifikuese padyshim se ishte edhe mbrojtësi i majtë Dion Gallapeni, por pa harruar edhe Lumbardh Dellovën, Arijanet Muricin dhe Florent Muslijan, të cilët ishin tre lojtarët me notën më të mirë mesatare në këto kualifikuese.

Shkëlqim dhe rritje niveli të skuadrës ofruan edhe dy prurjet e reja, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët ofruan siguri me performancat prej yjesh.

Falë këtyre paraqitjeve, Kosova shkel hap pas hapi drejt ëndrrës së pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2206 - për herë të parë në histori. /Telegrafi/

Hoffenheimi me urim special për tre yjet e Kosovës para ndeshjes ndaj Zvicrës

18 November 2025 at 19:55


Hoffenheimi ka vendosur t’i tregojë mbështetjen e tij të veçantë talentëve dardanë që bëjnë pjesë në skuadrën e tij, duke u uruar atyre fat në ndeshjen e sotme ndaj Zvicrës.

Klubi gjerman publikoi një mesazh në rrjetin social Facebook ku përmendte lojtarët Fisnik Asllani, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu, duke i motivuar për paraqitjen e tyre me kombëtaren e Kosovës.

Megjithatë, dy prej tyre, Hajdari dhe Avdullahu, nuk do të jenë të pranishëm në fushë për këtë takim.

Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka vendosur të mos i përfshijë në listën e lojtarëve, për shkak të rrezikut të një suspendimi, duke i lënë jashtë për të ruajtur lojtarët nga ndëshkimi potencial.


Pavarësisht kësaj, Hoffenheimi nuk i ka harruar dhe ka dashur të shprehë mbështetje morale për ta.

“Fat të mbarë, djema,” shkruante në postimin e klubit, duke treguar kështu përkujdesjen e veçantë për lojtarët e tyre./Telegrafi/

Vlera e kombëtareve dhe lojtarët më të shtrenjtë të Kosovës dhe Zvicrës

18 November 2025 at 15:30


Ekipi i kombëtares së Kosovës ka një vlerë thuajse dyfish më të vogël se ekipi i kombëtares së Zvicrës, para përballjes së sotme (e martë) në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Dardanët janë nikoqir të Helvetikëve në ndeshjen e fundit të Grupit B, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, në ndeshjen e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.

Por, si qëndron situata e vlerës së dy ekipeve kombëtare para kësaj ndeshje?

Telegrafi ka marrë në faqen e specializuar Transfermarkt vlerat e të dyja kombëtareve dhe ka bërë krahasimin mes tyre dhe lojtarëve të tyre.

Ekipi kombëtar i Kosovës ka një vlerë totale prej 131.38 milionë euro, ndërsa ai i Zvicrës ka një vlerë prej 240.40 milionë eurosh.

Dallimi mes dy kombëtareve qëndron se Helvetikët kanë dy futbollistë që vlejnë nga 40 milionë euro, si Dan Ndoye dhe Gregor Kobel.

Helvetikët gjithashtu kanë emra tjerë të vlerë të lartë në treg si Manuel Akanji me 22 milionë euro, Johan Manzambi me vlerë 15 milionë euro dhe Granit Xhaka e Breel Embolo me nga 12 milionë euro.

Në anën tjetër, te Kosova lojtari më vlerën më të lartë është Edon Zhegrova, i cili në treg vlerësohet me 25 milionë euro.

Lojtarët tjerë me vlerën më të lartë te Dardanët janë Fisnik Asllani me 18 milionë euro dhe Amir Rrahmani, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu me vlerë prej 12 milionë euro secili.

Kosova renditet e 84-ta në ranglistën e kombëtarëve të FIFA-s, teksa Zvicra renditet e 17-ta.

Vlen të theksohet se Zvicra ka 13 pikë në vendin e parë në grup, ndërsa Kosova 10 pikë. /Telegrafi/

Lista e ndeshjes ndaj Zvicrës, Foda lë dy yjet e mëdhenj në tribunë

18 November 2025 at 09:18


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka zgjedhur 23 futbollistët që do të jenë në protokoll për ndeshjen e sotme (e martë) ndaj Zvicrës.

Dardanët janë nikoqir të Helvetikëve në takimin e fundit të Grupit B, i cili pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:45.

Ekipi i Fodas ka mundësi kualifikimi nëse fiton me rezultat të thellë 6-0, por një gjë duket e pamundur së paku në letër.

