Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kidnapimi i Milan Vukashinoviqit, një muaj paraburgim për ish-pjesëtarin e MPB-së serbe

22 December 2025 at 22:43


Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për ish-pjesëtarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuar për lidhje me kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, më 1 nëntor 2025.

Sipas njoftimit të gjykatës, të pandehurit V.M. i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet nga data 20 dhjetor 2025 deri më 19 janar 2026.

I dyshuari është arrestuar më 20 dhjetor 2025 në Leshak, në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Lajmin e kishte konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se arrestimi lidhet me rrëmbimin e Vukashinoviqit brenda territorit të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë.

Sveçla bëri të ditur se i arrestuari kishte qenë i integruar në Policinë e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje.

Sipas dyshimeve, ai ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur vazhdimisht strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e kidnapimit të Vukashinoviqit, i cili gjatë rrëmbimit u plagos rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi.

Ministri në detyrë ka deklaruar se ekzistojnë dyshime se i dyshuari ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë serbe, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime ushtarake dhe ka pasur njohuri për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.

Pas urdhëresës së gjykatës, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, një laptop, tre dokumente, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.

Milan Vukashinoviq, shtetas i Kosovës me nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer më 1 nëntor 2025 në afërsi të Leposaviqit nga xhandarmëria serbe.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Prokuroria e Mitrovicës ka intervistuar anëtarë të familjes së tij lidhur me rastin.

Sveçla ka theksuar se ky rast dëshmon veprimet destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Beogradit, në mënyrë që të parandalohen raste të ngjashme dhe tensione të reja në rajon./Telegrafi.

Nga Trepça njoftojnë se kanë arritur ta rikthejnë në posedim pronë publike mbi 1.35 milion euro

22 December 2025 at 14:23


Ndërmarrja Trepça ka shënuar një fitore të plotë ligjore në mbrojtje të pronës publike, pas një aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Me Aktgjykimin C.nr.91/2023, gjykata ka konfirmuar në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të drejtën e pronësisë së Trepça, duke urdhëruar njëkohësisht lirimin e menjëhershëm dhe kthimin e pronës në posedim të ligjshëm të ndërmarrjes.

Sipas njoftimit, prona në fjalë kishte qenë e uzurpuar për më shumë se 20 vjet, periudhë gjatë së cilës ishin ndërmarrë edhe veprime për tjetërsimin e saj, në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.

Si rezultat i këtij vendimi gjyqësor, Trepça ka rikthyer në posedim pasuri publike me vlerë mbi 1.35 milion euro.

Nga ndërmarrja vlerësohet se ky aktgjykim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e pronës publike dhe parandalimin e uzurpimeve të kundërligjshme.

Në njoftim është theksuar gjithashtu se ky sukses pasqyron angazhimin profesional dhe të vazhdueshëm të Zyrës Ligjore të Trepça në mbrojtje të interesave të ndërmarrjes dhe pasurisë publike të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/


Kosovë/ Ura e Ibrit bashkon Mitrovicën

By: Brisi
17 December 2025 at 20:32

Është hapur për qarkullimin e këmbësorëve ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe. Ura e re u përurua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe kreu i Mitrovicës […]

The post Kosovë/ Ura e Ibrit bashkon Mitrovicën appeared first on BoldNews.al.

Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër sot pritet të lëshohet për qarkullim

17 December 2025 at 08:23


Ura për këmbësorë e cila është ndërtuar mbi lumin Ibër, nga sot (17 dhjetor) pritet të lëshohet për qarkullim.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Durmishi e ka quajtur këtë një “kryevepër mbi Ibër”.

“Kryevepra mbi Ibër, ura për këmbësorë, lëshohet për qarkullim nesër”, ka shkruar Durmishi në Facebook. /Telegrafi/


Bastisje në një lokal në Mitrovicë, tre të arrestuar për posedim të substancave narkotike

14 December 2025 at 08:56


Rreth orës 18:20, në Rrugën e Muhaxherëve, policia ka realizuar një bastisje në një lokal ku dyshohej se zhvillohej shitje e substancave narkotike.

Gjatë aksionit policor janë arrestuar tre persona të dyshuar, meshkuj kosovarë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar katër qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë rreth 1 gram, dy cigare me peshë 1.5 gram, para të gatshme në vlerë prej 32.60 euro si dhe dy telefona mobilë.

