TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Elseid Hysaj është tashmë është lojtari me më shumë ndeshje me fanellën e Kombëtares shqiptare.
Për këtë rekord të tij dhe për fitoren e thellë të Shqipërisë kundër Jordanisë 4-2 mbrëmë në “Air Albania”, u fol në episodin e dytë të emisionit “Në Shtëpinë e Futbollit”, në FSHF TV.
Gjithashtu u diskutua edhe për fitoren 0-1 të Kombëtares shqiptare kundër Serbisë në Leskovac, me autor të golit, Rey Manajn.
Për emisionin “Në Shtëpinë e Futbollit”, dy protagonistët e Kombëtares në dy sfidat e fundit, Elseid Hysaj dhe Rey Manaj ndanë emocionet dhe momentet e tyre të veçanta me fanellën kuqezi.
Manaj si autori i golit historik në Leskovac ndërsa Hysaj si lojtari rekordmen i ekipit Kombëtar.
“Është një ëndërr. Në fillim kur kam luajtur me Kombëtaren nuk e kam menduar që mund të ngel në historinë e Kombëtares shqiptare për rekorde ndeshjesh. Tani që e arrita, është një ëndërr që plotësohet. Nuk e kisha menduar kurrë, por ja që ëndrrat arrihen.
Familja gjithmonë më ka mbështetur, e kam pritur këtë moment, pasi do të mbesë në histori. Këtë gjë do ta shohin edhe fëmijët e mi që në Kombëtare e kam lënë emrin tim dhe do të jetë për shumë kohë në regjistër”, u shpreh Hysaj.
Ndërsa sulmuesi Rey Manaj u shpreh se, nuk e kishte menduar që do të shkonim në Serbi dhe do të fitonim ndeshjen.
“Edhe po mos të kisha shënuar unë, po ta kishte bërë dikush tjetër, normal që do isha akoma më i kënaqur. Rëndësi ka që morëm tre pikët dhe bëmë historinë. Të gjithë lojtarët që luajtëm, ata që u futën në pjesën e dytë dhe që nuk luajtën, besoj që të gjithë kemi të njëjtën vlerë.
Të gjithë lojtarët kishim emocione para ndeshjes. Shqiponjën e bëra sepse ishte diçka që e ndjeva në atë moment, nuk e kisha planifikuar më parë dhe e ndjeva ashtu. Nuk ishte provokim as ndaj lojtarëve serbë, vetëm doja të festoja me shqiponjën. Kishim presion dhe shkoi çdo gjë ashtu siç donim”, theksoi Manaj.
/gj.m/a.f/
The post Hysaj dhe autor i golit historik në Serbi ndajnë emocionet e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.