Kështu, trajneri gjerman ka vendosur t’i “ruajë” disa futbollistë që rrezikojnë të ndëshkohet me karton të verdhë dhe të mungojnë në ndeshjet e ‘play-off’-it.

Sipas përditësimit të fundit nga faqja zyrtare e UEFA-s, dy yjet titullarë si Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari nuk janë në listën e ndeshjes ndaj Zvicrës dhe arsyeja e vetme është që rrezikojnë të mungojnë nëse marrin edhe një karton.

Në vend të këtyre dy lojtarëve në listë janë rikthyer Lindon Emërllahu dhe Baton Zabërgja, të cilët nuk ishin në ndeshjen ndaj Sllovenisë.

Përveç Avdullahut dhe Hajdarit, edhe tre tjerë nuk janë pjesë e listës. Faton Maloku ia lë vendin Arijanet Muricit të rikthyer nga suspendimi, teksa Leard Sadriu dhe Meriton Korenica mbesin në tribunë edhe për këtë ndeshje. /Telegrafi/




Albian Hajdari rrëfen rëndësinë që ka kualifikimi në Kupën e Botës: Më shumë se futboll, do të ishim shpresa e një gjenerate

17 November 2025 at 20:31


Qendërmbrojtësi Albian Hajdari ka dhënë një intervistë të shkëlqyer për gazetën zvicerane “bluewin”, ku deklaroi se kualifikimi i mundshëm në Kupën e Botës do të ishte shpresë për tërë gjeneratën.

Hajdari ka qenë i jashtëzakonshëm që kur iu bashkua Kosovës, të cilët nuk dinë për humbje me yllin e Hoffenheimit në lojë.

Në një intervistë për gazetën zvicerane, ai fillimisht foli për vendimin që të kalojë te Kosova, si dhe përballjen me Zvicrën.

“E kuptoj reagimin e publikut. Ishte vendim i vështirë edhe për mua, e kam diskutuar me shumë kujdes me rrethin e ngushtë, miqtë dhe familjen. Pastaj, dua të jem model për futbollistët e rinj në Kosovë, të jem shembull dhe t’i dëshmoj vlerat e mia”.

“Po përgatitemi, do ta japim më të mirën dhe nuk do të jemi mysafirët më të mirë në fushë”.

“Humbja 4-0? Është në të kaluarën, nuk po e mendoj. Ka rëndësi vetëm paraqitja jonë në lojën e ardhshme”.

Tutje, Hajdari shpjegoi si Kupa e Botës është më e rëndësishme te Kosova, pasi pjesëmarrja në këtë turne do të shfaqte krenaria më e madhe për të gjithë.

Albian Hajdari

“Për shumë kombëtare, Kupa e Botës është thjesht një qëllim sportiv, por për ne është me shumë rëndësi. Është konfirmim për atë që jemi, një kombësi e ri. Kosova ka kaluar shumë në histori. Jemi shtet që ka mbijetuar para se të lejohet ta shkruaj historinë e vetë. Kupa e Botës mund të simbolizojë që tani mund të ëndërrojmë së bashku, në mënyrë sekrete, pa pasur nevojë ta shpjegojmë”.

“Besoj se nuk ka të bëjë vetëm me futbollin. Është identitet, krenari dhe perspektivë. Nëse je fëmijë në Kosovë dhe e sheh kombëtaren tënde duke luajtur në Kupën e Botës, ndoshta për herë të parë nuk mendon si mund të emigrosh, por çfarë mund të bësh për shtetin tënd”.

“Do të ishte krernari, përgjegjësi dhe motivim. Nuk do të ishim vetëm pjesëmarrës. Do të ishim zëri, fytyra dhe shpresa e një gjenerate të plotë. Është më e madhe se turneu. Do të ishte histori”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, Hajdari më shumë gjasë do të jetë titullar me Zvicrën, por njëkohësisht duhet të ketë kujdes pasi nëse ndëshkohet me karton të verdhë atëherë do të mungojë në gjysmëfinalen e play-offit të Botërorit 2026./Telegrafi/

Katër yje rrezikojnë ta humbasin gjysmëfinalen e play-offit nëse ndëshkohen ndaj Zvicrës

17 November 2025 at 19:25


Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë përballjen e vështirë ndaj Zvicrës në shtëpi të martën, në kuadër të ndeshjes së fundit kualifikuese për Kupën e Botës.