Me vendim të prokurorit kompetent, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente. /Telegrafi/

Çerdhja e re në Shipol mbetet pa energji elektrike tash e dy javë

7 December 2025 at 10:10


Çerdhja “Dritë Dielli” në Shipol të Mitrovicës, e përuruar më 1 tetor 2025, ka dy javësh që ka mbetur pa energji elektrike dhe pa asnjë njoftim nga administrata, derisa prindërit mbeten duke pritur sqarime për hapjen e çerdhes.

Një prind, që kërkoi të mbetet anonim, tregon për KosovaPress, se çerdhja ka qenë jofunksionale për më shumë se dy javë për shkak të një shtylle elektrike të prishur.

“Dy javë jemi në pritje dhe nuk kemi asnjë lajmërim për mosvazhdimin e punës. Na kanë dërguar vetëm një foto që tregon se KEDS-i e ka rregulluar shtyllën që ka qenë problemi. Nëse mundeni të shihni, aty është vendosur një shtyllë betoni. Problemi, sipas tyre, ka përfunduar, por nuk kemi asnjë lajmërim tjetër, pa asnjë përgjegjësi, vetëm na thanë që nuk punon dhe kaq”-shprehet prindi.

Sipas tij, situata ka kaluar pa asnjë informacion edhe gjatë vikendit, duke e bërë problemin të vazhdueshëm dhe duke shtuar paqartësitë për hapjen e çerdhes dhe pagesat e muajit dhjetor.

Po ashtu, Olti Ahmeti, prind i një fëmije në çerdhen “Dritë Dielli”, ka treguar se djali i tij ka qëndruar një javë në shtëpi për shkak të ndërprerjes së energjisë.

“Po, jam në dijeni vetëm në atë pjesë që djali im qe një javë ka qëndruar në shtëpi, sepse çerdhja ka pasur një problem teknik”- ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se aq sa ka mundur të marrë informata nga disa punonjës aty, kanë thënë që problemi është vetëm transferimi i orës nga brenda në shtyllën elektrike jashtë.

Punëtori teknik i kësaj çerdheje tha se objekti është funksional, por aktualisht nuk ka energji elektrike për shkak të defektit në shtyllën e rrymës.

“Po, funksionale është kjo, por nuk ka rrymë. Kjo shtyllë është me defekt, kanë me vendos një orë të rrymës aty. E kanë sjellë shtyllën e re, janë duke ngjitur një orë të re dhe kjo shtyllë e vjetër ka me u largu. Për këtë nuk punohet brenda”- tha punëtori teknik.

Nga KEDS-i kanë thënë se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike në objekt ka ndodhur për shkak të një kyçjeje të parregullt në rrjet.

“Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike në atë objekt ka ndodhur si rezultat i një kyçjeje të parregullt në rrjetin elektrik. Duke qenë se bëhet fjalë për një çerdhe fëmijësh, kemi vepruar me kujdes të shtuar, por njëkohësisht kemi detyrimin ligjor të zbatojmë rregullat dhe procedurat e përcaktuara për sigurinë e rrjetit dhe të konsumatorëve”- thuhet në përgjigjet me shkrim.

Nga KEDS-i kanë shtuar se kanë kërkuar nga komuna të fillojë dhe të ndjekë procedurat zyrtare për lidhjen e re të energjisë, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregulloret përkatëse.

“Vetëm pas kompletimit të këtyre hapave, objekti mund të furnizohet me energji elektrike në mënyrë të rregullt dhe të sigurt. Ne mbetemi të gatshëm ta asistojmë komunën në çdo hap teknik që kërkohet, me qëllim që çerdhja të rifurnizohet sa më shpejt me energji elektrike, në përputhje me standardet dhe praktikat e aplikueshme“- thuhet nga KEDS.

Ndërsa, ushtrues detyre drejtoresha e çerdhes “Dritë Dielli”, Naxhije Hamiti e pyetur nga KosovaPress, për gjendjen në të cilën është kjo çerdhe, ajo tha se duhet t’i drejtohemi drejtorisë së arsimit.

“Ju lutem, për sqarime drejtoheni tek Drejtoria e Arsimit, në Mitrovicë”- tha Hamiti.

KosovaPress ka tentuar të marrë sqarime edhe nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi këtë çështje./KP/

Aksident i rëndë në aksin Mitrovicë–Zubin Potok, një i vdekur

4 December 2025 at 17:43


Ka vdekur 53-vjeçarja si pasojë e aksidentit të sotëm në rrugën nacionale Mitrovicë – Zubin Potok në fshatin Koshtovë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti i cili tha se në këtë aksident janë përfshirë dy vetura.

