Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Sllagjan Trajkoviç dënohet me dhjetë vjet burgim për krime lufte në Vushtrri

By: xhir jeta
26 December 2025 at 11:14

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Sllagjan Trajkoviçin me dhjetë vjet burgim për krime lufte në komunën e Vushtrrisë.

Trajkoviç u dënua vetëm për një pikë të aktakuzës dhe për tri të tjera, trupi gjykues tha se nuk është vërtetuar se ai ka kryer ato veprime, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas vendimit, Trajkoviçit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Aktakuza ndaj tij u ngrit më 12 korrik 2023 nga Prokuroria Speciale, pasi ai ishte arrestuar më 15 dhjetor të vitit 2022. Pas arrestimit, zyrtarët në Serbi kishin deklaruar se Trajkoviq ishte ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Krimet për të cilat Trajkoviç u akuzua, sipas Prokurorisë Speciale, u kryen më 1998-99 në fshatin Reznik të Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq ka qenë pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe “ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar”.

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit, por edhe të shqiptimit të aktgjykimeve.

Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare./rel

Hamza: Rruga është e qartë edhe për qytetarët e Vushtrrisë, bashkë dhe përpara

18 December 2025 at 20:47


Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një tubim në mesin e mbështetësve të PDK-së në Vushtrri ka thënë se Kosova ka nevojë për një kapitull të ri stabiliteti, shprese e zhvillimi.

Duke thënë se tani është koha për bashkim, Hamza i ka ftuar qytetarët e Vushtrrisë ta votojnë PDK-në dhe numrin 130 më 28 dhjetor.

“Sot ju ftoj ta ktheni besimin në votë, punën në mbështetje dhe shpresën në fitore. Bashkë, punojmë. Bashkë, ecim. Bashkë, fitojmë. Përpara për çdo qytetar. Përpara për çdo familje që kërkon siguri dhe mirëqenie. Përpara për një Kosovë ma të fortë, ma të zhvilluar, ma dinjitoze. Me numrin 130, me PDK-në, ecim të sigurt drejt fitores. Bashkë. Përpara. Për Vushtrrinë që meriton ma shumë”, është shprehur ai.

Programi i Hamzës bazohet në katër shtylla: zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, arsim dhe shëndetësi, drejtësi, si dhe mbrojtje dhe politikë e jashtme.

Hamza është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve deri në 50%, sistem tatimor më të drejtë, lehtësira dhe subvencione për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, krijimin e fondit prej 30 milionë eurosh në vit për bursa studentore, qendra kujdesi për të moshuarit në çdo rajon të Kosovës, drejtësi të pavarur nga politika, krijimin e Gardës Kombëtare të Kosovës, si dhe rifillimin e Dialogut Strategjik.

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë dinjitet. Stabilitet. Një ekonomi që ua lehtëson jetën. Dhe pikërisht këtë e ofron programi ynë. Zgjidhje reale, të llogaritura, të financuara qartë”, ka theksuar Hamza.

Policia në Vushtrri arreston edhe dy të dyshuar për vjedhje të rëndë

18 December 2025 at 16:20


Policia e Kosovës ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar që ndërlidhen me veprën penale të vjedhjes së rëndë, në kuadër të procesit hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Sipas njoftimit më 18.12.2025 hetuesit policorë të Stacionit Policor në Vushtrri kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dytë të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”. Po ashtu, gjatë hetimeve është identifikuar edhe lokacioni ku ndodheshin sendet e vjedhura, me ç’rast janë sekuestruar njehsorët e vjedhur dhe është arrestuar edhe një person tjetër i moshës madhore.

Pas intervistimit dhe kryerjes së procedurave të nevojshme, ndaj personit të dyshuar të moshës madhore është iniciuar rasti për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Me udhëzim të prokurorit kompetent, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, ndaj personit të dyshuar të moshës së mitur, për kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë”, me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Policia njofton se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë.


Arrestohet një i mitur në Vushtrri për vjedhje të rëndë në një objekt ndërtimi

17 December 2025 at 16:19


Policia e Kosovës në Vushtrri ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, rast i cili ishte raportuar rreth një javë më parë.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit policorë të Stacionit Policor në Vushtrri kanë realizuar arrestimin bazuar në dyshime të arsyeshme dhe prova të siguruara gjatë hetimeve.