“Dardanët” e kanë siguruar tashmë vendin për play-offin e Botërorit, mirëpo mund të kualifikohen direkt nëse ndodhë ndonjë mrekulli, pra një fitore me gjashtë gola diferencë.

Sidoqoftë, përzgjedhësi Franco Foda duhet të ketë kujdes pasi mund të mbetet pa disa nga yjet kryesorë në play-off, meqenëse katër lojtarë kanë nga një karton të verdhë në këto kualifikuese dhe nëse ‘zverdhën’ nesër atëherë do ta humbasin së paku gjysmëfinalen.

Bëhet fjalë për dy qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari, si dhe mesfushorët Muharrem Jashari dhe Leon Avdullahu.

Franco Foda

Dellova u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Sllovenisë, kurse Albian Hajdari gjatë fitores 0-1 te Suedia. Avdullahu e ka kartonin e verdhë në barazimin 0-0 të Sllovenisë, derisa Jashari në triumfin 2-0 kundër suedezëve në Prishtinë.

Tre nga këta katër yje luajnë titullarë në formacionin e Franco Fodas, prandaj nëse ndodhë më e keqja, atëherë do të jenë mungesë jashtëzakonisht e madhe për “Dardanët”.

Faktikisht edhe Foda po e konsideron ndryshimin e formacionit fitues shkaku i kësaj situate.

“Sot e kemi seancën stërvitore, do të flas me disa lojtarë dhe ndoshta do të kemi disa ndryshime në formacion”, kishte deklaruar Foda.

Përndryshe, mbetet të shihet në çfarë mënyrë do t’i qaset Kosova përballjes me Zvicrën./Telegrafi/

Hajdari i përgjigjet Xhakës: Unë dhe Leoni kemi vendosur me zemër për Kosovën

17 November 2025 at 13:11


Granit Xhaka ditë më parë tha se Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari nuk kishin durim që të prisnin Zvicrën dhe zgjodhën Kosovën.

Tani ka ardhur përgjigja nga mbrojtësi dardan për Xhakën, duke thënë se nuk ka të bëjë me durimin.

"Nuk ka të bëjë me durimin. Unë dhe Leoni kemi zgjedhur me zemër ta përfaqësojmë Kosovën. Ajo çfarë ka thënë Graniti është thjeshtë mendimi i tij".

Hajdari telegrafi.com

"Unë kam vetëm respekt për karrierën e tij dhe vendimi im ka qenë vendim i marrë për vendin tim", ka thënë Hajdari.

Ai tutje foli edhe për partnershipin që ka krijuar në qendër të mbrojtjes te Kosova, duke thënë se ndihet mirë me të gjithë.

"Trajneri vendos kush luan. Unë e kam ndjerë vetën mirë edhe me Fidanin, Ilirin apo Kreshhnikun, por edhe tashti me Lumbardhin dhe Amirin. Mundohem t'iu ndihmoj dhe ata gjithashtu më ndihmojnë mua. Jemi duke luajtur mirë dhe të shohim", tha Hajdari. /Telegrafi/

Hajdari: Duam fitore ndaj Zvicrës

17 November 2025 at 12:57


Albian Hajdari ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes Kosovë - Zvicër që zhvillohet të martën mbrëma me fillim nga ora 20:45.

Mbrojtësi dardan që më parë ka luajtur për Zvicrën ka thënë se e kanë instaluar një mentalitet që gjithmonë duan fitoren.

Ai ka thënë se pasi shkruan historinë me sigurimin e Play-Off-it, duan që të shkruajnë një tjetër histori që të marrin 13 pikë nga këto kualifikuese.

"Besoj që çdo ndeshje është e rëndësishme si çdo ndeshje tjetër. E kemi një mentalitet që ja fitojmë ja marrim një pikë".

"Ne duhet të fitojmë edhe ndaj Zvicrës. Ne shkruam historinë në ndeshjen e fundit, por duhet të shkruajmë histori edhe me pikë duke fituar dhe duke marrë më shumë pikë", tha Albian Hajdari. /Telegrafi/

“Ëndrra e Botërorit ende gjallë”, Hoffenheim uron Kosovën pas fitores ndaj Sllovenisë

16 November 2025 at 10:48


Klubi gjerman Hoffenheim ka uruar Kosovën që siguroi play-offin e Kampionatit Botëror 2026.

Skuadra gjermane përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” ka publikuar një foto të lojtarëve të Kosovës, ku në qendër janë tre yjet e tyre si Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.