Zahiti ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Aksident trafiku me fatalitet Mitrovicë e Jugut, 04 dhjetor 2025 Sot, rreth orës 15:00, në rrugën nacionale Mitrovicë- Zubin Potok, në segmentin rrugor në fshatin Koshtove, ka ndodhur një aksident trafiku me pasojë fataliteti. Në aksident janë përfshirë dy vetura, ku përveç dëmeve materiale, lëndime të renda ka pësuar drejtuesja e njërës prej veturave, e cila është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës se Jugut".

"Rreth orës 16:20, autoritetet mjekësore të Spitalit Rajonal të Mitrovicës kanë njoftuar se e lënduara drejtuesja e veturës, rreth 53-vjeçare, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka deklaruar ai./Telegrafi/

KRM “Uniteti” nënshkruan marrëveshjen e re për pastrimin publik në Mitrovicë

1 December 2025 at 14:40


Kompania Rajonale e Mbeturinave “Uniteti” ka njoftuar se sot është nënshkruar marrëveshja e re për shërbimet e fshirjes dhe larjes së rrugëve, si dhe largimin e deponive ilegale në territorin e Komunës së Mitrovicës.

Përmes kësaj marrëveshjeje janë përcaktuar qartë obligimet e palëve për kryerjen e të gjitha shërbimeve të pastrimit publik, duke përfshirë mirëmbajtjen e hapësirave publike, pastrimin mekanik dhe manual të rrugëve, si dhe eliminimin e deponive ilegale në të gjitha zonat e qytetit.

Sipas njoftimit të KRM “Uniteti”, menjëherë pas finalizimit të marrëveshjes, ekipet operative kanë dalë në terren dhe kanë filluar zbatimin e detyrave të planifikuara.

Kompania ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se situata e krijuar ditëve të fundit “ka ndodhur pa fajin tonë”.

“KRM ‘Uniteti’ mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe në garantimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë qytetarët e Mitrovicës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Shoqata Down Syndrome Kosova mbështetje për fëmijët e prekur

29 November 2025 at 18:01

PRISHTINË, 29 nëntor /ATSH/ Në Mitrovicë mbi 100 fëmijë dhe të rritur me Syndrome Down marrin shërbime zhvillimore, edukative dhe profesionale në Shoqatën Down Syndrome, ku përfshirja dhe mbështetja e vazhdueshme po ndikojnë drejtpërdrejt në pavarësinë e tyre.

Qendra “Down Syndrome Kosova” në Mitrovicë është funksionale që nga viti 2009 përmes programeve të ndërhyrjes së hershme, logopedisë, autonomisë personale dhe aftësimit profesional, ndërsa bashkëpunimi i ngushtë me prindërit dhe institucionet arsimore po u mundëson shumë prej tyre të përfshihen në shkolla dhe madje edhe në tregun e punës.

Përmes terapive ditore, trajnimeve dhe aktiviteteve sociale, qendra mbetet një prej pikave kryesore të mbështetjes për këtë komunitet në Mitrovicë.

Në mënyrë që trajtimi i këtyre personave të jetë i barabartë, në një kafene e cila funksionon në kuadër të kësaj qendre, punon Gentrit Ahmeti nga Skënderaj. Ai nuk kujdeset vetëm për përgatitjen e kafesë dhe çajit, por gjithmonë sjell energji pozitive dhe buzëqeshje për klientët dhe kolegët.

Ai tregon se çdo ditë udhëtimin drejt kafenesë ku punon e nis nga fshati Rezallë i Skenderajt, ku thotë se ky rrugëtim nuk e lodh aspak, përkundrazi e bën me dëshirë.

Në vendin e punës ku i kalon shtatë orë çdo ditë, ai tregon se përgatit ëmbëlsira, kafe e çaj.

Erza Zasella Gjosha, përgjegjëse për shoqatën Down Syndrome Kosova, tregon se kjo qendër u themelua në Prishtinë, në vitin 2007. Ndërsa, Qendra në Mitrovicë është hapur në 2009, dhe ofron programe për fëmijë dhe të rritur për zhvillim dhe përfshirje në shoqëri. Ajo thotë se në kuadër të shoqatës ofrohen shërbime terapeutike dhe psiko-sociale.

Ajo tregon se shoqata përdor metoda praktike për të nxitur bashkëpunimin me prindërit, duke kërkuar që ata të dërgojnë foto ose video të aktiviteteve të realizuara në shtëpi.