I dyshuari dyshohet se, në bashkëveprim me një person tjetër që ndodhet ende në kërkim policor, ka kryer vjedhje të rëndë në një objekt ndërtimi.

Gjatë këtij rasti, si cak i vjedhjes dyshohet se kanë qenë 45 njësorë uji.

Pas intervistimit, ndaj të dyshuarit, i cili është i moshës së mitur, me aktvendim të Prokurorit kompetent është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personit tjetër të dyshuar janë duke vazhduar.

Komuna e Vushtrrisë njofton për mbylljen e përkohshme të parkingut nëntokësor në sheshin “Adem Jashari”

4 December 2025 at 15:38


NPL “Përparimi” ka njoftuar qytetarët se parkingu publik nëntokësor në sheshin “Adem Jashari” do të jetë i mbyllur përkohësisht, për shkak të punimeve që do të realizohen gjatë fundjavës.

Qytetarët kërkohen që të largojnë automjetet e parkuara në këtë hapësirë deri nesër, të premten, më 5 dhjetor 2025, në ora 16:00, në mënyrë që ekipet e ndërmarrjes të mund të kryejnë punimet e nevojshme për rregullimin, pastrimin dhe vendosjen e sinjalizimit të brendshëm.

Sipas njoftimit, nga e hëna, 8 dhjetor 2025, parkingu do të ri-hapet dhe do të funksionojë si Parking i Posaçëm me Pagesë.

Komuna dhe NPL “Përparimi” falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin gjatë kësaj periudhe të ndërhyrjeve teknike. /Telegrafi/


Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, i akuzuari Jetmir Sinani dënohet me 24 vjet burgim

1 December 2025 at 22:19


Gjykata e Mitrovicës ka dënuar me 24 vjet burg Jetmir Sinanin, i akuzuari për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur në vitin 2023 në qytetin e Vushtrrisë.

Edhe në gjykimin e parë, më 20.01.2025, i pandehuri ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 24 vjet burgim, mirëpo lënda është kthyer në rigjykim.

Në shpalljen e sotme (01.12.20250) gjyqtari i lëndës, Xhemajl Jusufi, kumtoi se të pandehurit 23 vite i shqiptohen për veprën penale – vrasje e rëndë, ndërsa një vit e gjysmë për – armëmbajtje pa leje.

“I pandehuri Jetmir Sinani për veprën penale – vrasje e rëndë është fajtor. Trupi gjykues i cakton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 23 vite. Për veprën e dytë penale – mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve gjitashtu shpallet fajtor, i cakton dënim me burgim në kohëzgjajtje prej 18 muaj apo një vit e gjysmë. Në kuptim të nenit 76, trupi gjykues shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 24 vite burgim”- tha gjyqtari.

Pretendimet e avokatit të të akuzuarit, Fanol Krasniqi, për tronditje të fortë mendore të klientit të tij si dhe për mbrojtje të nevojshme, Gjykata ka ardhur në përfundim se nuk ka.

Kjo siç tha gjyqtari, bazuar kryesisht në ekspertizën psikiatrike.

“Në mënyrë të qartë, të besueshme plotësisht, në mënyrë profesionale e ka sqaruar se nuk ka tronditje, përkatësisht nuk ka pasur tronditje të fortë tek i pandehuri në ditën kritike. Për më tepër ky ka qenë pretendim ankimor në ankesën tuaj, as Gjykata e Apelit nuk ka vlerësuar se duhet bërë riekzaminim apo rivlerësim të këtij instituti përkatësisht për tronditjen e fortë mendore”- tha ai.

Ndërsa sa i përket mbrojtjes së nevojshme, gjyqtari potencon se trupi gjykues ka vlerësuar të gjitha rrethanat e rastit dhe sipas tij nuk është kontestuar se në ditën kritike ka ndodhur një përleshje- rrahje e po ashtu nuk është kontestuar se i pandehuri dhe shokët e tij janë sulmuar në ditën kritike në lagjen e tij, dhe se ka pësuar edhe lëndime të lehta trupore, siç pretendonte avokati Krasniqi.

“Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se në këtë rast një prej elementeve të mbrojtjes së nevojshme është që sulmi duhet të jetë në vazhdim e sipër. Në këtë rast sipas dëshmitarëve edhe provave materiale sulmi ka pushuar. Të dy dëshmitarët edhe në rikonstruiktim edhe në gjykim, dy herë kanë deklaruar se momenti kur i ndjeri Fatos e ka drejtuar armën është kthyer në vendin e tij dhe vetura ka qenë në lëvizje e sipër që nënkupton që sulmi nga ana e të pandehurit është ndërmarrë pasi që ka përfunduar sulmi, prej në këtë rast viktimës”- theksoi gjyqtari.

Madje, siç tha gjyqtari, mbrojtja në këtë rast e të pandehurit nuk ka qenë e domosdoshme të ndërmerret në formën se si është ndërmarrë.

Pretendimet e avokatit të të akuzuarit se Prokuroria nuk është kujdesur të vërtetojë faktet që shkojnë në favorin e tij

Në Gjykatën e Mitrovicës, më 25.11.2025, janë dhënë fjalët përfundimtare në rigjykimin e Jetmir Sinanit, i akuzuar për rastin e vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur në Vushtrri më 2023.

Në gjykimin e parë, më 20.01.2025, i pandehuri ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 24 vjet burgim.

I pandehuri kishte thënë në seancën përfundimtare se qëndron prapa deklarimeve të mëparshme, pra e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, por jo edhe për vrasje.

“Qëndroj prapa deklarimeve që i kam dhënë në vendin e ngjarjes”- kishte thënë Sinani.

Në anën tjetër prokurorja e rastit, Fetije Bajrami, kërkoi nga Gjykata ta shpallë fajtor të pandehurin për veprat penale të cilat i vihen në barrë dhe ta dënojë sipas ligjit.

Se rasti ka ndodhur afër një shkolle dhe se ka pasur frekuentim të qytetarëve e kishte thënë avokati i palës së dëmtuar Fatos Zenunit, Kushtrim Salihu, i cili kishte kërkuar që ky akt i rëndë kriminal të marrë përgjigjen më të ashpër që parashikon ligji – burgimin e përjetshëm.

Se të akuzuarit nuk janë çdoherë fajtorë dhe se viktimat nuk janë çdoherë të pafajshme kishte potencuar avokati i të akuzuarit Jetmir Sinani, i cili ia drejtonte gishtin Prokurorisë se nuk është kujdesur të vërtetojë faktet që shkojnë në favorin e të akuzuarit.

Sipas avokatit, në ditën kritike, para garazhit ishte ndalur një veturë “Pick up” ndërkaq pas pak sekondash një veturë e tipit “Opel Astra”.

Avokati kishte thënë se nga dritarja e veturës “Opel Astra” kishte shtënë Fatosi.

Ndërsa, sipas tij, dy persona kishin dalë nga vetura “Pick up” dhe katër nga vetura tjetër dhe së bashku e kanë sulmuar të akuzuarin dhe shokun e tij.

Më 04.11.2025, Gjykata e Mitrovicës ka bërë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi në tetor të vitit 2023 në Vushtrri.

Sipas aktakuzës, i pandehuri J.S., më 29.10.2023, rreth orës 15:50, në qytetin e Vushtrrisë, në udhëkryqin ku kryqëzohen rrugët “Mehmet Konjuhi”, “Rifat Galica” dhe “Zahir Pajaziti”, me qëllim të privimit nga jeta të personit tjetër, me përdorimin e armës së zjarrit të tipit “AK-47”, ka privuar nga jeta tani të ndjerët F.A. dhe L.M. Me këtë rast, i pandehuri akuzohet për kryerjen e veprave penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.

Sipas komunikatës, këqyrja në vendin e ngjarjes u bë në prezencë të Prokurorisë së Mitrovicës, mbrojtësve të të pandehurve, përfaqësuesve të viktimave dhe zyrtarëve hetimorë si: Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSH), Njësia e Forenzikës si dhe ekspertë nga lëmit përkatëse si Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK) dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF).

Ndryshe, më 30.10.2025, pesë persona ishin arrestuar nga Policia e Kosovës si të dyshuar për përfshirje në rastin ku mbeti i vrarë një person në Vushtrri dhe dy të tjerë u plagosën.