Ndër të tjera ata përmenden edhe golin e Asllanit, i cili zhbllokoi rezultatin të shtunën mbrëma.

“Ëndrra e Kupës së Botës së tyre po vazhdon”.

“Fis, Leon dhe Albi siguruan biletën për në play-offin e Kupës së Botës. Numri 11 i ynë e nisi këtë fitore me gol për ta bërë rezultatin 1-0 ndaj Sllovenisë”, shkroi ndër të tjera klubi gjerman.



Kjo nuk është hera e parë që Hoffenheim uron Kosovën, me paraqitjet e lojtarëve të tyre që nuk kanë zhgënjyer prej kur i janë bashkuar “Dardanëve”.

Kujtojmë, Kosova do të përballet me Zvicrën në Prishtinë të martën me fillim prej orës 20:45, ndërsa nëse nuk arrijnë një mrekulli – shortin për Kupën e Botës do ta mësojnë të premten./Telegrafi/

Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Sllovenisë – Foda me disa ndryshime

15 November 2025 at 10:17


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka ndarë tashmë mendjen për formacionin që do ta vendos për ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Sllovenisë, në kuadër të kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Kosova do të luajë si mysafir i Sllovenisë në ndeshjen e parafundit të Grupit B, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Lubjanës me fillim nga ora 20:45.

Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, por sidomos për Kosovën, e cila me një barazim siguron pozitën e dytë apo ‘play-off’-in për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Kështu, trajneri gjerman, Foda, ka vendosur tashmë për formacionin që pritet të luajë në ndeshjen jetike ndaj Sllovenisë.

Sipas burimeve të Telegrafit, Foda do të vazhdojë t’i besojë rreshtimit 3-5-2, i cili në mbrojtje transformohet në 5-3-2, ku pjesë e tij do të jenë disa ndryshime të domosdoshme.

Ndryshimi i parë do të jetë në portë, ku Amir Saipi do ta marrë vendin e Arijanet Muric, i cili mungon shkaku i kartonëve.

Kapiteni Amir Rrahmani pritet të kthehet në ekip pas lëndimit dhe do të marr vendin e tij nga minuta e parë.

Përveç Rrahmanit, në treshen e mbrojtjes pritet të luajnë edhe Albian Hajdari dhe Lumbardh Dellova, i cili shihet si i favorizuar ndaj Fidan Alitit, ndërsa krahët do t’i mbulojnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.

Mesfusha do të përbëhet nga Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija, teksa në sulm dyshja Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani.

Milot Rashica dhe Edon Zhegrova pritet të marrin minutat e tyre gjatë pjesës së dytë. /Telegrafi/

Leon Avdullahu e Albian Hajdari me një rrëfim si dyshe: Zvicra s’mund të bënte asgjë për ta na bindur ta refuzojmë Kosovën

9 November 2025 at 16:02


Dyshja e Hoffenheimit Leon Avdullahu e Albian Hajdari në në intervsitë të gjatë për “Blick” kanë konfirmuar se pavarësisht gjithçka që do të bënte Federata Zvicerane nuk do t’ua ndryshonte mendjen për ta përfaqësuar Kosovën.

Brenda dy muajve, Zvicra humbi dy “top talenta” me Avdullahun që fillimisht zgjodhi Kosovën, e pastaj edhe Hajdari ndjeku rrugën e tij.

Të dy u pyetën nga “Blick” se çfarë duhej të bënte Zvicra për t’ua ndryshuar mendjen, por përgjigja ishte e qartë.

“Asgjë”, konfirmoi shkurtimisht Avdullahu, ndërsa Hajdari deklaroi: “Ndoshta 50 paraqitje për Zvicrën do të ishin reale për mua, por te Kosova mund të kontriboujmë diçka. Mund të ndihmojmë të ndërtojmë diçka të madhe në këtë shtet të ri. Vendimi ynë gjithashtu mund t’i inspirojë të gjithë kosovarët: Bëhuni të guximshëm dhe merreni hapin. Leoni dhe unë e morëm këtë vendim dhe ndihemi mirë”.

Megjithatë, të dy qëndruan me këmbë në tokë kur u pyetën për ndikimin që kanë pasur te Kosova.

Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari

“Statusi legjendar mund të vjen më shpejt, apo jo? (bën shaka). Jo. Nuk kemi futuar asgjë dhe nuk varemi vetëm nga ne të dy, por e tërë skuadra. Diçka po përparohet te Kosova, mund ta ndjeni”, tha Hajdari.