Erza Zasella Gjosha thotë se aktualisht 21 persona me Sindromën Down ndjekin shkolla të rregullta, ndërsa tre të tjerë marrin mësim në Qendrën Burimore.

Këtë vit, dy nxënës me Sindromën Down janë regjistruar për herë të parë në shkolla të mesme të larta dhe po ndjekin mësimin normalisht.

Erza Zasella Gjosha nga Shoqata Down Syndrome Kosova ka bërë të ditur se aktualisht po realizohet një projekt i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës, i cili përfshin një shfaqje teatrale në bashkëpunim me komunitetet serbe dhe boshnjake të Mitrovicës Veriore.

Shoqata Down Syndrome Kosova mbështet përfshirjen e personave me Syndrome Down në tregun e punës. Aktualisht qendra në Mitrovicës ka 9 të punësuar në institucione private, realisht në Kosovë vetëm një është në institucion publik. Në qendrën e Down Syndrome në Mitrovicë janë tetë persona pjesë e stafit, menaxheri, përgjegjësja, dy logopedë, një psikologe dhe dy punëtorë socialë. /KosovaPress/

The post Shoqata Down Syndrome Kosova mbështetje për fëmijët e prekur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gara për Mitrovicën, Supremja thotë se brenda pesë ditësh do të vendosë për ankesën e PDK-së

18 November 2025 at 11:19


Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte refuzuar kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka-Latifi, tha për Telegrafin se ankesa është pranuar sot dhe se brenda një afati prej pesë ditësh pritet të merret vendimi për këtë çështje.

"Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës – PDK, e ushtruar kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa - PZAP, është pranuar sot (18.11.2025) në Gjykatë Supreme, përmes postës. Për këtë çështje do të vendoset brenda afatit ligjor, prej pesë ditësh", ka thënë ajo.

Ndryshe, PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë”, thuhet në njoftim.

Sipas partisë, provat e paraqitura gjatë procesit të ankesës kanë treguar se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.

PDK ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të plotë të çështjes dhe një vendim që do të garantonte integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.

Në njoftimin e PDK-së, theksohet se partia do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore deri në përfundimin e çështjes, për të siguruar korrigjimin e parregullsive dhe për të mbrojtur proceset demokratike në vend.

“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftim.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi shumicën e votave./Telegrafi/

Kërkohet paraburgim për burrin që tentoi ta vriste djalin e tij në Vushtrri

15 November 2025 at 18:51


Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka kërkuar paraburgim për të dyshuarn D. B., i cili nga e njëjta prokurori dyshohet se dy muaj më parë tentoi ta vrasë djalin e tij.

Me këtë rast, Prokuroria po e akuzon atë për veprën penale- vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

D. B., ishte në arrati që nga 28 korriku 2025, ndërsa është arrestuar nga organet e rendit nën dyshimin për dy vepra penale, vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës më 14.11.2025, njoftoi për arrestimin e babait për tentim vrasjen e të birit.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se pas një pune operative është arrestuar një person me iniciale D.B., i cili prej muajsh ka qenë në kërkim, me dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në anën tjetër në raportin ditor të Policisë jepen detaje edhe për kohës e arratisë së të dyshuarit nga organet e rendit.

Në bazë të njoftimit të Policisë, rasti ishte regjistruar më 28.07.2025 në fshatin Stanovc i Ulët në Vushtrri ndërsa deri më 14.11.2025 i dyshuari ishte në arrati.

Pasi ishte njoftuar edhe prokuroria për arrestimin, i dyshuari është intervsituar e më pas me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Prindërit e Rey Manajt vizitojnë muralin e djalit të tyre në Mitrovicë, i cili u krijua pas golit historik ndaj Serbisë

15 November 2025 at 18:51


Rey Manaj ka fituar zemrat e tifozëve shqiptarë në mbarë botën. Muajin e kaluar, sulmuesi shënoi golin e fitores për Shqipërinë ndaj Serbisë në Leskovc, duke u kthyer në protagonistin e një momenti historik.

Pas kësaj, në Mitrovicë u krijua një mural dedikuar festës së golit të tij, ku shfaqet edhe shqiponja, simbol i krenarisë kombëtare.

Prindërit dhe vëllai i Manajt, që janë nga Lushnja, vizituan qytetin dhe u pritën nga ish-futbollisti i njohur dhe tani trajneri Emin Baliqi.

Rey Manaj ka ndarë në rrjetet sociale foton e prindërve të tij pranë muralit, duke treguar lidhjen e ngushtë me familjen dhe emocionin e momentit.