Policia kishte konfirmuar se fillimisht kishin arrestuar dy persona, J.S, 24 vjeçar dhe E.B., 24 vjeçar, ndërsa gjatë hetimeve kanë identifikuar edhe tre persona të tjerë.

Drejtoria Rajonale në Mitrovicë kishin konfiskuar një armë si provë materiale e cila ishte armë e gjatë, raporton Kallxo.

Plagoset me armë zjarri një vajzë e mitur në Vushtrri, i dyshuari në arrati

28 November 2025 at 09:30


Policia e Kosovës ka njoftuar për një incident të rëndë me armë zjarri që ka ndodhur mbrëmjen e 27 në rrugën “Ferat Novolani” në Vushtrri.

Sipas raportit policor, ankuesi – një mashkull kosovar, ka deklaruar se i dyshuari, ka shtënë dy herë me armë në drejtim të tij dhe familjarëve të tij.

Si pasojë e të shtënave, është plagosur në krah vajza e vëllait të ankuesit, e mitur.

Viktima është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve gjendet jashtë rrezikut për jetë.

"I dyshuari pasi e ka kryer veprën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim të policisë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë (pushkë 10-she) dhe 14 fishekë", ka njoftuar policia.

Rasti po hetohet nga policia./Telegrafi/

Vazhdojnë investimet në infrastrukturë në fshatra të Vushtrrisë

24 November 2025 at 15:42


Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit janë realizuar punime të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë asfaltimin e disa rrugëve kryesore dhe lagjore, si në qytet ashtu edhe në fshatrat përreth.

Sipas kryetarit Idrizi, këto punime kanë për qëllim përmirësimin e qarkullimit rrugor, lehtësimin e komunikacionit dhe rritjen e sigurisë për banorët.

Ai theksoi se investimet në infrastrukturë janë një prioritet i qeverisjes lokale dhe pjesë e angazhimit për të krijuar kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë, përcjell Telegrafi.

“Angazhimi ynë është që rrugët e qytetit dhe të fshatrave të jenë të sigurta, të mirëmbajtura dhe funksionale. Asfaltimi i këtyre rrugëve është vetëm një nga hapat drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe lehtësimit të jetës së përditshme të banorëve”, tha kryetari Idrizi.

Punimet infrastrukturore vazhdojnë edhe në disa zona të tjera, ndërsa Komuna e Vushtrrisë garanton se do të fokusohet në projektet që përmirësojnë standardin e jetesës dhe qarkullimin e sigurt për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/


Xhafer Tahiri jep dorëheqje nga posti i kryetarit të degës së LDK-së në Vushtrri

20 November 2025 at 10:17


Xhafer Tahiri ka njoftuar sot dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri.

Tahiri tha se ky vendim është marrë “me shumë dashamirësi, reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike”, duke theksuar se nuk vjen as nga lodhja e as nga zhgënjimi, por nga dëshira për t’i hapur rrugë energjive të reja brenda degës së LDK-së.

“Besoj se udhëheqja duhet të dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për një kapitull tjetër të LDK-së në Vushtrri”, u shpreh ai.

Tahiri kujtoi rrugëtimin e tij politik që nga viti 2009, kur mori drejtimin e FRLDK-së në Vushtrri e më vonë në nivel qendror, si dhe periudhën 2017–2021 kur shërbeu si Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, të cilën e cilësoi si “nderi i jetës sime”.

"Vendimi për dorëheqje është një hap prapa vetëm në pozicion, por jo në angazhim. Në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Vushtrrinë, për LDK-në e fortë e fituese dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në atdheun tonë", shkroi Tahiri në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/



Kërkohet paraburgim për burrin që tentoi ta vriste djalin e tij në Vushtrri

15 November 2025 at 18:51


Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka kërkuar paraburgim për të dyshuarn D. B., i cili nga e njëjta prokurori dyshohet se dy muaj më parë tentoi ta vrasë djalin e tij.