“Sigurisht, po kalkulojmë se si mund të ndodhë. Pritjet dhe euforia në shtet janë të çmendura. Edhe nëse përfundojmë në pozitën e dytë dhe arrijmë në play-off, mund të konsiderohet arritje”, shtoi Avdullahu.

Hajdari ndër të tjera shtoi se po e pret me dëshirë të madhe përballjen ndaj Zvicrës.

“Fillimisht me rëndësi e kemi ndeshjen ndaj Sllovenisë, që na duhet për vendin e dytë. Pastaj Zvicra duhet të lëshojë pikë për të ndodhur skenari. Shumë opsione. Sidoqoftë, do të jetë lojë e veçantë për ne ndaj Zvicrës”./Telegrafi/

Njëri gol e tjetri asist, yjet e Kosovës shkëlqejnë në fitoren e Hoffenheim ndaj RB Leipzigut

8 November 2025 at 18:05


Hoffenheim ka regjistruar fitoren e radhës në Bundesliga, këtë herë në shtëpi ndaj RB Leipzigut.

Si zakonisht protagonist ishin yjet e Kosovës, ku Albian Hajdari ia bëri sefte me gol në kampionatin gjerman, ndërsa Fisnik Asllani dhuroi asist. Përpos tyre titullar ishte edhe Leon Avdullahu.

Hajdari u përkujdes për të barazuar rezultatin pasi mysafirët kishin kaluar në epërsi, duke përfituar nga një asistim i Burger dhe shënoi me lehtësi në portën e zbrazur (20’).

Asllani u inkuadrua vetëm në minutën e 67-të, por menjëherë la gjurmë. Ai asistoi për mrekulli te Promel që vulosi fitoren e Hoffenheim.

Vlen të ceket se qendërsulmuesi shënoi edhe një tjetër gol, megjithatë iu anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.



Hoffenheim kësisoj renditet në pozitën e pestë në tabelë me 19 pikë, tre më pak se Leipzig që zë vendin e dytë në tabelë.

Të tre lojtarët tanë tani do të udhëtojnë për në Kosovë, për të përfaqësuar fanellën dardane në sfidat vendimtare kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, në kuadër të Kampionatit Botëror./Telegrafi/

“Gjithnjë jam ndjerë kosovar, mund të kualifikohemi në Botëror”, Albian Hajdari tregon arsyen se pse e zgjodhi Kosovën para Zvicrës

7 November 2025 at 10:44


Qendërmbrojtësi Albian Hajdari thotë se gjithmonë është ndjerë kosovar ndërsa bisedimet me përzgjedhësin Franco Foda e bindi plotësisht për ta zgjedhur Kosovën para Zvicrës.

Hajdari ishte një nga prurjet e fundit të Kosovës në muajin tetor, ndërsa mahniti të gjithë tifozët dardanë me paraqitje të shkëlqyeshme ndaj Sllovenisë dhe Suedisë.

Në një intervistë për mediumin zviceran “cdt”, Hajdari ka komentuar arsyen pse e zgjodhi Kosovën para Zvicrës.

“Federata e Kosovës më ka kërkuar në mbi një vit e gjysmë, në një periudhë edhe kur debutova te Zvicra. Ta menaxhoja nuk ishte aspak e lehtë. Jam dhe ndihem kosovar, por karriera si futbollist më bëri që të kisha eksperiencë në shtetin që më stërviti”.

“Doja ta kuptoja si janë zviceranët. Pas kësaj, kisha disa biseda me Murat Yakin dhe përzgjedhësin e Kosovës Franco Foda. Pas kësaj në eksperiencat që ndjeva gjatë këtyre diskutimeve, më drejtoi që ta zgjidhja Kosovën”.

Albian Hajdari

Ai ndër të tjera konfirmoi se mund të kualifikohen në Botëror, kurse të gjithë po shpresojnë në gabimin e Zvicrës.

“Kosova e vogël mund ta bëjë historinë dhe të kualifikohet në një turne të madh për herë të parë. Mundësiaështë aty, që nënkupton se Zvicra të gabojë ndaj Suedisë. Jemi në dijeni, njësoi siç e dimë se na nevojiten sa më shumë pikë në Ljubljana dhe Prishtinë kundër zviceranëve”.