Ndërkohë, Shqipëria po përgatitet për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Anglisë, që zhvillohet në Tiranë, një sfidë vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës. /Telegrafi/

Tre gjyqtarë të rinj nisin detyrën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës

13 November 2025 at 13:50


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi, ka pritur sot në një takim njoftues tre gjyqtarët e rinj – Nehat Peci, Behar Haliti dhe Arlind Sadiku – të cilët së fundmi janë dekretuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, Veliqi uroi gjyqtarët për dekretimin dhe fillimin e detyrës së tyre të re, duke u dëshiruar suksese dhe duke theksuar mbështetjen e tij të plotë për bashkëpunim profesional.

Ai i inkurajoi gjyqtarët që të angazhohen me integritet dhe përkushtim në ushtrimin e funksionit gjyqësor, me qëllim të forcimit të sistemit të drejtësisë dhe ofrimit të shërbimeve efikase për qytetarët. /Telegrafi/


Përfundon verifikimi i plotë i votave në Mitrovicë, Faton Peci mbi 2 mijë vota para Arian Tahirit

12 November 2025 at 16:03


Pas një ndalimi të përkohshëm dhe rifillimit të procesit të verifikimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur me sukses numërimin dhe verifikimin e të gjitha 105 vendvotimeve në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Sipas rezultateve zyrtare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka fituar me 53.44% të votave apo 17,834 vota, duke u pozicionuar përpara kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i cili ka marrë 46.56% apo 15,541 vota.

Procesi i verifikimit ka përfshirë shqyrtimin e të gjitha votave për të siguruar saktësinë e rezultateve përfundimtare, pas shqetësimeve të ngritura së fundmi lidhur me disa parregullsi në fletëvotime.

Kujtojmë se procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht kishte urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi.

Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime.

PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë. /Telegrafi/

Rasti në Mitrovicë, Elshani: Dëshmitë dhe faktet e mbledhura do t’i adresojmë në PZAP, dhe këtë proces do ta çojmë në rivotim

12 November 2025 at 14:23


Anëtari i KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani ka thënë se sapo përfundoi procesi i verifikimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit.

Elshani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se që nga momenti kur u identifikuan fletëvotime me numra serikë që i përkasin vendvotimeve të tjera, janë angazhuar me të gjitha ekipet e numërimit dhe me vëzhguesit e PDK-së në Mitrovicë për të evidentuar çdo rast të dyshimtë.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese që ky trend i përzierjes së fletëvotimeve nga klasa të ndryshme është hasur në disa vendvotime, madje edhe raste ku fletëvotime nga një shkollë janë gjetur në shkolla të tjera. Të gjitha këto dëshmi dhe fakte të mbledhura do t’i adresojmë në PZAP, dhe këtë proces do ta çojmë deri në fund — deri në RIVOTIM. Përgëzoj secilin anëtar të ekipit që ka qëndruar vigjilent në çdo moment, duke siguruar çdo provë që Mitrovica të shkojë në rivotim”, ka shkruar Elshani. /Telegrafi/


Salihu: Vota e qytetarëve të Mitrovicës nuk është cenuar apo tjetërsuar, pavarësisht gabimeve në fletëvotime

12 November 2025 at 12:23


Situata e krijuar me fletëvotimet në Mitrovicë, ka shkaktuar huti tek qytetarët.

Sipas sqarimeve të ofruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompania sllovene Cetis, gabimet e konstatuara në fletëvotime është thënë se nuk kanë pasur ndikim në procesin e votimit.

Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP ka thënë se votimi ka qenë i rregullt.

"Nga të gjitha sqarimet që janë ofruar nga KQZ-ja dhe nga kompania sllovene ‘Cetis’ lidhur me fletëvotimet e Mitrovicës së Jugut, rezulton se gabimet në fletëvotim nuk kanë rezultuar me gabime në votim. Votimi ka qenë i rregullt, por disa nga fletëvotimet nuk kanë qenë brenda standardit”, ka shkruar Salhiu.

Ai ka shtuar se qytetari nuk është instanca që i verifikon standardet e fletëvotimit.

“Qytetari e jep votën sipas vullnetit të tij/saj dhe ky vullnet është brenda kutive të votimit. Vota duket se as nuk është cenuar, as kontrabanduar dhe as tjetërsuar”, u shpreh ai.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të procesit të verifikimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut.