Me këtë rast, Prokuroria po e akuzon atë për veprën penale- vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

D. B., ishte në arrati që nga 28 korriku 2025, ndërsa është arrestuar nga organet e rendit nën dyshimin për dy vepra penale, vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës më 14.11.2025, njoftoi për arrestimin e babait për tentim vrasjen e të birit.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se pas një pune operative është arrestuar një person me iniciale D.B., i cili prej muajsh ka qenë në kërkim, me dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në anën tjetër në raportin ditor të Policisë jepen detaje edhe për kohës e arratisë së të dyshuarit nga organet e rendit.

Në bazë të njoftimit të Policisë, rasti ishte regjistruar më 28.07.2025 në fshatin Stanovc i Ulët në Vushtrri ndërsa deri më 14.11.2025 i dyshuari ishte në arrati.

Pasi ishte njoftuar edhe prokuroria për arrestimin, i dyshuari është intervsituar e më pas me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Sekuestrohen armë dhe municione në Vushtrri, dy të arrestuar

8 November 2025 at 18:17


Policia në Vushtrri ka sekuestruar armë dhe municione të shtunën gjatë ditës.

Sekuestrimi i armëve është bërë në fshatin Shallcë.

“Gjatë ditës së sotme, policia në Vushtrri, bazuar në informatat e pranuara për të shtëna me armë zjarri, ka arritur që në fshatin Shallcë të lokalizojë dhe ndalojë për kontrolle veturën me targa vendore në te cilën gjendeshin dy persona të dyshuar”, thuhej në njoftim.

Gjatë kontrollit të realizuar në veturë, janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion: Një armë e gjatë pushkë automatike; Dy pistoleta ; Tridhjetë e tetë (38) fishekë të kalibrave të ndryshëm.

“Dy personat e dyshuar, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndaj tyre është iniciuar raste për veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim i paautorizuar i armeve’ dhe ” Përdorim i armës”, thuhej më tej.


Policia e Vushtrrisë zhvillon ligjërata në shkolla për sigurinë në trafik

22 October 2025 at 11:28


Policia e Kosovës në Vushtrri ka nisur një seri ligjëratash në shkolla fillore, me fokus vetëdijesimin e nxënësve për rregullat themelore të trafikut rrugor.

Ky aktivitet ka për qëllim të pajisë të rinjtë me njohuri të domosdoshme për sigurinë në rrugë dhe të rrisë ndërgjegjësimin e tyre për rregullat e qarkullimit.



Përveç ligjëratave, Policia zhvillon aktivitete plotësuese që synojnë edukimin dhe këshillimin e nxënësve, ndërsa angazhimi në fushën e parandalimit dhe sigurimit të rrugëve do të vazhdojë gjatë gjithë vitit shkollor. /Telegrafi/

Muhaxheri për Tahirin: Do të dërgohet në komision disiplinor për koalicionin me LVV-në

20 October 2025 at 22:08


Kryetari aktual i Pejës dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për mandatin e katërt, Gazmend Muhaxheri, e ka quajtur nguti koalicionin e bërë nga bashkëpartiaku i tij, Xhafer Tahiri, me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri.

Muhaxheri, nëpërmjet një telefonate në Debat Plus në Dukagjin, u shpreh se Tahiri do të dërgohet në komision disiplinor ku pritet të ketë masa ndaj tij.

Mes tjerash, Muhaxheri u shpreh se është asnjëherë koalicionet nuk bëhen pa aprovimin e kryesisë së partisë.

“Sepse duhet me qu në komision disiplinor e pastaj komisioni disiplinor të marrë masa. Besoj që do të dërgohet por duhet të veprojmë më statut. Qendra zakonisht nuk u përzihet degëve por kërkon diskutim paraprak dhe aprovim prej kryesisë e pastaj prej organeve tjera – pa aprovim të qendrës nuk është bërë kurrë ndonjë koalicion. Jam shumë i befasuar se nuk është normale kjo nguti e Xhafer Tahirit”, u shpreh Muhaxheri.

“Xhafer Tahiri na tha se koalicioni me LVV është dakorduar me qendrën” – dy asambleiste të LDK-së në Vushtrri dalin kundër

20 October 2025 at 16:32


Dy asambleistet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Gentiana Rama dhe Leonora Gërguri, kanë reaguar pas raportimeve për arritjen e një koalicioni mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Në një deklaratë të përbashkët, ato kanë theksuar se distancohen plotësisht nga çdo marrëveshje e bërë pa miratimin dhe koordinimin e organeve qendrore të partisë.