“Ta kem këtë eksperiencë me ish bahskëlojtarët si Kresh (Hajrizi) dhe Amir (Saipi) e bën edhe më të veçantë. Edhe për ata, të cilët ende luajnë në një ligë të nivelit të dytë, si Superliga e Zvicrës”.

Kujtojmë, pas pak orëve Kosova do ta bëjë publike për dy ndeshjet e muajit nëntor./Telegrafi/

Klubi i Bundesligës ku luajnë tre përfaqësues të Kosovës duket i shkatërruar nga brenda, pasi kaosi po mbretëron

4 November 2025 at 20:37


Edhe pse TSG Hoffenheim ndodhet në një pozitë të shkëlqyer të gjashtë në Bundesligë pas nëntë xhirove, pas skenave klubit i ka shpërthyer një krizë e madhe brenda strukturave drejtuese. Një luftë për pushtet po zhvillohet dhe kërcënon të destabilizojë të gjithë organizatën.

Drama u intensifikua të hënën mbrëma, kur dy drejtorët, Markus Schutz (60) dhe Frank Briel (50), u njoftuan se ishin shkarkuar. Të dy tashmë kanë lënë zyrat e tyre, ndërsa një njoftim zyrtar për shtyp është përgatitur dhe një takim me punonjësit ishte planifikuar, por më pas u anulua në minutën e fundit.

Vendimi për shkarkim u mor nga aksionarët Dietmar Hopp (85) dhe presidenti i klubit, Jorg Albrecht (57).

Sipas mediave gjermane, vetëm Hopp nënshkroi shkarkimin, pasi dy drejtorët kundërshtuan auditimin e biznesit që ai kërkoi, duke çuar situatën në një bllokim të plotë dhe duke e quajtur Hoffenheim "një klub të rrënuar të Bundesligës", ku kaosi ka mbretëruar ditët e fundit.

Schutz dhe Briel nuk i besonin firmës ligjore të përzgjedhur për auditimin, ndërsa presidenti Albrecht synonte të bisedonte fillimisht me drejtorët përpara se të nënshkruante. Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte largimi i dy drejtorëve në mënyrë vullnetare, ndërsa Hopp do të hiqte dorë nga kërcënimi për auditim.

Pasardhësi i mundshëm i drejtorit sportiv

Situata ndërlikohet edhe më shumë nga e ardhmja e pasigurt e drejtorit sportiv, Andreas Schicker (39), për të cilin RB Salzburg dhe Jurgen Klopp kanë shfaqur interes serioz.

Klubit i mbetet ende të vendosë nëse ai do të qëndrojë apo do të largohet, ndërsa tashmë është kontaktuar Jonas Boldt, ish-drejtori sportiv i Hamburgut, si pasardhës i mundshëm.

Boldt ka përvojë të gjerë në Bundesliga, ku ka punuar te Bayer Leverkusen dhe HSV, dhe njohja e tij e mirë e rajonit Rhein-Neckar e bën atë një kandidat ideal për të rimarrë kontrollin mbi politikën sportive të klubit.

Fraksioni rreth Dietmar Hopp dhe trajnerit me ndikim Roger Wittmann duket se ka një vizion të qartë: të rikthejë kontrollin e plotë mbi drejtimin sportiv të Hoffenheim, duke vendosur Boldt në krye të drejtorisë sportive.

Stabilitet në fushë, paraqitje të shkëlqyera nga lojtarët shqiptarë

Edhe pse kaosi administrativ është i dukshëm, skuadra e parë po tregon stabilitet dhe performancë të lartë në fushë. Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari janë bërë pjesë e rëndësishme e ekipit startues dhe kanë treguar paraqitje të shkëlqyera deri më tani në Bundesligë, duke fituar besimin e trajnerit dhe duke kontribuar në rezultatet pozitive të klubit.

Në ambientet e klubit në Zuzenhausen, e marta kaloi në heshtje dhe pa konfirmim zyrtar për shkarkimet e drejtorëve. Takimi i planifikuar me punonjësit u anulua në minutën e fundit, duke lënë të pasigurt se çfarë vendimesh do të merren përfundimisht dhe kush do të mbajë pozicionet e tyre në ditët e ardhshme.

Ndërkohë, tifozët dhe mediat mbeten të shqetësuar për situatën brenda klubit, ndërsa në fushë Hoffenheim vazhdon të demonstrojë aftësitë dhe potencialin e tij me skuadrën e rinjve dhe yjet e rinj shqiptarë që po bëhen një pjesë thelbësore e ekipit. /Telegrafi/

❌
❌