“Deri në orën 09:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, ndërsa procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, ka njoftuar KQZ. /Telegrafi/

KQZ: Verifikimi i votave në Mitrovicë drejt përfundimit, vazhdon rinumërimi i 41 vendvotime në Drenas

By: D Marku
12 November 2025 at 13:47

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të procesit të verifikimit dhe rinumërimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Sipas njoftimit të KQZ-së, në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve.

“Deri në orën 09:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, ndërsa procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Një ditë më herët, të martën, është përmbyllur verifikimi i rezultateve në 17 Qendra Komunale të Numërimit, përfshirë komunat: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ky proces ka filluar një ditë më parë, dhe deri në orën 09:00 të së mërkurës janë rinumëruar 10 vendvotime.

KQZ njofton se rezultatet pas verifikimit publikohen në platformën zyrtare.

The post KQZ: Verifikimi i votave në Mitrovicë drejt përfundimit, vazhdon rinumërimi i 41 vendvotime në Drenas appeared first on Albeu.com.

KQZ: Verifikimi i votave në Mitrovicë drejt përfundimit, vazhdon rinumërimi i 41 vendvotime në Drenas

12 November 2025 at 11:01


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të procesit të verifikimit dhe rinumërimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Sipas njoftimit të KQZ-së, në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve.

“Deri në orën 09:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, ndërsa procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Një ditë më herët, të martën, është përmbyllur verifikimi i rezultateve në 17 Qendra Komunale të Numërimit, përfshirë komunat: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ky proces ka filluar një ditë më parë, dhe deri në orën 09:00 të së mërkurës janë rinumëruar 10 vendvotime.

KQZ njofton se rezultatet pas verifikimit publikohen në platformën zyrtare. /Telegrafi/


Krasniqi: Mitrovica duhet të shkojë në rivotim

12 November 2025 at 09:55


Njohësi i proceseve zgjedhore, Albert Krasniqi theksoi sot se pas dyshimeve për manipulim të votave, Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë.

Ai në një postim në Facebook ka theksuar se përtej fakteve zgjedhore, menaxhimi institucional ka qenë i papranueshëm.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Rezultatet e raundit të dytë në Mitrovicë ngrejnë dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor. Faktet janë kokëforta:

1. Exit poll-i nuk përputhet me rezultatet zyrtare – vetëm në Mitrovicë.

2. Pjesëmarrja më e madhe se në raundin e parë – ndër komunat e mëdha, vetëm në Mitrovicë.

3. Kandidati i vetëm që ka marrë më pak vota se në raundin e parë - sërish vetëm në Mitrovicë.

4. Fletëvotime të gabuara që nuk i përkasin vendvotimit.

Përtej fakteve zgjedhore, menaxhimi institucional ka qenë i papranueshëm:

5. KQZ u ngut ta shpallë “gabim teknik” pa hetim paraprak.

6. Kompania e shtypjes mori përgjegjësinë brenda pak orësh - pa asnjë verifikim serioz.

7. Prokuroria u mjaftua me deklarata të kompanisë.

8. Tenderi u dha si kontratë njëburimor, ndonëse kishte kohë të mjaftueshme për konkurrencë.

9. Kompania ka lidhje të njohura me eksponentë të partisë në pushtet.

10. Shteti dhe burimet publike janë keqpërdorur për qëllime elektorale - kush e përdor aparatin shtetëror për pushtet, mund ta përdorë edhe për vota.

Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë. Nëse e pranojmë këtë si “gabim teknik”, nesër asgjë s’do të garantojë që vota jonë vlen. Po bëjmë regres, për të mbrojtur diçka që e kishim tejkaluar: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. /Telegrafi/


KQZ përmbyll verifikimin e rezultateve në 17 komuna, Mitrovica e Jugut pritet të përfundojë nesër

11 November 2025 at 22:23


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri sonte në orën 20:00 është përmbyllur procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në 17 qendra komunale të numërimit.

Sipas KQZ-së, komuna e vetme ku procesi ende nuk ka përfunduar është Mitrovica e Jugut, ku verifikimi pritet të mbyllet gjatë ditës së nesërme.

“Deri në orën 20:00 të së martës është përmbyllur verifikimi i rezultateve në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë. Aktualisht procesi vazhdon vetëm në QKN e Mitrovicës së Jugut dhe pritet të përfundojë gjatë ditës së mërkurë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke u zhvilluar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas njoftimit, vendvotimet që po rinumërohen i përkasin zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Drenasit.


❌
❌