Në takimin e mbajtur të dielën, kishin kërkuar qartësisht të dijnë nëse marrëveshja në fjalë është realizuar në bashkërendim me qendrën e partisë dhe me statutin e LDK-së.

E sipas tyre, Xhafer Tahiri ka thënë se ka pasur dakordim me qendrën.

Sipas tyre, fotografia e shpërndarë në media, ku asambleistët shihen me duar të bashkuara, është keqpërdorur, pasi është realizuar pas një pohimi të rremë se ekzistonte koordinim me qendrën e LDK-së.

“Çdo marrëveshje apo veprim i ndërmarrë jashtë kornizës institucionale të LDK-së, pa miratimin dhe koordinimin e plotë të partisë, është i papranueshëm dhe i dëmshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për interesat tona politike,” thuhet në reagimin e nënshkruar nga Leonora Gërguri dhe Gentiana Rama, asambleiste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.

Nënshkroi koalicion me VV-në, këto janë masat me të cilat mund të përballet Tahiri sipas statutit të LDK-së

20 October 2025 at 14:44


Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nënshkroi sot koalicion me kandidatin e LVV-së për kryetar në këtë komunë, Sylejman Meholli për ta përkrahur këtë të fundit në balotazh kundër kandidatit të PDK-së.

Nënshkrimi i marrëveshjes për këtë koalicion u bë edhe në praninë e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.

Mirëpo, pas kësaj reagoi Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tha se kandidati i saj për kryetar të kësaj komune Xhafer Tahiri ka ndërmarrë hapa për të formuar këtë koalicion pa miratimin e partisë.

Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim, ku u theksua se do të merren masa.

Sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), çdo anëtar që vepron kundër Programit, Statutit, vendimeve apo qëndrimeve të organeve të partisë, mund të përballet me masa disiplinore, përfshirë edhe largimin nga partia.

Në Nenin 13 të Statutit të këtij subjekti thuhet se ndaj çdo anëtari që me veprimet apo sjelljet e tij dëmton interesat e LDK-së, mund të shqiptohen masa disiplinore, ndërsa zhvillimin e procedurës e bën Komisioni Disiplinor, i caktuar nga Kryesia e partisë.

Ndërsa Neni 14 përcakton qartë se largimi nga LDK mund të ndodhë në rastet kur anëtari: abuzon me vlerat dhe objektivat themelore të partisë; vepron kundër kandidatëve të LDK-së në zgjedhje ose mbështet subjekte të tjera politike apo kandidatët e tyre.

Statuti gjithashtu thekson se Këshilli i Përgjithshëm i partisë është ai që vendos për koalicionet para dhe pas zgjedhore në nivel qendror, kurse Kryesia vendos për koalicione në nivel lokal.

Po ashtu, statuti ndalon që anëtarët të mbajnë pozita brenda organeve të LDK-së nëse publikisht refuzojnë ose mohojnë vendimet e forumeve ku bëjnë pjesë.

Vendimin për masën disiplinore e merr Komisioni Disiplinor, ndërsa ankesa mund të bëhet në Këshillin e Përgjithshëm, vendimi i të cilit është përfundimtar. /Telegrafi/

Koalicion me LVV-në në Vushtrri: U nënshkrua pa miratimin e partisë, do të merren masa

20 October 2025 at 12:41


Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar përmes një komunikate për media lidhur me nënshkrimin e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri.

Sipas njoftimit, thuhet se kandidati i saj për kryetar të kësaj komune Xhafer Tahiri ka ndërmarrë hapa për të formuar këtë koalicion pa miratimin e partisë.

Në komunikatë, LDK njofton anëtarësinë dhe opinionin publik se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

LDK-ja ka bërë të ditur se vendimet për koalicione apo bashkëpunime do të merren vetëm pas një analize të performancës së kandidatit dhe degës në këtë komunë.

“LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse”, thuhet tutje në njoftim.

Partia më tej e quan veprimin e kandidatit si të pavlefshëm dhe në kundërshtim me parimet e saj të brendshme.

“Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale”, thuhet në njoftim.

LDK thekson se aktualisht është e përqendruar në fushatën për balotazh dhe jo në marrëveshje me parti të tjera.

“LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/

Arrihet marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për koalicion në Vushtrri para balotazhit

20 October 2025 at 12:09


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka konfirmuar se kanë arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për koalicion në Vushtrri para balotazhit që zhvillohet më 9 nëntor.

Kurti ka thënë se duan që këtë marrëveshje ta finalizojnë me një bashkëqeverisje të mirë, derisa i pranishëm ishte edhe kandidati për kryetar nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri.

“Duam që më 9 nëntor këtë marrëveshje për bashkëqeverisje ta finalizojmë për punë të madhe ditë e natë në të mirë të qytetarëve të Vushtrrisë”, deklaroi Kurti.

Ndërsa, Tahiri ka falënderuar Kurtin për prezencën e tij për të arritur këtë marrëveshje para balotazhit.

“Dua të ju falënderoj për prezencën tuaj për këtë marrëveshje të arritur dhe dua që të vazhdojmë të bëjmë ndryshimin në komunën e Vushtrrisë”, tha kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë.

Vlen të ceket se nga rezultatet e deritanishm preliminare, Ferit Idrizi nga Partia Deomratike e Kosovës ka dalë i pari me 38.08 për qind apo 10,903 të votave.

Ndërsa, LVV ka dalë e dyta me 26.28 për qind dhe LDK e treta me 21.62 për qind. /Telegrafi/


Goditi dy policë me motoçikletë, arrestohet i dyshuari në Vushtrri

17 October 2025 at 08:58


Një person është arrestuar pas një incidenti të ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Vushtrri, ku i dyshuari, një mashkull kosovar, duke drejtuar një motoçikletë, nuk i është ndalur urdhrit të zyrtarëve policorë dhe më pas ka goditur dy prej tyre.

Si pasojë e përplasjes, të dy zyrtarët policorë kanë kërkuar dhe kanë marrë tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.

Hetimet lidhur me ngjarjen janë duke vazhduar./Telegrafi/

Përfundon numërimi i votave në Vushtrri, ka balotazh

12 October 2025 at 23:07


Ka përfunduar numerimi i votave të rregullta për kryetar të komunës së Vushtrrisë, dhe sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), qyteti do të shkojë drejt balotazhit.

Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kryeson me 45,56% të votave ose 13,526 vota, ndërsa pas tij renditet Sylejman Meholli nga Lëvizja Vetëvendosje! (LVV) me 30,63% (9,093 vota).

Kandidatët e tjerë morën:

Xhafer Tahiri (LDK) – 19,72% (5,854 vota)
Xhevahire Izmaku (NISMA) – 2,40% (712 vota)
Mensut Ademi (AAK) – 0,96% (284 vota)
Shaban Miftari – 0,74% (219 vota)

Rezultatet tregojnë një garë të hapur dhe të fortë, ndërsa qytetarët do të vendosin në raundin e dytë për kryetarin e ri të Vushtrrisë.

Përditësuar më 12.10.2025.

Numërohen mbi 38% e votave në Vushtrri, kryeson Idrizi i PDK-së

12 October 2025 at 21:02


Procesi i numërimit të votave për kryetar të Komunës së Vushtrrisë po vazhdon me intensitet, ndërsa sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 20:49 janë procesuar 37 nga 97 vendvotime, apo 38,14% e totalit.

Rezultatet preliminare tregojnë se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferit Idrizi, është në epërsi me 44,94%, që përkthehet në 4,634 vota.

Pas tij renditet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje!, Sylejman Meholli, me 29,81% (3,074 vota), ndërsa në vendin e tretë është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahiri, me 21,20% (2,186 vota).

Kandidatët e tjerë kanë marrë këto rezultate:

Xhevahire Izmaku (NISMA Socialdemokrate) – 2,72% (280 vota)
Shaban Miftari – 0,70% (72 vota)
Mensut Ademi (AAK) – 0,64% (66 vota)

Procesi i numërimit në Vushtrri po vazhdon, ndërsa rezultatet pritet të përditësohen nga KQZ në orët në vijim.

❌
❌